O ju që besuat! Agjërimi është caktuar edhe për ju, njësoj si për ata që erdhën para juve. Mbase do të ruheni... (Kur`an 2:183)
1. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) përcjell:
Një ditë, i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) na tha: “O njerëz! Po ju afrohet muaji i Zotit, përplot begati, mëshirë dhe falje. Ky muaj është më i lartësuari pranë Zotit, ditët e tija janë më të vlefshmet e ditëve, netët e tija më të mirat e të gjitha netëve dhe orët e tija, më të mirat e orëve. Në këtë muaj, ju jeni të ftuar në gostinë e Zotit dhe jeni bërë të denjë për ta shijuar begatinë e Tij. Në këtë muaj, çdo frymë e juaja është si një përmendje e Zotit dhe si një adhurim. Veprat tuaja pranohen dhe lutjet ju dëgjohen. Atëherë, me qëllim të pastër e me zemër të sinqertë, kërkojini Zotit që t`ju mundësojë ta agjëroni këtë muaj dhe ta lexoni Librin e Tij!
Vërtet i humbur është ai që s`fiton gjë nga bekimi i Zotit në këtë muaj. Me urinë dhe etjen tuaj të Ramazanit, kujtojeni urinë dhe etjen e Ditës së Gjykimit! Jepuni lëmoshë të varfërve, nderojini të moshuarit, ruajeni gjuhën, mbyllini sytë para të ndaluarës dhe vulosni veshët!
Jini të mëshirshëm ndaj jetimëve të të tjerëve, që edhe ata të jenë të tillë me jetimët tuaj! Pendohuni për mëkatet tuaja dhe kthehuni drejt Zotit! Në kohë të namazit, ngrini duart për t`iu lutur Atij, sepse kohët e namazit janë më të lartësuarat e orëve. Në atë kohë, Zoti i Madhëruar i sheh me mëshirë robërit e Tij, ua plotëson kërkesën nëse kërkojnë diçka, u përgjigjet nëse e thërrasin dhe e pranon lutjen e tyre nëse i luten.
O njerëz! Vërtet shpirtrat tuaj janë peng i veprave që kryeni. Andaj çlirojini shpirtrat tuaj duke kërkuar falje nga Zoti! Të ngarkuar e keni shpinën me mëkatet tuaja. Lehtësojeni, pra, këtë barrë duke bërë sexhde! Dhe dijeni se Zoti i Madhëruar ka dhënë fjalë se atë Ditë kur të gjithë njerëzit të rradhiten para Zotit të botëve, s`do t`i dënojë e s`do t`i frikësojë me zjarrin e ferrit, ata që qëndrojnë para Tij, e falin namazin dhe bëjnë sexhde.
O njerëz! Kushdo që në këtë muaj i jep iftar një besimtari që ka agjëruar, do t`i falen mëkatet dhe me këtë vepër të tij do të fitojë një shpërblim aq të madh tek Zoti, si të kishte liruar një skllav.”
“O i Dërguari i Zotit!”, thamë ne. “Jo të gjithë kemi një mundësi të tillë.” Ai tha: “Përpiquni ta shpëtoni veten nga zjarri i ferrit, qoftë kjo edhe me një hurmë të vetme ose me një gotë ujë! O njerëz! Kushdo që në këtë muaj e zbukuron moralin e tij, kjo gjë do t`i bëhet një leje kalimi në ditën kur këmbët rrëshqasin mbi Sirat. Secilit, që ia lehtëson punën robit (ose shërbetorit) të tij, Zoti do t`ia lehtësojë llogarinë. Secilin, që largohet nga të ligat në këtë muaj, Zoti do ta largojë nga dënimi në Ditën e Gjykimit. Dhe nëse dikush tregohet bujar ndaj një jetimi në këtë muaj, ndaj tij Zoti do të jetë bujar në ditën kur vetëm Ai do të gjykojë.
Kushdo që u bën mirë të afërmve të tij në këtë muaj, le ta dijë se Zoti do ta falë me mëshirën e Tij. Kushdo që i ndërpret lidhjet me të afërmit e tij, e ka ndërprerë lidhjen me mëshirën e Zotit në Ditën e Gjykimit. Kushdo që i fal namazet vullnetare (mustehap) në këtë muaj, do të mbrohet nga zjarri i ferrit. Kushdo që e fal vetëm një namaz të detyrueshëm (farz) në këtë muaj, fiton shpërblim sikur të ketë falur shtatëdhjetë namaze të detyrueshme (farz) në një ditë tjetër. Kushdo që mua më dërgon salavate, do ta ketë të mbushur peshoren e veprave të mira, në atë ditë kur të lehta janë peshoret e të mirave. Kushdo që lexon një varg të Kur`anit në këtë muaj, është si personi që në një kohë tjetër e lexon gjithë Kur`anin.
O njerëz! Dyert e parajsës janë të hapura në këtë muaj. Lutjuni Zotit tuaj që të mos i mbyllë këto dyer! Dyert e ferrit janë të mbyllura në Ramazan. Lutjuni Zotit që të mos i hapë!” (Ujun el Akhbar-i Riza, vëll.1, fq.230; Ravzat`ul-Muttakin, vëll.3, fq.277; Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.356)
2. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Sha`bani është muaji im dhe Ramazani është muaji i Zotit të Madhëruar. Kushdo që agjëron një ditë në muajin tim, do më ketë mua ndërmjetës në Ditën e Gjykimit. Kushdo që agjëron dy ditë në muajin tim, le ta dijë se do t`i falen mëkatet e kaluara. Dhe kujtdo që në muajin tim agjëron tri ditë, i thuhet: “filloi nga e para veprat e tua!” Dhe nëse dikush e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan gjuhën e tij dhe nuk i bën dëm popullit, le ta dijë se Zoti ia fal të gjitha mëkatet e kaluara dhe të ardhshme, e çliron nga zjarri dhe e vendos në parajsë.” (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.356)
3. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:
Pesë janë themelet e Islamit: namazi, zeqati, haxhxhi, agjërimi dhe udhëheqësia e Ehl-i Bejtit (velajeti). (El-Kafi, vëll.4, fq.62)
4. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Zoti e ka bërë një detyrim agjërimin, që i pasuri dhe i varfëri të jenë të barabartë. Sepse i pasuri kurrë nuk e shijon urinë, që të mund t`i dhimbsen të varfërit. Ai është i pasur dhe mund të ketë gjithë ç`dëshiron. Gjatë Ramazanit, Zoti e sjell në një nivel të njejtë të pasurin dhe të varfërin, që i pasuri të mund ta shijojë urinë dhe të jetë i mëshirshëm ndaj të varfërve. (Men le jedh`hurul fakih, vëll.2, fq.49)
5. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Zoti e bëri detyrim agjërimin, që të mund ta sprovonte bindjen e njerëzve. (Nehxh`ul-Belaga, thënia 252)
6. Imam Rizau (pqmt) ka thënë:
Njerëzve u është urdhëruar agjërimi, që të mund ta shijojnë urinë dhe etjen dhe me këtë, ta kujtojnë mjerimin e Ditës së Gjykimit. (Vesail`ush-shia, vëll.4, fq.4)
7. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
Çdo gjë ka një zeqat dhe zeqati i trupit është agjërimi... (El-Kafi, vëll.4, fq.62)
8. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Agjërimi është një mburojë kundër zjarrit të ferrit. (El-Kafi, vëll.4, fq.162)
9. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Agjërimi gjatë ditëve të nxehta është xhihad. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.257)
10. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Agjërimi më i mirë është kur shpirti i njeriut qëndron larg kënaqësive të kësaj bote. (Gurer`ul-Hikem, vëll.1, fq.416)
11. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Agjërim do të thotë të qëndrosh larg mëkateve, njësoj siç rri larg ushqimit dhe pijes. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.294)
12. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Agjërimi i zemrës është më me vlerë se agjërimi i gjuhës dhe agjërimi i gjuhës është më me vlerë se agjërimi i barkut. (Gurer`ul-Hikem, vëll.1, fq.417)
13. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Kur të agjërosh, duhet të agjërojnë edhe veshi, syri, flokët dhe lëkura jote. (El-Kafi, vëll.4, fq.87)
14. Fatima Zehraja (paqja qoftë mbi të) ka thënë:
Ç`dobi ka njeriu prej agjërimit të tij, kur gjuha, veshi, syri e mbarë trupi i tij nuk ruhet nga e liga? (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.295)
15. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:
Nuk ka vlerë agjërimi i një njeriu që rebelohet kundër Imamit (të caktuar nga Zoti), i një robi të ikur derisa nuk kthehet tek i zoti dhe i një gruaje që tregon mosbindje ndaj të shoqit, derisa të mos pendohet. Nuk ka vlerë as agjërimi i një fëmije, që nuk u bindet prindërve të tij dhe nuk sillet mirë me ta. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.295)
16. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Ka aq shumë njerëz, të cilët s`kanë kurrfarë përfitimi nga agjërimi i tyre, përveç urisë dhe etjes. Dhe aq shumë njerëz ka që ngrihen netëve për adhurim e s`përfitojnë tjetër prej kësaj, veçse lodhje dhe pagjumësi. (Nehxh`ul-Belaga, thënia 145)
17. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:
Çdo gjë ka një pranverë të vetën. Pranvera e Kur`anit është Ramazani. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.386)
18. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
Lum për ata që e durojnë për hir të Zotit etjen dhe urinë! Të tillët janë ata që do të ngopen në Ditën e Gjykimit. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.299)
19. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Nëse një njeri agjëron një ditë për hir të Zotit dhe rri heshtur, Zoti i emëron një ëngjëll, i cili ia përkëdhel fytyrën dhe i jep sihariqe. (El-Kafi, vëll.4, fq.64)
20. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Ka dy lumturi për atë që agjëron: njëra është në kohë të iftarit dhe tjetra kur t`i kthehet Zotit të tij. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.290; Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.251)
21. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Parajsa ka një derë të quajtur “Rajjan”. Nëpër të kalojnë vetëm ata që kanë agjëruar. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.295; Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.252)
22. Imam Musa (pqmt) ka thënë:
Në kohë të iftarit, pranohet lutja e një personi që ka agjëruar. (Bihar`ul-Enver, vëll.95, fq.225)
23. I Dërguari i Zotit (pqmt) ka thënë:
Dimri është pranvera e besimtarit. Netët e tija të gjata i shfrytëzon për adhurim dhe ditët e tija të shkurtra për të agjëruar. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.302; Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.249)
24. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Zoti ka thënë: “Kushdo që bën një të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj”. Andaj është me vlerë të agjërohet nga tri ditë në çdo muaj. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.313)
25. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) përcjell:
I Dërguari i Zotit (pqmtmft), kur dëgjoi se një grua, duke agjëruar e kishte sharë shërbetoren e saj, kërkoi të sillnin ushqim dhe i tha gruas që të hante. Ajo iu përgjigj se ishte duke agjëruar. Por i Dërguari ia ktheu: “Si mund të jesh akoma duke agjëruar kur e ke sharë shërbetoren tënde? Agjërimi nuk është thjesht të qëndrosh larg ushqimit dhe pijes por të rrish larg nga veprat e liga dhe nga fjalët e pahijshme. Sa të paktë janë ata që vërtet agjërojnë dhe sa të shumtë ata që kot mbeten pa bukë. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.293)
26. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Kushdo që i jep iftar një njeriu që ka agjëruar, fiton shpërblim aq sa ka fituar ai. (El-Kafi, vëll.4, fq.68)
27. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Agjërimi i trupit është që në mënyrë të vetëdijshme të qëndrojë larg ushqimeve, duke e patur frikë dënimin dhe duke shpresuar në shpërblimin e Zotit. Kurse agjërimi i shpirtit është që shqisat të mbahen larg gjërave të ndaluara dhe zemra të jetë e pastër nga mendimet e liga. (Mizan`ul-Hikmeh, vëll.5, fq.471)
28. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Kushdo që, pa patur arsyetim, e prish agjërimin e Ramazanit, qoftë edhe për një ditë, e largon nga vetja shpirtin e besimit. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.181; Bihar`ul-Enver, vëll.97, fq.272)
29. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
Agjëroni që të jeni të shëndetshëm! (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.255)
30. Imam Aliu (pqmt) ka thënë:
Agjërimi është njëri nga dy shëndetet. (Gurer`ul-Hikem)
31. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Dyert e qiejve hapen në ditën e parë të Ramazanit dhe nuk mbyllen deri në ditën e fundit të tij. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.344)
32. I Dërguari i Zotit (pqmtmft) ka thënë:
Sikur robërit e Zotit të dinin se ç`është vërtet Ramazani, do të dëshironin që i gjithë viti të ishte Ramazan. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.346)
33. Imam Rizau (pqmt) ka thënë:
Ai që në Ramazan lexon një varg nga Kur`ani, shpërblehet si ai që e ka lexuar gjithë Kur`anin në ndonjë muaj tjetër. (Bihar`ul-Enver, vëll.96, fq.341)
34. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Një vepër e bukur, e kryer në natën e Kadrit, ka më shumë vlerë se njëmijë të mira të kryera në një muaj ku s`gjendet kjo natë. (Vesail`ush-shia, vëll.7, fq.256)
35. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Përsosmëria e agjërimit varet nga dhënia e zeqatit të fitrit, njësoj siç varet përsosmëria e namazit nga salavati i dërguar Muhammedit (pqmtmft). (Vesail`ush-shia, vëll.6, fq.221)
36. Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:
Në ditën e parë të muajit Shevval (dita e Fitër Bajramit), një thirrës thërret: “O besimtarë! Ejani herët në mëngjes për t`i marrë shpërblimet tuaja!” O Xhabir! Shpërblimet e Zotit nuk janë si shpërblimet e mbretërve. Dhe vërtet Fitër Bajrami është dita e shpërblimeve. (Men le jedh`hurul fakih, vëll.1, fq.551)
37. Imam Xhaferi (pqmt) përcjell:
Një ditë i Dërguari i Zotit (pqmtmft) pyeti: “Cili nga ju i kalon me agjërim të gjitha ditët e tija?”
“Unë”, tha Selman Farisiu (Persiani).
I Dërguari: “Dhe cili nga ju e kalon çdo natë në adhurim?”
“Unë, o i Dërguari i Zotit!”,thirri sërish Selmani.
Pastaj i Dërguari pyeti sërish: “Cili nga ju e lexon përditë gjithë Kur`anin?”
Selmani u ngrit prapë: “Unë o i Dërguar!”
Njërit i pengoi kjo gjë dhe tha: “O i Dërguar! Selmani është nga persët dhe tani kërkon të mburret para Kurejshit. Ju pyetët se cili nga ne kishte agjëruar çdo ditë dhe Selmani tha se ai kish` agjëruar. Por ai ha bukë çdo ditë. Ju pyetët se cili bën adhurim çdo natë dhe sërish ai u paraqit. Por unë e kam parë se ai fle në të shumtën e netëve. Ju pastaj pyetët se cili e lexon përditë gjithë Kur`anin dhe ai sërish tha se bënte një gjë të tillë. Por ai hesht në një pjesë të madhe të ditës.”
I Dërguari (pqmtmft) u përgjigj: “Hesht o njeri! Unë jam për ju si Llukmani i urtë. Por ti pyete Selmanin dhe ai ka për të të treguar!”
Pastaj ky i njejti iu drejtua Selmanit: “O Ebu Abdullah (nofka e Selmanit)! Mos vallë mendon se çdo ditë e kalon me agjërim?”
“Po”, iu përgjigj Selmani.
“Por unë kam parë se ti ha ushqim në të shumtën e ditëve”, tha sërish njeriu.
Selmani u përgjigj: “Nuk është ashtu si mendon ti. Unë agjëroj tri ditë në çdo muaj dhe Zoti thotë Kushdo që bën një të mirë, do të shpërblehet me dhjetëfishin e saj (Kur`an 6:160). Pastaj në agjërim, unë e bashkoj muajin Sha`ban me Ramazanin. Kjo është arsyeja përse them se agjëroj përditë.”
“Dhe ti thua edhe se çdo natë e kalon me adhurim.”, tha prapë njeriu.
“Po”, u përgjigj Selmani.
Njeriu tha: “Por ti fle në pjesën më të madhe të netëve.”
Selmani u përgjigj: “Nuk është ashtu si mendon ti. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e dashur të thotë se ai që fle me abdest, është sikur ta ketë kaluar gjithë natën duke bërë adhurim. Dhe unë çdo natë fle me abdest.”1
“Dhe thua se përditë e lexon gjithë Kur`anin.”, vazhdoi njeriu.
“Po”, tha sërish Selmani.
“Por ti rri heshtur në pjesën më të madhe të ditës”, i tha njeriu.
Selmani u përgjigj: “Sërish nuk është ashtu si mendon ti. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin t`i thotë Aliut: O babai i Hasanit! Shembulli yt është si shembulli i kapitullit “Ihlas” të Kur`anit. Kushdo që e lexon atë njëherë, e ka lexuar një të tretën e Kur`anit. Kushdo që e lexon dy herë, i ka lexuar dy të tretat e Kur`anit dhe kushdo që e lexon tri herë, e ka lexuar Kur`anin të tërë.
Pastaj i Dërguari vazhdoi: “O Ali! Kushdo që të do me gjuhën e tij, e ka shpëtuar një të tretën e besimit të vet. Kushdo që të do të me gjuhë e me zemër dhe të ndihmon me dorën e tij, e ka shpëtuar gjithë besimin. O Ali! Betohem në Zotin që më ka zgjedhur si të dërguar, se sikur banorët e tokës të të donin ashtu si të duan banorët e qiejve, askush s`do të dënohej me zjarrin e ferrit.”
Si përfundim, Selmani tha: “Unë përditë e lexoj tri herë kapitullin “Ihlas” të Kur`anit.” Pas kësaj, njeriu heshti dhe u ngrit në këmbë për t`u larguar. (Bihar`ul-Enver, vëll.76, fq.181)
38. Imam Rizau (pqmt) ka thënë:
Është një vepër e pëlqyeshme (mustehap) që të agjërosh tri ditë të çdo muaji, nga një në secilin dhjetëditësh. Në dhjetë ditët e para, agjëro ditën e enjte, në dhjetë ditët e dyta, të mërkurën dhe në dhjetë ditët e treta, sërish të enjten. (Tuhef`ul-Ukul, fq.871)
39. Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:
Ramazani është muaji i Zotit. Andaj, gjatë Ramazanit thoni shpesh dhikret “La ilahe il`lallah”(=S`ka zot tjetër veç Zotit), “Allahu Ekber”(=Zoti është më i madhi), “Elhamdulil`lah” (=Lavdia i takon Zotit) dhe “Subhanallah” (=i pastër nga të metat është Zoti). Dhe dijeni se Ramazani është pranvera e të varfërve! (Vesail`ush-shia, vëll.10, fq.318)
1: I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kushdo që merr abdest para gjumit dhe vdes atë natë, konsiderohet dëshmor pranë Zotit.” (Bihar`ul-Enver, vëll.76, fq.183)
përzgjedhur nga: Fahrettin Altan