Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Hyrje
Në mesin e pyetjeve që përherë parashtrohen mbi Islamin, qoftë në qarqet shkencore ose joshkencore, është pyetja: cilat janë tiparet dalluese të kësaj feje?
Në hyrje të kësaj teme duhet të theksojmë se përgjigja e kësaj pyetjeje ka të bëjë me tiparet dhe karakteristikat e urdhrave hyjnorë përgjatë historisë njerëzore, të cilat vetëm sa manifestohen në fenë islame. Kjo nuk nënkupton, gjithsesi, se fetë e tjera monoteiste nuk i posedojnë këto tipare. Të gjitha shpalljet hyjnore dhe të gjithë urdhrat hyjnorë kanë luajtur një rol në zhvillimin e njeriut. Kur njeriu ka një qasje në ligjin hyjnor dhe në fjalën e Zotit dhe kur feja hyjnore ruhet ashtu siç është, e pandryshuar, s’ka dyshim se udhëzimi dhe zhvillimi do të arrihen. Duke u mbështetur në këtë, besojmë fuqimisht se të gjithë të dërguarit e Zotit u ngarkuan me detyrën e shpalljes së kësaj të vërtetet njerëzimit.
Kur të merremi me tiparet e Islamit, do të shohim se aspekti shkencor, logjik dhe shpirtëror janë aq të theksuara dhe të qarta, sa që nuk vihen në dyshim nga askush. Si muslimanë, ne duhet përherë t’i theksojmë pikërisht këto aspekte jetike të fesë sonë. Është e qartë dhe e vetëkuptueshme se tiparet themelore të Islamit nuk mund të vlerësohen duke u mbështetur në gabimet e disa muslimanëve, sepse gjithandej mund të ketë njerëz që identifikohen si muslimanë por që nuk shfaqin një sjellje prej muslimani. Fenomene të tilla mund të hasen tek ndjekësit e çdo feje dhe nuk duhet të jenë një shkas që gabimet e ndjekësve të një feje t’i veshen vetë mësimit të saj. Përkundrazi, duhet përherë të bëhet dallim ndërmjet sjelljes së ndjekësve të një feje dhe mësimeve që ajo i përcjell. Siç kemi parë, është pikërisht kjo metodë që është përdorur gjerësisht nga kundërshtuesit e Islamit, me qëllim që të dëmtohet vetë feja.
Fillimisht duhet të përkujtojmë se fetë monoteiste u krijuan nga Zoti i Madhëruar, për ta udhëzuar njeriun drejt lumturisë. Secilit nga profetët monoteistë iu dha detyra e udhëheqjes së njerëzve në rrugën e udhëzimit. Andaj, të gjithë profetët duhet të respektohen dhe të besohen, siç kemi shprehur tashmë në ligjëratat tona. Si pasojë e kësaj, Islami nuk lejon që të ofendohet cilido nga profetët, pavarësisht se cilën fe e ka sjellur. Megjithëkëtë, shohim se shumë njerëz e konsiderojnë të lejuar ofendimin e Islamit dhe të Profetit të Islamit. Pikërisht për këtë shkak, është e nevojshme që të njihemi me tiparet e Islamit, në mënyrë që edhe muslimanëve edhe jomuslimanëve, t’u qartësohet se Islami është feja e njohjes, e diturisë, e arsyes, e përshpirtshmërisë, e sigurisë dhe e drejtësisë. Mësimi i Kur’anit mjafton për të dëshmuar se asnjëra nga akuzat që ia bëjnë Islamit kundërshtarët e tij, nuk mbështeten në një themel të arsyeshëm. Arsyeja e këtyre akuzave të pabaza është një temë që duhet të trajtohet ndarazi. Ne jemi të detyruar që t’u drejtohemi vargjeve të Kur’anit të shenjtë dhe fjalëve të të dëlirëve (arab. masumin), veçanërisht fjalëve të të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), që të mund t’i njohim aspektet shkencore dhe shpirtërore të Islamit.
Këtu dua sërish të përkujtoj se gjithnjë e mirëpresim dialogun me ndjekësit e feve të tjera, para se të gjithash të feve monoteiste, për vetë faktin se kjo gjë theksohet në mësimin islam. Në këtë drejtim, ne vetëm sa e ndjekim metodën e personaliteteve të mëdha të rrugës sonë. Prijësit tanë fetarë u përpoqën gjithnjë që, nëpërmjet metodave shkencore, logjike dhe etike, të siguronin biseda, të cilat do ta mundësonin dialogun. S’ka dyshim se një këndvështrim i tillë bën që njerëzit ta respektojnë fenë e njëri-tjetrit dhe të mos bëjnë akuza të ndërsjella për shkak të besimeve të ndryshme. Shpresojmë se do të vijë dita kur do ta dëshmojmë një pjekuri mendore, etike dhe fetare, e cila do të mundësojë që zemrat e njerëzve fetarë të mos duhet të lëndohen nga ofendimet dhe fyerjet e të tjerëve. Në diskutimin tonë do të merremi me tiparet e Islamit dhe shpresojmë se Zoti do të na falë sukses për t’i kuptuar saktë dhe plotësisht këto tipare.
Tiparet themelore të Islamit, me të cilat, në dashtë Zoti, do të merremi në vijim, janë arsyeja, liria, përshpirtshmëria, drejtësia dhe siguria.
Arsyeja dhe mendja
Në ligjëratën tonë të kaluar përmendëm se në mesin e tipareve kryesore që e dallojnë Islamin, është arsyeja. Një studim i shkurtër i mësimit islam, qoftë në rrafshin e etikës ose në rrafshin e ligjit fetar, do të mjaftonte për ta kuptuar pozitën e arsyes në Islam. Feja islame përpiqet t’i tregojë njeriut se ai duhet të mendojë vetë dhe të kuptojë, duke e përdorur arsyen. Njeriu duhet t’i japë hapësirë arsyes së tij, sepse vetëm arsyeja, e përkrahur nga shpallja hyjnore, e çon njeriun drejt udhëzimit dhe i mundëson ta kuptojë saktësisht jetën. Fillimisht do të diskutojmë për këndvështrimin islam mbi arsyen, ndërsa më pas do të merremi me arsyeshmërinë e vetë Islamit.
Arsyeja ose mendja është krijesa më e mirë e Zotit. Përcillet se Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur Zoti e krijoi mendjen, e thirri dhe ajo u përgjigj. Kur mendja erdhi, Zoti i urdhëroi të largohej. Pastaj tha: “Betohem mbi madhështinë dhe mbi lavdinë Time se s`kam krijuar asgjë më të dashur për Mua nga ç`je ti. S`kam për të të përsosur tek askush përveç tek ata të cilët i dua. Kam për të të urdhëruar vetëm ty që të veprosh dhe vetëm ty kam për të t`i ndaluar disa gjëra. Për ty do të jetë shpërblimi dhe për ty edhe dënimi…
Ajo që nënkuptohet në këtë thënie me fjalën “mendje”, sipas disave, është aftësia e njeriut për të bërë dallim ndërmjet të mirës dhe të ligës, me çfarë ai lëviz drejt të mirave dhe largohet nga e liga. Përshkrimi i mendjes si një gjë, që kur thirret nga Zoti, vjen, e që kur urdhërohet të largohet, largohet, lë të kuptohet se mendja u bindet plotësisht urdhrave hyjnorë.
Nga hadithet që përcillen në lidhje me mendjen, mund të kuptohen shumë hollësi të ndryshme. Mes tjerash, mund të kuptohet se modestia dhe feja janë gjithnjë aty ku është edhe mendja.1 Mund të kuptohet se ai që ka mendje, e ka të mbrojtur fenë dhe do të hyjë në parajsë2 dhe se llogaria që do të japë njeriu në ditën e gjykimit, do të jetë në varësi prej forcës së mendjes së tij.3 Për shembull, nga Profeti i Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) përcillet thënia në vijim: Zoti s`ka shpërndarë në mesin e njerëzve asgjë më të shkëlqyeshme se mendja. Gjumi i një njeriu të mençur është më i mirë se adhurimi i një injoranti për një natë të tërë. Qëndrimi në shtëpi i një të mençuri është më me vlerë sesa udhëtimi i një injoranti në kërkim të suksesit dhe veprave të mira. Zoti nuk dërgoi asnjë profet ose të dërguar përpara se t`i piqej mendja. Mendja e një të dërguari është më e fuqishme se mendja e ummetit.4
Në disa hadithe përcillet se urtësia që Zoti ua fali profetëve është mendja dhe arsyeja.5 Në disa hadithe të tjera thuhet se Zoti e ndau mendjen në 75 pjesë. Kur njeriu t’i plotësojë në vete gjithë këto pjesë, ai do të jetë një njeri i përsosur. Humaniteti i njeriut, përsosmëria dhe vlera e tij varen të gjitha nga pyetja se sa është ai i aftë ta shfrytëzojë arsyen dhe mendjen. Mendja i është dhënë njeriut, që të shërbejë si një udhërrëfyes i brendshëm, të cilin njeriu mund ta shfrytëzojë gjatë gjithë jetës së tij, siç theksohet edhe në hadithe: Mendja është dëshmia e besimtarit.6 Në disa hadithe përcillet se nuk ka një pasuri më të çmueshme se mendja.
Parë nga këndvështrimi fetar, mendja ka vlerë të madhe. Shumë tema fetare, si krijimi, ringjallja dhe vetë ekzistenca e rrafshit sipëror ëngjëllor, janë të kuptueshme vetëm nëpërmjet mendjes. E njejta vlen edhe në temat etike, ku mendja luan një rol shumë të rëndësishëm. Përveç kësaj, në lëminë e jurispudencës, krahas Kur’anit dhe Sunnetit, përdoret edhe mendja si një argument. E gjithë kjo flet për pozitën e lartësuar që i jepet mendjes, gjë që do ta shpjegojmë më hollësisht në ligjëratat në vijim.
1: El-Kafi, vëllimi 1, Libri i mendjes dhe injorancës (për përkthimin shqip, shih http://dielli.net/lexo.php?id=69), hadithi nr.2
2: Po aty, hadithi nr.6
3: Po aty, hadithi nr.7
4: Po aty, hadithi nr.11
5: Po aty, hadithi nr.12
6: Po aty, hadithi nr.24
VAZHDON