Pyetje dhe Përgjigje

Cili është qëndrimi i Islamit në lidhje me adoptimin e fëmijës nga prindër pa fëmijë biologjikë?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

   I nderuar,

   Për pyetjen tuaj hulumtuam në faqen e dijetarit të mirënjohur të ligjit islam, Sejjid Ali Sistani. Në vijim po ju përcjell dy pyetje nga arkivat e webfaqes së tij dhe përgijgjet përkatëse në lidhje me adoptimin. Në fund të përgjigjeve, do të keni një shënim shpjegues në lidhje me marrëdhënien "mahrem" dhe "jo-mahrem", sipas Islamit. Pyetjet janë si vijon:

1. Pyetje: 
Ç’është pozita islame në lidhje me adoptimin e fëmijës? Nëse fëmija jeton me familjen që nga ditët e hershme të fëmijërisë së tij dhe në mesin e tyre zhvillohet një lidhje emocionale, a vazhdojnë të jenë të vlefshme rregullat në lidhje me personat që janë mahrem dhe jo-mahrem? 
Përgjigje: 
Nuk është i lejuar adoptimi i një fëmije duke e konsideruar si fëmijën tuaj dhe nxjerrja e një karte identiteti ku fëmija figuron si fëmija juaj. Megjithatë, nuk ka kurrfarë kundërshtimi që njeriu të kujdeset për një fëmijë, ta rrisë atë dhe të kujdeset për punët e tija. Kjo është madje një gjë e mirë, përderisa ruhet prejardhja e gjakut të fëmijës. Megjithatë, zhvillimi i një marrëdhënieje të afërt emocionale me të, nuk e bën fëmijën “mahrem”. (shih shënimin në fund!) 


2. Pyetje: 
A lejohet të adoptojmë fëmijë dhe t’i konsiderojmë si fëmijët tanë?
Përgjigje: Lejohet të adoptohet një fëmijë por fëmija nuk konsiderohet i biri ose e bija e personit që e adopton. Fëmija vazhdon të jetë i huaj (jo-mahrem) për burrin (nëse është vajzë) ose për gruan (nëse është djalë). Gjithashtu, fëmija nuk mund të trashëgojë nga personi që e ka adoptuar.

SHËNIM: “Mahrem” konsideron të gjithë personat e afërt të një njeriu, me të cilët nuk ka nevojë të ndiqen rregullat e mbulesës islame (hixhab) dhe me të cilët NUK guxon të martohet njeriu. “Jo-mahrem”, në anën tjetër, janë njerëzit me të cilët njeriu duhet t’i ndjekë rregullat e mbulesës islame dhe me të cilët ka të drejtë të martohet. 
Për burrin, të ndaluara për martesë (mahrem) janë: nëna, vajza, halla, tezja, mbesa (vajza e vëllait ose motrës), nëna e qumështit, motra e qumështit, vjehrra, e bija e gruas nga një martesë e mëparshme, gruaja e djalit, të gjitha gratë e martuara dhe motra e gruas (për sa kohë që është i martuar me motrën e saj).
Për gruan, të ndaluar për martesë (mahrem) janë: babai, djali, daja, xhaxhai, nipi (djali i vëllait ose i motrës), burri i nënës së qumështit, vëllai i qumështit, vjehrri, dhëndri (burri i vajzës).

 Me respekt!

_________________
Libraria Digitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu