Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratën tonë të kaluar u morëm me konceptin e shpëtimtarit të pritur në fetë e ndryshme dhe në shkolla të tjera të mendimit. Besimi shi’it në Mehdiun, ndërkaq, shkon shumë përtej një profecie. Ky është një besim që ka ndikim të madh në jetën e përditshme të njerëzve sot.
Në këtë shkollë mendimi, pritja nuk është një veprim pasiv, por një kulturë e veçantë dhe aktive. Mësimi i Ehl-i Bejtit thekson se lëvizja për drejtësi mbarëbotërore nuk është një gjë që do të realizohet vetëm nga Mehdiu i pritur, por edhe nga 313 përkrahësit e tij të devotshëm, të cilët kanë jetuar në kohën e fshehjes (ar. ghajbat) së tij, si dhe nga dhjetëra mijëra ndjekës të tjerë, të cilët do ta shoqërojnë këtë lëvizje për drejtësi, siguri dhe përsosuri, që do të realizohet me shfaqjen e shpëtimtarit të pritur. Kjo lë të kuptohet, fillimisht, se është një realitet i padiskutueshëm rishfaqja e Imamit të Pritur (a.f.) dhe, së dyti, se gjatë fshehjes së tij, ekziston një grup njerëzish, që do të veprojnë për mirëqenien e shoqërisë. Kjo ia bën të qartë çdo pritësi, se, pavarësisht ku ndodhet, duhet të përpiqet e të veprojë, që të mund ta japë hisen e tij në realizimin e këtij qëllimi madhor. Kjo kulturë e pritjes aktive krijon një garë devotshmërie mes besimtarëve, ku secili përpiqet ta tejkalojë tjetrin në të mira, gjë që është urdhëruar edhe në Kur’an, në mënyrë që besimtarët ta arrijnë lumturinë e mirëfilltë. Kur’ani thotë:
Dhe ngutuni drejt faljes së Zotit tuaj dhe drejt parajsës, që është e gjerë sa largësia mes qiejve e tokës dhe që është krijuar për ata që janë të druajtur. (Kur’an, 3:133)
Kjo bën që njerëzit, gjatë rrjedhës së historisë, të jenë më aktivë dhe të zhvillojnë marrëdhënie më të mira me njëri-tjetrin. Në mësimet e Ehl-i Bejtit, pritja e Shpëtimtarit është e tillë që e bën të sotmen një pasqyrë të një të nesërmeje të mbushur me drejtësi. Në vargun e sipërpërmendur, Zoti ua premton besimtarëve dhe atyre që e garojnë për faljen e Tij, parajsën, të cilën mund ta shijojnë edhe në këtë botë edhe në tjetrën. Ata që janë të druajtur para Zotit, pra muttakin, përpiqen së bashku për ta krijuar një parajsë edhe në këtë botë, dhe japin kontribut që kjo jetë të trajtësohet sa më bukur. Ata janë cilësuar nga Kur’ani si trashëgues të tokës. Kështu, secili njeri mund ta japë kontributin e vetë në mbisundimin e drejtësisë mbi tokë. Kurdoherë që muslimanët u janë përmbajtur mësimeve të fesë së tyre, ata e kanë luftuar shtypjen dhe padrejtësinë, i kanë përkrahur miqësinë, drejtësinë dhe marrëdhëniet e shëndetshme shoqërore e janë përpjekur për ta zgjuar botën e për ta ftuar atë drejt njohjes dhe diturisë. Rritja e sotme e Islamit fshihet pikërisht në këtë qëndrim të muslimanëve. Edhe shumica e shenjave të rishfaqjes së Shpëtimtarit, të cilat janë përmendur në hadithe, kanë të bëjnë pikërisht me luftimin e shthurjes, shtypjes dhe padrejtësisë. Vrasja e Nefs el-Zekijjes, disfata e ushtrisë së Sufjaniut dhe të gjitha shenjat e tjera, që janë përcjellë në hadithe, kanë një burim të përbashkët, që nuk është tjetër veçse lufta e një grupi besimtarësh kundër shthurjes dhe padrejtësisë në shoqëri, pikërisht në kohën e fshehjes së Imamit të Kohës (a.f.). Ato gjëra që janë përmendur si shenja të rishfaqjes së Imam Mehdiut (a.f.) nuk janë tjetër veçse shenja të gatishmërisë së atyre që e presin atë.
Çdo hap që e ndërmerr një musliman për ta përmirësuar gjendjen e shoqërisë së tij dhe për ta luftuar shthurjen, është një kontribut në rishfaqjen e Shpëtimtarit. Ky hap është njësoj si hapat e ndërmarrë nga të gjithë profetët dhe prijësit monoteistë në histori. I Dërguari i Zotit, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, thotë: “Nuk u dërgova ndryshe, veçse për ta plotësuar moralin e bukur”. Me këtë, ai nënkupton se dërgimi i tij si profet është hapi më i rëndësishëm drejt krijimit të një vetëdijeje shoqërore islame dhe të një lëvizjeje që çon drejt virtytit në shoqëritë njerëzore. Sot, bota është dëshmitare e shumë lëvizjeve për drejtësi në botën muslimane. Secila nga këto lëvizje islame kundër padrejtësisë është rezultati i një thirrjeje mijëvjeçare të një njerëzimi që është në pritje. Është kjo një thirrje që tashmë jehon anembanë botës.
Nga thellësitë e zemrës sonë i lutemi Zotit që ta përgatisë njerëzimin për rishfaqjen e Shpëtimtarit dhe që ta përshpejtojë shfaqjen e tij!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!