Pershpirtshmëria
Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në ligjëratat tona të mëparshme të kësaj teme erdhëm në përfundimin se realiteti i përshpirtshmërisë së mirëfilltë duhet të kërkohet në dritë të feve të shpallura hyjnore dhe meqë Islami është feja e fundit e shpallur, çështja e përshpirtshmërisë është përpunuar brenda mësimit të tij në trajtën më të plotë dhe të përpiktë. Përveç kësaj, arritëm në përfundimin se përshpirtshmëria islame është e ndërlidhur me intelektin, drejtësinë dhe të vepruarit sipas ligjit hyjnor. Thënë ndryshe, përshpirtshmëria fetare është një realitet i orientuar drejt qëllimit, i cili mund të arrihet duke u mbështetur tek ligjet dhe ritualet hyjnore dhe duke e pasur parasysh njëkohësisht dimensionin e jashtëm dhe të brendshëm të urdhrave të Zotit. Në dritë të kësaj, një musliman i përshpirtshëm mban përgjegjësi dhe nuk mund të jetojë si një njeri i izoluar, i shkëputur nga shoqëria dhe nga sfera publike. Një musliman i përshpirtshëm përpiqet gjithnjë për t’i ndihmuar të tjerët dhe për t’i zgjidhur problemet e shoqërisë. Ai dëshiron drejtësi për çdo individ në shoqëri. Po kështu, thamë se një njeri i përshpirtshëm ka një marrëdhënie shumë të fuqishme me Zotin dhe se është i rrethuar nga bekimi i Tij. Falë kësaj ndjenje dhe këtij motivacioni, njeriu i përshpirtshëm është gjithnjë në kërkim të një jetesë ky puqen shpresa me hareja.


Nëpërmjet këtij shpjegimi duhet të jetë qartësuar tashmë se kurdoherë që flasim për përshpirtshmërinë fetare dhe islame, me “përshpirtshmëri” nënkuptojmë atë lloj përshpirtshmërie që e ka parasysh lumturinë e njeriut edhe në këtë botë edhe në tjetrën. Nga këndvështrimi fetar, njeriu në botën tjetër do t’i ketë pranë vetes të gjithë dimensionet e brendshme të mendimeve, bindjeve dhe bëmave, të cilat i ka pasur në këtë botë. Ai është, si të thuash, një mysafir i gjërave që i ka krijuar vetë.


Jeta në këtë botë është një realitet, i cili ngërthen dy dimensione, pra dimensionin e jashtëm e të dukshëm dhe dimensionin e brendshëm, tek i cili gjen rrugë përshpirtshmëria, për ta mbushur jetën e njeriut me kuptim, hare dhe motivim.


Ja përse gjithçka që njeriu bën duke pasur për qëllim afërsinë me Zotin dhe arritjen e zhvillimit shpirtëror, u fal kuptim të gjithë aspekteve të jetës së tij, qofshin ekonomike, politike, kulturore ose shoqërore. Në të kundërt, pra kur qëllimi i njeriut është i mbështetur në vetëpëlqim dhe egoizëm, kjo e çon atë drejt degjenerimit dhe shkatërrimit. Kjo lëvizje shpirtërore ka për ta vendosur sistemin e dëshmimit të teuhidit te individët dhe te shoqëria, dhe ka për të bërë që njerëzit ta përjetojnë parajsën që në këtë botë, pra ta shijojnë sigurinë, harmoninë, harenë dhe shpresën e parajsës së përbotshme, qoftë kjo në shkallë individuale, familjare ose shoqërore. Ky ka qenë qëllimi i lartësuar i të dërguarve të Zotit përgjatë historisë, gjegjësisht që ta udhëzonin njerëzimin në këtë rrugë.


Disa kanë qejf të pyesin se përse është e nevojshme që përshpirtshmërisë, si fenomen, t’i jepet domosdo një frymë fetare. Sipas pikëpamjes së tyre, njeriu mund të jetë i përshpirtshëm edhe pa fenë. Në këtë mënyrë, pohojnë ata, përshpirtshmëria do të jetë një gjë e përbashkët e të gjithë njerëzve dhe një realitet sipëror në jetën e të gjithëve dhe jo vetëm tek njerëzit fetarë.


Si përgjigje mund të themi se është e vërtetë se jeta e njeriut duhet të jetë e përshpirtshme dhe se njerëzimi duhet ta ndjekë këtë rrugë. Megjithatë, pyetja e vërtetë është se si mund të lulëzojë kjo ndjenjë përshpirtshmërie, që gjendet në brendinë e çdo njeriu? Nëse kemi një imazh të saktë të përshpirtshmërisë dhe nëse e pranojmë atë si një gjë me karakter hyjnor, duhet të pranojmë gjithashtu se ajo nuk mund të ekzistojë pa shpalljen hyjnore dhe nuk mund të lulëzojë pa një plan nga Zoti i Madhëruar. Kur nuk kuptohet ky realitet, në vend të përshpirtshmërisë së mirëfilltë, njeriu do të merret me pseudospiritualitete.


Ajo që shohim sot në shumë shoqëri të ndryshme është se shumë njerëz, me disa metoda plot vetëpëlqim dhe krejt të shkëputura nga realiteti, përpiqen t’i qasen përshpirtshmërisë, pa arritur kurrfarë rezultati të kënaqshëm.


Ndaj nuk guxojmë ta trajtojmë këtë temë në formë sipërfaqësore dhe të dorëzohemi në duart e njerëzve të tillë me shpresën se do të mund të përmbushen nevojat tona shpirtërore. Kur e kundrojmë historinë e njerëzimit, do të shohim se njeriu përherë ka pasur dy kërkesa të rëndësishme. E para është e vërteta, që është një kërkesë e themeluar në intelektin dhe shpalljen hyjnore, ndërsa e dyta është kërkesa e njeriut për të qenë shpalosësi ose shpallësi i të vërtetës, duke u mbështetur në prirje krejtësisht jo-legjitime, jo të arsyeshme dhe materialiste. Të gjithë njerëzit me pretendime të tilla të gënjeshtërta kanë pasur një fund të ligë dhe janë shënuar në histori si njerëz gënjeshtarë, të cilët, për t’i arritur qëllimet e frymëzuara nga epshet dhe dëshirat e tyre, instrumentalizuan një numër të madh njerëzish të tjerë. Kur’ani i Shenjtë dhe hadithet islame flasin për këtë temë, në mënyrë që njerëzimi të marrë mësim e të kuptojë se pa sundimin e intelektit dhe të shpalljes, njeriu nuk mund ta arrijë lumturinë në këtë botë e në tjetrën dhe nuk mund të ketë një jetë të qetë dhe të sigurt.


Nuk ka dyshim se duhet t’u kushtohet vëmendje fjalëve dhe këshillave të mësuesve të mëdhenj të njerëzimit, duke përfshirë të dërguarit e Zotit dhe mëkëmbësit e tyre legjitimë. Megjithatë, botëkuptimi ynë duhet të jetë i thellë dhe përherë të qëndrojë larg të qenit sipërfaqësor. Kur’ani i përmend gjithmonë cytjet djallëzore dhe e paralajmëron njeriun karshi mashtrimeve, goditjeve dhe gënjeshtrave të armikut të tij. Mësimet e fesë na thonë se njeriu nuk guxon të largohet nga fjala e vërtetë dhe të hapërojë drejt të gabuarës. Në vargun e dhjetë të kapitullit Mulk të Kur’anit, thuhet:


Dhe do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar e të kishim kuptuar, nuk do të ishim mes banorëve të zjarrit.” (Kur’an, 67:10)


Pikërisht pse nuk iu përgjigjën thirrjes drejt të vërtetës dhe nuk menduan, disa njerëz u bënë viktimë e brejtjeve të ndërgjegjes dhe e dënimit hyjnor në zjarr.


Për ta arritur përshpirtshmërinë e vërtetë, e cila sjell harmoni, lumturi, shpresë dhe siguri, njeriu duhet t’i kthehet dritës së fesë, me kusht që mësimi fetar të mos jetë dëmtuar nga ndryshimet dhe falsifikimet. Nëse kjo ka ndodhur, atëherë mund të ngjajë e kundërta dhe njeriut të mos mund të gjejë kurrfarë çlirimi për shpirtin e vet.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 26.11.2016

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu