Shënim i përkthyesit
Në arabisht, “Munaxhat” do të thotë “bisedë e fshehtë” ose “përshpëritje”. Buron nga fjala “nexhve”, e cila përmendet edhe në Kur’an:
Nuk ka një bisedë të fshehtë mes tre vetëve që Ai (Zoti) të mos jetë i katërti dhe as ndërmjet pesë vetëve që Ai të mos jetë i gjashti...(Kur’an 58:7)
Në literaturën islame, munaxhati është një bisedë e besimtarit me Zotin e tij. Në lidhje me munaxhatin, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
Kur robi kthehet drejt të Zotit në mes të natës dhe bën munaxhat, Zoti ia ndriçon zemrën. Dhe kur robi thotë “o Zoti im”, i Madhëruari i përgjigjet: “Këtu jam o robi Im, më kërko që të të jap dhe mbështetu në Mua që Unë të të mjaftoj!” Pastaj Zoti u kthehet ëngjëjve dhe thotë: “O ëngjëj! Shiheni robin tim! Ai u kthye drejt meje në mes të natës, në një kohë kur përtacët janë të pavetëdijshëm dhe të pakujdesshmit po flenë. Dëshmoni se po e fal atë!
Në tetë rreshtat e parë të munaxhatit të mëposhtëm, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) i përdor edhe vargjet e Kur’anit të Shenjtë. Referenca e dhënë brenda kllapave në fund të secilit varg e tregon numrin e kapitullit në të cilin gjendet vargu dhe më pas, numrin e vetë vargut brenda kapitullit.
Përkthyesi
Munaxhati i xhamisë së Kufes
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Zoti im, bekoje Muhammedin dhe familjen e tij!
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur s’bëjnë dobi pasuria dhe as bijtë, veç për atë që vjen me zemër t’pastër...(26:88-89)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur i padrejti ta kafshojë gishtin e të thotë: “Ah sikur të isha me të Dërguarin në një rrugë...”(25:27)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur fajtorët të njihen nga shenjat e tyre e të kapen nga balluket e nga këmbët...(55:41)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur një baba s’i sjell dobi të birit dhe kur fëmija asnjë dobi s’i sjell të atit..S’ka dyshim se premtimi i Zotit është i vërtetë...(31:33)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur të padrejtëve s’u ndihmojnë arsyetimet e kur mallkimi i pret dhe vendqëndrimi i ligë...(40:52)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur askush s’i ndihmon tjetrit dhe kur veç Zotit i takon urdhri...(82:19)
Zoti im! Prej Teje kërkoj mbrojtje nga dita kur njeriu të ikë nga i vëllai, nga nëna, nga babai e nga fëmijët dhe kur gjithkush me punën e vet të jetë i zënë...(80:34-37)
Zoti im! Të kërkoj mbrojtje nga dita kur fajtori të dojë t’i bëjë kurban fëmijët, gruan e vëllanë, atë q’i ka dhënë strehë, gjithë familjen e gjithë ç’është mbi tokë, veç për ta shpëtuar veten...(70:11-14)
Imzot! Ti je Zoti dhe unë jam robi yt.
Kush mund ta mëshirojë robin përveç të Zotit?
Imzot! Ti je i Zoti dhe unë jam i zotëruari.
E kush mund ta mëshirojë të zotëruarin përveç të Zotit?
Imzot! Ti je i Shenjti dhe unë i pavlerë jam.
Kush mund ta mëshirojë të pavlerin përveç të Shenjtit?
Imzot! Ti je Krijues dhe unë jam i krijuari.
Kush mund ta mëshirojë të krijuarin përveç Krijuesit?
Imzot! Ti je Madhështori dhe unë i vogël jam.
Kush mund t’i mëshirojë të vegjlit përveç Atij që është Madhështor?
Imzot! Ti je Dhënësi dhe unë një lypës jam.
Kush mund vallë ta mëshirojë lypësin përveç Atij që jep?
Imzot! Ti je përherë i Gjallë dhe unë veç një i vdekshëm.
Kush mund ta mëshirojë të vdekshmin përveç Atij që është Gjallë përherë?
Imzot! Ti je i Përhershmi dhe unë jam kalimtar.
Kush mund të ketë mëshirë për të kalueshmin përveç atij që është i Përhershëm?
Imzot! Ti je i Përjetshëm kurse unë shpejt do të venitem.
Përveç të Përjetshmit, kush tjetër mund ta mëshirojë atë që venitet?
Imzot! Ti je Ushqyesi dhe unë i ushqyeri.
Kush mund ta mëshirojë të ushqyerin përveç Ushqyesit?
Imzot! Ti Bujar je dhe unë koprrac.
Kush mund ta mëshirojë koprracin përveç Atij që është Bujar?
Imzot! Ti je Shëruesi dhe unë jam i sëmurë.
Kush mund ta shpëtojë të sëmurin përveç Shëruesit?
Imzot! Ti je i Madh dhe unë i vogël jam.
Përveç më të Madhit, kush tjetër mund ta mëshirojë të voglin?
Imzot! Ti je Udhëzues dhe unë i humbur krejt.
Kush mund të ketë mëshirë për të humburin përveç Udhëzuesit?
Imzot! Ti Mëshirues je dhe unë i mëshiruari. Përveç Mëshiruesit, kush mund ta mëshirojë të mëshiruarin?
Imzot! Ti je i Fuqishmi dhe unë i sprovuari.
Kush mund ta mëshirojë të sprovuarin përveç të Fuqishmit?
Imzot! Ti je Dëshmia dhe unë jam i hutuari.
E ç’mund ta mëshirojë të hutuarin përveç Dëshmisë?
Imzot! Ti je Falësi dhe unë jam mëkatari.
Kush tjetër mund ta mëshirojë mëkatarin përveç Falësit?
Imzot! Ti je Fitimtari dhe unë jam humbës.
Kush mund të ketë mëshirë për humbësin, përveç Fitimtarit?
Imzot! Ti Mbrojtësi je dhe unë i mbrojturi.
Kush mund ta mëshirojë të mbrojturin përveç Mbrojtësit?
Imzot! O Imzot! Ti i Lartësuari je dhe unë i nënshtruar.
Përveç të Lartësuarit, kush tjetër mund ta mëshirojë të nënshtruarin?
Imzot!
Më fal për hir të mëshirës Sate dhe ji i kënaqur me mua për hir të Bujarisë Tënde!
Për hir të Mirësisë e për hir të Begatisë që ke!
Për hir të mëshirës Sate o më i Mëshirshmi i mëshiruesve!