Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Kur ta studitojmë Kur’anin, do të vërejmë se ai është libri më i përsosur dhe më gjithëpërfshirës që mund të gjendet, i cili e prezanton vetveten si të tillë dhe ofron njohuri të thella mbi madhështinë, vërtetësinë dhe dimensionet e ndryshme të brendisë së tij. Kjo temë është trajtuar në disa vepra të ndryshme. Për shembull, Mulla Sadra ka përmendur tridhjetë epitete të Kur’anit, të cilat aludojnë në dimensionet e tija të shumta. Në tefsirin e Ebu’l-Futuh Raziut janë përmendur dyzet epitete, ndërkohë që autorë të tjerë kanë folur për pesëdhjetë të tillë. Mulla Husejn Kashefi, në hyrjen e tefsirit të tij të Kur’anit, të titulluar Xhevahir et-tefsir, përmend shtatëdhjetë epitete të Kur’anit. Në mesin e tyre përmenden epitete si “udhërrëfyes”, “shpallës”, “shpjegues” dhe “paralajmërues”, nëpërmjet të cilëve Kur’ani na zbulon shumë cilësi të veta. Sikur këta tituj të mos ishin në Kur’an, njohja e këtyre dimensioneve mbase do të ishte e pamundur.
Edhe në hadithe janë përmendur shumë gjëra në lidhje me Kur’anin e Shenjtë. Vepra El-Kafi e Shejh Kulejniut është një libër tejet i rëndësishëm për shiitët, njësoj siç janë Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit në shkollën sunnite. Por krahas veprës El-Kafi, edhe veprat e tjera shiite si Men le-jehsuruhu el-fakih dhe Istibsar ve tehdib janë tejet të rëndësishme dhe përmbajnë hadithe, në të cilat madhërohet Kur’ani. Disa prej këtyre haditheve do t’i përmendim në vijim:
Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) përcjell nga paraardhësit e tij: Një njeri iu ankua Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) nga dhimbjet që kishte në gjoks. Profeti iu përgjigj: “Kërko shërim në Kur’an, sepse Zoti i Madhëruar ka thënë: Ju ka ardhur një këshillë nga Zoti, një ilaç për vuajtjen e zemrës suaj...”1
Nga Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) përcillet: Kur’ani e udhëzon të humburin dhe ia hap syrin të verbrit. Ai mbron nga gabimet, ai e ndriçon errësirën, ai e pengon më të keqen në fatkeqësi, ia tregon rrugën çdo të devijuari, ai e shpjegon çdo mëkat e çdo gabim dhe e çon njeriun nga kjo botë drejt amshimit. Në të do ta gjeni përsosurinë e besimit tuaj. Nuk ka njeri që ia kthen shpinën Kur’anit e që nuk shkon në ferr.2
Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të) thotë: Edhe sikur të vdisnin të gjithë njerëzit në lindje e në perëndim, nuk do të ndjeja vetmi për sa kohë që Kur’ani është pranë meje.3
Ishte një shprehi e këtij njeriu të lartësuar që kurdoherë që e lexonte shprehjen “Sunduesi në ditën e gjykimit”, e përsëriste atë sikur të ishte duke qëndruar para vdekjes. Përcillet se njerëzit që e njohin Kur’anin e Shenjtë e kanë pozitën më të lartë pas profetëve të Zotit dhe se Zoti ka caktuar pozita të larta për ta. Ja përse nuk duhet të nënvlerësohet Kur’ani.4 Sa bukur është kur njeriu përpiqet që nga rinia për ta mësuar Kur’anin dhe e mëson recitimin e tij! Në një hadith thuhet: Atij, që e lexon Kur’anin në rini dhe që është besimtar, Kur’ani do t’i përzihet në mish e në gjak. Në parajsë, Zoti do ta shoqërojë këtë njeri me të zgjedhurit e vet nga bota e ëngjëjve dhe Kur’ani do ta mbrojë nga zjarri në ditën e ringjalles. Kur’ani do të flasë për të e do të thotë: “O Zot! Çdo veprues u shpagua për veprën e tij, përveç atij që ka vepruar për mua. Andaj shpërbleje atë me dhuntitë e Tua më të bukura!”
Nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) përcillet thënia në vijim: Vërtet, në të fshihet ilaçi për sëmundjet tuaja.5
Në shpjegim të kësaj thënieje duhet të theksojmë se nuk ekzistojnë vetëm dhimbjet dhe sëmundje trupore por edhe sëmundjet e zemrës. Imam Aliu thotë sërish: Varfëria është fatkeqësi. Më keq se varfëria është sëmundja e trupit. Por më keq akoma është sëmundja e zemrës.6
Ka disa lloje sëmundjesh që e godasin zemrën e njeriut (flitet për zemrën si organ i perceptimit të hyjnores dhe jo për zemrën si organ anatomik; shën. i përkthyesit). Imam Aliu thotë se në Kur’an është ilaçi i të gjitha dhimbjeve dhe sëmundjeve. Kjo do të thotë se në Kur’an flitet për njerëzit dhe për gjithçka që ka të bëjë me sëmundjet e tyre dhe me shërimet përkatëse. Njeriu duhet t’i njohë mirë nevojat e tija. Ai duhet të dijë se është nevojtar dhe se është i varur nga i Vetëmjaftueshmi. Nëpërmjet lidhjes me Të, njeriu mund t’i përmbushë nevojat e veta. Në lidhje me këtë, Zoti thotë:
O njerëz! Ju jeni të varfër para Zotit, ndërsa Zoti s’është nevojtar dhe i meriton lëvdatat. (Kur’an 35:15)
Në këtë varg, Zoti i lë njeriut të kuptojë se ai është i varur nga Zoti i tij dhe se fillimisht duhet ta njohë, ta shohë e ta kuptojë këtë të vërtetë. Pasi ta arrijë këtë pozitë, njeriu në çdo sekondë të jetës së tij e ndjen varësinë nga Krijuesi. Kur’ani është një libër që merret me punët e njeriut:
Ju kemi zbritur një libër, në të cilin flitet për nderin e për lavdinë tuaj. A nuk mendoni ende? (Kur’an 21:10)
Ky varg mund të nënkuptojë se në këtë libër flitet për njeriun, për definicionin e tij, për besimin e tij, për moralin dhe për mendimet e tija. Megjithatë, ekzistojnë edhe interpretime të ndryshme të këtij vargu, të cilat mund të jenë po kaq të sakta. Disa prej tyre janë si vijon:
1. Fjala dhikr mund të jetë në kuptimin e namit dhe lavdisë. Kur’ani u jep njerëzve një lavdi të tillë, sa të gjithë njerëzit flasin për ta. Sikur ky libër dhe Profetit të mos kishin qenë, muslimanët kurrë nuk do të ishin një temë diskutimi.
2. Disa e kanë përkthyer fjalën “dhikrukum” si “fuqia juaj”. Në fund të fundit, Kur’ani është libri që u jep fuqi shoqërive muslimane, për sa kohë që praktikohen mësimet e tija. Kështu, mund të thuhet se fuqia dhe madhështia jonë si muslimanë varen nga pyetja në e praktikojmë përmbajtjen e Kur’anit.
3. Fjala “dhikr” mund të përkthehet edhe si “përkujtim” ose “qortim”. Sipas kësaj, Kur’ani është një libër që na përkujton se në çdo aspekt të fesë sonë, jemi të varur prej Kur’anit. Ai është një libër i udhëzimit dhe përmban çdo gjë, për të cilën ka nevojë një musliman për fenë e tij. Sikur njeriu t’i kthehet Kur’anit, ai ka për ta arritur pozitën ku do të jetë krenari e njerëzimit.
Ndonëse kuptimet që i përmendëm më sipër janë tejet të mundshëm, ekziston edhe mundësia tjetër që fjala “dhikrukum” të nënkuptojë se një njeri që dëshiron t’i njohë dimensionet e ndryshme të ekzistencës dhe gjendjet e ndryshme të njeriut, e që dëshiron të bëjë dallim ndërmjet të mirës dhe të ligës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, duhet t’i drejtohet Kur’anit.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Usul el-Kafi, kapitulli mbi vlerën e Kur’anit, hadithi nr.8
2: Po aty, hadithi nr.13
3: Po aty, hadithi nr.1
4: Nehxh’ul-Belaga, fjalimi 153
5: Po aty, thënia 381