Rëndësia e arsyes në Islam
Mbi kuptimin e fjalës akl
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Është mjaft e qartë se mendja është krijesa më e çmueshme, që Zoti ia ka falur njeriut. Është pikërisht mendja që e ka lartësuar njeriun karshi krijesave të tjera. Megjithatë, është me rëndësi që mendja të përdoret në mënyrë të duhur dhe të lulëzojë. Udhëheqësit e shoqërive duhet të mundësojnë mënyra të ndryshme për të lejuar një zhvillim të mendjes, në mënyrë që çdo njeri të mund ta zgjedhë rrugën e drejtë në jetë dhe kështu ta arrijë lumturinë dhe të vërtetën.


S’ka dyshim se mendja është një udhërrëfyes shumë i mirë për njeriun, i cili mund ta lidhë edhe me fenë dhe me ligjin hyjnor. Kjo është përse në disa hadithe, mendja është quajtur “dëshmia e brendshme”1 ose “dëshmia ndërmjet robit dhe Zotit”2. Mendja është një dhunti e Zotit për njeriun, që ai të mund të gjejë rrugën e drejtë. Një hadith tjetër thotë shumë qartë se mendja e njerëzve është feja dhe ligji i tyre i brendshëm, ndërsa vetë feja (ajo që sillet nga profetët) nuk është tjetër veçse “mendja e jashtme”.3


Në përgjithësi mund të pranohet se pa mendjen, feja nuk do të kishte kurrfarë vlere dhe rëndësie. Ai që nuk ka një mendje të fortë, nuk mund ta ketë të fortë fenë. Andaj, në disa hadithe thuhet: “Ai që ka mend, ka edhe fe. Ndërsa ai që ka fe, e ka të garantuar parajsën.”4


Në lidhje me pyetjen se çfarë nënkuptohet këtu me fjalën “akl” në arabisht (përkthyer këtu si “mendje”, në disa tekste edhe si “intelekt”), ka shumë gjëra për të thënë. Në diskutimin tonë do të flasim shkurtimisht vetëm për disa tema, sepse shqyrtimi i hollësishëm i tyre kërkon shumë më tepër kohë.


Shumë gjuhëtarë, zanafillën e fjalës arabe “akl”, që përdoret për mendjen, e shohin tek fjala “akhal”, që nënkupton litarin që përdoret për t’ia lidhur këmbët një deveje, për të mos i lejuar të ikë. Disa të tjerë, si për shembull Sahib Sahahu, e kanë definuar këtë fjalë si “baraspeshë dhe pengesë”, sepse ekziston brenda njeriut një forcë që e pengon kryerjen e veprave të liga. Kjo forcë e brendshme është quajtur “mendje”. Dhe tani, nëse i përmbledhim të gjitha kuptimet e dhëna për këtë fjalë, do të shohim se nocioni i pengesës ose kontrollit është i pranishëm tek të gjithë definicionet. Andaj edhe është thënë: “I mençur është ai që mund ta kontrollojë vetveten dhe që mund t’u rezistojë dëshirave dhe devijimeve.”5 Disa e kanë definuar mendjen si “aftësia ose talenti i nevojshëm për të mësuar”. Ndonjëherë, madje, edhe dituria e fituar nëpërmjet kësaj aftësia është quajtur “mendje” ose “arsye”.6


Nocioni i mendjes ka edhe përdorime të tjera. Mes tjerash, ajo u mveshet edhe qenieve që nuk janë të kufizuara në kohë e në hapësirë dhe që, në Kur’an e në hadithe, janë quajtur “ëngjëj”. Përsosuria e këtyre qenieve është një cilësi ekzistenciale e tyre dhe në këtë rast nuk mund të flasim për aftësi ose për talent. Ato janë krijesat e dëlira të Zotit dhe robër të Tij, të cilat kurrë nuk mund të veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Zotit e të tregojnë mosbindje. Kundruar nga aspekti ekzistencial, edhe atyre u njihen pozita të caktuara, të cilat janë shqyrtuar në vepra relevante. 


Një kuptim tjetër i fjalës “mendje” është gjykimi i përgjithshëm i njerëzve, ai që njihet si common sense. Ky aspekt ka të bëjë me jetën e përditshme. Përveç kësaj, fjala “mendje” nënkupton aftësinë për t’i kuptuar gjërat, për t’i dalluar gjërat e sakta, për t’ krahasuar sendet dhe për të arritur në përfundimet e duhura. Në këtë kuptim, mendja  shihet si një talent që iu fal njeriut nga Zoti,  në mënyrë që njeriu të mund t’i perceptojë gjërat saktësisht. Ai që e shfrytëzon si duhet këtë aftësi, konsiderohet një njeri i mençur dhe i arsyeshëm. Në mendimin islam, mendja është një fuqi ose një aktivitet psikik, që e ndihmon njeriun për të çuar një jetë ideale, qoftë në kuptimin material qoftë në atë shpirtëror, sepse pikërisht nëpërmjet mendjes, njeriu i zgjedh metodat e duhura për t’i arritur qëllimet jetësore.7 Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Mendja përmirëson çdo punë.” Dhe gjithashtu thotë: “Mendja udhëzon dhe shpëton.”


Ndërsa në një kuptim më specifik, të përcjellur nga feja, mendja është fuqia e brendshme profetike tek njeriu, e cila e udhëzon poseduesin e saj drejt monoteizmit dhe e bën të bindur kundrejt urdhrave hyjnorë.


Në kohën e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), një gojëtar i famshëm erdhi në Medine. Me ta dëgjuar atë, njëri nga muslimanët tha: “Sa i mençur që është ky njeri!” Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) duke e qortuar ia ktheu: “I mençur është ai që e njeh Allahun si zot të vetëm dhe që i bindet Atij.”8 Në një hadith tjetër përcillet se një njeri e pyeti Imam Sadikun (paqja qoftë mbi të): “Çfarë është mendja?” Imami u përgjigj: “Mendja është gjëja, me të cilën e adhurojmë Zotin dhe e fitojmë të drejtën për të hyrë në parjsë.”


Për fund duhet gjithashtu të përmendim se disa dijetarë kanë thënë se me fjalën “akl” nënkuptohet mendja praktike dhe jo mendimi teorik.10 


1: El-Kafi, vëll.1, fq.25: “O Hisham! Zoti ka dy dëshmi në mesin e njerëve. Dëshminë e brendshme dhe të jashtmen. Dëshmia e jashtme janë profetët dhe të dërguarit e Zotit, ndërsa dëshmia e brendshme është mendja.”


2: El-Kafi,vëll.1, fq.48. Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) thotë: “Profeti i Shenjtë është dëshmia e Zotit në mesin e robërve të Tij, ndërsa mendja është dëshmia e Tij ndërmjet robit dhe Zotit.”


3: Mexhma’ul-Bahrejn, kapitulli mbi mendjen; përcillet se Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Mendja është ligji i brendshëm, ndërsa ligji është mendja e jashtme.”


4: El-Kafi, vëll.1, Libri i mendjes dhe paditurisë


5: Tarihi Mexhma’ul-Bahrejn, vëll.5, fq.425


6: Mofredat Ragheb, fq.354


7: Muhammed Taki Xhaferi, Muhammedi (s.a.v), i mbrami i profetëve, Botimet e Hussejnije Irshad-it, viti 1348 (hixhri diellor), vëll.2


8: Kumi, Safinat el-bihar ve medinet’ul hikem ve’l-esar, vëll.2, fq.214


9: Kafi sipas Kaliniut, vëll.1, kapitulli mbi mendjen dhe praktikën, libri i katërt


10: Allame Ajetollah Xhevadi Amuli

publikuar më: 20.09.2013

Lexoni gjithashtu..

15.09.2017 Rëndësia e arsyes në Islam: Intelekti dhe shpallja hyjnore
17.06.2016 Rëndësia e arsyes në Islam: Arsyeja në procesin e udhëzimit të njeriut
01.03.2013 Rëndësia e arsyes në Islam: Arsyeja dhe mendja

Kthehu