Rëndësia e arsyes në Islam
Intelekti dhe shpallja hyjnore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Nga disa hadithe mund të kuptojmë se njeriu mund të njihet nëpërmjet intelektit të tij.[1] Një njeri që e shfrytëzon këtë dhunti hyjnore si duhet, do të jetë i ruajtur nga sëmundjet që e kaplojnë shoqërinë.[2] Intelekti jepet nga Zoti[3] dhe paraqet fuqinë madhore që i mundëson njeriut të dalë fitimtar karshi sfidave të jetës.[4] Ai është dhuntia më i mirë[5] dhe përsosuria e të gjithë virtyteve.[6] Atyre që e shfrytëzojnë intelektin dhe përpiqen për ta arritur përsosurinë e për të fituar dituri dhe njohje (ar. ma’rife), Kur’ani u bën premtime të mëdha. Ai thotë:


Janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ndjekin më të mirën e fjalëve. Ata janë të udhëzuarit nga Zoti dhe ata janë të zotët e mendjes. (Kur’an, 39:18)


Në Kur’an, Zoti i Madhëruar thekson një pikë tejet të rëndësishme, gjegjësisht se të zotët e intelektit janë ata që më së miri i kuptojnë vargjet e Kur’anit dhe që më së miri i shquajnë nuancat e holla kuptimore që fshihen në to. Ata, si zotërues të intelektit, janë të aftë t’i kuptojnë shembujt dhe krahasimet kur’anore dhe, si rrjedhojë, janë më të denjë dhe të aftë për t’i edukuar dhe udhëzuar të tjerët. Kur’ani thotë:


Këta janë shembuj që ua japim njerëzve, por ata i kuptojnë vetëm të diturit. (Kur’an, 29:43)


Në këtë Kur’an kemi dhënë shembuj gjithë llojesh, që të merrni mësim. (Kur’an, 39:27)


Një shembull në të cilin Kur’ani e shpjegon përjetësinë e teuhidit dhe kalueshmërinë e kotësinë e idhujtarisë, është vargu vijues:


Shembulli i atyre që kërkojnë ndihmës të tjerë veç Zotit është si shembulli i merimangës që bën shtëpi. Dhe vërtet, shtëpia e merimangës është më e brishta, sikur të kuptonit. (Kur’an, 29:41)


Edhe në vargun e ardhshëm, Kur’ani jep shembuj dhe thotë se, ndonëse vargjet e tij dëgjohen nga të gjithë njerëzit, vetëm të diturit janë në gjendje t’i kuptojnë të vërtetat që fshihen brenda tyre. Këta janë njerëzit që e kuptojnë realitetin e gjërave dhe nuk mbështeten vetëm në aspektin e tyre të jashtëm. Me realitetin e brendshëm, Kur’ani nënkupton realitetet e fshehta (ar. ghajb) që mund të arrihen me njohje (ar. ma’rife), sepse ka edhe shumë dijetarë të cilët nuk arrijnë të kalojnë përtej kuptimit të jashtëm të gjërave. Interpretimi i mirëfilltë pra, mund të bëhet vetëm nga ata që kanë njohje (ar. ma’rife), sepse këta janë personat që arrijnë t’i kuptojnë shembujt e dhënë në Kur’an.


Këtu vlen të theksohet se ekzistojnë shumë vargje kur’anore, të cilat e ftojnë njeriun të mendojë, të përsiatet, të mësojë e të jetë i urtë. Megjithatë, të gjitha këto gjëra nuk janë veçse manifestime të intelektit.


Nga të gjitha fjalët e thëna lidhur me intelektin mund të arrijmë në përfundimin se Islami ka për qëllim ta stimulojë intelektin në shoqëri. Ai synon që njeriu ta shfrytëzojë intelektin si një fuqi kontrolluese dhe udhëzuese. Ja përse Kur’ani dhe hadithet flasin aq shumë për intelektin dhe i japin atij një pozitë të veçantë. Në çështjet e përditshmërisë, intelekti nënkupton sjelljen e logjikshme e të saktë dhe pikërisht në këtë kuptim është theksuar në mësimin islam. Në kuptimin teologjik, intelekti nënkupton fillimisht një ndjesi të fuqishme arsyetimi, e cila është konsideruar e domosdoshme nga feja.


Intelekti është i pranishëm në çdo sferë të fesë. Sikur njeriu, në të gjitha çështjet e jetës së tij, të veprojë duke u mbështetur te intelekti dhe shpallja, nuk ka problem që nuk mund ta tejkalojë dhe pyetje, për të cilën nuk mund të gjejë përgjigje.


Intelekti që është një lajmëtar i të vërtetës dhe një dëshmi e brendshme për njeriun, është pikërisht intelekti që nuk i kundërshton urdhrat e shpalljes. Por kur të “ndotet”, kjo e dëmton marrëdhënien e tij me fenë. Kur intelekti të shfrytëzohet si një dhunti e Zotit dhe si një mjet i njohjes (ar. ma’rife), nuk do të ketë kurrfarë kundërthënieje ndërmjet tij dhe fesë. Përkundrazi, Islami e përkrah dhe e promovon atë si një mjet që çon te njohja. Islami si fe vetëm sa e thekson atë që thotë edhe intelekti. Ne e ruajmë bindjen se ndërmjet intelektit të mirëfilltë dhe fesë nuk ka kurrfarë kundërthënieje. Gjatë diskutimit dhe argumentimit mund të krijohet përshtypja, në disa raste, se ekziston një kundërthënie e tillë, dhe kjo ndodh rëndom për shkak të mosnjohjes së duhur të fesë. Por nëse brendia e këtyre diskutimeve analizohet thellësisht dhe me seriozitet, do të kuptohet se feja dhe intelekti nuk janë fare në kundërthënie mes tyre dhe se, në të vërtetë, feja i vërteton argumentet e intelektit. Intelekti njerëzor ka për të kuptuar se spektri i tij është i kufizuar dhe se nuk mund ta shpjegojë domosdoshmërinë dhe urtinë që fshihet, për shembull, pas akteve të adhurimit. Megjithatë, kur intelekti e arrin pjekurinë dhe gradën e intelektit profetik, ai do të kuptojë shumë qartë se pas çdo urdhri hyjnor dhe pas çdo akti të adhurimit ekziston një urti e fshehur që mund të shpjegohet në mënyrë shumë të arsyeshme.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Gurar el-Hikem, v. 1 fq. 12
[2] Po aty
[3] Po aty, v.1, fq. 13
[4] Bihar el-Envar, v.75, fq.7
[5] Afdhal el-en’am al-akl,
[6] Ghajat el-fadhal el-akl



publikuar më: 15.09.2017

Lexoni gjithashtu..

17.06.2016 Rëndësia e arsyes në Islam: Arsyeja në procesin e udhëzimit të njeriut
20.09.2013 Rëndësia e arsyes në Islam: Mbi kuptimin e fjalës akl
01.03.2013 Rëndësia e arsyes në Islam: Arsyeja dhe mendja

Kthehu