Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratat e kaluara treguam se Kur’ani i Shenjtë është fjala e Zotit, Krijuesit të gjithçkaje, dhe se njeriu, nëse orientohet në jetën e tij sipas këtij libri të shenjtë, domosdo do ta gjejë rrugën e drejtë, gjegjësisht rrugën e adhurimit të Zotit të Madhëruar dhe të afrimit me Të. Më pas theksuam se Kur’ani është libri i vetëm që e trajton qenien e njeriut me të gjithë aspektet e saj, duke e udhëzuar atë në çështje etike, fetare dhe shoqërore. Nuk ka dyshim se një njeri që njihet me Kur’anin, që i lexon vargjet e tij, që përsiatet lidhur me to dhe përpiqet t’i kuptojë e t’i përvetësojë, ka për ta kuptuar qëllimin e jetës dhe ka për të vepruar sipas Kur’anit në të gjitha sferat. Vetëm kështu ka për të gjetur mbrojtje nga hutia dhe gabimet. Ja përse themi se njeriu duhet të njihet me Kur’anin dhe të jetë i lidhur me të në çdo çast të jetës së tij.
Kur t’i kundrojmë vargjet e Kur’anit dhe hadithet, do të shohim se sa e rëndësishme është kjo njohje me Kur’anin, i cili e prezanton veten si një “dritë” (ar. nur), si “libër të qartë” (ar. kitab el-mubin)[1] e si shërim dhe mëshirë për ata që besojnë[2]. Ai thekson se çdo njeri, nëpërmjet këtij shkrimi të shenjtë, mund ta arrijë mirëqenien (materiale dhe shpirëtore), kënaqësinë e Zotit dhe udhëzimin.[3] Nga vargje të tjera të Kur’anit mund të kuptohet se ai e shpie njerëzimin nga errësira drejt dritës së udhëzimit[4]. Kjo është arsyeja përse duhet të merremi me Kur’anin dhe të përpiqemi maksimalisht për t’u dëlirur nga çdo lloj papastërtie dhe njolle në shpirt. Këshilla të tilla për t’u njohur më së afërmi me Kur’anin mund gjenden bollshëm edhe në hadithe, si për shembull në fjalët vijuese që Imam Aliu (a.s.) ia shkroi Muhammed ibn Hanefijjes. Ai thotë:
Lexoje Kur’anin dhe vepro sipas tij! Përmbaju rregullave fetare dhe gjërave që cakton ligji lidhur me të lejuarat dhe ndalesat! Urdhëro (të mirën) e pengo (të ligën) dhe lexoje atë që shkruhet brenda Kur’anit, duke u kapur fuqishëm për të, në çdo ditë e natë tënden.[5]
Imam Aliu (a.s.) i përshkruan edhe ata njerëz të virtytshëm që u njohën me Kur’anin:
Ata ngrihen netëve në këmbë dhe recitojnë vargje nga Kur’ani me vetëdije e me dorëzim të plotë shpirtëror, duke kërkuar tek ai shërim për nevojat e tyre. Kur lexojnë vargje që flasin për lumturi e shpresë, ata i lexojnë me plot vëmendje dhe i kuptojnë në thellësitë e shpirtit, sikur t’i kishin para syve. Dhe kur lexojnë ndonjë varg që flet për frikën e për paralajmërimin hyjnor, ata binden me gjithë zemër dhe bëhen sikur e dëgjojnë në thellësi të veshëve të tyre kumbimin e zjarrit të ferrit.[6]
Kjo ligjëratë është një mundësi e mirë për të shpjeguar se si mund të njihemi më nga afër me Kur’anin e Shenjtë. Hapi i parë i kësaj njohjeje për çdo musliman, qoftë burrë a grua, është të mësuarit e Kur’anit, të lexuarit dhe të recituarit e tij. Për këtë duhet të ndahet një kohë e caktuar në përditshmëri. Kështu, njeriu do të bëhet më i vetëdijshëm për detyrimet e tija dhe nuk ka për t’i lënë pas dore. Kur’ani i Shenjtë thotë: “Lexoni nga Kur’ani aq sa t’ju vijë lehtë...” (Kur’an, 73:20). Kur të kuptojmë se sa i rëndësishëm është ky lexim dhe çfarë pozitë të lartësuar ka ai në sytë e Zotit, kurrë nuk kemi për ta lënë pas dore dhe aq më pak kur ai të bëhet me një pastërti të zemrës e të qëllimit. Lidhur me këtë, Imam Xhaferi (a.s.) thotë: Banorët e qiellit e shohin dritën dhe shkëlqimin e një shtëpie, në të cilën Kur’ani lexohet me dëlirësi.[7]
Kuptohet, nuk duhet t’i shpërfillim as rregullat e caktura për këtë lexim të Kur’anit. Mes tjerash vlen të përmendet pastërtia trupore dhe shpirtërore, pra përgatitja për ta lexuar Kur’anin me abdes dhe larja e gojës, nëpërmjet të cilës do të recitohet fjala e Zotit. Një ditë i Dërguari i Zotit (s.a.a.) tha: Pastrojani rrugën Kur’anit. Me t’u pyetur se cila ishte rruga e Kur’anit, ai u përgjigj: “Është goja juaj. Pastrojeni atë!”[8]
Para se të fillojë me leximin e Kur’anit, njeriu duhet të kërkoj strehë pranë Zotit të Madhëruar nga djalli[9] dhe pastaj të fillojë të lexojë mirëfilli dhe me kujdes. Kjo sepse njeriu mund të ketë qëllime për të përfituar dobi materiale ose përparësi të tjera të përbotshme nga ky lexim. Krahas kësaj, ka mundësi që, ndonëse me përpikmëri të ndiqen rregullat e shqiptimit e të recitimit, të tejkalohen e të shpërfillën kufij të tjerë. Përkundër kësaj, ka njerëz që e lexojnë Kur’anin dhe përpiqen t’i shërojnë me të plagët e veta të brendshme, duke qëndruar zgjuar netëve dhe duke iu lutur Zotit të Madhëruar. Ata, nëpërmjet leximit të Kur’anit, e kërkojnë rrugën e drejtë për jetën e tyre në këtë botë dhe përpiqen të fitojnë ndonjë gjë edhe për amshimin.
Një tjetër hap në njohjen me Kur’anin e Shenjtë është mësimi përmendësh i vargjeve të tij. Në kohën e shpalljes, kjo ishte mundësia e vetme, nëpërmjet të cilës, njerëzit e virtytshëm përpiqeshin për ta ruajtur Kur’anin karshi falsifikimeve dhe intrigave djallëzore. Edhe Imamët e Ehl-i Bejtit i kanë respektuar tej mase njerëzit që e kanë ditur përmendësh Kur’anin. Leximi i rregullt i Kur’anit dhe nxënia e tij përmendësh ka qenë një kriter në përzgjedhjen e njerëzve, të cilët ata i ngarkonin me detyra të rëndësishme shoqërore. Vetë i Dërguari i Zotit (s.a.a.), pikërisht njerëzit e tillë i ka emëruar si guvernatorë ose si imamë dhe i ka dërguar në zona të ndryshme. Madje edhe gjatë varrimit të dëshmorëve të Uhudit, njohësit e Kur’anit patën përparësi para të tjerëve.[10] Për ta nxënë përmendësh Kur’anin, njeriu duhet ta ndiejë në brendi dëshirën për ta bërë këtë gjë, si dhe të ketë një vullnet të fortë, vendosmëri dhe ndjesi për rend dhe vazhdimësi.
Hapi tjetër për njohje më të mirë të Kur’anit të Shenjtë është recitimi i tij me një zë të bukur. Kjo gjë është aq e rëndësishme, sa vetë i Dërguari i Zotit (s.a.a.) e konsideronte këtë një stoli të Kur’anit. [11] Meqë Kur’ani ka një tingëllim të veçantë të vetin, ai është interesant për të gjithë. Kjo është arsyeja përse ai duhet të recitohet me një zë melodik ose së paku, ata që kanë një zë të bukur, duhet ta recitojnë atë duke ia dhënë hakun, në mënyrë që ndikimi i tij në brendi të jetë gjithë më i fuqishëm.
Në mesin e hapave më të rëndësishëm për t’u njohur me Kur’anin, është të kuptuarit e tij dhe të vepruarit sipas porosisë kur’anore në përditshmëri, sepse vetëm kështu, njeriu ka për të kuptuar se Kur’ani është mbrojtja dhe udhëzimi më i mirë, i cili na shpie drejt qëllimit. Kur njeriu të veprojë sipas mësimit kur’anor dhe të orientohet në jetë sipas tij, kurrë nuk ka për të rënë në dyshim dhe nuk ka për të përjetuar dilema në jetë.
Kur’ani është një libër me burime të pashtershme të dijes dhe pavarësisht sa të mësojë njeriu prej tij, këto burime nuk do të shteren. Ndaj themi se është në interes të njeriut që ta thellojë gjithnjë të kuptuarit e vet dhe kështu të arrijë njohje edhe më të thella. Është ky aspekt që e motivon njeriun për ta lexuar Kur’anin dhe për ta bërë këtë lexim një pjesë të përditshmërisë së tij, duke u përpjekur në çdo mundësi, për t’u thelluar akoma më shumë në kuptimet e tija. Paralelisht me këtë, njeriu mund të përfitojë edhe nga përkthimet dhe interpretimet e shumta të Kur’anit, për t’u thelluar edhe më dhe për t’i prekur thellësitë shpirtërore të këtij shkrimi hyjnor. Ja përse recitimi dhe leximi i Kur’anit të Shenjtë ka qenë nga tiparet dalluese të Ehl-i Bejtit. Ngjante shumë shpesh që ata ta recitonin të tërë Kur’anin brenda një dite të vetme.
Në mesin e dijetarëve të Kur’anit, ka shumë të tillë që e kishin mësuar përmendësh që në fëmijëri dhe kishin krijuar një lidhje të fuqishme me të. I tillë ishte filozofi Ibn Sina, i cili që dhjetë vjeç e dinte Kur’anin përmendësh.[12] Një tjetër emër i rëndësishëm është Sejjd Ibn Tavusi, i cili e arriti këtë kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç.[13] Rudakiu, poeti i famshëm pers, e kishte mësuar përmendësh Kur’anin në moshën tetëvjeçare, ndonëse ishte i verbër. Përveç tyre, janë mjeshtrit e mëdhenj të recitimit të Kur’anit, si Abdulbasit Abdu’s-Samed, Muhammed Sadik ose Perhizgar, të cilët gjithashtu e kishin mësuar përmendësh që në fëmijëri.
Shpresojmë dhe lutemi që, me mëshirën e Zotit, ta kuptojmë Kur’anin e Shenjtë, ta recitojmë bukur atë, ta mësojmë përmendësh dhe të njihemi me të, që të mund ta praktikojmë në përditshmërinë tonë.
Paqja mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!