Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij
Në fjalimin tonë të kaluar u morëm me një pikë të rëndësishme nga tema e marrëdhënieve të njeriut nga aspekti islam, gjegjësisht me pikëpamjen shpresëplotë të muslimanëve në lidhje me ardhmërinë dhe në lidhje me qëndrimet e Islamit mbi fundin e botës. Thamë se të gjitha fetë monoteiste flasin për një epokë të artë dhe të mbushur me drejtësi e barazi, edhepse fetë e ndryshme e definojnë ndryshe atë. Çështja që do ta përpunojmë tani është ndikimi që ky këndvështrim shpresëplotë mund të ketë në jetën e njeriut. S’ka dyshim se njerëzit i numërojnë ditët në pritje të kësaj kohe dhe gjenden, si të thuash, në një epokë të “pritjes”. Në këtë kontekst duhet të kihet parasysh se “pritja” mund të ketë dy forma. Ajo mund të jetë ose një pritje pasive ose një pritje aktive.
Ndonjëherë njeriu pret një ndodhi në ardhmëri, si për shembull, kur e pret ardhjen e një treni. Në këtë rast, ai nuk ka nevojë të bëjë ndonjë gjë gjersa treni t’i afrohet platformës dhe, në të vërtetë, nuk ka ndonjë zgjedhje tjetër veçse të presë.Ai, pra, thjesht pret pasivisht që një gjë të ndodhë.
Por ka raste kur njeriu ndërmerr diçka dhe e pret rezultatin e këtij veprimi. Në këtë rast, njeriu është aktiv dhe është vetë ai që e trajtëson ndodhinë e pritur, duke dalluar qartësisht nga pritësi pasiv, i cili pret detyrimisht. Për këtë të fundit, pritja është një gjendje agonie, e cila e lodh, për dallim nga njeriu aktiv. Pritësi aktiv e di se ai vetë duhet ta trajtësojë ardhmërinë e tij. Për dallim nga pritësi pasiv, ai pret që të arijë një qëllim të caktuar dhe jo që ndonjë ndodhi ta arrijë atë. Në shkollën e mendimit islam, pritja e Imam Mehdiut (Zoti ia përshpejtoftë rishfaqjen) është një pritje aktive, aq sa pritësit e fitojnë ndjenjën se shfaqja e Shpëtimtarit mund të përshpejtohet me bëmat e tyre dhe se kështu mund të krijohen kushtet për shfaqjen e tij. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: Veprimi më i mirë i ummetit tim është pritja e shpëtimit.Ai thotë gjithashtu: Për ju, pritja e shpëtimit është vetë shpëtimi.Këto dhe shumë thënie të tjera dëshmojnë se pritja në doktrinën shiite është një pritje aktive, që mundëson zhvillim dhe shfaqje të potencialeve njerëzore.
Pritja mund të shihet gjithashtu si një ndërveprim mes “të vërtetës” dhe “fakteve”. Një musliman pritës i vëzhgon faktet në mjedisin e tij, e konsideron atë që pret nga ardhmëria, pra “të vërtetën”, dhe përpiqet ta ndërlidhë të vërtetën me faktet, duke u munduar t’i ndryshojë kushtet e të lëvizë drejt një shoqërie të përsosur. Ne besojmë se Kur’ani është libri i vetëm i një feje monoteiste, që e çliron njeriun nga egoizmi, epshi dhe shtypja. Bindja jonë është se Profeti (paqja qoftë mbi të) dhe familja e tij e dëlirë e kanë dhënë udhëzimin më të mirë dhe më të përsosur për ta arritur lumturinë njerëzore.Kjo e vërtetë mbetet e vlefshme, edhe në rastet kur shoqëritë tona nuk i posedojnë këto virtyte dhe madje janë të prira për shtypjen dhe epshin në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në rrethana të tilla, një musliman duhet të përpiqet ta realizojë këtë të vërtetë me ndihmën e mësimeve hyjnore dhe ta presë krijimin e një shoqërie, në të cilën mbisundon drejtësia. Ai e di se një shoqëri e tillë e ardhshme mund të krijohet vetëm me përpjekjet e tija të sotme. Pikërisht kjo është arsyeja përse Imam Mehdiu (paqja qoftë mbi të) thotë shpesh se njeriu duhet të lutet për rishfaqjen e tij. Kjo tregon se rishfaqja e tij është në duart e atyre që e presin.
Një pritje aktive do të thotë që epoka e Imamëve t’i bashkëngjitet epokës së Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), duke bërë që urdhrat hyjnorë të praktikohen plotësisht, në mënyrë që të arrihet qëllimi i dëshiruar.
Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të) thotë: Pritja e shpëtimit është shpëtimi më i madh. Pritja e Imamit i përmirëson gjërat, siç është përcjellur në shumë thënie që kanë të bëjnë me pritjen, që nënkupton se pritja në shkollën shiite është një pritje aktive, e cila dallon qartë nga pasiviteti, mosveprimi dhe mospërfillja. Nga Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të) përcillet thënia në vijim: Priteni shpëtimin me durim, me miqësi dhe me fqinjësi të mirë!
Zoti na bashkoftë me pritësit e vërtetë e aktivë të Imam Mehdiut (paqja qoftë mbi të) dhe e përshpejtoftë shfaqjen e tij!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!