Libri i mendjes dhe injorancës
Muhammed ibn Jakub el Kulejni
13.09.2009

PËRMBAJTJA:
Shënim i Përkthyesit

1. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të)
2. Përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të)

3. Përcillet se një ditë një njeri e pyeti Imam Xhaferin (pqmt)
4. Përcillet nga Imam Rizai (pqmt)

5. Përcjell Husejn ibn Xhuhami
6. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt) 
7. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt)
8. Përcjell Sulejman el Dajlamiu nga i ati

9. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt) 
10. Përcjell Abdullah ibn Sinani
11. Përcillet nga i Dërguari I Zotit (paqja qoftë mbi të)
12. Hisham ibn Hakemi përcjell nga Imam Musa ibn Xhaferi (pqmt)

13. Përcillet nga udhëheqësi i besimtarëve, Aliu (pqmt)
14. Suma′a ibn MIrhani përcjell:
15. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
16. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt)
17. Përcillet nga Ebu Abdullahu
18. Përcjell Ebu Hashim el Xhaferiu
19. Përcjell Is′hak ibn Ammari
20. Ebu Jakub Bagdadiu përcjell:
21. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt)
22. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
23. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
24. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
25. Përcillet nga Imam Ebu Xhafer (pqmt)
26. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt)
27. Is′hak ibn Ammari përcjell:
28. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
29. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
30. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt)
31. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt)
32. Përcillet nga Hasan ibn Xhuhami
33. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)
34. Përcillet nga Imam Xhafero (pqmt)
   a) Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt) në një thënie të gjatë:
   b) Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt)


SHËNIM I PËRKTHYESIT


Përmbledhja Usul al Kafi, është pjesa e parë e përmbledhjes më të rëndësishme shiite të haditheve, të quajtur Kitab al Kafi (Libri i të mjaftueshmeve). Siç mund të kuptohet edhe nga emri, kjo pjesë përbëhet kryesisht prej haditheve që kanë të bëjnë me principet e besimit siç është Njëshmëria, Profetësia, "Dëshmitë" e Zotit, Dita e Gjykimit etj. Në të përfshihen shumë thënie të shkurta të të Dërguarit të Zotit dhe të Imamëve (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta) si dhe diskutime të thella telogjike dhe filozofike.


Dy pjesët e tjera të veprës Kitab al Kafi janë Furu al Kafi, që merret me praktikën e fesë dhe me ligjet e saja të përditshmërisë dhe pjesa Raudhat al Kafi, ku përfshihen thënie të temave të llojllojshme si dhe fjalime të të Dërguarit të Zotit dhe të Imamëve (pqmt).


Si pjesë e programit të veçantë të Ramazanit, libraria "Dielli" e boton kapitullin e parë të pjesës së principeve, të quajtur "Libri i mendjes dhe injorancës", ku lexuesi mund të gjejë hadithe të mrekullueshme dhe mësime të thella që janë një vërtetim i faktit se Islami është para se të gjithash një fe e mendjes dhe e arsyes së shëndoshë.


Në origjinalin e veprës, përpara çdo thënieje të të Dërguarit ose të Imamëve (pqmt) jepet gjithmonë edhe "zinxhiri përcjellës" i thënies në fjalë, ku emërohen personat nëpërmjet të cilëve thënia ka arritur nga i Dërguari ose Imami deri tek autori i veprës. Ky "zinxhir përcjellës" nuk është i përfshirë në përkthimin tonë për hir të të qenit praktikë dhe për shkak të faktit se botimi i kësaj përzgjedhjeje të shkurtër hadithesh, më shumë se karakter shkencor ka një karakter solemn dhe fetar të përshtatshëm me atmosferën e muajit të bekuar të Ramazanit.


Një tjetër hollësi që mund të përmendim, është se emrat e Imamëve në origjinalin e veprës jepen shumë shpesh edhe me nofkat e tyre, që janë të shumta. Në përkthimin tonë, për të mos shkaktuar konfuzion tek lexuesi, i kemi përdorur emrat e Imamëve dhe jo nofkat e tyre.


Për fund, s`na mbetet tjetër veçse të  kërkojmë ndjesë nga lexuesit tanë dhe të strehohemi tek mëshira e Zotit për gabimet e mundshme gjatë përkthimit. Pa dyshim, e gjithë lavdia dhe përsosmëria i takon Krijuesit, që është Një dhe i Pashoq...


Numan Mustafa


 


 


1. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të):


Kur Zoti e krijoi mendjen, e bëri të flasë dhe pastaj i tha: "Eja përpara!"


Mendja erdhi. Pastaj Zoti tha: "Kthehu prapa!" dhe mendja u kthye.


Pastaj Ai tha:



"Betohem mbi madhërinë dhe mbi lavdinë Time se s`kam krijuar asgjë më të dashur për Mua nga ç`je ti. S`kam për të të përsosur tek askush përveç tek ata të cilët i dua. Kam për të të urdhëruar vetëm ty që të veprosh dhe vetëm ty kam për të t`i ndaluar disa gjëra. Për ty do të jetë shpërblimi dhe për ty edhe dënimi."



 


2. Përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të):


Një ditë Xhibrili erdhi tek Ademi (pqmt) dhe tha:



"Më është urdhëruar që të të ofroj tri gjëra. Mund ta zgjedhësh vetëm njërën dhe t`i lësh dy të tjerat." Ademi (pqmt) pyeti: "Ç`janë ato?"



Xhibrili u përgjigj:



"Mendja, Modestia dhe Feja."



Ademi atëherë ia ktheu: "E zgjedh mendjen." Xhibrili atëherë i tha modestisë dhe fesë që të largoheshin dhe ta linin mendjen me Ademin. Por ata u përgjigjën: "O Xhibril! Neve na është urdhëruar që të jemi me Mendjen kudo që të jetë ajo." Pas kësaj Xhibrili tha: "Atëherë ju e dini." dhe u lartësua drejt qiejve.


 


3. Përcillet se një ditë një njeri e pyeti Imam Xhaferin (pqmt):



"Ç`është mendja?" Ai ia ktheu: "Është një mjet me të cilin njeriu e adhuron Zotin Mëshirues dhe e fiton parajsën." Pastaj njeriu tha: "Ç`është ajo që e kishte Muavije (ibn Ebu Sufjani)?" Imami u përgjigj: "Ajo ishte dinakëri. Djallëzia i ngjan mendjes por nuk është mendje."



 


4. Përcillet nga Imam Rizai (pqmt):


Miku i një njeriu është mendja e tij dhe armiku është injoranca...


 


5. Përcjell Husejn ibn Xhuhami:


Një ditë i thashë Imam Rizait (pqmt):



"Ka ca njerëz që i duan Imamët por tek ata nuk vërejmë ndonjë vendosmëri dhe aftësi të të kuptuarit. Imami tha: "Ata nuk janë njerëzit, të cilëve Zoti ua ka tërhequr vërejtjen. Zoti ka thënë se njerëzit e mençur dhe të kuptueshëm duhet të marrin mësim."



 


6. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


Ai që ka mendje ka edhe besim dhe ai që ka besim do të hyjë në Parajsë...


 


7. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt):


Në Ditën e Gjykimit, Zoti do të kërkojë llogari nga njerëzit në varësi prej nivelit të mendjes që e kanë patur në jetën e tyre.


 


8. Përcjell Sulejman el Dajlamiu nga i ati:


Një ditë ia përmenda Imam Xhaferit adhurimin dhe besimin e një njeriu. Imami pyeti: "Si e ka mendjen?" Unë i thashë: "Nuk e di". Pastaj Imami vazhdoi: "Shpërblimi është i varur nga niveli i mendjes. Një njeri nga bijtë e Israelit e adhuronte Zotin në një ishull në mes të oqeanit. Ishulli ishte përplot gjelbërim, me shumë pemë dhe me ujë të bollshëm. Një ditë një ëngjëll kaloi pranë tij dhe e pyeti Zotin se çfarë shpërblimi vallë do të fitonte ky njeri për këtë vepër të tijën. Zoti ia tregoi shpërblimin e atij njeriu dhe ëngjëllit iu duk shumë pak. Atëherë Zoti i urdhëroi ëngjëllit që të qëndronte me të për një kohë. Ëngjëlli iu shfaq atij në formë njeriu. Ai e pyeti: "Kush je ti?" "Kam dëgjuar për adhurimin tënd dhe për pozitën tënde shpirtërore", tha ëngjëlli. "Andaj kam ardhur të të bashkangjitem në adhurimin e Zotit". Kështu ëngjëlli e kaloi atë ditë bashkë me njeriun dhe ditën e nesërme i tha: "Ky vend qenka shumë i bukur dhe duhet të përdoret vetëm për adhurim". "Ashtu është", ia ktheu njeriu. "Por ja që e ka një të keqe: Zoti ynë nuk paska ndonjë kafshë. Do të kisha dashur që Zoti të kishte ndonjë gomar, që të mund të kujdeseshim për të dhe pastaj ai të kulloste përreth. I gjithë ky bar shkon dëm" Ëngjëlli pyeti: "A nuk ka gomar Zoti yt?"


"Sikur të kishte gomar...", ia ktheu i pikëlluar njeriu. "...i gjithë ky bar nuk do të shkonte kot"


Atë çast, Zoti i shpalli ëngjëllit: "Ne e shpërblejmë gjithkë sipas nivelit të mendjes që ka."


 


9. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


I dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi pasardhësit e tij) ka thënë:



"Po të dëgjoni gjëra të mira për një njeri, duhet të pyesni se sa i mençur është sepse ai do të shpërblehet sipas mendjes që ka."



 


10. Përcjell Abdullah ibn Sinani:


I fola Imam Xhaferit (pqmt) për një njeri i cili ishte i obsesionuar me pastrimin e tij (abdestin) dhe me adhurimin që bënte dhe shtova se ishte njeri i mençur. Imami tha: "Ç`mençuri qenka kjo që i lejoka t`i bindet djallit?"


E pyeta: "Si del që ai i bindet djallit?"


Imami u përgjigj: "Pyete atë prej nga i vjen ajo gjë. Pa dyshim do t`të thotë: "Vjen nga djalli.."


 


11. Përcillet nga I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi pasardhësit e tij):


Zoti s`ka shpërndarë në mesin e njerëzve asgjë më të shkëlqyeshme se mendja. Gjumi i një njeriu të mençur është më i mirë se adhurimi i një injoranti për një natë të tërë. Qëndrimi në shtëpi i një të mençuri është më me vlerë sesa udhëtimi i një injoranti në kërkim të suksesit dhe veprave të mira. Zoti nuk dërgoi asnjë profet ose të dërguar përpara se t`i piqej mendja. Mendja e një të dërguari është më e fuqishme se mendja e ummetit. Çfarëdo që një i dërguar i Zotit ka në mendje është më e mirë se ajo që  ndjekësit e tij mund ta arrijnë me përpjekjen e tyre. Njerëzit nuk mund t`i plotësojnë obligimet e tyre ndaj Zotit pa menduar e patur njohuri për Të. Të gjithë adhuruesit të mbledhur bashkë nuk mund të arrijne me virtytet e adhurimit të tyre, atë që mund ta arrijë një njeri i mençur. Janë pikërisht njerëzit e mençur që konsiderohen si njerëz të aftë për të kuptuar në Kur`an, ku thuhet: "Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë këtë.." (2:269)


 


12. Hisham ibn Hakemi përcjell nga Imam Musa ibn Xhaferi (pqmt):


Imami më tha: O Hisham! Zoti u ka dhënë sihariqe njerëzve të arsyes dhe mendjes në Librin e Tij, duke thënë: Jepu sihariqe robërve të mi që dëgjojnë fjalë të ndryshme dhe i ndjekin fjalët e mira. Këta janë njerëzit, të cilëve Zoti u ka dhënë udhëzim dhe këta janë njerëzit e mendjes së shëndoshë. (39:20)


O Hisham! Zoti i ka përsosur shenjat e Tija nëpërmjet mendjes, i ka përkrahur të dërguarit e tij me aftësinë e të folurit të bukur dhe i ka udhëzuar drejt Vetes me anë të shenjave. Ai ka thënë: Zoti juaj është Zoti i vetëm. Nuk ka Zot tjetër veç Tij, Bamirësit dhe Mëshiruesit. (2:163)


Nga shenjat e ekzistencës së Tij janë krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi i netëve e i ditëve, anijet që lundrojnë mbi det, uji që Zoti e dërgon prej qiejve për ta ngjallur tokën e vdekur, ku ka shpërndarë kafshë të çdo lloji, erërat që fryjnë në çdo drejtim dhe retë që janë gati për shërbim mes qiejve dhe tokës. Këto janë dëshmi për ata që e përdorin mendjen...(2:164)


O Hisham! Zoti i ka përmendur gjërat e mësipërme si një dëshmi të ekzistencës së Tij dhe ka përmendur se këto gjëra i binden dëshirës së Atij që i krijoi. Ai thotë:



Zoti me urdhrin e Tij i ka nënshtruar për ju ditën e natën, diellin e hënën dhe të gjithë yjtë. Në këtë ka dëshmi për njerëzit e mendjes...(16:12)


Është Ai, që ju krijoi nga balta, e ktheu atë në një krijesë të gjallë, pastaj në një gjak të mpiksur dhe më në fund u nxorri në formë të një fëmije. Pastaj Ai u bëri të rriteni drejt burrërisë dhe të plakeni. Ai bën që disa prej jush të jetojnë për një kohë të caktuar dhe disa të tjerë të vdesin më herët, me shpresën se do kuptoni... (40:67)


Në qiej e në tokë ka dëshmi për besimtarët. (45:3) Në krijimin tuaj dhe në krijimin e kafshëve që jetojnë mbi dhé ka dëshmi për ata që kanë besim të fortë. (45:4) Dhe në ndërrimin e natës dhe ditës, në begatinë që Zoti e dërgon nga qiejt për ta ngjallur tokën dhe në ndryshimin e drejtimit të erërave. Në të gjitha këto ka dëshmi për njerëzit e mendjes.. (45:5)


Dijeni se Zoti e sjell në jetë të vdekurën. Ne i kemi shpjeguar shpalljet Tona për ju, që të mund të kuptoni...(57:17)


Mbi dhé ka copa të ngjitura toke, vreshta, fusha, pemë hurmash me një ose me dy rrënjë dhe të gjitha prej tyre ujiten me ujin e njejtë. Disa i kemi bërë më frytdhënëse se të tjerat. E gjithë kjo është dëshmi për njerëzit që mendojnë... (13:4)


Dëshmi të ekzistencës së Tij janë vetëtimat që u trembin dhe uji, që zbret nga qiejt për ta ringjallur tokën pasi të ketë vdekur. Në këtë ka dëshmi për njerëzit e mendjes..(30:24)


Thuaj: "Më lini t`ju tregoj se ç`ka urdhëruar Zoti juaj: Mos e konsideroni asgjë të barabartë me Të! Jini të sjellshëm ndaj prindërve! Mos i vrisni fëmijët tuaj duke e patur frikë varfërinë, sepse Ne u falim begati juve dhe atyre. Mos bëni imoralitet, as hapur as fshehurazi! Mos ia merni jetën askujt, përveç atyre që vdekjen ua arsyeton ligji dhe drejtësia. Kështu u urdhëron Ai, që të mund ta mësoni urtësinë... (6:151)


Zoti ua ka shpjeguar krahasimin në lidhje me veten tuaj: A mund vallë skllevërit tuaj ta kenë të drejtën e njejtë mbi pasurinë tuaj si ju dhe a mund vallë t`i keni frikë ata sa e keni frikë vetveten? Kështu Ne i shpjegojmë dëshmitë pë njerëzit që kuptojnë... (30:28)



O Hisham! Zoti pastaj ka dhënë një këshillë të mirë për njerëzit e mendjes dhe u ka dhënë kurajo të interesohen për botën tjetër, duke thënë:



Kjo botë s`është veçse një argëtim në krahasim me amshimin që është shumë më i mirë dhe i ndarë për të virtytshmit. A s`do të kuptoni vallë? (6:32)



O Hisham! Zoti i ka paralajmëruar ata që nuk mendojnë për dënimin që mund t`u vijë nga Zoti, duke thënë:



Pastaj Ne i shkatërruam të tjerët krejtësisht..(37:136)


Ju kaloni pranë vendbanimeve të tyre të shkatërruara mëngjes e mbrëmje. (37:137)


S`do të kuptoni vallë? (37:138)


Këtij qyteti do t`i sjellim një vuajtje nga qiejt për shkak të të ligave të banorëve të saj...(29:34) Atje kemi lënë dëshmi të qarta për njerëzit që kuptojnë..(29:35)


"Mendja shkon bashkë me diturinë", ka thënë Zoti. Këto janë tregimet që ua rrëfejmë njerëzve por vetëm njerëzit e dijes i kuptojnë. (29:43)



O Hisham! Më pas Zoti e shprehi mospëlqimin e tij ndaj njerëzve që nuk kuptojnë, duke thënë: Kur disave u thuhet t`i ndjekin shpalljet e Zotit, ata thonë:



" Ne më mirë do ta ndjekim atë që ndoqën etërit tanë.", ndonse etërit e tyre nuk kuptonin dhe nuk e gjetën dot udhëzimin. (2:170)


T`u tregosh jobesimtarëve është sikur të flasësh me dikë që nuk dëgjon tjetër veç britmave. Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër dhe s`kuptojnë.. (2:171)


Disa prej tyre do t`të vështrojnë. Mos vallë duhet ta udhëzosh të verbërin ndonse ai s`sheh gjë? (10:43)


Mendon vallë se shumë prej tyre dëgjojnë e marrin vesh? Ata janë si bagëtia ose akoma më keq, të devijuar dhe të humbur. (25:44)


Ata s`do luftojnë kundër teje të bashkuar veçse në kështjella dhe pas muresh. Ata janë të fortë në mesin e tyre. Ty të duket se janë të bashkuar por në të vërtetë, zemrat i kanë të ndara. Ata janë njerëz që s`kuptojnë... (59:14)


Mos vallë do t`u urdhëronit njerëzve të veprojnë mirë dhe pastaj vetë t`i harronit këto urdhra? Përse nuk mendoni? (2:44)



O Hisham! Zoti e ka shprehur mospëlqimin ndaj masave, duke thënë:



Shumica e njerëzve në tokë do t`të çonin larg nga udhëzimi i Zotit, sikur t`i ndiqje. Ata i ndjekin vetëm parashikimet e tyre dhe të mësojnë gabime... (6:116)


Po t`i pyesësh: "Kush i krijoi qiejt e tokën?" pa dyshim të thonë: "Zoti i ka krijuar". Thuaj: Zoti i meriton të gjitha lëvdatat, por shumë prej tyre s`e dinë.." (31:25)


Po t`i pyesësh: "Kush zbriti shi nga qiejt për ta ngjallur tokën e vdekur?", ata thonë: "Zoti e ka bërë". Thuaj: "Pa dyshim, Zotit i takojnë të gjitha lëvdatat por shumë prej tyre s`e kuptojnë... (29:63)



O Hisham! Zoti pastaj i ka lëvduar ata të paktët në numër dhe ka thënë:



"Vetëm pak nga shërbetorët e mi janë mirënjohës" (34:13) Pastaj ka theksuar: "Sa të paktë që janë ata..." (38:24)




Një besimtar nga populli i faraonit, që e fshihte besimin e tij, tha: "Do ta vrisni vallë një njeri vetëm ngase ka thënë se zoti i tij është Allahu?(40:28)




Askush s`i besoi përveç disave...(11:40)




Dhe thuaj (Muhammed): "Pa dyshim, Zoti ka fuqi të bëjë mrekullira por shumë prej tyre janë injorantë... (6:37)




Shumë prej tyre nuk kuptojnë... (5:103)


Shumë prej tyre s`e kanë të qartë...(10:60)



O Hisham! Zoti i ka përmendur më së miri njerëzit e mendjes dhe i ka cilësuar me gjërat më të bukura, duke thënë:



Zoti i jep urtësi atij që do. Pa dyshim, ai të cilit i jepet urtësia, posedon shumë gjëra. Por vetëm njerëzit e mendjes e kuptojnë këtë... (2:269)


Ata që janë të thelluar në dituri thonë: "E besojmë atë. Të gjitha vargjet e tij janë nga Zoti ynë." Këtë s`e kupton kush përveç të mençurve... (3:7)


Krijimi i qiejve e i tokës dhe ndërrimi i natës e i ditës janë dëshmi për njerëzit e mendjes...(3:190)


Si mund vallë të jetë i njejtë një i verbër me njeriun që di se gjithë ç`është shpallur nga Zoti yt është e vërteta? Vetëm ata që kuptojnë janë të vëmendshëm...(13:19)


Si mund ky të jetë i njejtë me atë që e adhuron Zotin netëve, i përkulur qoftë ose i ngritur në këmbë, duke e patur frikë Ditën e Gjykimit dhe duke patur shpresë prej mëshirës së Tij? Thuaj: "Si mund të jetë i njejtë ai që di me atë që nuk di? Por vetëm njerëzit e mendjes janë të vëmendshëm.." (39:9)


Është një libër i bekuar, të cilin e shpallëm që të mund të mendonit mbi vargjet e tij dhe që të mund të mernin mësim  njerëzit që kuptojnë...(38:29)


Musës i dhamë udhëzim dhe fëmijëve të Israelit ua falëm Librin si trashëgim, si udhëzues dhe si përkujtues për njerëzit që kuptojnë...(40: 53-54)


Vazhdo t`u përkujtosh! Kjo u bën mirë besimtarëve... (51:55)



O Hisham! Zoti thotë në librin e Tij:



Ky është një përkujtues për atë që kupton, dëgjon dhe sheh... (50:37)



Këtu flet për mendjen. Pastaj thotë:



Ne i dhamë urtësi Llukmanit që ta falënderonte Zotin... (31:12)



O Hisham! Llukmani i tha të birit: "Nderoje të vërtetën që të jesh më i mençuri i njerëzve! Biri im, bota është një oqean i thellë ku shumë njerëz janë mbytur. Duhet ta marrësh virtytin si një anije drejt Zotit, ta pajisësh atë me besim, ta marësh mbështetjen tek Zoti si shpërblimin tënd, mendjen si kapiten të anijes, diturinë si udhëzues dhe durimin si udhëtar."


O Hisham! Ka një udhëzues për gjithçka. Udhëzues i mendjes është përsiatja (të menduarit). Udhëzuesi i përsiatjes është heshtja. Për gjithçka ka një mjet udhëtimi dhe për mendjen, ky mjet është modestia. Mosrespektimi i një ndalese është dëshmi e mjaftueshme e injorancës së një njeriu.


O Hisham! Zoti i ka dërguar profetët e tij vetëm që njerëzit të mund ta kuptonin Atë. Ata që i binden më mirë, e kuptojnë më mirë Zotin. Ata që janë më të ditur në lidhje me urdhrat e Zotit, kanë mendje më të fuqishme. Ata që kanë mendje të fuqishme janë më të lartësuar në këtë botë dhe në tjetrën.


O Hisham! Zoti ka dhënë dy lloje dëshmie për njerëzit. Në njërën anë janë të dërguarit e tij, që janë dëshmia e hapur dhe në anën tjetër qëndron dëshmia e fshehur, që është mendja.


O Hisham! Njeri i mençur është ai, mirënjohja e të cilit nuk shuhet kur të jetë pasuruar dhe të cilit gjërat e ndaluara s`ia mundin durimin.


O Hisham! Dije se një njeri që do t`i ndëronte tri gjëra me tri të tjera do ta përgatiste shkatërrimin e tij. Këto janë:



  1. Ta ndërosh aftësinë e të menduarit me ëndrrat e kota

  2. T`i shkatërrosh mendimet e tua duke folur tepër

  3. T`i shuash dritat e mësimeve të përvojës duke i ndjekur dëshirat


Kjo është sikur të qëndrosh pas dëshirave për ta shkatërruar mendjen tënde. Ai që e shkatërron mendjen, e ka shkatërruar jetën e tij në këtë botë si dhe në botë që vjen.


O Hisham! Si pret të kesh vepra të pastra përpara Zotit kur ke punë të tilla që të mbajnë larg gjërave që janë të rëndësishme për Zotin tënd dhe kur i ke zgjedhur dëshirat në vend të mendjes?


O Hisham! Të kesh durim në vetmi është shenjë e një mendjeje të fortë. Ai që e kupton Zotin, rri larg njerëzve të kësaj bote dhe prej atyre që janë të lidhur pas saj. Atij i intereson ajo që është pranë Zotit. Zoti pastaj ia kthen në rehati frikën dhe i jep shoqëri kur është vetmiplot. Zoti i jep pasuri mes varfërisë së tij dhe dinjitet pa patur nevojë për fis e farë...


O Hisham! E vërteta forcohet që njerëzit t`i binden Zotit. Nuk ka shpëtim pa iu bindur Atij. Bindja vjen nga dituria, që fitohet veç me mësim dhe mësimi forcohet veç nga një mendje e shëndoshë. Dituria e vetme me vlerë është ajo e një njeriu i cili e njeh Zotin e tij. Pa dyshim, mendja e dallon diturinë që vlen.


O Hisham! Veprat e vogla që bëhen me dituri pranohen me vlerë të dyfishtë ndërkohë që s`pranohen veprat e mëdha, të bëra nga njerëz, që i ndjekin dëshirat e tyre dhe injorancën.


O Hisham! Një njeri i mençur është i kënaqur me gjëra të pakta nga kjo botë me kusht që të ketë urtësi por kurrë nuk pajtohet që urtësinë ta ketë të paktë dhe të posedojë gjithçka që është mbi dhé. Pa dyshim, këta njerëz bëjnë një "tregti" të mirë.


O Hisham! Njerëzit e mençur qëndrojnë larg nga gjërat që janë më tepër sesa nevojat themelore të jetës. A mund vallë, të tillët të mos qëndrojnë larg mëkateve? Të largohesh nga ajo që është më tepër sesa nevojat themelore është një virtyt por të qëndrosh larg nga mëkatet është obligim për besimtarin.


O Hisham! Në njeri i mençur e vëzhgon botën dhe njerëzit e saj dhe e kupton se fitimet e kësaj bote kërkojnë punë të rëndë dhe përpjekje. Ai sheh se edhe fitimet e botës së përtejme kërkojnë po kaq. Andaj e zgjedh atë që është e përjetshme.


O Hisham! Njerëzit e mendjes qëndrojnë larg gjërave të kësaj bote dhe e rrisin interesin e tyre për gjërat e amshimit. Ata e dinë se kjo botë, njësoj si amshimi, është një gjë që kërkohet por edhe kërkon. Ata që e kërkojnë amshimin, i dëshiron edhe kjo botë njësoj siç i dëshiron amshimi, njerëzit që e duan këtë jetë. Por këtij të fundit do t`i afrohet vdekja dhe do t`ia shkatërrojë botën, për ta lënë pa një mundësi shpëtimi në të përtejmen.


O Hisham! Ai që kërkon vetëmjaftueshmëri pa qenë i pasur, paqe të zemrës pa të ligat e xhelozisë dhe siguri të besimit të tij, le t`i lutet Zotit të Madhëruar që t`ia përsosë mendjen. Një person i mençur është i kënaqur me nevojat themelore dhe ai që është i kënaqur me kaq pak, është përherë i vetëmjaftueshëm dhe i pavarur nga të tjerët. Mirëpo ai që s`kënaqet me nevojat themelore, s`do të jetë kurrë i shpëtuar nga dëshirat.


O Hisham! Zoti e ka përcjellur fjalën në vijim, në lidhje me njerëzit e virtytshëm: Ata thonë:


"Zoti ynë, mos bëj që zemrat tona të largohen nga udhëzimi Yt dhe na fal mëshirë. Ti je Shpërblyesi më i mirë." (3:8)


Ata e dinë se zemrat mund të devijojnë dhe të kthehen kah verbëria dhe shkatërrimi.


S`ka dyshim se ata që s`e kanë droje Zotin, nuk e kanë kuptuar Atë. Zemra e atij që nuk e kupton mirë Zotin, nuk do të ketë kurrë një njohje të qartë e të vetëdijshme në lidhje me Të. Askush nuk mund të jetë i tillë, përveç atyre, fjalët e të cilëve përshtaten me veprat  dhe fshehtësia e të cilëve përshtatet me jetën e tyre në shoqëri. Kjo është kështu, sepse Zoti, emrat e të cilit janë të shenjtë,  e shpreh pjesën e fshehur të mendjes së një njeriu me veprat e tija në shoqëri dhe me fjalët që i thotë.


O Hisham! Udhëheqësi i besimtarëve, Aliu (pqmt) ka thënë:



Asgjë s`ndihmon më tepër në adhurimin e Zotit sesa mendja dhe askujt nuk i përsoset mendja derisa nuk i zhvillohen disa cilësi: Mosbesimi dhe e liga nuk duhet të burojnë prej saj. Urtësia dhe të mirat duhet të gjejnë vend në të. Atë që i tepron nga pronat, e fal si lëmoshë, fjalët i ruan brenda vetes dhe ajo që mer nga kjo botë s`është më tepër se nevojat e tija themelore. Ai kurrë nuk mendon se ka mësuar mjaft. Të jetë me Zotin, i përulur është shumë më e mirë për të sesa të jetë me të tjerët dhe i nderuar. Modestia është më e dashur për të sesa lavdia. Ai i sheh si të mëdha të mirat e të tjerëve kurse virtytet e tija i duken të parëndësishme. Ai i konsideron të gjithë më të mirë se vetja dhe e sheh veten si më të keqin prej tyre.



O Hisham! Një njeri i mençur kurrë nuk thotë gënjeshtra, ndonse një gjë e tillë mund t`ia plotësojë dëshirat.


O Hisham! Një njeri që s`është i sjellshëm nuk ka fe dhe një sjellje e tillë fisnike nuk vjen veçse prej mendjes.


O Hisham! Udhëheqësi i besimtarëve, Aliu (pqmt) ka thënë:



Tri cilësi fisnike janë shenja të mendjes tek një njeri. Ai përgjigjet kur e pyesin, flet vetëm kur të tjerët nuk flasin dot dhe jep këshilla kur janë të nevojshme për njerëzit. Një njeri që s`e ka asnjë nga këto cilësi është mendjelehtë. Ai gjithashtu ka thënë: Askush nuk duhet t`i udhëheqë mbledhjet përveç një njeriu që i ka këto cilësi ose vetëm një pjesë prej tyre. Një njeri që udhëheq një mbledhje dhe s`i ka këto cilësi, s`është tjetër veçse mendjelehtë.



Imam Hasan ibn Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë:



Në do kërkoni ndihmë, kërkoni nga burimi i duhur. E pyetën: "O nip i Profetit, kush është burimi i duhur?" Ua ktheu: Ata janë njerëzit e mençur për të cilët flet Zoti në librin e tij, kur thotë: "Vetëm njerëzit që kuptojnë marrin mësim."(39:9)



Imam Ali ibn Husejni (pqmt) ka thënë:



Të jesh në shoqëri me të virtytshmit të çon drejt virtytit dhe shoqëria me dijetarët është një mënyrë për ta përforcuar mendjen. Bindja ndaj pushteti që sundon me drejtësi është një nder. Ta begatosh pasurinë tënde është një vepër e mirë. Të udhëzosh një njeri që kërkon udhëzim është një shprehje falënderimi. Kontrollimi i veprave të dëmshme të një njeriu është pasojë e përsosmërisë së mendjes së tij, në të cilën fshihet rehatia e trupit.



O Hisham! Një njeri i mençur nuk flet me atë, i cili mund ta quajë gënjeshtar. Ai nuk kërkon nga njerëzit të cilët mund t`i mohojnë. Ai nuk llogarit me gjërat që janë përtej mundësive të tija. Ai nuk lidh shpresë për gjërat që mund të jenë mizore. Ai nuk hapëron drejt diçkaje që s`mund ta arrijë për shkak të paaftësisë së tij.


 


13. Përcillet nga udhëheqësi i besimtarëve, Aliu (pqmt):


Mendja është një mburrojë për njeriun dhe dituria e bollshme dhe aftësitë janë një bukuri e qartë. Zëvendësoni mangësite tuaja fizike me dituri të bollshme dhe me aftësi. Luftoni kundër dëshirave tuaja me ndihmën e mendjes dhe kur ta bëni këtë, do të gjeni miqësi dhe njerëzit do t`ju duan.


 


14. Suma`a ibn Mihrani përcjell:


Një ditë isha në një mbledhje të Imam Xhaferit (pqmt) me ndjekësit e tij. Përnjëherë filloi një diskutim në lidhje me mendjen dhe injorancën. Atëherë Imami (pqmt) tha:



Për ta gjetur udhëzimin e duhur, duhet që ta njihni mendjen dhe injorancën bashkë me ushtritë e tyre. Unë thashë: Tu bëfsha kurban. ne nuk dimë gjë tjetër, përveç asaj që ti na mëson. Pastaj Imami vazhdoi: Zoti i Madhëruar e krijoi mendjen dhe ajo ishte gjëja e parë e krijuar në botën e shpirtrave, në të djathtë të Fronit dhe të dritës së Tij. Ai pastaj i tha mendjes të shkojë prapa dhe ajo shkoi. I urdhëroi të ecte para dhe ajo eci. Zoti i Shenjtë dhe i Madhëruar tha: "Të kam krijuar të lavdishme dhe të kam nderuar përmbi të gjitha krijesat e tjera. Imami vijoi: Pastaj Zoti e krijoi injorancën nga një oqean i errët e i kripur dhe i urdhëroi të hapëronte prapa. Injoranca hapëroi. Pastaj i tha të ecte përpara por ajo nuk erdhi."Ti u mburre." i tha Zoti dhe e mallkoi atë. Pastaj i caktoi 75 ushtarë mendjes. Kur injoranca i pa gjithë ato nderime që Zoti ia bënte mendjes, ndjeu një armiqësi përbrenda dhe tha: "Zoti im, ajo (mendja) është njësoj si unë. Por ti e krijove atë, e nderove dhe i dhe fuqi. Por unë nuk kam kurrfarë force përballë saj. Më fal edhe mua ushtarë të tillë." Pastaj Zoti tha: "Edhe ty do t`të jap një ushtri por sikur të tregosh mosbindje do t`të përzë bashkë me ushtrinë shumë larg mëshirës Sime" Pastaj injoranca u pajtua dhe Zoti i dha 75 ushtarë që do të qëndronin kundër ushtarëve të mendjes.




 Askush nuk mund ta posedojë të gjithë ushtrinë e mendjes me cilësitë e saja përveç një të dërguari, një zëvendësi të tij dhe një besimtari, besimin e të cilit e ka sprovuar Zoti. Gjithsesi, nga ndjekësit tanë mund të ketë të tillë që mund ta arrijnë përsosmërinë dhe ta largojnë injorancën për ta pastruar veten e tyre. Po të ngjajë kështu, edhe ata do të ngjiten në shkallët e larta të të dërguarve dhe pasardhësve të tyre. Kjo mund të arrihet vetëm pasi t`i ketë mësuar me siguri, mendjen dhe injorancën bashkë me ushtritë e tyre. Na mundësoftë Zoti neve dhe juve që t`i bindemi Atij dhe të punojmë për ta kënaqur.



 


15. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


I Dërguari (pqmtmpt) kurrë s`u foli njerëzve nga lartësia e tij dhe me fuqinë e plotë të mendjes. Ai ka thënë: 



Ne profetët, jemi urdhëruar që të flasim me njerëzit sipas nivelit të  mendjeve të tyre.



 


16. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt):


Lakmia e mbush zemrën e një injoranti, dëshirat dhe pasionet e mbajnë peng dhe mashtrimi i rri ngjitur.


 


17. Përcillet nga Ebu Abdullahu (pqmt):


Mendja më e përsosur është ajo me moral të bukur.


 


18. Përcjell Ebu Hashim el Xhaferiu:


Ishim në prani të Imam Rizait (pqmt) kur filloi një diskutim dhe Imami tha: O Ebu Hashim! Mendja është një dhuratë nga Zoti por morali është gjë që fitohet me mundim. Ai që shtiret si njeri me moral, do ta zotërojë moralin një ditë por ai që shtiret si i mençur, veç më tepër do ta shtojë injorancën e tij.


 


19. Përcjell Is`hak ibn Ammari:


E pyeta Imam Xhaferin (pqmt): "Kam një fqi që falet shumë, jep shumë lëmoshë dhe shumë shpesh bën pelegrinazh për në Mekke. Imami më pyeti: "Si e ka mendjen?" Unë i thashë: "Nuk është i mençur fare". Imami ma ktheu: "Asnjë nga veprat e tija nuk do të ngritet (drejt qiejve)."


 


20. Ebu Jakub Bagdadiu përcjell:


Ibn Sukajti e pyeti Imam Rizain (pqmt): "Përse Zoti e dërgoi Musën (pqmt) me mrekulli që vinin nëpërmjet shkopit të tij, Isën (pqmt) me aftësi për të mjekuar dhe Muhammedin (paqja qoftë mbi të dhe mbi pasardhësit e tij) me rrjedhshmëri të të folurit?


Imami ia ktheu:



Kur u dërgua Musa, magjia ishte e famshme në mesin e njerëzve. Ai bëri magji të tilla që askush nuk mund t`i bënte asokohe. Ai kishte fuqi të tilla që i shkatërronin të gjitha magjitë e tjera dhe e përcillnin porosinë e Zotit mes njerëzve. Zoti e dërgoi Isën në një kohë kur kishte sëmundje të rënda mes njerëzve dhe u duhej mjekim. Ai solli nga Zoti, atë që nuk e kishin njerëzit. Ai erdhi me fuqinë për t`i kthyer të vdekurit në jetë, për t`i shëruar të sëmurit, për t`i mjekuar të sëmurit nga leproza me lejen e Zotit dhe me këtë, për ta themeluar drejtësinë e porosisë së Zotit mes njerëzve.


Zoti e dërgoi Muhammedin (pqmtmpt) në një kohë kur oratoria (ose poezia) ishte e famshme tek njerëzit. Ai u solli njerëzve këshilla dhe urtësi dhe ua tregoi qartë gabimet në fjalët e tyre dhe me këtë e vendosi drejtësinë e porosisë së Zotit në mesin e tyre. Ibn Sukajti atëherë tha: Betohem në Zotin se nuk kam parë asnjë njeri të ngjashëm me ty. Cila është dëshmia për ta vendosur drejtësinë e porosisë së Zotit në ditët tona?



Imami u përgjigj:



Është mendja. Nëpërmjet saj njeriu i njeh ata që e flasin të vërtetën nga Zoti dhe me këtë e dëshmon vërtetësinë e fjalëve të tyre duke i zbuluar ata që gënjejnë në emër të Zotit. Ibn Sukajti përfundoi: Pa dyshim, kjo është përgjigja...



 


21. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt):


Kur të shfaqet Kaimi (ai që do të ngrihet me Fuqi Hyjnore) që është nga ne, Zoti do ta vendosë dorën e tij mbi kokat e njerëzve, do t`ua sjellë mendjen në vend dhe do t`i bëjë të kuptojnë.


 


22. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


Dëshmia mes Zotit dhe njerëzve është i dërguari i tij kurse dëshmia mes njerëzve dhe Zotit është mendja.


 


23. Përcillet nga Imam Xhaferi(pqmt):


Mendja është një përkrahje për njeriun. Nga mendja vijnë urtësia, të kuptuarit, të mbajturit mend dhe dituria dhe të gjitha përsosen nëpërmjet saj. Mendja është udhëzuesi i njeriut, këshilluesi i tij dhe çelësi i punëve të tija. Kur mendja e tij përkrahet me dritë, ai bëhet dijetar, një ruajtës i diturisë, një kujtues i mençur dhe një njeri i urtësisë. Nëpërmjet mendjes njeriu mëson përgjigjet për pyetjet "si?", "përse?", "ku?" dhe "kur?". Ai mëson se kush i ndihmon dhe kush i bën dëm. Kur t`i ketë mësuar këto, ai e di rrugën që duhet ndjekur, lidhjet që duhen krijuar dhe faktorët e duhur. Pastaj ai zhvillon një besim të pastër në Njëshmërinë e Zotit dhe e dëshmon nevojën e bindjes ndaj Tij. Kur vepron kështu, ai e gjen ilaçin e duhur për gjërat që ka humbur dhe këndvështrimin e duhur ndaj gjithçkaje që mund të vijë. Ai e kupton qartë gjendjen e tij të tanishme, e di shkakun përse gjendet në të, e di nga ka ardhur dhe drejt ç`fundi po hapëron. Ai do t`i ketë të gjitha këto vetëm falë mendjes së tij.


 


24. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


Mendja është udhëzuesi i një besimtari të vërtetë.


 


25. Përcillet nga Imam Ebu Xhaferi (pqmt):


I Dërguari i Zotit (pqmtmpt) ka thënë:



 O Ali! S`ka varfëri më të keqe se injoranca dhe pasuri më të dobishme se mendja.



 


26. Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt):


Kur Zoti e krijoi mendjen, i tha asaj:



"Eja përpara!". Mendja erdhi. Pastaj i urdhëroi të kthehej prapa dhe ajo u kthye. Pastaj Zoti tha: "Betohem mbi madhërinë dhe mbi lavdinë Time se nuk kam krijuar asgjë më të bukur se ti. Do t`të urdhëroj vetëm ty dhe vetëm ty do t`të ndaloj të bësh disa gjëra. Ty do të të bekoj dhe ty kam për të të dënuar.



 


27. Is`hak ibn Ammari përcjell:


I thashë Imam Xhaferit (pqmt):



Një njeri vjen tek unë dhe sapo i them një pjesë të asaj që kam për të thënë, ai i kupton të gjitha. Por ka të tillë që vijnë tek unë dhe më kuptojnë vetëm pasi t`i kem thënë të gjitha që kam për t`ë thënë. Pastaj më shpjegojnë se ç`kam dashur të them. Ka akoma të tjerë të cilëve u flas gjatë e gjatë por ata më kërkojnë me ngulm që ta përsëris atë që kam thënë. Imami tha: O Is`hak, e di përse ndodh kjo? I thashë se nuk e dija. Pastaj Imami vijoi: Ata të cilët të kuptojnë ndonse u ke thënë veç një pjesë të asaj që ke dashur ta thuash, janë njerëzit, mendja e të ciëve është e ngjizur në natyrën e tyre fillestare. Ata të dytët, të cilët të kuptojnë vetëm pasi t`i kesh përfunduar fjalët, janë ata të cilëve mendja u është falur në bark të nënës kurse ata të fundit, që të kërkojnë pa ndalur t`ua përsërisësh fjalët e tua, janë njerëzit, të cilëve mendja u është falur kur janë rritur...



 


28. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


I Dërguari i Zotit (pqmtmpt) ka thënë:



Kur të takoni një njeri që falet e që agjëron shumë, mos u krenoni me të derisa të shihni se çfarë mendjeje ka.



 


29. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


O Mufaddal! Një njeri s`mund të jetë i suksesshëm derisa nuk kupton dhe nuk mund të kuptojë derisa nuk ka dituri. Ai që kupton do të lartësohet shpejt. Ai që bën durim, do të dalë fitimtar. Dituria shërben si një mburrojë, e vërteta është nder, injoranca është poshtërsim, zgjuarësia është lavdi, bujaria është sukses dhe morali i bukur është diçka që të krijon miqësi. Ai që e njeh kohën në të cilën jeton, nuk vuan në trazira. Të menduarit e tepërt për të nesërmen, krijon pesimizëm... Zoti është Mbrojtës i atyre që e njohin dhe armik i atyre që shtiren si të tillë. Një njeri i mençur është i mëshirshëm dhe një injorant është i pabesueshëm. Po deshe të nderohesh, bëhu i sjellshëm dhe po deshe të të ofendojnë, bëhu i ashpër. Një njeri me origjinë fisnike është gjithmonë i butë dhe një njeri me origjinë të prishur është i ashpër. Ata që teprojnë, humbasin. Ai që ka frikë nga pasojat, nuk hyn në punë, për të cilat nuk ka dituri dhe ai që i hyn një pune pa e njohur atë, vetëm e ka përgatitur humbjen e tij. Një njeri që nuk di, nuk kupton dhe një njeri që nuk kupton nuk mund të pajtohet me të tjerët e të jetë paqësor. Një njeri që nuk pajtohet dhe nuk bindet, s`ka për t`u respektuar dhe një njeri që nuk respektohet, është i nënçmuar. Ai që nënçmohet ofendohet dhe një njeriu të tillë, duhe t`i vijë keq për veten.


 


30. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt):


Nëse shoh ndonjë cilësi të bukur tek një njeri, mund t`ia fal mangësite e tjera të tij por kurrë nuk do ta kisha falur një njeri që e humb mendjen dhe besimin sepse ta humbasësh besimin, është sikur të largohesh nga paqja dhe siguria. Dhe të largohesh nga to, është të bësh një jetë mizore. Humbja e mendjes është humbje e jetës. Një njeri pa mendje s`mund të krahasohet me asgjë tjetër veçse me një të vdekur.


 


31. Përcillet nga Imam Aliu (pqmt):


Vlerësimi i vetvetes është shenjë e një mendjeje të dobët.


 


32. Përcjell Hasan ibn Xhuhami:


Disa njerëz e përmendën mendjen në prani të Imam Rizait (pqmt) dhe ai tha:



Nga njerëzit fetarë, ata që s`kanë mendje nuk meritojnë ndonjë shpërblim. Atëherë unë thashë: E njoh një grup të tillë njerëzish që në sytë tanë janë të drejtë por jo shumë të mençur. Imami (pqmt) ma ktheu: Ata nuk janë nga njerëzit, të cilëve u drejtohej Zoti kur e krijoi mendjen dhe i urdhëroi të vinte përpara e ajo erdhi. Pastaj i urdhëroi të shkojë prapa dhe mendja u kthye. Pastaj Zoti tha: "Betohem mbi madhërinë dhe mbi lavdinë time se nuk kam krijuar asgjë më të mirë dhe më të dashur për Mua nga ç`je ti. Ty do t`ti fal shpërblimet dhe vetëm ty do t`të dënoj.



 


33. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):



Nuk ka gjë tjetër që e dallon besimin nga mosbesimi, përveç mendjes. Njerëzit e pyetën: Përse thua kështu o stërnip i të Dërguarit (pqmtmpt)? Ai ua ktheu: Njerëzit i lidhin shpresat e tyre për krijesa të tjera. Por sikur të ishin të sinqertë me Zotin, s`ka dyshim se Ai do t`ua plotësontë dëshirat dhe kërkesat shumë më shpejt.



 


34. Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


Imam Aliu (pqmt) ka thënë:



Me anë të mendjes zbulohen thellësitë e urtësisë dhe veç me urtësi zbulon thellësitë e mendjes. Morali i bukur krijon njerëz të mirë. Të menduarit është një dritë për zemrën e mençur, njësoj si drita që i mundëson njeriut të ecë me lehtësi nëpër errësirë.



SHËNIM:
Dy hadithet e përcjellura më poshtë, të shënuara si a) dhe b) nuk gjenden në shumë prej dorëshkrimeve por janë gjetur vetëm në dy dorëshkrime të shekullit të dhjetë. Ndonse mungojnë në shumicën prej dorëshkrimeve, ata janë përcjellur prej Kulejniut në veprën "et-Teuhid" të Shejh Sadukut.


a) Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt) në një thënie të gjatë:



Gjëja e parë, zanafilla dhe përbërja e një sendi është gjëja pa të cilën ai send do të ishte i padobishëm. Gjëja që Zoti e ka krijuar si bukuri dhe dritë për krijesat e Tija, është mendja. Me anë të mendjes njerëzit e njohin Krijuesin e tyre dhe e kuptojnë se janë të krijuar prej Tij. E kuptojnë se është pikërisht Ai që i mban në jetë dhe se Ai është i përjetshëm, përderisa ata s`janë veçse të vdekshëm të thjeshtë. Është mendja, ajo që i kupton dëshmitë që gjenden në qiej, në tokë, tek dielli e hëna dhe tek nata e dita. Me anë të mendjes, njeriu mëson se ai dhe të gjitha krijesat e tjera kanë një Krijues, i cili është furnizues dhe i përjetshëm. Njeriu, nëpërmjet mendjes e mëson të mirën dhe të keqen dhe kupton se injoranca është errësirë dhe dituria dritë. Këto janë gjëra që njeriu i mëson nëpërmjet mendjes.


Njerëzit e pyetën Imamin (pqmt): A i mjafton vetëm mendja një njeriu?" Imami u përgjigj: Me anë të mendjes, që është një udhëzues dhe një bukuri prej Zotit, njeriu i mençur e kupton se Zoti i vetëm është Krijuesi dhe Zoti i tij. Me anë të mendjes, ai kupton se Krijuesit të tij i pëlqejnë ca gjëra dhe disa të tjera i urren. Ai e kuptin se Zotit duhet t`i bindet dhe se disa vepra janë shenjë e mosbindjes ndaj Tij dhe e kupton se asgjë tjetër veç mendjes nuk ia qartëson atij këto të vërteta. Prapë nëpërmjet mendjes, ai e kupton se vetëm me dituri dhe me kërkim mund të arrihet tek Krijuesi dhe se është e padobishme mendja nëse njeriu s`e kupton dot të vërtetën mbi Krijuesin e tij. Atëherë është e nevojshme që një njeri i mençur të fitojë dituri dhe një moral të bukur.



 


b) Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt):


S`ka pasuri më të dobishme se mendje, s`ka mjerim më të keq se injoranca dhe s`ka kërkesë më të mirë për përkrahje sesa të kërkosh këshilla.


E gjithë lavdia i takon Zotit të vetëm dhe të pashoq. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhammedin dhe mbi pasardhësit e tij...


FUND