Pyetje dhe Përgjigje

A është Imam Aliu anëtar i familjes së Profetit?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

   I nderuar,

    Siç pranohet unanimisht nga dijetarët sunnitë dhe shiitë, Imam Aliu ishte anëtar i asaj që quhet "Ehlul Bejt" (njerëzit e shtëpisë ose familja) e Profetit. Ndonse në mesin e dijetarëve ka dallime në lidhje me pyetjen a përfshiheshin gratë e Profetit në këtë definicion, ajo që pranohet nga të gjithë është se Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Husejni ishin pjesë e familjes së tij.
    Një dëshmi e kësaj është rasti i shpalljes së vargut 33:33 të Kur′anit, i cili thotë: O Ehl-i Bejt! Zoti dëshiron të largojë çdo njollë nga ju dhe t’ju pastrojë plotësisht...(Kur′an 33:33)
    Tek Sahihu i Muslimit, në librin 31, hadithi nr.5955 përcjell se pas shpalljes së këtij vargu, i Dërguari i Zotit i mbuloi Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Husejnin me xhyben e tij dhe më pas, ua recitoi atyre këtë varg (Këtë hadith mund ta lexoni anglisht në linkun vijues: http://www.usc.edu/schools/college/crcc/engagement/resources/texts/muslim/hadith/muslim/031.smt.html)

    Një tjetër dëshmi e kësaj është rasti i pranuar nga të gjithë i "mallkimit" (arabisht: mubahala) ndërmjet Profetit dhe të krishterëve të Nexhranit, pas një diskutimi në lidhje me Profetin Isa. Pas diskutimeve të gjata dhe pas shumë dëshmive të sjellura nga Profeti, kur të krishterët akoma këmbëngulnin në besimn e tyre të gabuar, Zoti e shpalli vargun vijues si një sfidë për ta: 
  Dhe nëse pasi të të ketë ardhur dituria për këtë, dikush vazhdon të diskutojë me ty, thuaj: "Ejani t′i marrim bijtë tanë e bijtë tuaj, gratë tona e gratë tuaja, veten tonë dhe veten tuaj, e të lutemi së bashku që mallkimi i Zotit të jetë mbi gënjeshtarët!" (Kur′an 3:61)
   
   Pas shpalljes së këtij vargu, Profeti u shfaq në vendtakimin ku duhej të mbahej mallkimi dhe me vete e kishte marrë të bijën Fatimenë, nipërit e vet Hasanin e Husejnin dhe Aliun. Është intersante se ndonse në atë kohë Profeti ishte i martuar me disa gra, në këtë rast e mori vetëm Fatimenë si "grua" nga familja e tij. Si "bijtë tanë" i mori Hasanin e Husejnin dhe për fund, është interesante se si përgjigje ndaj urdhrit "veten tonë", e mori Imam Aliun. Ky rast është vetëm një dëshmi e fjalëve të tjera të Profetit në lidhje me Imam Aliun, si për shembull hadithi i famshëm: "Ti je për mua si Haruni për Musanë" ose "Aliu është prej meje dhe unë jam prej Aliut" ose "Ti o Ali, je vëllai im në këtë botë e në tjetrën." Ka shumë shembuj të tillë.

   Përfundimisht,pra, Imam Aliu ishte pjesëtar i familjes së Profetit dhe për më tepër, prijësi i familjes së tij pasi Profeti vdiq. Ai ishte trashëgimtari i Profetit, ai ishte personi që e kreu testamentin e tij, ai e lau trupin e vdekur të Profetit, ai ishte trashëgimtar i diturisë së Profetit dhe sipas besimit të muslimanëve shiitë, ishte personi i zgjedhur nga Zoti për të qenë pasardhësi i tij si udhëheqës i muslimanëve dhe prijësi i tyre shpirtëror në rrugën drejt Zotit. Pikërisht kjo mosmarrëveshje në lidhje me statusin e Aliut ka qenë arsyeja e ndarjes së shoqërisë muslimane në sunni dhe shia. Megjithatë, të gjitha palët e pranojnë se Imam Aliu ishte pjesëtar i Ehlul Bejtit, i cili në vargun 33:33 të Kur′anit, shpallet i pastër nga vetë Zoti.

Me respekt!

_________________
Libraria Digjitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu