Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në vazhdim të temës sonë në lidhje me Kur’anin është e nevojshme të përmendim disa pika që kanë të bëjnë me mrekullitë e Kur’anit të shenjtë. Askush deri sot nuk ka arritur të krijojë një tekst që do të ishte sadopak i ngjashëm me të. Vetë Kur’ani i sfidon gjuhëtarët dhe dijetarët e ndryshëm që të provojnë një gjë të tillë, por edhe shprehet se kurrë nuk kanë për t’ia dalë mbanë. Në këtë pikë dua t’u hedhim një vështrim mrekullive të Kur’anit të shenjtë.
Mrekullia letrare
S’ka dyshim tashmë se Kur’ani i ka arritur nivelet më të larta të shprehjes gjuhësore e të stilit, me të cilat u ka lënë përshtypje të madhe edhe përfaqësuesve më të aftë e më të arritur të gjuhës arabe. Kjo gjuhë e Kur’anit është aq e veçantë, sa edhe njerëz si Velidi ibn Mughire, njëri nga armiqtë më kokëfortë të Islamit në kohën e Profetit, u ndikua aq shumë, sa u detyrua të pranonte se shprehja dhe stili i këtij libri ishin tepër të mrekullueshme, për të qenë vepër e një njeriu.
Profesoresha amerikane Mary Gaylord Dorman e përshkruan Kur’anin e shenjtë me fjalët vijuese: Kur’ani i Shenjtë iu shpall të Dërguarit të Zotit Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) fjalë për fjale nëpërmjet Xhibrilit. Çdo fjalë në të është e përsosur dhe e plotë dhe kjo e bën Kur’anin një mrekulli të përjetshme, e cila e vërteton çdo gjë që i Dërguari i Zotit ka thënë. Njëri nga aspektet e mrekullisë së Kur’anit është mënyra e shprehjes dhe formulimi perfekt. E gjithë kjo është aq e përsosur, sa është e pamundur që një njeri ose një qenie tjetër dosido të krijojë edhe një kapitull të barazvlefshëm me ato të Kur’anit.
Profesor Alfred Guillaume thotë: Kur’ani i shenjtë, me atë përmbajtje të tij gjuhësore, ka një tingëllim aq prekës, sa dëgjimi dhe vëmendja e njeriut domosdo kthehet drejt tij.
Ka edhe shumë arabë të krishterë që e kanë lëvduar stilin e Kur’anit dhe shumë orientalistë, të cilët e kanë njohur gjuhën dhe letërsinë arabe. Kur recitohet Kur’ani, ajo dritë e tij që qetëson shpirtrat, menjëherë ia tërheq vëmendjen lexuesit. Ishte pikërisht tingulli i vargjeve të recituara të Kur’anit që i heshti zërat e armiqve të Islamit, që e forcoi thirrjen e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe që e bëri Kur’anin të papërsëritshëm.
Në spektrin e gjerë të gjuhës arabe, qoftë kjo në zhanrin lirik ose epik, është e pamundur të gjendet ndonjë vepër që sadopak do të mund të krahasoj me Kur’anin e Shenjtë. Efekti i fuqishëm i vargjeve kur’anore mbi arabët, por edhe mbi jo-arabët, është aq intensiv, sa njeriu shpesh mbetet i pafuqishëm përballë tyre.
Mrekullitë shkencore
Edhe në aspektin shkencor, Kur’ani është një mrekulli, në të cilën fshihen njohuri të pazbuluara nga degë të ndryshme të shkencës, qoftë nga shkencat natyrore dhe qoftë nga antropologjia, historia, astronomia e të tjera. Kanë qenë pikërisht këto aspekte që i kanë motivuar shumë dijetarë të lindjes e të perëndimit për të hulumtuar e që i kanë lënë gojëhapur shumë prej tyre. Në vijim do t’i përmendim kalimthi disa prej këtyre vargjeve:
Në lidhje me strukturën specifike të bimëve, thuhet:
Tokën e kemi shtruar, mbi të kemi vendosur male të palëkundura dhe kemi bërë gjithçka të mbijë në një masë të caktuar. (Kur’an 15:19)
Në lidhje me pllenimin e bimëve:
Dhe Ne i dërgojmë erërat pllenuese. Pastaj lëshojmë shi nga retë përposh dhe me të ju furnizojmë. Nuk jeni ju që e grumbulloni atë. (Kur’an 15:22)
Në lidhje me gjinitë në mesin e gjallesave, duke përfshirë edhe bimët , Kur’ani thotë:
Është Ai që e ka bërë tokën të shtruar, që ka krijuar male të palëkundura e lumej mbi të dhe që i ka bërë gjithë frytet në çifte. Është Ai që bën nata ta mbulojë ditën. Vërtet në këtë ka shenja për ata që mendojnë. (Kur’an 13:3)
Në lidhje me përshkrimin e tokës dhe në lidhje me rrugët që gjenden në të, thuhet:
Është Ai që e bëri tokën të shtruar për ju, që ju hapi rrugë në të, që ju zbriti shi nga qielli e që me të bëri të rriten lloj lloj bimësh në çifte. (Kur’an 20:53)
Duke e përmendur kalimthi rëndësinë e ligjit të gravitetit, Kur’ani thotë:
Është Ai që i ngriti qiejt pa një shtyllë...(Kur’an 13:2)
Është me rëndësi të kuptohet se Kur’ani është një libër i shpallur për udhëzimin e njerëzimit. Në të mund të gjenden shumë të fshehta shkencore dhe qëllimi i tyre nuk është tjetër veçse udhëzimi i njerëzve drejt idealeve më të lartësuara. Prandaj nuk do të ishte e saktë nëse Kur’anin e shohim si një libër shkencor. Në këtë kontekst, me fjalën shkencë nënkuptojmë shkencat natyrore dhe empirike. Kur’ani është një libër që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës së tij dhe që i përballon nevojat e tija të ndryshme në këtë rrugë, duke vënë theks mbi principet e moralit dhe të drejtësisë.
Përveç kësaj, edhe të vërtetat e përcjellura nga Kur’ani në lidhje me historinë e popujve të kaluar janë një mrekulli. Të tillë janë edhe mësimet e njohjes shpirtërore që fshihen në vargjet e tij. Vetë fakti se njerëzit e të gjitha epokave kanë dështuar në krijimin qoftë edhe të një kapitulli të vetëm që do të ishte po kaq i pasur me dituri e njohje sa një kapitulli i Kur’anit, mjafton si dëshmi e mrekullisë kur’anore. Në vijim do të përcjellim disa nga vargjet ku Kur’ani i sfidon njerëzit dhe pastaj e përcjell paaftësinë e tyre për t’iu përgjigjur kësaj sfide:
Edhe sikur të gjithë njerëzit e xhinnët të mblidhen për të krijuar një gjë të ngjashme si ky Kur’an, nuk do t’ia dalin mbanë, edhe sikur ta ndihmojnë njëri-tjetrin. (Kur’an 17:88)
Dhe në jeni në dyshim për atë që ia shpallëm robit Tonë, atëherë krijoni një kapitull si ky dhe thirrni dëshmitarët tuaj veç Zotit, në e thoni të vërtetën. Dhe po s`e bëtë - e s`ka dyshim që s`keni për ta bërë - atëherë ruajuni zjarrit që ushqehet me njerëz e gurë. Ai u përgatit për jobesimtarët..(Kur’an 2:23-24)
Ngase nuk ka patur kurrfarë ndryshimi në përmbajtjen e Kur’anit dhe ngase, sipas premtimit të Zotit, nuk do të ketë një gjë të tillë as në të ardhmen, muslimanët mund të mbështeten në Kur’anin për t’i argumentuar qëndrimet e tyre përballë atyre që e mohojnë. Askush nuk mund t’i shtojë ndonjë fjalë këtij libri ose të heqë diçka prej tij. Zoti është mbrojtësi i Kur’anit dhe ky libër është nën mbrojtje hyjnore kundër çdo ndërhyrjeje.
Në lidhje me këtë, Zoti thotë:
Vërtet, kur u erdhi Kur’ani përkujtues, ata e mohuan. Por ai është një libër i lartësuar. Atij s’i afrohet gënjeshtra as nga para e as nga prapa, sepse është shpallur nga Zoti i Urtë e Lavdiplot. (Kur’an 41:42)
Ky pretendim i Kur’anit mbetet i pasfiduar ndonëse jemi në shekullin e pesëmbëdhjetë që nga shpallja e tij. Gjatë kësaj kohe, shumë njerëz janë përpjekur dëshpërimthi dhe pa sukses për t’i shtuar ndonjë gjë Kur’anit ose për të hequr prej tij ndonjë fjalë ose fjali. Të gjithë kundërshtuesit kokëfortë të Kur’anit mbetën duarbosh në fund, dhe i njejti fat i pret edhe ata që do të përpiqen në të ardhmen për këtë qëllim.
Nuk shuhet me të fryrë kandili që ndez Zoti...
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!