Mënyra fetare e të jetuarit
Skepticizmi në fe dhe keqpërdorimi i fesë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Nëse një njeri dëshiron ta kuptojë filozofinë e ekzistencës së tij, ai duhet fillimisht ta kundrojë me kujdes botën e vete shpirtërore. Kjo sepse, krahas ekzistencës së tij materiale, njeriu posedon edhe një ekzistencës dhe një shpirt jomaterial. Zoti, teksa u drejtohet engjëjve lidhur me Ademin, thotë:


Kur t’i kem dhënë trajtë e t’i kem fryrë nga shpirti Im... (Kur’an, 15:29)


Kjo bëri që njeriu të kishte një pozitë të veçantë në mesin e të gjitha krijesave, sepse, siç thotë edhe Zoti në Kur’an, njeriun e krijoi në trajtën më të bukur dhe e ngriti në një pozitë, ku të gjitha qeniet, madje dhe vetë engjëjt, bënë sexhde para tij. Prandaj themi se njeriun nuk duhet ta kufizojmë në trajtën e tij shtazarake. Ai është kurora e krijimit dhe, nëpërmjet ndjekjes së urdhrave hyjnorë, mund t’i arrijë pozitat më të lartësuara. Pra edhe sikur njeriu ta arrijë jetën më të mirë në këtë botë dhe t’i shijojë bukuritë e saj, ai, sipas mendimit fetar, nuk konsiderohet se është duke ecur në rrugën e të qenit njeri. Nëse dëshiron të jetë vërtet njeri, ai duhet të përpiqet, dhe nëse do ta arrijë qetësinë, paqen, urtinë dhe njohjen (ar. ma’rife), duhet t’i përkushtohet logjikës shpirtërore dhe t’i tejkalojë pengesat që i rrinë përpara. Nëse dëshiron të ketë një shpirt të fuqishëm e të shëndetshëm, ai, në harmoni me nevojat e shpirtit të vet, duhet të hapërojë rrugës së mësimeve shpirtërore të dëlirjes së shpirtit dhe të arritjes së afërsisë së Zotit.


 


Arsyet kryesore të dyshimeve lidhur me fenë dhe pasojat e tyre


Pika më e rëndësishme në fe është që njeriu ta kuptojë fenë dhe të veprojë sipas këtij kuptimi, sepse shkëputja nga mësimi fetar dhe dyshimi lidhur me këta mësime çojnë drejt dobësimit të besimit të njeriut. Më pas, kjo bën që feja dhe e vërteta të largohen nga jeta e individit. Shumë njerëz, kur bëhet fjalë për fenë, kanë një konsideratë që e vendos atë në pozitën e një gjëje dytësore. Kuptohet se nuk duhet harruar edhe roli i mediave në këtë zhvendosje të fesë nga pika qendrore e jetës së njeriut. Shumica e mediave përpiqen gjithë kohës të hedhin baltë mbi ndikimin e fesë dhe ta portretizojnë atë si diçka pa ndikim. Përveç kësaj, ekziston edhe fakti se shumica e marrin në konsideratë vetëm aspektin sipërfaqësor të fesë dhe largohen nga bërthama e mësimit fetar. Dhe ngase janë larg esencës dhe kanë një këndvështrim krejt sipërfaqësor, të tillët nuk arrijnë t’i shohin ndikimet e fesë. Problemi i vërtetë i këtyre personave është pikërisht pikëpamja e tyre ndaj fesë dhe jo vetë feja. Si rrjedhojë, të gjithë veprimet dhe adhurimet e tyre kryhen pa u mbështetur në urdhrat hyjnorë dhe në frymën e këtyre urdhrave. Më pas, ata pretendojnë se feja nuk ka kurrfarë fuqie për t’i zgjidhur problemet e shoqërisë së sotme dhe, si e tillë, duhet të largohet nga përditshmëria. Ka edhe të tjerë që thonë se kanë një zemër të pastër dhe pyesin: “A nuk mjafton kjo?” Sipas tyre, nuk ka kurrfarë nevoje që një musliman ta ndjekë ligjin hyjnor, të falë namaz e të agjërojë.


Duke i pasur parasysh të mësipërmet, arrijmë në përfundimin se këndvështrimi sipërfaqësor mbi besimin, dyshimi lidhur me mësimet fetare dhe shtrembërimet që u janë bërë nocioneve fetare janë arsyeja kryesore përse njerëzit largohen dita ditës nga feja. Duhet të përpiqemi t’ua mësojmë njerëzve fenë e vërtetë, në mënyrë që ndikimet individuale dhe shoqërore të besimit të mund të ringjallen. Kur të ekzistojë kjo qasje ndaj fesë, nuk ka dyshim se besimtarët do të arrijnë njohje dhe dinjitet.


Keqpërdorimi i fesë


Kur një njeri e keqpërdor fenë për të fituar fuqi dhe pushtet, nuk ka dyshim se e dëmton edhe veten e tij edhe shoqërinë, sepse feja u shpall nga Zoti për t’i udhëzuar njerëzit. Por nëse feja, krejt në kundërshtim me filozofinë e saj, keqpërdoret për ta fituar të përbotshmen, nuk ka dyshim se kjo gjë do të mbarojë në fatkeqësi, mjerim dhe dhimbje. Në këtë kuptim, Imam Aliu (a.s.) thotë: “Mos e shit fenë tënde për këtë botë, sepse fatkeqësitë, vuajtjet dhe mjerimi kanë për të të shkatërruar shumë shpejt.”[1]


Ka pasur shumë njerëz që e kanë dashur fenë vetëm për këtë botë dhe që e kanë sakrifikuar besimin e tyre për pasurit e kësaj bote. Një njeri i tillë, siç thotë Imam Aliu (a.s.), kurrë nuk ka për ta gjetur lumturinë. Në një pikë tjetër, ai thotë: “Mjerë ai që e shfrytëzon fenë për ta mbrojtur dynjanë e vete. Kushdo që luan me fenë e Zotit, përjetësisht në zjarr do të hidhet.”[2]    


Edhe historia dëshmon për pasojat e keqpërdorimit të fesë. Kur të kundrohet historia e Islamit, do të shohim se gjithkush që e ka shpërfillur fenë, është poshtëruar dhe turpëruar më në fund. Në këtë kontekst, Imam Aliu (a.s.) thotë: “Kush e shpërfill fenë dhe e turpëron atë, do të turpërohet vetë.”[3]


Thënë shkurt, njeriu duhet ta pranojë fenë me të gjithë aspektet e saj, me hollësitë e ndryshme dhe me dimensionet e jashtme e të brendshme. Nuk është në rregull që njeriu ta pranojë një pjesë të fesë dhe ta lërë mënjanë një tjetër. Po kështu, nuk guxojmë të mendojmë se besimi pa vepra është i mjaftueshëm. Çdo besimtar e ka të qartë se ka nevojë për fenë, për të fituar dinjitet dhe urti, dhe jo për ta shfrytëzuar fenë si një mjet për fuqizimin e pushtetit të një njeriu në këtë botë. Një njeri i tillë është më i ulët se të gjithë njerëzit. Në këtë kontekst, i pyetur se kush është njeriu më i pavlerë, Imam Aliu (a.s.) thotë: “Ai që e bën kurban besimin e vet për dynjanë e një tjetri.”[4]


Paqja mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Amudi, Ghurar el-Hikam ve durer el-kelam, fq. 754, hadithi nr.183




[2] Po aty, hadithi nr.99 dhe 1275




[3] Po aty, hadithi nr.1364




[4] Ibn Babuje, Men le jehzerehu’l-fakih, v. 4, fq. 383, hadithi nr.5833



publikuar më: 23.06.2017

Lexoni gjithashtu..

18.08.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Prirjet e natyrshme të njeriut
21.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Rëndësia e ndjekjes së një feje
14.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Njeriu në sistemin e krijimit
07.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Feja si prirje e brendshme dhe si nevojë e njeriut
03.03.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Definicioni i fesë

Kthehu