Koncepti i dashurisë
Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!  


Pjesa I: Ndikimi i dashurisë prindërore


Dashuria e prindërve për fëmijët është një domosdoshmëri e vetëkuptueshme për zhvillimin e tyre. Nevoja e fëmijëve për dashurinë është shumë më e madhe se nevoja e tyre për ushqim të mirë, për tesha të bukura, për lodra ose për ajër të pastër. Është shumë me rëndësi që fëmijëve t’u kushtohet vëmendje nga prindërit dhe ata ta ndiejnë veten të afërt me ta.


Nevojat themelore psikike dhe veçanërisht nevoja për dashurinë është një pikë shumë e rëndësishme në zhvillimin e fëmijës dhe në gjendjen e tij mendore. Nëse fëmijës i mohohet dashuria në vitet e para të jetës, kjo manifestohet më vonë, madje që në fëmijëri, në formë të jostabilitetit dhe sëmundjeve të ndryshme psikike. Dhe teksa individi rritet, kjo mungesë dashurie nis të manifestohet në formë të konflikteve emocionale dhe shqetësimeve të brendshme. Është pikërisht mungesa e dashurisë nga prindërit që i çon fëmijët drejt vjedhjes, gënjeshtrave dhe dhunës. Ekspertët e edukimit të fëmijëve dhe psikologët e ndryshëm kanë dëshmuar në veprat e tyre se disa fëmijë janë të prirë ndaj vjedhjes dhe sjelljes josociale, pikërisht si reagim ndaj mungesës së dashurisë në vitet e hershme të fëmijërisë së tyre. Është dëshira e brendshme për t’u njohur e për të fituar vëmendje që i çon shumë fëmijë drejt gjërave si vjedhja ose dhuna. Dënimi dhe kërcënimi i tyre nuk ka kurrfarë dobie. Përkundrazi, ndaj tyre duhet të kihet përherë një qasje e butë dhe plot dashuri.


Kur prindërit nuk u kushtojnë vëmendje fëmijëve dhe nuk e shprehin dashurinë që kanë ndaj tyre, fëmijët janë të prirë për sjellje të pahijshme dhe jomorale. Madje edhe sjelljet e pahijshme seksuale tek disa vajza e kanë zanafillën në këtë realitet. Kur familja të krijojë një atmosferë miqësore për të gjithë pjesëtarët e saj dhe kur një vajze të mund t’i jepet ndjenja se problemet dhe krizat e saja, veçanërisht ato emocionale, mund t’i tematizojë para nënës dhe babait, shumë sjellje të pahijshme mund të parandalohen.


Përveç kësaj, vlen të theksojmë se sjellja e ligë e fëmijëve ose të të rinjëve nuk mund t’i veshet tërësisht varfërisë. Kriminologët janë të mendimit se, ndonëse varfëria është një motiv i rëndësishëm i sjelljeve kriminale, një faktor shumë më i fuqishëm është jostabiliteti i familjes dhe mungesa e dashurisë. Dashuria është një nevojë themelore psikike e fëmijëve dhe e të rinjëve dhe Islami e ka theksuar atë shumë shpesh. Këtu do të përmendim vetëm disa shembuj të kësaj.


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: Faluni fëmijëve tuaj dashuri, butësi dhe kujdes!1 Në një rast tjetër, ai thotë: Zoti e mëshiron atë rob të Vetin, që është i dashur ndaj fëmijëve të vet.2


Përcillet gjithashtu se profeti Musa (paqja qoftë mbi të) tha: O Krijuesi im! Cila vepër është më e mira pranë Teje? Zoti iu përgjigj: T’i duash fëmijët, sepse atyre ua kam fryrë thelbin e teuhidit (njëshmërisë) në brendi.3


 Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 



1: Men le jehdhuruhu’l-fakih, v.3, f.483
2: Mizanu’l-hikme, v.10, f.699, hadithi nr.32323
3: Biharu’l-envar, v.104, fq.97 
 


Pjesa II: Mënyrat e ndryshme të shprehjes së dashurisë  



Në fjalimin tonë të kaluar qartësuam se dashuria është një faktor shumë i rëndësishëm në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Dashuria prindërore ndaj fëmijëve është përherë e njëjta dashuri, pavarësisht në është gjatë fëmijërisë, rinisë ose më vonë, ndonëse ka dallime në mënyrën se si vjen në shprehje ajo. Në këtë fjalim do të merremi me format e ndryshme të manifestimit të kësaj dashurie. 


Një formë e të shprehurit të dashurisë është përkëdhelja dhe puthja. Në hadithe përcillet si vijon: “Dashuria dhe kujdesi ndaj fëmijëve është në mesin e traditave të të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).”1 


Kujdesi i tillë ndaj fëmijës e forcon themelin e dashurisë, që është vendosur nga Zoti brenda fëmijës. Në një moshë shumë të re, fëmija nuk i kupton fjalët. Por kur të ledhatohet, kur të merret në krahë ose t’i falet një buzëqeshje, dashuria përcillet lehtësisht dhe fëmija ndjehet i sigurt dhe i qetë. Në këtë mënyrë ndjehet veçanërisht dashuria e nënës dhe kjo i fal siguri fëmijës. Kjo është arsyeja përse Islami këmbëngul shumë seriozisht që në këtë fazë të jetës së fëmijës, prindërit të mos bëjnë veprime që do t’i falin fëmijës pasiguri dhe shqetësim. Për shembull, kur një nënë i jep gji foshnjës së saj, ajo duhet të jetë e qetë dhe ta vështrojë fëmijën me buzëqeshje. Edhe në kohën kur fëmija ndahet prej gjirit, ai duhet të mbahet në krahë me dhembshuri. 


Edhe babai mund ta shfaqë dashurinë ndaj fëmijës. Edhe ai mund ta marrë fëmijën në krahë dhe ta trajtojë me dashuri, ta përkëdhelë e ta puthë atë, gjë që është shumë e rëndësishme për t’i falur fëmijës një ndjenjë sigurie. Kjo sjellje e babait i fal fëmijës një prehje dhe qetësi të veçantë. Imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të) përcjell se një njeri erdhi te Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe tha: “Unë asnjëherë s’e kam puthur ndonjërin nga fëmijët e mi.” Pasi iku njeriu, Profeti tha: “Besoj se ky njeri do të jetë nga banorët e zjarrit.”2 


Teksa fëmija dalngadalë rritet, ndryshon edhe mënyra se si prindi e sjell në shprehje dashurinë që ka ndaj tij. Për shembull, kur fëmija të jetë një vjeç, prindi mund ta ulë atë në prehër dhe ta përkëdhelë, siç bënte Profeti çdo mëngjes me fëmijët e tij.3 


Fatkeqësisht ka edhe njerëz që nuk u shfaqin dashuri vajzave të tyre, edhe atë për shkaqe krejtësisht të kota dhe të paarsyeshme. Gjatë lindjes së tyre, ata sillen me ftohtësi dhe gjatë rritjes, nuk u falin kujdes të mjaftueshëm. Ata e shpërfillin gruan dhe vajzën, gjë që garanton shfaqjen e dy problemeve me rëndësi. Problemi i pari është se një sjellje e tillë i bën shtypje gruas dhe ia largon asaj qetësinë e brendshme dhe baraspeshën shpirtërore, shumë të nevojshëm për rritjen normale të fëmijës. Kështu rrezikohet edhe qetësia dhe stabiliteti i fëmijës. Së dyti, një pakujdesi e tillë nga ana e babait nuk lejon që të përmbushen disa nevoja tejet themelore të fëmijës, gjë që ia rrezikon baraspeshën shpirtërore.  


Një mënyrë tjetër për t’u shfaqur dashuri fëmijëve është që të luhet me ta. Fëmijët kënaqën me lojëra dhe kjo gjë ka një ndikim të madh në zhvillimin e tyre trupor, shpirtër dhe mendor. Nëpërmjet lojës, prindërit u mësojnë fëmijëve të tyre ndaj kujt dhe ndaj ç’gjejë të shfaqin ndjenja, si t’i shprehin ato dhe si t’i kontrollojnë kur të jetë e nevojës. 


Kur prindërit luajnë bashkë me fëmijët e tyre, ky veprim e shfaq dashurinë dhe, në të njejtën kohë, jep një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e karakterit të fëmijës. Dhe kuptohet, duhet gjithnjë të zgjidhet një lojë e përshtatshme me moshën. Shumë njerëz e kanë mendimin e gabuar se kur fëmija luan bashkë me prindërit, kjo është një shenjë e mungesës së respektit ndaj tyre ose thjesht një humbje kohë për prindin. Pjesëmarrja e prindit në lojën e fëmijës, i fal lojës së tij një kuptim dhe qëllim. Kur fëmija të përballet me një problem gjatë lojës, prindërit do të jenë aty për t’i mundësuar që, nëpërmjet arsyes dhe kreativitetit të tij, ta gjejë zgjidhjen e duhur për të. 


Krahas kësaj, një mënyrë tjetër e shfaqjes së dashurisë ndaj fëmijëve, është të trajtuarit e tyre me respekt. Nëse deri në moshën shtatëvjeçare, fëmijës i jepen liri të caktuara dhe nuk intervenohet tepër në çdo veprim të tij, kjo ka një efekt pozitiv mbi zhvillimin e unit e të vetërespektit, si dhe e kultivon brenda tij ndjenjën e të qenit i lirë dhe përgjegjës për veten e tij. Në të kundërt, fëmija mund të përballet me komplekse të ndryshme psikike në të ardhmen. Prindërit, pra, duhet ta trajtojnë fëmijën me respekt, në mënyrë që vetvetëdija  dhe vetërespekti i tij të zhvillohen lirshëm. S’ka dyshim se çdo fëmijë e shijon respektin e prindërve ndaj tij dhe kjo gjë bën që edhe ai t’i respektojë prindërit. Nëse prindërit vazhdimisht e qortojnë dhe e poshtërsojnë fëmijën e tyre, ndjenja e krijuar brenda fëmijës e çon atë drejt kundërshtimit të vazhdueshëm të prindërve, aq sa më në fund, prindërit nuk do të kenë kurrfarë efekti pozitiv në edukimin e fëmijës. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) thotë: “Është e nevojshme që t’i trajtosh me respekt të gjithë fëmijët dhe të rriturit.”4       


Edhe barazia ndërmjet fëmijëve është një mënyrë tjetër për t’ua shprehur atyre dashurinë. Nëse njëri prej fëmijëve favorizohet karshi të tjerëve, kjo krijon mes tyre një ndjenjë armiqësie dhe ngjall urrejtje. Më vonë në jetën e tyre, fëmijët e tillë vuajnë nga komplekse të ndryshme dhe bëhen urryes. Një sjellje e tillë ia ul vetërespektin fëmijës dhe kultivon brenda tij ndjenja të hakmarrjes. Ndaj duhet që të gjithë prindërit t’i kenë parasysh këto gjëra gjatë rritjes dhe edukimit të fëmijëve të tyre.  


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!  



1: Mahxha el-beidha
2: Vesailu’sh-shia, v.15, f.202 dhe 203

3: Biharu’l-envar, v.23, f.114
4: Mustadrak el-vesail, v.2, f.67

publikuar më: 25.04.2014

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu