Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Sipas vargjeve të përndritura të Kur’anit, besimtarë të vërtetë janë ata që besojnë në amshimin dhe në faktin se ekzistenca ka një fillim (pra është një rend i krijuar). Përveç kësaj, një besimtar i pranon profetët e Zotit si udhërrëfyes dhe e ndjek shpalljen e fundit të Zotit nëpërmjet profetit Muhammed (s.a.a.). Ky besim nuk është vetëm një shprehje e jashtme me fjalë, por është një besim i dukshëm edhe në veprat e besimtarëve të vërtetë. Në suren Ra’d, duke i përshkruar më tej cilësitë e “të zotëve të mendjes” (ar. ulu’l-elbab), Zoti e përmend edhe durimin. Në ligjëratat tona të kaluara mbi këtë temë përmendëm se në mesin e cilësive të të zotëve të mendjes janë mbajtja e fjalës, ruajtja e marrëdhënieve njerëzore, frika nga llogaridhënia para Zotit dhe vendosmëria. Nocioni i durimit, ndërkaq, përfshin një spektër të gjerë dhe mund të jetë me ndikim në secilën prej fushave të përsosjes shpirtërore.
Të zotët e mendjes janë njerëz të durueshëm
Para se të merremi më tej me këtë cilësi të të zotëve të mendjes, duhet të theksojmë se njerëzit e durueshëm nuk duhet assesi të barazohen me plogështinë dhe amullinë. Përkundrazi, durimi është një antitezë e këtyre veseve, pra një lloj lëvizjeje dhe vendosmërie më vete. Durimi i mirëfilltë vjen në shprehje në adhurimin e Zotit dhe në ndjekjen urdhrave hyjnorë, sepse gjërat si namazi, haxh’xhi ose urdhërimi i të mirës janë gjëra që kërkojnë durim dhe vendosmëri. Kjo është arsyeja përse armiqtë e fesë, në fjalët e tyre, përherë përpiqen t’i çojnë besimtarët drejt dyshimit, duke thënë se Zoti, në të vërtetë, nuk ka nevojë as për namazin tonë dhe as për agjërimin. Sipas tyre, për një lidhje ndërmjet njeriut dhe Zotit, mjafton një zemër e pastër. Ndonjëherë, këto pëshpëritje djallëzore kanë aq shumë ndikim mbi besimtarët, sa nuk arrijnë më ta shohin kuptimin e akteve të adhurimit dhe shkëputen prej të gjitha përgjegjësive që i kanë karshi Zotit. Pikërisht këtu hyn në lojë durimi, i cili i mundëson një besimtari të mbetet i vendosur dhe i aftë për t’u rezistuar cytjeve të tilla. Një besimtar dhe një njeri i arsyeshëm duhet të mbetet i vendosur dhe i durueshëm në një mjedis ku shfaqet mëkati, dhe të mos shfaqë një dobësi, që do të mund të ndikonte mbi besimin e tij. Ky realitet shprehet edhe në suren Jusuf, ku thuhet:
Dhe ata që janë të druajtur karshi Zotit e bëjnë durim, vërtet Zoti nuk i çon dëm bëmat e atyre që veprojnë mirë. (Kur’an, 12:90)
Nga ajo që u tha më sipër, mund të kuptojmë se durimi është një element shumë i rëndësishëm, qoftë nga aspekti intelektual, qoftë nga ai fetar. Në një hadith të të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) thuhet: Durimi përbëhet nga tri pjesë: durimi karshi mëkatit, durimi në ndjekjen e urdhrave të Zotit dhe durimi në shmangien e mëkateve. Në vijim të këtij hadithi[1], ai thotë: Kushdo që, kur i shfaqet një mëkat, shfaq vendosmëri dhe durim, Zoti ka për ta lartësuar edhe 300 shkallë në parajsë, largësia ndërmjet dy prej të cilave është sa largësia mes qiellit dhe tokës. Dhe kushdo që është i durueshëm në ndjekjen e urdhrave të Zotit, Zoti do ta lartësojë për 600 shkallë, dallimi ndërmjet dy prej të cilave është sa largësia ndërmjet bërthamës së tokës dhe thronit të Zotit. Dhe kushdo që është i durueshëm në shmangien e mëkateve, atë do ta lartësojë 900 shkallë, dallimi ndërmjet dy prej të cilave është sa largësia prej bërthamës së tokës deri në majën e thronit të Zotit.[2]
Durimi luan një rol shumë të rëndësishëm në përsosjen e shpirtit njerëzor dhe, lidhur me këtë, Imam Aliu (a.s.) thotë: Pozita e durimit është si pozita e kokës në trup. Një trup pa kokë nuk sjell gjë të mirë.[3] Njësoj si një trup pa kokë, edhe besimi pa durim është një besim që nuk sjell ndonjë dobi. Durimi është një cilësi esenciale e njeriut, që vepron si një mburojë dhe roje që e mbron njeriun në rrugën drejt përsosjes shpirtërore.
Durim për ta fituar kënaqësinë e Zotit
Lidhur me përdorimin e fjalës “durim”, është me rëndësi të përmendet se njeriu që shfaq durim dhe vendosmëri, duhet ta bëjë këtë me qëllim arritjen e kënaqësisë së Zotit. Kjo duket qartë në vargun 12:90 që përmendëm më sipër. Tek shumë njerëz vërehet se durimi dhe vendosmëria e tyre nuk janë për hir të Zotit, por thjesht për të fituar nam të mirë mes njerëzve ose për të mos u dukur i dobët dhe pa durim karshi miqve por edhe armiqve e kundërshtarëve të vet. Ky lloj i durimit dhe vendosmërisë nuk ka kurrfarë vlere hyjnore dhe njerëzore dhe mund të fitojë vlerë vetëm nëse nis të mbështetet në kënaqësinë e Zotit.
Cilësitë e një durimi të virtytshëm
Një njeri vërtet i durueshëm mbetet i vendosur në çdo dhimbje e fatkeqësi. Një njeri i tillë, këtë durim e mbështet në besimin se kjo përvojë jetësore ngërthen më vete një urti që është dërguar nga Zoti, për ta trajtësuar pozitivisht qenien e tij drejt përsosurisë. Kjo cilësi është e dukshme dhe tejet e çmueshme në ushtrimin e urdhrave të Zotit dhe në shmangien e gjërave të ndaluara. Aktet e adhurimit që janë paraparë nga Islami janë një ushtrim i mirë për të fituar durim dhe vendosmëri. Një shembull për këtë është agjërimi, nëpërmjet të cilit njeriu e mëson durimin dhe vendosmërinë, qoftë në aspektin trupor, qoftë në atë shpirtëror. Ja përse fjala “durim” në vargun kur’anor “Dhe kërkoni ndihmë me durim e me namaz. (Kur’an, 2:153) është interpretuar si agjërim. Pa dyshim, të gjithë aktet e adhurimit[4] janë një ushtrim për ta përforcuar aftësinë e durimit brenda njeriut. Më pas, pikërisht nëpërmjet këtyre akteve të adhurimit, Zoti i fal njeriut forcë dhe aftësi për të rezistuar kundër të ligës:
Lexoje atë që të është shpallur dhe fale namazin! Vërtet namazi e largon njeriun nga të ligat dhe s’ka dyshim se përkujtimi i Zotit është më i madhi i adhurimeve. Zoti di gjithë ç’veproni. (Kur’an, 29:45)
Këta ushtrime shpirtërore më në fund e afrojnë njeriun me Zotin dhe krijojnë një paqe të brendshme tek ai.