Njeriu në Kur′an
Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Në mesin e çështjeve të ndërlidhura me njeriun është edhe çështja e qëllimit përfundimtar të njeriut dhe pyetja se ku fshihet lumturia dhe përsosuria e tij. A duhet ta arrijë çdo njeri qëllimin e tij personal ose mos vallë ekziston një qëllim i përbashkët, për të cilin janë krijuar të gjithë njerëzit? Me cilat mjete mund të arrihet ky qëllim dhe si e arrin njeriu cakun përfundimtar të krijimit të tij?


Në jetën e tij, njeriu mbetet ballë për ballë me probleme, konflikte dhe shqetësime të ndryshme. Edhe përkundër shumëllojshmërisë së mendimeve që ekzistojnë në këtë drejtim, është vështirë t’u gjendet një përgjigje pyetjeve dhe dilemave të tija pa pasur një burim të sigurt dhe të besueshëm. Ndonëse shumë njerëz dhe mendimtarë shprehin mendime të ndryshme lidhur me rrugën që do ta çonte njeriun drejt lumturisë dhe përsosurisë, asnjëri prej tyre nuk mund të japë një përgjigje të plotë dhe përfundimtare. Ja përse, për të gjetur një përgjigje të plotë dhe përfundimtare, i drejtohemi shpalljes hyjnore.


Në shpalljen e Tij, Krijuesi ia paraqet njeriut të gjitha nevojat, dëshirat dhe qëllimet e tija, në mënyrë që çdo njeri të mund ta kuptojë pozitën e tij qartazi dhe ta shfrytëzojë si duhet mundësinë që i jepet gjatë jetës, për të hapëruar rrugës së të Vërtetës dhe për ta arritur lumturinë e mirëfilltë.


Nuk ka dyshim se definicionet mbi lumturinë, jetën dhe përsosurinë janë të varura nga pikëpamja jonë mbi njeriun. Pa njohuri të thelluara mbi njeriun dhe pa një botëkuptim që depërton thellë në qenien e tij dhe jep një këndvështrim më të sofistikuar, edhe pikëpamja jonë lidhur me përsosurinë dhe lumturinë e njeriut do të jetë sipërfaqësore. Për një njeri të tillë, jeta nuk do të ketë kurrfarë vlere dhe ai ka për të vuajtur shumë karshi njëtrajtshmërisë së përsëritur të përditshmërisë.


Por nëse botëkuptimi ynë mbështetet në një njohje të thellë dhe në një besim të fuqishëm në jetën e përjeshme, jeta fiton një kuptim krejtësisht tjetër. Kjo është arsyeja përse duhet të merremi më shumë me nocionet si “përsosuria” dhe “lumturia”. Do të ishte e gabuar të mendohej se kuptimi i këtyre dy nocioneve është i qartë dhe i vetëkuptueshëm për të gjithë. Sikur të ishte e saktë kjo gjë, nuk do të kishte kaq shumë mendime të ndryshme, kundërthënëse me njëra-tjetrën. Përse ekzistojnë kaq shumë mendime të ndryshme? Përse ka kaq shumë konflikte, nga dallimi në mendime deri tek luftërat e përgjakshme?


Para se të mund të flasim për lumturinë, duhet t’i të qartësojmë disa gjëra:


1. Pyetja e lumturisë është e ndërlidhur me shumë shkenca dhe fusha të studimit. Dhe kur bëhet fjalë për qëllimin e njeriut, vetvetiu hynë në lojë edhe filozofia dhe gnosa. Edhe etika mund të përfshihet në këtë barazim, sepse edhe ajo mund ta çojë njeriun drejt lumturisë duke i mësuar virtyte e duke e mbajtur larg të ligave. Filozofia e moralit është tejet e qartë në pretendimin e vet se etika ka një lidhje të drejtpërdrejtë me lumturinë. Për të fituar virtyte, njeriu duhet të merret me metodat e ndryshme të edukimit, me çfarë edhe vetë pedagogjia përfshihet në formulën tonë të definimit të lumturisë.


2. Si në të gjitha temat e tjera që kanë të bëjnë me njeriun, edhe në çështjen e lumturisë ka pikëpamje që ose mbështeten në botëkuptimin fetare ose në atë materialist. Lumturia mund të definohet duke u mbështetur në pranimin e shpalljes hyjnore ose në mohimin e saj. Në të dy rastet, duhet të kihet kujdest për metodat e përdorura. Shumë gjëra do të qartësoheshin nëse bëjmë dallim ndërmjet diskutimit në kornizat e fesë dhe diskutimit jashtë kornizave të fesë.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju!


VAZHDON

publikuar më: 22.10.2016

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu