Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Periudha ndërmjet gjashtë dhe dymbëdhjetë vjeç konsiderohet fëmijëri. Gjatë kësaj periudhe, prindërit duhet të mos e humbin asnjë mundësi për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata duhet të njihen hollësisht me psikën e fëmijëve dhe të kenë parasysh se në këta vite, qetësia dhe siguria janë më të rëndësishme se kurrë për fëmijën. Ndaj ata duhet të krijonë një marrëdhënie të shëndetshme dhe miqësore me fëmijët e tyre, që të mund t’u ndihmojnë në përballjen e tyre me problemet. Ekzistojnë probleme të caktuara, me të cilat fëmijët nuk janë përballur kurrë deri në atë moshë. Këto janë rëndom probleme që burojnë nga kontakti i fëmijëve me shokët, me nxënësit e tjerë në shkollë, me mësuesit dhe me shoqërinë në përgjithësi. Ka shumë raste kur vetë fëmijët nuk dinë si t’i zgjedhin këta probleme dhe pikërisht këtu, roli i prindërve është shumë i rëndësishëm.
Si në periudhat e mëparshme (deri në moshën gjashtëvjeçare), prindërit duhet të vazhdojnë t’i duan fëmijët e tyre por këtë nuk duhet ta shprehin si më parë. Ka shumë mundësi që fëmijëve të kësaj moshe të mos u pëlqejë më kur prindërit e tyre i përqafojnë e i puthin para njerëzve të tjerë. Kjo ngase në këtë moshë, fëmijët zhvillojnë një personalitet të pavarur dhe duan të trajtohen si të tillë.
Nëse në këtë moshë, fëmija ka një edukues të mirë, ai ka gjithçka që i nevojitet për t’u rritur si duhet. Kjo është periudha kur fëmijës duhet t’i jepet hapësirë dhe mundësi për t’i shprehur talentet e tija. Megjithatë, edukimi i fëmijës në këtë moshë kërkon që të ekzistojnë të gjithë kushtet e nevojshme për një rritje dhe zhvillim normal. Në këtë periudhë, gjatë shprehjes së dashurisë fëmijëve të tyre, prindërit duhet t’i kenë parasysh pikat në vijim:
- Ata duhet të kenë respekt për personalitetin e fëmijës, pasi t’i kenë njohur kapacitetet e tija. Një problem i rëndësishëm shfaqet kur prindërit nuk duan ta njohin pavarësinë e fëmijës dhe e fyejnë ose nënçmojnë atë në mënyra të ndryshme. Kjo bën që, në një moshë shumë të hershme, tek fëmija të krijohet kompleksi i inferioritetit. Por nëse i resspektojnë fëmijët, ata rriten me një ndjesi vetëvlerësimi dhe e fitojnë ndjenjën e pavarërisë e të vetëbesimit. Ata ndiejnë se janë të çmueshëm dhe si pasojë, hapërojnë në shoqëri si njerëz të sigurt me vetveten. Prindërit nuk duhet t’i ofendojnë e nënçmojnë fëmijët e tyre por përkundrazi, t’u drejtohen me fjalë të buta e t’u japin shpresë e kurajo. Prindi duhet të jetë miqësor me fëmijën, t’i drejtohet qetësisht dhe të buzëqeshë. Ai duhet të përgjigjet me dashamirësi kur ta përshëndesin fëmijët e tij, në mënyrë që ata ta ndiejnë dashurinë e tij dhe nëpërmjet kësaj dashurie, të ndihen të sigurt.
- Të qenit i drejtë ndërmjet fëmijëve është një nga detyrimet më të rëndësishme të prindërve. Ata duhet të krijojnë në mesin e fëmijëve të tyre një mjedis ku mbisundon drejtësia dhe dashuria për të vërtetën, në mënyrë që fëmijët të mos kultivojnë në vete komplekse inferioriteti ose ndjenja të hakmarrjes, gjë që mund të shkaktojë probleme serioze në shoqëri më pas.
- Lëvdatat dhe mirënjohjet u mundësojnë fëmijëve ta ndiejnë personalitetin e tyre dhe të përqëndrohen edhe më shumë në gjërat, për të cilat kanë fituar lëvdatat nga prindërit. Megjithatë, lëvdatat, njësoj si dënimet, duhet të jenë brenda kufijve të caktuar. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mendjelehtësia më e keqe është tepërimi në të lëvduar e në të dënuar.”1
Aq sa të jetë e mundur, prindërit duhet t’u japin dhurata fëmijëve të tyre, si një shenjë e dashurisë që ndiejnë për ta. Nëpërmjet dhuratave, prindërit shprehin se mendojnë dhe kujdesen për fëmijët e tyre, gjë që është shumë e rëndësishme për ta.
Gjatë periudhës së adoleshencës, ndërmjet dymbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë vjeç, fëmijët janë në një periudhë shumë të veçantë dhe të ndjeshme, e cila kërkon një përkujdesje të veçantë të prindërve. Nevojat e fëmijëve në këtë periudhë, mes tjerash, janë:
- Dashuria
- Siguria dhe qetësia
- Konsiderata (në një grup ose në shoqëri)
- Respekti
- Pavarësia
- Vlerësimi i veprave të tyre
- Feja dhe filozofia e jetës
- Një qëllim jetësor
- Njohja e identitetit personal
- Rritja, përsosja dhe vetërealizimi
Shpresojmë që të gjitha këto gjëra të kihen parasysh nga prindërit. Për të mos shkaktuar tepërime ose lënie pas dore në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, si dhe për t’u informuar për hollësitë e shumta, prindërit duhet t’u drejtohen librave të ndryshëm në këtë sferë. Çdo fjalë e panevojshme dhe çdo sjellje e papërshtatshme e prindërve mund të jetë zanafilla e problemeve shumë serioze për fëmijët në të ardhmen.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Ghurer el-hikem