Kur′ani
Vlefshmëria universale e vargjeve kuranore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 


Njëri nga aspektet më të rëndësishme të Kur’anit të Shenjtë është fakti se ai është një libër gjithnjë aktual, i vlefshëm për të gjitha kohët dhe për të tërë njerëzimin. Kur’ani është një shkrim që e trajtëson shoqërinë dhe në një hadith përshkruhet kështu: Kur’ani është i gjallë dhe nuk vdes kurrë.1


Vetë kjo fjali mjafton për t’i shkatërruar pohimet kundërshtuese. Në një hadith tjetër thuhet: Merreni Librin e Zotit, sepse leximi i përsëritur i tij nuk e lodh lexuesin.2 


Kjo fjali jo vetëm që na lë të kuptojmë se të dëgjuarit dhe leximi i Kur’anit nuk e lodhin njeriun, por edhe se njeriu gjithnjë e ka ndjenjën se është duke e lexuar ose dëgjuar për herë të parë. Ky fenomen lë të kuptojmë se, në princip, Kur’ani është një udhërrëfyes për jetën. Përcillet se njëherë Imam Xhaferi u pyet në lidhje me këtë. Ai tha: Kur’ani nuk është një libër që Zoti e zbriti për një vend ose për një kohë të caktuar. Ai është udhëzues në çdo kohë dhe është i freskët pranë çdo populli, deri në ditën e gjykimit.3


Në një hadith tjetër, Kur’ani krahasohet me diellin: Kur’ani rrotullohet si dielli dhe lind çdo ditë. Çdo lindje e tij është një lindje e re.4


Kjo nënkupton se njësoj si dielli, që është aktiv dhe e ndjek gjithë kohës orbitën e tij, edhe Kur’ani është gjithnjë aktual. Nëse një varg i Kur’anit është shpallur në lidhje me një person të caktuar, i cili vdes më pas, ky varg nuk e humb vlefshmërinë e tij, sepse gjithnjë mund të shfaqet një situatë e ngjashme, në të cilën ky varg mund të përdoret. Ne muslimanët duhet të dimë se ne jemi njerëzit, të cilëve u drejtohet Kur’ani dhe se fjalët e thirrjet e tija na drejtohen neve. Në vargun 24 të kapitullit Enfal, thuhet:


O ju që besuat! Përgjigjuni thirrjes së Zotit dhe të të Dërguarit, kur ai ju fton drejt asaj që ju fal jetë...(Kur’an 8:24) 


 Këtu është shprehur qartë një thirrje për njeriun, që t’i pranojë me gjithë zemër udhëzimet dhe urtësitë e Kur’anit dhe të të Dërguarit e t’i praktikojë të gjitha në jetën e tij, sepse vetëm kështu mund të arrihet një jetesë e denjë për njeriun. Duhet të kuptojmë se Kur’ani na flet neve në të gjitha gjendjen në jetën tonë. Pikërisht për këtë arsye duhet të kthehemi drejt tij dhe të kemi një jetë të mbushur me dinjitet dhe urtësi.


Ka edhe dy shembuj të tjerë që duhet të përmenden në këtë kontekst. Fillimisht vargu i fundit i kapitullit Xhumua, i cili thotë:


Dhe kur shohin ndonjë tregti a ndonjë argëtim, menjëherë ndahen prej teje dhe të lënë duke qëndruar. Thuaj: “Ajo që është pranë Zotit është më e mirë edhe se argëtimi edhe se tregtia. Zoti është Furnizuesi më i mirë. (Kur’an 62:11) 


Në komentimet e Kur’anit mund të hasim se i Dërguari i Zotit njëherë ishte duke e mbajtur fjalimin e Xhumasë, ndërsa njerëzit e dëgjonin. Përnjëherë, prej diku u përhap fjala se në Medine kishte ardhur një karavan, i cili kishte sjellë shumë mallëra të reja. Nga frika se mund t’i humbnin këto mallëra, pa e pritur përfundimin e namazit të Xhumasë, shumë njerëz u ngritën dhe u larguan nga xhamia që të merreshin me tregtitë e tyre. Dëshmitë historike tregojnë se në fund mbetën rreth dhjetë vetë. Pikërisht në këtë rast u shpall vargu i mësipërm, i cili na mëson se një njeri i devotshëm që e kërkon përsosurinë e që duhet të vendosë ndërmjet vlerave materiale dhe shpirtërore, duhet të mendojë mirë dhe të mos i kthejë shpinë shpirtërores e ta zgjedhë materialen.


Këtu duhet të kuptojmë se vargu në fjalë nuk vlen vetëm për ata njerëz që morën pjesë në namazin e Xhumasë me të  Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Ky varg është një udhëzim për të gjithë muslimanët dhe në çdo kohë, i cili e përcjell porosinë se vlerat shpirtërore dhe fetare nuk duhet të lihen mënjanë për t’iu përkushtuar kësaj bote materiale, sepse përkushtimi lakmisë dhe dëshirave të brendshme vetëm sa mund ta largojnë njeriun nga rruga e drejtë dhe nga e vërteta.


Një shembull tjetër janë vargjet e para të kapitullit Muminun, të cilat e prezantojnë namazin si të fshehtën e lumturisë e të shpëtimit të shoqërisë njerëzore:


Vërtet të shpëtuar janë besimtarët. Ata që e falin namazin me përulësi e që largohen nga gjërat e kota. Ata që e japin zeqatin dhe që e mbrojnë nderin e tyre, përveç me bashkëshortet e veta ose me ata që i posedojnë, për çfarë nuk qortohen. Por ai që shkon përtej kësaj, ai i ka tejkaluar kufijtë. Dhe ata (besimtarët) janë që i rrinë besnikë amanetit e besës dhe e ruajnë namazin e tyre. Këta janë trashëgimtarët që trashëgojnë Firdeusin e që qëndrojnë përjetësisht në të. (Kur’an 23:1-11)


 


Kur këto vargje t’i shohim me kujdes, do të kuptojmë se ata ia tregojnë rrugën e shpëtimit edhe individit por edhe shoqërisë si të tërë. Por në të njejtën kohë, ata i paraqesin edhe problemet dhe vështirësitë, të cilat i sjellin vuajtje njeriut dhe e mbajnë atë larg krijimit të një shoqërie të lumtur. Kur në një shoqëri të mos gjendet namazi si simboli i përkujtimit të Zotit të Madhëruar, zeqati si simbol i përgjegjësisë ndaj krijesave të Zotit dhe besueshmëria, atëherë domosdo do të përhapen fatkeqësitë dhe të ligat. S’ka dyshim se vlefshmëria e këtij vargu nuk mund të kufizohet në një kohë e në një shoqëri të caktuar. Të gjithë njerëzit, për ta arritur lumturinë individuale e shoqërore, duhet të hapërojnë në këtë rrugë. 


Nga ky varg mund të kuptojmë përfundimisht se Kur’ani është libri i jetës, të cilin mund ta shohim në çdo situatë si një udhëzues e udhërrëfyes që duhet ndjekur përherë. Nuk guxojmë të distancohemi prej Kur’anit ose të kënaqemi vetëm me leximin ose recitimin e tij. Vargjet e Kur’anit duhet të na frymëzojnë për të menduar, sepse brenda tyre mund të gjendet programi më i bukur për jetët tona.


Kur’ani është libri që e ndrit rrugën e njeriut dhe që e shpëton atë nga pavendosmëria dhe padituria, siç është përmendur në shumë hadithe, mes të cilëve në hadithin vijues: Kur të ligat t’ju kaplojnë si një natë e errët, atëherë kthehuni drejt Kur’anit!5


Kjo thënie na përcjell edhe njëherë se Kur’ani i Shenjtë e shpëton njeriun nga tundimet dhe nga devijimet e veta, duke i falur jetës njerëzore një kuptim dhe motivim.


Shpresojmë dhe i lutemi Zotit, që është dhënës i begatisë e falës, që të na kaplojë me mëshirën e Tij e të mos na lejojë të largohem nga Libri që Ai ka dërguar për ne. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


1. Tefsir el-Ajjashi, vëll.2, fq.203
2. Nehxh’ul-Belaga, fjalimi 151
3. Ujun el-Ahbar, vëll.3, fq.130
4. Ujun el-Ahbar, vëll.3, fq.187
5. Vesail el-Shia, vëll.6, fq.171


 

publikuar më: 26.07.2013

Lexoni gjithashtu..

27.01.2017 Kur′ani: Universaliteti i udhëzimit kuranor
09.12.2016 Kur′ani: Hapat e njohjes së Kuranit
27.06.2014 Kur′ani: Vlera e njohjes së Kuranit
06.06.2014 Kur′ani: Urtia e leximit të Kur’anit dhe manifestimet e hyjnores
27.09.2013 Kur′ani: Cilësitë e ndryshme të Kuranit
19.07.2013 Kur′ani: Mrekullitë në vargjet kur’anore
26.04.2013 Kur′ani: Libri i jetës

Kthehu