Hutbet e lamtumirës nga i Dërguari i Zotit (s.a.v) by librariadielli
Përmbajtja:
Hyrje
Hutbeja e mbajtur në Arafat
Hutbeja e mbajtur në Mina
Hutbeja e mbajtur në xhaminë “Hif” në Mina
Hutbeja e mbajtur në Gadir-i Khumm
Hyrje
Ky titull mund të jetë befasues për shumë nga lexuesit tanë, sepse pjesa më e madhe e tyre janë mësuar të dëgjojnë për “hutben” dhe jo për “hutbet” e lamtumirës. Por nga ajo që përcillet në librat e historisë, mund të kuptohet se i Dërguari i Zotit nuk mbajti një fjalim të vetëm gjatë “haxhxhit të lamtumirës” por disa fjalime në vende të ndryshme. Në burimet fetare përcillet se i Dërguari mbajti fjalime në Arafat, në Mina, në xhaminë “Hif” në Mina dhe në vendin e quajtur Gadir-i Khumm. Por ngase pjesa më e madhe e këtyre fjalimeve kishin një përmbajtje të ngjashme, disa kanë ardhur në përfundimin se bëhet fjalë për një fjalim të vetëm, vendin e të cilit përcjellës të ndryshëm e kanë shprehur ndryshe.
Është më se e mundur që i Dërguari të ketë mbajtur disa fjalime në vende të ndryshme dhe, krahas përmbajtjes së ngjashme të secilës, në çdo rast të ketë shtuar ndonjë hollësi të rëndësishme. Siç do të shohim, në secilin nga këto fjalime ka disa shtojca. Përveç kësaj, në fund të fjalimeve, personat që i kanë përcjellur e kanë shtuar zakonisht edhe shprehjen: “I Dërguari i Zotit e mbajti edhe një fjalim të ngjashëm me këtë dhe tha sërish fjali të ngjashme.” Edhe kjo e përkrah idenë se i Dërguari i Zotit mbajti disa fjalime në disa vende të ndryshme. 1
Por edhe sikur të mos jetë i sigurt fakti se i Dërguari ka mbajtur fjalime në të gjithë ato vende që i përmendëm më sipër, diçka dihet me siguri: ai mbajti fjalime së paku në dy vende. Fjalimi i parë ishte gjatë haxhxhit (në Arafat, në Mina ose në xhaminë Hif të Minas) dhe i dyti pas përfundimit të haxhxhit, në vendin e quajtur Gadir-i Khumm, ku karavanët ndaheshin nga njëri-tjetri për të vazhduar më tej.
Gjëja më interesante në këto hutbe është fakti se i Dërguari i Zotit, qoftë gjatë haxhxhit dhe qoftë pas tij, përkrah Kur`anit, gjithnjë ua përkujtonte muslimanëve Ehl-i Bejtin (familjen) e tij dhe e prezantonte atë si të dytën nga “dy gjërat e çmuara” që ua linte trashëgim muslimanëve dhe që po të ndiqeshin, nuk do të lejonin që muslimanët të devijonin nga rruga e drejtë.
Në disa burime sunnite, në vend të Ehl-i Bejtit, në këtë kontekst është përmendur “sunneti” (tradita) i Profetit si gjëja e dytë e çmueshme pas Kur`anit. Megjithatë, burimet sunnite në të cilat përmendet Ehl-i Bejti dhe Kur`ani janë më të shumtë në numër. Versioni që e përmend “sunnetin” si gjënë e dytë të çmuar pas Kur`anit, nuk është përcjellur në asnjërin nga “gjashtë librat” (el-kutub`ul-sitte) kryesorë të haditheve sunnite. Ky version është përmendur vetëm në veprën “Muvatta” të Imam Malikut, pa u dhënë zinxhiri përcjellës.
Në anën tjetër, hadithet ku përmendet versioni se dy gjërat e çmuara janë Kur`ani dhe Ehl-i Bejti është përcjellur nga burime dhe zinxhire të ndryshme të transmetimit në Sahihun e Muslimit, në Sunnenin e Tirmidhiut, në veprën “Musned” të Ahmed ibn Hanbelit, në “Mustedrek el-Sahihejn” të Hakimit dhe në dhjetra burime të tjera të famshme si “Kendh`ul Ummal”, “Ed-Dur`ul-Manthur” etj. Sipas Ibn Haxher el-Mekkiut, ky hadith është përcjellur nëpërmjet më shumë se njëzet zinxhirëve të ndryshëm të transmetimit. Kjo flet se ky hadith është i kategorisë “mutavatir” (i përcjellur në mënyrë të pavarur dhe të njejtë nga aq shumë zinxhirë të besueshëm transmetimi, sa mund të vihet në përfundimin se hadithi është i besueshëm).
Fjalimet e përcjellura më poshtë janë të marra nga vepra të ndryshme, me ç`rast referenca për çdo vepër është dhënë si shënim në fund të tekstit.
1. Hutbeja e mbajtur në Arafat
Lëvdatat i takojnë Zotit! Atë e lëvdojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Para Tij e shprehim pendimin tonë. Tek Ai strehohemi nga e liga e shpirtrave tanë dhe nga mëkatet. Askush s`mund ta hutojë një njeri që Zoti e ka udhëzuar dhe askush s`mund ta udhëzojë një njeri që Zoti e ka bërë të devijojë.
Dëshmoj se s`ka zot tjetër veç Zotit, se Ai është Një dhe s`ka të ngjashëm. Dhe dëshmoj se Muhammedi është një rob dhe i Dërguar i Tij.
O robër të Zotit! Ju ftoj ta kini droje Zotin dhe të jeni të bindur ndaj Tij. Zotit i lutem që të filloj me atë që është më e mirë!
O njerëz! Më dëgjoni mirë! Kam ca fjalë për t`ju thënë dhe ndoshta pas këtij viti, kurrë nuk do të jem me ju në këtë vend. O njerëz! Njësoj siç është e shenjtë kjo ditë e juaja, ky muaj dhe ky qytet, të shenjtë e të paprekshëm për tjetrin janë shpirtrat tuaj, pronat dhe nderi. Shumë shpejt do të shkoni tek Zoti juaj dhe Ai do t`ju kërkojë llogari për çdo gjë që keni kryer. Kushdo që ka një amanet pranë vetes, le t`ia dorëzojë të zotit!
O njerëz! Kamata dhe fajdeja janë të ndaluara! Në raste të tilla mund të merrni prapa vetëm aq sa keni dhënë. Mos bëni padrejtësi dhe mos lejoni t`ju bëhet juve padrejtësia! Kamata dhe fajdeja janë ndaluar sipas urdhrit të Zotit. Dhe fajdeja e parë që e kam zhvleftësuar është ajo e xhaxhait tim, Abbas ibn Abdul Muttalibit. Edhe gjakmarrjet e asaj kohe janë të zhvleftësuara të gjitha. Gjakmarrja e parë që është shpallur e pavlefshme është ajo e kushëriririt tim, Amir bin Hars bin Abdul Muttalibit. Të gjitha traditat e kohës së Injorancës janë hequr, përveç atyre që kanë të bëjnë me shërbimet në Qabe dhe me shpërndarjen e ujit për pelegrinët.
Vdekja është dënimi për vrasjen e qëllimshme. E për atë që me shkop ose me gurë e vret dikë pa dashur, dëmshpërblimi që duhet paguar është sa 100 deve. Është traditë e Injorancës që të kërkohet më shumë se kaq.
O njerëz! Djalli (Shejtani) ka humbur shpresë se dikush mund ta adhurojë atë në këtë tokë. Por përveç kësaj, ai kënaqet kur ju i bindeni në disa punë të vogla tuajat.
O njerëz! Shtyrja e muajve të ndaluar vetëm e shton mohimin (kufrin) dhe me këtë, mohuesit devijojnë krejtësisht. Për t`i barazuar muajt e ndaluar të Zotit, ata njëherë e quanin të lejuar atë muaj dhe njëherë të ndaluar. Koha po lëviz njësoj si në ditën kur janë krijuar toka dhe qiejt. S`ka dyshim se pranë Zotit, numri i caktuar i muajve është dymbëdhjetë që nga dita kur toka dhe qiejt janë krijuar.
Katër prej tyre janë muaj të ndaluar. Tre vijnë njëri pas tjetrit dhe janë Dhulkade, Dhulhixxhe dhe Muharremi. Dhe tjetri është muaji Rexheb që gjendet ndërmjet muajve Xhemazijul-evvel dhe Sha`ban.
O njerëz! Njësoj siç keni të drejta mbi gratë tuaja, edhe ato kanë të drejta mbi ju. E drejta juaj mbi to është që të mos ju tradhëtojnë, të mos e marrin në shtëpi pa lejen tuaj ndonjë njeri që s`ju pëlqen dhe të mos bëjnë gjëra të pamoralshme. Po të bëjnë gjëra të tilla, Zoti ju ka lejuar t`i këshilloni, t`i ndani shtretërit me ta ose t`i godisni butësisht. Por nëse s`bëjnë ndonjë gjë të tillë, atëherë është e drejtë e tyre mbi ju që t`u siguroni një jetesë të bukur dhe veshmbathje. Ato janë ndihmuese tuajat me krijim të ndjeshëm. Ju i keni marrë ato si një amanet nga Zoti dhe sërish në emër të Zotit ia keni bërë të lejuar vetes nderin e tyre. Kinie droje Zotin në lidhje me gratë dhe këshillojini ato për punë të mira!
O njerëz! Besimtarët janë vëllezër dhe nuk është e lejuar prona e një besimtari për tjetrin, përveç me lejen e tij. Kini kujdes dhe pas meje mos u ktheni në ditët e kaluara që ta vrisni njëri-tjetrin! Unë po lë dy gjëra të çmueshme mes juve. Po të lidheni fort pas tyre, kurrë nuk do të dilni nga rruga e drejtë. Këto janë Kur`ani dhe Ehl-i Bejti im dhe nuk kanë për t`u ndarë nga njëri tjetri derisa të takohen me mua sërish pranë Keutherit.
O njerëz! Një është Zoti juaj dhe një babai juaj. Të gjithë jeni fëmijë të Ademit dhe Ademi ishte prej dheu. Më i miri nga ju në sytë e Zotit është ai që i druhet Zotit më shumë. Arabi nuk është më i mirë se një jo-arab, përveç nëse nuk i druhet Zotit më shumë se tjetri. Mos harroni! Ata që janë këtu, le t`ua përcjellin fjalët e mia atyre që nuk janë!
O njerëz! Zoti gjithkujt ia ka caktuar hisen e tij në trashëgim. Andaj s`ka të drejtë njeriu ta lërë me testament veçse një të tretën e pasurisë së tij. Fëmija i takon atij, në shtratin e të cilit është lindur. Ata që bëjnë zina (marrëdhënie jashtëmartesore) duhet të gurëzohen deri në vdekje. Secili që thotë se është fëmijë i dikujt tjetër përveç të atit dhe secili rob që i bindet dikujt tjetër përveç të zotit të tij, është i mallkuar nga Zoti, nga ëngjëjt dhe nga të gjithë mallkuesit. Zoti nuk i pranon adhurimet e njerëzve të tillë, qofshin të detyrueshme (farz) ose vullnetare (nafile). Respektojini të drejtat e robërve tuaj! Ushqeni ata me ushqimet që i hani vetë dhe mbathni me rrobat që i mbathni edhe ju. Nëse ata bëjnë një gabim që nuk mund ta falni kurrë, atëherë largojini prej vetes por mos i dënoni!
O njerëz! Ata që janë të pranishëm këtu, le t`ua përcjellin fjalët e mia atyre që nuk janë. Sepse ka shumë njerëz që s`ndodhen këtu por që më mirë do t`i kuptonin fjalët e mia sesa ata që më dëgjojnë tani.
O njerëz! Nesër do të vijë dita dhe do t`ju pyesin për mua. Ç`do të thoni?
Atë çast, të gjithë të pranishmit thirrën: “Ne do të dëshmojmë se ti e shpalle fjalën e Zotit. Ti e bëre detyrën tënde dhe na këshillove.” Më pas, i Dërguari i Zotit e zgjati gishtin tregues dhe duke bërë shenjë me të mbi turmën e njerëzve tha: “Dëshmo o Zoti im! Dëshmo o Zoti im! Dëshmo o Zoti im!” 2
2. Hutbeja e mbajtur në Mina
Pasi e lëvdoi dhe e falënderoi Zotin, i Dërguari tha:
“O njerëz! Dëgjojeni fjalën time dhe mendoni për të! Nuk e di, mbase nuk do të shihemi edhe njëherë tjetër në këtë vend.”
Pastaj pyeti: “A e dini cila është dita më e vlefshme?”
Njerëzit u përgjigjën: “Dita e sotme!”
“Po nga muajt?”, pyeti i Dërguari.
“Ky muaj.”, u përgjigjën ata.
“Dhe cili është më i miri i qyteteve?”, pyeti ai sërish.
“Ky qytet”, ia kthyen njerëzit.
Më pas, i Dërguari i Zotit tha:
“S`ka dyshim se gjaku, prona dhe nderi juaj janë po aq të shenjta sa ç`është kjo ditë, ky muaj dhe ky qytet. Kjo do të shkojë kështu deri në ditën kur të takoheni me Zotin tuaj dhe t`i jepni llogari Atij. O njerëz! A e kam shpallur atë që ishte detyrë e imja?”
Pasi njerëzit u përgjigjën me “po”, i Dërguari tha: “Dëshmo o Zoti im!”
Më pas, vijoi me fjalën e tij:
Dijeni se të gjitha traditat dhe doket e kohës së Injorancës janë nën këmbët e mia. Askush s`është më i mirë se tjetri veçse në drojen e tij nga Zoti. A jua përcolla atë që duhej?”
“Po!”, u përgjigjën njerëzit dhe i Dërguari tha sërish: “Dëshmo o Zoti im!”
Më pas vazhdoi:
“Dijeni se çdo fajde e mbetur nga koha e Injorancës është hequr. Dhe fajdeja e parë që është hequr është ajo e Abbas ibn Abdul Muttalibit.
Po kështu janë hequr edhe të gjithë gjaqet (hakmarrjet) e mbetura nga ajo kohë. Dhe gjaku i parë që e kam hequr është ai i Haris ibn Rabiasë. A jua përcolla atë që duhej?”
Njerëzit thanë: “Po!”
I Dërguari u përgjigj: “Dëshmo o Zoti im!” Më pas vazhdoi:
“Dijeni se Djalli ka humbur shpresë se dikush do ta adhurojë atë në këtë tokë tuajën dhe domosdo mjaftohet me çastet kur ju i nënvlerësoni veprat e mira dhe i shpërfillni ato. Dijeni se ai që i bindet Djallit, e adhuron atë.
O njerëz! Mos harroni se muslimanët janë vëllezër të njëri-tjetrit. Gjaku i një muslimani kurrë nuk është i lejuar për një musliman tjetër. Edhe prona e një muslimani s`është e lejuar për një musliman tjetër, veçse me lejen e tij.
Unë jam urdhëruar të luftoj me njerëzit derisa të thonë “La ilahe il`lallah” (s`ka zot tjetër veç Zotit). Kur ta thonë këtë, do t`i kenë të mbrojtura gjakun dhe pronat. Këtu bëjnë përjashtim të drejtat e veçanta që Zoti i ka caktuar. Dhe llogaria e Ditës së Gjykimit i takon Atij. O njerëz! A jua përcolla atë që duhej?” Njerëzit sërish u përgjigjen me “po” dhe i Dërguari tha: “Dëshmo edhe ti o Zoti im!”
Më pas, ai vijoi me fjalën e tij:
“O njerëz! Mbajini mend fjalët e mia që të mund të keni dobi prej tyre! Përpiquni t`i kuptoni që të mund të lartësoheni edhe pas meje.
Kini kujdes! Mos u bëni mohues pas meje dhe mos i ngrini shpatat kundër njëri-tjetrit për hir të kësaj bote!
Dijeni se unë po lë dy gjëra të çmueshme mes juve. Po të lidheni fort pas tyre, kurrë nuk do të devijoni. Këto janë Libri i Zotit dhe Ehl-i Bejti im. Zoti që është Njohës i gjithçkaje më ka lajmëruar se këto dy gjëra, s`kanë për t`u ndarë nga njëra-tjetra derisa të kthehen tek unë në Keuther. Dijeni se i shpëtuar do të jetë gjithkush që kapet fort pas tyre dhe i shkatërruar ai që i kundërshton. O njerëz! A jua përcolla atë që duhej?”
Njerëzit thanë sërish “po”. Më pas i Dërguari tha:
“Dijeni se disa prej juve do të vijnë tek unë në Parajsë por më pas do të njihen dhe do të largohen që andej. Unë do të them: “O Zoti im! Këta janë ashabët (shokët) e mi.” Dhe Zoti do të thotë: “O Muhammed! Ata shpikën gjëra të reja pas teje dhe e ndryshuan traditën tënde” Atëherë unë do të them: “Larg qofshin! Larg qofshin!” 3
3. Hutbeja e mbajtur në xhaminë “Hif” në Mina
“Zoti ia ndriçoftë fytyrën atij që i dëgjon fjalët e mia dhe më pas ua përcjell të tjerëve. O njerëz! Ata që janë këtu le t`ua përcjellin të tjerëve fjalët e mia. Vërtet ka shumë përcjellës fjalësh të urta, që vetë s`i kuptojnë gjërat q`i përcjellin. Dhe ka shumë përcjellës të tillë, që këto fjalë do t`ia përcjellin një njeriu që do t`i kuptojë më mirë.
Ka tri gjëra, nga të cilat zemra e muslimanit s`duhet të largohet kurrë: të veprojë mirë vetëm për hir të Zotit, t`ua dojë të mirën Imamëve (prijësve) të muslimanëve dhe të mos ndahet nga shoqëria muslimane. Ftesa e Imamëve i intereson të gjithë muslimanët.
Besimtarët janë vëllezër të njëri-tjetrit dhe janë të barabartë përnga gjaku e raca. Ata janë si një grusht i vetëm kundër të tjerëve. Ata i mbeten besnik edhe marrëveshjes që më i dobëti mes tyre e ka bërë.
O njerëz! Unë po lë dy gjëra të çmueshme në mesin e tuaj.”
“Ç`janë këto gjëra të çmueshme?”, pyetën njerëzit. I Dërguari u përgjigj:
“Është Libri i Zotit dhe Ehl-i Bejti im. Zoti që është Njohës i gjithçkaje më ka lajmëruar se këto dy gjëra s`do të ndahen nga njëra-tjetra derisa të arrijnë pranë meje tek Keutheri.”Më pas, duke i ngjitur gishtat tregues të të dy duarve, vazhdoi: “Njësoj si këta dy gishtërinjtë e mi. Dhe kini kujdes! Nuk po them se janë si gishti tregues me gishtin e mesëm, që të mund të thuhet se njëri dallon nga tjetri.” 4
4. Hutbeja e mbajtur në Gadir-i Khumm
Në vitin e dhjetë pas Hixhrit, në ditën e tetëmbëdhjetë të muajit Dhulhixhxhe5, teksa i Dërguari kthehej nga “haxhxhi i lamtumirës”6 dhe ishte në vendin e quajtur Xhuhfe (në rrethinën e Gadir-i Khummit)7 ku rëndom ndaheshin rrugët e karavanëve për në Medine, Damask dhe Egjipt8, u shpall vargu në vijim:
O i Dërguar! Shpalle atë që të është zbritur nga Zoti yt! Po të mos e bësh këtë, s`do ta kesh kryer detyrën tënde. Zoti do t`të mbrojë nga njerëzit...(Kur`an 5:67)
Pas shpalljes së këtij vargu, i Dërguari urdhëroi që karavanët të ndaleshin sakaq dhe njerëzit të zbrisnin nga kafshët e tyre. Urdhëroi që të thirreshin prapa ata që kishin qenë përpara dhe ata që kishin mbetur prapa t`i arrinin.9
Më pas, që të mos shpërndaheshin, nuk u lejoi njerëzve të uleshin nën hije dhe pasi urdhëroi që toka të pastrohej nga mbeturinat dhe nga gjembat10, i ftoi njerëzit në namaz.11
Shokët e Profetit i hodhën rrobat e tyre mbi degët e një peme që të mundej i Dërguari ta falte nën hije namazin.12 Pasi e fali namazin me xhemaat në atë vapë të madhe13, i Dërguari u ngrit në këmbë për të mbajtur një fjalim. Pas lëvdatave dhe falënderimeve të drejtuara Zotit, u dha disa këshilla njerëzve dhe më në fund tha:
“Shumë shpejt unë do t`i përgjigjem thirrjes së Zotit. Edhe unë do t`i jap llogari Zotit edhe ju. Ç`do t`i thoni ju Zotit atë ditë?”
Të gjithë u përgjigjën thuase njëzëri: “Do të dëshmojmë se ti e përcolle shpalljen dhe na këshillove për të mirën tonë. Zoti të shpërbleftë!” Pas kësaj, i Dërguari pyeti: “A dëshmoni se nuk ka zot tjetër veç Zotit, se Muhammedi është një rob dhe një i Dërguar i Tij dhe se ferri dhe parajsa janë një e vërtetë?”
Të gjithë u përgjigjen me “po”. Më pas, i Dërguari pyeti: “A më dëgjoni qartë?” Sërish të gjithë u përgjigjën me “po”. Me ta dëgjuar këtë, i Dërguari tha:
“O njerëz! Unë do të ndahem nga ju dhe ju do të vini tek unë pranë liqenit Keuther. Ai është një liqen, gjerësia e të cilit është sa largësia ndërmjet Busra-së dhe Sana-së14. Pranë këtij liqeni ka gota prej argjendi aq sa ka yje në qiej. Kur të vini atje, unë do t`ju pyes për dy gjërat e çmueshme që jua kam lënë amanet. Andaj kini kujdes se si do të silleni ndaj tyre pas meje!”
Në njeri në mesin e turmës thirri: “O i Dërguar! Ç`janë këto dy gjëra të çmueshme?” I Dërguari u përgjigj:
“E para është Libri i Zotit, njëra anë e të cilit është në duart e Zotit dhe tjetra në duart tuaja. Kapuni fort për të, mos devijoni prej tij dhe mos e ndryshoni! Kurse gjëja e dytë e çmuar është Ehl-i Bejti im. Zoti Bamirës dhe i Ditur më ka lajmëruar se këto dy gjëra nuk do të ndahen nga njëra-tjetra derisa të vijnë pranë meje në Keuther. Unë ia kërkova këtë Zotit tim. Atëherë mos i tejkaloni këto dy gjëra dhe mos lejoni që të mbeteni pas tyre. Mos u mundoni t`u mësoni diçka atyre sepse ato janë më të ditura se ju.”
Më pas, i Dërguari vazhdoi15:
“A pranoni se unë kam më shumë të drejtë mbi besimtarët sesa ata vetë mbi shpirtrat e tyre?”
“Po, o i Dërguar i Zotit. E pranojmë këtë.” thanë njerëzit.16
“A pranoni se unë kam më shumë të drejtë mbi shpirtin e çdo besimtari se vetë ai?” , pyeti sërish i Dërguari.
Njerëzit sërish thanë “po”17 dhe pas kësaj, i Dërguari, duke e kapur dorën e Aliut dhe duke e ngritur aq lartë sa t`i dukej bardhësia ndër sjetull 18, tha:
“O njerëz! Allahu është i Zoti (Meula i) im dhe unë jam i zoti (Meula i) juaj19. Dhe i zoti (Meula) i kujt jam unë, i zoti (Meula) i tij është edhe Aliu20 (shih shënimin 20a). Zoti im! Duaje atë që e do Aliun dhe bëhu armik i armiqve të tij!21 Ndihmoje atë që e ndihmon dhe lëre vetëm atë që e lë vetëm!22 Ji i afërt me atë që është i afërt me Aliun dhe urreje atë që e urren Aliun! 23 Zoti im! Dëshmo edhe Ti!”24
Përcjellësi i këtij hadithi thotë: “I Dërguari dhe Aliu akoma nuk ishin ndarë nga njëri-tjetri, kur u shpall vargu:
Sot e përsosa fenë tuaj, e plotësova bekimin tim mbi ju dhe jua zgjodha Islamin si fe. (Kur`an 5:3)”
Pas kësaj, i Dërguari tha: “I madhëruar është Zoti që e përsos fenë, që i plotëson bekimet e Tija dhe që është i kënaqur nga profetësia ime dhe nga velajeti i Aliut”25
Duke folur për vargjet e shpallura në Medine, historiani i famshëm Jakubiu, në Historinë e tij, shkruan se vargu i fundit i Kur`anit është vargu i tretë i kapitullit të pestë (Sot e përsosa fenë tuaj...) Ky pohim është i saktë dhe i besueshëm. Ky varg u shpall në Gadir-i Khumm, pas shpalljes publike të velajetit (udhëheqësisë) të Aliut.26
Pas kësaj ceremonie, Umar ibn Hattabi erdhi tek Aliu dhe i tha: “Lum për ty o djali i Ebu Talibit! Tani u bërë i zoti i çdo besimtari dhe besimtareje.” 27
Kurse në një burim tjetër, fjalët e Umarit përcillen në formën: “Lum për ty o djali i Ebu Talibit!” 28
1: “Nasih`ut-Tevarih”, pjesa mbi Hixhretin, fq.499; “Bihar`ul-Enver”, vëll.21, fq.405
2: “Jeta e të Dërguarit” nga Ibn Hishami, fq.605; “Nasih`ut-Tevarih”, pjesa mbi Hixhretin, fq.499; “Bihar`ul-Enver”, vëll.21, fq.405; “El-Hisal”, vëll.2, fq.84
3: “Bihar`ul-Enver”, vëll.37, fq.113; Pjesa e fundit e këtij fjalimi (duke filluar me shprehjen “Dijeni se disa prej juve...”) është përcjellur me shumë pak dallime në burimet ivijuese sunnite: “Sahihu” i Buhariut, kapitulli mbi Profetët; “Sunneni” i Tirmidhiut, kapitulli “Saffet`ul-Kijame” ; “Sunneni” i Ibn Maxhes, pjesa “Kitab`ul-Menasik”, kapitulli “Hutbet`ul-jevmin-nehar”, hadithi numër 5830; “Musned” nga Ahmed ibn Hanbeli, vëll.1, fq.453; vëll.3, fq.28 dhe vëll.5, fq.48; “Sahihu” i Muslimit, libri mbi virtytet e të Dërguarit të Zotit, vëll.4, fq.1800
4. “Bihar`ul-Enver”, vëll.37, fq.113
5. Hakim Haskani, vëll.1, fq.192-193
6. “Mexhma`uz-Zevaid” nga El-Hajthamiu, vëll.9, fq.105 dhe 163-165
7. “Mexhma`uz-Zevaid” nga El-Hakthamiu, vëll.9, fq.163-165; Ibn Kethiri, vëll.5, fq.209-213
8. “Muxhem`ul-Budan”, pjesa në lidhje me Xhuhfen
9. “Historia” (mendohet për veprën “Fillimi dhe Fundi”) nga Ibn Kethiri, vëll.5, fq.213
10. “Mexhma`uz-Zevaid” nga El-Hajthamiu, vëll.9, fq.105; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.209
11. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.6, fq.281; “Sunneni” i Ibn Maxhes, kapitulli mbi virtytet e Aliut; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.209-210
12. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.4, fq.372; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.212
13. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.4, fq.281; “Sunneni” i Ibn Maxhes, kapitulli mbi virtytet e Aliut; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.4, fq.212
14. Busra ishte një qytezë afër Damaskut kurse vendi tjetër i përmendur ishte një vend në afërsi të Bagdadit të sotëm.
15. “Mexhma`ul-Bejan” nga Tabrisiu, vëll.9, fq.162-163 dhe 165; pjesërisht e përcjellur edhe nga Haskaniu, vëll.3, fq.109-110 dhe në “Historinë” e Ibn Kethiri, vëll.5, fq.209
16. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit”, vëll.1, fq.118-119 dhe vëll.4, fq.281; “Sunneni” i Ibn Maxhes, vëll.1, fq.43, hadithi:116; Në vend të fjalës “bela” (=ashtu është; përkthyer këtu si “e pranojmë këtë”), në “Musnedin” e Ibn Hanbelit, në vëll.4, fq.281, 368, 370 dhe 372 është përdorur fjala “neam” (=po); “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.209 dhe vëll.5, fq.210
17. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.4, fq.281, 368, 370, 372; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.9, fq.209, 212
18. Shprehjen e njejtë, Haskaniu e ka përcjellur në dy forma të ndryshme (në njëjës dhe në shumës) në vëllimin e parë të veprës së tij, në faqet 190 dhe 193
19. “Shevahid`ul-Tenzil”, vëll.1, fq.191; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.209
20. Kjo çështje është përcjellur në të gjithë burimet që i kemi përmendur deri tani.
20a. (shënim i përkthyesit) Fjalën arabe “meula” e kemi përkthyer me fjalën shqipe “i zoti”. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (botuar Tiranë, 1980), për këtë fjalë janë dhënë dy kuptime:
1. Pronari i diçkaje, ai që zotëron një pasuri a diçka tjetër; ai të cilit i përket diçka. Shembull: I zoti i dyqanit; I zoti i arës; E ka të zotin; Ia dha të zotit.
2. Ai që përgjigjet për diçka; ai që është i ngarkuar për diçka. Shembull: I zoti i dasmës; Puna do të zotin.
Pikërisht në këtë kuptim të dytë e kemi përdorur këtë fjalë në përkthimin tonë dhe besojmë se ky është përkthimi më adekuat për fjalën arabe “meula” që në anglisht është përkthyer zakonisht me fjalën “master” dhe në turqisht me fjalën “efendi”.
21. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.1, fq.118, 119; vëll.4, fq.281, 370, 372, 373; vëll.5, fq.347, 370; “Mustedreku” i Hakimit, vëll.3, fq.109; “Sunneni” i Ibn Maxhes, kapitulli mbi virtytet e Aliut; Haskaniu vëll.1, fq.190,191; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.209, 210-213. Po në këtë vepër, në vëll.5, fq.209 shkruhet: “E pyeta Zejdin :“a e ke dëgjuar këtë nga i Dërguari i Zotit” Ai më tha: “S`ka njeri që ishte atë ditë në atë shkretëtirë dhe të mos e ketë parë me sytë e tij dhe të mos e ketë dëgjuar me veshët e vet këtë gjë.” Më pas, Ibn Kethiri thotë se Ebu Abdullahu Dhehebiu e ka konsideruar të besueshëm këtë hadith.
22. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.1, fq.118, 119; “Mexhma`uz-Zevaid”, vëll.9, fq.104, 105, 107; “Shevahid`ut-Tenzil”, vëll.1, fq.193; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.210-211
23. “Shevahid`ut-Tenzil”, vëll.1, fq.191; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.210
24. “Shevahid`ut-Tenzil”, vëll.1, fq.190
25. Haskaniu në vëll.1, fq.157-158, në hadithin nr.211 dhe 212 e përcjell këtë nga Ebu Said el-Hudriu dhe në hadithin nr.213 nga Ebu Hurejreja; Kjo temë është përmendur shkurtimisht tek “Historia” e Ibn Kethirit
26. “Historia” e Jakubiut”, vëll.2, fq.43
27. “Musnedi” i Ahmed bin Hanbelit, vëll.4, fq.281; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.210; “Sunneni” i Ibn Maxhes, kapitulli mbi virtytet e Aliut; “Historia” e Ibn Kethirit, vëll.5, fq.210
28. “Shevahid`ut-Tenzil, vëll.1, fq.157-158