Pyetje dhe Përgjigje

Çfarë është qëndrimi i medh-hebit të Ehl-i Bejtit në lidhje me abortin dhe rregullat e ndërlidhura me të?

Me emrin e Zotit,


Bamirës dhe Mëshirues!

I nderuar Afrim,




Për përgjigjen tuaj, hulumtuam në faqet e dijetarëve të ligjit islam dhe në vijim po jua përcjellim mendimin e Ajetollah Sejjid Sistaniut dhe mendimin e të ndjerit Sejjid Muhammed Husejn Fadlallah. Sipas tyre:




1. Aborti është i ndaluar në Islam që nga çasti kur fetusi mbillet në murin e mitrës së nënës. Kjo zakonisht ndodh ndërmjet ditës 6 dhe 12 pas bashkimit të vezës dhe të spermës (fekondimit). Pas hyrjes së fetusit në murin e mitrës, abortimi i fëmijës është i NDALUAR (haram).




2. Aborti LEJOHET në rastet kur shtatzania i shkakton probleme të padurueshme dhe jonormale fizike nënës ose e vendos në rrezik jetën e saj. Në rastin kur shkaktohen vetëm vështirësi të mëdha fizike, Sejjid Sistaniu thotë se lejohet abortimi deri në muajin e katërt sepse pas muajit të katërt, sipas Islamit, shpirti fryhet në trupin e fëmijës dhe nuk lejohet aborti. Gjithsesi, nëse shtatzania e rrezikon jetën e nënës, atëherë aborti është i lejuar. 




3. NUK lejohet aborti i një fëmije që vjen si pasojë e një shtatzanie të paplanifikuar ose për shkak se familja tashmë ka shumë fëmijë. Gjithashtu, NUK lejohet aborti duke u mbështetur në faktin se fëmija do të lindë me ndonjë sëmundje ose me ndonjë deformim. Pra, nuk lejohet që të abortohet një fëmijë për të cilin dihet se do të lindë i deformuar ose i sëmurë.




4. Një rast specifik është rasti i përdhunimit. Nëse shtatzania si pasojë e përdhunimit do t'i shkaktojë gruas probleme të padurueshme në përditshmëri dhe çnderim në shoqërinë ku jeton, atëherë lejohet aborti, ME KUSHT që fetusit të mos i jetë fryrë shpirti nga Zoti. Sipas Islamit, periudha pas të cilës fëmijës i jepet shpirti është muaji i katërt i shtatzënisë. Me fillimin e muajit të katërt, ai konsiderohet një krijesë me shpirt. Përveç kësaj, nëse shtatzania si pasojë e një përdhunimi e rrezikon jetën e nënës, për shembull kur familja e saj të kuptojë për këtë gjë dhe të dojë ta vrasë (siç ndodh në disa vende), atëherë lejohet aborti për ta shpëtuar jetën e gruas.



Këtu duhet të shtojmë se NUK lejohet që një fëmijë që vjen si pasojë e një përdhunimi, të abortohet vetëm ngase nëna nuk e dëshiron atë ose nëse nuk ndihet mirë për shkak të përdhunimit.

Shpresoj se në pikat e mësipërme i kemi përfshirë informatat më të rëndësishme në lidhje me pyetjen tuaj.


Pyetjet e tjera tuajat, kritikat dhe sugjerimet do të jenë të mirëpritura.




 


Me respekt! 

BURIMET (në anglisht): 



Sejjid Sistani
1. http://www.sistani.org/index.php?p=616687&id=1121&page=2&perpage=5 (mbi abortin në përgjithësi)
2. http://www.sistani.org/index.php?p=616687&id=1122&perpage=3#15624 (pjesa mbi përdhunimin)




Sejjid Fadlallah
1. http://english.bayynat.org.lb/Issues/Abortion.htm (aborti: pjesa I)
2. http://english.bayynat.org.lb/Issues/Abortion.htm (aborti: pjesa II)

Kthehu