Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në mesin e detyrave që Kur’ani i Shenjtë ia ngarkon të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) është edhe leximi i vargjeve hyjnore para njerëzve:
Vërtet Zoti i ka dhuntisur me të madhe besimtarët, duke u dërguar një profet nga mesi i tyre, që ua lexon ajetet e Tija, i bën të dëlirë e ua mëson librin e urtësinë...(Kur’an 3:164)
Çdo musliman që dëshiron të njihet me Kur’anin, duhet ta lexojë atë dhe t’u përmbahet rregullave të shprehura brenda tij. Leximi i Kur’anit jo vetëm që ka një sërë rregullash të caktuara, por ka edhe një kuptim të veçantë. Është përcjellur se njeriu duhet ta lexojë Kur’anin, sikur ta ketë para syve të Adhuruarin e tij, sepse ky shkrim nuk është tjetër veçse një manifestim i kësaj të Vërtete të madhëruar. Ndaj njeriu duhet ta përgatisë zemrën dhe shpirtin e tij për ta “soditur” Zotin. Është shumë me rëndësi që gjatë leximit të Kur’anit, njeriu ta ketë ndjesinë e afërsisë dhe të pranisë hyjnore të të Adhuruarit. Falë kësaj afërsie, njeriu do të shpëtojë nga frika dhe shqetësimet. Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të) thotë: “Edhe sikur të vdisnin të gjithë njerëzit në lindje e në perëndim, nuk do t’i druhesha vetmisë për sa kohë që e kam Kur’anin pranë vetes.”1
Kushdo që, gjatë leximit të Kur’anit, e sodit me syrin e zemrës së tij Atë që manifestohet në ato vargje, e ka zbuluar kuptimin e vërtetë të këtij leximi. Por kuptohet se njeriu ka për ta ndjerë praninë hyjnore në varësi nga niveli i tij i njohjes, diturisë dhe gatishmërisë shpirtërore. Në mënyrë që besimtari ta arrijë këtë shkallë të urtisë e ta “sodisë” të Adhuruarin me syrin e zemrës, ai duhet të jetë i dashuruar pas të Vërtetës, të mos lërë vend në zemrën e tij për asgjë tjetër e të mos shqetësohet nga asnjë send. Në duanë e Arafatit, Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) thotë: “Ç’ka gjetur ai që të ka humbur Ty? E ç’ka humbur ai që Ty të ka gjetur?”
Përcillet se Imam Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi të), kurdo që e dëgjonte shprehjen “Sunduesi në Ditën e Gjykimit”, e përsëriste atë në vete thua se i kishte ardhur vdekja. Lidhur me manifestimin e Zotit, Imam Aliut (paqja qoftë mbi të) thotë: “Zoti i Madhëruar është manifestuar për robërit e tij në këtë Libër. Ata e shohin dhe e lexojnë librin e Zotit, por Zotin nuk e shohin dot.”2
Koncepti i manifestimit (arab. texhel’li) është ndër konceptet më të bukura të kulturës së çmuar islame. Në thelb të tij qëndron ideja se Zoti i Madhëruar ka zbritur një të Vërtetë nga shkalla e “fshehtësisë absolute” (arab. ghajb) deri në shkallën e arsyes sonë, në mënyrë që ta bëjë të kuptueshme për ne. Megjithatë, ky manifestim nuk përbën një shkëputje ose ndarje. Kur’ani i Shenjtë u zbrit në muajin Ramazan. Dhe ndërsa realiteti i tij do të ekzistojë përherë pranë Zotit, në këtë proces të zbritjes, ai u thjeshtësua aq sa të mund të lexohej nga njerëzit e të ishte i dobishëm për ta.3 Po të bëhej fjalë për një shkëputje, atëherë do të duhej të pranonim se gjëja e zbritur nuk ekziston më në rrafshin sipëror, pra tek burimi i saj, siç është rasti me shiun kur bie dhe nuk është më në qiej pasi të ketë rënë.
Si një shembull tjetër të manifestimit, mund ta përmendim ëngjëllin e vdekjes, i cili u shfaqet njerëzve që janë në vdekje e sipër, ndonëse vetë ëngjëlli gjendet në një rrafsh më të lartë të ekzistencës. Këtë fenomen, Imam Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi të) e përshkruan si vijon: “Kur ëngjëlli i vdekjes e zbulon veten nga pas perdeve, shpirtrat për t’i marrë...”4 Në fund të fjalëve të tija, Imami i lutet Zotit që të na mëshirojë në atë ditë.
Një tjetër shembull i manifestimit është rrëfimi i Musës (paqja qoftë mbi të) në Kur’an, në të cilin ai kërkon ta shohë Zotin.
Dhe Zoti tha: “Ti s’mund të më shohësh Mua. Por vështroje malin! Nëse mbetet në vend, atëherë ke për të më parë edhe ti.” Kur Zoti iu shfaq malit, mali u bë pluhur e hi dhe Musa ra në tokë pa ndjenja. (Kur’an 7:143)
Lexuesi i Kur’anit, pra, duhet ta kuptojë urtinë dhe manifestimin hyjnor që fshihet në këto vargje. Ai që e arrin këtë nivel, është në shkallën e ëngjëjve, që janë lajmëtarë të Zotit. Në hadithe thuhet: “Kushdo që e mëson Kur’anin përmendësh e vepron sipas tij, do të jetë në shoqëri të ëngjëjve, që janë lajmëtarë të Zotit.”5
Në ditën e gjykimit, Kur’ani do të shfaqet në formë të një njeriu që ndrit dhe do të kalojë para radhëve të besimtarë, profetëve, ëngjëjve, të urtëve e dëshmorëve, ndërsa të gjithë do të thonë se e njohin dhe se ai është prej tyre. Por Kur’ani do të shkojë pranë Zotit dhe do të bëje ndërmjetësim për ata që kanë vepruar sipas tij e që ia kanë shfaqur respektin e nevojshëm. Dhe s’ka dyshim se ndërmjetësimi i Kur’anit pranohet tek Zoti.
Andaj edhe sjellja jonë karshi Kur’anit duhet të jetë plot respekt dhe kujdes. Duhet përherë të përpiqemi për t’iu përkushtuar tërësisht Kur’anit, për ta ndritur trupin dhe shpirtin tonë me dritën e tij e për ta konsideruar atë një peshore tonën. Një njeri, shpirti i të cilit është në harmoni me Kur’anin, ka për të patur një pozitë të lartësuar. Nëse trupi dhe shpirti ynë nuk janë në harmoni me Kur’anin, kjo do të thotë se nuk kemi një pozitë të lartësuar pranë Zotit. Urojmë që Zoti të na bëjë përherë bashkë me Kur’anin e me Ehl-i Bejtin, këta dy amanete të të Dërguarit të Zotit.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Kulejni, El-Kafi, vëll.2, f.602
2: Nehxhu’l-Belaga, fjalimi nr.147
3: Në veprën “Tefsiri i sures Hamd (Fatiha)” (http://dielli.net/lexo.php?id=93) nga Ajetollah Khomeini, në pjesën “Zoti dhe lavdia e Tij”, thuhet: “Kur’ani është një e vërtetë që i shpallet zemrës. Kur’ani është një e fshehtë e ruajtur. Ai duhej të zbriste nga lartësia e tij që të mund t’i shpallej zemrës së të Dërguarit të Zotit. Më pas, duhej të zbriste akoma më poshtë që të mund të kuptohej nga të tjerët.” (shën. përkth.)
4: Sahifa es-Sexh’xhadijje, lutja nr.42
5: Kulejni, El-Kafi, vëll.2, f.603