Motive kuranore
Cilësitë e të zotëve të mendjes në Kuran
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Një tematikë tejet kuptimplote, me të cilin do të duhet të merrej gjithkush, është lidhja me Kur’anin e Shenjtë. Kjo është kështu sepse ky libër konsiderohet i shenjtë për muslimanin dhe ia tregon atij rrugën drejt lumturisë absolute dhe të përkujtimit të mirëfilltë të Zotit. Për këtë arsye, është tejet me rëndësi që muslimanët, përveç që e recitojnë Kur’anin, të fitojnë edhe një vetëdije dhe njohuri të caktuar lidhur me vargjet dritëplota të këtij libri të shenjtë. Pikërisht kështu do të krijohet edhe afërsia dhe lidhja e ngushtë me Kur’anin. Parë nga këndvështrimi pedagogjik, kjo lidhje me Kur’anin do t’i mundësojë njeriut ta vlerësojë pozitën e vete në jetë dhe t’i njohë gabimet dhe mangësitë. Kur vargjet e Kur’anit të lexohen në mënyrë të vetëdijshme, edhe sjellja negative e njeriut do të korrigjohet. Nga kjo pjesë hyrëse mund të arrihet në përfundimin se muslimanët, sjelljet dhe shprehjet e përdorura në gjuhët e tyre, duhet t’i orientojnë sipas vlerave kur’anore. Ndaj është për të ardhur keq, që ekzistojnë muslimanë “sipërfaqësorë”, të cilët jo vetëm që nuk kanë fituar njohuri dhe dituri lidhur me Kur’anin, por nuk kanë arritur të krijojnë kurrfarë lidhjeje me të.  


 


Krijimi i afërsisë me Kur’anin si një fillesë e udhëzimit të njeriut


Është e kuptueshme se muslimanët, po të njihen më së afërmi me Kur’ani, në të do të gjejnë një udhëzues për jetët e tyre. Ky libër i shenjtë, po të jetë subjekt i përkushtimit të një muslimani, e ka potencialin për të qenë miku i tij më i mirë. Parakusht i kësaj është që njeriu t’i ruajë në vete fjalët e përndritura të tij dhe t’i shohë si udhëzues në rrugën drejt lumturisë së përjetshme. Ky këndvështrim është burimi i çdo lëvizjeje drejt udhëzimit dhe, si i tillë, është tejet i rëndësishëm. Për sa kohë që një musliman nuk përsiatet lidhur me pikëpamjen e tij mbi Kur’anin, ai nuk do të mund t’i fitojë dobitë e nevojshme për lumturi në këtë botë dhe në tjetrën.


 


Zgjerimi i horizontit të mendimit nëpërmjet lidhjes me Kur’anin


Kur të kihen parasysh potencialet e shumta të njeriut, duhet theksuar se Kur’ani përfshin në vete një mundësi për zhvillimin e këtyre potencialeve dhe e udhëzon njeriun hap pas hapi në këtë drejtim. Ndonëse ka njerëz që vërtet i kanë pranuar udhëzimet kur’anore dhe kështu e kanë arritur qëllimin përfundimtar të kësaj rruge, fatkeqësisht ka edhe shumë të tjerë që e kanë zgjedhur rrugën e gabuar. Lidhur me këtë, Zoti thotë:


Dhe ia kemi treguar rrugën e drejtë, mirënjohës qoftë a mohues. (Kur’an, 76:3)


Ndërsa në një varg tjetër thuhet:


A nuk ia treguam qartësisht që të dy rrugët? (Kur’an, 90:10)


Duke u mbështetur në këta vargje, mund të thuhet se i mbetet njeriut që ta zgjedhë rrugën që do ta ecë. Ai ose do ta zgjedhë rrugën e përsosjes, duke i zhvilluar aftësitë dhe potencialet e tija ose do të hapërojë rrugës tjetër, në të cilën aftësitë e tija humben dhe vdesin. Varësisht prej rrugës së zgjedhur prej tij, njeriu do t’i fitojë edhe cilësi përkatëse. Po ta ndjekë rrugën e drejtë, ai do të jetë i durueshëm, mirënjohës, i përkushtuar Zotit, i virtytshëm, i urtë, besimtar dhe i druajtur para Zotit. Në të kundërt, po ta zgjedhë rrugën e gabuar, ai do të bëhet jobesimtar, idhujtar, shtypës, i pabindur dhe i pacipë.


 


Cilësitë e të zotëve të mendjes në Kur’an


Një nga karakteristikat e atyre që ecin rrugës së drejtë dhe të vërtetë, sipas Kur’anit, është edhe ajo që përshkruhet me fjalët ulu’l-elbab dhe që haset shumë shpesh në Kur’an. Me këtë shprehje nënkuptohen njerëzit që janë zotërues të një arsyeje, mendjeje dhe intelekti të shëndoshë, dhe të cilët e shfrytëzojnë atë. Të tillët, sapo të konfrontohen me të vërtetën, e pranojnë atë pa kurrfarë kundërshtimi dhe pa dyshim. Kështu, ata e njohin rrugën e vërtetë të udhëzimit. Përveç kësaj, ata nuk e pranojnë rrugën veç sipërfaqësisht, por përpiqen gjithë kohës për t’u sjellë dhe jetuar sipas kësaj rruge, në mënyrë që të përfitojnë nga e vërteta. Cilësitë e njerëzve të tillë shpjegohen në kapitullin Ra’d të Kur’anit, nga vargu 19 deri në vargun 25. Po kështu, përshkruhen edhe cilësitë e atyre që janë e kundërta e “të zotëve të mendjes”. Në vijim do të përpiqemi t’i përvijojmë gjërat që thuhen lidhur me këtë. Për shembull, Kur’ani thotë:


A thua është i njëjtë ai, që di se kjo që të shpallet nga Zoti yt është e vërteta, me atë që është i verbër? Këtë e kuptojnë vetëm të zotët e mendjes. (Kur’an, 13:19)


Këtu përshkruhet qartësisht se të zotët e mendjes janë ata që e pranojnë si të vërtetë librin e Zotit dhe shpalljen që iu bë profetit Muhammed (s.a.a.). Përveç kësaj, ata besojnë se ky libër shërben si një koncept udhëzimi, i cili e çon njeriun drejt lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën. Ndaj mund të shihet shumë qartë se të tillët nuk mund të krahasohen me njerëzit e devijuar dhe të verbër. Ky është themeli, në të cilin mbështeten të zotët e mendjes në sjelljen e tyre dhe pikërisht ky është themeli, mbi të cilin ata zhvillohen më tej. Në vijim të këtyre vargjeve shprehet edhe njëra nga cilësitë e para dalluese të të zotëve të mendjes (ar. ulu’l-elbab):


Ata e mbajnë premtimin e dhënë Zotit dhe nuk e thyejnë këtë besëlidhje. (Kur’an, 13:20)


Duke u mbështetur në vargjet paraprake dhe atyre që vijnë më pas, thuhet me theks se kjo besëlidhje e veçantë me Zotin është besëlidhja për ta adhuruar Atë, duke qenë në rrugën e drejtë dhe të vërtetë. Në një varg tjetër thuhet:


O bij të Ademit! A nuk ju urdhërova që të mos e adhuroni djallin, sepse ai është armiku juaj i qartë? Më adhuroni Mua, sepse kjo është rruga e drejtë. (Kur’an, 36:60-61)


Kur njerëzit, duke u mbështetur në këtë varg, të jenë të vëmendshëm për këtë besëlidhje e ta gjejnë në të pozitën e tyre të vërtetë, do të jenë në gjendje t’i kuptojnë edhe të drejtat e njerëzve të tjerë. Si rrjedhojë e kësaj, çdo njeri duhet të vetëdijesohet se krijuesi i tij është vetëm Zoti dhe se ai vetë është një qenie e krijuar, e cila nuk guxon t’i tejkalojë kufijtë e vet. Dhe ndonëse është vetëm një qenie e krijuar dhe një rob i Zotit, njeriu do të kuptojë se nëpërmjet kësaj robërie, ai bëhet i zoti i kësaj bote. Ja përse të gjithë profetët vepronin me krenari si robër të Zotit, të cilët hapëronin në rrugën e të vërtetës. Pozita e tyre e lartësuar është pikërisht në relacion me robërimin para Zotit. Edhe tek shehadeti, që shqiptohet nga çdo musliman, shohim se fillimisht dëshmohet për faktin se Muhammedi (s.a.a.) është një rob i Zotit dhe pastaj për profetësinë e tij përndritëse. Kjo është arsyeja përse njeriu kurrë nuk duhet ta thyejë këtë besëlidhje të robërisë para Zotit. Një thyerje e kësaj besëlidhjeje ka për ta larguar njeriun nga pozita e të qenit një rob i Zotit dhe ka për ta çuar në rrugën e devijimit.


Duke e përmendur shenjën e dytë të të zotëve të mendjes, Zoti thotë:


Ata që e ruajnë lidhjen që Zoti ka urdhëruar të ruhet, janë të druajtur para Zotit të tyre dhe kanë frikë nga llogaria (e ditës së gjykimit). (Kur’an, 13:21)


Një shembull i lidhjes së përmendur mund të jetë lidhja me të Dërguarin e Zotit (s.a.a.) dhe me Imamët e Ehl-i Bejtit (a.s.). Një shembull tjetër për këtë lidhje është lidhja me familjen dhe, para se të gjithash, me prindërit.


Për të përmbledhur, mund të thuhet se Islami e thekson çdo lidhje që çon drejt zhvillimit dhe përsosjes individuale ose shoqërore të njeriut. Këtu nuk ka shumë rëndësi se çfarë niveli arrin kjo lidhje, qoftë materiale ose shpirtërore, sepse vetë ekzistenca e kësaj lidhjeje, në trajtën e miqësisë ose dashurisë për njerëzit që kanë një pozitë të lartë pranë Zotit, krijon një stabilitet në mendimin, bindjen, moralin dhe në sjelljen e njeriut. Kjo lidhje është e dobishme në afrimin e njeriut me filozofinë e krijimit dhe, si rrjedhojë, në përmirësimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Në këtë kontekst, Islami e përmend edhe formën e këtyre marrëdhënieve, siç është marrëdhënie e theksuar gjithnjë me familjen, gjë që ka ndikim të madh në jetën individuale dhe kolektive të njeriut. Edhe sikur familjarët e tjerë ta ndërpresin marrëdhënien, Islami thotë se muslimani i vërtetë duhet të përpiqet për t’i rivendosur ato. Kjo lidhje është një shenjë e intelektit të një muslimani, sepse vetë Kur’ani thotë shumë qartë se një gjë e tillë është në mesin e cilësive të besimtarëve të arsyeshëm, pra të të zotëve të mendjes (ar. ulu’l-elbab).


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!  


 


 


 

publikuar më: 10.03.2017

Lexoni gjithashtu..

16.06.2017 Motive kuranore: Falja e namazit si një cilësi e të zotëve të mendjes
02.06.2017 Motive kuranore: Durimi si një cilësi e të zotëve të mendjes
19.05.2017 Motive kuranore: Frika dhe durimi si cilësi të të zotëve të mendjes

Kthehu