Mënyra fetare e të jetuarit
Rëndësia e ndjekjes së një feje
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Duke e pasur parasysh faktin se për trajtësimin e jetës njerëzore ka nevojë për një sistem gjithëpërfshirës e funksional etik, njeriu, nëse ka dëshirë të përfitojë maksimalisht nga feja, duhet t’i pranojë dhe besojë të gjithë mësimet fetare. Ai, pra, duhet të besojë në një Zot të urtë dhe ta shohë fenë si shërim të të gjitha sëmundjeve. Një pikëpamje e tillë do të ketë një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e sistemit monoteist të mendimit. Ajo që është me rëndësi është që njeriu ta besojë fenë dhe “sjellësit” e fesë. Kjo e fundit nënkupton që të pranohen në tërësi dhe me zemër të gjitha fjalët e atyre, të cilët ai i konsideron si të dërguar të besueshëm.[1] Në fjalor, kur të shihet kuptimi i fjalës “besim”, do të vërejmë se shpjegimi ka të bëjë me vërtetimin e një gjëje, me njohjen e të vërtetës ose me të qenit i sinqertë.[2] Meqë ky nocion përbëhet nga shprehja “besimi fetar”, ekziston përshtypja se njeriu duhet ta besojë fenë. Pra, në kuptimin epistemologjik, do të thotë se kur feja t’i ofrojë njeriut një definicion të caktuar, dhe shpirti i tij ta pranojë përmbajtjen dhe kuptimin e këtij definicioni, ai e arrin besimin fetar. Besimi fetar nuk është tjetër veçse pranimi dhe dëshmimi i prirjes, të cilën e ndien mendja e njeriut për shpalljen hyjnore. Fjala arabe për këtë gjë është “el-akida”, e cila në libra definohet si një gjë “për të cilën njeriu është i bindur dhe për të cilën ka një besim pozitiv, të pastër nga çdo dyshim.”[3]


 


Kuptimi i fjalës “besim” dhe besimi fetar


Një nga pikat që njeriu duhet t’i marrë parasysh është fakti se besimi nuk do të thotë domosdo dituri. Kur një njeri të ketë njohuri lidhur me Zotin dhe fenë, kjo nuk e bën atë një besimtar. Besimi është një bindje e brendshme dhe lidhja e zemrës me këtë bindje. Me “besim fetar” nënkuptojmë besimin në mësimet e fesë, të cilat, në të vërtetë, burojnë nga zemra e njeriut dhe janë të rrënjosura thellë në shpirtin e tij. Ndikimi i një besimi të tillë është se njeriu, me sjelljen e vete, bëhet mishërim i vlerave të mirëfillta të fesë.


 


Ekzistenca fetare


Me shprehjen “ekzistencë fetare” nuk nënkuptojmë të drejtën e njeriut për të ekzistuar dhe atë çfarë ka për të thënë feja lidhur me këtë gjë. Mësimet fetare vërtet kanë thënë shumë gjëra lidhur me këtë dhe kanë theksuar se ekzistenca është një e drejtë e njeriut dhe se askush nuk ka të drejtë t’ia marrë këtë një tjetri. Ai që e vret në njeri është sikur ta ketë vrarë të tërë njerëzimin, ndërsa ai që e shpëton një jetë, është si ta ke shpëtuar gjithë njerëzimin.


Parë kështu, “ekzistencë fetare” do të thotë se kur njeriu, në bazë të mësimit fetar, i zhvillon dimensionet e veta individuale dhe sociale, si dhe u përmbahet urdhrave të Zotit, ka për të arritur rezultate të dukshme në botën materiale. Kur njeriu të mos e besojë dhe praktikojë asnjë fe, si mund të pritet që të jetë i lumtur në këtë botë dhe në tjetrën? Ose thënë ndryshe: a mundet njeriu jofetar të jetë i lumtur në këtë botë dhe në tjetrën? A mund ta arrijë vallë qëllimin e krijimit të vet? Përgjigja fetare për këtë është tejet e qartë: lumturia dhe shpëtimi i vërtetë është i pamundur pa fenë. Lidhur me këtë, Imam Aliu (a.s.) thotë: “Kush nuk beson asnjë fe, nuk ka për të gjetur shpëtim.”[4] Dhe thotë gjithashtu: “Kushdo që e humb besimin e tij, ka për t’u endur në zbrazëtirë.[5]Ndërsa në një hadith, të cilin Imam Aliu (a.s.) e përcjell nga i Dërguari i Zotit (s.a.a.), thuhet: “Kam frikë mos e shpërfillni fenë, të mos blini gjykime me ryshfet, të mos largoheni nga të afërmit tuaj, të mos e lexoni Kur’anin si një këngë dhe të mos e bëni prijës dikë, që nuk ka kurrfarë përparësie karshi jush në besim.”[6]


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 






[1] Muhammed Moein, Ferheng-i Moein, v.1, fq.469




[2] Ali Ekber Dekhoda, Loghatname, v.3, fq.4234




[3] Ahmad bin Muhammad Fiumi, El-Mizbah el-Munir, v.2, fq.421;




[4] Abdulvehab bin Muhammed Tamimi Amudi, Ghurar el-hikem ve durar el-kalam, fq.587, hadithi nr.285




[5] Po aty fq.482, hadithi nr. 23




[6] Ibn Babevejh, Ujun el-akhbar er-Rida, v.2, fq.42, hadithi nr.140 



publikuar më: 21.04.2017

Lexoni gjithashtu..

18.08.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Prirjet e natyrshme të njeriut
23.06.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Skepticizmi në fe dhe keqpërdorimi i fesë
14.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Njeriu në sistemin e krijimit
07.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Feja si prirje e brendshme dhe si nevojë e njeriut
03.03.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Definicioni i fesë

Kthehu