Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratën tonë të kaluar mbi këtë temë i përshkruam disa cilësi të të zotëve të mendjes, pra ulu’l-elbab, siç janë përshkruar në kapitullin Ra’d të Kur’an. Disa prej këtyre cilësive i theksuam në veçanti, si për shembull besnikërinë dhe besueshmërinë, kur bëhet fjalë për marrëveshjet dhe besëlidhjet, qoftë me njerëzit e qoftë me Zotin. Në vijim të kësaj tematike, do të vazhdojmë të merremi me disa cilësi të tjera të “të zotëve të mendjes” dhe një prej tyre është edhe ajo që njihet si khauf, pra frika.[1] Në përgjithësi mund të thuhet se Zoti është Qenia e vetme, të cilës mirëfilli i takon madhështia, një vetëdije kjo, që krijon te njeriu një ndjesi të caktuar. Besimi i njeriut lidhur me ekzistencën e Zotit e përforcon edhe më aftësinë e tij për ta përndijuar Atë. Ndaj thuhet përherë se ata që vërtet përfitojnë prej diturisë, janë ata që më së shumti janë të karakterizuar me frikën para Zotit. Lidhur me këtë, Zoti thotë:
Mes robërve të Zotit, janë të diturit që i frikohen vërtet. (Kur’an, 35:28)
Pozita dhe llojet e “frikës”
Kur’ani thotë:
Dhe ata e kanë frikë Zotin e tyre dhe i druhen ditës së llogarisë...(Kur’an, 13:21)
Fjala khauf (përkthyer këtu si “frikë”) është një lloj frike, e cila i kaplon besimtarët në kontekstin e drejtësisë së Zotit. Kjo frikë shihet si një gjë e lëvdueshme dhe është e dobishme për faktin se e bën njeriun më të vëmendshëm për veten. Duhet thënë, pra, se “frika” ka shumë nuanca, një prej të cilave është kjo nuancë e pëlqyeshme, ndërsa ekziston edhe nuanca të tjera, të natyrshme dhe më të pavlefshme të frikës. Lidhur me këtë frikë të pëlqyeshme, ka një shpjegim shumë të kuptueshëm. Frika nga “peshimi i veprave” dhe nga një vlerësim i ligë përfundimtar buron kryesisht nga sjelljet amorale të njeriut. Ndaj themi se, në të vërtetë, njeriu duhet të ketë frikë nga vetja e tij, sepse është ai vetë që i jep trajtë vetvetes. Pikërisht kjo mënyrë mendimi dëshmohet në vargun e ardhshëm:
E kushdo që, duke e pasur frikë madhështinë e Zotit të tij, përmbahet karshi lakmisë, parajsën do ta ketë vendqëndrim. (Kur’an, 79:40-41)
Në këtë varg, nëpërmjet frikës nga madhështia e Zotit nënkuptohet drejtësia e Tij.
Në anën tjetër, frika “e rëndomtë” është, për shembull, frika nga errësira ose frika nga një trup i vdekur, pra në raste kur njeriu, pas një vështrimi të kujdesshëm, kupton se nuk ka gjë për t’u frikësuar. Ndërkaq, ekziston një lloj frike, e cila nuk është as pozitive dhe as negative, por thjesht e natyrshme. Kjo është frika që buron nga ekzistenca e natyrshme e njeriut, siç është frika nga kafshët e egra, prej të cilave njeriu ik dhe kërkon strehim, si pjesë e instinktit të tij të mbijetesës. Kjo nuk mund të shihet as si një gjë negative, as si diçka pozitive, por thjesht e natyrshme.
Kështu, vargjet e përmendura më sipër (79:40-41) flasin për një cilësi shumë të rëndësishme të të zotëve të mendjes, pra për frikën karshi madhështisë së Zotit. Ky model i “frikës” është, si të thuash, themeli i urtisë dhe i njohjes dhe, si i tillë, përmendet në një hadith të të Dërguarit të Zotit (s.a.a.), i cili thotë: “Frika nga Zoti është themeli i gjithë urtisë.”[2] Frika më e mirë dhe e pëlqyeshme, pra, është pikërisht ajo që gjendet në shpirtin e të zotëve të mendjes. Ky virtyt bën që njeriu të kuptojë sa i vogël dhe i pavlerë është karshi madhështisë dhe lavdisë absolute të Zotit. Për sa kohë që njeriu është modest dhe jo i vetëpëlqyer, ai ka për ta parë veten si një “hiç” para përsosurisë absolute të Zotit. Këtë gjendje mund ta kuptojnë vetëm të zotët e mendjes.
Durimi si një cilësi e të zotëve të mendjes
Një nga tiparet më të rëndësishme të të zotëve të mendjes është durimi në kohë të vështira, i cili buron nga dëshira e tyre për ta arritur kënaqësinë e Zotit. Ndaj Zoti, lidhur me këta njerëz, thotë:
Janë ata që bëjnë durim e mbështeten në Zotin e tyre. (Kur’an, 16:42)
Në këtë varg, durimi nuk shihet si një sinonim i plogështisë dhe pasivitetit, por si një element i vendosmërisë. Ky virtyt arrihet, për shembull, nëpërmjet realizimit të detyrimeve fetare, qëndrimit larg gjërave të ndaluara dhe, ndonjëherë, në përballimet me probleme të ndryshme, me ç’rast njeriu përfiton një bekim të konsiderueshëm nga Zoti. Është e qartë se një njeri që përpiqet për ta arritur përsosurinë, do të shpërblehet nga Zoti për hir të vendosmërisë dhe përpjekjes së tij. Lidhur me këtë, Zoti thotë:
Vërtet, te ata që thonë “Zoti ynë është Allahu” e që tregojnë vendosmëri, engjëj zbresin, duke thënë: “Mos kini frikë dhe mos u pikëlloni, myzhde për ju parajsa që ju është premtuar”. (Kur’an, 41:30)
Durimi dhe vendosmëria janë tipare të rëndësishme të një robi të Zotit, me qëllim arritjen e përsosurisë dhe të afërsisë me Zotin. Përveç kësaj, ato bëjnë që zemra e njeriut t’i afrohet edhe më haremit, asaj pozite të shenjtë të Zotit. Lidhur me këtë, Imam Xhaferi (a.s.) thotë: “Zemra është haremi i Zotit. Ndaj mos lejoni që të hyjë aty dikush tjetër!”[3] Sipas kësaj, robër të mirë e besimtarë janë ata që e kërkojnë kënaqësinë e Zotit dhe që janë të vendosur e durimtarë në këtë rrugë.
Në vargun e mësipërm ka një mësim të rëndësishëm, i cili thotë se njeriu duhet të bëjë gjithçka për ta arritur kënaqësinë e Zotit, e kurrë të mos mbështetet në kënaqësinë e njerëzve të tjera dhe të unit të tij. Përballë problemeve dhe vështirësive të ndryshme, njeriu duhet përherë ta ketë parasysh faktin se Zoti i mjafton. Sipas vargjeve të Kur’anit, njerëzit e tillë janë të kënaqur me çdo situatë që Zoti ua ka falur në jetë.
Ne e shpërndajmë mes tyre begatinë në këtë botë dhe i kemi ngritur disa mbi të tjerët, që të përfitojnë prej njëri-tjetrit. Dhe mëshira e Zotit tënd është më e mirë se ajo që ata grumbullojnë. (Kur’an, 43:32)
Njerëzit e tillë nuk u lakmohen të tjerëve që kanë fitime më të mëdha në këtë botë, qoftë në kuptimin material, qoftë në atë shpirtëror, dhe nga thellësitë e zemrave të tyre dëshirojnë që këta njerëz ta shijojnë këtë begati. Ata vetë, ndërkaq, janë të përqendruar në pyetjen se sa do të jetë i kënaqur Zoti me ta në ditën e gjykimit. Ja pse Zoti, në Kur’an, i përmend rrëfimet e profetëve, të cilët me durimin dhe vendosmërinë e tyre janë një model shembullor për njerëzimin.
Dhe përmende robin Tonë Ejjubin, që një ditë i thirri Zotit e tha: “Djalli më ka goditur me vështirësi e dhimbje”. Ne i thamë: “Bjeri tokës me këmbë, ja një ujë që të lahesh e të pish”. Dhe ia dhuruam atij gjithë familjen e një pjesë të atyre që ishin me të, si një mëshirë nga ana Jonë, që të jetë shembull për të zotët e mendjes... (Kur’an, 38:42-43)
Në vijim të vargut, Zoti thotë:
Vërtet e gjetëm të durueshëm. Sa rob i mirë që ishte, përherë kthehej kah Zoti. (Kur’an, 38:44)
Këta profetë të Zotit, pasi duruan shumë sprova dhe vështirësi, u cilësuan si “durimtarë” e “të vendosur”. Është pjesë e njohjes dhe e urtisë së Zotit që të gjithë profetët e tij sprovohen me vështirësi të mëdha. Një nga vështirësitë, me të cilat janë përballur këta njerëz të zgjedhur, është vdekja e fëmijëve të tyre dhe humbja e çdo gjëje që kanë pasur. Ata u përballën edhe me sëmundje të dhimbshme, por mbetën të vendosur dhe përherë mirënjohës ndaj Zotit. Sipas disa haditheve, vështirësitë dhe sprovat e profetit Ejjub (a.s.) zgjatën shtatë vjet, ndërsa sipas disa haditheve të tjera, tetëmbëdhjetë vjet.[4] Në këtë kohë vështirësish, të gjithë njerëzit u larguan prej tij, përveç gruas së tij besimtare. Gjendja u përkeqësua aq shumë, sa njerëzit nisën ta qortonin e ta paragjykonin, duke i thënë se këto probleme dhe fatkeqësi me të cilat përballej ishin për shkak të ndonjë mëkati të madh që kishte kryer. Profeti Ejjub (a.s.), i prekur nga këto gjëra, gjithnjë i ngrinte duart në lutje drejt Zotit, i cili, pas gjithë këtyre sprovave, e shpërbleu Ejjubin (a.s.) për durimin e tij dhe e bëri nga robërit e tij të afruar.[5]
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
[1] Kur’an, 13:21
[2] Isfahani, Hiljat el-eulija, v.2, fq.386, Beirut (Dar el-Kitab el-Arabijj), botimi i dytë, viti 1387 (hixhri)
[3] Shairi, Xhemi el-Akhbar, fq.185, Nexhef (Matba’a haidarijja), botimi i parë
[4] Mexhlisi, Bihar el-Envar, v.12, fq.353-367, Beirut (Dar Ihja eth-thurath el-arabijj), botimi i dytë, viti 1403 (hixhri)
[5] Kur’an, 21:83-84