Versioni audio i kësaj ligjërate është në përgatitje e sipër dhe do të botohet së shpejti. Ju lutemi për mirëkuptim!
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Përshpirtshmëria përfaqëson një marrëdhënie me botën e fshehtë, e cila i jep qëllim rrugëtimit jetësor të njeriut dhe e drejton atë në mënyrë të vetëdijshme kah përsosuria e plotë. Ajo e zgjon vetëdijen njerëzore dhe e ngrit njeriun drejt majave të karakterit të tij dhe është sërish kjo përshpirtshmëri që e mbron njeriun kundër pakuptimësisë së jetës. Përshpirtshmëria bën që njeriu të njihet me të fshehtat e jetës, t’i bashkëngjitet karvanit të njerëzve të mirëfilltë, të jetë i vëmendshëm për fjalët, veprat, sjelljet, bindjet dhe vlerat e tija morale, në mënyrë që të rritet kështu drejt një qëllimi të lartësuar. Të hapëruarit në rrugën e shpirtit do të thotë që njeriu t’ia japë vlerën e duhur karakterit të vet e të mos kthehet në çdo anë që sheh. Ai duhet të shkëputet nga egoja e tij natyrore dhe të mbathet me identitetin e vet të lartësuar, ku dashuria ndaj të Dashurit të vërtetë do të jetë mbi gjithçka tjetër.
Kur njeriu të hyjë në orbitën e tërheqjes hyjnore, syri i tij nuk do të shohë asgjë tjetër veç Allahut, të Zotit të të gjitha krijesave. Në të vërtetë, një njeri i tillë është i bekuar me dritën e teuhidit. Pika që meriton një vëmendje të veçantë, në këtë pikë, është fakti se përshpirtshmëria e mirëfilltë nuk mund të arrihet veçse nëpërmjet fesë së shpallur, gjë që na sjell në përfundimin se, në të vërtetë, feja dhe përshpirtshmëria nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Në të kaluarën e njerëzimit, kurrë nuk ka ekzistuar një ndarje ndërmjet të dyjave. Megjithatë, hap pas hapi, materializmi i kohës moderne nisi të shfaqej në skenë. Përveç kësaj, për shkak të aftësive të mangëta të feve të kaluara dhe për shkak të manipulimit me mësimet e fesë, u shfaqën lëvizje të reja spiritualiste, të cilat e ndezën diskusionin lidhur me pyetjen në janë vërtet të ndërlidhura feja dhe përshpirtshmëria. A ekziston vërtet përshpirtshmëria në fe dhe a mund të arrihet përshpirtshmëria edhe pa fenë?
Kur t’i hedhim një vështrim realitetit të feve, do të zbulojmë se feja, në të vërtetë, nuk ka qëllim tjetër madhor përveç përshpirtshmërisë dhe lidhjes me botën mbinatyrore. Duke u mbështetur në këtë pikëpamje, feja është trajtësuar në një mënyrë të tillë që njeriun e mban gjithnjë të përqëndruar në rrugëtimin e tij drejt Zotit, me qëllim përforcimin e thellësisë së tij njerëzore e shpirtërore deri në pikën ku njeriu e arrin përsosurinë dhe lartësimin shpirtëror. Të qenit i vëmendshëm në këtë pikë e stimulon njeriun në drejtim të përmirësimit të vetvetes dhe në drejtim të një jete më të mirë. Me një pikëpamje të tillë, çdo gjë në jetën e njeriut mund të fitojë kuptim dhe të mbathet me një ngjyrim shpirtëror. Por ngase realiteti i jetesës së njeriut të sotëm ka marrë një trajtë tjetër dhe shumica e njerëzve i janë drejtuar shijimit të kënaqësive materiale, ka ardhur deri të një dëmtim serioz në orientimin fetar të shoqërisë, aq sa disa njerëz kanë nisur edhe të distancohen nga feja. Në këtë pikë duhet pranuar se sjellja e ligë dhe e palogjikshme e njerëzve që janë ndërlidhur, në një mënyrë ose një tjetër, me fenë, ka pasur një ndikim jo të vogël në largimin e njerëzve nga feja. Të tillët nuk kanë arritur ta prezantojnë realitetin e fesë dhe kjo ka bërë që njerëzit t’u drejtohen të tjerëve për t’i përmbushur nevojat e tyre shpirtërore. Të tillët janë përpjekur që nëpërmjet “recepturave” të gatshme dhe disa fenomeneve dukshëm metafizike t’i bëjnë thirrjet e tyre gjithë më atraktive për masat. Por realiteti flet për të kundërtën. Ata veç për një kohë të shkurtër arrijnë t’i lidhin pas vetes kërkuesit e shpirtërores, por pa arritur t’ua shuajnë etjen për të përshpirtshmen.
Në shumë raste ekziston mundësia që këta njerëz, nëpërmjet metodave të tyre, të krijojnë tek njeriu nevoja të ndryshme joreale dhe imagjinare, duke u përpjekur t’i mbajnë më gjatë “klientët” e tyre. Megjithatë, mund të themi me plot bindje se këto metoda nuk janë të afta t’i kënaqin nevojat shpirtërore të njeriut.
Shoqëria njerëzore duhet t’i drejtohet burimit të pastër të përshpirtshmërisë dhe ta gjejë atë në realitetin e feve të shpallura hyjnore. Kjo pikë është një çështje tejet e rëndësishme, e cila duhet të konsiderohet me shumë kujdes dhe përpikmëri. Nuk ka dyshim se koha do ta nxjerrë në pah zbrazëtinë e pseudospiritualistëve, por duhet pasur parasysh se kalimi i kohës mund edhe t’ia vjedhë njeriut mundësinë për ta arritur përshpirtshmërinë e mirëfilltë.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!