Koncepti i dashurisë
Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Në ligjëratën tonë të kaluar përmendëm tashmë katër shenja të dashurisë së njeriut ndaj Zotit, përkatësisht largimin nga mëkatet, bindjen, dhënien përparësi Zotit para të tjerëve dhe dashurinë ndaj të zgjedhurve të Zotit. Në vijim do të përmendim edhe shenja të tjera të kësaj dashurie.


 Takimi me Zotin


Njeriu që e do Zotin, e preferon të pamurit e Tij më shumë se vetë jetën. Ajo që nënkuptohet kur themi “ta shohësh Zotin” është kuptimi që shprehet edhe nga vargu vijues i Kur’anit:


O njeri! Ti vërtet përpiqesh e mundohesh për Zotin tënd dhe ke për ta arritur Atë...(Kur’an 84:6)


 Ta “takosh” ose “të arrish” Zotin mund të ketë më shumë kuptime. Mes tjerash, kjo mund të nënkuptojë vdekjen, shpërblimin hyjnor, arritjen në botën tjetër, takimin e të zgjedhurve të Zotit ose asgjësimin në emrat ose në cilësitë e Zotit, që njeriu, i cili hapëron rrugës së Zotit dhe e do Atë, të mund ta shohë vetveten në hijen e Zotit. Në këtë shkallë, njeriu mund ta “shohë” Zotin kur të takohet me Të, por kjo e pamur ndryshon në varësi nga robërit e Zotit.1 Ky është ndër kuptimet e sakta të shprehjes “takim me Zotin”, dhe vërtetohet edhe nga lutjet dhe hadithet që kemi në dorë sot. Vetë Zoti thotë:


Dhe ai u avit, u afrua edhe më. Sa dy harqe ishte larg, edhe më afër mbase...(Kur’an 53:9)


 Në duanë e muajit Sha’ban thuhet: Zoti im! Më kaplo me Dritën e Madhështisë Tënde! Ndërsa në duanë e Kumejlit thuhet: O Zoti im, o Mbrojtësi im dhe Krijuesi im! Mund ta bart me durim dënimin tënd, por si të duroj të jem larg Teje?  


Shpirt i jepet atij që heq dorë nga trupi
E kush heq dorë prej shpirtit, tek Shpirti i Krijuesit arrin
Kush e merr përsipër mundimin e rrugës
Fytyrën e të Dashurit do ta ketë shpërblim
E kushdo që humb gjithçka në rrugë të dashurisë
Në shtëpinë e të Dashurit të tëra do t’i marrë...


 


Përkujtimi i përhershëm i Zotit


Një shenjë tjetër e dashurisë ndaj Zotit është që i dashuruari ta përkujtojë gjithë kohës të Dashurin e tij e të mos e harrojë as edhe një çast. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: Një shenjë e dashurisë ndaj Zotit të Madhëruar është përmendja dhe të përkujtuarit e Tij. Ai që e urren Zotit, nuk e përkujton Atë.2 Në një hadith tjetër të të Dërguarit, thuhet: Kush e do Zotin, e përkujton shpesh Atë!


 


Njeriu duhet ta vlerësojë vetveten, për të kuptuar në e do Zotin ose jo. Njeriu i dashuruar, kurdoherë që të vështrojë përbrenda vetes, e gjen të Dashurin e tij dhe përkujtimin e të Dashurit. Pikërisht ky përkujtim ia pastron zemrën, derisa ajo të bëhet një vend ku shfaqen manifestimet e Zotit.


O Ti, përmendjen e të cilit zemrat e të dashuruarve njohin!
Asgjë s’ka veç teje, në zemrat e të tillëve
Veç Qenia Jote e shenjtë dhe Cilësitë e Tua
Për të dashuruarit e Tu fjalë tjetër nuk ka...3


 Afërsia me Zotin dhe të qenit i kënaqur nga Zoti


Kjo përmendje e Zotit e mbush zemrën e njeriut me afërsi dhe me ndjenjën e të qenit i kënaqur. Afërsia i sjell një paqe të caktuar, kurdoherë që njeriu të jetë në shoqërinë e të Dashurit, ndërkohë që gjendjen e të qenit i kënaqur me Zotin, njeriu e fiton duke hequr dorë nga kënaqësia e vete dhe duke i ndjekur tërësisht urdhrat e Zotit. Një njeri, që me syrin e zemrës së tij e ka parë Zotin e që në zemër e ka mbjellur farën e dashurisë ndaj Tij, gjen qetësi vetëm kur është në praninë e të Dashurit. Për të janë të lehtë urdhrat hyjnorë, sado të mundimshëm qofshin, dhe i falin kënaqësi. Ai kënaqet me fjalët e të Dashurit dhe është krenar që e ka arritur një pikë, në të cilën Zoti i flet atij dhe i ngarkon përgjegjësi. Fjala e Zotit e shoqëron përherë atë njeri që e do Zotin. Ai i reciton përditë këto vargje dhe përsiatet në lidhje me kuptimin e tyre: Kur’ani është marrëveshja e Zotit me krijesat. Njeriu duhet ta shohë më shpesh Kur’anin dhe të lexojë së paku pesëdhjetë vargje në ditë.4


 


Malli për Zotin


Një shenjë tjetër e dashurisë ndaj Zotit është që i dashuruari ta dëshirojë të Dashurin e tij. Ai tërhiqet netëve dhe mbetet vetëm me të Dashurin, për të bashkëbiseduar. Përcillet se Zoti i shpalli Musës (paqja qoftë mbi të) si vijon: Gënjen kushdo që thotë se më do Mua, ndërkohë që netëve shtrihet për ta bërë gjumin e pakujdesisë. Një i dashuruar dëshiron të jetë vetëm me të Dashurin e tij.5


Adhurimet i duken të lehta të dashuruarit. Në lidhje me këtë, Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) thotë: Më i miri i adhurimeve është ai që bëhet me dashuri.


 Në mesin e shenjave të tjera të dashurisë ndaj Zotit, të cilat mund t’i përmendim këtu, numërohen edhe këto: miqësia me miqtë e Zotit (evlijatë), distancimi nga armiqtë e Zotit, dashuria ndaj Ehl-i Bejtit, mbështetja në Zotin, kërkimi i diturisë, shoqërimi me njerëzit që i druhen Zotit, miqësia me mendimtarët dhe me nevojtarët, besueshmëria, pastërtia e zemrës dhe përpjekja për t’i kryer adhurimet e detyrueshme. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Mirza Xhevad Aga Maliki Tebrizi, Fytyra e Zotit (trajtesë), fq. 6 dhe 7
2: Mizan el-Hikme, vëll.2, fq.226, hadithi nr.3156
3: Divani i Allame Hasanzade Amouli-ut,
4: El-Kafi, vëll.4, kapitulli Mbi vlerën e Kur’anit
5: Mizan el-Hikme, vëll.2, fq.226, hadithi nr.3152

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu