Kërkimi i diturisë (Hadithi i Unvan el-Basriut)
© dielli.net
23.08.2010

Unvan el-Basriu rrëfen:


Kisha kohë që i ndiqja mësimet e Malik ibn Enesit. Kur Xhafer ibn Muhammedi erdhi në Medine, i shkova për vizitë dhe nisa të mësoja prej tij, njësoj siç kisha mësuar pranë Malikut deri atëherë. Por, një ditë, Xhaferi ibn Muhammedi më tha: “Lëvizjet e mia ndiqen nga qeveria. Përveç kësaj, merrem me lutje e adhurime gjatë gjithë ditës. Ti më mirë mos më pengo në punët e mia dhe shko mëso nga Maliku, siç ke mësuar deri tani!“


Këto fjalë të tija më pikëlluan dhe teksa largohesha nga shtëpia e tij, thashë me vete: “Sikur Xhafer ibn Muhammedi të kishte parë ndonjë të mirë te unë, me siguri do të pranonte të bëhesha nxënësi i tij.” Pas kësaj, shkova në Mesxhid el-Nebevi, i dërgova selame të Dërguarit të Zotit (s.a.a.) dhe pasi fala dy reqate namaz pranë varrit të tij, u luta kështu: “Zoti im! Ty po të lutem...Zbute zemrën e Imam Xhaferit ndaj meje dhe ma fal prej diturisë së tij atë që do të më udhëzojë në rrugë të drejtë!”


Pastaj, me të njëjtin pikëllim në zemër u ktheva në shtëpi dhe që atë ditë, nuk shkova më në ligjëratat e Malikut, sepse zemrën e kisha të mbushur me dashurinë për Imam Xhaferin. Përveç për namazet me xhemat, për asgjë tjetër nuk dola prej shtëpie.


Më në fund, kur nuk duroja dot më, e vesha xhyben time dhe këpucët, dhe u nisa për të shkuar tek Imam Xhaferi. Kur arrita atje, shërbëtori i tij ma hapi derën dhe më pyeti se çfarë kërkoja. Unë i thashë se kisha ardhur për ta përshëndetur fisnikun (Xhafer ibn Muhammedin). Shërbëtori ma ktheu duke thënë se ishte i zënë me adhurim dhe se duhej të prisja pak. Më pas, erdhi sërish dhe më tha: “Hyr me emrin e Zotit!”


Hyra brenda, e përshëndeta Xhaferin dhe ai, pasi më përshëndeti, tha: “Ulu, Zoti të mëshiroftë!” Pasi u ula, ai ndenji i heshtur një çast, me vështrimin ngulur përtokë, dhe pastaj më pyeti si e kisha nofkën. “Ebu Abdullah”, iu përgjigja. Ai ma ktheu: “Zoti ta ruajtë nofkën e të bëftë ta mbash më së miri, o Ebu Abdullah!”


Kur e dëgjova këtë, për një çast i thashë vetvetes se do të ishte e mjaftueshme edhe sikur të mos përfitoja gjë tjetër nga ky takim, përveç kësaj lutjeje. Pastaj më pyeti: “Ç`kërkon prej meje o Ebu Abdullah?” Unë iu përgjigja: “I jam lutur Zotit që të më bëjë vend në zemrën tënde dhe të më mundësojë të përfitoj nga ditura jote. Shpresoj se Zoti ka për të ma plotësuar këtë dëshirë...”


Ai tha: “O Ebu Abdullah! Dituria nuk fitohet me të mësuar. Dituria është një dritë në zemrën e njeriut që Zoti dëshiron ta udhëzojë. Ndaj nëse kërkon dituri, së pari duhet ta gjesh në zemrën tënde realitetin e robërisë (ar. ubudijje) para Zotit. Kërkoje diturinë duke vepruar dhe kërkoi Zotit që të të bëjë të kuptosh!”


Unë desha të pyesja diçka dhe iu drejtova me fjalët “O njeri fisnik!” Por ai ma ndërpreu fjalën dhe më kërkoi t`i thosha Ebu Abdullah[1]. Unë e nisa nga e para pyetjen: “O Ebu Abdullah! Ç`është robëria e vërtetë para Zotit?”


Imami u përgjigj:


“Robëria e vërtetë kërkon tri gjëra:


-                    Robi nuk duhet ta shohë si një pronë të veten, një gjë të cilën ia ka falur Zoti. Kjo sepse një rob kurrë s`mund të jetë zotërues i një gjëje. Robërit e vërtetë të Zotit e shohin Zotin si Pronarin e çdo gjëje dhe gjërat që Ai ua fal, i përdorin sipas urdhrave të Tij.


-                    Robi nuk duhet të mërzitet për fatin e tij në këtë botë


-                    Robi duhet gjithnjë ta bëjë atë që e urdhëron Zoti dhe të qëndrojë larg gjërave që Zoti i ka ndaluar


Kur një rob të kuptojë se gjërat që i posedon nuk i takojnë atij vetë, do ta ketë lehtë t`i harxhojë këto gjëra në rrugë të Zotit. Dhe kur robi t`ia dorëzojë Zotit punët e tija, vështirësitë dhe dhimbjet e kësaj bote do të fillojnë të bëhen gjithë më të parëndësishme në sytë e tij. Dhe kur robi ta bëjë atë që urdhëron Zoti dhe të qëndrojë larg gjërave që Ai i ka ndaluar, ai nuk do të gjejë kohë për t`u mburrur dhe për të hyrë në diskutime të kota me të tjerët.


Nëse Zoti ia fal këto tri cilësi një robi të Tij, kjo botë, djalli dhe njerëzit e tjerë fillojnë ta humbin vlerën në sytë e tij. Ai pushon së renduri pas fitimeve të kësaj bote, nuk përpiqet për të fituar famë në sytë e njerëzve dhe nuk e harxhon kot kohën e tij. Kjo është shkalla e parë që janë të druajtur para Zotit (ar. muttakin). Zoti ka thënë:


Të druajturve (ar. muttakin) u takon fundi i mirë. (Kur’an, 28:83)






 




Pastaj, unë i thashë: “Më këshillo o Ebu Abdullah!”


Imami u përgjigj: “Për nëntë gjëra kam për të të këshilluar. Këto janë këshillat e mia për ata që përpiqen (bëjnë xhihad) në rrugë të Zotit. I lutem Zotit që të të ndihmojë! Tri këshilla janë në lidhje me nënshtrimin e dëshirave, tri në lidhje me durimin dhe butësinë kurse tri të tjera në lidhje me diturinë. Mësoji këto gjëra dhe mos i harro!


Në lidhje me nënshtrimin e dëshirave, mbaji mend këto tri gjëra:



  1. Kurrë mos e ha një gjë që s`ta do zemra! Kjo shkakton mendjelehtësi tek njeriu.

  2. Kurrë mos ha ushqim pa qenë i uritur!

  3. Kur të hash, ha vetëm ushqim të lejuar, fillo me emrin e Zotit dhe mbaje mend këtë thënie të të Dërguarit: “S`ka ndonjë enë tjetër, të cilën njeriu e mbush më keq se barkun.” Nëse duhet ta mbushësh barkun tënd, veç një të tretën ndaje për ushqime, një të tretën për pije dhe pjesën tjetër lëre zbrazur!”


Në lidhje me durimin dhe butësinë, kam tri këshilla për ty:



  1. Nëse dikush të thotë: “Për çdo fjalë që do ma thuash, unë mund të gjej dhjetë fjalë për të të thënë”, ti thuaj: “Edhe sikur të më thuash dhjetë fjalë, prej meje s`ke për të dëgjuar as edhe një fjalë të vetme.”

  2. Nëse dikush të ofendon, thuaj: “Nëse ke të drejtë, atëherë Zoti m`i faltë mëkatet! Por nëse je gabim në atë që thua, atëherë Zoti të faltë ty!”

  3. Nëse dikush të bën padrejtësi, t`i ktheja me një këshillë të bukur dhe me një lutje!


Dhe së fundmi, në lidhje me diturinë, kam gjithashtu tri këshilla:



  1. Pyeti dijetarët për gjërat që nuk i di! Por jo në mënyrë të pahijshme.

  2. Mos vepro vetëm sipas mendimit tënd dhe gjithnjë përpiqu të jesh sa më i kujdesshëm!

  3. Ruaju nga të dhënit fetva, njësoj siç do t`i ruheshe një luani dhe mos e hidh veten në rreziqe të kota!


Tani mund të shkosh o Ebu Abdullah! Unë të këshillova. Mos më largo më shumë nga adhurimet e mia! Paqja qoftë mbi ata që e ndjekin udhëzimin!


1: (shënim i përkthyesit) Ky hadith është marrë nga përmbledhja Bihar`ul-Enver (Oqeani i dritave) vëll.1, fq.224, hadithi nr.17
2: (shënim i përkthyesit) Bëhet fjalë për Imam Malikun, themeluesin e shkollës ligjore (medhhebit) Maliki. Në veprat e historisë përcillet se Malik bin Enesi, njësoj si Ebu Hanifeja (themeluesi i shkollës hanefite të ligjit), ka qenë bashkëkohës i Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të) dhe një nxënës i tij për një kohë të caktuar.
3: (shënim i përkthyesit): Xhamia e të Dërguarit të Zotit në Medine.
4: (shënim i përkthyesit) “Ebu Abdullah” (Babai i Abdullahut) është njëra nga nofkat e Imam Xhaferit (pqmt). Djali më i madh i Imamit quhej Abdullah.