Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Lidhur me nocionin “fe”, dijetarët muslimanë kanë dhënë kuptime të ndryshme. Secili prej tyre ka përshkruar një dimension të caktuar të fesë dhe, edhe përkundër pikëpamjeve të ndryshme dhe qasjeve të shumta ndaj kësaj tematike, të gjithë kanë një pikë të përbashkët: njeriu, për të arritur te qëllimi i tij, që është kënaqësia e Zotit, ka nevojë për rregulla dhe udhëzime, të cilat i përfshijnë të gjitha nevojat e njeriut. Dhe po t’i ndjekë këto, ai ka për ta arritur lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën.
Kuptimi i fjalës „fe“ sipas Allame Tabatabai
Allame Tabatabai (r.a.) e përshkruan fenë si një udhëzues në jetën e kësaj bote, i cili e çon njeriun drejt lumturisë. Për këtë arsye, feja përbëhet nga ligje dhe rregulla, të cilat i përmbushin nevojat e njeriut në këtë botë. Ai thotë: “Feja është një mësim dituror, i cili përbëhet nga rregulla dhe ligje. Ajo është një garanci për vetë njerëzit, që ata të mund ta arrijnë lumturinë e vërtetë duke i ndjekur këta ligje. Ndaj është e nevojshme që feja të jetë në përputhje me natyrën e lindur njerëzore. Po kështu, çdo pyetje e njeriut duhet të mund të gjejë përgjigje tek feja. Lidhur me këtë, Kur’ani thotë:
Dhe ktheje fytyrën tënde drejt fesë, drejt natyrës së lindur, në të cilën Zoti e krijoi njeriun! (Kur’an, 30:30)[1]
Ajo që duhet të kihet parasysh te këta dy kuptime është pikërisht aspekti i përsosurisë së fesë së vërtetë, në të cilën theksohet njohja e Zotit dhe e njeriut. Njeriu, i cili posedon shumë cilësi dhe aftësi, ka nevojë për një plan që është i përshtatshëm me jetën e tij dhe me nevojat që ka. Ai e arrin përsosurinë dhe bëhet i lumtur duke i mbetur besnik kësaj rruge.
Filozofia e të qenit fetar dhe besimi në fe
Ajo që është me rëndësi në një mënyrë fetare të të jetuarit është njohja dhe të kuptuarit e rrugës së drejtë, sepse vetëm nëpërmjet këtij të kuptuari, njeriu mund ta forcojë besimin e tij. Si rrjedhojë, kushdo që beson në fenë, ka për t’u përmbajtur rregullave të saj, për vetë faktin se si besimtar, ai ka për të përfituar nga bekimi dhe ndikimi i fesë. Kështu, mund të thuhet se të qenit fetar nis me njohjen e fesë e me besimin në porosinë e saj. Rrjedhimisht, ai që ka fituar njohuri për fenë, ka për ta ndijuar në jetën e tij ndikimin e fesë. Prandaj themi se jetesa fetare është një nevojë dhe prioritet për njeriun, pavarësisht çështjeve personale dhe shoqërore. Është me rëndësi të përmendet se filozofia e vërtetë e fesë është e ndërlidhur me nevojat e njeriut. Zoti e ka caktuar fenë si një udhëzues, në mënyrë që njerëzit të mos devijojnë nga rruga që çon drejt qëllimit të vërtetë, gjegjësisht lumturisë dhe kënaqësisë së Zotit. Kjo është arsyeja përse Zoti i ka zgjedhur njerëzit më të dëlirë si prijës dhe udhëzues për krijesat e tija.
Prirja e njeriut për fenë nuk është vetëm një prirje e brendshme e natyrës së tij të lindur, por edhe një urdhër i intelektit, sepse Zoti e ka pajisur njeriun me dy udhëzues, njërin brenda tij, që është intelekti, dhe njërin jashtë, që është shpallja fetare, në mënyrë që të mos ketë kurrfarë arsyetimi për mohuesit. Kuptohet, në çështjen e filozofisë së mirëfilltë të fesë, ekzistojnë edhe pika të tjera që duhen trajtuar, siç janë njohja, vetë-njohja dhe psikologjia.
Feja: një nevojë e njeriut
Edhe përkundër faktit se sot, për të pasur një jetë më të mirë, njerëzit përfitojnë nga shkenca, vazhdon të ekzistojë edhe nevoja për fenë. Për t’i përmbushur nevojat e veta dhe për ta arritur përsosurinë ose rritjen shpirtërore, njeriu ka nevojë për ligjet e Zotit dhe kjo nevojë nuk mund të mohohet. Kjo është arsyeja përse njeriu duhet ta orientojë jetën e tij në drejtim të fesë së vërtetë. Zoti, i cili e njeh brendinë e njeriut më së miri, ia jep njeriut këtë udhëzim dhe i qartëson se vetëm nëpërmjet fesë, njeriu mund t’i ngjisë një nga një shkallët e të qenit njeri, të paqes së vërtetë, urtisë dhe të njohjes. Mund të thuhet madje se, pa fenë, njeriu nuk mund ta kuptojë si duhet filozofinë e vërtetë të krijimit. Ndaj, pavarësisht gjendjes dhe nivelit të tij, njeriu ka nevojë për një përndritje, me të cilën do të gëzohet në këtë jetë dhe në tjetrën. Këtë pikë duhet ta marrim tejet seriozisht dhe jo ta shohim si diçka dytësore.
Nuk ka dyshim se feja është udhëzuesi më i mirë. Megjithatë, kjo duhet të jetë një fe e mirëfilltë dhe e thjeshtë, siç thotë edhe i Dërguari i Zotit (s.a.a.): Feja më e mirë në sytë e Zotit është feja e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. [2]
Dëshmia për ekzistencën e fesë
Siç u përmend tashmë në pjesët vijuese, dëshmia më e fuqishme për fenë është fakti se ajo është një prirje e natyrshme e njeriut. Ndaj kur feja të njihet si duhet, njeriu nuk mund ta paramendojë më jetën e tij pa fenë. Lidhur me këtë, prej Imam Aliut (a.s.) përcillet thënia vijuese: Jeta nuk është pa fenë dhe as vdekja pa sigurinë se do të vijë.”[3] Për këtë arsye, mund të thuhet se vetëm nëpërmjet fesë, njeriu mund ta fitojë dinjitetin e vërtetë. Në një rast tjetër përcillet se Imam Aliu (a.s.) ka thënë: Feja është nder e dinjitet, dituria është thesar që nuk ka mbarim, ndërsa heshtja është dritë.[4] Ja përse njeriu duhet të jetë i lidhur fort pas fesë. Në këtë kontekst, Imam Xhaferi (a.s.) thotë: Ti kapu fort për fenë, njësoj siç kapen materialistët për këtë botë.[5]
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!