Libri mbi Njëshmërinë e Zotit (pjesa e parë)
Muhammed ibn Jakub el Kulejni
03.05.2010

PËRMBAJTJA:
Kapitulli 1 - Mbi faktin se universi është i krijuar dhe mbi dëshmitë në lidhje me Krijuesin

Kapitulli 2 - A mund Zoti të konsiderohet një ′′gjë′′?
Kapitulli 3 - Zoti mund të njihet vetëm nëpërmjet Vetes së Tij 
Kapitulli 4 - Niveli i obligueshëm i njohjes së Zotit për një besimtar
Kapitulli 5 - I Adhuruari
Kapitulli 6 - Mbi ekzistencën dhe hapësirën
Kapitulli 7 - Përshkrimi i Zotit
Kapitulli 8 - Ndalesa e të folurit në lidhje me Esencën e Zotit


Libri mbi Njëshmërinë e Zotitmarrë nga përmbledhja “Usul al Kafi“


Kapitulli 1


Mbi faktin se universi është i krijuar dhe mbi dëshmitë në lidhje me Krjuesin


1. Përcjell Hisham ibn Hakemi:


Në Egjipt jetonte një ateist, i cili i kishte dëgjuar fjalët e Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të). Për të diskutuar me të, ky njeri erdhi nga Egjipti në Medine por atje s’e gjeti Imamin, i cili kishte shkuar në Mekke. Njeriu u nis drejt Mekkes.
Ne ishim me Imam Xhaferin (pqmt) dhe po bënim tavaf rreth Qabes, kur u takuam me të. Ai quhej Abdu’l-Melik dhe njihej me nofkën Ebu Abdullah. Teksa ecte u përplas qëllimisht me Imam Xhaferin (pqmt) dhe ky e pyeti:
“Si quhesh?”
“Abdu’l-Melik (Robi i Sunduesit)”, ia ktheu tjetri.
“Si e ke nofkën?”
“Ebu Abdullah (Babai i robit të Zotit) më thonë”, u përgjigj njeriu.
Imami pastaj e pyeti: “Kush na qenka ky sundues, rob i të cilit je ti? A është një sundues tokësor ose një sundues i qiellit? Ose më thuaj, ky djali yt, a është rob i një zoti tokësor ose i një zoti të qiejve? Thuaj ç’të duash tani dhe do të marrësh përgjigje!”
Unë e pyeta: “Përse s’përgjigjesh?”
Njeriu ma ktheu: “Nuk më duket e hijshme të flas në praninë e tij, pa marrë leje.”
“Eja tek ne kur ta kemi përfunduar tavafin!”, i tha Imam Xhaferi (pqmt).


Kur Imami e përfundoi tavafin, njeriu erdhi përsëri, teksa të gjithë rrinim ulur përreth Imamit. Ai u ul përbri Imam Xhaferit (pqmt) dhe ky i fundit e pyeti:


“A e di ti se toka ka një faqe të sipërme dhe një shtresë të nëndheshme?”
“Po!, ia ktheu njeriu.“E di.”
“A ke qenë ndonjëherë nën tokë?”, e pyeti sërish Imami.
“Jo”, tha njeriu.
“A e di se ç’ka nën tokë?”
“Nuk e di! Por pandeh se s’duhet të ketë asgjë.”
“Pandehja është shenja e dobësisë së njeriut, në rastet kur s’ka njohuri të sigurt”, tha Imami dhe vazhdoi: “Je ngjitur në qiej ndonjëherë?”
“Jo”, tha njeriu.
“A e di se ç’ka në qiej?” , pyeti sërish Imami.
“Nuk e di”, u përgjigj prapë njeriu.
Pas kësaj, Imami tha: “Vërtet habitem me ty! S’ke qenë në lindje, s’ke arritur në perëndim, s’ke zbritur nën tokë, s’je ngjitur në qiej ndonjëherë, s’i ke kaluar kufijtë e qiellit dhe nuk e di se ç’ka përtej tij. Por prapë i mohon të gjitha këto. A e mohon vallë njeriu i mençur, një gjë, për të cilën s’ka fare njohuri?”
“Askush s’më ka folur kështu”, tha njeriu.
“Dhe ti prapëseprapë dyshon në këto gjëra. Herë thua se mund të jetë kështu, herë thua se s’është.”
“Mund të jetë ashtu”, tha njeriu.


Imam Xhaferi vazhdoi:


“O njeri! Dije se një injorant s’mund të ketë dëshmi përballë një njeriu të ditur. O vëllai i egjiptasve! Më dëgjo me kujdes dhe kuptoi mirë fjalët e mia sepse ne kurrë s’kemi rënë në dyshim për Zotin. A nuk e sheh diellin e hënën dhe ditën e natën, që ndërrojnë vend, fare pa u gabuar? Ata janë të detyruar t’i binden një vullneti dhe nuk kanë rrugë tjetër veç shtegut të caktuar për ta. Sikur të mund të largoheshin, përse të mos e bënin këtë? Sikur të mos ishin të detyruar t’i binden një vullneti të caktuar, përse të kthehet nata në ditë e dita në natë? Por janë të detyruar... Betohem në Zotin, se ajo forcë që i detyron të lëvizin në një shteg të caktuar është më e fuqishme dhe më e madhe se ata vetë!”
“Bukur e the.”, ia ktheu njeriu.
Pastaj Imami tha: “O vëllai i egjiptasve! Nëse vërtet është “dehri” (koha), ai që i merr njerëzit, përse nuk i kthen prapa? Nëse vërtet i sjell “dehri”, përse nuk i merr sërish me vete? O vëlla i egjiptasve! Gjithkush i bindet një vullneti. Qielli është ngritur dhe toka është shtruar. Përse s’bie qielli mbi tokën? Përse s’përzihen shtresat e qiellit dhe përse kurrë nuk përplasen qiejt me tokën? Përse nuk përzihen gjërat që janë mbi tokë?”
“Sepse Zoti i tyre i mban.”
Kështu, pra, ky mohues u bë besimtar nëpërmjet Imam Xhaferit (pqmt). Humrani i tha: “T’u bëfsha kurban! Njësoj siç besuan idhujtarët nëpërmjet babait tënd, edhe mohuesit po besojnë nëpërmjet teje.”
Njeriu që u bë besimtar, kërkoi të bëhej nxënës i Imamit. Imami tha: “O Hisham! Merre këtë dhe arsimoje!” Pas kësaj, Hisham bin Hakemi, “mësuesi i egjiptasve”, ia mësoi Islamin këtij njeriu, i cili që atë ditë, pati një besim të pastër.


2. Ahmed bin Muhsin el-Mijsemiu përcjell se një ditë, teksa ishte pranë Ebu Mensur el-Mutatabbibit, ky i fundit i përcolli një rast, që e kishte dëgjuar nga një shoku i tij. Shoku i tij i kishte thënë:


Një ditë, unë, Ibn Ebu’l Avxha dhe Abdullah bin Mukaffa ishim në Xhaminë e Shenjtë. Ibn Mukaffaja, duke bërë shenjë drejt njerëzve, që po bënin tavaf rreth Qabes, tha: “Pa shiheni njëherë këtë turmë njerëzish! Asnjëri prej tyre nuk meriton të quhet njeri, përveç këtij plaku (duke nënkuptuar Imam Xhaferin). Të tjerët s’dallojnë nga kërmat e nga kopeja e bagëtive.”
Ibn Ebu’l-Avxha pyeti: “Në çfarë mbështetesh kur thua se vetëm ky plak meriton të quhet njeri dhe asnjë tjetër prej tyre?”
“Tek ai kam parë virtyte, që s’i ka asnjëri prej tyre.”, i tha Ibn Mukaffaja.
“Po të jetë ashtu siç thua ti”, ia ktheu tjetri, “atëherë duhet domosdo ta sprovojmë për të kuptuar.”
“Mos!”, i tha Ibn Mukaffaja, “Kam frikë se ta turbullon mendjen.”
Tjetri ia ktheu: “Nuk është kjo frika jote. Nga respekti i madh që ke për atë njeri, ke frikë se vlera ime në syrin tënd do të bjerrë.”
“Mbasi mendon ashtu, atëherë shko!”, i tha Ibn Mufakkaja. “Por ki kujdes të mos thuash ndonjë gjë gabim! Mos i lër frerët në duart e tij se po bëre kështu, do mbetesh duarlidhur. Andaj dije mirë se ç’përkrah dhe ç’kundërshton!”


Ibn Ebu’l Avxha u ngrit dhe shkoi, kurse unë dhe Ibn Mukaffa mbetëm aty ku ishim. Pas një kohë, ai u kthye prapë dhe tha:


“Të marrtë e liga o Ibn Mukaffa! Ky person s’është një njeri. Nëse shpirtrat vërtet jetojnë në një trup, shfaqen kur të duan e zhduken kur të kenë dëshirë, atëherë ky njeri është një prej tyre.”
“Po përse thua kështu?”, e pyeti Ibn Mukaffaja.
Tjetri filloi të rrëfente:
U ula pranë tij. Kur nuk mbeti askush tjetër veç meje, ai filloi të fliste i pari dhe më tha: “Nëse këta (duke bërë shenjë drejt njerëzve që bënin tavaf) kanë të drejtë, atëherë ata shpëtuan kurse ju u shkatërruat. Dhe sikur ju të keni të drejtë, atëherë ju dhe ata jeni në gjendje të njejtë.”
Unë thashë: “Zoti të mëshiroftë! Ç’themi ne e ç’thonë ata? A nuk e themi të gjithë të njejtën gjë?”
Ma ktheu: “Si mund të thuash se të dy e thoni të njejtën? Ata besojnë se do të ringjallen pasi të kenë vdekur, besojnë se ka një jetë të amshueshme pas kësaj bote, besojnë se ekziston virtyti dhe mëkati, besojnë se ka një Perëndi në qiej dhe se qiejt nuk janë të zbrazur. Kurse ju, mendoni se në qiej nuk ka asgjë.”
E shfrytëzova këtë rast dhe i thashë: “Sikur të jetë ashtu siç thonë ata, përse ky Zot nuk del para njerëzve që i ka krijuar dhe nuk i fton të gjithë që ta adhurojnë?Sikur të bënte kështu, nuk do të kishte fare mosmarrëveshje mes njerëzve. Përse ky Zot fshihet dhe e ndjen të nevojshme të dërgojë profetë? A nuk do të kishte më shumë ndikim në besimin e njerëzve, sikur Ai të shfaqej vetë?”
U përgjigj: “Turp të kesh! Si mund të thuash se është i fshehur Ai, i cili ta ka shfaqur qartë fuqinë e vet në ekzistencën tënde?A nuk e sheh se si erdhe në jetë, ndonse s’ishe asgjë më parë? A nuk e sheh se si rritesh pas fëmijërisë e si të zvogëlohet prapë trupi pasi të jesh rritur? Si fuqizohesh pas dobësisë, si dobësohesh pas fuqisë, si sëmuresh pas shëndetit dhe si shërohesh pas sëmundjes. A nuk e sheh se si qetësohesh pas zemërimit, si zemërohesh pas qetësimit, si pikëllohesh pas haresë dhe si gëzohesh pas pikëllimit? A nuk e sheh se si dashuron pas urrejtjes, si urren pas dashurisë, si dyshon pas të qenit i vendosur dhe si bëhesh i vendosur pas dyshimit? A nuk e sheh si të ngjallen dëshirat pasi t’i kesh humbur ato dhe si i humb pastaj, pasi të kesh dëshiruar? A nuk sheh si bëhesh plot shpresë pasi ta kesh humbur shpresën dhe si mbetesh i pashpresë pasi ta kesh patur atë? A nuk sheh se si të kujtohet diçka që s’e ke patur në mendje dhe e harron diçka, që e ke ditur më parë?”
Vazhdoi t’i numëronte dëshmitë e fuqisë së Zotit në veten time dhe unë s’e mohoja dot asnjërën. Pas pak, pata frikë se do më mundte në këtë diskutim.


Sërish nga burimi i njejtë, përcillet se ky njeri erdhi edhe një ditë tjetër tek Imam Xhaferi (pqmt) dhe ndenji i heshtur pranë tij.


Imami i tha: “Më duket se ke ardhur për ta vazhduar diskutimin tonë të kaluar.”
“Për këtë kam ardhur, o djali i të Dërguarit”, ia ktheu ai.
Imami e pyeti: “Ç’është ajo që s’të lejon të flasësh i qetë me mua?”
Ai tha: “Para madhështisë tënde nuk më lëviz gjuha dhe nuk flas dot. Unë deri sot kam parë shumë dijetarë, kam diskutuar me shumë teozofë dhe asnjëri s’ka ngjallur tek unë një respekt të tillë.”
“Gjëra që ndodhin”, ia ktheu shkurt Imami dhe vazhdoi: “Të të pyes tani diçka dhe ti përgjigju! A je ti i krijuar ose jo?”
Njeriu u përgjigj menjëherë: “Jo, unë nuk jam krijuar nga askush..”
“Atëherë më thuaj!”, vazhdoi Imami. “Si do të ishe ti, sikur të të kishte krijuar dikush?”
Njeriu nuk mundi të përgjigjej për një kohë të gjatë dhe mbeti pa fjalë. Pastaj, ndërsa luante me një shkop që kishte në dorë, filloi të fliste:
“Gjërat e krijuara mund të jenë të gjata, të gjera, të thella, të shkurta, të lëvizshme ose të palëvizshme. Të gjitha këto cilësi tregojnë se një gjë është e krijuar.”
Imami tha: “Nëse nuk di ndonjë cilësi tjetër në lidhje me gjërat e krijuara, atëherë duhet të pranosh se edhe vetë je një gjë e krijuar, sepse edhe ti i ke këto cilësi.”
Njeriu u përgjigj: “Ti më parashtrove një pyetje, që asnjeri para teje s’ma kishte parashtruar dhe asnjeri nuk ka për të ma parashtruar më pas.”


Pas këtyre fjalëve, Imam Xhaferi (pqmt) vazhdoi:


“Të themi se ti e di që askush s’të ka parashtruar një pyetje të ngjashme. Por nga e di se askush tjetër nuk ka për të ta parashtruar një pyetje të këtillë në të ardhmen? Ti bie ndesh me fjalët e tua o Abdulkerim. Sepse ti thua se gjërat ekzistojnë pa pësuar ndryshim. Në është kështu, si mund të thuash se diçka ka ndodhur më parë dhe një gjë tjetër më pas?
Të të shpjegoj edhe pak o Abdulkerim. Të themi se ti ke një qese të mbushur me xhevahirë. Vjen një njeri dhe të pyet, në ke dinarë në qesen tënde. Ti i thua se nuk ke. Pastaj ai të kërkon që t’ia përshkruash dinarin, kurse ti nuk ke ndonjë njohuri për të dhe nuk e di se ç’është dinari. Atëherë a do të mund ta mohosh ekzistencën e mundshme të dinarëve në qese?”
“Jo!”, ia ktheu njeriu.
Më pas, Imam Xhaferi (pqmt) tha: “Universi është shumë më i madh dhe më i gjerë se një qese. Në të mund të ketë krijesa të tilla, për të cilat ti mbase nuk ke asnjë njohuri, sepse ti nuk mund ta përshkruash një krijesë, pa e parë atë.”


Abdu’l-Kerimi mbeti i pafjalë. Pas kësaj bisede, disa prej miqve të tij u bënë muslimanë kurse disa të tjerë, bashkë me të, vazhduan me mendimet e tyre të mëparshme. Një ditë tjetër ai erdhi sërish dhe tha:


“Dua të të parashtroj një pyetje.”
“Pyet ç’të duash!”, i tha Imam Xhaferi (pqmt).
Tjetri pyeti: “Ç’është dëshmia e faktit se gjërat janë të krijuara më pas (dhe se nuk kanë ekzistuar përjetësisht)?”
Imami u përgjigj: “Kur një gjëje, që sheh përreth, t’i shtohet një gjë e njejtë, e llojit të vet, gjëja e parë do të bëhet më e madhe. Ky është një ndryshim i gjendjes dhe dallim nga gjendja e mëparshme. Sikur një gjë të ishte pa fillim, atëherë nuk do të prishej dhe nuk do të ndryshonte gjendje. Sepse një gjë, që të mund të ndryshojë, duhet së pari të ekzistojë dhe ekzistenca e saj të marrë fund, në formën që ka qenë. Kur ajo e humb gjendjen e saj të mëparshme dhe krijohet përsëri në një gjendje tjetër (dmth. ndryshon), ne kuptojmë se ajo është nga gjërat e krijuara më pas. Në të njejtën mënyrë kuptojmë se, para se të krijohej, kjo gjë i takonte botës së mosekzistencës. Të qenit pa fillim dhe mosqenia ose të qenit pa fillim dhe krijimi i mëpasëm, nuk mund të gjenden ne një vend.”
Me të dëgjuar këtë, Abdu’l-Meliku tha: “Të pranojmë, pra, siç the ti, se ndryshimi në madhësi është një dëshmi e asaj se këto gjëra janë të krijuara. Po sikur një gjë të mos ndryshojë madhësi kur t’i shtohet diçka? Si do të vërtetosh atëherë se kjo gjë është e krijuar?”
Imami u përgjigj: “Tani po flasim për këtë univers që ekziston. Sikur këtë univers ta heqim dhe në vend të tij, të vendosim një univers tjetër, kjo gjë vetëm sa dëshmon se ky univers, i cili zëvendësohet me një tjetër, është një gjë e krijuar. Megjithatë, unë do të përgjigjem me atë metodë, me të cilën ti dëshiron të më heshtësh.
Sikur një krijesë të jetë vazhdimisht e vogël, në mendjen e njeriut krijohet kjo përshtypje: “Sikur një gjë t’i shtohet një gjëje të njejtë të llojit të vet, ajo bëhet më e madhe.” Në çastin kur mendja jonë arrin të perceptojë ndryshim në vëllimin e një gjëje, ajo pushon së qeni në kategorinë e sendeve, të cilat ekzistojnë pa fillim dhe vendoset në kategorinë e gjërave të krijuara, të cilat pësojnë ndryshim. Nuk ka rrugëdalje tjetër për ty o Abdu’l-Kerim.”
Pas kësaj përgjigjeje, njeriu i ndërpreu diskutimet dhe e uli kokën i turpëruar. Vitin e ardhshëm, përsëri u takuan me të në Qabe. Disa nga ndjekësit e Imamit thanë se ishte bërë musliman por Imami ua ktheu: “Ai është i verbër dhe s’bëhet dot musliman.”
Kur u takua prapë me Imam Xhaferin (pqmt), i tha: “Urdhëro miku im!”
Imami e pyeti: “Përse ke ardhur?”
“Erdha për shkak të traditave dhe për shkakun se më ka mbetur shprehi ardhja këtu”, i tha Abdu’l-Kerimi dhe vazhdoi: “Por desha ta shoh edhe çmendurinë e këtyre njerëzve, të shoh se si e rruajnë kokën dhe si hedhin gurë.”
“Ti akoma vazhdon me inatin dhe devijimin tënd të vjetër.”, i tha Imami dhe Abdu’l Kerimi u largua duke përshpëritur diçka. Pastaj Imami tha: “Nuk është e lejuar të zihesh me dikë gjatë haxhxhit.”
Pastaj, pasi e shkundi gunën e tij, vazhdoi: “Në është ashtu si thua ti, që s’mund të jetë, edhe ti edhe ne kemi shpëtuar. Por në është ashtu siç themi ne, e ashtu është, atëherë ne shpëtuam dhe ti u shkatërrove.”
Pas kësaj, Abdu’l-Kerimi u tha njerëzve rreth tij: “Po ndjej një dhimbje në zemër. Më ktheni prapa!” Teksa njerëzit e largonin nga ai vend, Abdu’l-Kerimi vdiq.


3. Përcjell Muhammed bin Abdullah el-Horasaniu:


Një ditë, teksa pranë Imam Rizait (paqja qoftë mbi të) ishte një grup njerëzish, erdhi një ateist. Imami i tha: “O njeri! Në është e vërteta ashtu si thoni ju, që nuk është, atëherë ne dhe ju do të ishim në një gjendje të njejtë. Në këtë rast, namazi që falim, agjërimi ynë, zeqati dhe besimi që kemi, nuk na bëjnë ndonjë dëm.”
Njeriu heshti. Imam Rizai (pqmt) vazhdoi: “Por sikur e vërteta të jetë ashtu si themi ne, atëherë ju do të shkatërroheni dhe ne kemi shpëtuar.”
Pastaj njeriu foli: “Zoti të mëshiroftë! Më thuaj si dhe ku gjendet Zoti!”
“I mjeri ti”, tha Imami. “Është e gabuar rruga jote. Është Zoti që e bën hapësirën hapësirë, pa qenë vetë i kufizuar brenda hapësirës. Është Ai që e bën mënyrën mënyrë, pa qenë vetë i kufizuar në mënyra të caktuara. Ai nuk mund të përcaktohet me “si?” dhe “ku?”, nuk mund të perceptohet me shqisa dhe nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.”
Njeriu ia ktheu: “Mbasi nuk mund të perceptohet nga shqisat, a do thotë se Ai s’është asgjë?”
“Turp të kesh!”, vazhdoi Imami. “A e mohon vallë faktin se ai është Zot, vetëm sepse nuk mund ta perceptosh me shqisa? Kurse kur shqisat tona nuk arritën ta perceptonin Atë, për dallim prej teje, ne u bindëm se Ai është Zoti ynë dhe se nuk i ngjan asgjëje.”
“Atëherë më thuaj prej kur ekziston Zoti!”, tha njeriu.
Imami ia ktheu: “Ti më thuaj njëherë deri kur nuk ka ekzistuar Ai, që unë të të them prej kur ka filluar të ekzistojë...”
Njeriu pyeti: “Ç’është dëshmia juaj për ekzistencën e tij?”
Imami u përgjigj: “Kur e vështroj trupin tim, e shoh se nuk jam i aftë t’i shtoj asgjë ose të heq diçka prej tij. Nuk jam i aftë t’i parandaloj të këqijat që mund ta gjejnë dhe as t’i sjell të mira. Atëherë e kuptoj se kjo krijesë ka një mjeshtër dhe e pranoj ekzistencën e këtij mjeshtri. Përveç kësaj, i kam vëzhguar edhe trupat qiellorë, që lëvizin me fuqinë e Tij, e kam parë krijimin e reve, lëvizjen e erërave, lëvizjen e diellit, të hënës dhe të yjve në orbitat e tyre dhe shumë gjëra të tjera, që veprojnë në mënyrë shumë të përpiktë. Të gjitha këto janë dëshmi të qarta, që e mahnisin njeriun. Pastaj e kuptova se duhet të ketë një fuqi që i planifikon dhe i krijon këto gjëra...”


4. Një ditë, Abdullah ed-Dejesaniu e pyeti Hisham bin Hakemin:


“A ke ti një zot?”
“Po”, ia ktheu Hishami.
“Pa më thuaj”, vazhdoi Abdullahu. “A është i fuqishëm ky Zoti ty?”
“Po është i fuqishëm”, u përgjigj Hishami. “Ai është më i fuqishmi.”
Pastaj Abdullahu tha: “Mbasi qenka aq i fuqishëm, a mund ky Zoti yt ta vendosë gjithë botën në një vezë, pa e rritur vezën dhe pa e zvogëluar botën?”
Hishami i kërkoi kohë për ta gjetur përgjigjen. “Po të jap një vit të tërë.”, u përgjigj Abdullahu dhe u largua. Hishami i hipi kafshës së tij dhe u nis drejt e tek Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të). Kërkoi leje për të hyrë brenda dhe Imami i lejoi.
Hishami e pyeti: “O djali i të Dërguarit! Abdullah ed-Dejesaniu më parashtroi një pyetje të tillë, përgjigjen e të cilës s’mund ta gjej dot pa ndihmën e Zotit dhe pa ndihmën tënde.”
“Ç’të pyeti?”, tha Imami dhe Hishami ia tregoi pyetjen e Abdullahut. Pastaj Imami tha:
“O Hisham! Sa shqisa i ke ti?”
“Pesë shqisa i kam”, u përgjigj tjetri.
“Cila është më e vogla prej tyre”, pyeti Imami sërish.
“Shqisa e të parit (syri)”, ia ktheu Hishami.
“A më thua, sa është madhësia e saj?”, tha Imam Xhaferi (pqmt).
“Sa një kokë thjerrëze”, u përgjigj tjetri. “Mbase edhe më e vogël se kaq.”
Imami atëherë i tha: “Tani hidh një vështrim para vetes e një vështrim lartë dhe më thuaj se ç’sheh!”
“E shoh qiellin.” tha Hishami dhe vazhdoi: “e shoh tokën, i shoh shtëpitë, malet e lumejtë.”
Imami ia ktheu: “Ai Zot, që është i fuqishëm t’i vendosë të gjithë këto gjëra në atë syrin tënd, më të vogël se një kokë thjerrëze, është i fuqishëm ta vendosë edhe botën në një vezë, pa e rritur vezën e pa e zvogëluar botën.”
Hishami e përqafoi Imamin, ia puthi duart e ballin dhe tha: “Kaq më mjafton mua o djali i të Dërguarit.” Pastaj u kthye në shtëpi. Të nesërmen, Dejesaniu erdhi pranë tij dhe i tha: “Erdha veç të të përshëndes, jo për të marrë përgjigje.”
“Edhe sikur të kishe ardhur për të marrë përgjigje, gati e ke atë.” tha Hishami dhe ia tregoi përgjigjen. Dejesaniu u largua prej atje dhe shkoi në shtëpinë e Imam Xhaferit (pqmt). Kërkoi leje për të hyrë brenda dhe hyri. Me t’u ulur, i tha Imamit: “O Xhafer bin Muhammed! Ma trego Zotin!”
Imam Xhaferi (pqmt) ia ktheu: “Si quhesh ti?”
Ai s’ia tha emrin dhe u ngrit menjëherë për t’u larguar. Shokët e tij e pyetën përse s’ia kishte thënë emrin. Ai u përgjigj: “Sikur t’i thoja se quhem Abdullah (Rob i Zotit), ai do të thoshte:”Kush është ky Zot, rob i të cilit je ti?”
Shokët e tij e këshilluan që të shkonte edhe njëherë dhe t’i kërkonte përgjigje, duke e lutur që të mos e pyeste si quhej. Abdullahu shkoi sërish tek Imami dhe tha: “O Xhafer ibn Muhammed! Ma trego Zotin por mos më pyet si quhem!”
“Ulu!”, i tha Imami. Në ndërkohë, njëri nga fëmijët e Imamit po luante me një vezë. “Ma jep vezën!”, i tha Imami fëmijës dhe fëmija ia zgjati. Duke u kthyer drejt Abdullahut, Imami vazhdoi: “Kjo vezë është si një kështjellë e sigurt. Është e mbështjellur me një lëvore të trashë, nën të cilën ka një cipë më të hollë. Nën cipën e hollë ka një shtresë të lëngshme, bojë argjendi dhe një tjetër pak më të trashë, bojë ari. As pjesa bojë ari nuk përzihet me pjesën bojë argjendi dhe as ajo bojë argjendi nuk përzihet me atë bojë ari. Të dyja vazhdojnë në këtë gjendje të njejtë, pa pësuar ndryshim. Askush s’mund të hyjë brenda vezës për të na treguar në është e mirë dhe askush s’hyn dot brenda për të zbuluar në është e prishur. Askush nuk e di në do të jetë mashkull ose një femër por një ditë, kjo vezë do të bëhet një fazan me pupla të shumëngjyrshme. A thua ka një fuqi që e mendon dhe e krijon gjithë këtë?”
Me të dëgjuar këtë shembull, njeriu e uli kokën për pak kohë dhe pastaj tha: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që është një dhe i pashoq. Dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij dhe se ti je ndër Imamët e zgjedhur nga Zoti dhe njëra nga “Dëshmitë” e tija për njerëzimin. Pendohem për mendimet e mia të kaluara.”


5. Hisham bin Hakemi përcjell se Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) i foli në këtë mënyrë një ateisti:


“Ti pandeh se ka dy forca (në univers), të cilat janë të dyja njësoj të fuqishme, të dyja njësoj të dobëta ose njëra më e fuqishme dhe tjetra më e dobët. Sikur vërtet të ishin të dyja të fuqishme, përse njëra nuk e shkatërron tjetrën, që të sundojë e vetme? Nëse thua se njëra është e fuqishme dhe tjetra jo, atëherë e pranon se e fuqishmja është “një”, ashtu siç themi ne. Në këtë rast, dobësia e forcës së dytë është e qartë.
Nëse thua me ngulm se janë dy forca, atëherë duhet që të dyja të jenë në pajtueshmëri të plotë për gjithçka ose të mos pajtohen për asgjë. Përkundër kësaj, ne shohim se krijesat kanë një rend të caktuar, se trupat qiellorë lëvizin në orbita të caktuara dhe se të gjitha gjërat, i binden një plani të njejtë. Ngase vërejmë se nata, dita, dielli e hëna janë fenomene që realizohen në një sistem të caktuar, përfundojmë se kjo gjë është rezultat i një urdhri dhe planifikimi të caktuar. Kur kuptojmë se ekziston një urdhër dhe një plan i caktuar, domosdo e pranojmë se ai që planifikon, është një dhe i vetëm.
Përveç kësaj, nëse thua se ekzistojnë dy forca, duhet të pranosh se ka një zbrazëtirë, që i ndan të dyja, sepse sikur të mos kishte një ndarje mes tyre, ato do të ishin një tërësi e vetme dhe jo dy gjëra të ndara. Por nëse pranojmë se ka një zbrazëtirë mes tyre, domosdoshmërisht e pranojmë ekzistencën e një gjëje të tretë dhe detyrimisht e rrisim në tre numrin e zotërave. Dhe nëse pranon se janë tre, atëherë na shfaqet prapë problemi i njejtë si më parë. Mes këtyre tri forcave ka nga një zbrazëtirë që i ndan dhe me këtë, detyrimisht duhet të pranojmë se në të vërtetë paska pesë forca. Pastaj kjo gjë vazhdon deri në pakufi...”


Pas këtyre fjalëve, ateisti mundi vetëm të thoshte:


“Nga fjalët e tua e kuptojmë se Zoti është një. Atëherë më thuaj, ç’është dëshmia e ekzistencës së Tij?”
Imami u përgjigj: “Ekzistenca e një veprimi dëshmon se ka një veprues, i cili e realizon atë. Edhe sikur të mos e kesh takuar mjeshtrin, kur të shohësh një godinë të ndërtuar bukur, a nuk do të mendoje se atë domosdo e ka ndërtuar dikush?”
Njeriu pyeti prapë: “Ç’është Ai?”
Imami ia ktheu: “Ai është një gjë, ndryshe nga gjithçka. Ki kujdes kur them se është një “gjë”! Ai është një “gjë”, në kuptimin e të ekzistuarit. Por nuk ka formë dhe s’ka trup. Nuk shihet me sy, nuk preket me duar dhe s’perceptohet dot nga pesë shqisat. Mendjet nuk mund ta kuptojnë Atë. Ai nuk vjetërohet teksa kohët kalojnë dhe këto kohë s’krijojnë tek ai ndryshime.”


6. Ebu Said el-Zuhriu përcjell nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të):


Për ta vërtetuar ekzistencën dhe njëshmërinë e Zotit, njerëzve të mençur u mjaftojnë krijesat që i binden, u mjafton sundimi i parezistueshëm i Zotit, madhështia e Tij, drita e Tij verbuese dhe dëshmitë e Tij të qarta. Atyre u mjaftojnë të vërtetat e shprehura me gjuhët e njerëzve, porositë e përcjellura nga të dërguarit dhe mëshira e falur krijesave.


Kapitulli 2


A mund Zoti të konsiderohet një “gjë”?


1. Përcjell Abdurrahman bin Ebu Nexhrani:


Një ditë po bisedoja me Imam Muhammed Bakirin (paqja qoftë mbi të), në lidhje me njëshmërinë e Zotit dhe e pyeta: “A mund ta mendoj Zotin si një “gjë”?
Imami u përgjigj: “Po! Por si një gjë, e cila s’mund të kufizohet dhe të perceptohet nga mendja e njeriut. Ajo që mund të përkufizohet në mendjen tënde, nuk është Zoti. Si mund ta kuptojnë Atë mendjet, kur Ai është përtej gjërave të kuptueshme për to dhe i ndryshëm nga gjithçka që mund të mendohet?Mund ta mendosh atë vetëm si një “gjë”, që s’mund të kufizohet në asnjë mënyrë.”


2. Husejn bin Saidi përcjell se një ditë, disa njerëz e pyetën Imam Muhammed bin Ali el-Xhevadin (paqja qoftë mbi të):


“A është e lejuar të thuhet se Zoti është një “gjë”?”
Imami u përgjigj: “Është e lejuar, me kusht që ta mbani larg dy llojeve të kufizimit. Në grupin e parë, hyn çdo kufizim, që do ta bënte të pavlefshme Zotësinë e Tij kurse në grupin e dytë, përfshihet çdo kufizim, që do ta shfaqte të ngjashëm me ndonjë krijesë tjetër.”


3. Ebu’l-Megra përcjell nga Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të):


Zoti është ndryshe nga krijesat dhe krijesat janë të ndryshme prej Tij. Gjithçka që mund të quhet një “gjë”, përveç Zotit, është e krijuar nga Ai.


4. Zurare bin A’jen përcjell se Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:


Zoti është ndryshe nga krijesat dhe krijesat janë të ndryshme prej Tij. Gjithçka, përveç Zotit, që mund të emërohet si një “gjë”, është e krijuar nga Zoti. Asgjë s’i shëmbëllen Atij. Është Ai, që sheh e që di gjithçka...(Kur’an 42:11)


5. Përcillet se Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:


Zoti është i ndryshëm nga krijesat dhe krijesat janë të ndryshme nga Zoti. Përveç Zotit, gjithçka që mund të emërohet si një “gjë”, është krijuar prej Tij sepse Ai është krijuesi i gjithçkaje.


6. Hisham bin Hakemi përcjell:


Një ateist e pyeti Imam Xhaferin (pqmt): “Ç’është Zoti?”
Imami u përgjigj: “Ai është një gjë, ndryshe nga gjithçka. Ki kujdes kur them se është një “gjë”! Ai është një “gjë”, në kuptimin e të ekzistuarit. Por nuk ka formë dhe s’ka trup. Nuk shihet me sy, nuk preket me duar dhe s’perceptohet dot nga pesë shqisat. Mendjet nuk mund ta kuptojnë Atë. Ai nuk vjetërohet teksa kohët kalojnë dhe këto kohë s’krijojnë tek Ai ndryshime.”
Njeriu ia ktheu: “Por ju thoni se Zoti mund të shohë dhe të dëgjojë...”
“Po!”, i tha Imami. “Ai dëgjon dhe sheh. Ai dëgjon pa patur nevojë për organe dhe sheh, pa patur nevojë për mjete. Ai dëgjon nëpërmjet Vetes së Tij dhe sheh nëpërmjet Vetvetes. Kur të them se Ai sheh dhe dëgjon nëpërmjet Vetes së Tij, nuk do të thotë se Ai dhe Vetja e Tij janë dy gjëra të ndara. Unë e përdora këtë shprehje që të të përgjigjem me një gjuhë të kuptueshme. Dhe po të them: Në të vërtetë, Ai dëgjon me gjithë Qenien e Tij por kjo s’do të thotë se Qenia e Tij ka pjesë.
Ajo që dua të të them është se Ai dëgjon, sheh dhe di gjithçka, por pa shkaktuar kjo gjë, një ndarje në Qenien e tij dhe në kuptim.”
Njeriu pyeti sërish: “Atëherë ç’është Ai?”
“Ai është Rab(Zot)”, tha Imami. “Ai është i Adhuruari. Ai është Allahu. Kur them Allah ose Rab, nuk mendoj për shkronjat elif, lam dhe ha ose shkronjat ra dhe ba. Unë flas për kuptimin, që e përcellin ato. Domethënë, nënkuptoj një “gjë”, e cila është krijuese e gjithçkaje. Pikërisht ky kuptim, është ajo që emërohet me emrat Allah, Rahman, Rahim, Aziz dhe të ngjashme. Pra, Ai është i Adhuruari.”
Njeriu tha: “Por ne nuk mund t’i kuptojmë, veçse gjërat e krijuara.”
Imami vazhdoi: “Po të ishte ashtu, atëherë nuk do të ishim të obliguar ta dëshmojmë njëshmërinë e Zotit, sepse Zoti nuk obligon me gjëra, që janë përtej aftësisë sonë. Përkundrazi, ajo që themi ne është si vijon:
Gjithçka që mund të perceptohet nga shqisat, që mund të kuptohet, të përkufizohet dhe të konkretizohet nga të njejtat, është një gjë e krijuar. Si e tillë, kjo gjë dëshmon për ekzistencën e një force që e ka krijuar atë. Për një send të tillë, akti i krijimit është i pashmangshëm. Në këtë rast, Krijuesi është i ndarë prej këtij sendi dhe i ndryshëm nga ai. Sikur të ishte i ngjashëm, kjo do të thoshte se Ai është i përbërë nga pjesë të ndryshme, se ka kaluar nga mosekzistenca në ekzistencë, ka lëvizur nga vogëlsia drejt madhësisë, nga e zeza drejt të bardhës dhe nga fuqia drejt dobësisë. Përveç kësaj, mund të numërohen edhe shume cilësi të tjera, të cilat nuk është e nevojshme të përmenden tani.”
Njeriu tha: “Teksa po e vërtetoje ekzistencën e Krijuesit, ti vetë e kufizove Atë.”
Imami ia ktheu: “Nuk e kufizova. Unë vetëm sa e vërtetova ekzistencën e Tij. Ka një hapësirë të madhe ndërmjet të vërtetuarit të diçkaje dhe përgënjeshtrimit të saj.”
Njeriu pyeti prapë: “A ka Zoti një Esencë dhe Cilësi?”
Imami u përgjigj: “Sigurisht. Një gjë nuk mund të vërtetohet po të mos ketë një esencë dhe cilësi.”
Tjetri pyeti: “A mund të parashtrohet pyetja “si?” në lidhje me Zotin?”
Imami tha: “Kjo pyetje s’mund të parashtrohet në lidhje me Zotin sepse ka të bëjë me cilësimin dhe me kufizimet. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e përgjënjeshtrojë Zotin dhe të mos e ngjasojë me të tjerët. Ai që e përgënjeshtron, e mohon Atë, e mohon faktin se është Zot dhe e shpall Atë të pavlefshëm. Ai që e ngjason me një tjetër, e cilëson Zotin me cilësitë e krijesave, të cilat s’janë të denja për pozitën e Tij. Si përfundim, mund të flitet se “si” është Zoti, por duke pranuar se s’ka të barabartë, se nuk mund të përfshihet në asgjë dhe se ekziston në një mënyrë, që askush s’mund ta kuptojë përveç Tij.
Njeriu e pyeti sërish: “A e ndjen Ai mbi vete ngarkesën e krijesave?”
Imami u përgjigj: “Ai është tepër i Lartësuar, që ta ndjejë drejtpërdrejtë ngarkesën, që e shkaktojnë krijesat. Kjo është një cilësi e sendeve të krijuara. Vetëm gjërat e krijuara mund të kenë kontakt me materjen dhe ta ndjejnë ngarkesën dhe peshën e tyre. Kurse Zoti ka një fuqi të pakufishme. Vullneti dhe urdhri i tij janë gjithnjë të vlefshëm. Ai bën gjithçka që dëshiron...”


7. Muhammed ibn Isa përcjell:


Një ditë e pyetën Imam Muhammed Bakirin (pqmt): “A është e lejuar të themi se Zoti është një “gjë”?”
Ai tha: “Është e lejuar të thuhet se Ai është një gjë, që qëndron përtej kufizimeve dhe përgënjeshtrimit.”


Kapitulli 3


Zoti mund të njihet vetëm nëpërmjet Vetes së Tij


1. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) përcjell se Imam Aliu (pqmt) ka thënë:


Zotin njiheni nëpërmjet Zotit, të Dërguarin sipas porosisë së tij dhe prijësit e drejtë, sipas asaj sa e urdhërojnë të mirën dhe sa janë të drejtë e bamirës.


Komenti i autorit të veprës, Muhammed ibn Jakub el Kulejni:


Kuptimi i shprehjes “Njiheni Zotin nëpërmjet Zotit” mund të shpjegohet si vijon: Zoti i ka krijuar individët, dritën, esencën dhe manifestimet. Manifestimet janë trupat kurse esenca është shpirti dhe Zoti nuk i ngjan as trupit dhe as shpirtit. Askush nuk mund të ndikojë në krijimin e një shpirti, i cili mund të ndjejë dhe të kuptojë. Zoti është Ai, i cili i ka krijuar vetë trupat dhe shpirtrat.
Kur të shprehim se Zoti nuk i ngjan as trupit dhe as shpirtit, atëherë mund ta njohim Zotin nëpërmjet Zotit. Nëse e ngjasojmë atë me shpirtin ose me trupat, kurrë s’do ta njohim Zotin nëpërmjet vetë Atij.


2. Robi i liruar i të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), Ali bin Ukbe bin Kajs bin Sim’an bin Ebu Rubejhe, përcjell:


E pyetën Imam Aliun (pqmt): “Si e njohe Zotin tënd?”
Ai tha: “Të tillë siç e ka shfaqur Ai veten e Tij.”
“Si ta shfaqi Ai veten e Tij?”, e pyetën sërish.
Imami u përgjigj: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij, shqisat nuk e kapin dot dhe s’mund të krahasohet me njerëzit. Ai është pranë edhe kur është i largët dhe është i largët edhe kur është pranë. Ai qëndron para gjithçkaje por për Të nuk mund të flitet për “para”. Ai gjendet brenda krijesave por jo si një gjë, që depërton brenda tjetrës. Ai është jashtë krijesave por jo si një gjë, që del prej diku. Lavdi i qoftë Zotit, që i ka këto cilësi, të cilat askush tjetër s’i ka përveç Tij. Ai është fillimi i gjithçkaje.”


3. Mansur bin Hazmi përcjell:


Një ditë i thashë Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të): “Diskutova me një grup njerëzish dhe u thashë se Zoti është tepër i Lartësuar dhe i Shenjtë, që të njihet nëpërmjet robërve të tij. Përkundrazi, janë robërit që njihen nëpërmjet Zotit...”
Imami më tha: “Zoti pastë mëshirë ndaj teje!”


Kapitulli 4


Niveli i obligueshëm i njohjes së Zotit për një besimtar


1. Fet’h bin Jezidi përcjell:


Një ditë e pyeta Imam Rizaun (paqja qoftë mbi të) në lidhje me minimumin e nevojshëm të njohjes së Zotit.
Më tha: “Të besosh se nuk ka zot tjetër veç Allahut, se Ai nuk ka të ngjashëm dhe të barabartë, se nuk ka një fillim, nuk pëson ndryshim dhe se nuk ka asgjë të ngjashme me Të.


2. Tahir bin Hatimi i shkroi një letër Imam Rizaut (pqmt) dhe e pyeti se ç’ishte niveli i njohjes së Zotit, që është i obligueshëm për çdo besimtar. Në përgjigje shkruhej:


Zoti është gjithmonë Ai që di, dëgjon dhe sheh. Ai vepron ashtu si ka dëshirë. Një ditë e pyetën Muhammed Bakirin për këtë gjë dhe ai tha: “Nuk ka asgjë si Ai dhe Ai nuk i ngjan asgjëje. Ai është që sheh dhe që dëgjon.”


3. Ibrahim bin Omeri përcjell:


E dëgjova Imam Xhaferin (pqmt) të thoshte: “Çështja e Zotit është e çuditshme por Ai, do t’ju mbajë përgjegjës aq sa ua ka shfaqur juve veten e Tij.


Kapitulli 5


I Adhuruari


1. Ibn Riabi dhe shumë persona të tjerë përcjellin nga Imam Xhaferi (pqmt):


Kushdo që e adhuron Zotin duke e përkufizuar Atë në mendjen e tij dhe duke pandehur në lidhje me Të, pa patur një dituri të sigurt, e ka mohuar Atë.
Kushdo që i adhuron emrat duke e lënë mënjanë kuptimin e tyre, ka rënë në mosbesim.
Kushdo që i adhuron edhe emrat edhe kuptimin e tyre, ka bërë politeizëm.
Por ai që e adhuron kuptimin e emëruar, me cilësitë, të cilat Ai vetë i ka zgjedhur për Veten dhe që hapur e fshehurazi e shpreh këtë besim, është mik i vërtetë i Prijësit të Besimtarëve (Ali ibn Ebu Talibit). (sipas një versioni tjetër: ...është besimtar i vërtetë.)


2.Hisham bin Hakemi përcjell


Një ditë e pyeta Imam Xhaferin (pqmt) në lidhje me emrat e Zotit dhe në lidhje me rrënjët ose fjalët e prejardhura të këtyre emrave. E pyeta: “Nga rrjedh fjala Allah?” Imami u përgjigj:
“O Hisham! “Allah” rrjedh nga fjala “ilah”(Zot), që e bën të domosdoshme ekzistencën e një adhuruesi. Por emri është i ndarë nga objekti i emëruar. Kushdo që e lë mënjanën kuptimin dhe e adhuron emrin, e ka mohuar Zotin dhe nuk ka adhuruar asgjë. Kushdo që e adhuron edhe emrin edhe kuptimin, ka bërë politeizëm dhe ka adhuruar dy perëndi. Por ai që e adhuron kuptimin, e ka arritur Njëshmërinë e vërtetë. A kuptove tani o Hisham?”
“Më shpjego më shumë!”, i thashë.
Imami vazhdoi: “Zoti ka nëntëdhjetë e nëntë emra. Sikur emri dhe gjëja e emëruar të ishin e njejta gjë, atëherë do të kishim nëntëdhjetë e nëntë zotëra. Por Zoti është një kuptim i emëruar me këto emra, prej të cilëve Ai është i ndarë. Për shembull, “bukë” është emri që ia japim një sendi që hahet. “Ujë” është emri i një lëngu që pihet. “Rrobë” është emri i një gjëje që mbathet mbi trup. Po kështu, “zjarr” është emri që i jepet një gjëje që djeg. Tani, o Hisham, a e kuptove çështjen mjaft sa për të diskutuar me ata që adhurojnë të tjerë përveç Zotit?”
“Po”, iu përgjigja.
“I lutem Zotit që të kesh dobi prej kësaj dhe i lutem Atij që të të bëjë të vendosur!”
Qëkur u largova nga prania e Imamit atë ditë, askush s’ma ka tejkaluar në diskutime në lidhje me Njëshmërinë.


3. Abdurrahm bin Ebu Nexhrani përcjell:


I thashë Imam Muhammed Bakirit (paqja qoftë mbi të): “T’u bëfsha kurban! Më thuaj, a i adhurojmë ne njëkohësisht Rahmanin (Bamirësin), Rahimin (të Gjithëmëshirshmin), të Vetmin dhe Samedin (të Vetëmjaftueshmin)?”
Imami ma ktheu: “Kushdo që e adhuron emrin, duke e ndarë nga gjëja e emëruar, bën politeizëm, bëhet jobesimtar dhe mohon. Në të vërtetë, ky njeri s’ka adhuruar asgjë. Njeriu duhet ta adhurojë Zotin e emëruar me këto emra të ndryshëm dhe jo t’i adhurojë vetë emrat. Sepse emrat s’janë tjetër veçse cilësi, me të cilat Zoti e ka përshkruar Veten.


Kapitulli 6


Mbi ekzistencën dhe hapësirën


1. Ebu Hamza përcjell:


Nafi bin Ezraku e pyeti Imam Xhaferin (pqmt): “A mund të më thuash se kur erdhi në ekzistencë Zoti?”
Imami ia ktheu: “Ti më thuaj kur s’ka ekzistuar Ai dhe unë do të them se kur ka ardhur në ekzistencë. Është i Lartësuar Zoti, që ekziston përjetësisht, që s’ka nevojë për askë dhe që s’ka bashkëshorte e fëmijë...”


2. Ahmed bin Muhammed bin Ebu Nasr përcjell:


Një njeri nga përtej lumit Belh, erdhi tek Imam Rizau (pqmt) dhe i tha: “Kam për të të pyetur diçka dhe sikur të më përgjigjesh si duhet, do ta pranoj Imamatin tënd.”
“Pyet ç’të duash!”, ia ktheu Imami.
Njeriu tha: “Më thuaj prej kur ekziston Zoti, në ç’mënyrë ekziston Ai dhe në çfarë mbështetet!”
Imami u përgjigj: “Zot është Ai, që e krijon hapësirën, pa qenë i kufizuar brenda saj. Është Ai që e krijon mënyrën, pa u kufizuar Vetë në pyetjen “si?”. Në gjithë këtë, Ai mbështetet vetëm në fuqinë e Tij.”
Pas këtyre fjalëve, njeriu u ngrit, ia puthi ballin dhe tha: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahu. Dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Zotit dhe se Aliu është trashëgimtari i të Dërguarit, i cili erdhi pas tij. Dëshmoj se paraardhësit e tu janë Imamët e drejtë dhe se ti je pasardhësi i tyre.


3. Ebu Basiri përcjell:


Një njeri erdhi tek Imam Muhammed Bakiri (pqmt) dhe i tha: “Më thuaj prej kur ekziston Zoti yt!”
“Turp të kesh!”, i tha Imami. “Vetëm për një gjë që s’ka ekzistuar mund të pyetet se kur ka ardhur në ekzistencë. Zoti im ka ekzistuar gjithnjë, pa u kufizuar në një mënyrë të caktuar (pa u kufizuar brenda pyetjes “si?”). Nuk mund të flitet për ardhjen në ekzistencë të Zotit ose për mënyrën se si ka ardhur në ekzistencë. Ai nuk mund të kufizohet në hapësirë.
Ai nuk është brenda diçkaje dhe nuk është i vendosur mbi diçka. Ai s’ka krijuar ndonjë hapësirë për të jetuar. Ai s’është bërë më i fuqishëm me të krijuar krijesat, njësoj siç nuk ishte i dobët para se t’i krijonte ato. Ai nuk kishte frikë para se ta fillonte krijimin. Ai nuk i ngjan asgjëje që mund të përkufizohet në mendje. Ai ishte i fuqishëm edhe para se të krijonte diçka dhe i tillë do të mbetet edhe pasi të gjitha gjërat të zhduken. Ai është i gjallë por nuk ka “ardhur në jetë”. Ai ishte sunduesi i vetëm, para se të krijonte diçka. Pas krijimit, Ai është përsëri sunduesi i vetëm.
Ekzistenca e Tij nuk mund të kufizohet në pyetjen “si?”. Ai nuk mund të jetë në një vend, sepse nuk mund të kufizohet në hapësirë. Ai s’mund të njihet nëpërmjet diçkaje që i shëmbëllen Atij. Ai nuk plaket me kalimin e kohës dhe nuk ka frikë nga asgjë. Përkundrazi, janë krijesat që drithërijnë nga frika prej Tij. Ai ishte i gjallë, pa lindur. Ekzistenca e Tij s’mund të përshkruhet ose të përkufizohet në mënyra të caktuara. Nuk mund të thuhet se ku është Ai sepse nuk ka hapësirë për Të. Ai është i gjallë, i njohur, sundues dhe i fuqishëm. Çdo gjë e krijon kur të dojë dhe vullneti i Tij i mjafton për ta krijuar. Ai s’mund të kufizohet, s’mund të copëtohet dhe s’mund të shkatërrohet assesi. Ai është i Fundmi, pa patur hapësirë dhe pa u kufizuar në mënyra.
Gjithçka do të shkatërrohet veç fytyrës së Tij...(Kur’an 28:88)
Atij i takon urdhri dhe krijimi. Është i Lartë Allahu, Zoti i botëve...(Kur’an 7:54)
Turp të kesh o njeri! Zotin tim nuk mund ta përfshijnë mendjet. Dyshimet nuk mund të hedhin hije mbi faktin se Ai është Zot. Ai nuk gabohet dhe asgjë s’mund t’i afrohet pranë e t’i bëhet fqinj. Trazirat s’e kaplojnë Atë dhe askush s’mund t’i kërkojë llogari. Ai nuk pendohet asnjëherë...
Ai nuk fle...(Kur’an 2:225)
Atij i takon gjithçka që është në qiej e në tokë dhe gjithçka që gjendet mes të dyjave...(Kur’an 20:6)


4. Ahmed bin Muhammed bin Halidi përcjell:


Hebrenjtë u mblodhën përreth Resul Xhalutit dhe i thanë: “Ky njeri (Ali ibn Ebu Talibi) është një njeri i ditur. Na ço tek ai që t’i parashtrojmë ca pyetje!”
U mblodhën të gjithë, shkuan tek Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) dhe pritën derisa ai doli nga shtëpia. Resul Xhaluti i tha se kishin disa pyetje për të.
“Pyet ç’të duash, o hebre!”, u përgjigj ai.
Ai pyeti: “Prej kur ekziston Zoti yt?”
Imami u përgjigj: “Zoti ekzistonte pa fillim dhe pa një mënyrë të caktuar. Ai ka ekzistuar gjithnjë pa sasi dhe dhe pa cilësi. Ai ekzistonte, pa i paraprirë ndonjë gjë. Ai ekzistonte para çdo gjëje, i pafund dhe i pakufishëm. Tek Ai soset çdo fund dhe Ai është fundi i fundeve.
Resul Xhaludi tha: “Të shkojmë! Ky njeri qenka më i ditur nga ç’thuhet për të.”


5. Ebu’l Hasan el Mevsiliu përcjell nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të), i cili ka thënë:


Një dijetar hebre erdhi tek Prijësi i Besimtarëve (Ali ibn Ebu Talibi) dhe i tha: “O Prijës i Besimtarëve! Kur erdhi në jetë Zoti yt?”
“Mos vallë ka ndonjë kohë kur Ai s’ka qenë, që të mund të pyetet se kur ka ardhur në jetë? Zoti im ekzistonte para çdo gjëje, pa patur ndonjë gjë para Tij dhe do të ekzistojë pas çdo gjëje, pa ndonjë gjë pas Tij. Fundësia nuk ka fund dhe s’ka kufij. Çdo fund soset tek Ai sepse Ai është fundi i gjithçkaje.”
Dijetari hebre e pyeti prapë: “O Prijës i Besimtarëve! Mos je ti profet (nebi)?
“Si s’të vjen turp!”, ia ktheu Imami. “Unë s’jam veçse një rob nga robërit e Muhammedit1”
Gjithashtu përcillet se dikush e pyeti Imam Aliun (pqmt):
“Ku ishte Zoti para se t’i krijonte qiejt e tokën?”
Ai u përgjigj: “Ku?” është një pyetje në lidhje me hapësirën. Por Zoti ekzistonte edhe kur s’qe hapësira.


1: (shënim i përkthyesit) Në këtë rast, fjala rob duhet të merret në kuptimin e pastër njerëzor dhe të mos ngatërrohet me marrëdhënien mes njeriut dhe Zotit. Ajo është një simbolikë e besnikërisë së skajshme në lidhjen mësues-ndjekës, që ekzistonte mes të Dërguarit të Zotit dhe Imam Aliut (paqja qoftë mbi ta).


6. Muhammed bin Sema’e përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt), i cili ka thënë:


Prijësi i dijetarëve hebrenj (Resul Xhaluti) i tha popullit të tij: “Muslimanët thonë se Aliu është më i miri në diskutime dhe më i dituri në lidhje me besimin. Më çoni mua pranë tij, që t’i parashtroj disa pyetje për t’ia treguar gabimet e tija.” Pastaj ata shkuan tek Aliu (pqmt) dhe ai e pyeti: “O Prijës i Besimtarëve! Dua të të pyes diçka.”
“Pyet ç’të duash!”, ia ktheu Aliu.
Ai e pyeti: “Kur ka ardhur në jetë Zoti?”
Imami iu përgjigj: “O hebre! Vetëm për një gjë, që s’ka ekzistuar më parë, mund të pyetet kur ka ardhur në jetë. Por Zoti ekzistonte pa ardhur në jetë (pa fillim). Për ekzistencën e Tij nuk vlen pyetja “si?”. Po, pra, o hebre! Si mund vallë të ketë diçka para Tij? Ai është i pafund, i pakufishëm dhe i paraprin gjithçkaje. Ai është Fundi që nuk ka fund dhe tek i cili fundet përfundojnë. Ai është Fundi i gjithçkaje.”
Hebreu tha: “Dëshmoj se feja jote është e drejtë dhe se gjithçka që bie ndesh me të është e gabuar.”


7. Zurare përcjell:


E pyeta Imam Xhaferin (pqmt): “A ekzistonte Zoti kur nuk kishte asgjë tjetër?”
“Po”, tha Imami. “Ishte veç Zoti dhe asgjë tjetër s’kishte.”
“Ku gjendej Ai?”, e pyeta.
Imami ishte mbështetur në një anë. Pasi u drejtua, më tha:
“Ti thua diçka të pamundur o Zurare dhe po pyet për një hapësirë pa hapësirë.”


8. Ebu’l Hasan el Mevsiliu përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt), i cili ka thënë:


Një dijetar hebre shkoi tek Prijësi i Besimtarëve (pqmt) dhe e pyeti: “Prej kur ekziston Zoti?”
Imami ia ktheu: “Turp të kesh! Vetëm për një gjë që s’ka ekzistuar më parë, njeriu mund të pyesë se prej kur ka filluar të ekzistojë. Nuk mund të thuhet “kur?” për dikë që ekziston përjetësisht. Zoti ekzistonte para çdo gjëje, pa patur ndonjë gjë që mund t’i paraprijë dhe do të ekzistojë pas çdo gjëje, pa patur ndonjë gjë, që mund të vijë më pas. Ai është Fundi i pafund.”
Dijetari e pyeti: “Mos je vallë ti profet?”
Imami u përgjigj: “Turp të kesh! Unë jam vetëm një rob nga robërit e Muhammedit.”


Kapitulli 7


Përshkrimi i Zotit


1. Muhammed bin Muslimi përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt):


Hebrenjtë erdhën tek i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe i thanë: “Na e përshkruaj Zotin!”
I Dërguari priti tri ditë dhe pastaj u shpall kapitulli “Ihlas”:
Thuaj: Ai, Zoti është një...
Zotit i mbështet çdo gjë...
Ai s’është i lindur dhe as ka lindur dikë..
Dhe Atij askush s’i shëmbëllen...
(Kur’an 112:1-4)


2. Hammad bin Amr en-Nasibiu përcjell:


E pyeta Imam Xhaferin (pqmt) në lidhje me kapitullin “Ihlas”.
Imami tha: “Ky kapitull e tregon marrëdhënien mes Zotit dhe njerëzve. Ai është një, është qëllimi i krijesave, është pa fillim dhe është Ai, prej të cilit janë të varur të gjithë. Nuk ka një shkak, në të cilin mbështetet por të gjitha krijesat mbështeten në shkaqet e krijuara prej Tij. Ai e njeh të panjohurën dhe është i qartë edhe për injorantët. Ai është Një dhe i Vetëm. Krijesat nuk gjenden brenda Tij dhe Ai nuk gjendet brenda krijesave. Ai nuk mund të perceptohet nga shqisat e s’mund të preket me duar. Sytë s’e shohin dot. Ai është i Lartë por është pranë. Është pranë por prapëseprapë i largët. Kur dikush rebelohet kundër Tij, Ai është falës. Kur dikush i bindet, Ai i pranon mirënjohjet dhe e shpërblen njeriun për to. Atë s’e merr dot toka dhe qielli nuk mund ta mbajë. Është Ai, që me fuqinë e Tij, i mban krijesat. Ai është i përjetshëm dhe s’ka fillim. Ai s’harron, nuk punon kot, nuk gabon, nuk tallet dhe ka një vullnet, të cilit s’i kundërvihet kush. Dekreti i Tij është një dënim dhe urdhri i Tij realizohet sakaq. Ai s’ka fëmijë, që të mund ta trashëgojë dhe nuk ështëi lindur, që të mund të ketë të barabartë.
Dhe Atij askush s’i shëmbëllen...(Kur’an 112:4)


3. Asim bin Humejdi përcjell:


E pyetën Imam Ali ibn Husejnin (paqja qoftë mbi të) në lidhje me Njëshmërinë.
Ai u përgjigj: “Zoti i Madhëruar dhe i Urtë e dinte se në ardhmëri do të kishte njerëz që do t’i hulumtonin hollësisht gjërat. Andaj e shpalli kapitullin “Ihlas” dhe vargjet e kapitullit “Hadid”, që nga fillimi deri në vargun (e gjashtë) ”Ai e di ç’fshihet në gjoksa...” Janë të shkatërruar ata, që nuk kënaqen me shpjegimet e këtyre vargjeve dhe kërkojnë më tepër.”


4. Abdu’l Aziz bin Muhtediu përcjell:


E pyeta Imam Rizaun (pqmt) në lidhje me Njëshmërinë e Zotit. Ai tha: “Gjithkush që e lexon kapitullin Ihlas dhe e beson atë që thuhet në të, e ka kuptuar Njëshmërinë.”
I thashë: “Si duhet lexuar ky kapitull?”
“Ashtu siç e lexojnë njerëzit”, tha Imami dhe më pas shtoi: “Kedhellikellahu Rabbi”(I tillë është Allahu, Zoti im)


Kapitulli 8


Ndalesa e të folurit në lidhje me Esencën e Zotit


1. Ebu Basiri përcjell:


Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) tha: “Flisni në lidhje me krijesat e Zotit por mos flisni në lidhje me Esencën e Zotit sepse Zoti vetëm sa ia shton hutinë një njeriu që flet për Esencën e Tij.”
Sipas një versioni tjetër:
“Flisni për gjithçka por mos flisni për Esencën e Zotit!”


2. Sulejman bin Halidi përcjell se Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:


Zoti thotë: “Dhe vërtet kthimi është tek Zoti yt...”(Kur’an 53:42). Kur fjala të vijë tek Zoti, atëherë ndaloni dhe mos vazhdoni më tej!


3. Muhammed bin Muslimi përcjell se Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:


O Muhammed! Njerëzit flasin gjithnjë dhe për të gjitha gjërat. Shumë shpesh, nuk u pengon të flasin edhe për Zotin. Kur të dëgjosh të flitet për Zotin, thuaj: “Nuk ka Zot tjetër veç Zotit, që është një e që s’i ngjan askujt...” (Kur’an 42:11)


4. Ebu Ubejde el-Hazza përcjell se Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë:


O Zijad! Qëndro larg diskutimeve që mbjellin armiqësi në zemër, sepse diskutimet e tilla lënë pas veç dyshime, e ulin nivelin e veprimeve të një njeriu dhe i sjellin shkatërrim. Dikush mund të thotë diçka, për të cilën s’do të falet kurrë. Në të kaluarën ka patur një fis, pjesëtarët e të cilit u larguan nga dituria që ishte e detyrueshme për ta dhe iu vunë pas diturisë, që për ta ishte e ndaluar. Më në fund, fjala erdhi tek Esenca e Zotit dhe kjo nuk u solli veçse huti. Ata u hutuan aq keq, sa po ta thërrisje një njeri prej përpara, ai prapa do të kthehej për t’u përgjigjur dhe kur ta thërrisje nga prapa, do të përgjigjej përpara.
Sipas një versioni tjetër: Ata u hutuan aq keq, sa gjithë kohës endeshin tejembanë si të humbur...


5. Husejn bin Mejjahu përcjell se Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë:


Është shkatërruar ai që mendon si është Zoti...


6. Zurare bin A’jeni përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt):


Një sundues i madh dhe i nderuar, një ditë tha një fjalë të gabuar në lidhje me Zotin dhe u zhduk sakaq, pa lënë gjurmë.


7. Muhammed bin Muslimi përcjell nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt):


Kini kujdes të mos bini në mendime në lidhje me Esencën e Zotit! Por kur të doni ta kuptoni madhështinë e Tij, atëherë shiheni madhështinë e krijesave të Tija!


8. Muhammed bin Abdullahu përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt):


O biri i Ademit! As edhe një zog nuk ngopet, po ta hajë zemrën tënde. E sikur të të vendoset vrima e një gjilpëre para syve, ta verbon gjithë vështrimin. Por edhe përkundër kësaj, ti kërkon me ngulm që me këto dy organe ta kuptosh të fshehtën e tokës dhe të qiejve. Në mendon se mundesh vërtet, atëherë ja ku e ke diellin, që është krijuar nga Zoti. Nëse sytë e tu mund ta shohin qartë diellin, atëherë është ashtu siç thua ti.


9. Abdu’l-Ala përcjell nga Imam Xhaferi (pqmt), i cili thotë:


Një hebre me emrin Sibaht erdhi pranë të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe i tha: “O i Dërguar i Zotit! Kam ardhur të të pyes ca gjëra për Zotin tënd. Do të ishte mirë sikur të më jepje një përgjigje. E po të mos përgjigjesh dot, do kthehem andej nga kam ardhur.”
“Pyet ç’të duash!”, i tha i Dërguari.
Ai tha: “Ku është Zoti yt?”
I Dërguari (pqmtmft) u përgjigj: “Ai është gjithkund por jo në një vend të kufizuar.”
Njeriu pyeti prapë: “Si është Zoti?”
Ai u përgjigj: “Si mund ta përshkruaj Zotin me gjërat, të cilat Ai i ka krijuar? Ai s’mund të përshkruhet nëpërmjet gjërave që i ka krijuar.”
Njeriu pyeti prapë: “Ç’është dëshmia se ti je i Dërguari i Zotit?”
Me të thënë kështu, gurët dhe gjërat e tjera përreth filluan të flisnin dhe thanë: “O Sibaht! Ai është i Dërguari i Zotit.”
Me ta dëgjuar këtë, Sibahti tha: “S’kam parë asgjë më qartë se këtë tani. Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç Zotit dhe se ti je i Dërguari i Tij.”


10. Abdurrahmen bin Atik el-Kasiri përcjell:


Një ditë e pyeta Imam Muhammed Bakirin (pqmt) në lidhje me cilësitë e Zotit. Ai e ngriti dorën drejt qiellit dhe më tha: “I lartësuar është Zoti, që ka fuqi nënshtruese. I lartësuar është Zoti, që ka një fuqi nënshtruese. Kushdo që përpiqet t’ia shpjegojë cilësitë, është i shkatërruar.”


-- VAZHDON --