Pyetje dhe Përgjigje

Me kënd u kurorëzuan djemtë e Ademit?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

  I nderuar,

    Në lidhje me këtë temë ka shumë mendime të ndryshme. Në Krishterim, në Judaizëm dhe në Islamin sunnit, mendimi dominues është se djemtë e Ademit u martuan me motrat e tyre dhe se kështu u zhvillua dhe u rrit raca njerëzore. Këtë qëndrim e kanë shprehur edhe disa dijetarë të botës shiite, duke thënë se ndalesa për martesën e motrës me vëllain është një çështje ligjore, të cilën Zoti mund ta lejojë për një kohë të caktuar për shkak të rrethanave dhe pastaj ta ndalojë përgjithmonë. I këtij mendimi është pak shumë edhe i ndjeri Allame Tabatabai në tefsirin e tij madhështor "El-Mizan".
    
    Megjithatë, ky mendim bie ndesh me qëndrimin tradicional shiit. Siç shprehet në fusnotat e tefsirit "El-Mizan" nga përkthyesi i veprës dhe dijetari i famshëm Said Akhtar Rizvi, në disa thënie të Imamëve të Ehl-i Bejtit, të cilat pranohen si të sakta, thuhet se djemtë e Ademit u martuan me huri nga parajsa dhe se raca njerëzore vazhdoi në këtë mënyrë. Argumenti kryesor i këtij mendimi është se Zoti nuk bën që raca njerëzore të rritet e të shumëzohet në mënyra që konsiderohen të palejuara dhe të papastra. Edhepse ka patur disa hadithe që e përkrahin mendimin e parë që shprehëm, këto hadithe nuk janë shumë të besueshme. Si rezultat, pra, qëndrimi tradicional i mësimeve shiite përballë kësaj pyetjeje është se djemtë e Ademit u martuan me huri nga parajsa dhe jo me motrat e tyre. 
    
    Për fund, na lejoni të shtojmë se kjo temë është e një rëndësie dytësore dhe nuk përbën një princip të besimit. Prandaj është tejet normale që të ketë mendime të kundërta me njëra-tjetrën. Është një çështje që nuk mund të argumentohet plotësisht sepse ka hadithe që përcillen për të dy këndvështrimet. Andaj e përfundojmë duke thënë se njohuria e saktë dhe e plotë mbi këtë gjë i takon vetëm Zotit.

    Me respekt!

_________________
Libraria Digjitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu