Pyetje dhe Përgjigje

Me emrin e Zotit!

I nderuar Profesor!

Një pyetje që shumica e parashtrojnë por që pjesa më e madhe nuk dinë ta shpjegojnë si duhet, është ajo e hixhabit. Mua më interesojnë pikat në vijim:

 
Ç’është filozofia e hixhabit?
A nuk është e mjaftueshme që një femër të mbulohet vetëm gjatë namazit?
Përse është e lejuar që femra të zbulohet para personave të caktuar, të ashtuquajtur “mahrem” (personat me të cilët është e ndaluar martesa) në terminologjinë islame. Ç’është arsyeja e këtij zbulimi?

Me emrin e Zotit,


Bamirës dhe Mëshirues!


Filozofia e hixhabit Përpara se të merremi me vetë përgjigjen, i nderuar vëlla, do t’jua tërhiqja vëmendjen drejt një principi themelor islam, gjegjësisht drejt principit sipas të cilit çdo gjë e dobishme është e një detyrim dhe çdo gjë e dëmshme është një ndalesë.


Kjo do të thotë se nuk ka një urdhër islam, qoftë i detyrueshëm (vaxhib) ose i pëlqyeshëm (mustehab), i cili të mos ketë për qëllim t’i sjellë dobi një individi ose gjithë shoqërisë. Sipas nivelizimit të nevojshmërisë së tyre, urdhrat moralë të islamit ndahen në vaxhib (të detyrueshme) dhe sunnet (të pëlqyeshme). Po në këtë mënyrë, nuk ekziston urdhri për ndonjë gjë të ndaluar (haram) ose të papëlqyeshme (mekruh) në Islam, që të mos ketë për qëllim largimin e të ligës nga individ ose nga shoqëria.


Si përfundim, pra, mund të themi se çdo ligj islam fsheh në vete dobi që mund të arrihen duke e ndjekur atë. Megjithatë, duke patur parasysh se arsyeja dhe perceptimi njerëzor janë tejet të kufizuara, se dituria zhvillohet gjithë më tepër drejt përsosmërisë dhe se urdhrat e Islamit kanë zakonisht të bëjnë me ardhmërinë e njeriut, është më se e mundur që një pjesë të mirë të këtyre dobive dhe dëmeve të mos arrijmë t’i kuptojmë plotësisht. Njësoj siç ndodh me shumë urdhra fetarë që nuk kanë qenë të qartë në të kaluarën por që janë qartësuar sot nëpërmjet përparimit shkencor.


Zanafilla e hixhabit


Në lidhje me veshmbathjen e femrës, të gjitha shkollat dhe drejtimet fetare kanë paraqitur dëshmi, të cilat i kanë shpjeguar më pas, interpretuar, kritikuar, pranuar ose mohuar dhe të cilat ne tani do t’i paraqesim në një version të shkurtuar. Pyetja e hixhabit ka rrënjë: filozofike shoqërore ekonomike (sipas disave) morale psikologjike Disa kanë thënë se tek hixhabi bëhet fjalë për tendencën e njeriut drejt asketizmit dhe drejt izolimit nga shoqëria. Sipas kësaj, rrënjët e veshmbathjes duhet të kërkohen në këtë tendencë njerëzore. Disa të tjerë kanë thënë se tek hixhabi kemi të bëjmë me rrezikun që u kanoset femrave nga ana e meshkujve, gjë që i ka detyruar meshkujt që, për t’i mbrojtur gratë dhe motrat e tyre, ta zhvillojnë këtë mbulesë, e cila do ta mbronte nderin femëror nga çdo lloj rreziku.


Një mendim i tretë thotë se shkaku i hixhabit është dëshira e mashkullit për ta shfrytëzur femrën, gjë që, po të shohim më thellë, ka rrënjë ekonomike. Ca drejtime të tjera thonë se asnjëra nga arsyet e mësipërme nuk është e vlefshme, përveç egoizmit dhe xhelozisë mashkullore, e cila sipas tyre, është shkaku i përhapjes së hixhabit në shoqëri. Sipas këtij mendimi, zanafilla e hixhabit janë kapriçet dhe xhelozia e mashkullit.


E vërteta është se urdhrat islamë janë përtej ideve të tilla të pabaza, të cilat janë zhvilluar diku dhe pastaj janë kategorizuar si filozofike, psikologjike, morale ose shoqërore. Urdhrat islamë e kanë origjinën tek ajo që quhet “fitrah”, pra tek natyra dhe krijimi zanafillor i njeriut. Thëniet e mësipërme që i përmendëm, janë si fjalët e një njeriu që nuk di asgjë në lidhje me ligjet e natyrës dhe me ligjet e rritjes së një peme e të frutave të saj por megjithatë dëshiron të filozofojë në lidhje me këtë temë dhe thotë: “Gjethet janë të dobishme për t’i mbrojtur frutat nga vjedhësit ose për t’u bërë hije njerëzve në ditë të nxehta. Ose e shumta, ato janë krijuar që të krijojnë bukuri për kalimtarët.” Një njeri i tillë nuk vëren aspak se filozofia themelore e rritjes së pemës dhe ligjet e këtij procesi, janë diçka krejt tjetër. Veshmbathja dhe mbulesa, nga pikëvështrimi islam, është përgjigja praktike e pyetjes në vijim: A kanë të drejtë meshkujt, që tek secila femër dhe në çdo kohë, të shijojnë kënaqësi maksimale, në përjashtim të marrëdhënies seksuale?


Përgjigja e Islamit drejt kësaj pyetje është negative. Nëpërmjet urdhërimit të hixhabit, Islami i largon meshkujt nga shfrytëzimi dhe agresiviteti i tepërt, gjë që i përforcon themelet e familjes. Po! Sipas Islamit, meshkujt kanë të drejtë, në kornizat e ligjeve dhe përgjegjësive të caktuara, të përjetojnë kënaqësi me femra, po aq sa edhe femrat me meshkuj. Në të vërtetë, kur bëhet fjalë për këtë “shfrytëzim” të seksualitetit të gruas, Islami është në anën e femrës, duke i mundësuar që ta shfrytëzojë këtë pasuri të brendshme dhe të kënaqet në lumturinë e saj brenda kornizave të ligjit dhe duke ia dhënë, në mënyrë logjike, në përdorim këtë pasuri mashkullit. Sipas Islamit, veshmbathja e gruas duhet të përfshijë disa pika: 1. Modesti psikike dhe shoqërore Në natyrën e çdo njeriu, Zoti i Madhëruar ka vendosur dëshira dhe kërkesa, të cilat po të vendosen në rrugën e duhur, mund ta çojnë njeriun dret lumturisë dhe përsosmërisë. Tepërimi ose shtypja e këtyre nevojave do të shkaktonte që nevojat e tjera të njeriut të devijonin nga rrugëtimi i tij dhe si pasojë e ekstravagancës në këto dëshira, njeriu të devjijonte krejtësisht nga rruga e drejtë e njerëzore, duke u larguar njëkohësisht edhe prej lumturisë dhe përsosmërisë së tij.


Në mesin e këtyre kërkesave të njeriut është dëshira që ndjen ndaj gjinisë së kundërt. Nëse tepërohet në këtë pikë dhe nuk mbetet asnjë kufi ndërmjet mashkullit dhe femrës, atëherë këto dëshira do të jenë si një flakë që gjithë kohës prodhon lëndë djegëse për zjarrin e saj. Një gjë e tillë do të çonte në shkatërrimin e plotë të moralit, në një seksualitet të pakufizuar, në shkatërrim të marrëdhënieve familjare dhe në fund, deri në vdekjen e marrëdhënieve të mirëfillta njerëzore. Argument për këtë është fakti se dëshira për gjininën e kundërt nuk është thjesht një kërkesë materiale e njeriut por edhe një përjetim shpirtëror. Dhe përjetimet shpirtërore gjithnjë kërkojnë edhe shumëngjyrshmëri, duke mos u ndalur kurrë në një pikë të caktuar. Në biografitë e disa sunduesve të Iranit përcillet se kishin hareme me më tepër se 3000 gra.


Secilën herë, kur të kishte dëshirë për marrëdhënie, mbreti i shkruante një letër komandantit dhe i kërkonte që t’i sillte një grua siç e kishte përshkruar në letrën e tij. Edhe gjëra të tilla kanë ndodhur. Islami, duke sjellë ligje të veçanta si mbulesa femërore, i ka vendosur këto dëshira njerëzore në një rrugë të drejtë.


Po kështu, ai nuk u ka lejuar edhe meshkujve që sa të duan dhe si të duan t’i vështrojnë gratë e tjera, duke e penguar në këtë mënyrë zjarrin e këtij epshi njerëzor. Në anën tjetër, nëpërmjet ligjeve të veçanta, Islami u ka dhënë kurajo meshkujve dhe femrave që në rrethin familjar, t’ia shprehin dashurinë njëri-tjetrit, që të mund ky zjarr të ruhet i ndezur në rrugën e drejtë.


2. Ruajtja e familjes Është e qartë se çështjes së familjes, si gurthemel të shoqërisë, Islami i ka kushtuar një kujdes të veçantë. Nëse gurthemeli i kësaj godine shoqërore nuk mbetet stabil dhe i përcaktuar në bazë të ligjeve hyjnore, më në fund do të rrënohet domosdo duke mos e duruar dot peshën e vete.


Pas kësaj, dashuria e cila do të duhet të përjetohej në këtë “shtëpi” të sigurt të Zotit, do të shkelej si një gjë e pavlerë. Sot jemi dëshmitarë të një realiteti ku jemi të rrethuar nga fëmijë të lindur nga marrëdhënie jolegjitime, të cilët s’janë tjetër veçse fryti i një lidhjeje amorale.


A thua këta fëmijë, të cilat nuk e kanë ndjerë as dashurinë e nënës dhe as të babait, mund t’ia përcjellin shoqërisë porosinë e paqes dhe dashurisë? A nuk shohim se si tejembanë globit, mijëra njerëz derdhin gjak pa u turpëruar nga vetvetja, nga shoqëria dhe madje as nga Zoti? Në anën tjetër, kur marrëdhëniet mes burrit dhe gruas të jenë jolegjitime, ç’garanci do të kemi se cilës familje i takon fëmija? Vetëm Zoti e di nga ka ardhur fëmija tek një familje e caktuar.


Duke u mbështetur në atë që thamë më sipër, njëra nga dobitë e shumta të hixhabit është pikërisht përforcimi i familjes dhe si rezultat i kësaj, edhe përforcimi i shoqërisë, me çfarë edhe mund të arrihet dashuria e pastër dhe paqja në botë.


3. Përforcimi i shoqërisë njerëzore Është e qartë për të gjithë ne se shoqëria njerëzore është e mirë dhe e shëndoshë vetëm kur të gjithë pjesëtarët e saj janë të përfshirë në aktivitetet e ndryshme shoqërore, qofshin shkencore, ekonomike, artistike, etike, politike, ushtarake, hulumtuese ose fetare.


Ka me mijëra shembuj ku çdo aktivitet është një vepër artistike e një individi ose e një grupi të caktuar njerëzish. S’ka dyshim se mosmbajtja e hixhabit dhe përhapja e marrëdhënieve të lira ndërmjet gjinive do ta paralizonte shoqërinë, duke e bërë të devijojë nga rruga e saj.


Për t’u bindur për këto fjalë, mjafton të shihen personat e famshëm dhe të pasur, të cilët thuase kurrë nuk i ndihmojnë dijetarët dhe hulumtuesit që mund ta ndryshojnë botën me hulumtimet e tyre por që nuk kanë fuqi ta finansojnë shtypjen e librit të tyre.


Shumica e dijetarëve nuk e përjetojnë shtypjen e librit të tyre, i cili ose shtypet pas vdekjes së autorit ose fundoset në harresë. Në anën tjetër, kur t’u hidhet një vështrim statistikave dhe të shihen shpenzimet që bëhen për produktet kozmetike për shembull, njeriu e ka të vështirë të mos çmendet.


4. Respektimi i personalitetit të gruas Njëri nga hapat madhështorë që ka ndërmarrë Islami është vendosja e femrës dhe e personalitetit të saj në rrugën e drejtë dhe të vërtetë.


Në të vërtetë, Islami s’ka bërë tjetër veçse ia ka rikthyer asaj respektin që është gdhendur në filozofinë e krijimit të saj zanafillor. Këtë yll shkëlqimtar, Islami e ka vendosur në galaksinë ku krijimi i saj e ka caktuar të jetë. Është e qartë se mashkulli ka një fuqi më të madhe trupore dhe mendore se gruaja.


Kjo është arsyeja përse femrat nuk mund të maten me meshkujt në këto drejtime. Megjithtë, krijimi hyjnor u ka falur femrave një fuqi madhështore, me të cilën e kanë ruajtur superioritetin e tyre ndaj mashkullit. Bëhet fjalë pikërisht për dhembshurinë dhe për zemrën. Femrat janë të afta t’ia vjedhin zemrën një mashkulli. Dhe Islami, duke e bërë të detyrueshëm hixhabin në shoqëri, e ka ruajtur këtë fuqi të gruas dhe e ka mbrojtur nga ndikimi i mashkullit, në mënyrë që gruaja ta përdorë këtë në situata të nevojshme dhe në mënyrë të duhur.


Rrëfimet kuranore Kur Kur’ani flet në lidhje me takimin e profetit Musa me një “rob” të mirë dhe tejet të ditur të Zotit, ai përdor një fjali shumë interesante. Krahas disa veprimeve të çuditshme, qëllimin e të cilave nuk e kupton Musa, ky rob i ditur i Zotit e bën një vrimë në barkën e disa peshkatarëve. Më në fund, duke ia shpjeguar Musës arsyen e kësaj, thotë: “Po të mos e shpoja këtë barkë dhe po të mos e dëmtoja, ai tiran i lig atje do ta uzurponte atë dhe do ta merrte për vete.”


Në këtë rast, një dëmtim si vrima në barkë as që mund të konsiderohet një humbje për peshkatarin, kur të krahasot me humbjen e barkës përgjithmonë.


Përkundrazi, vrima e hapur në barkë nuk ishte tjetër veçse në dobi të tij. Nëse këtë krahasim e përdorim edhe në rastin e hixhabit dhe nëse e kuptojmë si duhet, do të shohim se në të vërtetë, hixhabi e ka funksionin e ruajtjes së nderit, personalitetit dhe potencialeve të një femre.


Pa hixhabin, femrës mund të mos i mbetet kurrfarë fuqie për t’u mbrojtur përballë padrejtësive dhe shtypjeve të mashkullit. William James Durant ka thënë: “Fundi i shkurtër i një femre është një begati për gjithë njerëzimin, përveç për rrobaqepësin.” Për mendimin tim, do të ishte më e saktë të thuhej “për rrobaqepësin dhe për gruan” sepse një fund i shkurtër është ai që e ul tek femra fuqinë për t’i rezistuar një mashkulli. Me një veshje të tillë, çdo mashkull mund të arrijë tek ajo femër dhe ta kënaqë veten me të. Në raste të tilla, ç’është nevoja për një bashkëshort që do të kujdesej për të, që nuk do ta linte vetëm natën e që do ta ruante kur të jetë e sëmurë?!


Njohuria e Zotit në lidhje me gjërat e dobishme për robërit e Tij Pika e fundit në lidhje me filozofinë e hixhabit nga pikëvështrimi kuranor është dituria e Zotit dhe njohja nga ana e Tij, e gjërave të dobishme dhe të dëmshme për robërit.


Njësoj siç theksuam edhe në fillim, çdo urdhër islam ka një dobi të veten. Disa prej këtyre dobive janë të arritshme për arsyen, disa janë shpjeguar në vargjet kuranore dhe në hadithe e disa të tjera, janë qartësuar nëpërmjet zbulimeve të reja. Megjithatë, disa urdhra mbeten përtej kornizave të arsyes njerëzore dhe njihen vetëm nga Zoti dhe nga i Dërguari i Tij.


Sprova e robërve të dëgjueshëm dhe ndarja e tyre nga kriminelët e padëgjueshëm është e mundur vetëm në ekzistencën e ligjeve të tilla. Po të mos jenë këto ligje, gjithkush në Ditën e Gjykimit mund të thoshte: “Po të na urdhërohej ndonjë gjë, ne do të kishim qenë të dëgjueshëm dhe po të na ndalohej, do të largoheshim prej saj.”


Ç’mund të thoshte Zoti përballë kësaj? Njerëzit duhet të kuptojnë se, ose kanë qenë të padëgjueshëm dhe e kanë humbur të drejtën për përsosmërinë, ose kanë qenë të dëgjueshëm dhe e kanë fituar atë. ...që ai që do zhduket, të zhduket me dëshmi të qartë dhe ai që do të mbesë, me dëshmi të qartë të rrojë..(Kur’an 8:42)


Kur të besojmë në një Zot, i cili është i gjithëdijshëm në lidhje me krijesat e Tija, pavarësisht në bëhet fjalë për formën e jashtme a për brendinë; i urtë, në kuptimin që nuk bën diçka pas të cilës nuk fshihet një urtësi e dobi dhe i mëshirshëm, në kuptimin që nuk i ngarkon krijesat e Tija me vështirësi, atëherë këto gjëra do të mjaftonin që ne ta pranojmë me besim dhe bindje të plotë atë që thotë Ai, duke e ditur se kjo është në dobi tonën. Hixhabi në namaz Hixhabi gjatë namazit ka një filozofi krejtësisht tjetër dhe nuk është e ndërlidhur me hixhabin në shoqëri.


Nëse një grua, duke qenë vetëm në një dhomë të errët, e fal namazin pa hixhab, ky namaz nuk pranohet si i saktë. Përkundër kësaj, kur bëjmë fjalë për hixhabin si një mbulesë në shoqëri, vlen krejt e kundërta, gjegjësisht një grua ka të drejtë, që në rastet kur gjendet në shtëpi me njerëzit e saj të afërt dhe “mahrem” (personat e afërt me të cilët ndalohet martesa), ta heqë hixhabin e saj. Hixhabi në rrethana të tilla jo vetëm që nuk është i detyrueshëm por nuk është as ndonjë vepër e pëlqyeshme. Andaj duhet patur kujdes që të mos e përziejmë hixhabin gjatë namazit me hixhabin në shoqëri.


Përse lejohet që femra të dalë pa hixhab përpara njerëzve që i ka “mahrem”?


Së pari, sikur ta kemi kuptuar filozofinë e hixhabit, përgjigja e kësaj pyetjeje do të jetë tejet e qartë. Në këtë rast, nuk ekzistojnë problemet dhe pengesat që i kemi përmendur më sipër. Së dyti, një mbulesë e tillë do t’u shkaktonte njerëzve vështirësi në përditshmërinë e tyre, si meshkujve ashtu edhe femrave.


Dhe ne e dimë mirë tashmë se feja nuk lë vend për vështirësi. Së treti, kjo do të sillte deri në dobësimin e marrëdhënieve brendafamiljare, marrëdhënie të cilat Zoti i Madhëruar ka urdhëruar që të përforcohen dhe të mbahen të freskëta. Me kaq, besoj se u njohëm gjerësisht me përgjigjen e pyetjes suaj. I lutem Zotit të Madhëruar që t’ju falë suksese në përditshmëri! Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

Kthehu