Njeriu në Kur′an
Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në këtë ligjëratë do të vazhdojmë me shpjegimin e natyrës së lindur njerëzore. Vërejmë se Kur’ani i Shenjtë dhe hadithet dëshmojnë për ekzistencën e një prirjeje të brendshme që është e përbashkët për të gjithë njerëzit. Përveç kësaj, këta dy burime theksojnë se në aspektet e ndryshme të njeriut, si prirjet, aftësitë dhe botëkuptimet e tija, ekzistojnë potenciale të shumta.


Fjala arabe për natyrën e lindur ose prirjet e brendshme të njeriut, gjegjësisht “fitra”, nënkupton “krijim”, “zbulim” ose “një cilësi që e posedon çdo qenie që nga krijimi”.1 Kuptimi i kësaj fjale lejon që ajo të përdoret për çdo gjallesë. Megjithatë, në praktikë ajo përdoret vetëm për njeriun dhe nënkupton tiparet njerëzore. Vetë kjo fjalë dhe fjalët e prejardhura të saj shfaqen shumë herë në Kur’an dhe nënkuptojnë “krijim”. Sipas të ndjerit Allame Tabatabai, kjo fjalë nënkupton “krijim nga asgjëja”.2 Vetë fjala fitrah përmendet në Kur’an vetëm në një varg të vetëm edhe atë në kontekstin e njeriut, duke e ndërlidhur atë me Zotin:


Dhe ktheje fytyrën tënde drejt fesë, drejt natyrës së lindur, në të cilën Zoti e krijoi njeriun! Nuk ka ndryshim në krijimin e Zotit. Kjo është feja e vërtetë por shumica e njerëzve nuk dinë. (Kur’an 30:30) 


Ky varg tregon qartë se ekziston një lloj prirjeje hyjnore tek njeriu, e cila e bën atë të aftë për ta kuptuar dhe pranuar fenë.  Zoti i Madhëruar i ka dërguar profetët, që nëpërmjet thirrjes së tyre drejt besimit, ta shpalosin të Vërtetën e fshehur brenda njeriut. Megjithatë, me këtë nuk nënkuptohen të gjitha cilësitë inherente të njeriut, sepse të tillat mund të ndahen në dy kategori. Të parën prej tyre e përbëjnë cilësitë që janë të përbashkëta për njeriun dhe kafshët e që nuk kanë të bëjnë me natyrën e lindur, në kuptimin që e përmendëm më sipër. Këto cilësi, në mesin e të cilave rradhiten uria, lodhja fizike, prirja seksuale e gjëra të ngjashme, janë të përbashkëta për njeriun e për kafshët por nuk janë tjetër veçse një instinkt biologjik.


Natyra e lindur, në kontekstin tonë, ngërthen cilësitë që janë të veçanta për njeriun dhe që nuk mund të kufizohen në një individ, kohë ose vend të caktuar. Mund të kuptojmë, pra, se kjo prirje e brendshme nuk mund të fitohet më pas. Njeriu nuk mund ta mësojë atë, nuk mund t’ia mësojë një tjetri dhe nuk mund ta fitojë nga rrethanat shoqërore. Këto cilësi janë të rrënjosura në natyrën njerëzore, ndonëse nuk mund të mohohet se faktorët si edukimi, arsimimi, shoqëria, mjedisi dhe madje veprimet e vetëdijshme të njeriut, kanë ndikim mbi to.


Në mesin e tiparave të përbashkëta të njeriut, Kur’ani përmend prirje dhe aftësi të caktuara, prej të cilave disa janë të përgjithshme, ndërsa disa të tjera të ndërlidhura me Zotin e me kërkimin e Zotit, adhurimin e Tij dhe njohjen. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë se çdo njeri lind me një prirje të brendshme. Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) e shkoqit këtë hadith, kur thotë se çdo njeri lind me njohurinë se Zoti është krijuesi i tij.3


 Prej kësaj mund të kuptojmë se njeriu, që nga fillimi i krijimit të tij, i posedon këto tipare unike. Pyetja se sa gjatë e shoqërojnë njeriun këto cilësi dhe sa ndikim kanë në njohjen e pozitës së tij, kërkon shpjegime më të hollësishme. Por kur të merremi më intensivisht me këto tema, nuk ka dyshim se do të kuptohet më mirë pozita dhe identiteti i vërtetën i njeriut. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!  


1: Dekhoda, Loghatname
2: Tabatabai, El-Mizan, v.11, shkoqitja e vargut 11:51

3: Kulejni, El-Kafi, v.2, f.13

publikuar më: 30.05.2014

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu