Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Dashuria ndaj Zotit është, në të vërtetë, manifestimi i vetëm i vërtetë i dashurisë, i cili, siç kemi theksuar në ligjëratat e kaluara, buron nga vetë përsosuria, bukuria dhe mëshira e të Dashurit. Ngase në rastin e Zotit, çdo përsosuri është inherente (dmth pjesë e Qenies së Tij) dhe ngase asnjë aspekt i përsosurisë së Tij, si dituria, fuqia ose jeta, nuk është fituar nga dikush ose nga diçka tjetër, dashuria ndaj Zotit është më e fuqishmja tek njeriu, për vetë fakti se njeriu është i prirë për aspektet e sipërpërmendura të përsosurisë së Zotit. Në këtë kuptim, dashuria për gjithçka tjetër duhet të shndërrohet në një dashuri për Zotin. Kjo ndjenjë është e vazhdueshme dhe rritet proporcionalisht me njohjen që njeriu ka mbi Zotin.
Dashuria e njeriut për Zotin arrihet nëpërmjet disa gjërave. Një prej tyre është dashuria për vetveten, sepse fillimisht, njeriut e do veten e tij. Dhe ngase mbijetesa dhe vazhdimësia e njerëzimit varet nga Zoti, njeriu e do Zotin, sepse pa mëshirën e Tij, njeriu do të ishte i shkatërruar. Si pasojë, nuk ka kurrfarë dyshimi se dashuria për vetveten është, në të vërtetë, një dashuri për Zotin.
Ty të takon zemra dhe shpirti im, Zot
Ty gjithçka imja, e dukshme a fshehur qoftë
Nuk di kjo dhimbja ime nga më vjen tani
Por ilaçin tek Ti kam, Zot, këtë e di...
Parë nga një këndvështrim tjetër, çdo njeri ndjehet i tërhequr drejt sjelljes përplot dashuri. Dhe kur kjo sjellje nuk buron nga frika e as nga përfitimi, s’ka dyshim se personi do të fillojë të ndjejë dashuri për njeriun që sillet me të përplot dashuri e dashamirësi. Dashuria hyjnore që i është falur njeriut nuk ka kurrfarë burimi tjetër veçse vetë dashurisë, sepse Zoti e do njeriun pa qenë i varur prej tij. Dhe ngase Zoti është Dashuruesi i vërtetë, Ai meriton edhe të dashurohet nga njeriu, me sinqeritet dhe në formë të përhershme.1
Si mundet zemra që Ty të gjen
Me një gje tjetër të lidhet pastaj?
Kur Ti zemrës jetë e shpirt i je
Si të të flakë zemra në harresë tutje?2
Një burim tjetër i dashurisë ndaj Zotit është bukuria e Tij absolute. Në lidhje me këtë, Mulla Sadra thotë: Ai që do Zotin, i afrohet përditë të Dashurit të tij dhe dashuria i rritet gjithë më tepër. Por dashuria e atyre që nuk e duan Zotin e që nuk duan për hir të Zotit, është si një mirazh shkretëtire, të cilin i eturi e kujton ujë dhe përpiqet ta arrijë. Pastaj kur e arrin, nuk gjen gjë.3 E tillë është dashuria që nuk mbështetet në dashurinë për Zotin. Ajo s’është tjetër veçse një mirazh, për të cilin na paralajmëron edhe Kur’ani:
Thuaj: nëse etërit e bijtë tuaj, familja e gratë tuaja, farefisi juaj, prona që keni fituar, tregtia që keni frikë se mund t’ju ndërpritet dhe shtëpitë që i doni, janë më të dashura për ju se Zoti, se i Dërguari i Tij dhe se përpjekja në rrugë të Tij, atëherë prisni derisa Zoti ta sjellë urdhrin e vet! Zoti nuk i udhëzon njerëzit e prishur...(Kur’an 9:24)
Në Kur’anin e Shenjtë, shumë shpesh flitet për dashurinë ose prirjen e njerëzve për Zotin:
...por ata që besojnë, e duan Zotin më shumë...(Kur’an 2:165)
Një nga mësimet themelore të Kur’anit është porosia se dashuria ndaj Zotit e përbën parametrin dhe kriterin kryesor për çdo dashuri tjetër. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju!
1: Ihja ulum el-din, vëll.4, fq.280
2: Poezi nga Baba Tahiri
3: Esfar, vëll.7, fq.186