PËRMBAJTJA:
Gruaja në sytë e Islamit: ndërmjet humanizmit të fesë dhe prapambeturisë së traditave
Gratë në Perëndim
Femra: nga autoriteti i babait tek dhuna e bashkëshortit
Gratë në Kur`an paraqiten shpesh si modele shembullore për besimtarët, qofshin ata gra ose burra. Kjo e vërteton faktin se Islami e konsideron gruan të barabartë me burrin. Dobësia psiqike e grave dhe tendence e tyre për të qenë të ndjeshme janë gjëra që mund të tejkalohen përderisa ekzistojnë kushte të volitshme dhe një besim i fortë
Si mund ta kuptojmë personalitetin e gruas? Duhet vallë t`u drejtohemi burimeve fetare? Ose vallë mund t`i studiojmë elementet e personalitetit të saj nëpërmjet marrëdhënieve të saja të përditshme?
Besojmë se zgjedhja e dytë është shumë më objektive dhe e realtë. Ky lloj studimi krijon edhe një bazë për t`i kuptuar më mirë burimet fetare dhe për t`i interpretuar në një mënyrë që nuk bie ndesh me botën e jashtme dhe realitetin. Në anën tjetër, një hulumtim i tillë na mundëson që të kuptojmë se disa hadithe nuk janë autentike (origjinale) dhe bien ndesh me principet e besimit tonë, të shprehur në Kur`an dhe në thëniet e tjera të besueshme të të Dërguarit të Zotit dhe të Imamëve.
Duke i patur parasysh këto gjëra, do të vërejmë se është vështirë të bëhet dallim mes një gruaje dhe një burri, të cilët jetojnë në rrethana të ngjashme sociale dhe politike. Aftësia e një mashkulli për t`i kuptuar këto rrethana nuk është domosdoshmërisht më e madhe se ajo e femrës. Përkundrazi, në shumë raste mund të shihet se femrat i kanë tejkaluar meshkujt nëpërmjet aftësisë së tyre të të kuptuarit. Këtë mund ta shohin në shembuj të ndryshëm, që historia i përcjell në lidhje me gratë që kanë jetuar në kushte të favorshme kulturore dhe shoqërore. Këto gra bartën mbi supe një rol të ndjeshëm dhe efektiv, i cili themelohej në shtyllat e mendimit dhe të doktrinës.
Këtë mund ta shohim në tregimet e Kur`anit në lidhje me Merjemen dhe në lidhje me gruan e faraonit. Mund të shihen edhe shënimet që historia i përcjell për Hatixhen, gruan e të Dërguarit, për vajzën e tyre Fatimenë dhe për Zejneben, vajzën e Aliut. Këta shembuj flasin për pozitën e lartë të këtyre grave, të cilën e fituan falë besimit të tyre, thellësisë shpirtërore dhe të kuptuarit të fesë e të kushteve që i rrethonin. Ata u përballën me të gjitha sfidat që i ndeshën në jetët e tyre. Të gjitha këto gjëra tregojnë se nuk kishte asnjë dallim mes tyre dhe meshkujve bashkëkohës.
Ndonse disa mund të thonë se këto gra ishin femra të veçanta me disa cilësi unike, unë nuk mendoj se ata kishin ndonjë cilësi të jashtëzakonshme përveç faktit se jetuan në rrethana të cilat u mundësuan të zhvilloheshin në aspektin intelektual dhe shpirtëror. Në praktikë, ata dhanë përpjekje për t`i përshtatur me njëri-tjetrin elementet e ndryshme te personaliteteve të tyre dhe me këtë ia dolën mbanë të ishin të tilla siç ishin. Nuk është se ata kishin fuqi mbinatyrore në një nivel të tillë që të thuhet se ata nuk ishin gra të zakonshme përnga krijimi. Nuk ka një dëshmi të tillë, përveç faktit se në Kur`an thuhet se Merjemja u zgjodh nga Zoti për hir të përshpirtshmërisë së saj dhe afërsisë me Zotin.
Mirëpo fakti se Zoti e ka udhëzuar atë me shpirtin që ia dërgoi, nuk e bën atë një krijesë mbinatyrore. Ky është vetëm një bekim i Zotit, me të cilin Ai dëshiron ta udhëzojë dhe t`i japë fuqi shpirtërore për të vazhduar më tej në mënyrën në të cilën ajo tashmë sillej dhe për ta ndihmuar sa më tepër në luftën kundër dobësive të shpirtit, të cilat i ka secili njeri.
Mbretëresha e Shebës 1 është një tjetër shembull kuranor që tregon se sa e urtë mund të jetë një grua, si një sunduese, e cila i konsideron të gjithë faktorët dhe i përsiat të gjitha zgjedhjet përpara se të sjellë një vendim. Një grua, e cila nuk mbisundohet nga ndjenjat e saja por nga mendja. Këto cilësi e bënë atë të sundojë edhe mbi meshkujt, të cilët gjetën tek ajo një njeri racional dhe të aftë për t`i kontrolluar punët e të tjerëve.
Nga ky shembull mund të arrijmë në përfundimin se femrat janë të afta t`i tejkalojnë dobësitë e tyre të brendshme, që mund të kenë pasojë në gjykimin e tyre. Kjo do të thotë se dobësitë natyrore të gruas nuk janë fatalitete të pashmangshme.
Një tjetër shembull kuranor është gruaja e Faraonit, e cila ndonse gjithë jetën e kishte kaluar në luks dhe ekstravagancë, u largua nga këto gjëra për hir të besimit që kishte. Besim ky, i cili i pamundësoi asaj të gjente kompromis mes jetës që bënte dhe mjerimit e diskriminimit që mbisundonte tek populli, si pasojë e sundimit të të shoqit.
Për këtë, ajo i kërkoi Zotit t`i ndërtonte një vend në Parajsë, si një simbol të largimit të saj nga ky realitet dhe si një shtysë që do t`i jepte fuqi kurdoherë që të përballej me dobësitë e saja. Ajo iu lut Zotit që ta shpëtonte nga Faraoni dhe nga veprat e tija mizore.
Mund të shohim se me këto vepra ajo paraqitet si një model shembullor për besimtarët, qofshin ata meshkuj ose femra. Po në këtë mënyrë, edhe Merjemja ishte një shembull për të gjithë besimtarët me besimin e saj të pastër në Zot, me moralin e përkryer dhe me devotshmërinë e saj ndaj Zotit në një nivel aq të lartë, sa e gjithë jeta e saj e kishte pamjen e një adhurimi të pafund dhe të një simboli të besimit në Zot dhe të bindjes ndaj Tij.
Zoti e sjell gruan e faraonit si një shembull për atë që besuan. Ajo tha: "Im Zot, më ndërto një shtëpi pranë Teje në Parajsë dhe më shpëto nga faraoni e nga veprat e tija! Më shpëto nga populli mizor!" Dhe e sjell si shembull Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e saj. Andaj Ne i frymë nga shpirti Ynë e ajo i besoi fjalët e të Zotit dhe librat e Tij.. Ajo qe nga të bindurit... Tahrim (Ndalesa) 66:11-12
Fakti se Kur`ani i prezanton gratë besimtare si një shembull për burrat dhe për gratë ("...një shembull për ata që besuan") njëkohësisht, lë të kuptohet se Kur`ani pranon se një grua mund të ketë një personalitet të fortë që mund t`i tejkalojë dobësitë e saja natyrore. Sipas kësaj, një grua mund të jetë model për t`u ndjekur si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt, sepse të dyja gjinitë janë të afta për aktivitete njerëzore dhe nuk dallojnë nga njëra-tjetra në këtë drejtim.
Si përfundim, mund të themi se dallimi në gjini nuk e kufizon aftësinë e gruas për të menduar, për të qenë bujare, për të patur një vullnet të fortë dhe për të marrë vendime të duhura, pas hulumtimit të kujdesshëm të të gjitha opcioneve, përderisa ekzistojnë kushte të volitshme për të krijuar një mendim racional...
1: (shënim i përkthyesit) Mund të shihet kapitull no.27 i Kur`anit, "Neml" (Milingona), vargjet 23-44
Gruaja në sytë e Islamit: ndërmjet humanizmit të fesë dhe prapambeturisë së traditave
(fjalim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas)
Në përshtatshmëri me atmosferën e Ashures dhe atë të Ditës së Gruas, mendoj se duhet të fillojmë një proces ndryshimi në veten tonë dhe në mënyrën se si përballemi me botën e jashtme. Duhet t`i hulumtojmë tërthorazi konceptet tona mbi jetën. Ajo që mund të shohim është se një pjesë e madhe e këtyre koncepteve, ndër të cilët edhe koncepti i gruas në Islam, kanë rënë viktimë e ndikimit të madh të mentalitetit të prapambetur që është krijuar. Sot, më 8 Mars, derisa bota e feston Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë përballen me probleme nga më të ndryshmet, si në nivelin njerëzor ashtu edhe në atë shoqëror. Problemet e tyre nuk janë të kufizuara me botën arabe dhe islame por janë fenomene me të cilat mund të përballemi gjithkund, madje edhe në ata shtete, që konsiderohen të zhvilluara dhe të civilizuara.
Gratë në Perëndim
Është një fakt i pakundërshtueshëm se gratë përballen me presione të mëdha, nëpërmjet të cilave ato abuzohet dhe shfrytëzohen. Këto presione i vendosin gratë në qarkun e një lloji tregtie turistike, të njohur edhe si "turizëm seksual". Në këtë lloj tregtie, femra të reja dhe të vjetra, madje edhe fëmijë, veçanërisht nga Evropa lindore, mashtrohen nga disa njerëz me idenë se do të mund të punojnë në vendet e zhvilluara të Evropës dhe kur dërgohen atje, kthehen në robëresha të industrisë së seksit. Kjo është pikërisht ajo që amerikanët bënin në kohët e kaluara. U premtonin afrikanëve punë në botën e re dhe në çastin që arrinin atje, i robëronin dhe i shfrytëzonin si skllevër.
Çështja e gruas është një temë shumë aktuale në të gjitha fetë e botës. Kur i shohim statistikat në Evropë dhe Amerikë, vërejmë se edhe përkundër lirisë seksuale që gëzojnë njerëzit e tyre, rastet e përdhunimit kanë arritur një nivel katastrofal, i cili na detyron ta mohojmë principin e tyre se "një shoqëri konservative është ajo që e krijon kompleksin i cili më vonë sjell deri tek përdhunimi i grave". Mund të shihet qartë nga statistikat, se niveli i përdhunimit në shoqëritë e zhvilluara perëndimore është shumë më i lartë se ai në shoqëritë tona islame. Sipas kësaj, arrijmë në përfundimin se edukata morale islame, edhe përkundër metodave të saj që mund të jenë përparimtare ose të prapambetura, ka arritur t`i mbjellë në vetëdijën e meshkujve dhe femrave vlerat dhe principet morale dhe në veçanti vlerën e nderit.
Femra: nga autoriteti i babait tek dhuna e bashkëshortit
Një problem tjetër i diskutuar nga intelektualët e botës është problemi i dhunës ndaj gruas, i cili po mer përmasa gjithë më të mëdha dhe të rrezikshme. Disa statistika të rëndësishme tregojnë se dhuna fizike arrin deri në masën e vrasjes së bashkëshortes, vajzës ose motrës. Këtë fenomen mund ta shohim edhe në shoqërinë tonë islame, ku shumë herë gruaja nuk konsiderohet një krijesë e lirë njerëzore por më tepër shihet si një person që jeton në margjinat e një bote mashkullore. Ky mentalitet mund të vërehet edhe tek shumë njerëz që në shoqëri njihen si të virtytshëm dhe sillen si të tillë.
Dhuna është një fenomen i rrezikshëm në shoqërinë tonë. Në një pjesë të madhe të shoqërisë, gruaja nuk ka të drejtë ta mbrojë veten kundër dhunës së mashkullit, qoftë ky i shoqi, vëllai ose babai i saj, sepse ajo shihet si një krijesë inferiore ndaj burrit. Kjo është kështu edhe tek shumë meshkuj jofetarë dhe sekularistë të cilët ndjekin një kallëp të tillë të të menduarit. Në çastin që e kalon pragun e shtëpisë së tij, ky njeri intelektual shndërrohet përnjëherë në një njeri me mentalitet fisnor, i cili jeton me vlerat e tija të prapambetura. Njëherë, në një intervistë me një revistë kulturore mbaj mend se kam thënë se brenda secilit prej nesh jeton një njeri barbar, i zhvilluar me mentalitetin e tij fisnor dhe me vlerat përkatëse morale.
Një tjetër aspekt i dhunës ndaj femrës, të cilin duhet ta theksojmë, është detyrimi në çështjen e martesës. Shumë shpesh mund të hasim raste kur një baba e marton të bijën sipas dëshirës së tij dhe jo sipas dëshirës së vajzës dhe ndjenjës së sigurisë dhe simpatisë mes saj dhe kandidatit për bashkëshort. Dëshira e vajzës as që dëgjohet dhe kjo gjë pastaj krijon probleme dhe pasoja të mëdha në jetën bashkëshortore.
Këtu duhet pyetur një baba të tillë: "Kur vajza juaj bëhet e pjekur dhe e rritur, çfarë dallimi ka mes saj dhe djalit tuaj?" Kujdesi dhe përgjegjësia mbi fëmijët vlejnë përderisa ata janë akoma të mitur. Por në çastin që ata e arrijnë pjekurinë, përgjegjësia dhe autoriteti i prindërve mbi ta bëhet i pavlefshëm. Vargu kuranor thotë:
Provoni jetimët derisa të arrijnë moshën e martesës... Nisa (Gratë) 6:6
Në lidhje me çështjen e martesës ekzistojnë dallime mes dijetarëve fetarë. Disa thonë se për t`u martuar, leja e babait ose e gjyshit (babait të babait) është e domosdoshme. Disa të tjerë janë më të rezervuar në këtë drejtim. Kurse një këndvështrim tjetër është ai sipas të cilit një femër duhet të jetë e pavarur në zgjedhjen e saj, ndonse do të ishte e preferuar që të këshillohej me prindërit e saj për t`ua marrë mendimin.
Duhet theksuar se edhe mendimi i atyre që ngulmojnë në atë se duhet të meret leja e prindit, mbetet i pavlefshëm në rastet kur prindi e pengon të martohet me dikë që vajza dëshiron. Ajo e ka të drejtën e plotë për t`u martuar pa marrë leje dhe madje pa u këshilluar me prindërit e saj, sepse vajza ose djali nuk janë pronë e prindërve të tyre. Ka raste kur për interesa familjare, një djalë detyrohet të martohet me një vajzë të caktuar. Kjo është gjithashtu e ndaluar dhe e turpshme.
Të jesh baba i një fëmije do të thotë ta trajtosh fëmijën në mënyrë njerëzore sepse fëmija është një njeri, në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Fëmija është një person me mendjen, vullnetin dhe vetëdijën e tij, i cili ka ëndrra po aq sa kanë prindërit dhe vuan njësoj siç vuajnë edhe ata. Ai nuk është pronë e prindit, sepse fakti që prindi është arsyeja e ekzistencës së tij, nuk e bën atë pronar absolut të fëmijës. Çështja e detyrimit në martesë e ngarkon njeriun me dëme dhe vuajtje më të mëdha se çdo dhunim tjetër fizik, sepse në këtë rast, një njeriu të rritur e të pjekur i imponohet ta kalojë gjithë jetën e tij me një person, ndaj të cilit nuk ndjen asgjë. Ky s`është tjetër veçse një abuzim i madh dhe një padrejtësi e hapur.
Mund të kuptohet lehtësisht se kjo çështje, në thelbin e saj, ka të bëjë me pyetjen e drejtësisë. Megjithatë i këshillojmë vajzat e reja që ta marrin mendimin e prindërve të tyre dhe të njerëzve të besueshëm, në mënyrë që të mos keqpërdoren dhe të mos bien viktimë e gënjeshtrave dhe fjalëve të bukura.
Si përfundim, duhet theksuar se ka shumë gra që janë viktima të një dhune, e cila përfaqëson një shpërfillje të hapur të thirrjes së Zotit dhe dhunim të principit të shprehur në Islam, si vijon: "..kini kujdes të mos i shkilni ata që nuk kanë ndihmës tjetër kundër juve, përveç Zotit..."
Ajo që mund të shohim nga hulumtime të ndryshme të bëra në botën islame është se shoqëritë e sotme muslimane janë shoqëri ku gruaja diskriminohet. Ndonse nuk mohojmë se ekzistojnë lëvizje që përpiqen për ta ndaluar këtë padrejtësi, duhet theksuar se kjo punë kërkon mundim më të madh dhe më tepër përpjekje për të qenë të civilizuar. Në këtë rast, me fjalën civilizim nuk nënkuptojmë një pamje të jashtme moderne por një civilizim në çështjen e respektimit të mendimeve të të tjerëve. Pa dyshim, Zoti nuk i krijoi njerëzit si pronarë të njeri-tjetrit. Kjo është arsyeja përse të qenit baba ose nënë, nuk e bën njeriun një sundues suprem dhe pronar të fëmijës.
Sepse e Zotit është e gjithë fuqia. Atij i takojmë të gjithë dhe vetëm Atij ia drejtojmë adhurimin tonë...