Udhëzues Praktik për Muslimanët në Perëndim
Sejjid ‘Abdul-Hadi el-Hakim
21.03.2009

PËRMBAJTJA:
Parathënie

Hyrje e autorit
Epilog
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
II.Teklidi: Ndjekja e një juristi në çështje ligjore
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje 
III. Pastërtia (taherat) e Papastërtia (nexhesat) Ritulae
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
IV. Namazi
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
V. Agjërimi
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
VI. Haxhi
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje 
VII. Çështje të lidhura me vdekjen
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Përpara vdekjes
 Larja e (Ghusli) Kufomës
 Tahniti dhe mbështjellja
 Xhenazja
 Varrosja
 Pyetje dhe përgjgje
VIII. Ngrënia dhe pirja
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
IX. Veshja & Robat
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje 
X. Qëndrimi ndaj ligjeve në vende jomulimane
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
XI. Puna & Investimi
 Hyrja
 Rregulla të përgjithshme
 Pyetje dhe përgjigje
XII. Bashkëveprimi në jetën shoqërore
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 Të drejtat e të afërmve
 Prindërit
 Të moshuarit
 Të vizituarit e njëri tjetrit
 Fqinji
 Besnikëria
 Bashkëshorti dhe bashkëshortja
 Miqësia me jomuslimanët
 Mirësia ndaj njerëzve
 Të bërit paqe mes njerëzve
 Këshilla e sinqertë për vëllezërit musliman
 Spiunimi
 Përgojimi, Namimeh
 Teprimi dhe shpërdorimi
 Bamirësia
 Dhurata për anëtarët e familjes
 Shqetësimi për ummetin
XIII. Çështje mjeksore
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
 SIDA/AIDS
XIV. Martesa
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
XV. Çështje të grave
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
XVI. Çështje të rinisë
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
XVII. Muzika, këndimi & kërcimi
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
XVIII. Të Ndryshme
 Hyrje
 Rregulla të përgjithshme
Epilog
Shtojca
I. Përbërësit haram në prodhimin e ushqimit
II. Përbërës dhe prezervues në produkte ushqimore


Parathënie 


Në Emër të Zotit, Gjithmëshiruesit, të Plotmëshirshmit


Bekimet e Zotit qofshin mbi Muhammedin dhe Pasardhjen e tij.


Shkruajtja e doracakëve të ligjeve islame për përdorim të gjerë nga muslimanët është një proçes në zhvillim të pareshtur, duke pasqyruar ndryshimet e ndodhura në shumë rrethana të jetës dhe rëndësinë (ose parëndësinë) e disa problemeve dhe çështjeve që variojnë nga koha në kohë dhe vendi në vend.


Në këtë shekull kemi parë fillimisht veprën e përdorur gjerësisht Tewdihu`l-mesa`il në persisht (e njohur gjithashtu si Risale-i `amelijje), pastaj kishim Minhaxhu`s-salihin në arabisht, nga i ndjeri Ajetullah Muhsin el-Hakim (e zgjeruar më vonë nga i ndjeri Ajetullah el-Khu`i dhe e përmirësuar më tej nga Ajetullah es-Sistani). Në mesin e viteve shtatëdhjetë, i ndjeri Ajetullah Sejjid Muhammed Bakir es-Sadr solli një stil krejtësisht të ri, me veprën e tij të njohur el-Fetawa el-wadiha.


Libri që keni në dorë, el-Fikh li`l-mughtaribin nga Sejjid `Abdul-Hadi el-Hakim, është një zhvillim i mëtejshëm në po këtë linjë zhvillimi e vazhdimësie. Veçoria e Sejjid `Abdul-Hadiut është se ai fokusohet në problemet dhe çështjet e ndeshura nga muslimanët në Perëndim, duke i formuluar dhe ofruar përgjigje pa hyrë në hollësira, të cilat mund të merren kollaj nga burime të tjera lehtësisht të disponueshme të ligjeve islame. Kështu që ishte me të vërtetë kënaqësi kur m`u kërkua të ndërmarr përkthimin në anglisht të këtij libri.


Jam treguar mjaft i lirë në përkthimin e Hyrjes së autorit, por më është dashur t`u përmbahem rreptësisht formulimeve dhe shprehjeve të origjinalit në pjesën më të madhe të librit. Këtë e kam bërë për të siguruar saktësinë në përcjelljen e pikëpamjeve të Ajetullah el-Udhma Sistaniut.


Ky përkthim mbështetet në botimin e parë në arabisht (1998), por me disa ndryshime e përmirësime të bëra nga Komiteti i Fetvave i Zyrës së Ajetullah Sistaniut në Kum. Ndryshimet janë të gjatësive e llojeve të ndryshme: në disa raste, fjalët, frazat dhe fjalitë janë ndryshuar ose shtuar për të shpjeguar më tej problemin në fjalë;1 në disa të tjera, gjykimet kanë pësuar ndryshim;2 ndërsa në tri raste, artikujt janë fshirë krejtësisht.3


Veç kësaj, në disa raste kam kërkuar shkoqitje të mëtejshme, e cila më është siguruar mirësisht nga Komiteti.4 Gjithashtu, i kam dhënë vetes lirinë të ndryshoj vendosjen e disa gjykimeve, në mënyrë që çështjet e ngjashme të gjendeshin në të njëjtin seksion. Për të njëjtën arsye, tek Pjesa 2, kam ndërruar radhitjen e dy krerëve: Kreut VIII, ("Çështjet e të rinjve") dhe IX ("Çështjet e grave"), ngaqë çështjet e grave janë shumë më pranë çështjeve të Kreut VII, mbi "Martesën". Kam vendosur disa shënime në fund të faqeve për të qartësuar kuptimin si dhe kam shtuar një listë të shkurtër "Termash të Shpeshpërdorur", në fillim të çdo kreu.


I lutem Zotit Fuqiplotë që ta pranojë këtë përpjekje modeste në thjeshtimin e ligjeve të Tija për shoqëritë muslimane e jomuslimane; e shpërbleftë Ai autorin e i dhëntë jetë të gjatë Ajetullah Sistaniut, mbi opinionin specialist të të cilit bazohet ky libër.


Toronto
Sejjid Muhammed Rizvi


Shewwel 1419 / Shkurt 1999


 


1. Të shihen p.sh. artikujt 16, 20, 23, 29-30 në ff. 37-39; artikulli 11, f. 56; artikulli 96, f. 100; artikulli 178, f. 149; artikulli 301, f. 203; artikulli 383, f. 251. (Numrat e faqeve i referohen botimit të parë në arabisht).


2. Të shihet, p.sh., artikulli 114 në f. 110, mbi shikimin e hënës së re.


3. Të shihet artikulli 218 (f. 168), artikulli 285 (f. 191) dhe artikulli 269 (f. 187) te botimi i parë.


4. Të shihet artikulli 115 në këtë përkthim, rreth kriterit të ndjekjes së shikimi të hënës në një qytet në perëndim të qytetit tuaj.


Hyrje e autorit


 Në Emër të Zotit, Gjithmëshiruesit, të Plotmëshirshmit


Është kënaqësi për mua t`ua paraqes lexuesve të çmuar librin el-Fikh li`l-mughtaribin, sipas pikëpamjeve të shkëlqesisë së tij Ajetullah el-Udhma es-Sejjid `Ali el-Huseini es-Sistani (Zoti ia zgjastë praninë e bekuar mes nesh).


Ky libër është përpjekja e parë për të shkruar ligjet islame për muslimanët që janë vendosur në vende jomuslimane dhe të cilët janë detyruar të lënë atdheun dhe vendin ku janë rritur, duke iu dashur të shpërngulen në vende jomuslimane, ku jetojnë nën ligje dhe sisteme të ndryshme, vlera e rregulla të tjera dhe zakone e shprehi të panjohura për ta. Mënyrat e sjelljes dhe edukata e shoqërive pritëse dallojnë së tepërmi nga ajo që mysafirët janë mësuar më parë; ekziston një hendek i madh midis mënyrës në të cilën ata janë rritur dhe vlerave të vendeve pritëse. Për rrjedhojë, kanë dalë probleme të reja dhe janë shfaqur një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje, të cilat do të qartësonin të dykuptimshmen, ndriçonin të përhimtën, udhëzonin të shmangurin e largonin errësirën.  


Kësisoj u ndje nevoja e shkrimit të një libri që do të merrej me probleme të ndryshme praktike të mërgimtarëve muslimanë, duke ofruar përgjigjet dhe zgjidhjet e disponueshme për to.


Pikërisht mbi këtë sfond u shkrua el-Fikh li`l-mughtaribin, e cila përmban një hyrje të hollësishme, vijuar nga dy pjesë, çdonjëra nga të cilat degëzohet në krerë të ndryshëm që përmbajnë pyetje të reja, mbi çështje që nuk janë shtruar më parë dhe probleme që nuk janë diskutuar në shumicën e doracakëve të ligjeve islame dhe përmbledhjeve të tjera të jurisprudencës islame të përdorura zakonisht. Shpresojmë se këto pjesë e krerë do shërbejnnë si nxitës për pyetje të mëtejshme që lexuesi i ditur mund të shtrojë; dhe do të jetë kënaqësi e veçantë t`i pranoj ato, në mënyrë që të përfshihen në botimet e ardhshme së bashku me përgjigjet përkatëse, insha Allah.


Udhëzuesi Praktik i Muslimanëve në Vendet Jomuslimane është përpjekja e tretë, që vijon dy libra të tjerë, el-Fetawa el-mujassere ("Jurisprudenca e Thjeshtuar") dhe el-Muntekhab mina`l-mesa`ili`l-muntekhabeh ("Çështje ligjore bashkëkohore"), përmes të cilave shpresoj të kem kontribuar në proçesin e bërjes së ligjeve islame sa më të disponueshme dhe të dashura për njerëzit e paspecializuar. Nëse ia kam dalë në synimin tim, i gjithë falënderimi i përket Zotit; e nëse jo, mjafton që jam përpjekur dhe suksesi im është veçse me Zotin, tek Ai e vendos besimin dhe Atij i kthehem.


Kam patur privilegjin t`ia lexoj disa krerë të këtij libri babait tim të respektuar (Zoti ia zgjastë jetën), gjatë qëndrimit të tij në Londër me mua, kur erdhi për trajtim mjekësor. Udhëzimi i tij me të vërtetë që e ka pasuruar këtë libër.


I lutem Zotit Fuqiplotë të ma pranojë këtë punim me pranim të mirë. U jam mirënjohës atyre që më kanë ndihmuar në plotësimin e tij. Do të doja të falënderoja në veçanti Shkëlqesinë e tij Ajetullah el-Udhma es-Sejjid `Ali el-Huseini es-Sistani (Zoti ia zgjastë praninë e bekuar mes nesh), i cili mori mundimin t`u përgjigjej vetë pyetjeve të përfshira në libër. I jam gjithashtu mirënjohës zyrave të Ajetullah el-Udhmës në Nexhef, Kum dhe Londër për ndihmesën e tyre në sigurimin e saktësisë së asaj që kam shkruar dhe sigurimin se ajo është në përputhje me pikëpamjet e Ajetullahit. 


(O Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko me një barrë si ajo me të cilën ke ngarkuar ata përpara nesh! Zoti ynë, mos na e ngarko atë që s`e kemi fuqinë ta bartim dot; dhe falna, dhurona mbrojtje e mëshirona! Ti je Kujdestari ynë, ndaj ndihmona kundër popullit jobesimtar!)


 `Abdul Hadi es-Sejjid Muhammed Taki el-Hakim


27 Ramadan 1418 / 26 Janar 1998


Epilog


 Mëngjesin e një dite dimri me diell, të muajit Rexheb 1416/Janar 1995, avioni ku kisha hypur u nis drejt Londrës, kryeqytetit britanik. Kur ai po lëvizte nga lindja në perëndim, nga toka e diellit drejt kryeqytetit të mjegullës, ndjeva ngrohtësinë e diellit nga dritaret e avionit, të cilës po i jepja lamtumirën teksa po lija vendlindjen time. 


Kur avioni u drejtpeshua në mes të qiellit e fluturimi i tij u bë i lëmuar dhe i qetë, sikur të ishte fiksuar në një shteg qendror, vendosa të shfrytëzoj kohën duke recituar disa sure nga Kur`ani i xhepit që kisha me vete. Këtë e kam shprehi që nga fëmijëria, kur shihja gjyshin tim në shtëpinë tonë të madhe në Nexhef tek recitonte Kur`an çdo mëngjes, pasdreke dhe mbrëmje, gjatë udhëtimeve të tij e në raste të tjera. Kujtoj gjithashtu se im atë e kishte zakon të mbante një kopje të Kur`anit Fisnik në xhep, që të mos e kishte larg kur ndodhej në shtëpi ose në udhëtim.  


Hapa Librin e Zotit dhe nisa t`ia recitoj ajetet me zë të ulët për të dëlirur shpirtin tim, parfumosur gojën time nga papastërtia e materies dhe tundimit të saj dhe të kërkoja ndihmën e Zotit Fuqiplotë në mbrojtjen e këtij objekti fluturues nga fatkeqësitë e kohës. Ishte mesditë dhe koha e namazit u afrua. U ngrita nga vendi, shkova në banjë, ripërtëriva abdesin e nxora një krehër nga xhepi dhe kreha flokët pas abdesit. Pastaj nxora një shishe të vogël parfumi që e mbaj gjithnjë në xhep për ta përdorur, sepse tregohet që është e pëlqyeshme (mustehab) të përdoret parfum, ngase Pejgamberi (s.a.w.) e pëlqente dhe se namazi me parfum vlen sa shtatëdhjetë namaze.


Pas abdesit, krehjes e parfumosjes, u ktheva në vend duke recituar disa ajete kur`anore që i kam mësuar që në fëmijëri. Pastan nisa të mendoj: ku do të falem? Si ta marr vesh drejtimin e kibles? A është e detyrueshme të falem në këmbë apo mund të falem edhe ndenjur?


Me këto mendime në mendje, u mbështeta në dijen time fetare dhe u kujtova se juristët muslimanë pohojnë që: namazi duhet të falet detyrimisht në këmbë për sa kohë që kjo është e mundur; nëse nuk je në gjendje ta bësh këtë, duhet të falesh ndenjur. Formati i namazit do të lëvizte nga njëri nivel në tjetrin, mbi bazën e aftësisë time dhe rrethanave në fjalë; por detyrueshmëria e namazit nuk i hiqet muslimanit në as edhe një rrethanë.


Kështu që, me të arritur në këtë përfundim, shikova përrotull për të gjetur një vend në të cilin të mund të falesha në këmbë. Sytë më zunë një zonë të vogël në një pjesë të avionit, që mjaftonte për namaz. Thashë me vete se problemi i vendit u zgjidh por që tani me duhet të gjej drejtimin e kibles gjatë kohës që avioni mban një kurs të pandryshuar. Vendosa të kërkoj ndihmën e ekuipazhit për të gjetur drejtimin e kibles.


Një anëtar i ekuipazhit kaloi për të marrë gotat e çajit nga tavolinat dhe shfrytëzova rastin ta pyes me një anglishte të çalë:
A mund t`ju pyes diçka?


"Po, patjetër."


A më tregoni dot drejtimin e kibles?


"Më falni, s`po ju kuptoj."


Drejtimin e kibles ... drejtimin kah Meka e Shenjtë?


"A jeni musliman?"


Po, dhe desha të recitoj lutjen e drekës.


"Ja të pyes në kabinë dhe po kthehem."


U kujtova se duhej të kisha kërkuar edhe diçka për të shtruar në dyshemenë e avionit, mbi të cilën të falesha.


 Kur më ktheu përgjigje rreth drejtimit të kibles, i kërkova të më sillte diçka si shtroje ose gazetë që ta vendosja mbi dyshemenë e avionit. Ai solli një batanije, të cilën e hapa në tokë dhe pastaj fala ylenë e iqindinë, dy rekate secilën, si kasr, me fytyrë nga Meka. Pastaj recitova tesbihun e Fatime Zehrasë duke thënë Allahu ekber 34 herë, el-hamdu li`l-Lah 33 herë e subhan Allah 33 herë. Pas tesbihut, falënderova Zotin dhe u ktheva në vend në gjendje më të kënaqur, sepse isha drojtur se mos falja e namazit në avion do të ishte e vështirë dhe do të tërhiqja pa nevojë vëmendjen e udhëtarëve. Por frika ime ishte e pabazë. E pashë qartë se namazi u bë shkak të fitoja respekt të veçantë dhe ma shtoi nderimin në sytë e jomuslimanëve, përfshirë edhe ekuipazhin e avionit.


Mendimet m`i ndërpreu njoftimi se së shpejti do të shërbehej ushqim. Stjuardesat filluan t`i pyesnin udhëtarët për preferencat e tyre nga menuja. Njëra prej tyre më pyeti nëse do të preferoja peshk apo pulë. Kërkova peshk jo pse e pëlqej ndaj pulës, por sepse nuk më lejohej ngrënia e asaj pule, sepse nuk isha i sigurt nëse ishte prerë në përputhje me ligjet islame. Ky është një problem të cilin e kam ndeshur shumë herë në vendet e huaja. 


Dukeqenëse jam lindur erriturnë një vend musliman,nuk kam kurrfarë mëdyshjesh për mishin e pulës ose peshkun e blerë në pazar musliman. Mirëpo në një vend perëndimor, situata është krejt tjetër. Dhe kjo vjen ngase nuk më lejohet të ha mish pa u siguruar se kafsha është prerë sipas ligjeve të Islamit. Natyrisht, kjo krijon vështirësi.


Ushqimi na u soll e tabakaja që m`u vu përpara kishte: peshk të fërguar në vaj luledielli të garnituruar me patate të skuqura, pak oriz, sallatë, dy kokrra ullinj jeshilë, rrush, fik të zi, ujë në gotë të vogël e paketa të vogla kripe, sheqeri dhe piperi, dy copa buke, një piru, dy lugë, një thikë e një picetë.


Isha vërtet i uritur.


Në fillim falënderova Zotin, pastaj mora pirunin e thikën, dhe e preva peshkun në copa të vogla që mund të haheshin lehtësisht. Pastaj, ndalova dhe në mendje më erdhën këto mendime: a është e vërtetë që nëse peshku është i llojit që nuk ka luspa dhe ka dalë nga uji i gjallë ose ka ngordhur pasi të jetë kapur, atëherë e kam të lejuar ta ha, pavarësisht nga fakti nëse peshkatari ka qenë musliman ose jo, apo nëse emri i Zotit është shqiptuar. Kjo është e saktë. Por problemi mund të jetë në vajin në të cilin ai është gatuar. A ishte vaji ritualisht i pastër (tahir)? Po gatuesi, a ishte musliman?   


Këto ishin mendimet shqetësuese që më kaluan nëpër mendje atë çast. Kështu që, ndalova së ngrëni atë copë të peshkut të fërguar, megjithë urinë që kisha. Ula pirunin dhe u përpoqa të kujtoj rregullat e këtyre çështjeve, për të cilat kisha lexuar në doracakun e ligjeve islame të marxha`it tim, kur po përgatitesha për udhëtim.


Në fillim pyeta veten për vajin e lulediellit: a është ai [ritualisht] i pastër? U përgjigja menjëherë pozitivisht sepse ligji fetar thotë: "gjithçka është e pastër gjersa të njoftohesh për papastërtinë e saj." Dhe meqë nuk e dija atë vaj luledielli për të papastër, e mora për të pastër.


Meqë vaji i përdorur në gatimin e peshkut ishte i pastër, i tërë peshku është i pastër, kështu që më lejohet ta ha.


Sa i përket asaj nëse gatuesi është musliman ose nga Ehlu`l-kitab, apo jomusliman që nuk është nga Ehlu`l-kitab, kjo pyetje nuk ka rëndësi, përderisa nuk e di që ai e ka prekur me dorë apo jo. Dhe prap, rregulla e përgjithshme e Sheri`atit, "gjithçka është e pastër gjersa të njoftohesh për papastërtinë e saj" më dha një vendim të qartë: peshku është i pastër dhe më lejohet ta ha.


Kur arrita në këtë përfundim, mora frymë lehtësisht. Atëherë kapa pirunin dhe e hëngra peshkun. I vështrova patatet e skuqura me të njëjtën pyetje në mendje dhe konkludova se ishin të pastra e i hëngra.


Po kështu edhe me bukën, sallatën, frutin dhe ëmbëlsirën. I hëngra të gjitha sepse ishin të pastra. Pastaj e piva ujin dhe çajin, sepse edhe ato janë të pastra. Kështu na tregojnë ligjet fetare.


Avioni po fluturonte 10 mijë metra mbi nivelin e detit dhe kishim akoma edhe dy orë e gjysëm për të mbërritur në aeroportin ndërkombëtar Heathrow të Londrës.


Në avion, disa pasagjerë ishin të zënë me leximin e gazetave të ditës, ndërsa të tjerë ishin në gjumë të thellë. Zgjata krahun dhe mora një gazetë e nisa ta shfletoj.


Kujtesa më shkoi përsëri te pyetja që më rrinte në mend gjatë ditëve të fundit: "Si do ta ruaj identitetin tim fetar nga të shkatërruarit në një vend të huaj?"


Kjo më ka shqetësuar për një kohë të gjatë, qëkur kam nisur të mendoj për të udhëtuar në Evropë dhe merakosja m`u rrit ditën që mora vendimin. Nganjëherë mendoj rreth kësaj e nganjëherë më kujtohet pa u menduar, duke më lënë të qetë vetëm natën, kur bie të flej.


Vendosa të takoj një mik që kishte jetuar në Londër. Ai më vuri në pah disa çështje dhe më çoi tek libraria për të më treguar një libër që përmbante sqarime të ndryshme, të cilat më dhanë një ide të përgjithshme se ç`duhet të bëja.


Si miku, ashtu edhe libri theksonin se duhet t`i kushtoj vëmendje të madhe çështjes së mëposhtme: "Elementet negative të mërgimit nuk kufizohen te fakti se mërgimtarët do ta kenë të pamundur t`i përmbushin [të gjitha] ligjet islame ose që nuk do ta studiojnë fenë e tyre. Realiteti është edhe më i keq se kaq, në kuptimin që mërgimi do e ndikojë ndjeshëm botëkuptimin e muslimanit, shprehitë, traditat dhe gjendjen e aspekteve intelektuale, morale dhe shoqërore të jetës së tij."1


Autori i librit vazhdonte: "Për muslimanin që detyrohet të mërgojë në një vend jomusliman është e domosdoshme të krijojë përreth vetes atmosferën fetare që nuk ekziston atje. Sigurisht, ai nuk do të jetë në gjendje të krijojë mjedisin e përgjithshëm islam, mirëpo mundet patjetër ta sjellë deridiku atë klimë fetare, në mënyrë që të mund ta pajiset me frymën fetare që i përshtatet.


"Krijimi i një atmosfere të përshtatshme islame është deridiku si injektimi ndaj një sëmundjeje, kthetrave të së cilës nuk u shmangesh dot, kështu që duhet të përpiqesh t`ia dalësh mbanë ndaj rrezikut të saj duke ndërtuar një rrjetë sigurie rreth vetes.


"Ndonëse kurrsesi nuk pandehim se kjo është një detyrë e lehtë, në të njëjtën kohë nuk mund ta nënvlerësojmë rrezikun e madh që i kanoset muslimanit në përkushtimin e tij ndaj fesë, që përbën themelin kryesor të identitetit të tij. Kështu që është me rëndësi që ajo të ruhet edhe me çmimin e humbjes në aspekte të tjera të jetës. Ashtu siç theksojmë domethënien e këtyre humnerave, ashtu duhet të theksojmë edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e muslimanëve nga rënia në to.


"Një musliman që përpiqet në ato vende për të siguruar të ardhmen e tij në këtë dynja - në arsimim, financa ose aspekte të tjera - nuk supozohet ta humbë të ardhmen e tij në ahiret për hir të kësaj dynjaje, ashtu siç nuk i lejohet një tregtari ta humbasë nderin ose jetën për hir të pasurisë materiale, pavarësisht nga sasia e saj, sepse ajo është e pavlerë në krahasim me jetën dhe nderin. Në mënyrë të ngjashme, i sëmuri e duron idhtësinë e ilaçit dhe dhimbjen e shkaktuar nga bisturia, në mënyrë që sëmundja të mos i përhapet e të çojë në vdekje.


"Kësisoj, për një musliman që banon në shoqëri të huaja është e detyrueshme të mbrohet nga këto pasojat e pafavorshme dhe rreziqet e tyre; dhe të krijojë një mjedis të përshtatshëm fetar për vete, i cili do të kompensojë humbjen e mjedisit që ka patur në vendlindjen e tij."2


Në këtë mënyrë, ai, e shoqja dhe fëmijët, e madje edhe vëllezërit e tij do të ndjekin fjalët e Fuqiplotit: (O ju besimtarë! Shpëtojini vetet dhe familjet e juaja nga një zjarr, lënda e të cilit janë njerëzit dhe gurët; përmbi të janë melekë të rreptë e të fuqishëm, të cilët nuk i mosbinden Zotit në çfarë i urdhëron, dhe veprojnë siç u thuhet) (66:6) Gjithashtu, ata do të jenë duke vepruar në përputhje me fjalën e Zotit, më të Lëvduarit: (Dhe besimtarët e besimtaret janë ndihmues të njëri tjetrit: urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja) (9:71) si dhe thënien e Pejgamberit (s.a.w): "Ju të gjithë jeni `barinj` dhe secili është përgjegjës për `tufën` e vet."


Kjo do të nënkuptonte po ashtu edhe vënien në jetë të kërkesës për urdhërim të së mirës e ndalim të së keqes. Imunizimi shpirtëror i përmendur më lart mund të arrihet kështu:


1. Duke iu kushtuar recitimit të disa sureve ose ajeteve të Kur`anit Famëlartë përditë, ose duke dëgjuar recitimin e tij me përulësi, përsiatje dhe soditje, sepse në to ka (prova të qarta nga Zoti juaj, udhëzim e mëshirë për një popull që beson; e kur të recitohet Kur`ani, dëgjoje e hesht, në mënyrë që mëshira e tij të të shfaqet) (7:203-204).


Në fjalët e Imam `Aliut, "Nuk ulet kush me Kur`anin pa u ngritur o me rritje o me pakësim: rritje në udhërrëfimin e tij ose heqje të verbërisë së tij. Dijeni se askujt s`i duhet asgjë pas (udhëzimit nga) Kur`anit dhe askush nuk do të jetë i lirë nga nevoja për (udhëzim nga) Kur`ani. Ndaj, kërkojeni si ilaç për lëngatat e juaja dhe ndihmë në pikëllimet e juaja. Ai përmban ilaç për sëmundjet më të mëdha: mosbesimin, hipokrizinë, kryelartësinë dhe shmangien. Lutjuni Zotit përmes tij dhe kthehuni nga Ai me dashurinë për të. Mos u kërkoni njerëzve përmes tij. Nuk ka gjë si ai, përmes të cilës të mund t`i kthehen njerëzit Zotit, të Tejlartësuarit. Dijeni se ai është ndërmjetës dhe se ndërmjetësimi i tij do të pranohet. Për këdo që të ndërmjetësojë Kur`ani në Ditën e Gjykimit, do të ketë ndërmjetësim të pranuar..."3 Është thënë po ashtu se: "Kujtdo që e reciton Kur`anin në moshë të njomë, ai do t`i ndërthuret me mishin dhe gjakun e Zoti Fuqiplotë do ta vendosë me të dërguarit e respektuar dhe të virtytshëm e Kur`ani do t`i jetë ndihmës në Ditën e Gjykimit."4


Disa botime të Kur`anit Fisnik përmbajnë komente të shkurtra që mund të mbahen kollaj, të cilat mund t`i vlejnë së tepërmi muslimanëve në vende të huaja.


2. Përkushtimi për t`i falur namazet në kohë, madje edhe sunnetet e nafilet, sa të jetë e mundur.5 Transmetohet se Pejgamberi (s.a.w.) i tha `Abdullah bin Rawahes në një këshillë drejtuar atij, kur po nisej në Betejën e Mu`tes: "Po shkon në një qytet ku ka pak sexhde; ndaj shtoji sexhdet."


Zejd esh-Shahhami tregon se Imam Sadiku tha: "Më e dashura e veprave te Zoti Fuqiplotë është namazi; ai përbën këshillën e fundit të pejgamberëve."6


Imam `Aliu gjithashtu na ka këshilluar në lidhje me namazin: "Lidhuni me namazin sa më shumë që të mundeni dhe kërkoni afrinë (e Zotit) përmes tij, sepse për besimtarët ai është urdhëresë e përcaktuar [4:103]. A nuk keni dëgjuar rreth përgjigjes së banorëve të Zjarrit, që kur të pyetën: `Ç`ju solli në Xhehennem?` do të përgjigjen: `Nuk ishim mes falësve të namazit.` [74:42-43] S`ka dyshim se namazi i këput mëkatet si era gjethet dhe i heqën siç hiqen litarët nga qafat e gjedhëve. I Dërguari i Zotit (bekime dhe paqe pastë mbi të e pasardhjen e tij) e përngjasoi atë me një banjo të nxehtë tek dera e një personi, që lahet në të pesë herë në ditë. A do mbetet ndonjë papastërti tek ai?"7


3. Recitimi i du`ave, lutjeve të pëshpëritura e dhikru`Llahit sipas mundësisë, ngase ato na kujtojnë mëkatet, na paralajmërojnë të përmbahemi nga veprat e liga dhe na inkurajojnë të bëjmë vepra të mira. Për shembull, lutjet e Sahifetu`s-Sexhxhadijjes8 së Imam Zejnu`l-`Abidinit, du`aja e Kumejl ibn Zijadit dhe du`atë e muajit të Ramazanit si ajo e Ebu Hamza eth-Thumaliut, du`aja e sabahut dhe du`atë e ditëve të javës etj. Ky pastrim i nevojitet çdo muslimani, sidomos nëse ndodhet në një vend jomusliman.


4. Vizitat e shpeshta të qendrave islame dhe organizatave që festojnë bajramet, rastet fetare, përvjetoret e ditëlindjeve dhe përkujtimet e vdekjeve, si dhe programe të tjera fetare si leksionet dhe këshillimet - në muajin e Ramazanit ose Muharremit apo Seferit ose muajve, ditëve dhe kohëve të tjera.


Në qytete të cilat nuk kanë akoma asnjë qendër apo organizatë të posaçme, muslimanët duhet t`i festojnë rastet fetare në shtëpitë e tyre. [Ç`është e vërteta, kjo është mënyra në të cilën mërgimtarët e hershëm filluan të mblidheshin, duke formuar dalëngadalë bashkësi e duke marrë me qira ose blerë pastaj një qendër për programet etyre fetare.]


5. Pjesëmarrja në seminare dhe konferenca islame që mbahen në vendet e huaja.


6. Leximi i librave, revistave dhe gazetave islame, sepse ato përmbajnë materiale të dobishme e zbavitëse.


7. Dëgjimi i kasetave të ndryshme me biseda islame që janë përgatitur me aq mund nga dijetarët e nderuar dhe ligjëruesit e shquar. Në to do të gjeni këshilla dhe konsulta [mbi përmirësimin e imanit tuaj].


8. Të qëndruarit larg qendrave të dëfrimit dhe imoralitetit, që përfshijnë shikimin e programeve televizive imorale dhe kanaleve të veçanta që transmetojnë filma që nuk janë të përputhshme me bindjet, fenë, vlerat, zakonet, traditat dhe trashëgiminë tonë intelektuale dhe qytetërimore islame.


9. Lidhja e miqësisë me ata që janë njerëz të mirë, për hir të Zotit: ju i udhëzoni ata e ata ju udhëzojnë juve, ju i forconi ata e ata ju forcojnë juve, që të mund ta kaloni kohën e lirë me ta në mënyrë të dobishme.


Në këtë mënyrë, do t`u qëndroni larg personave imoralë në sjelljen e tyre dhe do të mbroheni ndaj vetmisë e pasojave të saja negative. Imam Sadiku tregon nga baballarët e tij se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: "Asnjë musliman nuk ka arritur përfitim më të madh pas Islamit sesa një vëlla, nga i cili nxjerr dobi për hir të Zotit."9


Mejsareh tregon se Imam Bakiri i tha: "A i zhvilloni takimet, bisedat dhe të thënit njëri tjetrit çfarë të doni [pra, pa frikë nga spiunët e qeverisë]?" I thashë: "Po, për Allah, ne vërtet mblidhemi dhe bisedojmë e themi ç`të duam." Ai tha "Pa dyshim, unë e dua aromën e juaj dhe shpirtrat e juaj; ju jeni të gjithë në fenë e Zotit dhe atë të engjëjve të Tij. Ndaj ndihmojeni njëri tjetrin me devotshmëri e përpjekje."10


10. Muslimani duhet t`i vlerësojë veprat e tija në bazë ditore ose javore; nëse ka hajr në to, të falënderojë Zotin dhe ta vazhdojë; nëse ka sherr në to, të kërkojë falje, të pendohet dhe të zotohet të mos e përsërisë. Pejgamberi ynë fisnik Muhammedi (a.s.) e këshilloi Ebu Dherin me fjalët: "O Ebu Dher, vlerësohu përpara se të të vlerësojnë, se kjo do të jetë me e lehtë për rezultatin tënd në ahiret; peshohu përpara se të të peshojnë; përgatitu për Gjykimin e madh - ditën kur do gjykohesh. Zotit nuk i fshihet dot asnjë sekret... O Ebu Dher, askush nuk mund të llogaritet ndër të devotshmit pa qenë më kritik ndaj vetes sesa ortkaku që vlerëson ortakun, në mënyrë që ta dijë nga i vjen ushqimi dhe veshja: a është siguruar nga hallalli apo harami."11 Imam Kadhimi ka thënë: "Personi që nuk e vlerëson veten çdo ditë nuk është prej nesh. Nëse ka bërë mirë, duhet t`i lutet Zotit që t`ia rrisë; nëse ka bërë keq, duhet të kërkojë faljen e Zotit dhe të pendohet për atë."12


11. Të kushtuarit rëndësi arabishtes, gjuhës së Kur`anit Fisnik dhe të burimeve të shumta të ligjeve dhe etikës islame. Për mërgimtarët që vijnë nga vende arabisht-folëse, arabishtja është edhe gjuha e të parëve të tyre, kështu që ata duhet t`i inkurajojnë fëmijët që ta flasin atë. Meqë studentët në këto vende mësojnë më shumë se një gjuhë të huaj, është më mirë që të mësojnë gjuhën e Kur`anit, në mënyrë që të mos humbasin kontakt me fenë, trashëgiminë, vlerat, historinë dhe qytetërimin e tyre. 


12. Të kushtuarit rëndësi brezave të ardhshëm duke i rritur me dashurinë për Librin e Zotit dhe recitimin e tij, me anë të konkurseve dhe veprimtarive të tjera inkurajuese. Ata duhen pregatitur që të falin namazet dhe të arrijnë edeb të mirë si: besnikëria, kurajoja, mbajtja e premtimit dhe dashuria për të tjerët. Ata duhen shoqëruar tek qendrat dhe organizatat islame, në mënyrë që të mësohen me vizitimin e këtyre vendeve. Ata duhet të ndërgjegjësohen për armiqtë e Islamit dhe koncepti i vëllazërisë muslimane duhet forcuar në ta. Ata duhen inkurajuar të marrin pjesë dhe t`i festojnë rastet dhe festimet e ndryshme islame. Shkurt, duhet bërë ç`është e mundur për t`i ndihmuar ata që ta kuptojnë më mirë Islamin dhe përvetësojnë sjelljen më të mirë sipas vlerave e parimeve të tij në këtë jetë.


Mendimi se si duhej të sillesha në një vend të huaj dhe të ruaja individualitetin tim pa u përthithur në një kulturë tjetër dhe pa u izoluar apo përvetësuar qëndrimin e "guackës", vazhdonte të më mundonte. Pastaj pyeta veten: si do të më gjykojnë të tjerët?


Vendlindja ime [Nexhefi], që është përplot me vizitorë përgjatë tërë vitit, më kishte mësuar që ta gjykoj sjelljen e një shoqërie nga sjellja e anëtarëve të saj, ose një fe nga veprimet e ndjekësve të saj. Nëse një vizitor nga një qytet i caktuar sillej mirë, atëherë thoja se banorët e atij qyteti janë njerëz të mirë; e nëse tregonte qëndrim negativ, thoja se banorët e atij qyteti nuk janë njerëz të mirë, etj.


Kësisoj, është e natyrshme që njerëzit e vendit jomusliman ku do të jetoj do ta gjykojnë Islamin përmes sjelljes time si musliman dhe pastaj do ta përgjithësojnë gjykimin e tyre mbi tërë muslimanët. Kështu që, nëse jam i besueshëm në fjalët dhe veprat e mia, mbaj premtimin, nderoj amanetin, u përmbahem ligjeve të përgjithshme, ndihmoj nevojtarin, sillem butë me fqinjin dhe ndjek shembullin e Pejgamberit (s.a.w.) e respektoj mësimet e tija, mes të cilave theksohet se "feja [islame] është ndërveprim pozitiv [me njerëzit]" - nëse i bëj këto të gjitha, atëherë një jomusliman që ndërvepron me mua do të thotë: "Islami është feja e truallit të fortë moral."


Por nëse gënjej, nuk mbaj fjalën, jam i bezdisshëm me të tjerët, shkel ligjin e vendit, bezdis fqinjin, mashtroj në ndërveprimet e mia, shkel amanetin etj, atëherë ata që do të kenë të bëjnë me mua do të thonë: "Islami është fe që nuk u mëson ndjekësve të saj moral të lartë."


Piloti m`i ndërpreu mendimet me njoftimin se po fluturonim përmbi Gjermani. Hapa çantën dhe nxora një libër që kisha marrë me vete për ndihmë. Pesë hadithe nga Imam Sadiku më tërhoqën vëmendjen aty.


Tek i pari, ai u drejtohej ndjekësve të tij me fjalët: "Jini burim krenarie për ne, e mos na korisni. Bëjini njerëzit të na duan e jo të na urrejnë [për shkak të sjelljes tuaj]."


Në hadithin e dytë, ai citon të atin, Imam Bakirin: "Jini mes më të parëve në mirëbërje; bëhuni gjethe pa gjëmba. Ata që kaluan para jush ishin si shembulli i gjetheve pa ferra, por druaj se mos bëheni ferra pa gjethe. Jini nga ata që i thërrasin njerëzit për te Zoti i tyre, duke i sjellë në tufën e Islamit e mos i bëni që ta braktisin atë. Ata që ishin përpara jush i thërrisnin njerëzit në Islam e nuk i bënin ta braktisnin atë."


Në hadithin e tretë, pas përshëndetjes së ndjekësve të tij besnikë, Imam Sadiku thotë: "Ju nxis ta keni frikë Zotin, të jeni të devotshëm, të përpiqeni fort për hir të Zotit, të jeni të besuar në fjalën tuaj, besnikë në mbajtjen e amaneteve, të zgjasni sexhdet dhe të jeni fqinjë të mirë. Me këtë u dërgua Muhammedi (s.a.w.). Kthejini gjërat e lëna në kujdesin tuaj, qoftë nëse i përkasi besimtarit apo mëkatarit, sepse i Dërguari i Zotit (s.a.w) e kishte zakon të urdhëronte edhe kthimin e një peri e gjilpëre. Mbajini lidhjet me të afërmit, merrni pjesë në xhenazet e tyre, vizitoji të sëmurët e tyre dhe përmbushuani hakun.   


"Nëse dikush nga ju është i përzotshëm, i besuar në ç`flet, nderon amanetin dhe sillet mirë me njerëzit, atëherë njerëzit do të thonë: `Ai është xha`feri`. Kjo më kënaq dhe ma gëzon zemrën sepse do thonë: `Ja si është karakteri i Xha`ferit.` "Por nëse dikush është e kundërta, atëherë sjellja e tij e keqe dhe turpi i tij më vishen mua e njerëzit do të thonë: `Ky, pra është karakteri i Xha`ferit.`


"Për Allah, im atë ka treguar që sikur të kishte një shi`i të `Aliut në një fis, atëherë ai duhet të jetë krenaria e tij: ai duhet të jetë më i besuari, më i gatshmi në ruajtjen e të drejtave, më i besueshmi në të folur dhe personi të cilit njerëzit ia besojnë testamentet dhe amanetet. Kur njerëzit pyesin për të në fisin e tij, këta i përgjigjen: `E kush është si ai? E kemi më besnikun dhe më të besuarin në fjalën e vet`."


Në hadithin e katërt, ai thotë: "Ju bëj thirrje ta falni namazin në xhami, të keni qëndrim të mirë fqinjësor ndaj njerëzve, të dilni për dëshmim [për hir të së vërtetës] e të merrni pjesë në xhenaze - sepse keni nevojë për njerëzit; jeta e asnjërit nuk është e pavarur nga njerëzit; njerëzit kanë nevojë për njëri tjetrin."


Në hadithin e pestë, Imami i përgjigjet pyetjes së Mu`avije bin Wehabit, se "Cili duhet të jetë qëndrimi ynë dhe i familjarëve e të njohurve tanë ndaj atyre që nuk janë të medhhebit tonë?" duke thënë: "Duhet të shihni Imamët që ndiqni dhe atë që ata bënin. Për Allah, ata e kishin zakon t`i vizitonin të sëmurët, t`ua falnin xhenazet, të dëshmonin pro dhe kundër tyre, dhe t`ua plotësonin amanetet."13


Me t`i lexuar këto hadithe, më erdhi një ndjesi lehtësimi, ngase ato më shtronin rrugën në të cilën duhet të veproja dhe nënvizonin kodin e sjelljes për mua. Në atë çast, vendosa të mbledh në librin tim të shënimeve problemet më të rëndësishme që do të ndesh në vendin jomusliman dhe të kërkoja ndihmë nga librat e jurisprudencës që ishin në valixhen time. Nëse has në probleme që nuk mund t`i zgjidh me anë të burimeve që kam me vete, do t`i shkruaj muxhtehidit që ai të m`i përgjigjet pyetjeve. Me këtë do t`i kem zgjidhur problemet e mia dhe ato të mërgimtarëve, rreth etikës dhe jurisprudencës. 


Ja se si nisa t`i shënoja problemet fetare, një për një, dhe të kërkoja opinionin ekspert të muxhtehidit në çështje që nuk kishin përgjigje në doracakun e ligjeve islame të tij. Dalëngadalë doli në dritë ky punim.


Libri ndahet në dy pjesë: e para merret me ibadetet, i dyti me aspektet mondane të jetës, krahas tri shtojcave.


Pjesa e parë mbi veprimet e adhurimit përbëhet nga shtatë krerë, të cilët më duken më të rëndësishmit për muslimanin mërgimtar, gjegjësisht: Mërgimi në Vende Jomuslimane; Teklidi: Ndjekja e Një Juristi; Pastërtia dhe Papastërtia Rituale; Namazi; Agjërimi; Haxhi; Çështjet e Lidhura me Vdekjen. Çdonjëri nga këta krerë fillon me një hyrje mbi temën, vijuar nga disa rregulla që vlejnë për vendet jomuslimane, duke përfunduar me pyetje-përgjigjet më të rëndësishme mbi temën [nga muxhtehidi].


Pjesa e dytë mbi aspektet mondane në jetës përbëhet nga njëmbëdhjetë krerë, të cilët janë: Ngrënia dhe Pirja; Veshja dhe rrobat; Bashkëveprimi me Ligjet në Vendet Jomuslimane; Puna dhe Investimi; Ndërveprimi në Jetën Shoqërore; Martesa; Çështjet e grave; Çështje të Rinisë; Muzika, Këndimi dhe Kërcimi; Të Përziera. Sërish, çdonjëri nga këta krerë fillon me një hyrje për temën, të vijuar nga disa rregulla që vlejnë për vendet jomuslimane dhe mbaron me pyetje-përgjigjet më të rëndësishme mbi atë lëndë.


Libri përmban edhe tri shtojca. Shtojca I përfshin disa pyetje të dërguara Ajetullah Sistaniut dhe përgjigjet e tij ndaj tyre. Shtojca II përmban një listë përbërësish ushqimorë të përfshirë në produkte që u ndalohen muslimanëve, vijuar nga Shtojca III, me emrat e peshqve që kanë luspa dhe janë të lejueshëm për konsum. Në fund të librit kam dhënë referencat dhe një tabelë të detajuar të përmbajtjes.


1. Delilu`l-muslim fi biladi`l-ghurbe, f. 27.


2. po aty, ff. 36-37.


3. Nehxhu`l-belagha (red. Subhi Salih) f. 252 [hytbe 176].


4. el-Kulejni, el-Usul mine`l-Kafi, vëll. II, f. 603.


5. Të shihet el-`Amili, Tefsilu Wesa`ili`sh-shi`a, vëll. IV, f. 105.


6. po aty, vëll. IV, f. 38.


7. Nehxhu`l-belagha (red. Subhi Salih) f. 317 [hytbe 199].


8. Të shihet përkthimi në shqip i Sahifes, botuar si Psallmet e Islamit, përk. Edin Q. Lohja, (Tiranë: Zemra e Traditës, 2009).


9.Wesa`ilu `sh-shi`a, vol. 12, p. 233.


10. el-Kulejni, el-Usul min el-Kafi, vëll. II, f. 187; si dhe krerët "vizitat tek vëllezërit" (vëll. II, f. 175) dhe "të kujtuarit e vëllezërve" (vëll. 2, f. 186).


11. et-Tusi, Amali, vëll. 2, kreu 19.


12. en-Naraki, Xhami`u `s-sa`adat, vëll. III, f. 94.


13. el-Hurr el-`Amili, Wesa`ilu `sh-shi`a, vëll. XII, ff. 6-. Të shihet edhe el-Kulejni, el-Usul min el-Kafi, vol. 2, p. 636.


I. Mërgimi në Vende Jomuslimane


Hyrje


Një musliman që është lindur dhe rritur në një vend musliman, ku, me vetëdije ose pa vetëdije, i përthith ligjet, vlerat dhe mësimet e Islamit, bëhet një person që është i ndërgjegjshëm për traditat e fesë së tij, duke ndjekur rrugën e saj, i drejtuar nga udhërrëfimi i saj. Nga ana tjetër, një musliman që lind dhe rritet në një vend jomusliman e shfaq ndikimin e atij mjedisi shumë herët - në mendimet, idetë, sjelljen, vlerat dhe edukatën e tij, përveç nëse e ndihmon Zoti i tij. Ky ndikim joislam shihet më tepër në brezin e dytë të atyre që kanë mërguar në vende joislame.


Kjo ishte edhe arsyeja e qëndrimit islam ndaj cështjes së et-ta`arrub ba`d ul-hixhre, siç shihet në shumë hadithe. Et-ta`arrub ba`d ul-hixhre do të thotë fjalë për fjalë  "me u privue nga porositë e fesë tënde pas migrimit [në qytet]" ndërsa teknikisht nënkupton lënien e një mjedisi ku mund ta ndjekësh Islamin dhe të lëvizësh në një vend ku mund të përfundosh duke mos e ndjekur. Një mërgim i tillë radhitet ndër mëkatet e mëdha. Ebu Basiri tregon se ai e kishte dëgjuar Imam Sadikun duke thënë: "Mëkatet madhore janë shtatë: vrasja e një personi me qëllim; të shoqëruarit Zotit Fuqiplotë dikë tjetër (shirku); akuzimi i padrejtë i një gruaje të martuar për kurorëshkelje; marrja pjesë në fajde me vetëdije; ikja nga mejdani në xhihad; et-ta`arrub ba`d ul-hixhre; mërzitja e prindërve; shfrytëzimi i pasurisë së jetimit." Pastaj ai tha "ta`arrubi dhe shirku janë e njëjta gjë [në rëndesë]."1


Ibn Mahbubi tregon se disa nga shokët e tij i shkruan një letër Imam Hasan el-`Askeriut nëpërmjet atij, duke e pyetur lidhur me mëkatet e mëdha. Ai shkroi: "Mëkatet e mëdha janë ato për të cilat Zoti ka kërcënuar me Zjarr; atij që përmbahet prej tyre, Zoti do t`ia falë mëkatet nëse është besimtar. Ato të shtata që e shkaktojnë këtë [djegie në Skëterrë] janë: vrasja e një të pafajshmi; mërzitja e prindërve; marrja me fajde; et-ta`arrub ba`d ul-hixhre; akuzimi pa të drejtë i një gruaje të martuar për shkelje kurore; konfiskimi i padrejtë i pronës së një jetimi; dhe ikja nga mejdani në xhihad."2


Muhammed ibn Muslimi tregon nga Imam Sadiku se: "Mëkatet e mëdha janë shtatë: vrasja me dashje e besimtarit; akuzimi pa të drejtë i gruas së martuar për kurorëshkelje; ikja nga mejdani në xhihad; et-ta`arrub ba`d ul-hixhra; konfiskimi pa të drejtë i pronës së jetimit; përzierja në fajde; dhe çdo veprim për të cilin është premtuar Zjarri."3


`Ubejdullah ibn Zurareh tregon se ai e pyeti Imam Sadikun për mëkatet e mëdha. Imami i tha: "Në librin e `Aliut thuhet se ato janë shtatë: mosbesimi në Zot; vrasja; mërzitja e prindërve; marrja me fajde; konfiskimi i paligjshëm i pronës së jetimit; ikja nga mejdani në xhihad; et-ta`arrub ba`d ul-hixhre." Ai e pyeti: "Pra këto janë mëkatet më madhore?" Imami u përgjigj: "Po."4


Imam Ridai e shpjegoi ndalimin e ta`arrub ba`d ul-hixhra si vijon: "Sepse ekziston rreziku që, për shkak të ta`arrubit, ai [mërgimtari] mund ta braktisë dijen [islame], të përfshihet me injorantët dhe të shmanget."5


Mirëpo kjo nuk do të thotë se hyrja në vende jomuslimane është gjithnjë e ndaluar. Hadithe të tjera na e kanë përshkruar shpërblimin e atij që viziton vendet jomuslimane, të cilin e dëshiron me ëndje çdo musliman. Hammad el-Sindi tregon se ai e pyeti Imam Sadikun: "Unë i vizitoj qytetet e shirkut dhe ka prej nesh që thonë `nëse vdes atje, do të ringjallesh me ta`." Imami e pyeti "O Hammad, kur ndodhesh atje, a flet për çështjen tonë dhe a thërret për tek ajo?" Ai u përgjigj: "Po." Imami e pyeti: "Kur ndodhesh në qytetet e Islamit, a flet për çështjen tonë dhe a thërret për tek ajo?" Ai u përgjigj: "Jo." Imami tha "Nëse vdes atje, do të ringjallesh vetë si ummet e do të kesh dritë përpara!"6


1. Muhammed bin Ja`kub el-Kulejni, el-Usul min el-Kafi, vëll. II, f. 281.


2. po aty, f. 277.


3. po aty.


4. po aty, f. 278.


5. el-Hurr el-`Amili, Tefsilu Wesa`ili `sh-shi`a, vëll. XV, f. 100.


6. po aty, vëll. XVI, f. 188.


 Rregulla të Përgjithshme


 Mbi bazën e këtyre haditheve dhe të ngjashmeve me to, si dhe provave të tjera fetare, muxhtehidët kanë nxjerrë gjykimet e mëposhtme:


 1. Është e këshillueshme për besimtarin që të udhëtojë në vende jomuslimane për të përhapur fenë dhe mësimet e saj, me kusht që të mund ta ruajë veten dhe fëmijët e njomë nga rreziqet e humbjes së besimit. Pejgamberi (s.a.w) i ka thënë Imam `Aliut: "Nëse Zoti e udhëzon një person nga mesi i shërbëtorëve të Tij përmes teje, do të jetë më mirë se gjithçka mbi të cilën shndrit dielli nga lindja në perëndim [për ty]."1 Kur u pyet nga një person për një këshillë, ai tha: "Të këshilloj të mos i shoqërosh asgjë Zotit e t`i thërrasësh njerëzit në Islam. Duhet ta dish se çdo person që përgjigjet [ndaj ftesës tënde] është si të kesh liruar një skllav nga bijtë e Ja`kubit."2 (Të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë.)


2. Besimtarit i lejohet të udhëtojë në vende jomuslimane me kusht që të jetë i sigurt ose i bindur se udhëtimi nuk do të ketë ndikim negativ mbi besimin e tij dhe të atyre që janë të afërt me të. 


3. Në mënyrë të ngjashme, besimtari lejohet të banojë në vende jomuslimane, me kusht që qëndrimi të mos i bëhet pengesë në përmbushjen e detyrimeve ndaj vetes e familjes, në të tashmen e në të ardhmen (të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë).


4. Është haram të udhëtohet në vende jomuslimane në Lindje ose Perëndim, në qoftë se ai udhëtim shkakton humbje të besimit të një muslimani, pavarësisht nëse qëllimi i udhëtimit është turizmi, biznesi, arsimimi, ose qëndrimi me natyrë të përkohshme apo të përhershme, etj (të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë)


5. Nëse gruaja e ndjen fuqimisht ose është e sigurt se udhëtimi i saj me të shoqin [në një vend jomusliman] do të rezultojë në humbje të imanit, është haram që të udhëtojë me të.


6. Nëse djemtë ose vajzat baligh3 e ndjejnë fuqimisht se udhëtimi i tyre [në vendin jomusliman] me babain ose nënën apo miqtë dhe të afërmit do të shkaktojë humbje të besimit, është haram për ta që të udhëtojnë me këta njerëz.


7. Të humburit e besimit për të cilin flasin juristët këtu nënkupton ose kryerjen e një veprimi të ndaluar duke u përfshirë në mëkate të vogla ose të mëdha, si: pirja e pijeve dehëse, zinaja, ngrënia e mishit të ndaluar, ose pirja e pijeve të ndyra (nexhis), etj. Ai nënkupton gjithashtu braktisjen e përmbushjes së një veprimi të detyrueshëm, sikurse namazi, agjërimi, haxhi dhe detyrime të tjera


8. Nëse rrethanat e detyrojnë një musliman që të mërgojë në një vend jomusliman me dijen se mërgimi do të shkaktojë humbje besimi (p.sh. kërkon azil politik në një vend jomusliman për të shpëtuar jetën), është e lejueshme për të që ta ndërmarrë atë udhëtim aq sa t`i shpëtojë jetën e jo më shumë (të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë).


9. Nëse një musliman mërgimtar, që banon në një vend jomusliman, e di se qëndrimi i tij në atë vend do të çojë në humbjen e besimit nga ana e tij ose e fëmijëve të tij, ai e ka waxhib të kthehet në një vend musliman (të shihen pyetjet në fund të këtij seksioni). Siç u përmend më lart, kjo humbje besimi realizohet duke mospërfillur veprat e detyrueshme ose duke kryer mëkate.


Obligimi i muslimanit për t`u kthyer në një vend musliman vlen vetëm nëse kjo nuk shpie në vdekje [p.sh. në rastin e një kundërshtari politik që ka ikur nga vendi i tij], ose nëse e vendos atë në gjendje të padurueshme, apo urgjence, në të cilën detyrimet fetare pezullohen (p.sh. domosdoshmëria e ruajtjes së jetës, që e lejon dikë të hajë mish haram për të parandaluar vdekjen e tij nga uria).


10. Nëse udhëtimi është haram për një person, atëherë ai do të konsiderohet "udhëtim mëkati" dhe, në raste të tilla, ai e humbet lehtësimin e shkurtimit të namazit (kasr) në vaktet 4-rekatëshe si dhe atë të mosagjërimit të muajit të Ramazanit. Për sa kohë që udhëtimi i tij mban statusin e "mëkatit", ai nuk mund të përfitojë nga lehtësime të tilla që u siguron Sheri`ati udhëtarëve.


11. Biri nuk lejohet t`u mosbindet prindërve kur ia ndalojnë të udhëtuarit, nëse refuzimi i tyre për t`i dhënë leje është për shkak të shqetësimit për birin e tyre, ose në rast se udhëtimi do të shkaktojë pikëllim për ta për shkak të ndarjes së tij prej tyre, me kusht që ai të mos pësojë dëm nga të mosudhëtuarit.


12. Lejohet kontaktimi me autoritetet kompetente [sikurse policia dhe sistemi drejtësor në një vend jomusliman] për çështje të ndryshme me rëndësi, si: parandalimi i dëmtimit të një personi, apo nderit dhe pronës së një muslimani, me kusht që kjo të jetë mënyra e vetme për nxjerrjen e të drejtës dhe parandalimin e zullumit.


1. el-Hurr el-`Amili, Tefsilu Wesa`ili `sh-shi`a, vëll. XVI, f. 188.


2. po aty.


3. Baligh do të thotë në moshën, e cila sipas ligjit islam fillon në moshën 15 vjeç hënorë, ndërsa për vajzat nëntë vjeç hënorë. Rritja e qimeve pubike ose derdhja me natyrë seksuale përbën gjithashtu shenjë të arritjes së moshës së pjekurisë.


 


Pyetje dhe Përgjigje


1. Pyetje: Cili është kuptimi i et-ta`arrub ba`d ul-hixhre si mëkat madhor?


Përgjigje: Disa juristë kanë thënë se në kohën tonë kjo ka të bëjë me banimin në vende që mund të shkaktojnë humbje besimi. Ai nënkupton mërgimin e një përsoni nga një vend ku e ka të mundur nxënien e mësimeve dhe ligjeve të detyrueshme fetare dhe ku mund t`i përmbushë detyrimet e tija e të përmbahet nga e ndaluara, në një vend ku kjo mundësi nuk ekziston krejtësisht ose pjesërisht.


2. Pyetje: Një besimtar që banon në Evropë, Amerikë ose vende të ngjashme ndihet i ndarë nga mjedisi fetar në të cilin është lindur dhe rritur. Atij as nuk i vjen zëri i Kur`anit e as i ezanit; atje nuk ka faltore të shenjta me atmosferë të përshpirtshme, që ai të mund t`i vizitojë. A konsiderohet lënia e një mjedisi të tillë islam dhe të aspekteve pozitive të vendit të tij, "humbje imani"?


Përgjigje: Kjo nuk është humbja e besimit që do t`ia bënte haram atij personi banimin në një vend jomusliman. Megjithatë, me kalimin e kohës, qëndrimi larg një mjedisi të tillë fetar mund të dobësojë vendosmërinë fetare të mërgimtarit në atë shkallë sa ai ta konsiderojë mospërfilljen e veprave waxhib e kryerjen e mëkateve si të parëndësishme. Nëse një person e ka këtë frikë se mund ta humbasë imanin në këtë mënyrë, atëherë atij nuk i lejohet të banojë në atë vend.


3. Pyetje: Nganjëherë, një musliman që banon në Evropë ose Amerikë (apo të tjera vende të ngjashme) përfshihet në veprimtari haram, të cilat nuk do t`i kishte bërë sikur të kishte qëndruar në vendin e tij musliman. Shpalosjet e tundimit në shoqëri jomuslimane mund ta tërheqin një musliman drejt kryerjes së veprave haram edhe nëse nuk ka prirje ndaj tyre. A futet kjo në kategorinë e "humbjes së imanit" që ia bën atij haram qëndrimin në atë vend?


Përgjigje: Po; përveç nëse mëkatet në të cilat ai përfshihet me raste, pa ngulmuar në to, janë të llojit të vogël.


4. Pyetje: Et-ta`arrub ba`d ul-hixhra është përshkruar si "mërgim në një vend, në të cilin dija fetare e mërgimtarit do të bjerë, duke e bërë kësisoj më të ndarë nga besimi i vet." A nënkupton kjo se një musliman në vende të tilla e ka për detyrë të jetë edhe më vigjilent, që ndryshe të mos ndahet nga besimi i tij?


Përgjigje: Kujdesi shtesë bëhet waxhib kur pavëmendshmëria shpie në humbje të besimit siç u shpjegua më herët.


5. Pyetje: Nëse një predikues fetar, që është i vëmendshëm për besimin e tij, nis e ndeshet me më shumë situata në të cilat kryen vepra haram për shkak të mjedisit shoqëror (p.sh. lakuriqësi dhe shfaqje të pahijshme), a e ka haram ai të qëndrojë në ato vende; pra, a duhet ta ndërpresë përhapjen e fesë (tabligh) dhe të kthehet në vendlindje?


Përgjigje: Nëse përfshihet në disa mëkate të vogla me raste, nuk është haram për atë të qëndrojë në atë vend, me kusht që të jetë i palëkundur se nuk do të joshet të kryejë mëkate më serioze.


6. Pyetje: Nëse një mërgimtar druhet për humbjen e besimit të fëmijëve të tij, a e ka haram ai të qëndrojë në atë vend jomusliman?


Përgjigje: Po, e njëjta rregull vlen edhe për atë.


7. Pyetje: A është waxhib për mërgimtarët në Evropë dhe Amerikë (ose në vende të ngjashme) që të përpiqen t`u mësojnë arabisht fëmijëve të tyre, ngase mosnjohja e arabishtes mund të çojë në mosnjohje të trupit kryesor të dijes islame, çka do të shpiejë në një njohje më të pakët me mësimet fetare dhe humbje të besimit?


Përgjigje: Të mësuarit atyre arabisht është waxhib vetëm në atë shkallë sa të jetë e nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre fetare që duhen bërë në arabisht.


 II. Teklidi: Ndjekja e një Juristi në Çështje Ligjore


Hyrje


Teklid do të thotë me veprue në përputhje me opinionin e muxhtehidit që i ka të gjitha kualifikimet e nevojshme për t`u ndjekur në çështje ligjore. Kështu, ti vepron ashtu siç thotë opinioni ekspert i muxhtehidit dhe përmbahesh nga të kryerit e asaj që opinioni i tij ekspert të thotë të mos e veprosh, pa asnjëfarë kërkimi [në burimet islame] nga ana jote. Është tamam sikur ta kesh vendosur përgjegjësinë e veprave të tua krejtësisht mbi shpatullat e tij.


Ndër kushtet që duhet të plotësojë muxhtehidi i cili duhet ndjekur janë: ai duhet të jetë juristi më i ditur (el-a`lem) i kohës dhe më i afti në nxjerrjen e ligjeve fetare nga burimet përkatëse.


Rregulla të Përgjithshme


Tani është me vend të sqarohen çështjet e mëposhtme:


24. Një person që nuk e ka aftësinë për t`i nxjerrë dhe deduktuar ligjet fetare duhet t`i përmbahet teklidit të muxhtehidit më të ditur. Veprat e një personi të tillë pa teklid ose ihtijat (kujdes juridik) janë të pavlefshme dhe të kota.


25. Muxhtehidi më i ditur (el-a`lem) është më i afti në nxjerrjen e ligjeve fetare nga burimet e tyre.


26. Për të njohur se kush është muxhtehidi më i ditur, duhet t`i drejtohemi ehlu`l-khibra (atyre që janë të njohur mjaftueshmërisht me jurisprudencën islame). Nuk është e lejueshme t`i referohemi një personi që nuk ka ekspertizë mbi çështjen.


27. Opinioni ligjor (fetwa) i marxha`it tuaj mund të njihet në njërën nga këto tri mënyra:


i) duke e dëgjuar gjykimin nga vetë muxhtehidi.


ii) duke u informuar për fetwanë e tij nga dy burra të drejtë ose një person i besuar.


iii) duke iu referuar doracakëve (risale) të marxha`it ose librave të tjerë të kësaj kategorie.


28. Kur muxhtehidi më i ditur nuk ka fetwa mi një çështje ose kur nuk është e mundur për njeriun e thjeshtë që ta gjejë opinionin e marxha`it të tij kur i nevojitet, ai mund t`i referohet një muxhtehidi tjetër që është i dyti në hierarkinë e të qenit a`lem.


 Pyetje dhe Përgjigje


 29. Pyetje: Juristët na thonë se është waxhib të ndiqet muxhtehidi më i ditur (a`lem) por kur i pyesim dijetarët e fesë në zonën tonë se "cili është më i dituri", nuk marrim përgjigje të qartë e të prerë, në mënyrë që të jemi në gjendje të ndjekim fetwanë e tij. Kur u kërkojmë shpjegime, na thonë se ata nuk janë ehlu`l- khibra* dhe se: "kemi pyetur ehlu`l-khibra e na është thënë se identifikimi i muxhtehidit a`lem kërkon studimin e librave të muxhtehidëve, çka përbën një detyrë të vështirë e cila do kohë, kështu që shkoni e pyetni të tjerët."


Nëse problemi i identifikimit të muxhtehidit a`lem është kaq i vështirë në qarqet fetare, ai do të jetë edhe më i vështirë në vende të tilla si Evropa dhe Amerika. Pas vështirësish të mëdha për ta bindur rininë muslimane në këto vende se ligjet e Sheri`atit duhen ndjekur patjetër, arrijmë tek pyetja se cili është më i dituri dhe mbetemi pa fjalë. A ka ndonjë zgjidhje ky problem?


 Përgjigje: Nëse disa ehlu`l-khibra refuzojnë ta identifikojnë muxhtehidin më të ditur për një arsye a një tjetër, ekzistojnë ehlu`l-khibra të tjerë që janë të gatshëm ta identifikojnë atë. Është e mundur të kontaktohen ata ehlu`l-khibra, nëpërmjet dijetarëve të fesë dhe të tjerëve që janë të besuar dhe kanë kontakte me shkollat fetare dhe dijetarët në vende të tjera. Ndaj, edhe pse identifikimi i më të diturit nuk është pa vështirësitë e veta, ai nuk përbën problem serioz.


 30. Pyetje: Si mund ta dimë se kush janë ehlu`l-khibra, në mënyrë që t`i pyesim për muxhtehidin a`lem? Si t`i kontaktojmë ato, duke qenë se jemi larg shkollave fetare? A ka ndonjë mënyrë që mund të na e thjeshtojë proçesin e përcaktimit të atij që duhet të ndjekim në teklid?


 Përgjigje: Ehlu`l-khibra janë muxhtehidët dhe ata që i vijojnë në hierarkinë e dijes mbi shkencat fetare. Ata duhet të marrin parasysh tri gjërat e mëposhtme për identifikimin e atij a`lemi:


 i) Së pari: Dijen e tij rreth metodave të zbulimit të besueshmërisë së haditheve, çka përfshin shkencën e jetëshkrimeve të transmetuesve (`ilmu`r-rixhal) dhe shkencën e hadithit (`ilmu`l-hadith). Në këtë temë, çështje si njohja me librat e hadithit dhe hadithet që janë falsifikuar; njohja e shkaqeve të falsifikimit; dallimi në dorëshkrime dhe shquarja e më të saktit prej tyre; vetëdijësimi për ngatërrimin që ndodh nganjëherë ndërmjet tekstit të hadithit dhe shpjegimit të mbledhësve - janë të rëndësisë së parë. 


 ii) Së dyti: Aftësia e tij për të kuptuar domethënien e hadithit duke marrë parasysh rregullat e përgjithshme të ligjërimit, veçanërisht stilin e përdorur nga Imamët e Ehlu`l-Bejtit në përshkrimin e ligjeve. Shkenca e Parimeve të Jurisprudencës (`usulu`l-fikh), gramatika dhe letërsia arabe, si dhe njohja me pikëpamjet e juristëve sunni, që ishin bashkëkohës të Imamëve, luajnë rol të rëndësishëm në të kuptuarit e teksteve të hadithit.


 iii) Së treti: Pjekuria e pikëpamjeve të tij në nxjerrjen e rregullave nga burimet e duhura. Gjithashtu, metoda e njohjes me ata, tek të cilët statusi i qenies a`lem kufizohet në diskutime diturore ose referim ndaj librave të tyre apo të transkripteve të leksioneve të tyre në jurisprudencë dhe parime jurisprudence.


 Nëse dikush nuk i njeh dot ehlu`l-khibra vetë, ai mund të arrijë t`i njohë nëpërmjet dijetarëve të fesë dhe të tjerëve tek të cilët ka besim. Largësia gjeografike nuk duhet të jetë pengesë në vendosjen e komunikimit me ta në këtë kohë kur janë të disponueshme shumë mjete të komunikimit të shpejtë.


 31. Pyetje: Nganjëherë, zemra ndihet në paqe me një muxhtehid të veçantë. A mjafton kjo ndjenjë për t`i bërë teklid atij, nëse ehlu`l-khibra kanë opinione të ndryshme në përcaktimin e më të diturit?


 Përgjigje: Nëse ehlu`l-khibra kanë dallime opinioni në përcaktimin e më të diturit, atëherë duhet ndjekur pikëpamja e më të kualifikuarve dhe më të aftëve ndër ta. Kjo është norma në të marrit me të gjitha çështjet ku ekspertët kanë dallime në opinion.


 32. Pyetje: Nëse ehlu`l-khibra kanë dallime opinioni në përcaktimin e muxhtehidit a`lem ose thonë që thjesht ndjekja e cilitdo prej një numri muxhtehidësh mjafton, a mundet një person të zbatojë fetwanë e një muxhtehidi në një cështje dhe atë të një muxhtehidi tjetër në një çështje tjetër, gjersa t`i bëhet e qartë se kush është më i dituri?


 Përgjigje: Kjo pyetje ka tri pjesë:


 i) Së pari: Pohimi se disa ehlu`l-khibra thonë që "mjafton të ndiqet një muxhtehid specifik nga një grup muxhtehidësh" nuk ka kurrfarë vlere fetare.


 ii) Së dyti: Nëse ehlu`l-khibra thonë se dy ose më shumë muxhtehidë janë të barabartë në dije e përzotshmëri (në kuptimin e kujdesit në nxjerrjen e ligjeve [nga burimet e duhura]), atëherë një person i paspecializuar ka mundësinë e të vepruarit sipas pikëpamjeve të cilitdo prej muxhtehidëve, në të gjitha çështjet.


 Megjithatë, si masë kujdesi juridik (ihtijat) në disa çështje, personi mund të veprojë në mënyrë të atillë që të përmbushë kërkesat e të dyja pikëpamjeve; për shembull, në rastin e faljes së namazit të reduktuar (kasr) dhe të plotë (tamam), është mirë të falen të dy.


 iii) Së treti: Kur disa ehlu`l-khibra pohojnë se muxhtehidi A është më i dituri, ndërsa të tjerë thonë se muxhtehidi B është më i dituri. Kjo mund të përfshijë dy situata:


 - Personi e di se njëri prej dy muxhtehidëve është më i dituri, por nuk e di se cili. Kjo është situatë shumë e pazakontë, që është diskutuar hollësisht në veprën Minhaxhu`s-salihin [të Ajetullah Sistaniut], pyetja nr. 9.


 - Personi nuk e di se cili prej tyre është më i dituri, në kuptimin që ai mendon se të dy janë të barabartë në dije. Kjo lidhet me pikën (ii) më lart, me kusht që personi të mos jetë në gjendje të identifikojë më të përzotshmin nga këta dy muxhtehidë. Nëse është në gjendje ta identifikojë më të përzotshmin, ai duhet të ndjekë fetwatë e atij muxhtehidi.


 33. Pyetje: Në rast se dikush nuk e njeh qëndrimin e marxha`it të vet për një problem të caktuar, a e ka të domosdoshme ta gjejë edhe nëse kjo përfshin thirrje të kushtueshme telefonike? Apo mjafton të veprojë sipas pikëpamjes së njohur të cilitdo muxhtehid, gjersa ta gjejë qëndrimin e marxha`it të tij? Dhe, në rast të tilë, cili do të jetë vendimi për veprat e kaluara [të kryera sipas pikëpamjes të muxhtehidit tjetër] nëse ajo dallon nga pikëpamja e marxha`it të tij?


Përgjigje: Është e domosdoshme për atë që të zbulojë qëndrimin e marxha`it të tij, qoftë edhe me kontakt telefonik, përderisa kjo të mos e dëmtojë [fizikisht ose financiarisht]. Nëse e ka të pamundur të zbulojë pikëpamjen [e marxha`it të vet], atij i lejohet t`i referohet në atë rast të veçantë muxhtehidëve të tjerë, duke marrë parasysh hierarkinë e dijes, pra të dytin për nga dituria. Veprat e kryera sipas pikëpamjes së muxhtehidit të dytë do të vlenin edhe sikur adhuruesi të zbulonte më vonë se ajo nuk është në përputhje me qëndrimin e marxha`it të tij. 


 * Të shihet rregulla nr. 26 për kuptimin e ehlu`l-khibra.


 III. Pastërtia (taherat) e Papastërtia (nexhesat) Rituale


 Hyrje


Muslimani përpiqet të mbajë pastërtinë rituale të trupit, rrobave dhe të pajisjeve të tija të përditshme, duke shmangur kontaktin me gjëra të papastra, sepse kontakte të tilla do t`i bënin edhe artikujt e tjerë të papastër, çka do të kërkonte proçesin e pastrimit.


 Banimi në një vend jomusliman ua bën të vështirë mbajtjen e pastërtisë rituale disa muslimanëve, ngaqë ata kanë të bëjnë me qytetarët e tij jomuslimanë në situata të ndryshme të jetës së përditshme: në restorante, kafene, berberhane, lavanteri, banjo e objekte të tjera publike. Prandaj, është me vend t`ua sqaroj lexuesve të çmuar rregullat fetare mbi pastërtinë rituale (taherat) dhe papastërtinë rituale (nexhesat).    


 Rregulla të Përgjithshme


34. Një rregull e mirënjohur fetare thotë: "Çdo gjë është ritualisht e pastër, përderisa të njoftohemi se është ritualisht e papastër." Ky ligj e deklaron gjithçka të jetë e pastër, përveç nëse bëhemi të sigurtë se një artikull i caktuar është bërë i papastër. Dhe, për sa kohë të mos jemi të sigurt se është bërë ritualisht e papastër (nexhis), ajo duhet konsideruar e pastër dhe mund t`i zbatojmë të gjitha rregullat e pastërtisë mbi të, pa ngurrim ose dyshim.


35. Ehlu`l-kitabët (pra çifutët, të krishterët dhe zoroastrianët) janë ritualisht të pastër (tahir) përderisa të mos e dini me siguri se janë bërë ritualisht të papastër (nexhis) nga kontakti me një objekt të papastër. Ky rregull mund të ndiqet kur kemi të bëjmë me ta.


36. Papastërtia kalon nga njëri artikull në tjetrin përmes lagështisë rrjedhëse [pra, kur ka aq lagështi në artikullin e papastër, saqë ajo përshkon te artikulli tjetër dhe e bën të papastër]. Papastërtia nuk kalohet as kur është e thatë, e as kur përcillet me lagështi jo-rrjedhëse. Prandaj, kur vendosni dorën mbi një artikull të papastër që është i thatë, nuk do të bëheni ritualisht të papastër (nexhis)


37. Mund ta supozoni pastërtinë rituale (taherat) të cilitdo personi që takoni dhe i shtrëngoni duart (edhe nëse e ka dorën të lagur) përderisa të mos ia dini fenë dhe besimin - në raste të tilla mund të supozoni se ai mund të jetë musliman ose pjesëtar i Ehlu`l-kitabëve. Veç kësaj, nuk e keni për detyrë ta pyesni që të siguroheni për fenë e tij; pra, edhe nëse kjo nuk ju vendos juve ose atë në ndonjë mosrehati. (Të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë).


38. Çfarëdo pika uji ose lëngjesh të tjera, që mund t`ju bien mbi trup ose rroba, duhen konsideruar të pastra, përderisa të mos e dini me siguri që janë nexhis.


39. Të gjitha llojet e alkoolit (qofshin ato të nxjerra nga druri apo burime të tjera) janë të pastra, jo nexhis. Pra, mjekimet, parfumet dhe ushqimi që përmban alkool janë të pastër e mund të përdoren. Është gjithashtu e lejueshme të hahet një ushqim i tillë, nëse sasia e alkoolit është shumë e vogël, p.sh. 2%.


40. Pavarësisht nga përdoruesi i mëparshëm, pajisjet dhe mjetet e përditshme mund të përdoren pa patur nevojë të pastrohen, përderisa të mos e dini me siguri se janë bërë nexhis më parë. (Të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë)


41. Nëse qilimi dhe dysheku bëhen nexhis nga elemente që nuk janë të ngurta (pra, nuk lënë shenja ose njolla në to), ai mund të pastrohet duke spërkatur ujë mbi të nga një ibrik një herë, gjersa uji i pastër të mbulojë zonën e papastër dhe pastaj të fshihet uji tej me një copë rreckë ose fshesë elektrike. Tani, qilimi ose dysheku do të konsiderohen të pastër; ndërsa uji i hequr prej tij do të konsiderohet nexhis, mbështetur në kujdes juridik (ihtijat). Kjo rregull do të zbatohet edhe në pastrimin e rreckës nëse ndyhet nga burime që përjashtojnë urinën. Gjërat e ndotura nga urina do të diskutohen më vonë.


42. Nëse duam të pastrojmë qilimin ose dyshekun duke përdorur ujë të pastër të lidhur me një burim kurr [psh, duke përdorur zorrë në vend të hedhjes ujë me ibrik], nuk është nevoja të hiqet uji me rreckë ose me fshesë elektrike etj. Me të mbuluar uji kurr zonën e papastër, ajo do të bëhet e pastër [dhe uji do të konsiderohet gjithashtu i pastër].


43. Është e mundur të pastrohet qilimi ose dysheku i ndotur nga elemente që nuk janë të ngurta (pra që nuk lënë shenja ose njolla si gjaku e sperma) njëlloj si në rregullën 41, me kusht që elementi i papastër të hiqet gjatë ose para larjes. Ndryshimi i vetëm është që, nëse pastrohet me ujë kalil [pra nga një ibrik ose enë tjetër], atëherë uji i hequr nga qilimi do të konsiderohet nexhis si opinion i konfirmuar e jo si masë kujdesi.


44. Nëse një qilim ose dyshek bëhet nexhis nga urina e një fëmije që ushqehet kryesisht me gji, atëherë ai mund të pastrohet duke spërkatur ujë - qoftë edhe pak - mbi të, gjersa ta mbulojë syprinën e ndotur. Në këtë rast, nuk është nevoja të hiqet uji duke përdorur rreckë apo fshesë elektrike etj.


45. Nëse rrobat bëhen nexhis me urinë, ato mund të pastrohen duke hedhur ujë mbi to nga një ibrik ose qyp etj, gjersa të mbulohet sipërfaqja e ndotur; atëherë uji duhet fshirë me një rreckë etj. Kjo duhet bërë dy herë, që rrobat të rimarrin pastërtinë e tyre.


Uji që është fshirë nga rrobat (gjatë pastrimit të dyfishtë) do të konsiderohet nexhis mbi bazën e masës së kujdesit, nëse në to nuk ka urinë. Përndryshe uji do të konsiderohet nexhis me opinion të konfirmuar.


46. Nëse dikush dëshiron të pastrojë rroba të tilla me ujë të pastër që është i lidhur me një burim kurr [p.sh. nën çezme ose duke përdorur një zorrë], edhe atëherë është e domosdoshme që ato të lahen dy herë. Në mënyrë të ngjashme, është e domosdoshme të lahet trupi tri herë - edhe nëse lahet në ujë kurr - gjatë pastrimit, nëse është bërë nexhis me urinë.


47. Nëse dora dhe rrobat bëhen nexhis nga një pije dehëse, një larje mjafton për t`i pastruar. Megjithatë, në rast se përdoret pak ujë për t`i pastruar, rroba duhet shpëlarë pas larjes.


48. Enët dhe gotat që janë bërë nexhis për shkak të pijeve dehëse duhen larë tri herë nëse pastrimi bëhet me pak ujë. Nëse pastrimi bëhet me ujë të pastër të lidhur me një burim kurr, edhe atëherë duhen larë tri herë, si masë kujdesi.


49. Një larje e vetme mund të pastrojë dorën dhe rrobat që janë bërë të papastra nga lëpirja e qenit. Rroba të tilla duhen shpëlarë nëse larja bëhet me pak ujë. (Të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë).


50. Enët dhe gotat që janë bërë të papastra për shkak të lëpirjes së qenit, ose për shkak të pirjes nga to prej tij, mund të pastrohen si vijon: në fillim duhen pastruar duke përdorur dhé ose pluhur, e pastaj duhen larë tri herë me ujë.


Pyetje dhe Përgjigje


51. Pyetje: Toka është një prej pastruesve. Duke ndjekur shembullin e shollës së këpucës që mund të pastrohet duke ecur mbi tokë, a mund të zbatohet kjo rregull edhe për gomat e makinës?


Përgjigje: Toka nuk mund t`i pastrojë gomat.


52. Pyetje: Ku ndalon efekti domino i sendeve mutenexhxhis, kur artikulli nuk quhet më i lagësht?1


Përgjigje: Artikulli i parë mutenexhxhis do ta bënte të papastër artikullin që bie në kontakt me të; në mënyrë të ngjashme, objekti i dytë mutenexhxhis do ta bënte të papastër artikullin që bie në kontakt me të; mirëpo mutenexhxhisi i tretë nuk i bën dot më artikujt të papastër, pavarësisht nëse është i lagësht apo i thatë. 


 53. Pyetje: Nëse një qen më lëpin trupin ose rrobat, si t`i pastroj ato?


Përgjigje: Mjafton t`i lash një herë. Megjithatë, nëse uji i përdorur është i pakët, ato [rrobat] duhen shtrydhur.


 54. Pyetje: A konsiderohen sikhët mes ndjekësve të feve të shpallura të mëparshme, si çifutët dhe kristianët?


 Përgjigje: Ata nuk radhiten mes Popujve të cilëve u është shpallur një Libër Hyjnor.


 55. Pyetje: A janë budistët Ehlu`l-kitab?


Përgjigje: Ata nuk janë Ehlu`l-kitab.


 56. Pyetje: A mundet një musliman, që merr me qira një shtëpi të mobiluar në Perëndim,takonsiderojë gjithçka në të tahir,përderisa të mos gjejë gjurmë papastërtishë në të, edhe nëse banuesi i mëparshëm ka qenë Ehlu`l-kitab? Po sikur banuesi i mëparshëm të ketë qenë budist ose ateist që nuk beson as në Zot e as në pejgamberë?


 Përgjigje: Po, ai mund ta konsiderojë gjithçka në shtëpi si tahir, përderisa të mos e dijë se është bërë e papastër. Vetëm hamendja ose dyshimi për papastëti nuk ka vlerë.


 57. Pyetje: Dyshemeja e shumicës së banesave në Perëndim është e mbuluar me tapet që ngjitet për tokë, në mënyrë të tillë që është e vështirë të shqitet. Si mund të pastrohet një tapet i tillë nëse behet nexhis me urinë ose gjak? Uji i përdorur në të dyja rastet mund të jetë kalil ose kethir. Ju lutem shpjegojini gjykimet në të dyja rastet.


 Përgjigje: Nëse është e mundur që të shtupohet uji me rreckë ose fshesë elektrike, tapeti mund të pastrohet me ujë kalil, me kusht që uji të fshihet nga tapeti gjatë proçesit. Përndryshe, duhet pastruar me ujë kethir [duke përdorur zorrë të lidhur me një çesme].


 58. Pyetje: Në Perëndim, ka shumë lavanderi publike, ku lajnë rrobat muslimanët dhe jomusimanët. A na lejohet të falemi me rrobat e lara në vende të tilla, sidomos kur nuk kemi dijeni nëse lavatriçet janë të lidhura apo jo me ujë kurr2 në disa faza të larjes dhe nëse ai i pastron rrobat në proçesin larës?


Përgjigje: Nuk ka problem tek të falurit me ato rroba që kanë qenë të pastra përpara larjes [në vende të tilla] përderisa të mos njoftoheni se janë bërë të papastra ndërkohë. [Pra, ajo që futet në lavatriçe publike si e pastër del si e pastër, përveç nëse jeni të sigurtë se është bërë nexhis.]


 Në mënyrë të ngjashme, [mund të faleni] në rrobat e papastra [që janë larë në lavatriçe publike] me kusht që të jeni të sigurtë se:


 a) elementi i papastër, në pastë ndonjë të tillë, është larë tutje;


b) se uji i pastër e ka mbuluar tërë pjesën e papastër dy herë (nëse ajo është bërë nexhis nga urina dhe nëse uji është i lidhur me burimin kurr - si masë kujdesi) ose vetëm një herë (nëse është bërë nexhis nga elemente të tjera);


c) se uji është hequr nga rrobat duke i shtrydhur, nëse uji ka qenë kalil.


Megjithatë, në rast se nuk jeni të sigurtë dhe vetëm hamendësoni se rroba është pastruar sipas kërkesave fetare, rroba që ishte nexhis më parë do të konsiderohet nexhis akoma dhe namazi i falur me të nuk do të vlejë.


 59. Pyetje: A mund të konsiderohen rrobat e lara me detergjent lëngu në lavatriçet e pronësuara nga një jomsuliman si tahir, duke e ditur se aty lajnë rroba edhe muslimanë, edhe jomuslimanë?


 Përgjigje: Nëse nuk e di se rrobat kanë rënë në kontakt me jë burim papastërtie rituale, mund t`i konsideroni ato tahir (të pastra).


 60. Pyetje: Disa sapunë përmbajnë dhjam derri ose dhjam kafshësh të tjera që nuk janë therur në mënyrë islame. Për më tepër, nuk dimë nëse ka patur ndryshim kimik në proçesin e fabrikimit. A mund të konsiderohen tahir sapuna të tillë? [Ndryshimi kimik është pastrues, sepse e shndërron një artikull të papastër në të pastër.]


 Përgjigje: Nëse vërtetohet se i përmbajnë ato elemente [të papastra], ata duhen konsideruar të papastër, me përjashtim të rastit kur ndryshimi kimik vërtetohet. Një ndryshim i tillë nuk vërtetohet në fabrikimin e sapunëve.


 61. Pyetje: A lejohet blerja, shitja dhe përdorimi i një furçe dhëmbësh që përmban fije të bëra nga qimet e derrit? A bëhet e papastër goja nga përdorimi i një brushe të tillë dhëmbësh?


Përgjigje: Lejohet blerja, shitja dhe përdorimi i saj; megjithatë, goja bëhet e papastër me përdorimin e saj; ajo mund të pastrohet duke e nxjerrë atë furçë jashtë goje dhe duke e shpëlarë pjesën e mbetur të pastës së dhëmbëve nga goja.


 62. Pyetje: Nëse në të verdhën dhe të bardhën e vezës shihet gjak, a e bën ai vezën të papastër dhe haram për ne? A ka një zgjidhje?


Përgjigje: Drecka e gjakut brenda vezës është tahir, por haram [për konsum]. Prandaj, veza mund të hahet pasi të jetë hequr gjaku prej saj, me kusht që të mos jetë përthithur nga veza. [Në këtë rast, nëse gjaku nuk hiqet dot, veza bëhet haram.]


 63. Pyetje: A janë pijet alkoolike të pastra? A është birra e pastër?


Përgjigje: Nuk ka dyshim që pijet alkoolike janë të papastra. Sa i përket birrës (fuka`), ajo është e papastër mbi bazën e kujdesit; mirëpo nuk ka dyshim se ajo është haram.


 64. Pyetje: Njerëzit që banojnë në Evropë kanë besime, kombësi e fe të ndryshme; dhe kur blejmë artikuj ushqimorë të lagësht, shitësi mund t`i prekë ato me duar. Duke qenë se nuk e dimë fenë e tij, a mund ta konsiderojmë atë ushqim si të pastër?


 Përgjigje: Përderisa të mos dihet që duart e shitësit kanë qenë nexhis, ushqimi duhet konsideruar tahir.


 65. Pyetje: Si qëndron çështja me prodhimet e lëkurës nga vendet evropiane, nëse nuk ia dimë burimin lëkurës? Thuhet se disa vende evropiane importojnë lëkurë të lirë nga vende muslimane dhe pastaj e përdorin për të prodhuar artikuj të ndryshëm. A mund ta konsiderojmë të pastër një lëkurë të tillë? A mund të falemi me to? A mund t`i besohet një probabiliteti kaq të ulët [për prejardhjen e tyre nga vende muslimane]?


 Përgjigje: Nëse probabilieti i prejardhjes së lëkurës nga një burim zabiha (kafshë e therur në mënyrë islame) është aq i vogël saqë njerëzit nuk i japin fort peshë normalisht, ajo duhet konsideruar e papastërdhes`mund të përdoret në namaz. Por nëse probabiliteti nuk është aq i vogël, ajo mund të konsiderohet tahir dhe të përdoret në namaz.


  1. Shën. i përk.: Një artikull që është i papastër në vetvete njihet si `ajn nexhis ose thjesht nexhis; artikulli që bëhet i papastër duke rënë në kontakt të lagësht me një `ajn nexhis njihet si "mutenexhxhis", pra i papastër nga shkaqe dytësore.


2. Shën. i përk.: Të gjitha lavatriçet lidhen me burim kurr sepse ai vje nga rezervuari kryesor që furnizon qytetin me ujë.


IV. Namazi


 Hyrje


Namazi është përshkruar në disa hadithe si "shtylla e fesë." Pasi u plagos për vdekje nga Ibn Mulxhimi (Allahu e mallkoftë), Imam `Aliu tha në këshillën drejtuar të bijve, Hasanit dhe Huseinit: "Frikojuni Allahut dhe përmbajuni urdhrit të Allahut në çështjen e shtëpisë së Zotit tuaj (xhamisë): mos e lini bosh për sa të jeni gjallë."1


Es-Sukuni transmeton nga Imam Sadiku se: "I Dërguari i Zotit (s.a.w.) ka thënë: `Shejtani i druhet besimtarit për sa kohë që ta falë namazin në kohë; por kur ai fillon ta neglizhojë, Shejtani trimërohet dhe e tundon që të kryejë [mëkate] të mëdha`."2 Jazid ibn Khalife tregon se ai e kishte dëgjuar Imam Sadikun duke thënë: "Kur dikush ngrihet për namaz, mëshira zbret mbi të nga qielli në tokë dhe melekët e rrethojnë, e një melek thërret: `sikur ta dinte çfarë [shpërblimi] ka për namazin, nuk do ta ndërpriste kurrë.`"3


Nga këto [pak hadithe të zgjedhura] mund të kuptojmë rëndësinë e qartë dhe të dukshme të namazit në Islam. Dhe meqë namazi është si takim me Zotin Fuqiplotë (siç thonë hadithet, që tregojnë se njeriu që ngrihet për namaz është si ai të cilin e pret në takim vetë Fuqiploti), adhuruesi duhet t`i afrohet Zotit me prani të zemrës, duke mos menduar për asgjë tokësore apo kalimtare. Zoti Fuqiplotë thotë në Kur`anin famëlartë: (Vërtet, të suksesshëm janë besimtarët që përulen në namazet e tyre) (24:1).


Kur Imam `Ali Zejnu`l-`Abidini falte namaz, ai qëndronte "i ngulur dhe i palëvizshëm si një pemë: asgjë nuk lëviz, përveç asaj që lëvizet nga era."4 Kur Imam Bakiri dhe Imam Sadiku ngriheshin për namaz "ngjyra e tyre ndryshonte në të kuqe e pastaj të verdhë, thua se po flisnin me dikë të cilin mund ta shihnin."5


1. Tefsilu Wesa`ili `sh-shi`a, vëll. IV, f. 35.


2. Imam `Ali, Nehxhu`l-belagha (red. Subhi as-Salih), f. 422.


3. Tefsilu Wesa`ili `sh-shi`a, vëll. IV, f. 28.


4. Sejjid Muhammed Hadi el-Milani, Kudatuna: Kejfe Na`rifuhum, vëll. VI, f. 164, që ka një pjesë të veçantë për namazin e Imam Zejnu`l-`Abidinit.


5. Sejjid es-Sistani, Minhaxhu`s-salihin, vëll. I, f. 193.


Rregulla të Përgjithshme


 66. Muxhtehidët thonë se namazi nuk mund të lihet, në asnjë rrethanë. Kjo do të thotë se ai nuk duhet kapërcyer as në udhëtim as në shtëpi; madje edhe nëse vakti i tij po kalon, është e detyrueshme për muslimanin, për shembull, një udhëtar, që ta falë namazin në avion, anije, makinë, ose tren qoftë i ndalur a në lëvizje, kudo që të ndodhet: në dhomë pritjeje, park publik, anës rrugës, në vendin e punës etj.


 67. Kur nuk është e mundur për udhëtarin që ta falë namazin në avion ose në tren në pozicionin në këmbë, ai duhet të falet ndenjur.


 Nëse nuk e gjen dot drejtimin e kibles, duhet të marrë drejtimin që mendon se ka më shumë gjasa të jetë ai i kibles; nëse nuk preferon dot një drejtim mbi një tjetër, duhet të falet në cilindo drejtim që merr. Nëse nuk është e mundur të qëndrojë me fytyrë nga Meka përveçse për tekbiretul ihram (fraza hapëse "Allahu ekber"), ai duhet të thotë të paktën tekbirin në drejtim të kibles. (Të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve më poshtë).


 68. Është e lejueshme t`i kërkohet ekuipazhit drejtimi i kibles, që ata të mund të pyesin pilotin. Nëse keni besim ne informacionin e dhënë prej tyre, mund të mbështeteni në të, edhe sikur të mos jenë muslimanë.


 Po kështu, lejohet mbështetja në aparatura shkencore për përcaktimin e drejtimit të kibles, për shembull busullën, nëse muslimani është i bindur për saktësinë e saj.


 69. Nëse muslimani nuk mund të marrë abdes për namazin, duhet të marrë tejemum.


 70. Gjatësia e ditës dhe natës ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Nëse dita dhe nata njihen saktë nga lindja e perëndimi i diellit, muslimani duhet të mbështetet në lindjen e perëndimin e diellit për të përcakuar kohët e namazit dhe agjërimit. Kjo vlen edhe nëse nënkupton që namazi duhet thënë më shpesh ditëve të shkurtra ose agjërimi bëhet më i gjatë netëve të shkurtra.


 71. Në disa vende, dielli nuk perëndon ose nuk lind fare për një sërë ditësh ose muajsh. Si masë kujdesi, muslimanët duhet të mbështeten në kohët e qytetit më të afërt që ka ditë dhe natë në harkun prej njëzet e katër orësh. Kështu, ata do të falin pesë namaze sipas vakteve të atij qyteti më të afërt, me nijetin e kurbetit në përgjithësi [pra pa thënë ada (namaz i falur në kohë) apo kaza (i falur pas kohe)].


 72. Nëse nuk është e mundur për muslimanin që të përcaktojë agimin e vërtetë (faxhr) ose mesditën dhe muzgun për namazet dhe agjërimin e tij, dhe ka besim në kohët e dhëna nga observatorët, ai mund të mbështetet tek të njëjtat, edhe nëse shkencëtarët që drejtojnë observatorët janë jomuslimanë - për sa kohë të ketë besim në përcaktimin e agimit të vërtetë, ose drekës dhe muzgut.


 73. Për një udhëtar, namazi i shkurtuar (kasr) është i detyrueshëm; domethënë, ai do të falë vetëm dy rekate të ylesë, iqindisë dhe jacisë [në vend të katër rekateve normë], me kusht që të udhëtojë të paktën 44 km (gjithsej), duke filluar nga shtëpitë e fundit të qytetit të tij në raste normale.*


Ekzistojnë rregulla të hollësishme dhe specifike në doracakët e ligjeve islame, që shpjegojnë kur duhet falur kasr e kur nuk duhet, gjatë udhëtimit. (Për disa nga rregullat, të shihet pjesa e pyetje-përgjigjeve në fund të këtij kreu.)


 74. Falja e xhumasë me vëmendjen e duhur ndaj kushteve të saja të kërkuara është e pëlqyeshme ndaj faljes së namazit të drekës dhe mjafton; pra, nëse dikush fal xhumanë, nuk e ka të domosdoshme të falë drekën.


 75. Namazi në xhemat pëlqehet ndaj namazit individual. Pëlqyeshmëria e tij është më e fortë në namazet e sabahut, akshamit dhe jacisë. Një hadith fisnik thotë: "Namazi pas një dijetari është si njëmijë rekate [vetëm]; dhe pas një Kurejshi është si njëqind rekate [vetëm]." Me rritjen e numrit të adhuruesve rritet edhe pëlqyeshmria [e shpërblimi].


 * "Në raste normale" do të thotë jo në rastet e qyteteve të mëdha metro, ku shkuarja nga njëra anë e qytetit në tjetrën konsiderohet udhëtim.


 Pyetje dhe Përgjigje


 76. Pyetje: Një person e merrte abdesin dhe ghuslin gabim për një kohë të gjatë. Pastaj kupton se e ka patur gabim dhe kur pyet se si duhet ta zgjidhë problemin e tij, i thonë: "Përsëriti të gjitha namazet dhe kryeje haxhin përsëri." Duke qenë se rifalja e të gjitha namazeve dhe rikryerja e haxhit është diçka e vështirë, a ka ndonjë zgjidhje që do e shpëtonte vlefshmërinë e namazeve të tij dhe haxhit që ka kryer me abdes dhe ghusl të cilët i mendonte të saktë për kohën? A ekziston një zgjidhje e tillë si lehtësim për këtë person, në mënyrë që të mos pezmatohet dhe të rebelohet ndaj detyrave fetare, në një shoqëri që e inkurajon një lloj të tillë rebelimi?


 Përgjigje: Nëse ka qenë pafajësisht i paditur, duke gabuar kësisoj pa qeder (si p.sh. kur nuk ka ndjekur radhën e duhur në larjen e kokës dhe pastaj të pjesëve të tjera gjatë ghuslit; ose e ka fërkuar kokën apo këmbët [mes`h] me ujë të ri), atëherë abdesi dhe ghusli i tij do të konsiderohen të saktë e për rrjedhojë, namazet e tija të kaluara dhe haxhi do të konsiderohen të sakta.


 Por nëse ka qenë i paditur nga neglizhenca ndaj mësimit të ligjeve islame ose ka bërë gabime që e zhvleftësojnë veprimin në përgjithësi (p.sh. moslarja e disa pjesëve të trupit që duhen larë në abdes ose ghusl), nuk ekziston mënyrë për t`i bërë të vlefshme ato namaze dhe atë haxh.


 Megjithatë, nëse ekziston frika se ai do të rebelohej krejtësisht nëse do t`i kërkohej t`i kompensonte të gjitha namazet e shkuara dhe haxhin, atëherë nuk është me vend që t`i kërkohet kjo. Ndoshta Zoti do ta përmirësojë gjendjen e tij në të ardhmen.


 77. Pyetje: Disa njerëz falen me vite dhe madje kryejnë edhe haxhin, por nuk japin khums.* A e kanë të detyrueshme t`i përsërisin namazet dhe haxhin?


 Përgjigje: Si masë kujdesi, ata e kanë të detyrueshme t`i përsërisin namazet dhe haxhin, nëse veshja që kanë përdorur në namaz, tawaf dhe namazin e tawafit ka qenë nga artikuj mbi të cilët khumsi ishte bërë obligim.


 Megjithatë, nëse vetëm veshja që kanë përdorur në namazin e tawafit ka qenë e nënshtrueshme ndaj khumsit, dhe ata nuk e dinin (apo madje edhe e mospërfillën) ligjin ose statusin e veshjes, haxhi i tyre vlen, por duhet të përsërisin namazin e tawafit nëse nuk kishin përligjje për paditurinë e tyre. [Në këtë rast], ata duhet të kthehen në Mekë - si masë kujdesi [për ta kryer namazin e tawafit përsëri] nëse kjo nuk sjell vështirësi të madhe; përndryshe, mund ta kryejnë atë namaz kudo që të gjinden.


 Po kështu, do t`u duhet ta përsërisin haxhin nëse kafsha e bërë kurban është blerë me para mbi të cilat khumsi ka qenë obligim. Mirëpo, nëse e kanë blerë me para, një pjesë e paspecifikuar e të cilave i nënshtrohej khumsit - siç ndodh zakonisht - haxhi i tyre është në rregull, edhe sikur ta kenë tërhequr [shumën] nga para mbi të cilat khumsi ka qenë i detyrueshëm; sigurisht, ata do të jenë përgjegjës për atë sasi [duke dhënë khumsin përkatës].


E gjitha kjo vlen nëse ata e dinin për detyrueshmërinë e khumsit dhe ligjin e ndalimit të përdorimit të artikujve mbi të cilët khumsi ishte bërë waxhib ose kur nuk e dinin për shkak të neglizhencës. Por nëse kanë qenë të paditur nga pafajësia, namazet dhe haxhi i tyre janë të vlefshëm.


 78. Pyetje: Nëse një udhëtar e lë qytetin e tij menjëherë pas ezanit të namazit të ylesë (drekës) pa e falur namazin dhe mbërrin në vendin ku ishte nisur pas muzgut, a ka kryer mëkat ai? Dhe a e ka të detyrueshme ta kompensojë atë namaz?


 Përgjigje: Po, ai ka kryer mëkat duke neglizhuar namazin e detyrueshëm në kohën përkatëse dhe duhet ta kompensojë.


 79. Pyetje: A përbën boja e tharë [në dorë p.sh.] pengesë për abdesin ose ghuslin?


 Përgjigje: Nëse nuk formon një masë që do ta ndalonte ujin nga mbërritja në lëkurë, abdesi dhe ghusli janë të vlefshëm. Megjithatë, nëse dyshohet mbi atë nëse ajo formon një masë apo jo, duhet hequr.


 80. Pyetje: A i lejohet një muslimani të përfshihet në pushim duke vazhduar të shohë një film zbavitës, edhe pse ka hyrë vakti i namazit, dhe pastaj të shkojë të falë namazin mu në çastin përpara se ai të bëhet kaza?


Përgjigje: Nuk bën që muslimani ta shtyjë faljen e namazit tej kohës së vet (pra, fillimit të vaktit) përveçse për ndonjë arsye; ajo që është përmendur në pyetjen më lart nuk është përligjje e pranueshme.


 81. Pyetje: A përbën kremi pengesë për mbërritjen e ujit në lëkurë, dhe nëse po, a duhet hequr përpara abdesit dhe ghuslit?


Përgjigje: Mesa duket, efekti i lënë në lëkurë pas vendosjes së kremit, nuk është gjë tjetët veçse lagështi, kështu që nuk përbën pengesë që uji të prekë lëkurën.


 82. Pyetje: Disa gra i lënë thonjtë të rriten më shumë se duhet, për bukuri. Nganjëherë, ndodh që thoi të thyhet, duke kërkuar një këllëf që duhet vendosur mbi vendin e thyer. Duke e ditur se një këllëf i tillë e pengon ujin nga prekja e thoit gjatë abdesit e ghuslit, a është e lejueshme që ai të përdoret? Si duhet marrë abdesi dhe ghusli me atë këllëf?


 Përgjigje: Abdesi dhe ghusli me këllëf të tillë mbi thua nuk vlen; ai duhet hequr para abdesit dhe ghuslit. Dhe qëllimi i përmendur më lart për këllëfin nuk ka përligjje.


 83. Pyetje: Kur duhet falur namazi i plotë (tamam) e kur duhet falur i shkurtuar (kasr)? A mjafton përshtypja e përgjithshme për një person si banues i një qyteti, që ai ta falë namazin të plotë [në atë qytet]?


Përgjigje: Kushtet për kasr në udhëtim janë përmendur në doracakët e ligjeve islame. Kur një person shqyrton banimin në një qytet për një kohë të gjatë, dhe në përshtypjen e përgjithshme ai banim konsiderohet si i tillë, personi nuk konsiderohet si udhëtar (p.sh, nëse synon të banojë në atë qytet për një vit e gjysëm, ai do të konsiderohet si qyteti i tij i banimit pas një muaji). Por nëse synon të qëndrojë për pak kohë dhe nëse, në kuptimin e përgjithshëm, ai konsiderohet si vizitor, ai duhet të falet kasr.


 84. Pyetje: Si mund ta dimë kur është `mesi i natës` [çasti kur përfundon vakti i faljes së jacisë, sipas medhhebit të Ehl-i Bejtit]? A është gjithmonë në orën 00.00, siç mbahet zakonisht nga disa?


Përgjigje: `Mesi i natës` është mesi i intervalit nga muzgu deri në agim. Kështu p.sh., nëse dielli perëndon në ora 19 dhe imsaku fillon në 4, mesi i natës do të jetë në 23:30. Kriteri për përcaktimin e mesnatës janë kohët e akshamit dhe imsakut, që ndryshojnë sipas vendit.


 85. Pyetje: Një person beson se nuk do zgjohet dot për të falur sabahun nëse bie të flejë, a e ka të detyrueshme të rrijë zgjuar deri në kohën e sabahut? A është mëkat nëse flen dhe nuk zgjohet për namazin e sabahut?


Përgjigje: Ai mund të pyesë dikë që ta zgjojë për sabah ose të përdorë një orë me zhavarinë etj, për këtë qëllim. Nëse mjetet e zgjimit nuk janë të disponueshme, atëherë ai nuk kryen mëkat duke rënë për të fjetur përveç nëse kjo konsiderohet, siç besohet gjerësisht, fyerje dhe neglizhim ndaj namazit.


 86. Pyetje: Si mund ta falim namazin në avion, sidomos kur nuk e dimë drejtimin e kibles, duke marrë parasysh joqëndrueshmërinë e dyshemesë [për shkak të lëvizjes së avionit]?


 Përgjigje: Sa i përket kibles, drejtimi i saj mund të gjehet duke pyetur një pjesëtar të ekuipazhit sepse përgjigjet e tyre zakonisht janë të vlefshme dhe përbëjnë burim sigurie. Prandaj duhet vepruar kështu.


Sa i përket paqëndrueshmërisë së dyshemesë ku do të falet namazi, ai kusht do të bjerë kur nuk është i mundur të plotësohet. Por, kushtet e tjera të namazit duhen respektuar, kudo që të jetë e mundur. Në asnjë mënyrë nuk duhet lënë namazi për më vonë se vakti i tij.


 87. Pyetje: Si mund ta falim namazin në trena dhe makina? A është e domosdoshme të bëjmë sexhde mbi diçka apo jo - me ç`rast, a do të mjaftonte përkulja e qafës përpara?


Përgjigje: Është e detyrueshme që namazi të falet në mënyrën e zakonshme kurdo që të jetë e mundur. Pra, duhet qëndruar me fytyrë nga kibla në të gjitha etapat e namazit; nëse kjo s`është e mundur, të paktën në tekbirin fillestar. Përndryshe kushti i qëndrimit me fytyrë nga kibla do të bjerë. Po kështu, nëse është e mundur të bëhet ruku` dhe sexhde, (p.sh. në hapësirat e lira të autobusit ose trenit), ato pjesë të namazit duhen kryer sipas normës. Por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë duhet përpjekur të bëhet përkulje normale për ruku` e sexhde [p.sh. nga pozicioni ndenjur në karriken e autobusit ose stolin e trenit].


 Për sexhden, duhet vendosur balli në një artikull mbi të cilin ajo është e vlefshme, madje edhe duke e ngritur atë objekt në ballë. Nëse përkulja normale nuk është e mundur, atëherë duhet bërë shenjë vetëm me përkulje qafe [gjysëm distancë për rukunë dhe plotësisht për sexhde].


 88. Pyetje: Në rast se ka hyrë vakti i një namazi dhe studenti ndodhet rrugës për në universitet; kur arrin në universitet, ai sheh se koha për namaz ka mbaruar. Në këtë rast, a i lejohet atij ta falë namazin në makinë, ndonëse ka vende ku mund të falej, por që duke shkuar në to rrezikon të vonohet [për në universitet]?


 Përgjigje: Vonesa për në vendin e punës [ose universitet] nuk përbën justifikim të mjaftueshëm për t`u falur në makinë. Kjo sepse ai përfshin mospërmbushjen e disa prej kushteve të namazit, ndërkohë që është e mundur të falet normalisht në tokë, duke plotësuar të gjitha kushtet. Megjithatë, nëse vonesa do t`i shkaktojë dëm të konsiderueshëm ose do ta vendosë në situatë të nderë, atij i lejohet të falet në makinë (duke mos i plotësuar kështu disa nga kushtet e namazit).


 89. Pyetje: Ndodh që vakti i namazit hyn kur muslimani ndodhet në punë - duke theksuar se gjetja e punës nuk është e lehtë - dhe ai e ka të vështirë ta lërë punën për t`u falur. Nganjëherë ai humbet vendin e punës për shkak të ngulmimit të faljes së namazit. A i lejohet atij t`i falë namazet kaza? Apo duhet t`i falë gjithsesi [në kohë], edhe nëse kjo shpie në pushim nga puna?


 Përgjigje: Nëse nevoja për të punuar në atë vend arrin nivelin e domosdoshmërisë, atëherë ai duhet të falet në kohë saherë ta ketë të mundur: madje edhe duke bërë me shenjë [pra duke ulur qafën përpara deri në gjysmë për ruku` e deri në fund për sexhde]. Megjithatë, një rast i tillë shfaqet vetëm jashtëzakonisht rrallë. Kështu që duhet t`i frikohet Zotit dhe të mos e pranojë një punë që shpie në neglizhim të shtyllës së imanit; kështu, ai duhet të mbajë mend fjalët e Zotit: (dhe kujt i frikësohet Zotit, Ai do t`ia bëjë të lehtë dhe do ta furnizojë prej nga s`e pret) (65:2).


 90. Pyetje: Shumë kompani të mëdha në Perëndim punësojnë një numër të madh punëtorësh që punojnë në zyra, për pronësinë e të cilave ata nuk dinë asgjë. Cili është gjykimi për:


 i) Faljen e namazit në këto zyra dhe përdorimin e ujit për abdes?


ii) Nëse falja aty nuk është në rregull, çfarë do të ndodhë me namazet e kaluara që janë falur aty?


Përgjigje:


 i) Nuk ka problem të falesh në ato vende e as të përdorësh ujin e atjeshëm për abdes, përderisa të mos e dish se ato janë uzurpuar.


ii) Nëse pas faljes së namazit bëhet e qartë se vendi ishte i uzurpuar, namazet e shkuara janë të vlefshme.


 91. Pyetje: Nëse falem me rrip lëkure ose një portofol nga lëkura e një mejte dhe gjatë ose pas namazit, por pa i kaluar vakti, e kuptoj këtë, çfarë ndodh me atë namaz? Po kur e kuptoj pas kalimi të vaktit?


 Përgjigje: Namazi duke patur me vete një portofol të bërë nga lëkura e një mejte është i vlefshëm ashtu siç është e pranueshme falja me një rrip po prej asaj lëkure, me kusht që probabiliteti i të qenit të saj nga një zabiha nuk është aq i ulët sa të jetë i neglizhueshëm nga njerëzit e arsyeshëm.


 Në rastin e dytë [probabiliteti i ulët], nëse ai ishte i paditur [për këtë rregull] dhe e kupton gjatë namazit, ai duhet ta heqë menjëherë dhe namazi i tij do të jetë i vlefshëm. E njëjta rregull vlen nëse ai harron [se e kishte portofolin ose rripin me vete] dhe kujtohet gjatë namazit, me kusht që harresa nuk ishte rezultat i pakujdesisë dhe mospërfilljes. Në rastet e tjera, atij do t`i duhet ta përsërisë namazin në kohë, ose kaza - si masë kujdesi (ihtijat).


 92. Pyetje: Një prej llojeve të njohura të pantallonave sot janë ato që quhen xhins, të cilat prodhohen në vende jomuslimane. Ato kanë një pjesë lëkure që përdoret si stampë, për të cilën nuk dihet nëse është nga kafshë që janë therur në mënyrë islame apo jo. A është e lejueshme të falemi në këto pantallona?


 Përgjigje: Po, është e lejueshme.


 93. Pyetje: A vlen namazi nëse personi përdor kolonjë?A është kolonja e pastër (tahir)?


 Përgjigje: Po, ajo është e pastër.


 94. Pyetje: A është në rregull të bëhet sexhde mbi beton ose mozaik?


 Përgjigje: Po, në rregull është.


 95. Pyetje: Disa sixhade janë të bëra nga material sintetik; a lejohet sexhdja mbi to?


Përgjigje: Sexhdja mbi artikuj të tillë nuk është në rregull sa duhet.


 96. Pyetje: A lejohet sexhdja mbi letër shkrimi dhe letër higjenike, kur nuk dihet nëse materiali bazë nga i cili ajo është bërë ka qenë nga artikuj mbi të cilët sexhdja vlen?


 Përgjigje: Nuk lejohet sexhdja mbi letër higjenike pa u siguruar se është bërë nga artikuj mbi të cilët sexhdja vlen; lejohet të bëhet sexhde mbi letër nëse ajo është e bërë nga material mbi të cilin sexhdja lejohet, ose nga pambuku apo liri.


 97. Pyetje: Një recitues i Kur`anit Fisnik reciton një ajet sexhdeje të detyrueshme; a është e detyrueshme sexhdja nëse e dëgjojmë recitimin nëpërmjet kasetës?


 Përgjigje: Jo, nuk është e detyrueshme.


 * Shën. i përk.: Khumsi është taksë vjetore islame që zbatohet, midis të tjerash, mbi kursimet. Të shihet vepra Khumsi: Një Taksë Islame e autorit S. M. Rizvi.


V. Agjërimi


 Hyrje


 Pejgamberi Fisnik Muhammed (s.a.w.) dha një ligjëratë mbresëlënëse në mirëpritje të muajit të shenjtë të Ramazanit, në të cilën tha:


 "O njerëz! Po ju vjen një muaj plot begati, mëshirë dhe falje; një muaj të cilin Allahu e konsideron më të mirin e të gjithë muajve. Ditët e tij janë ditët më të mira; netët e tij janë netët më të mira; orët e tij janë orët më të mira. Ai është një muaj ku ftoheni të jeni mysafirët e Allahut dhe konsideroheni të denjë për mirësinë e Tij. Frymëmarrja juaj në të e madhëron Allahun dhe gjumi juaj e adhuron Atë. Ibadetet tuaja vullnetare pranohen dhe lutjet tuaja dëgjohen. Kërkojini pra Allahut, Zotit tuaj, me nijet të sinqertë dhe zemër të pastër, që t`jua mundësojë në të agjërimin dhe leximin e Librit të Tij, sepse vetëm një mjeran privohet nga mëshira e Allahut në këtë muaj të madh. Dhe le t`jua kujtojnë uria dhe etja juaj gjatë tij, urinë dhe etjen e Ditës së Gjykimit. Jepuni lëmoshë të skamurve dhe të pastrehëve mes jush; rrethojini të vjetrit me respekt dhe të rinjtë me butësi. Vizitojini të afërmit, ruajini gjuhët tuaja dhe mos e shikoni atë që Allahu jua ka ndaluar dhe mos dëgjoni asgjë të ndaluar për veshët tuaj. Jini të mirë ndaj jetimëve të të tjerëve që edhe jetimët tuaj të marrin mirësi. Pendojuni Allahut për mëkatet tuaja dhe ngrijini duart drejt Tij në përgjërim gjatë lutjeve tuaja, sepse ato janë kohët më të mira, në të cilat Allahu i shikon robërit e Vet me mëshirë dhe u përgjigjet du`ave të tyre kur ata i luten.


 "O njerëz! Shpirtrat tuaj janë pengje të veprave tuaja; ndaj, lirojini ato duke kërkuar faljen e Allahut. Kurrizet tuaja janë rënduar me peshën e mëkateve tuaja; ndaj, lehtësojuani barrat duke i zgjatur sexhdet tuaja. Ta dini se Allahu i Lartë dhe Fuqiplotë është betuar në Dinjitetin e Tij se nuk do t`i torturojë ata që e falin namazin dhe i përulen Atij, dhe se nuk do t`i tmerrojë ata me pamjen e Zjarrit kur të ringjallen për t`u gjykuar.


 "O njerëz! Cilido nga ju që e përmirëson sjelljen e vet gjatë këtij muaji do të ketë kalim të sigurt mbi Sirat-i Mustakim, kur shumë këmbë do të rrëshqasin; dhe cilido nga ju që ia pakëson ngarkesën shërbëtorit (ose punëtorit) të vet do të shpërblehet nga Allahu me ulje në llogaridhënie. Kushdo nga ju që përmbahet nga të lënduarit e tjetrit do të kursehet nga zemërimi i Fuqiplotit kur të takohet me Atë. Cilido nga ju që i ofron bujari një jetimi do të shpërblehet me bujari të Allahut ndaj tij në Ditën e Gjykimit. Kushdo nga ju që i përmirëson lidhjet me të afërmit do të shpërblehet nga Allahu duke e përfshirë atë në mëshirën e Tij; dhe cilido nga ju që i keqëson lidhjet farefisnore, Allahu do ta tërheqë mëshirën e Vet prej tij kur Ta takojë. Për këdo nga ju që fal namaze vullnetare, Allahu do të urdhërojë mbrojtje nga tmerri i zjarrit. Cilido nga ju që kryen një obligim, do të marrë shpërblimin e atij që ka kryer shtatëdhjetë obligime në muajt e tjerë. Kushdo nga ju që i shton salavatet mbi mua, Allahu do bëjë që shigjeta e veprave të tij të mira të rëndojë shumë, kur peshoret të jenë të lehta. Cilido nga ju që reciton një varg kur`anor do të marrë bekimet e atij që reciton krejt Kur`anin në një muaj tjetër.


 "O njerëz! Portat e xhennetit në këtë muaj janë të hapura kapak, ndaj lutjuni Allahut - Zotit tuaj të mos jua mbyllë ato; dhe portat e xhehenemit janë të kyçura, ndaj lutjuni Allahut - Zotit tuaj që të mos i hapë ato për ju; dhe djajtë janë të prangosur, ndaj lutjuni Allahut të mos i lëshojë ata ndaj jush!"


 Imam `Aliu ka thënë: "Ka prej atyre që agjërojnë, por që nuk do të fitojnë asgjë prej tij përveç etjes; dhe ka prej atyre që falen e nuk fitojnë asgjë prej namazit përveç lodhjes."


 Imam Sadiku ka thënë: "Kur të agjëroni, veshët, sytë, flokët, lëkura dhe tërë gjymtyrët e juaj duhet të agjërojnë gjithashtu." Ai ka thënë gjithashtu se: "Agjërimi nuk është vetëm [abstenim] nga ushqimi dhe pija. Kur të agjëroni, mbrojeni gjuhën nga gënjeshtrat; ulini sytë nga ajo që ju ka ndaluar Zoti; mos u zini; mos u xhelozoni; mos u përgojoni; mos u shani; mos i bëni zullum njëri tjetrit. Përmbahuni nga akuzat e rreme, gënjeshtra, zënkat, dyshimi, përgojimi e shpifja. Jini prej atyre që mezi e presin ahiretin dhe pritini ditët e juaja në pritje të asaj që Zoti u ka premtuar atyre që janë përgatitur ta takojnë Atë. Duhet të keni qetësi, esëlli, përulësi, modesti dhe nënshtrueshmërinë e një robi që i druhet pronarit; dhe frikësojuni [ndëshkimit nga Zoti] dhe shpresoni [faljen e Tij]."*


 * Të shihen librat e hadithit si dhe Mefatihu `l-xhinan i `Abbas Kummiut, ff. 235-237.


 Rregulla të Përgjithshme


 Është me vend tani që të shpjegojmë disa rregulla lidhur me agjërimin dhe t`u shtojmë pyetjet specifike dhe përgjigjet e lidhura me këtë rit të rëndësishëm islam.


 98. Ndër veprime që e zhvleftësojnë agjërimin janë ngrënia dhe pirja me qëllim. Prandaj, nëse një person agjërues ha ose pi gabimisht (p.sh. duke harruar se po agjëronte) e jo me qëllim, agjërimi i tij është në rregull dhe nuk ka penalizim për të.


 99. Ndër veprat që e zhvleftësojnë agjërimin në muajin e Ramazanit është qëndrimi me qëllim në gjendje xhunubllëku deri në sabah. Kështu, nëse një person qëndron me qëllim në atë gjendje pa marrë ghusl deri në fillim të sabahut në muajin e Ramazanit, ai e ka të detyrueshme të përmbahet nga gjërat e tjera të ndaluara gjatë pjesës tjetër të ditës.


 (Si masë kujdesi, ai duhet të përmbahet me nijetin e ma fidh dhimme - "asaj që pritet prej tij".) Ai duhet gjithashtu ta kompensojë këtë agjërim në një ditë tjetër me nijetin e ma fidh dhimme e të shlyejë penalizimin, mbi bazën e masës së kujdesit (ihtijat). Nëse një person është i sëmurë dhe nuk mund të marrë ghusl për shkak të sëmundjes, ai duhet të marrë tejemmum përpara imsakut; paskëtaj, ai do të konsiderohet në gjendje pastërtie rituale, duke qenë i aftë të agjërojë.


 100. Ndër veprat që e zhvleftësojnë agjërimin në muajin e Ramazanit për një grua është që të qëndrojë deri në imsak në gjendje papastërtie rituale për shkak të menstruacionit (hajdh) ose sekretimit të paslindjes (nifas) pasiqë ai të ketë reshtur dhe nëse e ka patur të mundur ghuslin. Kësisoj, nëse qëndron pa ghusl deri në fillim të imsakut, gjendja e saj do të jetë e njëjtë me atë të një personi xhunub si më lart. Nëse e kishte të pamundur kryerjen e ghuslit, ajo duhet të marrë tejemmum.


 101. Është e pëlqyeshme për një agjërues që të mos kapërdijë flegmë që ka mbërritur në gojë, ndonëse kjo lejohet. Po kështu, i lejohet të kapërdijë pështymën e mbledhur në gojë, qoftë edhe në sasi të madhe.


 102. Nxjerrja [e pavullnetshme] e farës gjatë ditës nuk e zhvleftëson agjërimin; dhe personi duhet të marrë ghusl xhunubllëku për namazin. Pra, derdhja e farës [gjatë ditës] nuk e zhvleftëson agjërimin.


 103. Larja e dhëmbëve me furçë dhe pastë nuk e zhvleftëson agjërimin, për sa kohë që personi nuk e kapërdin pështymën e përzier me pastë dhëmbësh. Mirëpo, aroma e pastës ose shija e saj që përzihet me pështymën nuk e ndikon agjërimin.


 104. Nëse një musliman jeton në një qytet që ka ditë për gjashtë muaj [psh në pjesën veriore të Evropës ose Kanada], ai e ka për detyrë të zhvendoset gjatë Ramazanit në një qytet me ditë dhe natë `normale`, në mënyrë që të nisë agjërimin. Përndryshe, duhet të zhvendoset pas Ramazanit, që të agjërojë kaza. Mirëpo, nëse e ka të pamundur të lëvizë, duhet të paguajë kompensim (fidje) në vend të agjërimit, pra t`i japë 750 gr ushqim [oriz ose miell] një të varfri në ditë.


 105. Nëse një musliman jeton në një qytet ku dita është 23 orë gjatë disa stinëve e nata vetëm një orë ose anasjelltas, ai e ka përsëri obligim të agjërojë, nëse mundet. Por nëse nuk mundet, obligimi bie. Nëse e ka të mundur të agjërojë kaza më vonë duke lëvizur në një qytet tjetër, ai e ka waxhib agjërimin kaza. Nëse nuk mundet të agjërojë as kazanë, e ka për detyrë të japë fidje në vend të agjërimit.


 Pyetje dhe Përgjigje


 106. Pyetje: Disa njerëz vijnë në një qytet me nijet banimin në të për disa vjet, për një qëllim të caktuar [psh arsimim]. Gjatë kësaj kohe, nuk e lënë vendin e banimit asnjëherë. Kur synimi i caktuar realizohet, ata e lënë atë qytet dhe shkojnë ku kanë dëshirë. Si duhet të falen dhe të agjërojnë ata [në atë qytet]?


 Përgjigje: Ata do të falin namaz të plotë; ata mund të agjërojnë pasi të kenë jetuar në atë qytet për një muaj, ashtu siç agjërojnë në qytetet e tyre.


 107. Pyetje: A është e lejueshme të mbështetesh në observatorët evropianë [pra në ekspertë jomuslimanë] për përcaktimin e kohëve të imsakut, sabahut, ylesë dhe akshamit për tërë vitin, duke përfshirë Ramazanin, duke e ditur se është shkencor dhe i përpiktë deri në minuta e sekonda?


Përgjigje: Nëse je i sigurt për saktësinë e kohëve të dhëna prej tyre, është e lejueshme të veprohet sipas tyre. Por, duhet ditur se ka dallime në përcaktimin e imsakut, veçanërisht në disa vende në Evropën [veriore] [dhe Kanada]; prandaj, është e domosdoshme të sigurohemi se ai mbështetet në pikëpamjen e drejtë.


 108. Pyetje: Në disa qytete, dielli nuk lind për ditë me radhë ose nuk perëndon për ditë të tëra apo edhe më shumë. Si duhet të falemi dhe të agjërojmë?


 Përgjigje: Sa i përket namazit, si masë kujdesi, duhet të ndjekim vendin më të afërt që ka ditë dhe natë gjatë 24 orëve e atëherë ta falim namazin sipas kohëve të tij me nijetin e mutlaka [pra, thjesht kurbeten ila`Llah pa specifikuar nëse është ada (në kohë) apo kaza (pas kohe)].


 Sa për agjërimin, e keni për detyrë të zhvendoseni gjatë muajit të Ramazanit në një qytet tjetër ku mund ta kryeni agjërimin e këtij muaji të shenjtë, ose të kaloni atje pas mbarimit të Ramazanit e t`i kryeni agjërimet kaza.


 109. Pyetje: A mundet një person që është duke agjëruar muajin e shenjtë të Ramazanit t`u shërbejë ushqim jomuslimanëve?


Përgjigje: E parë nga ana e vetë çështjes, nuk ka problem.


 110. Pyetje: A e zhvleftëson agjërimin përdorimi i një pompe që lehtëson frymëmarrjen?

Përgjigje: Nëse spruci që del nga pompa hyn në aparatin frymëmarrës e jo në kanalin e ushqimit, ai nuk e zhvleftëson agjërimin.


 111. Pyetje: A e prish agjërimin ushqimi i dhënë në mënyrë intravenoze, pavarësisht nëse ka qenë i domosdoshëm ose jo për pacientin?


 Përgjigje: Ai nuk e prish agjërimin në asnjërin prej rasteve.


 112. Pyetje: A e prish agjërimin masturbimi gjatë ditës në Ramazan, pavarësisht nëse shpie ose jo në ejakulim? Cili është penalizimi që duhet zbatuar nga personi që vepron kësisoj? Cili është gjykimi për një grua që përfshihet në masturbim gjatë ditës në Ramazan, pavarësisht nëse ai shpie ose jo në derdhje?


 Përgjigje: Nëse dikush masturbon me synim që të ejakulojë dhe në fund ejakulon, agjërimi i tij prishet dhe ai duhet ta shlyejë me kaza si dhe penalizimin (kaffara), që është agjërimi për dy muaj rresht ose ushqyerja e gjashtëdhjetë të varfërve. Nëse masturbon me synim ejakulimin por nuk ejakulon, ai duhet ta plotësojë agjërimin me nijetin e kënaqjes së Zotit dhe pastaj ta bëjë kaza.


 Nëse masturbon pa patur synim që të ejakulojë dhe nuk ejakulon normalisht, duke e ditur se derdhja është e mundur dhe kjo ndodh - atëherë duhet të bëjë kaza pa kaffarah. Mirëpo, nëse një person i tillë ishte i bindur se nuk do të kishte derdhje por ajo ndodh - atëherë nuk këkohet kaza. Në të gjitha këto raste, nuk ka dallim mes burrit dhe gruas.


 113. Pyetje: Një besimtar agjëron por nuk e di se të qenit në gjendje xhunub e prish agjërimin; çfarë duhet të bëjë [kur e merr vesh]?


 Përgjigje: Ai e ka për detyrë t`i kompensojë ato agjërime; mirëpo, nuk ka kaffarah për të përderisa ishte [gabimisht] i bindur se të qenit në gjendje xhunub nuk e prish agjërimin ose ishte i panjohur me një gjykim të tillë.


 114. Pyetje: Sipas disa juristëve, një person që e prish agjërimin me qëllim gjatë muajit të Ramazanit duke kryer një mëkat, duhet t`i paguajë të trija llojet e penalizimeve [pra, agjërimi për gjashtëdhjetë ditë, ushqyerja e gjashtëdhjetë të varfërve dhe lirimi i një robi]. Çfarë duhet bërë në kohën tonë kur lirimi i një skllavi është i pamundur për shkak se nuk ka më skllevër?


 Përgjigje: Penalizimi i lirimit të një robi hiqet kur nuk realizohet dot më. Mirëpo, duhet bërë e qartë se, sipas mendimit tonë, nuk është e detyrueshme të paguhen të trija llojet e e penalizimit për prishjen e një agjërimi gjatë muajit të Ramazanit për kryerje mëkati. Dhe Zoti e di më mirë.


 115. Pyetje: Nëse hëna e re shihet në Lindje, a vlen kjo edhe për ne në Perëndim? Dhe nëse shihet në Amerikë, a vlen kjo edhe për Evropën?


Përgjigje: Nëse hëna e re shihet në Lindje, kjo vlen edhe për Perëndimin përderisa gjerësitë gjeografike të dy vendeve nuk dallojnë shumë. Nëse hëna e re shihet në Perëndim, ajo nuk vlen për Lindjen, veç nëse vërtetohet se hëna qëndron në horizontin e parë [pra perëndimorin] për një gjatësi kohore që është më e madhe se ndryshimi midis muzgjeve të dy vendeve. [Për shembull, nëse muzgu në qytetin lindor është një gjysëm ore pas perëndimorit, në të cilin është parë hëna, dhe hëna qëndron në horizont më shumë se një gjysëm ore - qyteti lindor mund të ndjekë hënën e shikuar në qytetin perëndimor.]


Minhaxhu`s-salihin thuhet: "Hëna e re vërtetohet me anë të dijes së arritur nga shikimi ose raportimet e shumta, si dhe përmes raportimeve të besueshme të shikimit të saj, etj." Në gjykimin nr 1044, thuhet: "Nëse hëna e re shihet në një qytet, kjo mjafton për qytetet e tjera, me kusht që ato të ndajnë të njëjtin horizont, në kuptimin që shikimi në qytetin e parë do të vijohej doemos me shikimin në të dytin po të mos ketë pengesa si retë, mjegulla, malet etj."


 Në dritën e asaj që është thënë, shtrohen këto pyetje:


 116. Pyetje: A do të ndiqet medoemos shikimi i hënës së re në qytete lindore të vendeve si Irani, Ahsaja, Katifi [të dy në Arabi], vende të tjera të Gjirit, Irak, Siri dhe Liban, edhe në vende perëndimore si Anglia, Franca dhe Gjermania, sikur të mos ketë re dhe mjegull?


Përgjigje: Po, shikimi i hënës së re në një zonë mund të ndiqet doemos - me kusht që të mos ketë pengesa - edhe në vende që ndodhen në perëndim të tij, përderisa të mos jenë larg në linjat e gjerësisë gjeografike.


 117. Pyetje: Nëse përgjigjja ndaj pyetjes së mësipërme është `po`, a do të bëhej shikimi i hënës sipas normave të dijetarëve fetarë në Lindje, dëshmi e mjafueshme për një banues në Perëndim, edhe kur shikimi i hënës së re të mos ketë ndodhur në atë vend për shkak të mungesës së qiellit të kthjellët?


 Përgjigje: Nuk do të jetë dëshmi e mjaftueshme për atë ose të tjerët. Megjithatë, nëse shikimi i hënës sipas kritereve të dijetarëve të fesë zgjon besueshmëri tek ai person, se hëna në të vërtetë është parë ose dëshmia për shikimin e saj nuk ka pasur asnjë kundërprovë - qoftë edhe në formën e një verdikti - ai person mund të veprojë sipas asaj që beson se është e vërtetë.


 118. Pyetje: Gjatë disa muajve, deklarohet se shikimi është vërtetuar sipas disa dijetarëve të fesë në disa vende lindore. Kjo mbështetet në dëshminë e atyre që e kanë parë hënën e re. Deklarata të tilla zakonisht shoqërohen me faktet e mëposhtme:


 a. Dëshmitarët që e kanë parë hënën e re dhe të cilët janë rreth tridhjetë, për shembull, janë të shpërndarë në qytete të ndryshme si: 2 në Isfahan, 3 në Kum, 2 në Jazd, 4 në Kuvajt, 5 në Bahrein, 2 në Ahsa dhe 6 në Siri, etj.


b. Qielli ka qenë i kthjellët në një sërë qytetesh në Perëndim, dhe besimtarët kanë dalë jashtë në përpjekje për ta shikuar hënën; pa patur asnjë pengesë shikimi ndërkaq.


c. Observatorët në Angli kanë njoftuar se ishte e pamundur të shihej hëna e re atë natë në Angli përveçse dke përdorur një teleskop; dhe se shikimi i saj me sy të lirë do të ishte i mundur vetëm natën vijuese. Cili është gjykimi në një rast të tillë? Na udhëzoni, ju lutem, Zoti jua shpërbleftë.


 Përgjigje: Kriteri është kënaqja e vetë individit [1] për shikimin konkret [të hënës së re] ose [2] prova e shikimit pa një kundërpohim. Në rastin e përmendur më sipër, kënaqja nuk arrihet normalisht lidhur me shfaqjen e hënës së re në horizont në një mënyrë që të ketë qenë i mundur shikimi me sy të lirë. Përkundrazi, njeriu kënaqet që ajo nuk është parë dhe që dëshmia [e shikimit në qytetet lindore] mbështetet në iluzion e gabim në shikim. Dhe Zoti e di më mirë.


 VI. Haxhi


 Hyrje


 Haxhi në Mekë është një prej obligimeve themelore në Sheri`at. Kur`ani Famëlartë e ka përmendur qartë këtë obligim. Allahu Fuqiplotë thotë në Librin e Tij fisnik: (Dhe për hir të Zotit është [detyrim] për njerëzit ta kryejnë haxhin e Shtëpisë - kushdo që e ka aftësinë [të udhëtojë] për tek ajo. E kushdo që është mosmirënjohës, atëherë Zoti është i vetëmjaftueshëm ndaj tërë krijimit) (2:196). Zoti Fuqiplotë e ka krahasuar neglizhimin e haxhit me mosmirënjohjen, për shkak të rëndësisë së tij.


 Haxhi është një ndër pesë shtyllat mbi të cilat mbështetet Islami. Në një hadith fisnik, Imam Bakiri ka thënë: "Islami mbështetet në pesë shtylla: namazin, zekatin, haxhin, agjërimin dhe wilajetin [përkushtimin ndaj Ehlu`l-Bejtit]."1


 Imam `Ali ibn Ebi Talibi ka këshilluar rreth haxhit, me fjalët: "Mos e neglizhoni haxhin për tek Shtëpia e Zotit tuaj; se përndryshe do të shkatërroheni."2 Imam Sadiku ka thënë: "Nëse njerëzit e neglizhojnë haxhin tek Shtëpia, do t`i kaplojë ndëshkimi dhe nuk do të paralajmërohen [për këtë]."3 Kjo sepse neglizhimi i haxhit kur ekziston mundësia për ta kryer atë është mëkat i madh. Një hadith thotë se: "Kur dikush është në gjendje të shkojë në haxh por nuk e bën këtë, ai është tallur me një ligj nga ligjet e Islamit."4 Një hadith tjetër fisnik thotë: "Atë që vazhdon ta shtyjë haxhin e pastaj vdes, Zoti do ta ringjallë në Ditën e Gjykimit si çifut ose kristian."5


 1. Tefsilu Wesa`ili `sh-shi`a, vëll. I, f. 20.


2. po aty, vëll. XI, f. 23.


3. po aty, f. 22.


4. po aty, f. 28.


5. Shejh es-Saduk, Muhammed bin `Ali Ibn Babwejh, Men la jahduruhu`l-fekih, vëll. IV, f. 266.


 Rregulla të Përgjithshme


 119. Kur një musliman bëhet i aftë, haxhi i bëhet i detyrueshëm. Me `i aftë` nënkuptojmë:


 a. Disponueshmërinë e kohës për të udhëtuar në vendet e shenjta dhe qëndruar atje për të kryer ritet e detyrueshme.


b. Shëndetin fizik dhe fuqinë për të udhëtuar në vendet e shenjta dhe qëndruar atje për ritet e detyrueshme.


c. Rruga përmes të cilës duhet kaluar për të kryer ritet duhet të jetë e hapur dhe e sigurtë, në kuptimin që nuk e vë në rrezik jetën dhe pronën e haxhiut.


d. Aftësia financiare: haxhiu duhet të ketë para të mjaftueshme për gjithçka që e ka të nevojshme; p.sh. ushqim, pije, rroba, përfshirë mjetet e transportit sipas statusit të tij, me të cilat ta mbulojë largësinë për haxh.


e. Gjendja financiare e personit duhet të jetë e tillë që, duke udhëtuar për haxh ose duke shpenzuar nga pasuria e tij për të, ai nuk e vë veten dhe vartësit e tij ekonomikë në nevojë dhe varfëri.


 120. Haxhi tamattu`: Ky është një lloj haxhi që është i detyrueshëm për ata që jetojnë në vende të tjera, pra larg nga Meka. Haxhi tamattu` përbëhet nga dy rite: i pari njihet si `umreh, i dyti si haxh.


121. Tek umreja, janë pesë gjëra të detyrueshme:


 (a) Veshja e ihramit nga njëri prej mikateve. Mikatet janë vende rreth territorit të shenjtë të Mekës që Sheri`ati i ka specifikuar për vendosjen e ihramit.


(b) Tawafi rreth Qabes shtatë herë.


(c) Namazi i tawafit.


(d) Sa`i (ecja e shpejtë) mes kodrave të Safasë dhe Mervasë, shtatë herë.


(e) Taksiri: prerja e flokëve ose e thoit.


 122. Veprimet e detyrueshme të haxhit tamattu` janë trembëdhjetë të mëposhtmet:


 i) Veshja e ihramit nga Meka.


ii) Qëndrimi në Arafat me 9 Dhu`l-Hixhxhe.


iii) Qëndrimi i një pjese të natës (mbrëmja e datës 10 Dhu`l-Hixhxhe) deri në mëngjes në Muzdelife.


iv) Gjuatja me gurë e shtyllës së vogël në Mina, ditën e bajramit (10 Dhu`l-Hixhxhe).


v) Bërja kurban e një kafshe në Mina, ditën e Bajramit, ose dy ditëve të teshrikut [dmth 11 ose 13 Dhu`l-Hixhxhe]


vi) Rruajtja e kokës ose taksiri në Mina. Me anë të kësaj, haxhiu çlirohet nga detyrimet e ihramit, përveç përdorimit të parfumit e kontakteve seksuale me gratë. Sipas masave të kujdesit, ndalimi i gjahut vazhdon edhe pas rruajtjes ose taksirit.


vii) Tawafi i zijaretit, shtatë herë, pas kthimit në Mekë.


viii) Namazi i tawafit.


ix) Sa`i mes Safasë dhe Mervasë, shtatë herë. Pas kësaj, hiqet edhe ndalimi i përdorimit të parfumit.


x) Tawafi i nisa`së, shtatë herë.


xi) Namazi i tawafit të nisa`së, pas të cilit kontakti seksual me gratë bëhet i lejueshëm.


xii) Qëndrimi në Mina gjatë natës para 11 e 12 Dhu`l-hixhxhes. Dhe, në rrethana të caktuara, edhe mbrëmjen e 13th Dhu `l-hixhxhe.


xiii) Gjuatja me gurë e tri shtyllave në Mina, më 11 e 12 Dhu`l-hixhxhe. E, në rrethana të caktuara, edhe më 13 Dhu `l-hixhxhe.


 Pyetje dhe Përgjigje


 123. Pyetje: A lejohet veshja e ihramit për haxh nga qyteti i Xhiddes? Nëse jo, ç`duhet bërë, duke qenë se avioni ulet në Xhiddeh?


Përgjigje: Xhiddeh nuk është as mikat e as paralel me ndonjë mikat; prandaj, nuk është në rregull të vendoset ihrami prej atje, për umreh ose haxh. Mirëpo, nëse personi e di se ndërmjet Xhiddes dhe Haremit [territorit të shenjtë rreth Mekës], ekziston ndonjë vend që është paralel me mikatet  - çka nuk është e pamundur, nëse kërkohet një paralele e Xhuhfas - ai mund ta vendosë ihramin prej aty, duke bërë nadhr [betim në emër të Zotit se do ta vendosë ihramin me të mbërrirë vendin x].


 124. Pyetje: Ç`duhet bërë nëse, gjatë rruajtjes së kokës në Mina, ajo është e lënduar dhe kullon gjak? Dhe cilat janë pasojat [pra penalizimi]?


 Përgjigje: Nëse lëndimi ka qenë pa dashje, ai nuk ka asnjë detyrim.


 125. Pyetje: Haxhi është i këshillueshëm të bëhet çdo vit. Mirëpo, në mjaft vende muslimane ka shumë muslimanë të varfër që kanë nevojë për ushqim dhe rroba. Nëse vihemi përballë zgjedhjes ndërmjet harxhimit të parave për haxh ose zijaret [vizitë tek faltoret e pjesëtarëve të Eh-i Bejtit] në mënyrë të përsëritur dhe dhurimit në bamirësi për ata besimtarë, cila ka më shumë sevab?


 Përgjigje: Në parim, të ndihmuarit atyre muslimanëve nevojtarë është më i mirë se haxhi ose zijareti tek faltoret e shenjta. Mirëpo, nganjëherë haxhi e zijareti shoqërohen me disa çështje të tjera që mund t`i ngrenë në nivel të njëjtë ose më të lartë virtyti.


 126. Pyetje: Mbretëria e Arabisë Saudite i cakton vendet për haxhinjtë në Arafat dhe në Mina. Nuk e dimë nëse ato vende të caktuara janë brenda kufinjve të parashikuar nga Sheri`ati? A e kemi për detyrë të pyesim dhe interesohemi për këtë çështje?


 Përgjigje: Nëse është brenda kufinjve të njohur dhe shenjave që njihen normalisht për ritet fetare brez pas brezi, nuk është e nevojshme të interesohesh për të.


 127. Pyetje: Është thënë se disa pjesë ose krejt zona e kurbanit në Mina është jashtë kufinjve. A e kemi të detyrueshme të sigurohemi për këtë fakt para bërjes së kurbanit? Duke ditur se të siguruarit për një zonë dhe pastaj shkuarja drejt tjetrës dhe të siguruarit rishtazi për të është punë e vështirë, sidomos ditën e Bajramit - siç e dini - kur edhe koha përbën faktor. Cila është zgjidhja, atëherë?


 Përgjigje: Është e detyrueshme të sigurohesh, në mënyrë që kurbani të bëhet brenda Minasë. Nëse kjo është e pamundur për shkak të turmës gëluese në Mina, lejohet bërja kurban në luginën e Muhassarit. Veç kësaj, vakti i kurbanit nuk kufizohet në ditën e bajramit; ai mund të bëhet deri në ditën e fundit të periudhës së tashrikut [pra, deri më 13 Dhu`l-Hixhxhe].


 128. Pyetje: Haxhinjtë përballen edhe me një problem tjetër për kurbanin, që përbën më tepër merak shpirtëror: kafshët e therura shkojnë kot, megjithëse ka shumë njerëz të varfër mes nesh, anekënd botës muslimanë, që kalojnë shumë ditë pa shtier mish në gojë! A është e pranueshme për ne që të bëjmë kurban në qytetet tona; apo mos ka ndonjë zgjidhje fetare që mund t`iu sugjeroni njerëzve?


 Përgjigje: Është e domosdoshme të përmbushet detyra fetare duke e bërë kurbanin në Mina. Sa i përket mëkatit të çuarjes dëm të mishit të kafshëve të therura, nëse ndodh, kjo bie mbi shpatullat e autoriteteve përgjegjëse.


 129. Pyetje: Nëse sezoni i provimeve të studentit përkon me haxhin, a i lejohet atij ta shtyjë haxhin për atë vit, sidomos nëse provimi është shumë i rëndësishëm për të?


 Përgjigje: Nëse është i sigurt se do mund ta kryejë haxhin vitin tjetër, i lejohet ta shtyjë; përndryshe jo. Mirëpo, nëse shtyrja e provimit do t`i shkaktojë vështirësi në shkallë që është e padurueshme normalisht, nuk e ka të detyrueshme të kryejë haxhin atë vit.


 130. Pyetje: A i lejohet një personi, mbi të cilin haxhi është bërë i detyrueshëm por që ai nuk e ka kryer akoma, të shkojë për umreh në muajin e Rexhebit? Po nëse haxhi i bëhet i detyrueshëm në Ramazan, a mund ta kryejë umren [përpara se të kryejë haxhin]?


 Përgjigje: Umreh mufrada (haxhi i vogël i kryer jashtë sezonit) i lejohet. Mirëpo, nëse shkuarja në umreh do e pengojë financiarisht nga shkuarja në haxh, atëherë nuk i lejohet të kryejë umren.


 131. Pyetje: Një burrë i ri beqar është bërë i aftë për haxh dhe mendon gjithashtu për martesë. Nëse shkon në haxh, ceremonia e tij martesore do të shtyhet për ca kohë. Cila prej tyre është e preferueshme [martesa apo haxhi]?


 Përgjigje: Ai duhet të kryejë haxhin dhe të shtyjë martesën, përveç nëse shtyrja e martesës sjell vështirësi të padurueshme. Dhe Zoti e di më mirë.


VII. Çështje të Lidhura me Vdekjen


 Hyrje


 Zoti Fuqiplotë thotë në Kur`an: (Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet e juaja ju plotësohen ditën e kijametit; kush i shmanget zjarrit e futet në xhennet ka arritur shpëtim dhe jeta e kësaj bote s`është tjetër porse përjetim mashtrues." (3:185). Ai ka thënë gjithashtu (Nuk e di kush pos Tij se çka do të fitojë nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç`vend do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri) (31:34).


Rregulla të Përgjithshme


 Më poshtë vijojnë shkurtimisht disa rregulla lidhur me personin që po vdes, larjen dhe mbështjelljen e kufomës, si dhe proçedurën e varrimit.1


 Përpara vdekjes


 132. Është çështje mase kujdesi që personi i cili është duke dhënë shpirt të vendoset me fytyrë nga kibla në çastet e fundit të jetës. Kjo bëhet duke e vendosur në shpinë, me këmbë kah kibla në mënyrë që, po të ngrihej, fytyrën do ta kishte në atë drejtim.


 Është e këshillueshme të lexohet dhe t`i kërkohet personit që po vdes të përsërisë shehadetin lidhur me Njëshmërinë e Zotit dhe profetësinë e Muhammedit.


 133. Është e këshillueshme që të mbyllen sytë dhe goja e personit të vdekur, t`i shtrihen krahët anash, t`i drejtohen këmbët, t`i mbulohet trupi me çarshaf ose rrobë, të recitohet Kur`an e të ndriçohet dhoma ku ai ka jetuar. Është e papëlqyshme të lihet kufoma vetëm.


 Larja (Ghusli) e Kufomës


 134. Pasi të hiqen elementet e papastra (nexhis) që mund të ndodhen në trupin e të vdekurit (si psh gjaku, sperma, etj), kufoma duhet t`u nënshtrohet tri larjeve:


 i) Në fillim duhet larë me ujë sidri, pra ujë në të cilin është hedhur pak sidr.2


ii) Larja e dytë duhet bërë me ujë kamfuri, pra ujë në të cilin është hedhur ca kamfur.


iii) Larja e tretë është thjesht me ujë.


 Nëse sidri nuk është i disponueshëm, është e detyrueshme si masë kujdesi që kufoma të lahet me ujë të pastër. Në mënyrë të ngjashme, nëse nuk ka kamfur, duhet larë më ujë të pastër. Pastaj duhet larë herën e tretë me ujë të pastër. Në një rast të tillë, pas tri larjeve, duhet kryer tejemmum mbi trupin.


 135. Është e domosdoshme që ghusli që i jepet kufomës të jetë me tartib: pra trupi duhet larë në radhën e duhur, duke filluar me kokën dhe qafën, pastaj anën e djathtë të trupit, e atëherë të majtën.


 136. Personi që lan kufomën duhet të jetë i të njëjtës gjini si i vdekuri. Pra, mashkulli duhet të lajë një kufomë mashkulli dhe femra një kufomë femre. Megjithatë, burri dhe gruaja lejohet t`i japin ghusl njëri tjetrit; ndonëse ëshë më mirë që larja të bëhet teksa trupi është i mbuluar me çarshaf ose rrobë.


 Nëse personi i të njëjtës gjini nuk është i disponueshëm, atëherë, sipas masës së kujdesit, ghusli mund të kryhet nga mahramët e gjinisë së kundërt me personin. Mahram do të thotë ata të afërm, me të cilët martesa është e ndaluar për shkak të marrëdhënies së gjakut ose marrëdhënies së gjirit ose martesës, si p.sh. vëlla e motër [ose dhëndër e vjehërr]. Megjithatë, është më mirë që larja të bëhet me trupin mbuluar nga një çarshaf ose rrobë. Njëjtësia e gjinisë nuk kërkohet kur kufoma është fëmijë që s`ka mbushur moshën e dallimit të së gabuarës nga e drejta.3


 137. Sipas masës së kujdesit, personi që jep ghuslin duhet të jetë besimtar (mu`min). Nëse nuk gjendet as mu`min i gjinisë së njëjtë me të ndjerin e as mahram [qoftë edhe i gjinisë së kundërt], lejohet që një musliman i gjinisë së njëjtë ta lajë të vdekurin. 


 Nëse nuk ka as musliman, atëherë i vdekuri duhet larë nga një person prej Ehl-i kitabëve [pra çifut, kristian ose zoroastrian] i të njëjtës gjini, me kusht që personi të lajë më parë veten dhe pastaj t`i japë ghusl kufomës. Nëse nuk ka as person nga Ehlu`l-kitabët, detyra e ghuslit të kufomës bie dhe i vdekuri duhet varrosur pa të.


  Tahníti dhe mbështjellja


 138. Pas ghuslit, është waxhib të bëhet tahniti. Tahnit do të thotë të fërkohet pudër kamfuri (e cila e ka ruajtur aromën) mbi shtatë pjesët e trupit që prekin tokën gjatë sexhdes: balli, shuplakat, gjunjtë dhe gishtat e këmbëve. Është e preferueshme të fillohet tahnit me ballin dhe të përfundohet me shuplakat.


 139. Pas tahnitit, i vdekuri duhet mbështjellë në tri copa, si vijon:


 i) mi`zari: një copë teshe [si përparëse p.sh.], që duhet ta mbulojë trupin midis kërthizës dhe gjunjve, mbështetur në masën e kujdesit.


ii) kamisi: një copë teshe [si këmisha] që duhet ta mbulojë trupin nga shpatullat tek mesi i kërcirit, si masë kujdesi.


iii) izari: një faqell i madh që duhet të mbulojë tërë trupin. Si masë kujdesi, ai duhet të jetë i gjatë dhe i gjerë aq sa pjesa e sipërme dhe e poshtme të mund të lidhen, dhe pjesët e përparme të mbipalosen.


 Xhenazja


 140. Është e detyrueshme t`i falet xhenazja një muslimani/eje me mosh gjashtë vjeç/e e sipër. Si masë kujdesi, namazi i xhenazes i duhet falur edhe një fëmije që mund të falej edhe pse nuk e kishte arritur moshën gjashtë vjeç.


 141. Mënyra se si falet xhenazja e të vdekurit:


Personi që falet duhet të recitojë pesë tekbire ("Allahu Ekber"). Mirëpo, është e këshillueshme që pas çdo tekbiri ai të thotë:


Pas tekbirit të parë, të thotë shehadetet.


Pas tekbiri të dytë, të bie salavat mbi Pejgamberin (s.a.w.) dhe Familjen e tij.


Pas tekbirit të tretë, të recitojë një dua për besimtarët dhe besimtaret.


Pas tekbirit të pestë, të lexojë një du`a për të vdekurin.


Ai duhet të thotë tekbirin e pestë dhe të përfundojë namazin e xhenazes.


 Varrosja


 142. Është e domosdoshme që i vdekuri të varroset pas namazit. Varrosja ka për synim mbrojtjen e trupit nga kafshët e egra si dhe që era e kufomës të mbetet brenda në tokë e të mos dëmtojë njerëzit. Trupi duhet vendosur në krahun e djathtë, me fytyrë nga kibla.


 143. Nuk lejohet të varroset një musliman/e në varrezat jomuslimane, përveç nëse një pjesë e atyre varrezave është rezervuar specifikisht për muslimanët. Po kështu, asnjë jomusliman/e nuk bën të varroset në varrezën e muslimanëve.


 144. Kur nuk është e mundur as të gjehet një varr për një musliman në varrezën e muslimanëve e as të zhvendoset trupi në një vend musliman që të varroset në varrezë muslimane, muslimani i vdekur mund të varroset në varrezën e jomuslimanëve.


 145. Transmetohet se Pejgamberi (s.a.w.) ka thënë: "Asnjë kohë nuk i vjen më e rëndë të vdekurit se nata e parë [në varr]. Ndaj kini mëshirë për të vdekurit e juaj duke dhënë sadaka [në emër të tyre]. Nëse nuk keni çfarë të jepni, njëri prej jush duhet të falë dy rekate për ta: në rekatin e parë, pas el-hamdit recitoni ajetin kursi, ndërsa në të dytin, pas el-hamdit recitoni suren el-Kadr dhjetë herë. Pas selamit thoni `Allãh humme sali `alã Muhammedin wa Ãli Muhammed, wab`ath thewãbehã ila kabri fulãn`4 dhe të thoni emrin e të ndjerit [në vend të fulan]."5


 1. Për më gjerë, të shihet Sejjid es-Sistani, Minhaxhu`s-salihin, vëll. I, f. 95 ff.; es-Sistani, el-Mesa`ilu `l-muntakhaba, f. 50 ff.


2. Shën. i përk.: Sidr është emri i një peme zambaku; "ujë zambaku" është uji të cilit i janë shtuar gjethe sidri.


3. Shën. i përk.: Mosha e të dalluarit të së gabuarës nga e drejta (temjiz) ndryshon nga mosha e pjekurisë (bulugh). Kj e fundit është 9 për vajzat dhe 15 për djemtë, por e para mund të jetë pesë ose gjashtë vjeç.


4. "O Allah, bekoje Muhammedin dhe Familjen e Muhammedit dhe dërgoje shpërblimin e këtij namazi tek varri i ________"


5. Sejjid es-Sistani, el-Mesa`ilu `l-muntakhaba, p. 63.


 Pyetje dhe Përgjigje


 146. Pyetje: Në disa vende jomuslimane, kufoma vendoset në arkivol dhe varroset në varr. Cila është detyra jonë në një rast të tillë?



Përgjigje: Nuk ka problem që kufoma të vendoset në arkivol kur të varroset në tokë. Mirëpo, kërkesat fetare të varrimit duhen përmbushur; ku njëra prej tyre është që kufoma të vendoset në krah të djathtë me fytyrë nga kibla.


 147. Pyetje: Një musliman ka vdekur në një qytet jomusliman që nuk ka varezë muslimane; dhe ndonëse është e mundur që të transferohet trupi në një vend musliman për varrim, por me çmim të lartë - a mjafton kjo që trupi të varroset në varrezën e jomuslimanëve?


Përgjigje: Kjo nuk është arsye e mjaftueshme.


 148. Pyetje: Një musliman vdes në një qytet jomusliman që nuk ka varrezë muslimane dhe familja e të ndjerit nuk mund ta transferojë trupin në një vend musliman sepse nuk e përballon koston e transportit. Në raste të tilla, a e kanë obligim qendrat islame që janë përgjegjëse për çështjet e muslimanëve, që të mbulojnë koston e transportit? Dhe, a është kjo e detyrueshme për muslimanët e atij qyteti?


Përgjigje: Nëse varrosja e të ndjerit në një varr të përshtatshëm në atë qytet (duke përjashtuar varrezat jomuslimane) varet nga harxhimi i ca parave, e ai as nuk ka lënë pronë që mund ta mbulojë këtë e as nuk janë trashëgimtarët e tij të aftë ta sigurojnë atë - atëherë muslimanët e kanë waxhib kifa`i ta sigurojnë këtë pagesë. Dhe është e lejueshme që kjo të numërohet nga haku fetar ose sadakaja e zbatueshme mbi personin.


 149. Pyetje: Kur nuk ekziston trashëgimtar për të vdekurin musliman në mërgim, kush duhet ta marrë përsipër varrosjen e tij?


Përgjigje: Nëse është e pamundur të kontaktohet trashëgimtari i tij dhe të kërkohet miratimi i tij për kryerjen e proçedurave të varrimit, kërkesa e lejes hiqet dhe bëhet e detyrueshme, si waxhib kifa`i, mbi muslimanët që ta marrin përsipër varrimin.


 150. Pyetje: Nga duhet të nxirren shpenzimet e transportimit në një vend musliman, nëse nuk është e mundur që të varroset muslimani në qytet, sepse aty nuk ka varrezë muslimane? A duhet të vijnë këto shpenzime nga prona e të ndjerit para ndarjes së saj mes trashëgimtarëve? Apo nga një e treta [e pronës] nëse ai e ka specifikuar atë? Apo nga burime të tjera?


Përgjigje: Shpenzimet e varrimit të një kufome në një vend të përshtatshëm për të vjen nga pasuria [përpara se të ndahet mes trashëgimtarëve] në rast se nuk ka bërë testament që specifikon se ato do të merren nga një e treta. Përndryshe, duhen marrë prej saj.


 151. Pyetje: Bashkësitë muslimane në vende jomuslimane po rriten dita ditës. Duke ditur se një musliman i vdekur një ditë do të varroset në varrezat e jomuslimanëve - ose për shkak të mungesës së fondeve në familje për ta dërguar trupin e vdekur në vende muslimane për varrim ose për neglizhencë, a është e detyrueshme, si masë waxhib-i kifa`i për muslimanët që të blejnë një varrezë për muslimanët?


 Përgjigje: Varrosja e një muslimani në një vend të përshtatshëm për statusin e tij (të ndryshëm nga varrezat jomuslimane) është detyrim i trashëgimtarit, ashtu si veprimet e tjera të detyrueshme që lidhen me proçedurat e varrimit. E nëse i ndjeri nuk ka trashëgimtarë ose trashëgimtari efuzon ta përmbushë detyrën e tij ose nuk është në gjendje, muslimanët e kanë të detyrueshme, si masë kifa`i [ta varrosin të vdekurin në vendin e përshtashëm]. Dhe nëse kryerja e kësaj detyre waxhib kifa`i varet në marrjen e një cope tokë paraprakisht me anë të blerjes ose mjeteve të tjera, është e detyrueshme që ajo të përpiqet të merret paraprakisht.


 152. Pyetje: Ç`është më e preferueshme: varrosja e muslimanit të vdekur në një varrezë islame në një qytet jomusliman ku ai vdekur apo transferimi i trupit në një qytet musliman që kërkon shpenzime të stërmëdha?


Përgjigje: Është e preferueshme që të transferohet trupi në cilëndo prej faltoreve të shenjta ose në vende të tjera të këshilluara nëse ka një dhurues që mund t`i marrë përsipër shpenzimet - nga trashëgimtarët ose të tjerët - ose nëse një e treta e pronës së tij të cilën e ka lënë për wakf do të mjaftonte. Dhe Zoti e di më mirë.


 153. Pyetje: Nëse transferimi i një muslimani në vende muslimane sjell vështirësi të madhe, a lejohet varrimi i trupit në varreza jomuslimane të pjesëtarëve të feve të shpallura [pra Ehlu`l-kitab]?


Përgjigje: Nuk është e lejueshme të varroset një musliman në varreza jomuslimane, përveç nëse është zgjedhja e vetme, pasi nevoja nuk njeh ligje.


 Ngrënia dhe pirja


 Hyrje


 [Në vendet e tyre] muslimanët jetojnë normalisht në shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre, mes familjeve e të afërmve, duke konsumuar një larmi ushqimesh e pijesh sipas dëshirës. Ata ua njohin përbërësit këtyre ushqimeve dhe e dinë se ato nuk përmbajnë asnjë prej gjërave që feja e tyre e ka ndaluar, besimi i tyre e ka kundërshtuar dhe vlerat e tyre të pasura islame e kanë mbajtur larg.   


 Megjithatë, kur shpërngulen në vende të huaja për të banuar mes bashkësishë jomuslimane, ata ndeshin probleme tek të ngrënit dhe të pirit sepse nuk i gjejnë më ushqimet që njohin dhe të cilat i pëlqejnë e as që ua dinë atyre përbërësit. Kjo sepse bashkësia e atjeshme nuk është islame; ajo ka vlerat, zakonet dhe shprehitë e saja, të cilat natyrisht nuk u përmbahen ligjeve të Islamit. Kështu që, kur një musliman dëshiron të hajë ndonjë ushqim në restorant [në një vend të tillë jomusliman], ai ndesh problemin e lejueshmërisë dhe pastërtisë së ushqimit.


Rregulla të Përgjithshme


 154. Duke qenë se ndjekësit e feve të shpallura më parë (pra çifutët, të krishterët dhe zoroastrianët) janë ritualisht të pastër (tahir), shumë prej problemeve që lidhen me lejueshmërinë e ushqimit zgjidhen kur jetojmë në mesin e tyre. Neve muslimanëve na bëhet e lejuar të hamë nga ushqimi i tyre pavarësisht nëse e kanë prekur me duar të lagura apo jo, përderisa të mos e dimë me siguri se ai përbëhet nga diçka e ndaluar për ne, sikurse pijet dehëse. Sa i përket mishit, dhjamit dhe nënprodukteve të tyre, ka rregulla të veçanta që do të shtjellohen më vonë.


 155. Muslimanit i lejohet të hajë ushqim të pregatitur nga një jomusliman që nuk është nga Ehlu`l-kitabët [psh një hindu ose budist], me kusht që të mos e dijë me siguri që jomuslimani e ka prekur me duar të lagura; dhe me kusht që të mos e dijë me siguri se ushqimi përmban gjëra të ndaluara për të, si për shembull pije dehëse. Sa për mishin, dhjamin dhe nënproduktet e tyre, ka rregulla specifike që vijojnë më poshtë. 


 156. Muslimanit i lejohet të hajë çfarëdolloj ushqimi të bërë nga një person të cilit nuk ia di fenë, pavarësisht nëse ky e ka prekur apo jo me duar të lagëta, me kusht që të mos e dijë me siguri se ushqimi përmban gjëra të ndaluara për të. Sa i përket mishit, dhjamit dhe nënprodukteve të tyre, ka rregulla të veçanta që do të shtjellohen më vonë. 


 Muslimani nuk ka nevojë ta pyesë gatuesin e ushqimit për besimin ose mosbesimin e tij, apo nëse e ka prekur ushqimin ose jo, madje edhe sikur të pyeturit është pa qeder dhe i natyrshëm për pyetësin.


 Shkurt, të gjitha llojet e ushqimit, me përjashtim të mishit, dhjamit e nënproduketve të tyre, janë të lejueshme për muslimanin, edhe nëse ai dyshon se mund të përmbajnë diçka të ndaluar për të apo se gatuesi i tyre - kushdo që ky të jetë - e ka prekur me lagështirë. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 157. Ashtu sikurse ai nuk e ka për detyrë që të pyesë rreth përbërësve të një ushqimi të tillë, për t`u siguruar se nuk përmban gjëra të ndaluara për ngrënie, po ashtu nuk e ka për detyrë ta pyesë gatuesin nëse e ka prekur ose jo ushqimin me duar të lagura gjatë ose pas gatimit.


 158. Të gjitha llojet e ushqimit të paketuar, me përjashtim të mishit, dhjamit e nënprodukteve të tyre, janë të lejueshme për një musliman, edhe po të dyshojë që përbërësit e tij përmbajnë gjëra haram për ngrënie e madje edhe sikur gatuesi - kushdo që të jetë - ta ketë prekur me lagështirë. Ai nuk e ka për detyrë të pyesë, për t`u siguruar nëse përbërësit ushqimorë përmbajnë apo jo ndonjë gjë të ndaluar për t`u ngrënë.


 159. Muslimanit i lejohet t`i blejë të gjitha llojet e mishit hallall nga një shitës musliman që ua shet ato muslimanëve. Një mish i tillë konsiderohet hallall edhe nëse shitësi i përket një medhhebi që ka kushte të tjera për therjen nga tonat, për sa kohë që të ekzistojë mundësia që kafsha është therur në përputhje me kushtet tona. Ky pohim vlen për të gjitha kushtet, përveç atij që thotë se barku i kafshës duhet të jetë në drejtim të kiblës në çastin e therjes. Mosrespektimi i kushtit të kibles për shkak se medhhebi i kasapit nuk e konsideron të domosdoshëm nuk e ndikon [lejueshmërinë e mishit].


 160. Nëse një musliman e di dhe është i sigurtë se ky mish është i një kafshe të lejuar për ngrënie (si lopa, delja ose pula), por që nuk është therur në përputhje me ligjet islame, ai mish duhet konsideruar mejte.


 Mejte nuk lejohet të hahet, edhe sikur shitësi i saj të jetë musliman. Në mënyrë të ngjashme, një mish i tillë është i papastër (nexhis) dhe, nëse bie në kontakt me gjëra të tjera, i bën ato të papastra.


 161. Nëse një musliman blen ose merr mish nga një jomusliman, ose nga një musliman që e ka marrë nga një jomusliman pa pyetur rreth therjes së tij sipas ligjeve islame, një mish i tillë është haram për atë. Por nëse muslimani nuk e di a është therur mishi sipas ligjeve islame, ai nuk do të konsiderohet nexhis, ndonëse mbetet haram për t`u ngrënë.


 162. Disa ekspertë thonë se lejimi i rrjedhjes së gjakut të kafshës pas therjes e bën mishin e saj më të shëndetshëm për konsumatorin sesa mishi i kafshës që nuk është therur. Prandaj, nuk është për t`u habitur nëse shihen jomuslimanë tek blejnë mish që është therur sipas ligjeve islame nga dyqane hallall.


 163. Në mënyrë që peshku të bëhet i lejueshëm për një musliman, duhet të plotësojë këto kushte:

(a) Peshku duhet të ketë luspa.
(b) Muslimani duhet të jetë i sigurtë ose i kënaqur se peshku ka dalë nga uji i gjallë ose ka ngordhur gjatë kapjes. 

Për të qenë peshku hallall nuk është e nevojshme që peshkatari të jetë musliman ose që të shqiptojë emrin e Zotit gjatë kapjes së tij. Kështu që, nëse një jomusliman zë një peshk dhe e nxjerr të gjallë nga uji ose ai ngordh pasi të jetë zënë në rrjetë, dhe ka luspa, ai lejohet të hahet.


 Muslimani mund të sigurohet për kushtin e parë duke e hetuar peshkun - nëse është në vitrinë, ose duke ia lexuar emrin [gjë që tregon nëse është me luspa apo jo], për sa kohë që vërtetësishmërisë së etiketës mund t`i besohet. Një listë peshqish me luspa është shtuar në fund të këtij libri. 


 Kushti i dytë plotësohet në thuajse të gjitha vendet, sepse siç thonë, metoda universale e peshkimit garanton që peshku del nga uji i gjallë ose ngordh pasi të ketë ngecur në rrjetat e peshkimit. Mbi bazën e kësaj, lejohet ngrënia e peshkut të marrë nga një jomusliman ashtu si edhe nga një musliman, pavarësisht nëse është i konservuar ose jo. (Të thihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 164. Lejohet ngrënia e karkalecit të detit, nëse nxirret i gjallë nga uji. Ndalohet ngrënia e bretkosave, karavidheve, breshkave, amfibëve, kërmijve dhe karkalecave të mëdhenj të detit. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)      


 165. Për vezët e peshkut, ligji ndjek vetë peshkun: vezët e peshkut hallall lejohen të hahen ndërsa ato të peshkut haram ndalohen.


 166. Disa ekspertë peshkimi thonë se peshqit pa luspa ushqehen kryesisht me mbeturinat në det duke shërbyer në njëfarë mënyre si pastrues të llumit, pisllëkut dhe plehrave të detit.


 167. Ndalohet pirja e venës, birrës dhe çdo gjëje që shkakton dehje, qoftë ajo në formë të ngurtë apo të lëngët. Zoti Fuqiplotë thotë në Kur`an: (O ju që besoni. Dehësit, bixhozi dhe (flijimi për) gurët e ngritur dhe (shorti) me shigjetë janë veçse ndytësi, vepër e Shejtanit; shqitjuni, pra që të jeni të suksesshëm!) (5:90-91)


Pejgamberi ynë fisnik Muhammedi (s.a.w.) ka thënë: "Kush pin gjëra dehëse, pasiqë Allahu ia ka bërë haram me fjalën time, nuk është i denjë për martesë [me vajzën tuaj] nëse i propozon, ose për ndërmjetësim nëse kërkon një fjalë të mirë, ose që t`i besohet kur flet, apo t`i lihet gjë në amanet."(1)


Në një hadith tjetër, ai thotë: "Zoti e ka mallkuar alkoolin, rritësit e [frutave nga të cilët ai nxirret], shtrydhësit [e tij nga ato fruta], pirësit, shërbyesit, blerësit, ata që jetojnë me të ardhurat e nxjerra prej tij, transportuesit dhe ata tek të cilët transportohet."(2) Ka shumë më tepër hadithe rreth kësaj në librat e traditave dhe jurisprudencës.(3)


 168. Është haram të hahet në një tavolinë ku konsumohet alkool ose pije të tjera dehëse. Sipas masës së kujdesit (ihtijat), është haram edhe të ulesh në një tavolinë të tillë. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 169. Muslimanit i lejohet të shkojë në vende ku shërbehet venë me ushqimin, me kusht që kjo të mos shpiej në promovim të këtyre restoranteve. Megjithatë, ai nuk mund të hajë nga tavolina ku po konsumohet venë dhe, bazuar në kujdes juridik, nuk duhet të ulet në atë tavolinë. Mirëpo, nuk ka gjë po të ulet pranë tavolinës ku konsumohet venë.


 170. Në Kreun III të Pjesës së Parë është përmendur se të gjitha llojet e alkoolit - qofshin nxjerrë nga druri apo burime të tjera - janë ritualisht të pastra (tahir). Prandaj, ushqimi, në përgatitjen e të cilit është përdorur alkool, është tahir; enët në të cilat është shpërbërë janë gjithashtu tahir. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 171. Është haram të përdoret çfarëdolloj gjëje që i shkakton dëm serioz njeriut, sikurse helmi. Është gjithashtu haram për një grua shtatzënë që të pijë diçka që do të shkaktonte dështim. Në mënyrë të ngjashme, çdo gjë që njihet si e dëmshme ose pandehet si e tillë apo ka gjasa të jetë e dëmshme [është po ashtu haram], nëse gjasat janë të konsiderueshme për njerëzit e arsyeshëm dhe nëse dëmi është aq serioz sa të shkaktojë vdekje ose të çaftësojë një gjymtyr të trupit.


 172. Ekziston një edukatë e caktuar në tavolinë, që duhet respektuar. Të filluarit me emrin e Zotit, të ngrënit me dorën e djathtë, marrja e kafshatave të vogla, qëndrimi më gjatë në tavolinë, të përtypurit mirë; të falënderohet Zoti pas ngrënies; larja e frutave dhe perimeve përpara ngrënies; mosngrënia pas ngimjes; mosngrënia me tepri; mosvështrimi i të tjerëve në fytyrë kur hanë; mosmarrja e ushqimit prej të tjerëve në tavolinë; shijimi i kripës në fillim dhe në fund të ngrënies.


 1. el-Kulejni, Muhammed ibn Ja`kub, Furu`u`l-Kafi, vëll. VI, f. 396.
2. es-Saduk, Men La Jahdurhu`l-Fekih, vëll. IV, f. 4.
3. Të shihet Furu`u`l-Kafi, vëll. VI, f. 396.


 Pyetje dhe Përgjigje


 173. Pyetje: Në ambalazhin e mishit që prodhohet në vende muslimane nga kompani jomuslimane, shkruhet: "therur sipas ligjeve islame". A lejohet ta hamë këtë mish? A mund ta konsumojmë nëse vjen nga kompani muslimane në vende jomuslimane? Cili është gjykimi juridik, nëse prodhuesi është një kompani jomuslimane nga një vend jomusliman?


Përgjigje: Shkrimi [në ambalazh] nuk ka kurrfarë vlere. Nëse prodhuesi është musliman ose mishi është prodhuar në një vend ku muslimanët janë në shumicë e nuk dihet që prodhuesi është jomusliman, atëherë është e lejuar të hahet.


 Por nëse prodhuesi është jomusliman ose mishi vjen nga një vend ku muslimanët janë pakicë dhe nuk dihet nëse prodhuesi është musliman, atëherë nuk lejohet ngrënia e tij.


 174. Pyetje: Nëpër supermarkete të Evropës gjejmë mish në paketime të vogla, të prodhuar nga kompani evropiane, me shkrimin mbi ambalazh se është "hallall" ose "i therur sipas ligjeve islame". A lejohet blerja dhe ngrënia e një mishi të tillë?


Përgjigje: Shkrimi [mbi ambalazh] nuk ka kurrfarë vlere nëse nuk shpie në siguri [se mishi është hallall me të vërtetë].


 175. Pyetje: Kompanitë e mishit therin një numër të madh pulash përnjëherësh. Nëse personi që drejton makinën e therjes është musliman, i cili e thotë tekbirin dhe emrin e Allahut vetëm një herë në kohën e therjes [së njëkohësishme] të të gjitha pulave, a na lejohet konsumimi i këtyre pulave? Nëse kemi dyshime për të qenit e këtyre pulave hallall, a mund [ta mospërfillim dyshimin e] t`i hamë, duke i konsideruar ato të pastra (tahir)?


 Përgjigje: Nëse e përsërit emrin e Zotit për sa kohë që makina të vazhdojë të therë, kjo mjafton. Në rast dyshimi për qenien e këtij mishi hallall (dyshim që lidhet me përmendjen e emrit të Zotit), ai mund të konsiderohet i pastër dhe të konsumohet.


 176. Pyetje: A lejohet të blehet mish duke menduar se është therur sipas ligjeve islame, nga një supermarket i pronësuar nga një musliman që shet edhe pije alkoolike?


 Përgjigje: Po, lejohet; dhe është hallall të hahet, edhe nëse më parë ka ardhur nga një jomusliman, përderisa të ekzistojë mundësia që pronari është siguruar se mishi është therur sipas ligjeve të Sheri`atit; por jo nëse një mundësi e tillë mungon.


 177. Pyetje: Disa lloje djathi të prodhuara në vendet jomuslimane përmbajnë mullëz (farë djathi) të nxjerrë nga viçi ose kafshë të tjera. Nuk e dimë nëse mullëza është marrë nga një kafshë e therur sipas ligjeve islame; e as nuk e dimë nëse është shndërruar në diçka tjetër. A lejohet ngrënia e një djathi të tillë?


 Përgjigje: Nuk ka asgjë të gabuar me ngrënien e këtij djathi.


 178. Pyetje: Një sërë pijesh dhe produktesh ushqimore në Perëndim përmbajnë xhelatinë, për të cilën nuk dimë nëse është nxjerrë nga burime bimore apo shtazore; ose, kur është nxjerrë nga kafsha, nëse është nga kocka apo mishi rreth kockave; e as nuk e dimë nëse kafsha ishte hallall ose haram. A na lejohet ngrënia e kësaj xhelatine?


 Përgjigje: Ajo lejohet të hahet nëse dyshimi ka të bëjë me nxjerrjen e saj nga një kafshë ose bimë. Por, nëse dihet se është nxjerrë nga një kafshë, nuk lejohet të hahet pa u siguruar që kafsha është therur sipas Sheri`atit. Ndalesa vlen, mbështetur në kujdes juridik, edhe kur xhelatina është nxjerrë nga kockat e kafshës.


 Sigurisht, nëse gjatë prodhimit të xhelatinës përbërësit burimorë pësojnë ndryshim kimik, atëherë nuk ka problem me ngrënien. Po kështu, edhe po të ekzistojë dyshim nëse kafsha është therur sipas rregullave islame, nuk ka problem që t`i shtohet [xhelatinë e bërë nga ajo kafshë] ushqimit në sasi aq të vogla sa të përthithet krejtësisht në të.  


 179. Pyetje: Barkat tregtare të peshkimit i hedhin rrjetat e tyre të mëdha për të zënë peshk me tonelata, i cili pastaj shitet në tregje. Dihet mirë se metodat moderne të peshkimit mbështeten në kapjen e peshkut gjallë dhe se peshkatarët i hedhin peshqit e ngordhur sërish në ujë, nga frika e infektimit.


 Kësisoj, a na lejohet blerja e këtij peshku në tregjet e jomuslimanëve? A na lejohet blerja e një peshku të tillë nga muslimanët që nuk i marrin parasysh ligjet fetare? Në të dyja rastet, a duhet të kërkojmë këshillën e një eksperti dhe dëshmitari të besuar për t`u siguruar nëse peshku që duam të blejmë është nxjerrë i gjallë nga uji, gjë që mund të jetë e vështirë, jopraktike dhe jorealiste.   


 A ka ndonjë zgjidhje për muslimanët praktikues që ndeshin vështirësi në të siguruarit se a është hallall mishi i pulës, lopës apo deles, dhe detyrohen të hanë peshk për pasojë?


 Përgjigje: Nuk ka problem që ato të blehen nga muslimanë ose jomuslimanë e as që të hahen, nëse jeni të kënaqur që peshku është kapur me metodën e lartpërmendur dhe që i përket kategorisë së peshkut me luspa.


 180. Pyetje: Nganjëherë shohim se konservat e peshkut e kanë në ambalazh foton ose emrin e llojit të peshkut që përmbajnë dhe mësojmë se ai është me luspa. A na lejohet të mbështetemi te emri ose fotoja në përcaktimin e kategorisë së peshkut, duke e ditur mirë se një pohim i gabuar në këtë drejtim mund t`i shkaktojë prodhuesit dëm të madh ose madje edhe penalizime serioze [nga kontrollori i cilësisë]. 


 Përgjigje: Nëse jeni të kënaqur me vërtetësinë e pohimit, lejohet të veproni sipas tij.


 181. Pyetje: A lejohet ngrënia e karavidheve, në të gjitha llojet e tyre, duke ndjekur formën e karkalecit?

Përgjigje: Ngrënia e karavidheve nuk lejohet.


 182. Pyetje: A lejohet blerja e peshkut nga një musliman që nuk i përket medhhebit të Ehlu`l-Bejtit, pa qenë në dijeni nëse peshku është me luspa ose jo?


 Përgjigje: Lejohet blerja e tij, por ai nuk mund të hahet pa u siguruar nëse i përket kategorisë së peshkut me luspa.


 184. Pyetje: A lejohet ngrënia e ushqimit hallall të gatuar në avujt e mishit që nuk është therur sipas ligjeve islame?

Përgjigje: Nuk lejohet, sepse ushqimi - siç thuhet në pyetje - do të të konsiderohet i papastër (nexhis) për shkak të rënies në kontakt me pjesët e lagështa nga avulli i mishit të papastër.


 185. Pyetje: Nëse në një tavolinë ka venë, muslimani e ka haram të ulet në atë tavolinë. Çfarë nënkuptohet me "tavolinë"? A përfshin ky term krejt grupin [që është ulur në restorant dhe disave u shërbehet alkool] edhe nëse tavolinat janë më tepër se një? Apo ka të bëjë vetëm me një tavolinë [e jo grupin], në kuptimin që nëse janë dy tavolina të ndara, do të ishte e lejueshme të uleshim [në tavolinën ku nuk shërbehet alkool, edhe sikur të jemi pjesë e të njëjtit grup njerëzish].


 Përgjigje: Kriteri është një tavolinë. Megjithatë, duhet ditur se ndalimi i uljes në një tavolinë ku shërbehet venë ose pije dehëse mbështetet në masën e kujdesit juridik (ihtijat); sigurisht, ngrënia dhe pirja në atë tavolinë janë haram bazuar në kujdesin e domosdoshëm.


 186. Pyetje: Një musliman hyn në kafe dhe ulet në tavolinë për të pirë çaj, pastaj një njeri i panjohur ulet në të njëjtën tavolinë për të pirë venë. A është e detyrueshme për muslimanin që të reshtë së piri çaj dhe të ikë?

Përgjigje: Po, siç u përmend më lart, është e detyrueshme të largohet nga tavolina.


 187. Pyetje: A lejohet pirja e birrës në shishen e së cilës shkruhet "pa alkool"?


 Përgjigje: Nuk lejohet, nëse me "birrë" nënkuptohet pija e bërë nga elbi, e cila shkakton dehje të lehtë. Por nëse nënkuptohet një pije e bërë nga elbi, e cila nuk shkakton dehje të lehtë, nuk ka problem.


 188. Pyetje: Në prodhimin e shumë ilaçeve dhe mjekimeve përdoret alkool. A lejohet pirja e tyre? A konsiderohen ato të pastra (tahir)?

Përgjigje: Ato janë të pastra; dhe duke qenë se alkooli i përdorur në to është aq i pakët sa të shkrihet në to, pirja e tyre lejohet.


 189. Pyetje: Ka uthull që bëhet nga vena, në kuptimin që më parë ka qenë venë dhe pastaj, nëpërmjet proçesit të përpunimit, është shndërruar në uthull. Kështu që në ambalazh shkruhet "uthull vene", në ndryshim nga uthulla e bërë nga elbi ose produkte të tjera. Një prej shenjave [dalluese mes "uthullës prej vene" dhe venës është se] shishet e kësaj uthulle vendosen në raftet e venave. Veç kësaj, nuk ka dallim midis një uthulle të tillë e uthullës së bërë nga hurmat, për shembull. A mund të konsiderohet uthull kjo venë që është kthyer në uthull, sipas rregullës së shndërrimit (istihaleh)?

Përgjigje: Nëse emri "uthull" është i përdorshëm për atë produkt sipas pikëpamjes së njerëzve në përgjithësi, siç supozon pyetja, për të do të vlejnë të njëjtat rregulla si për uthullën [pra ajo është e pastër dhe e lejuar].


 190. Pyetje: Fabrikuesve të ushqimeve dhe ëmbëlsirave si dhe të ushqimeve të paketuara në kuti metalike u kërkohet me ligj që t`i përmendin përbërësit e artikujve që shesin. Për të ndaluar prishjen e ushqimeve, fabrikuesit u shtojnë atyre substanca ruajtëse, të cilat mund të jenë nga burime shtazore dhe renditen me kode alfabetike si "E" krahas një numri, si psh "E 450" ose "E 472" etj. Cili është gjykimi për këto situata:


 a. Kur nuk e dimë prejardhjen e këtyre substancave ruajtëse?


b. Nëse shohim një listë - të nxjerrë nga ata që nuk dinë asgjë për rregullën e shndërrimit kimik (istihaleh: veprues pastrues) - e cila thotë se artikujt e përshkruar nga filan shkronjë dhe numër janë të ndaluar sepse vijnë nga burime shtazore?


c. Kur bëjmë kërkime paraprake dhe kënaqemi me faktin se substanca në fjalë nuk e ruan formën burimore por ndërron cilësi dhe kthehet në një substancë tjetër?


Përgjigje:


 a. Lejohet ngrënia e ushqimit që i përmban ato substanca ruajtëse.


b. Nëse nuk dihet me siguri që ajo vjen nga një burim shtazor - edhe në u pastë bërë një pohim i tillë - ushqimi lejohet të hahet. Po kështu, [lejohet] edhe nëse dihet me siguri [se vjen nga një burim shtazor] por nuk jemi të sigurtë nëse vjen nga një mejte e papastër dhe nëse sasia e saj e përzier në ushqim është aq e vogël sa të përthithet krejtësisht sipas mendimit të njerëzve në përgjithësi.


c. Nuk ka problem që të zbatohet rregulla e pastërtisë dhe lejueshmërisë saherë që të vërtetohet ndryshimi kimik në formë, i cili e shndërron atë në një substancë tjetër dhe kur nuk mbetet asgjë nga substanca fillestare sipas opinionit të njerëzve në përgjithësi.


 191. Pyetje: kërkojmë nga ju t`u përgjigjeni këtyre dy pyetjeve:


a. A konsiderohet e pastër (tahir) xhelatina në vetvete?


b. Kur kemi dyshime nëse ka patur ose jo istihale (shndërrim kimik) [gjatë proçesit të fabrikimit të xhelatinës] për shkak të pasigurisë mbi këtë koncept dhe shtrirjes së zbatueshmërisë së rregullës së istihales, a duhet ta tejzgjasim dijen e mëparshme (istis`hab) [e të themi] që xhelatina mbetet akoma e papastër?


Përgjigje:


 a. Përsa i përket xhelatinës nga burimi shtazor, nëse papastërtia fillestare nuk vërtetohet me siguri (për shembull, nëse ekziston mundësia që kafsha të jetë therur sipas ligjeve islame), ajo do të konsiderohet e pastër; mirëpo, ajo nuk i duhet shtuar ushqimit, përveçse në sasi të tilla që të përthithen krejtësisht [pra, ajo është e pastër (tahir), por duhet përdorur vetëm në sasi shumë të vogla nëpër ushqime].


 Kjo [masë kujdesi] është për rastin kur as nuk vërtetohet se kafsha është therur sipas rregullave islame, e as që nuk ka patur istihale. [Nëse vërtetohet se cilado prej këtyre dyjave ka ndodhur, atëherë nuk do të kishte kufizim për përdorimin e xhelatinës në artikujt ushqimorë.]


 Gjykimi i mësipërm nuk ndryshon nëse xhelatina është nxjerrë nga pjesë të kafshës të cilat kanë ndjesi (si: kërci, nyje) apo nga ato që nuk kanë (si kockat). Kjo rregull mbi pjesët që s`kanë ndjesi mbështetet në kujdesin e detyrueshëm (waxhib el-ihtijat). Megjithatë, nëse papastërtia e saj vërtetohet (për shembull, kur dihet se ajo vjen nga një kafshë e papastër në thelb ose nga nyjet e një kafshe që nuk është therur sipas normave islame, ose nga kockat e saja që nuk janë pastruar, me ç`rast do të konsiderohet mutanexhxhis duke rënë në kontakt të lagësht me një artikull të papastër), atëherë të konsideruarit e saj si e pastër dhe e lejueshme për përdorim në ushqime varet nga vërtetimi i istihales. Dhe në këtë çështje [pra nëse ka patur apo jo istihale] duhet t`i drejtohemi perceptimit të përgjithshëm të njerëzve. Këtë kriter e kemi shpjeguar tashmë.


 b. [Istis`hab-i është një parim sipas të cilit, në rast dyshimi, duhet tejzgjatur dija e mëparshme për çështjen në fjalë, gjersa të vërtetohet e kundërta.] Ky parim i istis`habit nuk është i zbatueshëm as në rastet e dyshimit lidhur me konceptin [e ligjit] e as në vetë rastet e ligjit - siç është vërtetuar në vendin e duhur të shkencës së parimeve të jurisprudencës islame (usulu`l-fikh). Megjithatë, duke qenë se çështja e papastërtisë (nexhaset) lidhet me konceptin gjenerik në pikëpamjen e njerëzve të zakonshëm dhe tejzgjatja e gjykimit për papastërtitë varet, për njerëzit e arsyeshëm, tek ekzistenca e vazhduar e elementeve të saja - kjo e kthen dyshimin për të ndodhurit e istihales (qoftë zbatimi i saj i kufizuar apo i gjerësishëm) në dyshim për ekzistencën e vazhduar të elementeve të papastra [në xhelatinë]. Dhe kjo çështje ka të bëjë me zbatimin e ligjit. Prandaj, nuk ka problem në zbatimin e parimit të istis`habit në këtë rast. Zoti e di më mirë.


 192. Pyetje: Nuk jemi të njohur me përbërësit e ushqimeve në dyqanet e vendeve perëndimore: ato mund të mos i përmbajnë përbërësit e ndaluar për ne por mund edhe t`i përmbajnë. A na lejohet t`i hamë artikuj të tillë pa ua shikuar përmbajtjen, ose pa pyetur për to?


 Përgjigje: Lejohet [ngrënia e artikujve të tillë] përderisa të mos dihet që përmbajnë mish, dhjamë e nënprodukte të tyre, që janë të ndaluara për muslimanët. 


 193. Pyetje: A lejohet të përdorim në ushqime vajëra të nxjerra nga peshq që janë të ndaluar për ne? Po në gjëra të tjera?


 Përgjigje: Nuk lejohet ngrënia e këtyre vajrave, por përdorimi tjetër i tyre është i lejuar. Allahu e di më mirë.


 Pyetje: A i lejohet muslimanit të ndjekë një takim ku shërbehen pije dehëse?

Përgjigje: Ngrënia dhe pirja në mbledhje të tilla njerëzish ndalohet. Megjithatë, ndalimi i pjesëmarrjes në to bazohet në kujdes juridik. Por nuk ka problem të merret pjesë në raste të tilla me qëllim ndalimin e së keqes (nahi `anil munker), nëse kjo mund të bëhet.


 Pyetje: A lejohet ngrënia e karavidheve, karkalecave të mëdhenj të detit dhe kërmijve?

Përgjigje: Përveç peshqve me luspa nuk lejohet të hahet asnjë kafshe detare; karkaleci i detit konsiderohet nga ajo kategori [e kafshëve të lejuara të detit]. Por kafshë të ndryshme deti nga peshqit e tillë, si karavidhet, apo peshqit që nuk kanë luspa janë të ndaluara. Allahu e di më mirë.


Veshja & Rrobat


 Hyrje


 Veshja e rrobave të bëra prej lëkurës së kafshëve është vërtet problem për muslimanët që jetojnë në vende jomuslimane. Muslimanët janë mësuar të blejnë prodhime lëkure në vendet e tyre pa kurrfarë problemi, sepse e dinë që ato janë bërë nga lëkura e kafshëve të therura sipas ligjeve islame. Kështu që ata i veshin, i prekin me duar të lagura dhe falen në to pa kurrfarë problemi a ngurrimi. Por në vendet jomuslimane, realiteti është krejt tjetër.


 Rregulla të Përgjithshme


 195. Produktet e lëkurës janë të papastra (nexhis) dhe namazi në to nuk lejohet, kur e dimë që janë bërë nga lëkura e një kafshe që nuk është therur sipas ligjeve islame. Produkte të tilla konsiderohet të pastra (tahir) dhe namazi në to lejohet, kur ekziston një probabilitet që ato janë bërë nga lëkura e një kafshe që është në thelb hallall, të therur sipas ligjeve islame.


 196. Namazi nuk lejohet të falet në produkte lëkure të nxjerra nga gëzofi i kafshëve grabitqare si luani, leopardi, tigri, dhelpra e çakalli. Po kështu, mbështetur në masën e kujdesit të detyrueshëm, namazi nuk lejohet në produkte lëkure të bëra nga kafshë jograbitqare, mishin e të cilave e kemi të ndaluar, si majmunët dhe elefantët, edhe pse lëkura e tyre mund të konsiderohet tahir nëse janë vrarë (ose ekziston mundësia që të jenë vrarë) sipas ligjeve islame.


 Në të gjitha këto raste të mundshme, veshja e një rrypi dhe gjërave të ngjashme prej lëkure lejohet [në namaz], me kusht që të mos jenë aq të mëdha sa të mbulojnë pjesët intime. Nëse nuk ekziston mundësi e konsiderueshme që kafsha të jetë therur sipas ligjeve islame, por përkundrazi, jemi të sigurtë se bëhet fjalë për një kafshë të therur jo sipas ligjeve islame, atëherë ajo është nexhis dhe namazi në të nuk lejohet. [Kur mundësia e tillë nuk ekziston] nuk lejohet as përdorimi i rrypit dhe i gjërave të tjera (që nuk i mbulojnë organet gjinore në namaz), si masë kujdesi i detyrueshëm. I njëjti ligj do të vlente nëse probabiliteti do të ishte aq i ulët, saqë njerëzit e arsyeshëm ta mospërfillnin (p.sh. 2%).

Lejueshmëria e lëkurës së këtyre kafshëve mund të arrihet në dy mënyra: Metoda e parë është që ato të theren ashtu siç theret një dele, me respektimin e të gjitha kushteve. Metoda e dytë është që ato të gjuhen me pushkë, me ç`rast gjahtari duhet të jetë musliman, të përmendë emrin e Zotit kur tërheq këmbëzën, të qëllojë duke pasur si nijet gjahun dhe të shkojë te vendi ku ka rënë kafsha pasi ajo të ngordhë ose kur nuk ka kohë për ta therur. 


 197. Produktet e lëkurës të bëra në vende jomuslimane nga lëkura e gjarprinjve dhe krokodilave, të cilat reklamohen në tregjet jomuslimane, konsiderohen të pastra (tahir) dhe lejohet blerja, shitja dhe përdorimi i tyre në gjëra që kërkojnë pastërti.


 198. Produktet e lëkurës që vijnë nga vende muslimane dhe reklamohen në tregje jomuslimane janë të pastra (tahir) dhe lejohet t`i përdorim në namaz.


 199. Produktet e lëkurës të bëra në vende jomuslimane, natyra dhe pastërtia rituale e të cilave nuk mund të përcaktohet, për shkak të pasigurisë nëse janë nga lëkurë natyrore ose artificiale lejohen të përdoren në namaz.


 200. Këpucët e bëra nga lëkura e një kafshe që nuk është therur sipas ligjeve islame nuk i bëjnë këmbët nexhis, përveçse me anë të lagështisë që e përcjell papastërtinë. Kështu, nëse çorapet njomen nga djersa e këmbës por djersa nuk e arrin lëkurën e papastër të këpucës, ajo nuk do t`i bëjë as këmbët e as çorapet nexhis.


 201. Lejohet falja e namazit me kapele lëkure ose rryp të prodhuar në vende jomuslimane dhe të blerë në tregje jomuslimane, nëse ekziston mundësia që këto produkte të jenë bërë nga lëkura e kafshëve që janë në thelb hallall dhe të therura sipas ligjeve islame. Kjo është përmendur në rregullën e tretë të këtij seksioni.  (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 202. Burrave nuk u lejohet mbajtja e arit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një unazë [çfarëdo], unazë martese, apo sahat dore, apo gjëra të tjera të ngjashme, në namaz e jashtë tij. Atyre u lejohet mbajtja e artikujve të larë në ar, me kusht që ari në to të konsiderohet vetëm si shtresim e asgjë më tepër.


 203. Burrave nuk u lejohet të mbajnë atë që njihet si "ar i bardhë".


 204. Grave u lejohet të mbajnë ar në të gjitha rastet dhe kohët, përfshirë namazin.


 205. Burrave nuk u lejohet të veshin mëndafsh të pastër e natyror, as në namaz e as jashtë tij, përveçse në rrethana të veçanta që janë shpjeguar në librat e jurisprudencës islame.


 206. Grave u lejohet veshja e mëndafshit në të gjitha kohërat, përfshirë namazin.


 207. Burrave u lejohet të veshin coha që dyshohen për mëndafsh dhe rroba me prejardhje të dyshimtë, pra për të cilat nuk dihet nëse janë prej mëndafshi natyror apo sintetik. Në këtë rast, edhe namazi në to lejohet. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)



Po kështu, atyre u lejohet të veshin mëndafsh natyror që është përzier me materiale të tjera si pambuku, leshi, najloni, etj, aq sa coha e përzier të mos konsiderohet më si mëndafsh i pastër. Ky ligj vlen edhe kur ekziston pasiguri rreth shkallës së përzierjes [së mëndafshit të pastër me material(e) të tjera]. Në raste të tilla, lejohet edhe falja e namazit në to.


 208. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, burrave nuk u lejohet të veshin rroba grashë.


 209. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, muslimanëve nuk u lejohet të vishen me rroba që njihen specifikisht si veshje e jomuslimanëve.


 Pyetje dhe Përgjigje


 210. Pyetje: Ne muslimanët në Evropë blejmë këpucë, rrypa dhe artikuj të tjerë veshjeje që mund të jenë bërë nga lëkura e kafshëve që nuk janë vrarë në mënyrë islame. Ndodh që artikuj të tillë importohen nga vende muslimane ose merren nga thertore muslimane këtu (ngase ekzistojnë disa thertore muslimane në Britaninë e Madhe, për shembull).


 A mund t`i konsiderojmë lëkura të tilla ritualisht të pastra (tahir) në dritën e faktit se mund të jenë importuar nga vende muslimane ose mund të jenë marrë nga thertore muslimane që përdorin mënyrën islame të therjes, edhe nëse një mundësi e tillë është e vogël?

Përgjigje: Nëse mundësia është aq e dobët saqë e kundërta është shumë më u mundur (për shembull, 2%), kjo as nuk duhet diskutuar. Përndryshe [nëse mundësia është e lartë], nuk ka problem që ato të konsiderohen të pastra (tahir). Zoti e di më mirë.


 211. Pyetje: Juristët kanë dekretuar se është e ndaluar [për burrat] që të veshin mëndafsh të pastër dhe natyror. A i lejohet një burri të veshë mëndafsh të përzier me material tjetër, nëse ai material është një jakë ose kravatë? Dhe a është e ndaluar të vishet jaka nëse është prej mëndafshi natyror dhe të pastër?


 Përgjigje: Nuk është e ndaluar të vishet një kravatë, edhe nëse është e bërë nga mëndafshi i pastër sepse nuk është [aq e madhe sa] për të mbuluar pjesët intime [në namaz]. Sa për artikullin që është i përzier me material tjetër aq sa nuk mund të quhet më "mëndafsh i pastër", ai lejohet të vishet, edhe nëse [është aq i madh sa të] mund t`i mbulojë pjesët intime që duhen mbuluar [në namaz]. 


 212. Pyetje: Ndonëse disa fabrika shkruajnë në produktet e tyre se janë prej mëndafshi të pastër, ne e vëmë në dyshim një pretendim të tillë, për shkak të çmimit shumë të ulët të mallrave në fjalë. A na lejohet t`i veshim ato dhe të falemi në to?


Përgjigje: Kur ka dyshim [nëse mëndafshi është puro], lejohet veshja e rrobës dhe falja në të.


 213. Pyetje: A lejohet veshja e rrobave që kanë pamje pijesh dehëse si reklamë? A lejohet shtija e tyre?

Përgjigje: Veshja dhe shitja e tyre është e ndaluar.


 214. Pyetje: A i lejohet një burri të mbajë një sahat që përmban pjesë ari, ose që e ka rrypin prej ari? A lejohet falja e namazit në to?


 Përgjigje: Veshja dhe falja e namazit në të lejohet për artikullin e parë, jo për të dytin.


Qëndrimi ndaj ligjeve në vende jomuslimane


 Hyrje


 Qeveri të ndryshme parashtrojnë ligje për qeverisjen e mënyrës se si e çojnë jetën qytetarët e tyre, duke i urdhëruar me raste që të bëjnë disa gjëra dhe ndaluar në ca raste që të bëjnë disa të tjera; ata kufizojnë dhe kontrollojnë një sërë veprimtarishë e kështu me radhë. 


 Mes ligjeve të tilla janë ato që lidhen me vendet publike të cilat kanë të bëjnë me jetët e njerëzve në një rajon të caktuar gjeografik; shkelja dhe mosrespektimi i të cilave mund të shpiejë në rrëmujë e çrregullí.


 Rregulla të Përgjithshme


 215. Askujt nuk i lejohet të lërë në rrugën publike diçka që mund t`u shkaktojë dëm këmbësorëve dhe të tjerëve kudo qofshin, në vende muslimane apo jomuslimane.


 216. Muslimanit nuk i lejohet të ngjisë njoftime, reklama etj apo të përfshihet në veprimtari të ngjashme, mbi muret e jashtme ose tabelat që pronësohen nga të tjerët, përveçse me leje të tyre.


 217. Muslimani e ka të ndaluar të tradhëtojë mirëbesimin e dikuj që i ka lënë në amanet një artikull ose veprim, edhe nëse ai është jomusliman.


 Po kështu, muslimani e ka për detyrë të ruajë amanetin që i është lënë dhe t`ia kthejë të plotë [të zotit]. Prandaj, atij që punon si arkëtar ose llogaritar nuk i lejohet ta tradhëtojë punëdhënësin dhe të vjedhë diçka që është nën kontrollin e tij.(1) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 218. Nuk lejohet as vjedhja e pronës private ose pronës publike të jomuslimanëve, e as vandalizimi i saj, edhe sikur ajo vjedhje ose vandalizim të mos e përbaltë imazhin e Islamit dhe të muslimanëve. Një akt i tillë njehet si pabesi dhe dhunim i garantimit që i është dhënë tërthorazi jomuslimanëve kur u është kërkuar leja për të hyrë dhe banuar në vendin e tyre. Dhe ndalohet shkelja e besës dhe dhunimi i garancisë në lidhje me çdo person, pavarësisht nga feja, nënshtetësia dhe bindjet e tija (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 219. Nuk lejohet vjedhja e pronës së jomuslimanëve kur futen në vendet muslimane.


 220. Muslimanit nuk i lejohet të marrë rroga dhe ndihma sociale me rrugë të paligjshme e metoda të ngjashme, për shembull, duke u dhënë informata të gabuara organeve civile.


 221. Muslimanëve u lejohet blerja e polisave të siguracionit nga kompani të ndryshme, për të siguruar jetën dhe pronën e tij nga zjarri, përmbytja, vjedhja dhe rreziqet e tjera. Polisa e siguracionit konsiderohet e obligueshme dhe nuk mund të anullohet njëanshmërisht.


 222. Muslimanit nuk i lejohet t`u japë të dhëna të rreme kompanive të siguracionit duke synuar përfitimin e diçkaje që nuk i takon, ashtu siç nuk i lejohet të kurdisë me qëllim një incident si rënia e zjarrit, për shembull, për të përfituar diçka. E as nuk i ka hallall përfitimet e siguracionit [në këtë rast]. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 223. Nganjëherë, interesat më të larta të muslimanëve në vende jomuslimane e kërkojnë që muslimanët të synojnë pjesëmarrje në parti politike, të hyjnë në parlamente dhe asamblé përfaqësuese. Në raste të tilla, atyre u lejohet të përfshihen në veprimtari të tilla aq sa ta kërkojë interesi [i bashkësisë muslimane], i cili duhet identifikuar në këshillim me ekspertët e besuar.


 224. Në asnjë mënyrë nuk lejohet kopjimi/mashtrimi në provime, pavarësisht nga fakti se ai ndihmohet nga ndihma e ndërsjelltë në mes studentëve ose me anë të shpërndarjes së kopjeve, mashtrimit të inspektorit apo metoda të tjera të paligjshme që bien ndesh me sistemin [arsimor] përkatës. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë).


 1. Delilu`l-muslim fi biladi`l-ghurba, ff. 89-90.


 Pyetje dhe Përgjigje


 225. Pyetje: Nëse një musliman përpiqet të tërheqë para të tija nga bankomati dhe ky nxjerr më shumë para se ç`ka kërkuar ai, a i lejohet atij ta marrë shumën shtesë pa njoftuar bankën?


 Përgjigje: Nuk i lejohet.


 226. Pyetje: Një musliman blen një mall nga një kompani e huaj në një vend jomusliman; shitësi i jep gabimisht më shumë se ç`ka porositur. A i lejohet myshteriut musliman të marrë shtesën? A e ka për detyrë ta njoftojë shitësin për gabimin?


 Përgjigje: Nuk i lejohet ta marrë shtesën; nëse e ka marrë, e ka për detyrë ta kthejë.


 227. Pyetje: Një punëtor musliman i një kompanie jomuslimane e ka mundësinë për t`i përvetësuar produktet e kompanisë. A i lejohet kjo?


Përgjigje: Nuk i lejohet.


 228. Pyetje: A lejohet ndërhyrja në matësit elektrikë, hidraulikë ose gazorë në vende jomuslimane?

Përgjigje: As kjo nuk lejohet.


 229. Pyetje: Një musliman në Perëndim pohon se në vendlindje e ngiste makinën për shumë vjet dhe e mbështet pretendimin e tij me një dokument nga një burim i caktuar, duke marrë një kuotë të pëlqyeshme për siguracionin e vet. A i lejohet atij ta ndryshojë faktin në pohimin e tij, edhe nëse ky është bërë me tewrije (ekuivalentim)? A lejohet ta ndihmojmë atë për këtë qëllim?

Përgjigje: Të gënjyerit për qëllimin e lartpërmendur nuk lejohet, e po kështu as kërkimi i dëmshpërblimit në këtë mënyrë; të ndihmuarit atij në këtë gjë do të thotë ndihmim në kryerjen e një mëkati.


 230. Pyetje: A lejohet mashtrimi i kompanive të asiguracionit në vende jomuslimane, kur jemi të sigurtë se kjo nuk e përbalt imazhin e Islamit dhe muslimanëve?


 Përgjigje: Nuk lejohet.


 231. Pyetje: A i lejohet një muslimani t`i vërë flakën me dashje shtëpisë së tij të siguruar, në mënyrë që të marrë dëmshpërblim nga një kompani jomuslimane siguracioni. A i lejohet marrja e zhdëmtimit?


 Përgjigje: Nuk i lejohet që ta shkatërrojë dhe çojë dëm pronën e as t`i japë informacion të gabuar kompanisë së siguracionit për qëllimin e lartpërmendur. Paratë e marra [në këtë rast] nuk janë hallall.


 232. Pyetje: A lejohet kopjimi në [provimet e] shkollave publike në Evropë? A lejohet kopjimi në [provime] në shkolla private islame e joislame?


 Përgjigje: Kopjimi nuk lejohet në asnjë nga këto [shkolla].


 233. Pyetje: Në disa mjete transporti shihet shenja "Ndalohet duhani!". A lejohet injorimi i tyrje dhe pirja e duhanit?


 Përgjigje: Nëse ajo shenjë është si kusht shtesë për të udhëtuar me atë mjet, ose dekret zyrtar i qeverisë së atij vendi, dhe pasagjeri është zotuar që t`u përmbahet ligjeve zyrtare, ai e ka të nevojshme që të veprojë në përputhje me këtë kusht dhe zotimin e tij.


 234. Pyetje: A është e domosdoshme për një person që ka marrë një vizë për të hyrë në një vend jomusliman, që t`u përmbahet ligjeve të atij vendi në të gjitha sferat, si: ligjet e trafikut, ligjet e punësimit, etj?


 Përgjigje: Nëse është zotuar - qoftë edhe tërthorazi [siç nënkuptohet në dokumentet e migrimit] - që t`u përmbahet ligjeve të atij vendi, ai e ka të domosdoshme ta përmbushë përkushtimin e tij në çështje që nuk u bien ndesh ligjeve të shenjta [të Islamit].


 Kështu, për shembull, duhen zbatuar rregullat e trafikut pavarësisht [nëse je zotuar apo jo], në qoftë se moszbatimi i tyre mund të shpiej në lëndimin e njerëzve dhe dëmtimin e pronave, që janë të shenjta [në ligjet islame].


 235. Pyetje: Disa qeveri u ofrojnë përfitime siguracioni shoqëror qytetarëve të tyre, derisa të gjejnë punë. A u lejohet muslimanëve të vazhdojnë t`i marrin këto përfitime edhe pasi që janë punësuar dhe nuk e kanë njoftuar departamentin përkatës për këtë?


 Përgjigje: Atyre nuk u lejohet të pranojnë përfitime, përveçse pasi të kenë njoftuar organet kompetente në vendin përkatës.


 236. Pyetje: A i lejohet muslimanit të vjedhë nga jomuslimanët në vende jomuslimane? A i lejohet atij të mashtrojë në mënyra të njohura mes tyre, për t`u pasuruar?


 Përgjigje: Nuk lejohet vjedhja e pronës së tyre private ose publike, apo vandalizimi i saj, kur kjo shpie në përbaltjen e imazhit të Islamit ose të muslimanëve në përgjithësi.


 Po kështu, vjedhja nuk lejohet, edhe po të mos e shkaktojë [përbaltjen e imazhit të Islamit ose të muslimanëve], por konsiderohet si pabesi e dhunim i garancisë së dhënë ndaj jomuslimanëve kur muslimani kërkon leje për të hyrë dhe banuar në vendet e tyre. Dhe ndalohet shkelja e fjalës ose dhunimi i garancisë në lidhje me çdo individ.


 237. Pyetje: A i lejohet muslimanit t`u japë informacion të rremë agjencive qeveritare në Evropë për të përfituar privilegje monetare e jomonetare dhe përfitime të ndryshme me mjetet e tyre ligjore?


 Përgjigje: Nuk lejohet sepse përbën gënjim; dhe ajo që u përmend në pyetje nuk është arsye e përligjshme [për të gënjyer].


Puna & Investimi


 Hyrje


 238. Në parim, muslimanit i lejohet që, si i punësuar i një jomuslimani, të përfshihet në veprimtari të ndryshme jetike dhe shoqëri të ndryshme me dobi të përgjithshme, në mënyrë që t`i jetë me vlerë shoqërisë dhe vetes. Kjo leje kushtëzohet nga fakti që një punë e tillë të mos ndalohet nga ligjet e Islamit dhe të mos çojë në dëmtimin e interesave të muslimanëve për dobi të armqve të Islamit dhe muslimanëve.


 Rregulla të Përgjithshme


 239. Muslimanit nuk i lejohet ta poshtërojë veten përpara asnjë njeriu, qoftë muslimanit apo jomuslimanit. Prandaj, nëse puna që bën një musliman e poshtëron atë përpara një jomuslimani, ai e ka të ndaluar të përfshihet në një profesion të tillë poshtërues.


 240. Muslimanit i lejohet t`u shërbejë mishin e një kafshe që nuk është therur sipas ligjeve islame atyre që e konsiderojnë të ligjshëm, sikurse të krishterëve, çifutëve dhe të tjerëve. Po kështu, atij i lejohet të punojë në përgatitjen dhe gatimin e atij mishi. Të ardhurat që ai nxjerr nga ajo punë mund të legjitimizohen përmes rregullës së tanazul-it (tërheqjen e të drejtës tënde përjashtuese nga ai mish). 


 241. Muslimanit nuk i lejohet t`u shesë mish derri atyre që e mbajnë për të ligjshëm nga mesi i të krishterëve dhe të tjerëve. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, ai mish as nuk duhet t`u shërbehet atyre. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 242. Muslimanit nuk i lejohet t`i shërbejë pije dehëse askujt, qoftë edhe atyre që i konsiderojnë të ligjshme. Atij [madje] nuk i lejohet të lajë pjatat ose t`ua japë ato të tjerëve nëse kjo larje e dhënie është pjesë e pirjes së këtyre pijeve.


 243. Muslimani nuk lejohet të mëditet për të shitur ose shërbyer pije dehëse ose për larjen e enëve me këtë qëllim, ashtu siç nuk i lejohet të marrë paga për këtë punë, ngase kjo është e paligjshme. Sa për justifikimin e "nevojës së skajshme" [ekonomike] që përdorin disa njerëz për të përligjur këtë lloj pune, ai është i papranueshëm. Zoti Fuqiplotë thotë: (Dhe kushdo që është i kujdesshëm (për detyrën e tij) ndaj Zotit, Ai do t`i japë rrugëdalje dhe furnizojë prej nga s`e pret. Kujt ka besim në Zotin, Ai i mjafton.) (65:3) Ai ka thënë gjithashtu: (Sigurisht që ata, të cilët engjëjt i bëjnë të vdesin duke qenë zullumqarë ndaj shpirtrave të vet, do të pyeten: `Në ç`gjendje keni qenë?` Ata do të përgjigjën: `Ishim të dobët në tokë.` Do të pyeten: `A nuk ishte toka e Zotit aq e gjerë sa të shpërnguleshit në të?` Këta, pra kanë për vendbanim Skëterrën, dhe ç`vendqëndrim i keq, përveçse për të dobëtit nga burrat e fëmijët që nuk e kanë takatin e as rrugëdaljen) (4:97-98).

Në ligjëratën e tij të Haxhit të lamtumirës, Pejgamberi (s.a.w) tha: "Ta dini se Shpirti Besnik (Xhibra`ili) ka frymëzuar në mendjen time se askush nuk do japë shpirt pa iu plotësuar rrizku. Ndaj, frikojuni Zotit dhe përpiquni fort në kërkimin [e tij]; e të mos ju shtyjë vonimi në ardhjen e rrizkut tuaj që ta kërkoni duke iu mosbindur Zotit sepse Allahu Begatues e Fuqiplotë e ka ndarë rrizkun mes krijesave të Tija në mënyrë të ligjshme e jo të paligjshme. Prandaj, kush i druhet Zotit dhe bën sabr, Ai do t`i sigurojë rrizk nga hallalli; por kujt e gris cipën e hijshmërisë, nxiton dhe e nxjerr rrizkun nga harami, ai do t`i merret nga hallalli dhe personi do të mbahet përgjegjës për të në Ditën e Gjykimit."(1) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 244. Nuk lejohet puna në vende dëfrimi dhe mjedise të tjera shfrenimi, nëse ajo mund të çojë në veprime të ndaluara (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 245. Muslimanëve u lejohet të punojnë si partnerë me jomuslimanë (sikurse të krishterë ose çifutë) në lloje të ndryshme biznesi që konsiderohen të ligjshme sipas Sheri`atit, për shembull: shitblejra, eksport-importi, kontratat e ndërtimit etj.


 246. Lejohet depozitimi [i të hollave] në banka jomuslimane (private ose shtetërore).


 247. Nëse muslimani synon të marrë hua nga banka të tilla, ai duhet ta bëjë këtë me nijetin që ky është një ndërveprim pa kthim, edhe sikur ta dijë se do të paguajë vlerën e kamatën. Dhe ai nuk duhet ta bëjë këtë duke pasur nijet marrjen e huasë me kushtin e kamatës.


 248. Muslimanit i lejohet të autorizojë një person që të përdorë emrin (dhe kredinë) e tij për të blerë aksione, në këmbim të një sasie (të hollash ose mallrash), mbi të cilat janë pajtuar njëzëri.


 249. Muslimanit nuk i lejohet të blejë produkte të vendeve që janë në luftë me Islamin dhe muslimanët, për shembull Izraeli. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


250. Muslimani i lejohet të këmbejë monedhën me një monedhë tjetër me çmimin e tregut, ose me çmim më të lartë a më të ulët, pavarësisht nga fakti nëse këmbimi ka natyrë të menjëhershme apo të shtyrë.


 251. Ndalohet përdorimi i parave false ose pa vlerë - si ato që përdoren nga një mashtrues i cili e paguan një punëtor që nuk është në dijeni për falsifikimin dhe pavlershmërinë e tyre. Marrëveshja tregtare e kryer me këtë lloj të hollash nuk vlen.


 252. a. Muslimanit nuk i lejohet të blejë bileta për lojëra fati (përfshirë loterinë), nëse i blen më qëllimin e fitimit të çmimit përmes fatit.


b. Atij i lejohet të blejë bileta loterie nëse i blen me nijetin e pjesëmarrjes në një kauzë bamirësie që është e pranueshme nga Islami, sikurse ndërtimi i spitaleve, jetimoreve etj, por me qëllim fitimin e çmimit. Megjithatë, është skajimisht e vështirë që kjo situatë hipotetike të ndodhë në vende jomuslimane të cilat i konsiderojnë veprimtari të caktuara që ndalohen në Islam sikur kanë natyrë bamirëse, sipas të kuptuarit të tyre.


 Në të dyja rastet [a) dhe b) kur muslimani fiton loterinë], lejohet marrja e çmimit nga një [kompani ose person] jomusliman. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 253. Lejohet shitja e kafshëve të egra, mishi i të cilave ndalohet, si: tigri, hiena, dhelpra, elefanti, luani, ariu dhe kafshë të tjera të ngjashme si macja e balena, nëse ka ndonjë pëfitim të ligjshëm që i bën ato të me vlerë në treg (qoftë edhe sipas vetëm pak ekspertëve nga kjo fushë). Qenët që nuk janë për gjah dhe derrat përjashtohen nga kjo rregull. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


254. Lejohet shitblerja e enëve prej ari dhe argjendi me qëllim dekorimin; mirëpo ndalohet përdorimi i tyre për ngrënie dhe pirje.


 255. Nuk ka khums mbi rrogën që një qeveri në një vend musliman e paguan drejtpërsëdrejti në llogarinë bankare të punëtorit të saj, edhe nëse është më e madhe se shpenzimet e tija vjetore - për sa kohë që ai të mos e marrë në dorë. (Të shihet Pyetje-Përgjigje 260 më poshtë.)


 




1. el-Hurr el-`Amili, Wesa`ilu`sh-shi`a, vëll. XVII, f. 44.


 Pyetje dhe Përgjigje


 256. Në Perëndim, është e mundur që një person të hapë disa llogari bankare me përqindje interesi të lartë ose të ulët, pa kurrfarë vështirësie në të dyja rastet. A lejohet hapja e llogarive me përqindje të lartë, duke patur parasysh se personi nuk do ta kërkojë përqindjen, nëse banka ia mohon? Nëse jo, a ka ndonjë zgjidhje që do ia lejonte ta hapë një llogari të tillë kur e di mirë se, në zemrën e tij, po synon përqindjen më të lartë?


 Përgjigje: Lejohet hapja e llogarisë në bankë si dhe depozitimi në të, me kushtin e fitimit të përqindjes, nëse banka financohet nga qeveri ose njerëz që nuk janë muslimanë.


 257. Pyetje: Bankat në Perëndim u japin hua - të njohura si hipoteka - atyre që nuk kanë para të mjaftueshme për të blerë shtëpi; të cilat duhen paguar në këste [javore a mujore] me përqindje të lartë interesi. A i lejohet muslimanit ta përdorë këtë skemë? Nëse jo, a ka ndonjë zgjidhje, sipas jush, për dikë që pretendon se hipoteka i duhet për të blerë banesën e vet dhe nuk zotëron para të mjaftueshme për këtë?


 Përgjigje: Lejohet marrja e parave nga banka që financohet prej qeverisë ose fondeve private jomuslimane, por jo me nijet huanë. Dijenia se banka do ta detyrojë herët a vonë që të paguajë vlerën si dhe kamatën nuk e ndikon [ligjshmërinë] e marrjes së parave.


 258. Pyetje: Disa qeveri janë të përkushtuara që t`u sigurojnë strehim nevojtarëve, nën rrethana të caktuara. A i lejohet një muslimani të blejë një shtëpi në të cilën banon për një kohë të shkurtër (në mënyrë që të mos e ketë khumsin të detyrueshëm [mbi atë shtëpi]), e pastaj ta japë me qera, në mënyrë që të shkojë e të jetojë në një shtëpi të subvencionuar nga qeveria?


Përgjigje: Khumsi [mbi shtëpinë] nuk anullohet thjesht duke jetuar për pak kohë në të, pa patur nevojë të vërtetë për të, siç nënkupton pyetja.


 259. Pyetje: Disa kompani tregtare dhe prodhuese marrin hua nga bankat private ose shtetërore në vendet muslimane si dhe nga institucionet e tjera [jomuslimane] me kusht kamatën; dhe ato gjithashtu marrin përqindje mbi depozitat që lënë në ato banka. A na lejohet të blejmë aksione nga këto kompani ose të jemi partnerë në nismat e tyre? 


 Përgjigje: Nëse partneriteti me to është si pjesëmarrja në veprimtaritë e tyre me kamatë, nuk lejohet. Mirëpo, nëse kompaninë e kanë në pronësi muslimanët dhe ajo merr kamatë nga bankat e jomuslimanëve, nuk ka problem [në blerjen e aksioneve të tyre ose në partneritetin e tyre] nga ky këndvështrim.


 260. Pyetje: Disa qeveri dhe disa kompani në vende jomsulimane dhe muslimane i depozitojnë rrogat e punëtorëve të tyre drejtpërsëdrejtni në llogaritë e tyre bankare. Punëtori nuk e merr shumën në dorë, ndonëse mund ta tërheqë kur të dëshirojë. Nëse llogaria bankare tregon që sasia e parave i kalon shpenzimet e tija vjetore, a bëhet khumsi i detyrueshëm mbi të?


 Përgjigje: Khumsi është i detyrueshëm mbi shumën që i kalon nevojat e tija vjetore, përveç rastit të një punëtori në një qeveri muslimane që e depoziton rrogën e tij drejtpërsëdrejti në një bankë shtetërore ose private. Në këtë rast, khumsi nuk është i detyrueshëm mbi rrogën që e depozituar në bankë, gjersa ai ta zotërojë [fizikisht] me lejen e muxhtehidit.(1) Atëherë, rroga do të përfshihet në të ardhurat e tij për vitin dhe khumsi do të bëhet i detyrueshëm mbi tepricën ndaj shpenzimeve vjetore.


 261. Pyetje: Një musliman ka marrë hua nga një tjetër. Pas njëfarë kohe, vlera e monedhës bie. Sa para duhet t`i kthejë ai huadhënësit: sasinë që ka huazuar apo barzvlerën e saj në tregun e kohës së marrjes? A ndryshon rregulla nëse huadhënësi është jomusliman?


 Përgjigje: Ai duhet të paguajë të njëjtën sasi që ka marrë hua; dhe nuk ka ndryshim nëse huadhënësi është musliman apo jo.


 262. Pyetje: A është e lejueshme të investohet në kompani që merren pjesërisht me pije dehëse, kur nuk ekziston mundësia e ndarjes së investimit nga pjesët e tjera në atë linjë prodhimi?


 Përgjigje: Nuk lejohet pjesëmarrja ose përfshirja në prodhimin e pijeve dehëse.


 263. Pyetje: Një ndërtues musliman kontaktohet për ndërtimin e një objekti kulti nga jomuslimanët në një vend jomusliman. A i lejohet atij ta pranojë ofertën?


 Përgjigje: Nuk i lejohet, sepse përfshin përhapjen e feve të gabuara.


 264. Pyetje: Një kaligrafist musliman kontaktohet për ngritjen e një tabele që reklamon pije dehëse, ose për një mbrëmje kërcimi gjatë tërë natës, ose për një restorant që shërben mish thiu. A i lejohet atij t`i pranojë këto punë?


 Përgjigje: Nuk i lejohet, sepse kjo përfshin reklamimin e veprave të pahijshme dhe promovimin e imoralitetit.


 265. Pyetje: A është e lejueshme të blihen mallra nga kompani që ndajnë një pjesë të fitimeve të tyre për të mbështetur Izraelin?


Përgjigje: Ne nuk e lejojmë këtë.


 266. Pyetje: Një musliman blen një ndërtesë, por nuk e di se ajo përmban një lokal, kontratën e të cilit ai nuk mund ta ndërpresë [përpara skadimit të saj]. Pastaj e mëson këtë fakt.


 (a) A i lejohet të marrë qeranë e lokalit nga qeramarrësi?
(b) Nëse jo, a i lejohet ta marrë qeranë me lejen e muxhtehidit? Ose nën ndonjë pretekst tjetër?


(c) Nëse pandehim se ai e dinte për lokalin përpara se të hynte në ndërtesë, a i lejohet ta blejë ndërtesën duke e ditur se ai nuk mund ta ndërpresë qeranë e pronarit të lokalit?


Përgjigje:
(a) Atij nuk i lejohet ta marrë qeranë në këmbim të lëshimit të atij vendi si lokal.


(b) Duke qenë se ai zotëron të drejtën e dhënies së atij vendi me qera për përdorim të lejuar, atij i lejohet të marrë (nga të hollat që i jepen si qera për lokalin) një sasi që është e drejtë e tija. Nëse qeramarrësi është jomusliman, pronari mund t`i marrë lekët, por jo si qera [lokali].


(c) Atij i lejohet ta blejë ndërtesën, edhe sikur të jetë në dijeni për huamarrësin e përmendur dhe faktin se ai nuk mund ta ndërpresë kontratën.


 267. Pyetje: A i lejohet një biznismeni musliman të punësojë jomuslimanë në biznesin e tij, edhe nëse ka muslimanë të cilët kanë nevojë për punë?


 Përgjigje: E parë në vetvete, lejohet; por mbështetur në kërkesat e vëllazërisë islame dhe të drejtat e muslimanëve ndaj njëri tjetrit, është më mirë që ai të zgjedhë një musliman para jomuslimanëve, për sa kohë që kjo të mos jetë problem.


 268. Pyetje: A lejohet puna si shitës ose arkëtar në dyqane që shesin revista pornografike? A lejohet tregtimi me këtë lloj revistash? Po shtypja e tyre?


 Përgjigje: Asnjë prej këtyre nuk është e lejueshme sepse ato promovojnë veprime të ndaluara dhe përhapin imoralitet.


 269. Pyetje: Një musliman punon në një vend jomusliman, në një zyrë private, ose qeveritare, ose me kontratë, për një projekt specifik ku paguhet me orë. A i lejohet atij të tresë disa orë punë ose të punojë me pakujdesi apo ta shtyjë me qëllim punën? A meriton pagë të plotë ai?


Përgjigje: Kjo nuk lejohet; nëse e bën, atij nuk i takon rrogë e plotë.


 270. Pyetje: Disa muslimanë tregtojnë dorëshkrime kur`anore, të cilat i importojnë nga vendet muslimane. A lejohet kjo? Nëse pengesa në shitje qëndron tek ligji që ndalon shitjen e Kur`anit jomuslimanëve, a është e mundur që ky kusht të mospërfillet, në mënyrë që kjo tregti të jetë e ligjshme? Nëse jo, si mund ta kapërcejmë këtë kusht?


 Përgjigje: Ne nuk e lejojmë këtë, pasi dëmton trashëgiminë [intelektuale dhe kulturore] të muslimanëve dhe burimet e tyre.


 271. Pyetje: A lejohet tregtimi i dorëshkrimeve, punimeve artistike dhe veprave islame të artit, duke i importuar nga vendet muslimane, për t`i shitur me çmime të larta në vendet evropiane, për shembull? Apo konsiderohet dëmtuese për trashëgiminë islame, duke mos qenë kësisoj e lejuar?


 Përgjigje: Ne nuk e lejojmë këtë, për arsyen e përmendur më herët.


 272. Pyetje: Disa netëve, klubet mbushen me klientë jomuslimanë që zakonisht dehen dhe dalin pastaj për të kërkuar restorante, ku të hanë darkën. A i lejohet muslimanit të punojë në restorante të tilla e t`u shërbejë ushqim klientëve të pirë njëlloj si atyre esëll? A përbën mëkat kjo, nëse ai ushqim i lejuar ndihmon në uljen e efektit të dehjes ose një efekti të ngjashëm?


 Përgjigje: E parë në vetvete, nuk ka problem me këtë gjë.


 273. Pyetje: A i lejohet muslimanit t`i shesë mish derri atyre që besojnë se e kanë të lejuar, sikurse të krishterët?


Përgjigje: Tregtimi me mish derri nuk është aspak i lejuar.


 274. Pyetje: A lejohet puna në një dyqan që shet mish derri në kuptimin që përgjegjësi musliman i kërkon njërit prej të punësuarve që t`i shesë mish derri myshteriut?


 Përgjigje: Nuk lejohet shitja e mishit të derrit, madje edhe atyre që e konsiderojnë të ligjshëm, qoftë drejtpërsëdrejti apo me ndërmjetës. Ndërsa mbajtja e mishit të derrit për ata që e konsiderojnë të lejuar është problematike; megjithatë, mbështetur në kujdes juridik, duhet hequr dorë prej saj.


 275. Pyetje: Një njeri e di me siguri se një ditë do të shohë një skenë haram në televizor ose në video. A e ka të lejuar atëherë që ta blejë?


 Përgjigje: Kjo arsye e detyron që të mos e blejë.


 276. Pyetje: Thatë se muslimanit i lejohet të blejë bileta loterie, nëse synon të japë ndihmesën në një kauzë bamirësie, pra duke mos patur si qëllim fitimin e çmimit. Tani, nëse një musliman synon t`i dhurojë një pjesë të çmimit të loterisë një kauze bamirësie që zgjedh kompania e loterisë, ndërsa pjesa tjetër e çmimit është me nijetin e fitimit të shpërblimit - a i lejohet atij ta blejë biletën e loterisë me këtë synim?


Përgjigje: Nuk i lejohet.


 277. Pyetje: A i lejohet një muslimani të pjekur dhe të përgjegjshëm që ta nxisë një fëmi që të blejë një biletë loterie e t`i kërkojë pastaj që t`ia dhurojë atij? A i lejohet atij t`i kërkojë një Ehlu`l-kitabi që t`i blejë një biletë, me qëllim ftimin e çmimit?


 Përgjigje: Ndalesa nuk hiqet nga cilado prej këtyre, sepse rregulla e shkaktimit ose delegimit [për blerjen e biletës] është njëlloj si ta kryesh drejtpërsëdrejti.


 278. Pyetje: A lejohet blerja e mjaltit, për shembull, që përmban një biletë loterie, duke synuar fitimin e mundshëm të saj, gjatë blerjes?


 Përgjigje: Lejohet, nëse çmimi total është për mjaltin e jo për fitimin e mundshëm.


 279. Pyetje: Një musliman fiton një çmim loterie dhe pastaj vendos t`ia dhurojë një pjesë të tij një organizate bamirëse. A i lejohet organizate ta pranojë sasinë e të hollave [ose artikullin e fituar] dhe ta përdorë për mirëqenien e muslimanëve? Dhe a ka ndryshim nëse nijeti i fituesit që nga fillimi ka qenë që ta përdorë një pjesë të çmimit për mirëqenien e muslimanëve?


 Përgjigje: Nëse çmimi u takon atyre që e kanë pasurinë jo të shenjtë [në Islam], lejohet që ta përdorë.


 280. Pyetje: Nëse fituesi i një loterie kryen haxhin me çmimin e saj, a vlen haxhi i tij?


 Përgjigje: Gjykimi është i qartë nga përgjigjja e pyetjes së fundit.


 281. Pyetje: Nëse një organizëm zullumqar dhe uzurpues i jep një sasi të hollash një muslimani [që ta shpenzojë për haxh], cili është statusi i haxhit të tij?

Përgjigje: Nëse nuk dihet që ajo sasi konkrete të hollash është arritur në mënyrë të paligjshme, marrësi nuk duhet të shqetësohet pse dhënësi është zullumqar apo uzurpues.


 282. Pyetje: A lejohet puna në një restorant ku shërbehen pije dehëse, nëse punëtori nuk i shërben ato vetë; porse megjithatë nganjëherë ndodh që të lajë takëmet [ku janë shërbyer pijet]?


 Përgjigje: Nëse larja e takëmeve të përdorura për pijet dehëse konsiderohet si hap i parë në pirjen dhe shërbimin e tyre ndaj klientëve, atëherë ndalohet.


 283. Pyetje: Një musliman i përkushtuar ndaj promovimit të fesë së tij detyrohet të punojë në një departament qeveritar në Perëndim; gjë që mund të çojë në kryerje veprash të ndaluara. Ai e bën këtë me shpresën se në të ardhmen do të ketë ndikim më të madh në atë departament, duke i shërbyer në këtë mënyrë fesë dhe duke e konsideruar këtë shërbesë më të rëndësishme sesa kryerja e veprave të ndaluara. A i lejohet kjo atij?


Përgjigje: Nuk lejohet kryerja e një vepre të ndaluar vetëm për pritshmëritë e ardhshme [pozitive].


 284. Pyetje: A i lejohet një të diplomuari në juridik që të bëhet jurist në një vend jomusliman duke iu përmbajtur ligjeve të atij vendi dhe duke marrë përsipër rastet gjyqësore të muslimanëve, duke qenë se qëllimi i tij është tërheqja e rasteve pavarësisht nga natyra e tyre?


 Përgjigje: Nëse nuk përfshin dhunimin e të drejtës ose gënjeshtrën ose veprime të tjera të ndaluara, nuk ka asnjë problem.


 285. Pyetje: A i lejohet një të diplomuari në juridik të bëhet gjykatës në vende jomuslimane, në të cilat vepron sipas ligjeve të tyre?

Përgjigje: Nuk është e lejueshme të administrohet gjykim për ata që nuk janë të kualifikuar dhe [nuk lejohet të gjykuarit] e mbështetur në ligje joislame.


 286. Pyetje: Një inxhinjer elektrik në një vend evropian thirret nganjëherë të instalojë ose riparojë sisteme adrese publike; nganjëherë këto vende janë mjedise për dëfrim të ndaluar [sipas Sheri`atit]. A i lejohet atij të përfshihet në një punë të tillë atje, duke e ditur se nëse e refuzon klientin, do t`i dëmtohet biznesi, duke mbetur pa myshterinj?


 Përgjigje: Lejohet.


 287. Pyetje: Një person punon në një restorant ku mund t`i kërkohet të shërbejë mish jo hallall ose edhe derr jomuslimanëve. Ju i jeni përgjigjur rastit të parë, por mbetet pyetja në lidhje me situatën e dytë, që përfshin shërbimin e derrit bashkë me mishin që nuk është hallall. A lejohet kjo? Nëse refuzon të shërbejë mish derri, ai mund të humbasë punën e të pushohet.


Përgjigje: Të shërbyerit e mishit të derrit edhe atyre që e konsiderojnë të lejuar është problem; mbështetur në kujdes të detyrueshëm, ai duhet shmangur.


 288. Pyetje: A i lejohet muslimanit të punojë në dyqane që shesin pije dehëse në një prej pjesëve të tyre, kur puna e tij është vetëm si arkëtar?


 Përgjigje: Atij i lejohet marrja e parave për artikujt jodehës si dhe dehës, nëse blerësit janë jomuslimanë.


 289. Pyetje: Një shtypshkronjë në Perëndim shtyp menutë e restoranteve, të cilat përmbajnë mish derri. A lejohet kjo? A i lejohet atij të shtypë reklama për klube dhe establishmente që ofrojnë dëfrim të ndaluar, kur e di mirë se biznesi i tij do të ndikohet nëse nuk shtyp lloje të tilla materialesh?


 Përgjigje: Nuk i lejohet, qoftë edhe po iu ndikua biznesi.


  




1. Puna për një qeveri në një vend musliman është vetë çështje problematike nga këndvështrimi fetar, përveçse kur bëhet fjalë për një qeveri islame. Kështu që rroga e marrë nga një qeveri e tillë nuk mund të bëhet e ligjshme pa leje nga muxhtehidi. Kjo është arsyeja për klauzolën "pa leje nga muxhtehidi" në përgjigjen e mësipërme. (shën. i përk.)


Bashkëveprimi në jetën shoqërore


 Hyrje


 Çdo shoqëri ka rrethanat e saja shoqërore - me traditat, formalitetet, vlerat dhe doket përkatëse. Është e natyrshme që vlerat dhe doket e shoqërive të huaja të dallojnë nga ato të shoqërive tona muslimane. Këto dallime e vënë muslimanin, që jeton në ato shoqëri, në gjendje të vazhdueshme mëdyshjeje për atë që i lejohet e atë që i ndalohet.


 Bërja pjesë në shoqëritë që kujdesen për vlerat perëndimore u imponon mërgimtarëve (nga vendet muslimane) qëndresën ndaj përthithjes në tiganin shkrirës të vlerave të reja, dhe mbrojtjen e vetes dhe të fëmijëve të tyre nga shkrirja në të. Kjo ka prirje t`ua shtojë vështirësitë për ta mbrojtur veten, familjen dhe fëmijët nga ndikimet shkatërrimtare të shoqërive përkatëse.


 Rregulla të Përgjithshme


 Të Drejtat e të Afërmve


 290.Ruajtja e lidhjeve me të afërmit(silaturrahim) është e detyrueshme për muslimanët dhe ndërprerja e këtyre marrëdhënieve (kat`ur rahim) është ndër mëkatet madhore. Duke qenë se mbajtja e lidhjeve është e detyrueshme ndërsa ndërprerja e tyre mëkat i madh, për të cilin Zoti ka kërcënuar me Zjarr, nevoja e mbajtjes së lidhjeve bëhet më e rëndësishme në viset e huaja; dhe respektimi i kësaj detyre merr përparësi më të madhe në vende ku marrëdhëniet janë të pakta, familjet ndahen, lidhjet fetare gërryhen e vlerat materiale sundojnë. 


 Zoti Fuqiplotë e ka ndaluar ndërprerjen e lidhjeve me të afërmit, duke thënë në Librin e Tij Famëlartë: (Por nëse do të kishit gjë në dorë, do të bënit fesad mbi tokë dhe do t`i ndërprisnit lidhjet e farefisnisë. Këta janë që Zoti i ka mallkuar dhe i ka bërë të shurdhët e të verbër). (47:22)

Imam `Aliu ka thënë: "Një familjeje të bashkuar, pjesëtarët e së cilës mbështesin njëri tjetrin, Zoti ia shton rrizkun, qofshin edhe mëkatarë; një familjeje të ndarë, pjesëtarët e së cilës ndërpresin lidhjet me njëri tjetrin, Zoti i privon, qofshin edhe të devotshëm."(1)


Është transmetuar nga Imami el-Bakir se: "Në librin e `Aliut [shkruhet]: `Janë tri tipare, zotëruesi i të cilave nuk vdes pa ua parë sherrin: kurorëshkelja, ndërprerja e lidhjeve familjare dhe betimi i rremë në të cilin përmendet emri i Allahut. Vërtet, vepra e mirë që tërheq shpërblime është mbajtja e lidhjeve me të afërmit. Disa njerëz mund të jenë mëkatarë, porse i ruajnë lidhjet me njëri tjetrin, kështu që pasuria e tyre rritet dhe ata gëzojnë mirëqenie. Vërtet, betimi i rremë dhe ndërprerja e marrëdhënieve do t`i shkatërrojë qendrat e banuara."(2)


 291. Është haram të ndërpritet marëdhënia me të afërmin, edhe sikur ai t`i ketë ndërprerë [me ty]. Kjo është haram edhe sikur personi në fjalë të jetë mospërfillës i namazit, pijanec dhe që i merr disa urdhëresa fetare me të lehtë (p.sh. duke mos vënë hixhabin, etj) aq sa nuk ia vlen të këshillohet ose paralajmërohet. Kjo ndalesë bie vetëm kur mbajtja e lidhjeve e inkurajon të afërmin në sjellje amorale.  


 Pejgamberi ynë fisnik Muhammedi (s.a.w) ka thënë: "Virtyti më i mirë është ruajtja e marrëdhënieve me atë që i ka ndërprerë; dhënia e lëmoshës ndaj atij që ta ka mohuar [ndihmën]; dhe të falurit e atij që të ka bërë zullum."(3) Ai ka thënë gjithashtu: "Mos i ndërprisni lidhjet me të afërmit edhe po t`i ndërpresin ata me ju."(4)


 292. Minimumi i asaj që mund të bëjë muslimani (brenda mundësisë dhe lehtësisë) për të ruajtur lidhjet me të afërmit është t`i vizitojë e t`i takojë; ose të pyesë për mirëqenien e tyre, qoftë edhe nga larg [me telefon, etj].


 Pejgamberi ynë i ndershëm Muhammedi (s.a.w.) ka thënë: "Vepra e mirë që sjell shpërblim më shpejt është mbajtja e lidhjeve me të afërmit."(5) Imam `Aliu ka thënë: "Mbajini lidhjet me të afërmit, qoftë edhe me përshëndetje. Zoti Fuqiplotë thotë: (Jini të kujdesshëm ndaj (detyrës suaj karshi) Zotit, me të cilin i kërkoni hakun tuaj njëri tjetrit, dhe të afërmve; sigurisht, Zoti ju vëzhgon përherë) (4:1)."(6)


Imam Sadiku ka thënë: "Ruajtja e lidhjeve dhe bamirësia e bëjnë llogaridhënien [e Ditës së Gjykimit] të thjeshtë dhe mbrojnë nga mëkatet. Ndaj, ruajini lidhjet me të afërmit dhe jini bamirës ndaj vëllezërve tuaj, qoftë edhe duke i përshëndetur mirësisht dhe përgjigjur përshëndetjes."(7)


 Prindërit


 293. Lloji më serioz i ndërprerjes së lidhjeve është shqetësimi (`uk?k) i prindërve, ndaj të cilëve Zoti Fuqiplotë ka urdhëruar mirësi e dhimbsuri. Fuqiploti thotë në Librin e tij Fisnik: (Dhe Zoti juaj urdhëron që të mos adhuroni tjetër veç Tij e të jeni të butë ndaj prindërve. Nëse ndonjëri ose të dy mbërrijnë moshë të thyer me ju, mos u thoni as `uf` e as mos i qortoni, dhe thuajuni fjalë të mirë!) (17:23)


Imami [`Ali] thotë: "Lloji më i ulët i `uk?kut është të thuash `uf`. Sikur të kishte ndonjë më të vogël se ai, Zoti Fuqiplotë do ta kishte ndaluar patjetër."(8)


Imam Sadiku ka thënë: "Kujtdo që i vështron prindërit e vet me urrejtje, edhe sikur të kenë qenë të padrejtë ndaj tij, Zoti nuk do t`ia pranojë namazin." Hadithe të tilla ka plot.(9)


 294. Ndryshe prej kësaj është qenia i sjellshëm ndaj prindërve, e cila përbën mjetin më të mirë për arritjen e kënaqësisë së Zotit Fuqiplotë. Ai ka thënë në Kur`anin Famëlartë: (... dhe uli për ta krahët e përulësisë me mëshirë, e thuaj: `Zoti im! Mëshiroji ata siç më kanë ushqyer mua kur isha foshnjë.) (17:24)


Ibrahim bin Shu`ajbi ka treguar se ai i tha Imam Sadikut: "Im atë është plakur e dobësuar shumë, kështu që na duhet ta mbartim [për në banjo], kur ka nevojë." Ai tha: "Nëse mund ta ndihmoni në këtë, atëherë bëjeni, dhe ndihmojeni me dorën tuaj sepse ky [shërbim] do t`ju jetë mburojë [ndaj zjarrit të Skëterrës] nesër [në ahiret]."(10)

Mbajtja e lidhjeve me nënën përpara babait është përmendur në shumë hadithe fisnike. Imam Sadiku ka thënë: "Një person erdhi te Pejgamberi (s.a.w) e i tha: `O i Dërguari i Zotit! Kujt duhet t`i tregoj nderim familjar (birr)?` Profeti u përgjigj: `Nënës tënde.` Pastaj personi pyeti: `Po atëherë?` I Dërguari u përgjigj: `Nënës tënde.` Atëherë personi pyeti: `Po pastaj?` Pejgamberi i tha: `Nënës tënde.` Pastaj ai pyeti: `Po pastaj` dhe atëherë Profeti i tha: `Babain tënd.`(11) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 295. Në disa hadithe është përmendur e drejta e vëllait më të madh ndaj të voglit. Ajo duhet zbatuar dhe respektuar për të forcuar lidhjet e vëllazërisë brenda një familjeje dhe për të garantuar mbijetimin e saj si strukturë e fortë dhe e mirëlidhur, kur të kalojë kohë të vështira. Pejgamberi Muhammed (s.a.w) ka thënë: "E drejta e vëllait më të madh ndaj të voglit është si e drejta e babait ndaj fëmijës."(12)


 296. Me përjashtim të kujdestarit të fëmijës ose dikujt të autorizuar prej tij, askujt nuk i lejohet të dënojë një fëmijë kur kryen një veprim të ndaluar ose lëndon të tjerët. Kujdestari dhe i autorizuari prej tij lejohen ta disiplinojnë fëmijën. [Megjithatë, ka kufij që duhen respektuar:] veprimi i goditjes, nëse ndodh, duhet të jetë i lehtë, jo agonizues, dhe i tillë që të mos i lërë shenja në lëkurë; ai nuk duhet ta godasë fëmijën më shumë se tri herë dhe kjo vetëm kur disiplinimi i tij varet nga ndëshkimi trupor.


 Prandaj, vëllai i madh nuk ka të drejtë ta godasë të voglin, përveç nëse është kujdestari ligjor i fëmijës ose është autorizuar prej tij. Nuk lejohet assesi që të goditet nxënësi në shkollë pa lejen e kujdestarëve të tij ose dikuj të autorizuar prej tyre. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 297. Nuk lejohet të goditet një fëmijë baligh [që e ka arritur pubertetin] për ta ndaluar nga një veprim i keq, përveçse në përputhje me kushtet e el-amru bi`l-ma`ruf we`n-nahi `ani`l-munker (urdhërimit të së mirës dhe ndalimit nga e keqja), me lejen e autoritetit fetar. Mbështetur në kujdesin e detyrueshëm, një fëmijë baligh nuk duhet goditur aspak.


 Të moshuarit


 298. Respektimi i të Moshuarve: Pejgamberi fisnik Muhammedi (s.a.w.) na ka kërkuar t`i respektojmë dhe nderojmë të moshuarit. Ai ka thënë: "Personin që ia njeh virtytin një të moshuari dhe e nderon për moshën e tij, Zoti do ta mbrojë nga frika në Ditën e Gjykimit."(13) Ai ka thënë gjithashtu: "Një mënyrë për ta lartësuar Zotin Fuqiplotë është nderimi i besimtarit mjekërbardhë." (14)


 Të Vizituarit e Njëri Tjetrit


 299. Shumë hadithe fisnike nga Pejgamberi (s.a.w) dhe Imamët kanë theksuar idenë e vizitimit të njëri tjetrit, mbajtjen e marrëdhënieve të përzemërta mes besimtarëve, gazmendjes së besimtarëve, përmbushjes së nevojave të tyre, të vizituarit e të sëmurëve të tyre, pjesëmarrjen në xhenazet e tyre dhe të ndihmuarit e tyre në të mirë e në të keq. Imam Sadiku ka thënë: "Kujtdo që e viziton vëllain e vet për hir të Zotit, Zoti Fuqiplotë do t`i thotë: `Më ke bërë vizitë Mua, ndaj shpërblimi yt është detyrë e Imja, dhe nuk do të kënaqem me shpërblim më të vogël për ty sesa Xhenneti`."(15)


 Imami i tha Khajthemit: "Përcillua përshëndetjet tona atyre që na duan dhe këshilloji t`i druhen Zotit dhe që të kamurit e të fortit mes tyre t`i vizitojnë të skamurit e të dobtit; të marrin pjesë në xhenazet e tyre dhe të takohen nëpër shtëpitë e tyre."(16)


 Fqinji


 300. E drejta e fqinjit është e afërt [për nga rëndësia] më atë të farefisit. Fqinji musliman dhe fqinji jomusliman janë të barabartë në këtë të drejtë sepse i Dërguari i Zotit (s.a.w) ka vendosur të drejtën e fqinjit jomusliman kur tha: "Ka tri lloje fqinjësh: 1. Disa prej tyre kanë tri të drejta [mbi ju]: të drejtën e Islamit, të drejtën e fqinjësisë dhe të drejtën e afërsisë. 2. Disa kanë dy të drejta: të drejtën e Islamit dhe të drejtën e fqinjësisë. 3. Disa kanë vetëm një të drejtë: jomuslimani që ka të drejtën e fqinjësisë."(17) Pejgamberi ka thënë: "Veprimi më i mirë fqinjësor është të jesh besnik ndaj fqinjëve."(18)

Në këshillën që Imam `Aliu i dha Imam Hasanit dhe Imam Huseinit, pasi që Ibn Mulxhimi i mallkuar e plagosi, ai foli edhe për fqinjët: "Kujdes ndaj [detyrës tuaj karshi] Zotit në lidhje me fqinjët e juaj sepse kjo ishte këshilla e Pejgamberit tuaj, i cili fliste pareshtur për ta aq sa menduam se mund të na i bënte pjesëtarë në trashëgimi."(19) Imam Sadiku ka thënë: "I mallkuar, i mallkuar është ai që e shqetëson fqinjin."(20) Ai ka thënë gjithashtu: "Ai që nuk ka marrëdhënie të mira fqinjësie me komshijtë nuk është prej nesh."(21) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 301. Ndër cilësitë e mira të besimtarëve është ndjekja e shembullit të karakterit fisnik të Pejgamberit Muhammed (s.a.w), të cilit Fuqiploti i është drejtuar në Librin e Tij, me fjalët: (Vërtet, ti je në nivel shumë të lartë karakteri fisnik) (68:4-6.)(22) I Dërguari i Zotit (s.a.w) ka thënë: "Asgjë më e mirë se karakteri i mirë nuk do vendoset në peshore Ditën e Gjykimit."(23) Njëherë, Pejgamberin e pyetën: "Kush është më i miri në iman nga besimtarët?" Ai u përgjigj: "Më i miri në karakter ndër ta." (24)


 Besnikëria


 302. Ndër cilësitë e besimtarëve të mirë është besnikëria në fjalë dhe vepra, dhe mbajtja e premtimit. Zoti Fuqiplotë e ka lëvduar Pejgamberin Isma`il a.s. duke thënë: (Ai ishte besnik në premtim dhe i dërguar, pejgamber) (19:54). Profeti fisnik ka thënë: "Kush beson në Zot dhe në Ditën e Gjykimit duhet ta përmbushë çfarëdo që premton." (25)


Rëndësia e besnikërisë dhe mbajtjes së premtimit theksohet edhe më tepër kur shohim se shumë jomuslimanë e gjykojnë Islamin nga veprimet e muslimanëve. Sa më shumë të mira të bëjë muslimani, aq më pozitivisht ua portretizon ai Islamin jomuslimanëve dhe sa më keq të veprojë, aq më negativisht e portretizon Islamin me sjelljen e tij të keqe.


 Bashkëshorti dhe Bashkëshortja


 303. Ndër cilësitë e një bashkëshorteje të mirë është përmbajtja nga shqetësimi, lëndimi dhe irritimi i bashkëshortit. Ndër cilësitë e mira të një bashkëshorti të mirë është përmbajtja nga shqetësimi, lëndimi dhe irritimi i bashkëshortes. Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Nëse një burrë ka një bashkëshorte që e shqetëson, Zoti nuk do t`ia pranojë asaj as namazin e as ndonjë prej veprave të mira - gjersa ta ketë kënaqur atë - edhe po të agjërojë dhe të falet tërë kohën, të lirojë robër dhe të japë pasuri si sadaka për hir të Zotit. Ajo do të jetë e para që do të hyjnë në Skëterrë." Pastaj shtoi: "Dhe bashkëshorti ka të njëjtën barrë e ndëshkim, nëse është shqetësues dhe i padrejtë [në sjelljen e tij ndaj bashkëshortes]."(26)


 Miqësia me jomuslimanët


 304. Muslimanit i lejohet të shoqërohet e miqësohet me jomuslimanët, të jetë i sinqertë ndaj tyre dhe ata të sinqertë ndaj tij, të ndihmohen me njëri tjetrin në përmbushjen e nevojave të kësaj jete. Zoti Fuqiplotë ka thënë në Librin e Tij fisnik: (Zoti nuk ju ndalon në lidhje me ata që nuk ju kanë luftuar për shkak të fesë dhe nuk ju kanë përzënë nga shtëpitë, që t`u tregoni mirësi e të veproni drejtësisht me ta; sigurisht, Zoti i do bërësit e së drejtës.) (60:8)


Kur këto lloje miqësishë prodhojnë rezultate të mira, ato garantojnë që miku, fqinji ose kolegu apo ortaku jomusliman të njihet me vlerat e Islamit dhe kjo do ta afrojë me tej me këtë fe të drejtë. Pejgamberi (s.a.w) i ka thënë Imam `Aliut: "Sikur Zoti të udhëzojë përmes teje një person të vetëm nga mesi i shërbëtorëve të Tij, kjo është më mirë për ty se gjithçka mbi të cilën ndriçon dielli nga Lindja në Perëndim."(27) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 305. Lejohet përshëndetja e Ehlu`l-kitabëve (të krishterëve dhe çifutëve) si dhe të atyre që nuk janë Ehlu`l-kitabë në rastet kur festojnë, sikurse Viti i Ri, Krishtlindjet, Pashkët.


 El-Amr bi `l-ma`ruf dhe en-nahi `ani `l-munker


 306. Urdhërimi i të mirës e ndalimi i të keqes janë rituale të detyrueshme, kurdo që të ekzistojë mundësia, për të gjithë besimtarët e besimtaret. Zoti Fuqiplotë ka thënë në Librin e Tij fisnik: (Një grup nga ju duhet të thërrasë për mirë, duke urdhëruar të mirën e ndaluar të keqen; ata janë të suksesshmit) (3:104) Ai ka thënë gjithashtu: (Besimtarët e besimtaret janë ndihmues të njëri tjetrit, urdhërojnë të mirën e ndalojnë nga e keqja). (9:71)


Pejgamberi ynë fisnik Muhammedi (s.a.w.) ka thënë: "Bashkësia ime do të vazhdojë të jetë e bekuar për sa kohë të vazhdojnë të urdhërojnë të mirën e të ndalojnë të keqen, duke ndihmuar njëri tjetrin në mirësi. Kur të mos e bëjnë këtë, atyre do t`u tërhiqen mirësitë, dhe disa prej tyre do të kenë hegjemoni ndaj të tjerëve; e ata nuk do të gjejnë ndihmues as në tokë as në qiell."(28)

Imam Xha`fer es-Sadiku citon se i Dërguari i Zotit (s.a.w) ka thënë: "Si do ju vejë halli kur t`ju shthuren gratë e t`ju prishen të rinjtë, ndërsa ju nuk do të urdhëroni për mirë e ndaloni nga e keqja?" Ata i thanë: "A do të ndodhë kjo, O i Dërguar i Zotit?" Ai u përgjigj: "Po, madje edhe më keq se kaq. Si do t`ju vejë halli kur të urdhëroni për keq e të ndaloni nga e mira?" E pyetën: "O i Dërguari i Zotit! A do të ndodhë kjo me të vërtetë?" Ai tha: "Po, madje edhe më keq. Si do t`ju vejë halli kur ta shihni të mirën si të keqe e të keqen si të mirë?"(29)


Këto dy detyra bëhen më urgjente kur shpërfillësi i së mirës ose vepruesi i së keqes është prej anëtarëve të familjes suaj. Mund të gjeni dikë në familje që i mospërfill disa obligime ose i merr me të lehtë; apo që e kryen ghuslin ose tejemmumin gabim, ose që nuk e pastron trupin dhe rrobat siç duhet nga papastërtitë. Ose që nuk i këndon dy suret dhe recitimet e detyrueshme në namaz siç duhet; ose që nuk e pastron pasurinë e tij duke dhënë khumsin e zekatin.


 Mund të gjeni dikë në familje që kryen mëkate si masturbimi ose kumari ose dëgjimi i këngëve apo pirja e pijeve dehëse dhe ngrënia e mishit haram, ose marrja e pronës së njerëzve në mënyrë të ndaluar, mashtrimi ose vjedhja. Mund të gjeni ndonjë nga gratë në familje që nuk mban hixhab, nuk i fsheh flokët e saja ose nuk e heq llakun e thonjve kur merr abdes apo ghusl. Mund të gjeni madje mes tyre edhe dikë që vesh parfum për tjetërkënd pos burrit të saj dhe nuk i fsheh flokët ose trupin nga sytë e kushërinjve, kunatit, ose shokut të burrit, me justifikimin se jetojnë në të njëjtën shtëpi, ose që e ka si vëlla apo shfajsime të ngjashme pa bazë.


Mund të gjeni dikë në familje që e ka bërë zakon gënjeshtrën, përgojimin dhe shkeljen e të drejtave të të tjerëve, uzurpon pasurinë e njerëzve, mbështet zullumqarët në veprimtaritë e tyre të padrejta, shqetëson fqinjin etj.


 Nëse ndesheni me situata të tilla, duhet të urdhëroni për mirë e të ndaloni nga e keqja duke zbatuar dy metodat e para: shprehjen e pakënaqësisë tuaj për situatën dhe pastaj të folurit rreth saj. Nëse këto dy metoda nuk funksionojnë, atëherë zbatoni metodën e tretë (pas marrjes së lejes nga muxhtehidi): masat praktike, që kalojnë nga të butat tek me të ashprat. Nëse ai person nuk i njeh rregullat fetare, është detyra juaj që t`ia mësoni, nëse kanë nijet të mësojnë e të veprojnë përkitazi.


 Mirësia ndaj Njerëzve


 307. Mirësia ndaj njerëzve, të gjithë njerëzve, është ndër ritualet e këshilluara nga feja jonë. I Dërguari (s.a.w) ka thënë: "Zoti im ka urdhëruar të jem i mirë ndaj njerëzve ashtu siç më ka urdhëruar të fal namazin e detyrueshëm." Ai ka thënë po ashtu: "Nëse dikush nuk i ka këto tri gjëra, veprat e tija nuk janë të plota: mburojën [e përshpirtshme] që e ndalon nga mosbindja ndaj Zotit; karakterin fisnik me të cilin tregon mirësi ndaj njerëzve; dhe vetëpërmbajtje me anë të së cilës largon marrëzinë e injorantit."(30)

Mirësia nuk kufizohet te muslimanët. Tregohet se Imam `Aliu ndau rrugën njëherë me një jomusliman, udhës për në Kufa. Kur mbërritën në një udhëkryq, Imami eci me të për njëfarë largësie, përpara se t`i jepte lamtumirën. Jomuslimani e pyeti që përse e bëri atë largësi shtesë dhe Imami u përgjigj: "Kjo është e drejta e shoqëruesit: ta përcjellësh për njëfarë largësie kur ndaheni. Kështu na ka urdhëruar Pejgamberi ynë."(31) Ai njeri pranoi Islamin për shkak të këtij gjesti fisnik.

Sha`biu ka treguar një ndodhi interesante të Imam `Aliut me një prej vartësve të tij jomuslimanë. Ai thotë se një ditë `Ali ibn Ebi Talibi shkoi në pazar dhe pa një të krishterë duke shitur një mbajtëse armësh. `Aliu e njohu mbajtësen e i tha shitësit: "Kjo është parzmorja ime; eja të shkojmë te kadiu." Kadiu ishte Shurejhu, të cilin e kishte emëruar në atë post vetë `Aliu.


 Kur shkuan të Shurejhu, ai tha: "Si është puna, O Emiru`l-mu`minin?" `Aliu tha: "Kjo është mbajtësja ime e armëve dhe më ka humbur tash sa kohë." Shurejhu e pyeti shitësin: "O i krishterë, çfarë ke për të thënë?" Shitësi i krishterë tha: "Nuk po e akuzoj Emiru`l-mu`mininin se gënjen, por mbajtësja e armëve është pronë e imja." Kështu që Shurejhu iu kthye `Aliut dhe tha: "Nuk shoh [ndonjë arsye] përse mund t`ia merrësh. A ke ndonjë provë?" Meqë nuk kishte ansjë provë, `Aliu tha: "Shurejhu ka të drejtë"(32)

Me të dëgjuar gjykimin e kadiut, shitësi kristian tha: "Dëshmoj se këto janë ligjet e profetëve; Prijësi i Besimtarëve vjen te kadiu i emëruar prej tij e kadiu jep vendim kundër tij! Pasha Zotin, o Emiru`l-mu`minin, kjo mbajtëse armësh është e jotja - unë të ndoqa në ushtri dhe mbajtësja e armëve ra nga deveja jote, dhe e mora. Dëshmoj se nuk ka zot përveçse Zoti dhe se Muhammedi është i Dërguari i Zotit." `Aliu tha: "Tani që je bërë musliman, ajo të përket ty." Pastaj e vendosi në kalë. Sha`biu tregon se ai e pa më vonë të luftonte kundër jomuslimanëve. Ky version i hadithit është transmetuar nga Ebu Zekerijja.(33)

Po kështu, nga Emiru`l-mu`minin `Aliu na ka mbërritur ajo që mund të konsiderohet si preçedent historik i sigurimit shoqëror, që sot ushtrohet aq rëndom në botën perëndimore. `Aliu nuk bënte dallim midis muslimanit e jomuslimanit në shtetin islam. Transmetuesi thotë se, një ditë, një i verbër i kaloi pranë Imamit duke lypur. Imam `Aliu pyeti: "Çfarë është kjo?" Ata që ishin me të i thanë: "O Emiru`l-mu`minin, është një i krishterë!" Imam `Aliu u përgjigj: "E keni përdorur gjersa është plakur dhe e kanë lënë fuqitë e tani e privoni [nga të mirat]! Sigurojani nevojat nga arka e shtetit."(34) Nga Imam Sadiku është transmetuar gjithashtu që: "Nëse një çifut vjen të ulet pranë jush, bëjeni atë një takim të mirë." (35)


 Të Bërit paqe mes Njerëzve


 308. Bërja e paqes mes njerëzve, pajtimi i mosmarrëveshjeve të tyre, miqësimi i tyre me njëri tjetrin dhe ngushtimi i hendekut të mospajtimit mes tyre ka shpërblime të mëdha. Aq më tepër kur të bërit e paqes bëhet në një vend jomusliman, larg atdheut, familjes, të afërmve dhe miqve. Imam `Aliu i ka dhënë ca këshilla të birve, Hasanit e Huseinit, pak përpara se të vdiste nga plaga që i kishte shkaktuar kharixhiu Ibn Mulxhim al-Muradi. Ai tha: "Ju këshilloj ju të dy, të gjithë fëmijët e mi dhe pjesëtarët e familjes, dhe këdo që mbërrin kjo letër t`i druheni Zotit, të organizoheni në punët e juaja, e të bëni paqe sepse e kam dëgjuar gjyshin tuaj të thoshte: `Të bërit paqe është më mirë se një vit namaz e agjërim`."(36)


 Këshilla e sinqertë për vëllezërit muslimanë


 309. Këshilla e sinqertë - pra të dëshirosh që bekimet e Zotit të vazhdojnë për vëllezërit besimtarë, të mospëlqesh që t`i godasë fatkeqësia e të ushtrosh përpjekje t`i udhëzosh në ç`është e mirë për ta - është ndër veprat që Fuqiploti i do më shumë.


 Ka hadithe të panumërta mbi rëndësinë e këshillës së sinqertë.Për shembull, Pejgamberi (s.a.w.) ka thënë: "Personi me statusin më të lartë te Zoti në Ditën e Gjykimit do të jetë ai që ka punuar më shumë në tokën e Tij për t`i këshilluar sinqerisht krijesat e Tij."(37) Imam Bakiri ka transmetuar se i Dërguari i Zotit (s.a.w.) ka thënë: "Njëri nga ju duhet t`i japë këshillë të sinqertë vëllait të vet në besim, tamam sikur të këshillonte veten."(38) Imam Sadiku ka thënë: "Besimtari duhet ta këshillojë sinqerisht besimtarin në prani si dhe në mungesë."(39) Ai gjithashtu ka thënë: "Kujdes këshillimin e sinqertë të krijesave të Zotit për hir të Tij, sepse nuk mund ta takoni Zotin me ndonjë vepër më të mirë se këtë." (40)


 Spiunimi


 310. Spiunimi - pra, përgjimi për të marrë të dhëna dhe turpëruar njerëzit - ndalohet në ligjet islame. Zoti Fuqiplotë thotë në Librin e Tij: (O ju që keni besuar, përmbahuni nga shumica e dyshimeve, sepse disa prej tyre janë mëkat; dhe mos spiunoni...) (49:12)


Is`hak bin `Ammari, një shoqërues i Imam Sadikut, ka treguar: "E kam dëgjuar Sadikun duke thënë: ` I Dërguari i Zotit (s.a.w) ka porositur: `O ju që keni pranuar Islamin me gjuhë e besimi s`ju ka hyrë në zemra! Mos i diskreditoni muslimanët e as mos ua nxirrni dobësitë, sepse kujtdo që ua nxjerr atyre të metat, Zoti do t`ia nxjerrë të tijat; dhe ai, dobësitë e të cilit nxirren nga Zoti do të turpërohet patjetër, edhe në qëndroftë brenda shtëpisë`."(41)


 Përgojimi, Namímeh


 311. Përgojimi nënkupton "të folurit keq për të besimtarin në mungesë, me qëllim diskreditimin e tij ose jo, pavarësisht nëse të metat e pretenduara kanë të bëjnë me trupin, prejardhjen, sjelljen, veprat, fjalët, fenë, jetën apo mangësi të tjera që [zakonisht] janë të fshehura prej njerëzve. Po kështu, nuk ka rëndësi nëse përshkrimi është bërë me fjalë apo me gjeste."(42)


Zoti Fuqiplotë e ka dënuar përgojimin në Librin e Tij Fisnik dhe e ka përshkruar në terma që e bëjnë trupin dhe mendjen të pështiren prej tij: (E disa nga ju nuk duhet t`i përgojojnë të tjerët: a do të donte ndokush nga ju të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Jo pra, ju e urreni këtë). (49:12)

Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Kujdes nga përgojimi sepse ai është më i keq se zinaja, në atë që personi i cili kryen zina mund të pendohet dhe të kërkojë falje nga Zoti e Ai ta falë, ndërsa Zoti nuk do ta falë përgojuesin pa e falur i përgojuari."(43)


Muslimanit nuk i ka hije të dëgjojë përgojimin e vëllait të vet besimtar. Vërtet, hadithet e Pejgamberit (s.a.w) dhe thëniet e Imamëve na thonë se ai që dëgjon përgojimin e ka për detyrë ta mbrojë të përgojuarin; e nëse nuk e kundërshton përgojimin, Zoti do ta braktisë në këtë botë dhe në tjetrën, e ai do të mbahet përgjegjës tamam si përgojuesi.


 312. Kur flasim rreth përgojimit, besimtarit i vjen në mendje një tjetër term fetar, i cili është ndauar po aq nga Islami, për hir të mbajtjes së shoqërisë tok. Ky është en-namineh, që do të thotë përhapja e përçarjes me pohime si: "filani tha kështu e ashtu për ty", me synim prishjen e marrëdhënies mes besimtarëve ose rritjen e mërisë mes tyre.


 I Dërguari i Zotit (s.a.w.) ka thënë: "A t`jua tregoj më të keqin ndër ju?" Njerëzit thanë: "Po, O i Dërguari i Zotit!" Ai tha: "Ata që përhapin fjalë shpifëse; ata që ndajnë miqtë."(44) Imam Bakiri ka thënë: "Xhenneti u është ndaluar përgojuesve dhe përhapësve të shpifjeve."(45)


 Po kështu, Imam Sadiku ka thënë: "Derdhësi i gjakut, alkoolisti dhe përhapësi i shpifjeve nuk do të hynë në Xhennet."(46)


 313. Dyshimi. Zoti i Gjithfuqishëm na i ka ndaluar mendimet dyshuese, duke thënë në Librin e Tij të shenjtë: (O ju që besoni, përmbahuni nga shumica e dyshimeve sepse disa dyshime janë mëkat!) (49:12)


 Sipas këtij ajeti fisnik, besimtarit nuk i lejohet të ketë mendime dyshuese për muslimanin pa asnjë provë ose dëshmi, sepse përveç Zotit askush nuk ia di mendimet e brendshme dikujt. Kështu që, përderisa të jetë e mundur që vepra e një besimtari të vihet në kontekstin e duhur, ne duhet ta bëjmë, këtë gjersa të vërtetohet e kundërta. Imam `Aliu ka thënë: "Vendoseni çështjen e vëllait tuaj në [kontekstin] më të mirë të mundshëm, gjersa të gjeni një provë bindëse [për të kundërtën]. E mos bartni mendime dyshuese për një fjalë që nxjerr vëllai juaj [në besim], kur keni një kontekst pozitiv për të."(47)


 Teprimi dhe Shpërdorimi


 314. Teprimi dhe shpërdorimi janë dy cilësi negative të dënuara nga Zoti Fuqiplotë. Ai thotë: (Hani e pini dhe mos shpërdoroni, sepse Ai nuk i do tretësit) (7:31) Ai i ka dënuar gjithashtu ata që merren me shpërdorim, duke thënë: (Vërtet, shpërdoruesit janë vëllezër të Shejtanit, dhe s`ka dyshim se Shejtani ishte mosmirënjohës ndaj Zotit të tij). (19:27)


Imam `Aliu i shkroi një letër Zijadit, në të cilën ai dënonte shpërdorimin dhe tretjen, duke i thënë: "Hiq dorë nga shkapërderdhja e mbaj masën! Çdo ditë mbaj mend tjetrën që vjen. Mbaj nga fondet atë që të nevojitet dhe veço pjesën e mbetur për ditën e ngushtisë. A kujton se Zoti mund të të japë shpërblimin e të përunjurit, kur je vetë arrogant përpara Tij dhe lakmon që Ai të të japë shpërblimin e bamirësve, ndërkohë që për vete shijon rehatitë dhe ua mohon ato të pafuqishmëve e të vejave? Sigurisht, njeriu shpërblehet sipas veprës dhe do ta marrë atë që ka nisur para." (48)


 Bamirësia


 315. Bamirësia për hir të Zotit: Zoti na ka inkurajuar në Librin e Tij fisnik që të japim sadaka për hir të Tij dhe e ka përshkruar atë si ujdi që nuk do të prishet kurrë. Ai thotë: (Ata që recitojnë Librin e Zotit, falin namazin dhe japin sadaka fshehtazi e haptazi nga ajo që u kemi dhuruar, shpresojnë për një ujdi që nuk prishet kurrë. Zoti do t`ua paguajë plotësisht shpërblimet e do t`u japë edhe më tepër nga hiri i Tij; vërtet, Ai është falës, Shumëfishues i shpërblimeve) (35:29-30).


 Në një sure tjetër, Ai thotë: (Kush don që t`i ofrojë Zotit një hua të mirë që Ai t`ia dyfishojë, me shpërblim të shkëlqyer. Atë ditë do t`i shihni besimtarët dhe besimtaret kur drita do t`u jetë përpara dhe në të djathtat anë [e t`u thuhet]: `sihariqe për ju sot: kopshte nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të banoni, kjo është arritja e madhe.`) (57:11-12)

Në dy ajete të tjera, Zoti na kujton të nxitojmë në dhënie sadakaje përpara se të na godasë vdekja: (Dhe jepni në bamirësi nga ajo që ju kemi falur përpara se ndonjërit prej jush t`i vijë vdekja e të thotë: `Zoti im! Përse nuk ma shtyve [vaktin] paksa, që të kisha dhënë sadaka e të kisha qenë prej vepërmirëve?` E Zoti nuk ia shtyn një shpirti kur t`i vijë vakti, dhe Zoti është i Vetëdijshëm për çka veproni) (63:10-11).


Pastaj Zoti qartëson përfundimin e atyre që grumbullojnë pasuri dhe nuk e harxhojnë në bamirësi për hir të Tij: ((Ndërsa) ata që grumbullojnë ar e argjend dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Zotit, njoftoji me një ndëshkim të dhimbshëm, ditën kur do të nxehet në zjarrin e Skëterrës, pastaj ballet e tyre dhe anët e tyre dhe shpinat e tyre do të damkosen me të; kjo është ajo që grumbulluat për vete, ndaj shijoni atë që mblodhët!) (9:34-35)

Imam `Aliu ishte shembulli i gjallë dhe trupëzimi tipik i vlerave të mëdha të Islamit; ai jepte sadaka çfarë t`i zinte dora, duke parapëlqyer përkorje në këtë botë kalimtare dhe shmangien e stolive dhe lukseve të saj, ndërkohë që kishte në dorë tërë thesarin publik të muslimanëve. [Në një letër drejtuar guvernatorit të tij në Basra] ai e përshkruan veten kështu: 


 "Po të doja, do mund t`i isha futur rrugës së mjaltit të kulluar, grurit të mirë dhe rrobave të mëndafshta, por pasionet e mia nuk me drejtojnë dot dhe lakmia ime nuk më bën dot të zgjedh gjellra të shijshme kur në Hixhaz e Jamameh ka njerëz që nuk shpresojnë të marrin bukë ose nuk hanë një vakt të plotë. A të shtrihem me barkun plot, kur rreth meje mund të ketë barqe të uritura e mëlçi të etura? Apo të jem si ai poeti që tha:


 Të mjafton si sëmundje shtrirja me barkun plot. Kur përreth teje njerëzit nuk kanë as mish të thatë.(49)


Nga Pejgamberi (s.a.w) dhe Imamët na kanë mbërritur thënie të ndryshme, që i përshkruajnë qartë dobitë e fituara nga dhënësi i sadakasë, jo vetëm në këtë dynja, por më shumë sesa pret, në (ditën kur nuk do i vlejnë as pasuria e as fëmija).


 Ndër shpërblimet e marra për këtë nga njeriu bujar është rrizku. Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Lëreni rrizkun t`ju rrjedhë [nga Zoti] nëpërmjet sadakasë!"(50) Shërimi i sëmundjeve është një tjetër përfitim që vjen nga bamirësia. Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Kurojini të sëmurët me sadaka."(51) Zgjatja e jetës dhe shmangia e vdekjes tragjike është një tjetër rezultat i dhënies së sadakasë. Imam Bakiri ka thënë: "Bamirësia dhe sadakaja asgjësojnë varfërinë, zgjasin jetën dhe e kursejnë bamirësin nga shtatëdhjetë lloje vdekjesh tragjike."(52) Shlyerja e borxheve dhe [rritja e] bereqetit janë gjithashtu ndër dobitë e dhënies për bamirësi. Imam Sadiku ka thënë: "Sadakaja sjell shlyerjen e borxheve e prodhimtarí!"(53) Fëmijët e një personi bujar merren në kujdes pas vdekjes së tij. Imam Sadiku ka thënë: "Askush nuk ka dhënë sadaka të mirë në këtë dynja pa ia furnizuar begatisht Zoti fëmijët pasi të niset [prej saj]."(54)

Imam Bakiri ka thënë: "Sikur të mund të kujdesesha për një familje muslimane, duke ia ushqyer të uriturit, veshurit të zbathurit dhe mbrotjur nderin në shoqëri [duke mos i lejuar të lypin], kjo do të ishte për mua më e pëlqyeshme se haxhi, haxhi, haxhi ... gjersa ta kryej shtatëdhjetë herë."(55) Bamirësia për hir të Zotit është temë e stërgjerë që nuk mbulohet dot në këtë trajtesë të shkurtër.(56)


 Dhurata për Anëtarët e Familjes


 316. I Dërguari i Zotit (s.a.w) i ka nxitur kryefamiljarët që të blejnë dhurata për familjet e tyre, për t`i gëzuar. Ibn `Abbasi transmeton se i Dërguari i Zotit (s.a.w) ka thënë: "Kushdo që hyn në pazar, blen dhuratë e ia çon familjes është si bamirësi ndaj atyre që kanë nevojë për të [bamirësinë]."(57)


 Shqetësimi për Ummetin


 317. Ndër çështjet që Sheri`ati ka theksuar është shqetësimi për çështjet e muslimanëve. I Dërguari i Zotit (s.a.w) ka thënë: "Ai që zgjohet në mëngjes dhe nuk shqetësohet për çështjet e muslimanëve nuk është musliman."(58) si dhe "Kushdo që zgjohet në mëngjes i pashqetësuar për çështjet e muslimanëve nuk është prej tyre."(59) Ka shumë thënie të tjera mbi këtë çështje, të cilat nuk mund të përmenden këtu.(60)


 




1. el-Kulejni, el-Usul mine`l-Kafi, vëll. II, f. 348.
2. po aty, f. 347.
3. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 260.
4. el-Kulejni, el-Usul mine`l-Kafi, vëll. II, f. 347; të shihet edhe es-Saduk, Men La Jahduruhu`l-Fekih, vëll. IV, f. 267.
5. po aty, vëll. 2, f. 152.
6. po aty, vëll. 2, f. 155.
7. po aty, vëll. II, f. 157.
8. po aty, vëll. II, f. 348.
9. po aty.
10. po aty, vëll. II, f. 162.
11. po aty, vëll. II, f. 160.
12. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 267.
13. es-Saduk, Thewabu`l-A`mal we `Ikabu `l-A`mal, f. 225.
14. po aty.
15. el-Kulejni, el-Usul mina`l-Kafi, vëll. II, f. 176.
16. Po aty; për më shumë të shihen krerët "Plotësimi i nevojave të besimtarit" (vëll. II, f. 192), "Përpjekja për nevojën e bësimtarit" (vëll. II, f. 196), "Lehtësimi i vuajtjes së besimtarit" (vëll. II, f. 199) në el-Usul mina `l-Kafi nga el-Kulejni.
17. en-Nuri, Mustedreku `l-Wesa`il ("Kitabu `l-Haxhxh"), kreu 72.
18. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 267. Të shihet edhe kreu mbi "të drejtat e fqinjit" tek el-Usul mina `l-Kafi, vëll. II, f. 666.
19. Nehxhu `l-Belagha (red. Subhi es-Salih) f. 422.
20. Mustedreku `l-Wesa`il, vëll. I, kreu 72.
21. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 268.
22. Për më tepër rreth karakterit të Pejgamberit (s.a.w), të shihet et-Tabarsi, Mekarimu `l-Akhlak, ff. 15-, dhe librat e shumtë të historisë dhe Hadithit.
23. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. I, f. 443.
24. Po aty, vëll. II, f. 331. Të shihet edhe el-Usul mina `l-Kafi, vëll. II, f. 99 dhe Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XV, ff. 198-.
25. en-Naraqi, po aty. Të shihet edhe el-Usul mina `l-Kafi, vëll. II, ff. 363-.
26. el-Hurr el-`Amili, Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XX, f. 82. Të shihet edhe Dastghajb, edh-Dhunubu`l-Kebirah, vëll. II, ff. 296-7.
27. en-Nuri, Mustedreku `l-Wesa`il, vëll. XII, f. 241.
28. el-Hurr el-`Amili, Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XVI, f. 396.
29. po aty, vëll. XVI, f. 122.
30. Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XII, f. 200.
31. po aty, f. 135.
32. Gjykimi i Shurejhit mbështetet në parimin se zotërimi përbën në veteve provë të pronësisë, dhe akuzuesi duhet të ofrojë prova në mbështetje të pretendimit të tij. (shën. i përk.)
33. es-Sejjid el-Milani në Kadatuna, c.n. el-Bejhaki, es-Sunenu`l-Kubra, vëll. IV, f. 135.
34. et-Tusi, et-Tahdhib, vëll. VI, f. 292.
35. Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XII, f. 201.
36. Nehxhu `l-Belagha (red. Subhi es-Salih) f. 421.
37. el-Usul mina `l-Kafi, vëll. II, f. 208.
38. Po aty; të shihet edhe Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 213.
39. po aty.
40. Po aty, vëll. II, f. 164; për më gjerë, të shihen krerët përkatës në Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XVI, ff. 381-384.
41. Po aty, vëll. XII, f. 275.
42. es-Sejjid es-Sistani, Minhaxhu`s-Salihin, vëll. I, f. 17.
43. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 302.
44. en-Naraki, Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 276.
45. el-Usul mina`l-Kafi, vëll. II, f. 369.
46. es-Saduk, Thewabu `l-A`mal, f. 262.
47. Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. VIII, kreu 161.
48. Nehxhu`l-Belaghah, letra 21.
49. Nehxhu`l-Belaghah, letra 45.
50. el-Mexhlisi, Biharu `l-enwar, vëll. XIX, f. 118.
51. el-Himjari, Kurbu `l-Asnad, f. 74.
52. es-Saduq, el-Khisal, vëll. I, f. 25.
53. Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. VI, f. 255.
54. Po aty, vëll. XIX, f. 118.
55. es-Saduk, Thewabu `l-A`mal, f. 172.
56. Për më gjerë, të shihet es-Sejjid `Izzu `d-Din Bahru `l-`Ulum, el-Infak fi Sebilil-lah.
57. As-Sadûq, Theëabu `l-A`mal, f. 239
58. Xhami`u `s-Sa`adat, vëll. II, f. 229.
59. po aty.
60. Të shihet el-Usul mina`l-Kafi, kreu "Shqetësimi me çështjet e muslimanëve."


 Pyetje dhe Përgjigje


 318. Pyetje: A lejohet pjesëmarrja në varrimin e një jomuslimani, nëse e ke patur fqinj, për shembull?

Përgjigje: Nëse i ndjeri dhe ata që organizojnë funeralin nuk dihen të kenë patur urrejtje ndaj Islamit dhe muslimanëve, nuk ka problem në pjesëmarrjen në varrim. Megjithatë, është më mirë të ecet pas arkivolit sesa përpara.


 319. Pyetje: A lejohet shkëmbimi i përshëndetjeve e dhuratave me jomuslimanin, nëse e kemi fqinj ose koleg pune?


 Përgjigje: Nëse nuk shpreh urrejtje ndaj Islamit dhe muslimanëve në fjalë dhe vepra, nuk ka problem në kryerjen e asaj që nevojitet në miqësi, sikurse mirësia dhe bujaria ndaj tij. Zoti Fuqiplotë thotë: (Zoti nuk ju ndalon në lidhje me ata që nuk ju kanë luftuar për shkak të fesë dhe nuk ju kanë përzënë nga votrat e juaja, që të tregoni mirësi dhe të veproni drejtësisht ndaj tyre; sigurisht Zoti i do ata që veprojnë të drejtën.) [60:8]


 320. Pyetje: A u lejohet Ehlu`l-kitabëve dhe jomuslimanëve të tjerë të hynë në xhami (mesxhid) dhe vende të tjera islame të adhurimit [si huseinije ose imambarge, që nuk janë mesxhid]? A duhet t`i detyrojmë të veshin hixhabin atyre [grave jomsulimane] që nuk e vënë atë dhe pastaj t`i lejojmë të hynë [në xhami ose në vendin e adhurimit], nëse kjo lejohet?


 Përgjigje: Mbi bazën e kujdesit juridik, nuk u lejohet [jomuslimanëve] të hynë në xhami (mesxhid). Sa i përket hyrjes në vende adhurimi, nuk ka problem. Nëse hyrja e tyre [në imambargeh ose huseinije ose qendër fetare] pa hixhab konsiderohet si shenjë mosrespekti, atyre grave jomuslimane u duhet kërkuar të vënë hixhabin [gjatë vizitës].


 321. Pyetje: A lejohet shqetësimi i fqinjit çifut, kristian ose ateist?

Përgjigje: Nuk lejohet pa përligjje.


 322. Pyetje: A lejohet dhënia e sadakasë të varfërve jomuslimanë? A merr sevabë personi për këtë lloj sadakaje?

Përgjigje: Nuk ka problem me zgjatjen e bamirësisë tek jomuslimani që nuk tregon urrejtje ndaj Islamit dhe muslimanëve; dhënësi i kësaj sadakaje do të shpërblehet për veprimin e tij.


 323. Pyetje: A është i detyrueshëm urdhërimi i së mirës (amr bi`l-ma`ruf) dhe ndalimi i së keqes (nahi `ani`l-munker) në raport me ata që nuk ndjekin Islamin ose janë Ehlu`l-kitabë, të cilët dëgjojnë, pa i shkaktuar dëm vetes?

Përgjigje: Po, është i detyrueshëm, me kusht që të ekzistojnë premisat e tjera. Një prej këtyre premisave është që personi i këshilluar nuk duhet të ketë ndonjë përligjje për bërjen e së keqes ose mospërfilljen e detyrës. Të qenit i paditur nga pakujdesia nuk është përligjje e pranueshme. Ndaj, një person i tillë duhet udhëzuar pikësëpari në sjellje të drejtë, e nëse nuk vepron në përputhje me atë, atëherë i duhet kërkuar që të veprojë mirë ose t`i ndalohet keqbërja.


 Mirëpo, nëse vepra e keqe është e llojit që Zoti nuk e pëlqen të ndodhë assesi - si krijimi i shthurjes mbi dhé, vrasja e të pafajshmit, etj - ajo duhet ndaluar, edhe nëse vepruesi i saj është pafajësisht i paditur.


 324. Pyetje: Në shkollat evropiane, ka mësues që nuk besojnë dhe e kundërshtojnë idenë e Zotit përpara nxënësve të tyre. A u lejohet nxënësve muslimanë të rrinë në shkolla të tilla, duke e ditur se mund të ndikohen së tepërmi nga mësuesit e tyre?

Përgjigje: Nuk u lejohet; dhe kujdestari i fëmijës është plotësisht përgjegjës për këtë.


 325. Pyetje: A u lejohet nxënësve në fillore dhe në nëntëvjeçare të përzihen, duke ditur se përzierja do të shpiejë me siguri një ditë në një veprim të ndaluar nga nxënësi ose nxënësja, qoftë edhe [diçka aq e vogël sa] vështrimi i ndaluar?


 Përgjigje: Nuk lejohet, në rastin e përshkruar [këtu].


 326. Pyetje: A i lejohet muslimanit të shkojë në një pishinë të përzier, duke ditur se gratë atje mbajnë kostume banjoje dhe nuk ia vënë veshin këshillës?


 Përgjigje: Ndonëse të shikuarit e grave të veshura në mënyrë të pahijshme (dhe të cilat nuk do të vinin vesh po të qortoheshin), me mendime jo të mira e qëllime epshore nuk është e ndaluar, shkuarja në vende të tilla është absolutisht haram.


 327. Pyetje: A u lejohet atyre që jetojnë në Perëndim t`i dërgojnë bijat me hixhab në shkolla të përziera (pavarësisht faktit nëse arsimi është i detyruar ose jo), kur ekzistojnë shkolla jo të përziera që janë të shtrenjta, shumë larg dhe me nivel të ulët mësimor?


 Përgjigje: Nuk lejohet, [qoftë edhe] kur [thjesht] ua prish karakterin, e jo më kur ua dëmton besimin dhe përkushtimin ndaj fesë, gjë që normalisht ndodh!


 328. Pyetje: A i lejohet një të riu musliman të shoqërojë vajzat që studiojnë me të në universitete të huaja për shëtitje, ekskursione etj?

Përgjigje: Nuk lejohet, përveçse kur ekziston siguria që nuk do të kryejë vepër haram.


 329. Pyetje: A lejohet shikimi i një skene pasionante në rrugë?

Përgjigje: Nuk lejohet të shikohet me qëllime epshore ose mendime të liga; mirëpo, mbështetur në kujdes juridik, duhet të përmbaheni krejtësisht nga të vështruarit e saj.


 330. Pyetje: A lejohet shkuarja në kinema të përzier dhe në vende të tjera të dëfrimit të ndaluar, pa patur asnjë garanci se nuk do të përfshihemi në ndonjë veprim të ndaluar?

Përgjigje: Nuk lejohet.


 331. Pyetje: A lejohet notimi në një pishinë të përzier pa patur qëllime epshore?

Përgjigje: Sipas kujdesit juridik, nuk lejohet shkuarja në vende të pahijshme.


 332. Pyetje: A lejohet shkuarja në bregdet dhe parqe publike gjatë ditëve me diell për të shëtitur, kur mund të ndeshim në skena që janë kundër normës së hijshmërisë?

Përgjigje: Pa garancinë se nuk do të kryeni një veprim të ndaluar, nuk lejohet.


 333. Pyetje: Në Evropë, banjot publike ndërtohen duke patur parasysh disa gjëra. Ndryshe nga vendet muslimane, drejtimi ose jo nga kibla i tyre nuk merret parasysh nga ndërtuesit:


 a. A na lejohet përdorimi i mjediseve të tilla, nëse nuk e dimë drejtimin e kiblës?


b. Nëse e dimë që banjot janë me fytyrë nga kibla, a na lejohet t`i përdorim? Nëse nuk na lejohet, cila është zgjidhja?


Përgjigje:


 a. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, nuk lejohet që t`i përdorim, përveçse kur nuk kemi arritur të mësojmë drejtimin e kiblës dhe kur nuk mund të pritet ose kur pritja sjell dëm dhe e vendos personin në vështirësi.


b. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, gjatë përdorimit të banjos duhet shmangur qëndrimi me fytyrë ose me shpinë nga kibla. Megjithatë, në rast urgjence, duhet ulur me shpinë nga kibla - sipas masës së kujdesit të detyrueshëm.


 334. Pyetje: E zëmë se një musliman, që banon në një vend jomusliman, gjen një valixhe (plot me rroba) me ose pa emrin e pronarit. Ç`duhet të bëjë me to?

Përgjigje: Valixhet me sende personale normalisht kanë etiketë me emër, nëpërmjet të cilës pronari mund të kontaktohet. Nëse e di që ajo i përket një muslimani ose një jomuslimani që e ka të shenjtë pronën (ose edhe në ekzistoftë mundësi e mjaftë [që i përket një jomuslimani që e ka pronën të shenjtë]), ai duhet të japë njoftim për një vit se e ka gjetur [në mënyrë që i zoti të dalë e ta kërkojë]. Nëse nuk e gjen dot pronarin [pasi të ketë kaluar viti], duhet ta japë sadaka -sipas masës së kujdesit juridik.


 Megjithatë, nëse e di që ajo i përket një jomuslimani, atij i lejohet ta mbajë, me kusht që të mos e ketë për detyrë me ligj që të njoftojë kur e gjen në atë vend [jomusliman] ose t`ia dorëzojë organeve ligjore etj.(1) Në këtë rast, atij nuk i lejohet ta përvetësojë, por duhet të veprojë në përputhje me normën ligjore.


 335. Pyetje: Nëse gjej një objekt në një vend evropian, pa kurrfarë shenje të dallueshme në të [që tregon pronarin], a më lejohet ta mbaj?

Përgjigje: Nëse nuk ka shenjë të dallueshme, nëpërmjet të cilës të mund të kontaktohet pronari, ju lejohet ta mbani, përveç rastit [të obligimit ligjor] të përmendur më lart.


 336. Pyetje: Disa njerëz në Perëndim, muslimanë ose jo, ofrojnë mallra të shtrenjta me çmime aq të ulëta, saqë blerësi i mundshëm është thuajse i bindur se malli është vjedhur. A lejohet blerja e tij, nëse jemi të sigurtë ose na duket shumë e mundur që ajo i është vjedhur një muslimani?


 Përgjigje: Nëse dihet ose ekziston një ndjesi e fortë se artikulli i është vjedhur një personi, prona e të cilit është e shenjtë [për të], nuk lejohet blerja ose mbajtja e saj.


 337. Pyetje: Çmimi i cigareve është shumë i lartë në vendet perëndimore. A do të ishte e ndaluar blerja e tyre për shkak të teprimit dhe shpërdorimit, sidomos duke ditur që janë të dëmshme [për shëndetin]?


 Përgjigje: Lejohet blerja e tyre; dhe përdorimin e tyre nuk e bëjnë haram arsyet e përmendura [tek pyetja]. Sigurisht, nëse duhanpirja i shkakton dëm të madh pirësit dhe lënia e duhanit ia pakëson dëmin, ai duhet ta lërë.


 338. Pyetje: Ekzistojnë mekanizma elektronikë për inçizime telefonike. A lejohet përdorimi i tyre pa dijeninë e personit, për t`u përdorur kundër tij kur të dalë nevoja?

Përgjigje: Njëri bashkëbisedues nuk e ka të detyrueshme të kërkojë lejen e tjetrit për të inçizuar bisedën telefonike mes tyre. Mirëpo, ai nuk lejohet ta botojë atë e as t`i lërë të tjerët që ta dëgjojnë, nëse do të fyejë besimtarin ose ia nxjerr atij sekretin, me përjashtim të rastit kur kjo mbizotërohet nga një obligim më i rëndësishëm.


 339. Pyetje: Një fotografi i kërkohet të marrë foto nga një dasëm, ku shërbehen pije dehëse. A i lejohet kjo atij?

Përgjigje: Nuk lejohet fotografimi i skenave të pirjes së dehësve dhe lëndëve të tjera të ndaluara.


 340. Pyetje: Cilët janë kufijtë e bindjes ndaj prindërve?

Përgjigje: Detyra e fëmijës ndaj prindërve të tij është dy llojesh:


 1. Të jetë i dashur me ta duke u siguruar ç`të kenë nevojë; t`u sigurojnë për nevojat e përditshme; t`u përgjigjet kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me jetët e përditshme në një nivel normal e të zakonshëm për një qenie njerëzore, në kuptimin që, nëse refuzon t`ua plotësojë, kjo do të konsiderohej "me u tregue jo i dashur ndaj tyre" - dhe kjo ndryshon në varësi të faktit nëse janë të shëndoshë e të fortë apo të sëmurë dhe të dobët.


2. Të sillet me butësi ndaj tyre, duke mos i fyer me fjalë ose vepra, edhe në qofshin të padrejtë ndaj tij. Në disa tekste fetare thuhet: "E nëse të godasin, mos i braktis; por thuaju: Allahu ju faltë."


Kjo sa i përket gjendjes së prindërve. Sa për ato që kanë të bëjnë me çështjet e vetë fëmijës, ku mund të ndodhë që ai ta fyejë njërin prej prindërve, ato janë dy llojesh:


 1. Nëse mërzitja e prindit vjen nga shqetësimi i tij për fëmijën, këtij i ndalohet të bëjë diçka që do të shkaktojë mërzitjen e prindit, pavarësisht nëse prindi e ka ndaluar ose jo prej saj.


2. Nëse mërzitja e prindit vjen nga ndonjë prej karakteristikave të tija negative (psh mospëlqimi i së mirës në këtë botë ose tjetrën për fëmijën e vet), ky lloj shqetësimi nuk ka efekt mbi fëmijën, dhe ai nuk e ka për detyrë t`ia plotësojë të tilla dëshira prindit.


 Nga kjo bëhet e qartë se, në vetvete, bindja ndaj prindërve në urdhëresat e tyre personale, nuk është e detyrueshme. Dhe Zoti e di më mirë.


 341. Pyetje: Disa prindër druhen për fëmijët, lidhur me urdhërimin e së mirës dhe ndalimin nga e keqja [dhe kësisoj, u kërkojnë atyre të mos i futen kësaj rruge]. A është e detyrueshme bindja ndaj tyre në këtë çështje, sidomos nëse fëmija e di që këshilla e tij do të jetë e efektshme dhe ai nuk rrezikohet [duke ushtruar amr ose nahi]?


 Përgjigje: Kur fëmijës i bëhet i detyrueshëm [amri ose nahi], me të gjitha kushtet e pranishme, nuk i duhet bindur asnjë krijese në këmbim të mosbindjes ndaj Krijuesit.


342. Pyetje: Një djalë debaton me të atin ose një bijë me të ëmën, rreth një çështjeje të përditshme, në mënyrë të nxehur, që e mërzit prindin. A u lejohet kjo fëmijëve dhe cili është kufiri i lejuar i debatimit me prindin?


 Përgjigje: Fëmijës i lejohet të debatojë me prindërit në çështje që mendon se nuk janë të drejta; por duhet të respektojë edukatën dhe nderimin në debat, nuk duhet t`i shikojë me zemërim, nuk duhet të ngrejë zërin e aq më pak të përdorë fjalë a shprehje të ashpra.


 343. Pyetje: Nëse nëna e këshillon të birin ta ndajë të shoqen me të cilën ai ka ca mospajtime, a e ka për detyrë ai që ta dëgjojë të ëmën në këtë çështje? Po sikur ajo të thotë: "Ti je fëmijë `ak(2) nëse nuk e ndan"?

Përgjigje: Ai nuk e ka për detyrë ta dëgjojë të ëmën në këtë cështje, dhe pohimi i saj nuk ndikon aspak. Sigurisht, siç u përmend më lart, ai duhet të përmbahet nga çfarëdolloj pohimi ose veprimi fyes ndaj saj.


 344. Pyetje: Babai e godet të birin rëndë duke e mavijosur ose duke i lënë shenjë të kuqe në lëkurë. A e ka për detyrë ai që të paguajë zhdëmtim për lëndimin trupor? A ndryshon gjykimi nëse personi që godet nuk është babai?

Përgjigje: Dëmshpërblmi është i detyrueshëm mbi atë që godet [në mënyrën e përshkruar më lart], pavarësisht nëse është i ati apo dikush tjetër.


 345. Pyetje: Nëse një musliman është i sigurtë për mërzitjen e babait - ndonëse nuk e ka dëgjuar ta shprehë - nga udhëtimi i tij jashtë vendit, a i lejohet atij të udhëtojë, kur e di se udhëtimi është i mbarë për të?


 Përgjigje: Nëse mirësia ndaj babait - në kontekstin e përmendur në përgjigjen ndaj pyetjes paraprirëse - kërkon që djali duhet t`i qëndrojë pranë, ose që babai do të mërzitet për shkak të shqetësimit të tij për të birin, ky nuk duhet të niset për rrugë përderisa të mos pësojë humbje [nga kjo mosnisje]; përndryshe, nuk e ka të domosdoshme të përmbahet [nga udhëtimi].


 346. Pyetje: A është pjesë e devotshmërisë së gruas që t`u shërbejë njerëzve të burrit? A është pjesë e mirësjelljes së burrit që të jetë i mirë ndaj njerëzve të gruas, sidomos në vende të huaja?


 Përgjigje: Nuk ka dyshim që është pjesë e devotshmërisë dhe shembull i mirësisë ndaj burrit ose gruas; por nuk është e detyrueshme.


1. Marrëveshje, në këtë kontekst, do të thotë "marrëveshja e imigrimit ndërmjet vendit pritës dhe imigrantit."
2. `ak do të thotë fëmi i pabindur ndaj prindërve.


Çështje mjeksore


 Hyrje


 Për shkak të përparimit të shkencës moderne dhe teknologjisë në Perëndim, numri i muslimanëve që udhëtojnë në këto vende për kurim është në rritje, ashtu sikurse edhe numri i muslimanëve në këto vende që kanë nevojë për trajtim mjekësor.


 Rregulla të Përgjithshme


 347. Nuk lejohet autopsia e trupit të një muslimani të vdekur për arsye arsimi dhe qëllime të ngjashme. Ajo lejohet vetëm nëse jeta e një muslimani tjetër varet prej kësaj - qoftë edhe në të ardhmen.


 348. Lejohet transplantimi i një organi nga një kafshë (përshirë qentë dhe derrat) te një njeri; organi i transplantuar do të konsiderohet si organ i marrësit; të gjitha rregullat vlejnë për të. Kështu, namazi do të jetë i lejuar me të në trup, duke e konsideruar të pastër (tahir) pasi të jetë bërë pjesë e trupit të njeriut dhe qelizat e tij të jenë ripërtërirë. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 349. Doktorit nuk i lejohet të fikë aparaturat mjekësore që i japin oksigjen një pacienti musliman, edhe sikur të jetë truvdekur, pra në gjendje vegjetimi. Kjo sepse jeta në Islam është e shenjtë. 


 Doktori nuk duhet t`u dorëzohet kërkesave të pacientit ose pjesëtarëve të familjes së tij për ndërprerjen e ndihmës mjekësore. Nëse doktori heq prizën dhe pacienti vdes si rezultat i kësaj, ai do të konsiderohet vrasës.


 350. Nuk i lejohet një studenti të mjekësisë që të shohë pjesët intime të kujtdo gjatë studimeve për atë profesion, përveçse në rastin kur do të largonte një dëm serioz nga një musliman - qoftë edhe në të ardhmen.


 351. Muslimani e ka për detyrë të hetojë nëse mjekimi [që i është i dhënë] përmban përbërës të ndaluar, edhe nëse proçesi i leximit të një rezultati është i lehtë për të.


 Pyetje dhe Përgjigje


 352. Pyetje: Dëmi serioz i drogave narkotike për përdoruesin ose shoqërinë në përgjithësi (qoftë nga varësia prej tyre ose arsye të tjera [shoqërore, familjare ose etike]) dihet mirë. Prandaj, doktorët dhe profesionistët e kujdesit mjekësor i kundërvihen fuqimisht abuzimit me narkotikë dhe ligjet e pranishme në shoqëri e kundërshtojnë po aq fuqimisht. Cila është pikëpamja e Sheri`atit fisnik mbi këtë çështje?

Përgjigje: Duke patur parasysh dëmin serioz të drogave narkotike, ndalohet përdorimi i tyre, për shkak të lëndimit të madh që sjellin. Mbi bazën e masës së kujdesit juridik, është e detyrueshme të përmbahemi nga përdorimi i tyre gjithsesi, përveçse për qëllime mjekësore etj; në këtë rast, mund të përdoren vetëm aq sa nevojiten. Zoti e di më mirë.


 353. Pyetje: Literatura mjekësore pohon se pirja e duhanit është shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare dhe kanceroze. Cili është gjykimi për duhanin, në lidhje me: a) fillestarin, b) pirësin e dhënë shumë dhe c) pirësin pasiv? Në rastin e tretë, ekspertët mjekësorë thonë se tymi dëmton edhe personin që rri pranë duhanpirësit. Cili do të ishte gjykimi, nëse e konsideron duhanpirjen pasive si dëmtuese të madhe?


 Përgjigje:


a) Duhanpirja bëhet haram për fillestarin nëse sjell dëm serioz, qoftë edhe në të ardhmen, pavarësisht nëse dëmi serioz është i sigurtë, shumë i mundshëm apo thjesht i mundur në atë shkallë që njerëzit e arsyeshëm do të urdhëronin kujdes. Megjithatë, nëse mbrohet nga rreziku serioz (p.sh. duke pirë më rrallë), nuk ka problem me pirjen e tij.


b) Nëse duhanpirja e vazhduar do t`i shkaktojë dëm serioz pirësit të dhënë pas duhanit - siç u tha më part - ai duhet të përmbahet prej saj, përveç nëse dëmi i shkaktuar nga lënia është i ngjashëm ose më i madh se dëmi që i vjen nga vazhdimi, ose kur vështirësia e madhe që do t`i shkaktohet do të jetë e aq e papërballueshme për të sa të jetë normalisht e padurueshme.


c) Njëlloj si tek (a).


 354. Pyetje: Disa njerëz mendojnë se i vdekuri cerebral është person i vdekur, edhe sikur zemra e tij të vazhdojë të rrahë dhe se ajo do të ndalojë patjetër më vonë. Kështu thonë doktorët. A mund të shpallet i vdekur personi cerebralisht i vdekur, edhe nëse zemra i punon akoma?

Përgjigje: Përsa u përket ligjeve fetare, kriteri për zbatimin e termit "i vdekur" është të perceptuarit normal të njerëzve, pra ajo gjendje që ata do ta quanin pesonin "të vdekur". Dhe kjo nuk vërtetohet në rastin e lartpërmendur.


 355. Pyetje: Profesioni mjekësor kërkon që mjeku t`u bëjë kontroll të kujdesshëm pacienteve të tija femra; dhe duke qenë se zhveshja për kontroll mjekësor është diçka e shpeshtë në vendet evropiane, a lejohet marrja me mjekësi profesionalisht atje, në rrethana të tilla?


 Përgjigje: Lejohet, nëse personi përmbahet nga shikimi dhe prekja e ndaluar, përveçse kur këto i kërkon kontrolli mjekësor i pacientit.


 356. Pyetje: Nganjëherë mjeku ushtrues mendon se duhet të zbulojë disa pjesë të trupit të pacientes, por jo intimet [për ekzaminim]. Ai lejohet asaj t`ia zbulojë trupin atij në këto rrethana:


 a. Kur një mjeke është e disponueshme, por e kushtueshme?


b. Kur pacientja nuk është në rrezik, por gjithsesi e sëmurë?


c. Cili është gjykimi nëse pjesa trupore që duhet vizituar është intime?


Përgjigje:


a. Nëse vizita te një mjeke është e mundur, asaj nuk i lejohet, përveç kur çmimi është aq i lartë sa t`ia dëmtojë gjendjen financiare.


b. Lejohet, nëse moskryerja e vizitës te mjeku do ta dëmtojë [shëndetësisht] ose do ta vendosë në telash serioz i cili është normalisht i padurueshëm.


c. Gjykimi është i njëjtë me të mësipërmin; në të dyja rastet, ai duhet të zbulojë pjesën që duhet ekzaminuar. E nëse është i mundur trajtimi i çështjes pa i shikuar direkt pjesët që janë haram për t`u parë, (p.sh. nëse sheh përmes një monitori ose pasqyre), kjo do të ishte mënyra e duhur, sipas masës së kujdesit juridik.


 357. Pyetje: Disa ekspertë të inxhinjerisë gjenetike pohojnë se ata mund ta përmirësojnë racën njerëzore duke ndërhyrë tek gjenet në këto mënyra:


 a. Duke hequr shëmtinë e fytyrës;


b. Duke e zëvendësuar me tipare të bukura;


c. Duke i bërë të dyja.


A u lejohet shkencëtarëve të përfshihen në këto veprimtari? A i lejohet një muslimani t`ia lejojë doktorëve ndryshimin e gjeneve të tija?


 Përgjigje: Nëse nuk ka efekte anësore, atëherë, në parim, nuk ka problem.


 358. Pyetje: Kompanitë farmaceutike në Perëndim bëjnë teste të ilaçeve që prodhojnë, përpara se t`i nxjerrin në shitje. A i lejohet doktorit që të përdorë një medikament mbi pacientin - pa dijeninë e këtij - përpara mbarimit të periudhës testuese të ilaçit, me mendimin se ky do t`ia shërojë sëmundjen?


 Përgjigje: Duhet informuar pacienti dhe kërkuar leja e tij në përdorimin e atij medikamenti, përveç rastit kur mjeku është i sigurtë që ilaçi nuk do të shkaktojë efekte anësore dhe se dyshimi është vetëm për dobinë.


 359. Pyetje: Në disa raste, disa agjenci qeveritare kërkojnë që të kryhet autopsia mbi trupin e të vdekurit, për të gjetur shkakun e vdekjes. Kur lejohet të pranohet kërkesa e tyre e kur jo?


 Përgjigje: Asnjë trashëgimtari të një muslimani të vdekur nuk i lejohet të japë pëlqimin që të kryhet autopsi mbi trupin e të vdekurit për qëllimin e lartpërmendur ose qëllime te ngjashme; ai duhet ta ndalojë autopsinë nëse mundet. Sigurisht, nëse një tjetër faktor i rëndësishëm është në lojë, i cili ka rëndësi të njëllojtë ose më të madhe se kjo rregull bazë, lejohet.


 360. Pyetje: A lejohet dhurimi i një organi nga një njeri i gjallë për një njeri të gjallë (për shembull, veshkë) ose nga një i vdekur, nëpërmjet testamentit, për një të gjallë? A do të ndryshonte gjykimi sikur dhurimi të bëhej nga muslimani për jomuslimanin dhe anasjelltas? A kufizohet gjykimi vetëm te disa organe, me përjashtinë e të tjerave?

Përgjigje: Sa i përket dhurimit të një organi nga një i gjallë për një të gjallë, nuk ka problem, nëse nuk i shkakton dëmtim serioz dhuruesit. (Për shembull, dhurimi i një veshke nga një person që ka një veshkë tjetër të shëndoshë.)


Sa i përket heqjes së një organi nga i vdekuri (siç porosit testamenti i tij) për ta transplantuar tek një i gjallë, nuk ka problem, me kusht që:


 a. I vdekuri të mos ketë qenë musliman ose dikush që është konsideruar musliman.


b. Jeta e një muslimani të varet prej këtij transplantimi.


Veçmas këtyre dy rasteve, ekziston problem me kryerjen e testamentit [së të vdekurit] dhe lejimin e heqjes së organit. Megjithatë, nëse testamenti është bërë [nga i vdekuri], nuk do të ketë zhdëmtim nga personi që e ka hequr organin nga trupi i vdekur.


361. Pyetje: Nëse organi i një ateisti transplantohet në trupin e një muslimani, a do të konsiderohet ritualisht i pastër (tahir), meqë pas transplantimit organi do të konsiderohet pjesë e trupit të muslimanit?

Përgjigje: Një organ i nxjerrë nga trupi është ritualisht i papastër, pavarësisht nëse vjen nga një musliman apo jo. Dhe, kur bëhet pjesë e ripërtërirë e trupit të një muslimani ose një njeriu që konsiderohet musliman, ai bëhet tahir.


 362. Pyetje: Ndodh që insulina e përdorur për trajtimin e diabetit të nxirret prej derrave. A mund ta përdorim atë?


 Përgjigje: Nuk ka asnjë problem me injektimin e insulinës në muskuj, vena ose nën lëkurë.


 363. Pyetje: A lejohet transplantimi i mëlçisë së derrit në trupin e një njeriu?

Përgjigje:Transplantimi i mëlçisë së derrit në trupin e njeriut lejohet. Zoti e di më mirë.


 364. Pyetje: A lejohet proçedura e bebeve nga epruveta, në kuptimin që veza e bashkëshortes dhe sperma e bashkëshortit nxirren për t`u fekonduar jashtë trupit dhe pastaj vendosen në mitrën [e bashkëshortes].


 Përgjigje: Në parim, lejohet.


365. Pyetje: Sëmundje të caktuara trashëgimtare kalohen nga prindërit te fëmijët dhe përbëjnë rrezik për jetët e këtyre në të ardhmen. Shkenca moderne ka arritur mjete për ndalimin e disa prej sëmundjeve të tilla duke e fekonduar vezoren e gruas në një epruvetë dhe hulumtuar gjenet, për të mundësuar heqjen e gjeneve problematike. Atëherë ajo kthehet në mitrën e gruas. Gjenet e mbetura shkatërrohen. A lejohet kjo me fe?

Përgjigje: Në parim, nuk ka problem.


 366. Pyetje: Në proçesin e fekondimit në laborator, fekondohet më shumë se një vezore. Duke ditur se vendosja e të gjitha vezoreve të fekonduara në mitrën e nënës do t`ia rrezikojë jetën, a na lejohet të përdorim vetëm një vezore të fekonduar dhe të shkatërrojmë të tjerat?

Përgjigje: Nuk është e detyrueshme që të mbillen në mitër të gjitha vezoret e fekonduara. Prandaj, lejohet përdorja e një vezoreje dhe shkatërrimi i të tjerave.


367. Pyetje: A i lejohet mjekut zbukurimi i fytyrës dhe i trupit [të një personi tjetër]?

Përgjigje: Lejohet, me kusht që të përmbahet nga shikimi dhe prekja e asaj që është haram të shihet dhe preket.


 SIDA/AIDS


 AIDS ose Sindroma e Defiçensës Imunitare të Fituar (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një sëmundje që ka kapluar, deri më 1996, tetë milionë njerëz nëpër botë, ku vetëm më 1996 kanë vdekur një gjysëm milion njerëz, duke e çuar numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje në gjashtë milion! Ky njoftim u dha nga Organizata Shëndetsore Botërore në Ditën Ndërkombëtare të SIDA-s, më 1 Dhjetor 1996.


 Mjekët kanë identifikuar këto mënyra transmetimi të SIDA-s:


 a. Marrëdhënia seksuale mes pjesëtarëve të së njëjtës gjini ose mes atyre me gjini të kundërt [ku njëri partner është paraprakisht i infektuar]. Kjo përfaqëson metodën më të rrezikshme dhe të përhapur të kalimit të AIDS. Mundësia e kalimit të virusit me këtë metodë është 80%.


b. Nëpërmjet enëve të gjakut: transfuzionit; injeksionit (sidomos në rastin e vartësve nga drogat); plagëve të hapura; transplantimit të organeve e madje kirurgjisë - nëse instrumentet nuk janë sterilizuar siç duhet.


c. Fetusi mund të kaplohet nga virusi në mitër ose në çastin e lindjes, nëse nëna është me AIDS.


 Të dhënat tregojnë se sëmundja ka molepsur të gjitha vendet dhe se nuk ka komb të paprekshëm prej saj, ku shumica e viktimave janë meshkuj. Sëmundje, që dikur ishin zhdukur, kanë filluar të rishfaqen për shkak të epidemisë së AIDS (si p.sh. tuberkulozi pulmonar).


 Me këtë sfond në mendje, i paraqitëm këto pyetje shkëlqesisë së tij, Ajetullah es-Sistani:


 368. Pyetje: Cili është gjykimi për izolimin e një paciente me AIDS? A e ka për detyrë ai që të izolohet vetë? A e ka për detyrë familja e tij që ta izolojë [nga publiku]?

Përgjigje: Ai nuk e ka për detyrë të izolojë veten, ashtu siç nuk e kanë as të tjerët. Në të vërtetë, nuk lejohet që ai të pengohet nga frekuentimi i vendeve publike si xhamia etj., përderisa të mos ketë rrezik infektimi të të tjerëve. Megjithatë, është e detyrueshme për të dhe të tjerët që të jenë të kujdesshëm aty ku ekziston siguria ose mundësia e infektimit të të tjerëve.


 369. Pyetje: Cili është gjykimi i infektimit me dashje të të tjerëve me virusin e AIDS?

Përgjigje: Nuk lejohet. Nëse ai shpie - qoftë edhe pas një kohe të gjatë - në vdekjen e personit të infektuar, atëherë trashëgimtarët e të ndjerit kanë të drejtën e shpagimit nga personi përgjegjës për infektimin, me kusht që ky i fundit të ketë qenë i vetëdijshëm se infektimi mund të shpiente në vdekje; por nëse nuk ka qenë në dijeni për këtë mundësi, ose i pavetdijshëm rreth saj për kohën, vetëm zhdëmtimi (dija`) dhe dënimi mjaftojnë.


 370. Pyetje: A i lejohet një personi të sëmurë me AIDS të martohet me një person të painfektuar?

Përgjigje: Po, por atij/asaj nuk i lejohet ta mashtrojë palën tjetër duke e paraqitur veten si të painfektuar në kohën e propozimit, kur në fakt është. Po kështu, nuk i lejohet të ketë intimitet në një mënyrë që do ta infektonte partner-in/en.


 Megjithatë, nëse infektimi është vetëm i mundshëm e jo i sigurtë, atëherë ai/ajo nuk e ka të detyrueshme të përmbahet nga intimiteti, me kusht që të ketë pajtim rreth kësaj.


 371. Pyetje: Cili është gjykimi i martesës së dy njerëzve që janë të sëmurë me AIDS?

Përgjigje: Nuk ka problem. Megjithatë, nëse marrëdhënia seksuale ndërmjet tyre priret t`ua përkeqësojë gjendjen deri në shkallë serioze, duhet të përmbahen prej saj.


 371. Pyetje: Cili është gjykimi për marrëdhëniet seksuale të një pacienti me AIDS? A i lejohet personit të painfektuar të refuzojë marrëdhëniet seksuale me bashkëshort-in/en, pasi marrëdhënia seksuale është një prej mënyrave kryesore të kalimit të virusit?

Përgjigje: Një gruaje të painfektuar i lejohet të mos ia bëjë të disponueshme veten bashkëshortit të saj të infektuar për intimitet, i cili mund të çojë në infektim nga virusi. Ç`është e vërteta, ndalimi i tij nga një intimitet i tillë është i detyrueshëm.


 Nëse është e mundur që të pakësohen mundësitë e infektimit deri në një shkallë të vogël - p.sh.  2% - duke përdorur prezervativë etj, asaj i lejohet të ketë intimitet me të shoqin. Në rast të tillë, sipas kujdesit juridik, asaj nuk i lejohet të refuzojë [marrëdhëniet intime me bashkëshortin].

Kjo qartëson edhe rastin e burrit që nuk është bartës i virusit, bashkëshortja e të cilit është: atij nuk i lejohet të ketë marrëdhënie seksuale me të, në përputhje me atë që njerëzit e arsyeshëm e perceptojnë si rrezik të konsiderueshëm për infektim. Në rast të tillë, e drejta e gruas për marrëdhënie seksuale [të paktën] një herë në katër muaj bie, përveç rastit kur bëhet i mundur përdorimi i metodave që do ta ndalonin infektimin me atë virus.


 372. Pyetje: Cili është gjykimi lidhur me të drejtën e bashkëshortit/es të painfektuar, në kërkim divorci?

Përgjigje: Nëse në martesë ka patur mashtrim, në kuptimin që njëri nga bashkëshortët e ka fshehur se është me AIDS në kohën e propozimit, ose fejesës, në mënyrë që kontrata (`akd) e martesës ishte recituar mbi bazën e këtij të kuptuari, pala e mashtruar ka të drejtë ta zhbëjë atë.


 Megjithatë, nëse bashkëshortja ose përfaqësuesi i saj nuk kanë thënë asgjë për çështjen dhe burri ka pandehur se ajo është e painfektuar, heshtja nuk merret për mashtrim dhe kësisoj nuk jep të drejtë për zhbërje martese.


 Nëse nuk ka patur mashtrim, ose sëmundja është marrë pas martesës, burri i painfektuar ka të drejtë ta ndajë gruan e infektuar. Për rastin e gruas që kërkon të ndahet nga burri i saj i infektuar mbështetur në arsyetimin se po privohet nga të drejtat e saja martesore ka dy opinione - dhe maturia nuk duhet përjashtuar në asnjërin prej tyre. Sigurisht, nëse bashkëshorti i saj e braktis krejtësisht dhe ajo bëhet si grua e pezulluar [as e martuar, as e pamartuar], asaj i lejohet ta çojë çështjen te muxhtehidi, për ta detyruar bashkëshortin të ndjekë njërën prej dy rrugëve: ose t`i japë fund braktisjes ose ta divorcojë.


373. Pyetje: Cili është gjykimi për divorcin e një gruaje, që e ka bashkëshortin me AIDS?

Përgjigje: Kjo u përmend më lart.


 374. Pyetje: Cili është gjykimi për abortimin e fëmijës nga një grua me AIDS?

Përgjigje: Nuk lejohet, aq më tepër pasi të ketë hyrë shpirti në fetus. Sigurisht, nëse vazhdimi i shtatzanisë paraqet rrezik për nënën, asaj i lejohet ta abortojë përpara se shpirti të hyjë në fetus, por ja më pas.


 375. Pyetje: Cili është gjykimi rreth kujdestarisë së një nëne të infektuar, ndaj foshnjës së saj të painfektuar si dhe gjidhënies?

Përgjigje: Ajo nuk e humbet të drejtën e kujdestarisë së foshnjës; por duhet të përdorë metoda të mjaftueshme që të sigurohet se virusi nuk e infekton foshnjën. Nëse është e mundur - me një mundësi të konsiderueshme - që virusi të kalohet me gjidhënie, ajo duhet të heqë dorë prej kësaj.


 376. Pyetje: Cila pjesë e sëmundjes AIDS mund të konsiderohet si përfundimtare?


 Përgjigje: Duke qenë se kjo sëmundje zgjat, ajo që mund të klasifikohet si përfundimtare është vetëm stadi i saj i fundit, që është më pranë vdekjes, e cila vjen nga shpërbërja dhe shpartallimi i plotë i sistemit imunitar ose ndodhja e krizës nervore fatale.


 377. Pyetje: Kur dikush diagnostikohet me AIDS, a i lejohet doktorit ose a e ka për detyrë ai të njoftojë të afërmit e pacientit, sidomos bashkëshorten?

Përgjigje: I lejohet, nëse pacienti ose kujdestari i tij e jep pëlqimin. Ai e ka për detyrë nëse mbijetimi - për një kohë më të gjatë - i pacientit varet nga kjo. Po kështu, është e detyrueshme, nëse ai e di se duke mos i informuar ata, virusi do t`i infektojë edhe ata për mungesë masash parandaluese. Dhe Zoti e di më mirë. 


 378. Pyetje: Nëse një musliman e di se ka marrë AIDS, a i lejohet atij të përfshihet në marrëdhënie seksuale me të shoqen? A e ka për detyrë ta njoftojë të shoqen për këtë?

Përgjigje: Në qoftë se e di që virusi mund ta infektojë atë nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, atëherë nuk i lejohet aspak. Në mënyrë të ngjashme [ai e ka për detyrë të përmbahet nga seksi] nëse ekziston një shkallë e konsiderueshme mundësie [infektimi], përveçse kur bashkëshortja e di këtë dhe pajtohet.


XIV. Martesa


Hyrje


 Sistemi ligjor islam e rregullon marrëdhënien mes pjesëtarëve të gjinive të kundërta, duke mbuluar kështu aspektet e saj të ndryshme dhe duke e shtjelluar hollësisht. Kjo, sepse ajo përbën një nevojë të rëndësishme të racës jerëzore dhe shumë çështje që lidhen me individin dhe shoqërinë mbështeten në të.


 Ka shumë rregulla rreth marrëdhënies ndërmjet burrit e gruas, por do të kufizohem vetëm tek ato që lidhen me muslimanët banues në vende jomuslimane.


Rregulla të Përgjithshme


380. Martesa është ndër veprat e shumëkëshilluara. Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Kush martohet ka mbrojtur gjysmën e fesë."(1) Ai ka thënë gjithashtu: "Kush don të ndjekë traditën time, [ta dijë se] martesa është nga tradita ime."(2) Në një hadith tjetër, ai ka thënë: "Asnjë musliman nuk ka nxjerrë përfitim më të mirë, përveç Islamit, sesa një bashkëshorte muslimane që është burim i kënaqësisë së tij saherë që ai e shikon, që i bindet kur e urdhëron dhe i mbetet besnike kur është larg."(3)


 381. Njeriu duhet t`i japë rëndësi cilësive të gruas me të cilën dëshiron të martohet. Ai nuk duhet të marrë për bashkëshorte tjetër, veçse një grua që është e ndershme, e respektueshme, me prejardhje te fisme dhe e drejtësishme. Ajo duhet t`i jetë burim ndihme në çështjet e kësaj bote dhe tjetrës.


 Njeriu nuk duhet ta kufizojë përzgjedhjen te bukuria fizike e gruas ose pasuria. Transmetohet se Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "O njerëz! Kujdes nga bari i blertë në vendin e plehrave!" Dikush e pyeti: "O i Dërguari i Zotit! Çfarë ështe bari i blertë në vendin e plehrave?" Ai u përgjigj: "Një grua e bukur në një mjedis të keq."(4)


 382. Gruaja dhe kujdestarët e saj duhet t`u japin rëndësi cilësive të burrit që ajo zgjedh për t`u martuar. Ajo nuk duhet të marrë tjetër, veçse një besimtar, të ndershëm, me karakter të mirë e jo ndonjë pijanec ose dikë që kryen mëkate dhe ligësi.


 383. Është mirë të mos kundërshtohet propozimi i një njeriu fetar dhe me karakter të drejtë. Pejgamberi (s.a.w) ka thënë: "Kur dikush, feja dhe karakteri i të cilit ju kënaqin, ju vjen [me propozim martese], martohuni me atë! Nëse nuk e bëni, mbi tokë do të ketë çrregulli e shthurje të madhe."(5)


 384. Është e këshillueshme (mustehab) të bëhen përpjekje për të martuar njerëzit, si shkues, dhe të pajtohen të dyja palët.


 385. Burrit i lejohet të shohë tiparet tërheqëse të gruas me të cilën synon të martohet. Po kështu, i lejohet të flasë me të përpara se t`i propozojë. Kështu, pra atij i lejohet të shohë fytyrën, flokët, qafën, duart e kyçet, këmbët dhe pjesë të tjera të trupit të saj, me kusht që të mos e ketë për kënaqësi seksuale. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 386. Në ligjin islam, martesa është dy llojesh: e përhershme dhe e përkohshme. Martesa e përhershme nënkupton martesën pa afat të caktuar, dhe gruaja njihet si "bashkëshorte e përhershme".(6)


Martesa e përkohshme nënkupton martesën në të cilën fiksohet një kufi kohor prej një viti ose më pak apo më shumë. Gruaja në këtë martesë njihet si "bashkëshorte e përkoshme."(7)


 387. Formula për pohimin solemn të martesës së përhershme qëndron në këto fjalë: Gruaja i thotë burrit: "Zawwaxh-tuke nefsi bi mahrin kadruhu x - të jepem në martesë për dhuntinë prej x." (Në vend të "x" ajo përmend mehrin e rënë dakort për martesë.) Burri përgjigjet menjëherë: "Kabiltut tazwixh - e pranoj martesën."


Për solemnizimin e martesës së përkohshme gruaja i thotë burrit: "Zawwaxh-tuke nefsi bi mahrin kadruhu (x) li muddati (x) - të jepem në martesë për dhuntinë (x) për periudhën (y)." (Tek "x" ajo përmend mehrin e rënë dakort, ndërsa tek (y) kohën e rënë dakort.) Burri thotë menjëherë: "Kabiltut tazwixh - e pranoj martesën."


 388. Çiftit i lejohet ta shqiptojnë vetë formulën e marrëveshjes së martesës ose duke caktuar përfaqësues që do ta recitojnë në emër të tyre. Prania e dëshmitarëve gjatë solemnizimit të martesës nuk është kusht, ashtu siç nuk është as prania e një kleriku që martesa të jetë e vlefshme.


 389. Personit që nuk e reciton dot formulën në arabisht, i lejohet ta shqiptojë në një gjuhë që do ta përcillte kuptimin e martesës, qoftë edhe nëpërmjet dikujt që mund ta thotë në arabisht.


 390. Muslimanit i lejohet të martohet me një të krishtere ose çifute në martesë të përkohshme. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, ai duhet të përmbahet nga martesa e përhershme me një jomuslimane.


 Burrit musliman nuk i lejohet të martohet assesi me një jomuslimane që nuk është nga Ehlu`l-kitabët. Mbështetur në kujdes juridik të detyrueshëm, ai nuk duhet të martohet me një zoroastriane, as përkohësisht. Ndërsa muslimanes nuk i lejohet të martohet me një jomusliman assesi. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 391. Për t`u martuar me një virgjëreshë, qoftë muslimane apo Ehlu`l-kitabe, nevojitet pajtimi i babait ose gjyshit nga babai, nëse ajo nuk është e pavarur. Megjithatë, është e detyrueshme për nga kujdesi juridik që të merret pajtimi i tyre edhe nëse ajo është e pavarur. Pajtimi i vëllait, nënës, motrës ose të afërmve të tjerë të saj nuk është i domosdoshëm.


 392. Pajtimi i babait ose i gjyshit nga babai për të dhënë në martesë një grua të virgjër, e cila është e rritur dhe e arsyeshme, nuk nevojitet [në rastet kur]:


a. Ata e pengojnë nga të martuarit me dikë që është i barabartë me të përpara Sheri`atit dhe praktikës së zakonshme;


b. Ata tërhiqen krejtësisht nga përfshirja në martesën e saj;


c. Pajtimi i tyre nuk merret dot, për shkak të mungesës së tyre.



Në këto raste, asaj i lejohet të martohet, nëse ndjen nevojën për martesë.


393. Pajtimi i babait ose i gjyshit nga babai nuk nevojitet në martesën e një gruaje jo të virgjër (pra, të një vajze që është martuar më parë dhe ka patur marrëdhënie seksuale në martesë). Mirëpo rasti i gruas që e ka humbur virgjërinë për shkak të imoralitetit, ose ndonjë arsye tjetër, është si ai i virgjëreshës.


 394. Në vende ku shumica e njerëzve janë ateistë ose Ehlu`l-kitabë, pra jomuslimanë, muslimani e ka për detyrë ta pyesë gruan, me të cilën kërkon të martohet, për fenë e saj, që të sigurohet se ajo nuk është ateiste dhe që martesa të jetë e vlefshme. Përgjigjja e saj [për fenë dhe besimin e vet] duhet pranuar.


 395. Një muslimani të martuar me një muslimane nuk i lejohet që, nëse martohet për së dyti, të marrë një grua nga Ehlu`l-kitabët, pra një kristiane ose çifute, pa pajtimin e gruas muslimane. Nuk ka rëndësi nëse gruaja muslimane jeton me të apo jo. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 396. Nuk lejohet përfshirja në raporte seksuale me një grua Ehlu`l-kitabe, pa kontratë martese, edhe nëse qeveria e vendit të saj është në gjendje lufte me muslimanët. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 397. Mbështetur në kujdes juridik, njeriu duhet të përmbahet nga martesa me një grua të njohur për zina, përveç nëse ajo është penduar. Po kështu, në bazë të kujdesit të detyrueshëm, bërësi i zinasë nuk duhet të martohet me një grua me të cilën ka bërë zina, përveç nëse ajo është penduar. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 398. Nëse martesa e ndodhur mes jomuslimanëve është e vlefshme sipas zakonit të tyre, ajo konsiderohet e vlefshme edhe prej nesh, pavarësisht nëse që të dy bashkëshortët janë Ehlu`l-kitabë, jo Ehlu`l-kitabë, ose njëri po e tjetri jo. Kur që të dy bashkëshortët pranojnë Islamin së bashku, ata mbeten të martuar mbi bazën e martesës së mëparshme, pra nuk kanë nevojë ta recitojnë formulën e martesës sërish sipas traditës së fesë sonë dhe shkollës sonë të mendimit.


 399. Nëse babai e tërheq kujdestarinë e tij nga e bija e virgjër dhe e konsideron të pavarur, pasi të ketë mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, siç e ka zakoni në Perëndim, ajo mund të martohet pa nevojën e pajtimit dhe miratimit të të atit.


 400. "Bashkëshortëve u lejohet t`i shohin trupin njëri tjetrit, përjashta dhe përbrenda, përfshirë pjesët intime; si dhe të prekin cilëndo pjesë të njëri tjetrit me cilëndo pjesë të tyren, me dhe pa epsh."(8)


 401. Bashkëshorti e ka për detyrë të sigurojë të gjitha nevojat e bashkëshortes së përhershme që i bindet në ato çështje në të cilat duhet t`i bindet. Në këtë rast, bashkëshorti e ka për detyrë t`i sigurojë ç`t`i nevojitet asaj, si ushqim, veshje, banesë, me të gjitha pajisjet e nevojshme si freskore, kondicioner, qilima, pajisje shtëpiake etj, në përputhje me statusin e saj si bashkëshortja e tij. Një status i tillë ndryshon sipas vendit, kohës, rrethanave, perceptimeve të përgjithshme, zakoneve, standartit të jetesës, etj. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 402. Bashkëshorti musliman e ka për detyrë t`i mbulojë të shoqes shpenzimet e udhëtimit, kur i kërkon asaj që ta shoqërojë në udhëtimet e tija. Po kështu edhe kur ajo ndërmerr një udhëtim të lidhur me çështjet e jetës së saj. Për shembull, nëse ajo është e sëmurë dhe trajtimi i saj mjekësor varet nga udhëtimi tek një specialist, bashkëshorti e ka për detyrë të paguajë të gjitha shpenzimet e saja, biletën dhe koston e mjekimit. 


 403. "Nuk lejohet neglizhimi i marrëdhënieve seksuale me një bashkëshorte të re për më shumë se katër muaj, përveç nëse ekziston një përligjje, si vështirësi ose lëndim i padurueshëm [në kryerjen e asaj detyre] ose kur ajo pajtohet [pra, kapërcen të drejtat e saja martesore], ose kur i tillë ka qenë pajtimi i tyre në çastin e martesës. 


 Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, kjo rregull nuk kufizohet te bashkëshortja e përhershme, pra përfshin edhe bashkëshorten e përkohshme. Po kështu, mbështetur në kujdes të detyrueshëm, ajo nuk kufizohet kur bashkëshorti është i pranishëm, por edhe kur ai udhëton. Prandaj, atij nuk i lejohet ta zgjasë udhëtimin (pa arsye të vlefshme), nëse kjo nënkupton privimin e gruas nga e drejta e saj, aq më tepër kur ai udhëtim nuk konsiderohet si thelbësor në sytë e njerëzve, pra është për pushim ose kënaqësi." (9)


 404. "Muslimanes nuk i lejohet assesi të martohet me një jomusliman."(10)


 405. "Nëse muslimani e shqetëson bashkëshorten dhe ka mëri ndaj saj pa arsye të vlefshme, asaj i lejohet ta paraqesë çështjen përpara një kadiu, i cili do ta detyrojë bashkëshortin që të jetojë me të miqësisht, nëse kjo është ndopak e mundur, ose ta ndëshkojë si ta shohë të udhës. Nëse as kjo nuk funksionon, ajo mund të kërkojë divorc nga burri. Nëse ai refuzon ta divorcojë dhe nuk detyrohet dot ta divorcojë, kadiu do ta shpallë gruan të divorcuar."(11) (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 406. Lejohet farëzimi artificial i bashkëshortes me spermën e bashkëshortit, me kusht që proçesi i farëzimit të mos përfshijë një veprim haram, sikurse shikimi i pjesëve të trupit që janë të ndaluara të shihen dhe veprime te tjera haram [nga një i tretë]. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 407. Gruas i lejohet të përdorë (hapa) kontraceptivë për të parandaluar shtatzaninë, me kusht që të mos ia lëndojnë seriozisht trupin,pavarësisht nëseburri karënë dakortose jo. 


 408. Gruas i lejohet të përdore mjete intrauterine (IUD) dhe mjete të tjera të kontrollit të lindjes, me kusht që të mos përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e saj dhe futja e mjetit të mos përfshijë një veprim haram, sikurse prekja ose shikimi i pjesëve intime të trupit të gruas nga një mashkull i huaj, të cilat nuk i lejohet t`i shikojë. Po kështu, nuk duhet të përfshijë shikimin dhe prekjen pa doreza nga ana e gruas, të pjesëve që janë haram për t`u prekur ose shikuar. Veç kësaj, IUD nuk duhet të shkaktojë abort të vezës së fekonduar pas implantimit të saj [në mitër].(12)


 409. Gruas nuk i lejohet ta abortojë fetusin pasi të ketë hyrë shpirti, pavarësisht nga shkaku i abortit. Lejohet abortimi i fetusit përpara hyrjes së shpirtit në të, nëse ekziston një dëm i padurueshëm ndaj nënës po ta vazhdojë shtatzaninë ose nëse kjo bëhet skajimisht e vështirë për të. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 410. Nëse nëna e aborton fetusin vetë, ajo përgjigjet për zhdëmtimin. Po kështu, nëse babai ose një person i tretë, sikurse një doktor, e shkaktojnë abortin, zhdëmtimi qëndron mbi atë person. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.) Ekzistojnë hollësi dhe rregulla të tjera mbi çështjen e abortit në doracakët e ligjeve islame dhe libra të tjerë të jurisprudencës islame.(13)


1. Wesa`ilu `sh-Shi`a, vëll. XX, f. 17.
2. po aty, f. 18.
3. es-Sistani, Minhaxhu`s-Salihin, vëll. II, f. 7.
4. Wesa`ilu`sh-Shi`a, vëll. XX, f. 35.
5. et-Tusi, Tahdhibu`l-Ahkam, vëll. VII, f. 395. Të shihet edhe kreu mbi përputhjen në martesë, ff. 394-.
6. Për më gjerë rreth martesës dhe ligjeve të saja, të shihet Sejjid `Izzu`d-Din Bahru`l-`Ulum, ez-Ziwaxh fi`l-Kur`an we`s-Sunneh [dhe Sejjid Muhammed Rizvi, Marriage and Morals in Islam].
7. Për më gjerë rreth martesës së përkohshme dhe ligjeve të saj, të shihet Sejjid Muhammed Taki el-Hakim, ez-Ziwaxhu`l-Muwakkat wa Dawruhu fi Hali Mushkilati`l-Xhins.
8. po aty, f. 11.
9. es-Sistani, Minhaxhu`s-Salihin, vëll. II, ff. 10-11; dhe referencën më lart.
10. po aty, f. 67.
11. es-Sistani, Minhaxhu`s-Salihin, vëll. II, f. 109.
12. "Ekspertët mjekësorë nuk e dinë saktësisht se si funksionon IUD. Sot për sot ekzistojnë dy opinione: njëri thotë se IUD ndalon fekondimin, tjetri pohon se ai ndalon vezën e fekonduar nga implantimi në mitër. Duke qenë se shtatzania sipas Sheri`atit fillon në implantim, nuk ka problem me përdorimin e IUD si mjet për kontrollin e shtatzanisë, pavarësisht nga dallimet e mësipërme mes specialistëve të mjekësisë." (S. M. Rizvi, Marriage & Morals in Islam, Toronto: IEIC, Revised Edition, 1994, f. 121.)
13. Të shihet es-Sistani, Minhaxhu`s-Salihin, vëll. II, ff. 136-7 dhe el-Mesa`ilu `l-Muntakhaba, ff. 385-419.


Pyetje dhe Përgjigje


411. Pyetje: A na lejohet të japim pjesën e khumsit për Imamin, për martesën e një besimtari në Perëndim, duke e ditur se ajo sasi të hollash që jepet këtu [për martesën] mund të përdoret për martesat e më shumë se një besimtari [në vendet muslimane] dhe se ka shumë besimtarë nevojtarë në vende muslimane? A nuk është e domosdoshme që sa më shumë njerëz meritues të ndihmohen nga sahm-i Imam?


Përgjigje: Ndonëse financimi i martesës së besimtarëve nevojtarë është ndër sferat e mbuluara nga pjesa e Imamit, nuk lejohet përdorimi i saj për këtë ose qëllime të tjera pa lejen e marxha`it ose përfaqësuesit të tij.


 Nuk është e domosdoshme që të përdoret sahm-i Imam për t`u shërbyer interesave të numrit më të lartë të mundshëm të njerëzve meritues; ajo që ka rëndësi është bërja e përparësive për çështjet e rëndësishme. Këto përparësi dallojnë sipas rrethanave.


 412. Pyetje: A i mjafton një jo-arabishtfolësi që ta shqiptojë formulën e martesës në arabisht pa ua kuptuar domethënien fjalëve, kur e dimë se qëllimi i shqiptimit të tyre është solemnizimi i martesës në mënyrën e duhur? Duke e zënë se thjesht shqiptimi mjafton, a është e nevojshme që ajo të thuhet në arabisht, pa patur nevojë që formula e martesës të shqiptohet në një gjuhë tjetër?


 Përgjigje: Kjo do të mjaftonte, me kusht që personi të ketë njëfarë ideje, qoftë edhe përafërsisht, për kuptimin e fjalëve në arabisht. Mbështetur në kujdes juridik, nuk ka nevojë që ajo të thuhet në gjuhë tjetër.


 413. Pyetje: A vlen shqiptimi i formulës së martesës me telefon?

Përgjigje: Vlen.


 414. Pyetje: A është e mundur të jepet dëshmi me telefon ose faks ose letër?

Përgjigje: Rregullat e rrjedhimet që vlejnë për dhënien e dëshmisë para kadiut nuk mund të realizohen pa praninë fizike të dëshmitarit. Sa i përket dëshmimit që merret vetëm me përshkrimin e një ngjarjeje ashtu siç ka ndodhur, metodat e lartpërmendura e të ngjashmet me to mjaftojnë, me kusht që të sigurohen ndaj falsifikimit dhe gabimit.


 415. Pyetje: A i lejohet një burri shikimi i kujdesshëm i trupit, me përjashtim të pjesëve intime, të gruas me të cilën synon të martohet, me ose pa motivim seksual?


 Përgjigje: Lejohet shikimi i tipareve të gruas si: fytyra, flokët dhe duart, por pa qëllime epshore. Dhe [kjo lejohet] edhe nëse ai e di se do t`i vijnë natyrshëm mendime epshore [duke e shikuar]. Kur personi i ka vështruar tiparet e saja me shikim të parë, atij nuk i lejohet të shohë sërish.


 416. Pyetje: Disa qeveri perëndimore e lejojnë bijën që të jetë e pavarur nga prindërit, pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç. Nëse ajo kërkon ndopak këshillën e prindërve, kjo është vetëm për të marrë opinionin e tyre ose nga respekti për ta. A lejohet të merret për bashkëshorte një vajzë e tillë, qoftë në martesë të përhershme a të përkohshme, pa lejen e të atit?


 Përgjigje: Nëse kjo do të thotë së babai e ka lejuar atë që të martohet me kë të dojë ajo, ose që ai është tërhequr nga përzierja në çështje e martesës së saj, vajzës i lejohet të martohet me kë të dëshirojë; përndryshe nuk i lejohet, bazuar në kujdes të detyrueshëm.


 417. Pyetje: Nëse një grua është mëse tridhjetë vjeçe dhe akoma e virgjër, a i nevojitet asaj pajtimi i kujdestarit të vet për t`u martuar?


 Përgjigje: Nëse nuk është e pavarur, e ka të detyrueshme të kërkojë pajtimin e tij. Madje, edhe nëse është e pavarur, duhet të kërkojë pajtimin e tij, si masë kujdesi juridik.


 418. Pyetje: A i lejohet një vajze të virgjër të përdorë pudrën e lehtë të makjazhit për të tërhequr vëmendjen në takime grashë? Po nëse e bën këtë duke patur si qëllim martesën - a do të shihej kjo si mbulim i të metave fizike [po t`i kishte]?


 Përgjigje: Asaj i lejohet ta bëjë këtë dhe kjo nuk konsiderohet si "fshehje të metash fizike". Edhe sikur të ishte, nuk do të përbënte haram, përveç nëse ajo do të kishte për synim që të mashtronte personin me të cilin kërkon të martohet.


 419. Pyetje: Kur i lejohet bashkëshortes që të kërkojë divorc nëpërmjet kadiut? A i lejohet gruas - bashkëshorti i të cilës e trajton keq si grua, ose gruas që nuk është e kënaqur seksualisht nga i shoqi aq sa druhet se do të kryejë atë që është haram - të kërkojë divorc dhe të ndahet?


 Përgjigje: Asaj i lejohet të kërkojë divorc nëpërmjet kadiut, nëse burri i saj refuzon të përmbushë të drejtat e saja martesore pasi që kadiu e ka urdhëruar për këtë. Në rast të tillë, kadiu do ta shpallte atë grua të divorcuar.


 Rrethanat në të cilat kjo mund të ndodhte janë:


a. Kur bashkëshorti refuzon ta mbajë gruan dhe po ashtu refuzon ta divorcojë. Kjo do të përfshinte rastin e një bashkëshorti që nuk është i gatshëm ta mbajë të shoqen dhe refuzon që ta divorcojë atë më vonë.


b. Kur burri e shqetëson të shoqen, e trajton padrejtësisht dhe nuk sillet butë me të, siç ka urdhëruar Zoti Fuqiplotë.


c. Kur burri e braktis atë plotësisht dhe ajo bëhet si grua e pezullt, pra as e matuar as e lirë të martohet [me dikë tjetër].


Sa i përket rastit kur ai nuk i kënaq plotësisht nevojat e saja seksuale aq sa ajo druhet se mos kryen haramin, atëherë, mbi bazën e kujdesit të detyrueshëm, bashkëshorti duhet t`i përmbushë nevojat e saja ose të pajtohet me kërkesën e saj për divorc. Megjithatë, nëse nuk e bën këtë, gruaja duhet të bëjë sabr e të presë [për një zgjidhje].


 420. Pyetje: Një muslimane është lënë nga i shoqi për një kohë aq të gjatë sa të mos shpresohet më që ata të bashkohen në të ardhmen e shpejtë; ajo pohon se nuk mund të rrijë pa burrë për shkak të vështirësisë së të jetuarit si grua e vetme në Perëndim, ku i druhet vjedhjeve me forcë në shtëpinë e saj etj. A mund të kërkojë divorc nga kadiu në mënyrë që ai të shqiptojë divorcin, me ç`rast ajo mund të martohet me kë të dëshirojë?


Përgjigje: Nëse burri e ka braktisur, ajo mund ta çojë çështjen te kadiu, i cili do ta detyrojë burrin të zgjedhë midis dy rrugëve: ose t`i japë fund braktisjes ose ta lëshojë, në mënyrë që të martohet me një burrë tjetër. Nëse ai refuzon që të bëjë njërën nga këto të dyja, kadiu ka të drejtë ta shpallë divorcin me ta kërkuar ajo.


 Por nëse është gruaja ajo që e ka lënë burrin pa justifikim të vlefshëm, kadiu nuk ka se si ta shpallë të divorcuar atë grua.


 421. Pyetje: Një çift musliman janë ndarë për një kohë të gjatë. A i lejohet atij të martohet, përkohësisht ose përgjithmonë, me një grua nga Ehlu`l-kitabët, pa dijeninë e të shoqes muslimane? A i lejohet atij të martohet, me lejen e gruas së tij muslimane?


 Përgjigje: Të martuarit përgjithmonë e burrit musliman me një grua Ehlu`l-kitabe i bie ndesh kujdesit juridik në çdo rrethanë qoftë.


 Martesa e tij e përkohshme me një kristiane ose çifute lejohet, nëse nuk është i martuar me një grua muslimane. Nëse e ka një grua muslimane, martesa e tij e përkohshme me një Ehlu`l-kitabe nuk lejohet pa pajtimin e saj; jo madje, as me pajtimin e saj - bazuar kjo në kujdes të detyrueshëm.


 422. Pyetje: Një musliman i martuar me një muslimane ka mërguar nga vendi i tij. Pas një qëndrimi të gjatë në një vend perëndimor, ai kërkon të përfshihet në martesë të përkohshme me një Ehlu`l-kitabe vetëm disa ditë pas divorcimit me të shoqen muslimane. A i lejohet kjo atij, sidomos ngase e shoqja muslimane është në periudhën e pritjes (el-`idde)?

Përgjigje: Martesa e përkohshme e përmendur këtu konsiderohet e pavlerë sepse gruaja që ndodhet në periudhën e pritjes së një divorci të revokueshëm konsiderohet akoma bashkëshorte. Sapo u përmend se martesa e përkohshme me një grua nga Ehlu`l-kitabët ndërkohë që burri ka një bashkëshorte muslimane nuk lejohet [sipas kujdesit të detyrueshëm juridik].


 423. Pyetje: A e kemi për detyrë ta njoftojmë një burrë që do të martohet me një Ehlu`l-kitabe ose një muslimane, se ajo nuk e ka përmbushur akoma periudhën e pritjes (`idde) të një divorci nga një martesë paraprake, ose që ajo është akoma në `idde [gjatë së cilës i ndalohet martesa]?

Përgjigje: Nuk e keni për detyrë.


424. Pyetje: A i lejohet një muslimani të martohet me një jomuslimane e cila është akoma e martuar me një jomusliman? A ka një periudhë pritjeje (`idde) për atë, kur të ndahet nga i shoqi jomusliman? Sa zgjat ajo? A lejohen marrëdhëniet seksuale me të gjatë kohës kur ajo është në `idde nga i shoqi jomusliman? Nëse pranon Islamin, sa do të zgjasë `idde e saj, nëse synon të martohet me muslimanin?


Përgjigje: Nuk lejohet martesa me të ndërkohë që është e martuar me një jomusliman, në një martesë që njihet prej tyre, sepse ajo është grua e martuar. Lejohet martesa e përkohshme me të pas divorcit të saj dhe pas përmbushjes së `iddes nga burri i saj jomusliman (periudhë e cila nuk ndyshon nga ajo e një muslimaneje). Prandaj, nuk lejohet pa plotësuar `idden.


Nëse bëhet muslimane pasi që ka kryer marrëdhënie seksuale me të shoqin jomusliman dhe i shoqi nuk ka pranuar Islamin, është e detyrueshme për nga masa e kujdesit juridik që muslimani të mos martohet me të pa plotësuar ajo `idden e saj. Por nëse ajo bëhet muslimane pa patur kryer marrëdhënie seksuale me të shoqin jomusliman, martesa e tyre do të anullohet menjëherë dhe nuk ka `idde në rast të tillë.


 425. Pyetje: Cili është kuptimi i "drejtësisë" së kërkuar nga ligjet fetare në trajtimin e bashkëshoteve?


 Përgjigje: Drejtësia e kërkuar [në trajtimin e poligamisë] ka të bëjë me ndarjen [e kohës mes tyre] në kuptimin që kur ai kalon një natë me njërën, duhet të kalojë një natë me secilën prej të tjerave në çdo katër net.


 Drejtësia që kërkohet si rekomandim është barazia në harxhimin e të hollave, duke u kushtuar vëmendje, gazmendje dhe përmbushje të nevojave të tyre seksuale etj.


 426. Pyetje: Nëse një muslimane kryen zina, a i lejohet të shoqit ta vrasë?

Përgjigje: Mbi bazën e kujdesit të detyrueshëm, atij nuk i lejohet që ta vrasë, edhe sikur ta shohë duke bërë zina.


427. Pyetje: Çfarë nënkuptohet me shprehjen "grua imorale e njohur për zina" që përdoret në doracakët e ligjeve islame?


 Përgjigje: Do të thotë që ajo grua njihet mes njerëzve se kryen zina.


 428. Pyetje: A lejohet pjesëmarrja në martesë të përkohshme me një grua që "njihet për zina", nëse nuk ka grua tjetër të disponueshme dhe personi ka nevojë të dëshpëruar për martesë?

Përgjigje: Mbi bazën e kujdesit të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga martesa me një grua të tillë, përveçse pasi të jetë penduar.


 429. Pyetje: Cili është kuptimi i shprehjes së përdorur nga juristët, se "nuk ka periudhë pritjeje (`idde) për një grua imorale për shkak të zinasë së saj"

Përgjigje: Do të thotë se lejohet martesa me të pasi që të ketë kryer zina, pa e respektuar `iddanë; dhe, nëse martohet, të shoqit i lejohet të kryejë marrëdhënie seksuale me të pa respektuar `iddetin përveçse në rastin e el-wat`i bis-shubhe (marrëdhënie seksuale kur është ngatërruar identiteti ose nuk njihej ligji).


 430. Pyetje: Një burrë ka jetuar me një grua, me të cilën synonte të martohej, dhe ka patur marrëdhënie seksuale me të pa lidhur kontratë martesore (`akd); paskëtaj është martuar me të, në rrugën e duhur fetare. A konsiderohet bashkëjetimi i tyre përpara `akdit, si martesë, në sytë e ligjit? A ka `akdi vijues efekt retroaktiv? Cili do të jetë statusi i fëmijve të lindur para `akdit?


 Përgjigje: Në një martesë [islame], marrëdhënia bashkëshortore vendoset me shprehjen foljore të propozimit dhe pranimit. Veç kësaj, asnjë veprim që pasqyron qëllimin e martesës nuk mund t`i zëvendësojë fjalët e thëna. Për rrjedhojë, martesa e lartpërmendur është e pavlerë deri me shqiptimin e formulës së martesës [sipas normave] fetare, e cila nuk ka kurrfarë efekti retroaktiv.

Sa u përket fëmijëve, ata do të konsiderohen të ligjshëm nëse prindërit nuk e kanë ditur ligjin [që e kërkon medoemos `akdin], sepse marrëdhënia e tyre do të klasifikohet si wat`i bis-shubhe. Por nëse të dy kanë qenë të vetëdijshëm për ligjin, marrëdhënia e tyre konsiderohet zina. Për rrjedhojë, fëmijët do të quheshin të paligjshëm. Mirëpo, nëse vetëm njëri e dinte për ligjin, fëmijët do të quhen të ligjshëm në raport me prindin e painformuar.


 431. Pyetje: Rrethana të caktuara e kërkojnë përdorimin e farëzimit midis bashkëshortëve, për të rritur mundësitë e shtatzanisë; ky proçes farëzimi kërkon shfaqjen e pjesëve private përpara doktorit. A lejohet kjo?


 Përgjigje: Ekspozimi i pjesëve intime për qëllimin e lartpërmendur nuk lejohet. Megjithatë, nëse ekziston nevojë detyruese për të patur fëmijë dhe kjo kërkon shfaqjen e pjesëve private, lejohet. Një shembull i "nevojës" është kur durimi i mospatjes së fëmijëve bëhet i pamundur për çiftin.


 432. Pyetje: Një grua që nuk dëshiron fëmijë i kërkon doktorit që t`ia lidhë tubat e Fallopit. A i lejohet kjo asaj, pavarësisht nëse [ndërhyrja] është e kthyeshme apo jo dhe nëse bashkëshorti pajtohet ose jo?


 Përgjigje: I lejohet, me kusht që kjo të mos përfshijë prekje dhe shikime haram, pavarësisht nëse është i kthyeshëm. Leja e burrit nuk është e nevojshme; sigurisht, leja e tij mund të nevojitet për konsiderata të tjera.


 433. Pyetje: Në Perëndim [më saktë, në Itali] veza e një gruaje është fekonduar në laborator dhe veza e fekonduar është implantuar pastaj në mitrën e nënës; fetusi është zhvilluar dhe ka lindur nga mitra e gjyshes. A lejohet implantimi i një fetusi [ose veze të fekonduar] në mitrën e gjyshes? Kush do të jetë nëna e fëmijës, sipas Sheri`atit?


 Përgjigje: Në parim, është e vështirë të konsiderohet e lejuar, edhe po të kapërcejmë të prekurit dhe të shikuarit haram të përfshirë në një proçedurë të tillë. Nëse proçesi ndodh e fëmija lind, për të përcaktuar se kush duhet konsideruar nëna e fëmijës nga perspektiva gjenealogjike - nëna gjenetike apo nëna biologjike - ka dy pikëpamje. Duhet treguar kujdes ndaj të dyja grave [pra, të përmbushen të drejtat e nënës në raport me të dyja.]


 434. Pyetje: Ndodh që sperma e një burri të ruhet në një depozitë sperme. A i lejohet një muslimaneje të divorcuar të përdorë spermën e një burri të huaj [për t`u farëzuar artificialisht] me ose pa lejen e tij dhe pa recituar formulën e martesës? Cili është gjykimi nëse sperma është ajo e ish-bashkëshortit dhe ajo synon ta përdorë gjatë ose pas periudhës së pritjes? 


 Përgjigje: Një gruaje nuk i lejohet të farëzohet me spermën e një burri të huaj; por i lejohet me spermën e bashkëshortit, madje edhe gjatë periudhës së pritjes, por jo pas saj.


 435. Pyetje: Një burrë vendoset përpara situatës ku i duhet të kënaqë o familjen e vet o gruan: a duhet ta divorcojë gruan për të kënaqur familjen e tij apo të bëjë të kundërtën?


 Përgjigje: Ai duhet të përvetësojë situatën që është më e mirë për dinin e tij si dhe për dynjanë e tij, të priret kah drejtësia dhe barazia dhe të përmbahet nga zullumi e dhunimi i të drejtave [të të tjerëve].


 436. Pyetje: Cili është kuptimi i "mbajtjes së detyrueshme" që burri duhet t`i sigurojë bashkëshortes? A duhet të jetë niveli i mbajtjes sipas pozitës shoqërore të burrit, standartit të jetesës që ka patur gruaja në shtëpinë e të atit, apo një norme tjetër?


 Përgjigje: Kriter është niveli që do t`i përshtatej statusit të saj në raport me atë të bashkëshortit të saj. [Pra nivelit që do t`i shkonte për shtat si "bashkëshortja e tij".]


 437. Pyetje: Gruaja ka disa të drejta mbi të shoqin; nëse ai i neglizhon disa prej tyre, a i lejohet gruas të mospërfillë qasjet e tija seksuale?


 Përgjigje: Ajo nuk e ka këtë të drejtë; nëse këshillimi dhe, në vijim, paralajmërimi nuk funksionojnë [për t`ia ndryshuar sjelljen atij], ajo mund ta çojë çështjen te kadiu, i cili duhet të marrë masat e duhura.


 438. Pyetje: Rrugës për diku ose gjatë kthimit prej diku, një udhëtar musliman e përqafon dhe e puth bashkëshorten në publik. A i lejohet kjo?

Përgjigje: Kjo nuk është haram, nëse respektohen rregullat e duhura të paraqitjes e hixhabi, si dhe për sa kohë që ky veprim të mos nxisë epsh [tek të tjerët]; është e preferueshme të përmbaheni nga kjo lloj sjelljeje.


 439. Pyetje: Midis një burri e një gruaje ka ndodhur divorc ligjor sipas sistemit juridik perëndimor. Bashkëshorti nuk dëshiron t`u përmbahet të drejtave të saja fetare e as të paguajë të holla për mbajtjen e saj. Ai refuzon të dëgjojë autoritetet fetare që veprojnë si ndërmjetës. Ç`duhet të bëjë e shoqja, duke ditur se durimi në rrethana të tilla do t`i shkaktojë rëndesë [të papërballueshme]?


 Përgjigje:Ajo duhet t`ia paraqesë probleminkadiut ose përfaqësuesit të tij të autorizuar, i cili pastaj do të këshillojë të shoqin ose t`i sigurojë asaj shpenzimet ose t`i japë divorc fetar - qoftë edhe duke caktuar dikë tjetër për kryerjen e kësaj. Nëse ai kundërshton të bëjë cilëndo dhe nuk është e mundur [për kadiun] që t`i sigurojë asaj të ardhurat nga pasuria e të shoqit, kadiu ose përfqësuesi i tij do ta shpallë gruan të divorcuar.


 440. Pyetje: A lejohet seksi me një jomuslimane - Ehlu`l-kitabe ose tjetër - pa kryer martesë fetare, mbi bazën e faktit se vendi i saj është në gjendje lufte, drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, me muslimanët?

Përgjigje: Nuk lejohet.


 441. Pyetje: Një grua as nuk i bindet të shoqit e as nuk kryen detyrat e saja martesore; ajo gjithashtu largohet nga shtëpia për të qëndruar në gjini për shtatë muaj. Pastaj, në vend që t`u drejtohet ligjeve islame, ajo shkon në një gjyq joislam për të marrë mbajtje financiare nga burri, kujdestarinë e fëmijëve dhe divorcin. A ka të drejtë një grua e tillë të marrë diçka nga i shoqi? Në rast të tillë, kur të shkojë në një gjykatë joislame dhe kjo e fundit t`ia japë dicorcin dhe të drejtat e saja (mbështetje financiare nga burri dhe kujdestarinë e fëmijëve), a i meriton ajo të drejtat e saja të plota martesore?


 Përgjigje: Nga këndvështrimi i Sheri`atit, bashkëshortja e mësipërme nuk e meriton mbështetjen financiare nga i shoqi. Mirëpo mehri i saj dhe e drejta për kujdestarinë e fëmijëve (nën moshën dy vjeçare) nuk duhen pezulluar për arsye të mosbindjes së saj.


 442. Pyetje: Një grua e re ka kryer një operacion, përmes të cilit i është hequr mitra dhe për pasojë i kanë reshtur menstruacionet për mëse pesëmbëdhjetë vjet. Pastaj ajo është martuar në një martesë të përkohshme për një periudhë, të cilës tani i ka ardhur fundi. A duhet të respektojë ajo peridudhën e pritjes (`idda)? Nëse po, sa do të zgjaste ajo?

Përgjigje: Nëse është në moshë që menstruacionet janë zakonisht të mundshme, atëherë periudha e `iddetit në matesën e saj të përkohshme do të ishte 45 ditë.


 443. Pyetje: Nganjëherë një jomuslimane dëshmon me gojë [besimin në Islam] për hir të martesës, gjë që shkakton besueshmëri bindëse tek njerëzit, se ajo vërtet beson në Islam. A munden të tjerët [që kanë dyshime për besimin e saj] ta trajtojnë atë si muslimane?


 Përgjigje: Po, trajtimi islam do të vlente për atë grua për sa kohë që ajo të mos thoshte ose bënte diçka që do t`i binte ndesh [dëshmimit të besimit prej saj].


 444. Pyetje: Ndodh që veza e fekonduar transplantohet në mitrën e një gruaje tjetër. A lejohet kjo? Nëse shtatzania është e suksesshme, i kujt do të konsiderohet fëmija?

Përgjigje: Nuk ka problem, përderisa të mos ketë prekje dhe shikim haram. Sa për atë se kush do të jetë nëna gjenealogjike: nëna gjenetike (që dha vezën) apo nëna biologjike (që e mbajti fetusin dhe e lindi fëmijën), ka dy mendime. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, duhet ushtruar kujdes në raport me të dyja.


 445. Pyetje: Fetusi noton në një lëng që ndodhet në mitrën e nënës. Ky lëng del gjatë lindjes ose pak përpara, nganjëherë me gjak, e nganjëherë jo. A konsiderohet ritualisht i pastër ky ujë, nëse del pa gjak.


 Përgjigje: Po, në këtë rast është i pastër (tahir).


 446. Pyetje: Kur lejohet abortimi i fetusit? A ndikon mosha e fetusit?

Përgjigje: Aborti nuk lejohet pas implantimit të vezës [së fekonduar në brendësinë e mitrës], përveçse nëse jeta e nënës është në rrezik ose kur vazhdimi i shtatzanisë do t`i shkaktojë vështiësi që normalisht do të ishte e padurueshme dhe nuk ka zgjdhje tjetër përveç abortit. Në këtë rast, lejohet abortimi i fetusit përpara futjes së shpirtit në të; pas hyrjes së shpirtit, nuk lejohet assesi.


 447. Pyetje: Ndodh që doktorët arrijnë në përfundimin se një fetus i caktuar është i kapluar nga një sëmundje shumë serioze; gjë që e bën të preferueshme që fëmija të abortohet, sepse po të lindte, do të ishte i deformuar ose do të vdiste pak pasi të lindte. A i lejohet doktorit atëherë, që ta abortojë fetusin? A i lejohet nënës që të pajtohet me abortimin? Cili prej të dyve do të jetë përgjegjës për zhdëmtim [nëse nuk lejohet]?


 Përgjigje: Thjesht fakti që fëmija do të jetë i deformuar ose që nuk do të jetojë për një kohë të gjatë pas lindjes nuk e përligj kurrsesi ndërprerjen e shtatzanisë. Prandaj, nënës nuk i lejohet të japë pajtimin për abort, ashtu siç nuk i lejohet as doktorit që të vazhdojë me proçedurën. Kushdo që e kryen abortin do jetë përgjegjës për pagimin e zhdëmtimit.


 448. Pyetje: A i lejohet nënës të abortojë fetusin akoma pa hyrë shpirti në të, nëse nuk e don këtë fëmijë dhe nuk ekziston rrezik serioz për jetën e saj?

Përgjigje: Nuk i lejohet, përveçse kur vazhdimi i shtatzanisë do të dëmtonte shëndetin e saj ose do ta vendoste në vështirësi të padurueshme.


XV. Çështje të grave


Hyrje


Për muslimanet ekzistojnë ligje specifike, të cilat librat e jurisprudencës islame i kanë shtjelluar në hollësi. Megjithatë, si rrjedhojë e të jetuarit në shoqëri jomuslimane, kanë dalë situata të tjera që kanë ngritur pyetje dhe pikëpyetje të reja.


Rregulla të Përgjithshme


 449. Një gruaje i lejohet të mbajë zbuluar duart dhe fytyrën përpara një burri jo-mahram, me kusht që të mos druhet se do të bjerë në një veprim haram, se shfaqja e fytyrës dhe duarve të saja nuk do t`i bëjnë burrat ta vështrojnë në mënyrë të ndaluar, dhe se kjo nuk shpie në imoralitet në përgjithësi. Përndryshe, ajo e ka të detyrueshme të fshehë [fytyrën dhe duart], qoftë edhe prej atyre që i janë mahram


 450. Gruas nuk i lejohet të shfaqë pjesën e sipërme të këmbëve të saja para një burri jo-mahram. Megjithatë, asaj i lejohet t`i mbajë këmbët - trinë dhe shputë - zbathur gjatë namazit, nëse ndodhet në një vend ku nuk mund të shihet nga një person jomahram.


 451. Gruas i lejohet të përdorë kohl mbi qerpikë dhe të veshë unaza në duar, me kusht që kjo të mos jetë për të tërhequr vëmendjeje epshore të burrave drejt saj dhe që të jetë e bindur se nuk do të bjerë në një vepër haram. Përndryshe, ajo e ka të detyrueshme që t`i mbulojë [sytë me kohl dhe duart me unaza] edhe para atyre që i janë mahram.


 452. Gruas i lejohet të dalë jashtë e parfumosur, madje edhe nëse burrat jomahram mund ta kundërmojnë parfumin e saj; duke vepruar kështu ajo nuk duhet të synojë eksitimin ose tërheqjen e tyre.


 453. Gruas i nuk i lejohet të hypë në makinë me një shofer jomahram, përderisa të jetë e sigurt se nuk do të bjerë në një veprim haram.


 454. Gruas nuk i lejohet të masturbojë gjersa të arrijë orgazëm dhe të derdhet. Nëse e bën këtë, ajo e ka të detyrueshme të marrë ghusl, i cili do ta kompensojë abdesin.


 455. Gruas shterpë i lejohet shfaqja e pjesëve intime [përpara doktorit] për hir të trajtimit, nëse ka nevojë të dëshpëruar për t`u bërë nënë dhe nëse mosarritja e shtatzanisë do ta vendoste në vështirësi që do ta lironte nga përgjegjësitë e tjera.


 456. "Foshnja duhet të ushqehet me qumështin e nënës, sepse në hadithe është përmendur që: `Nuk ka qumësht më të bekuar për fëmijën se ai i nënës.` Është mirë që fëmija të ushqehet me gji jo më pak se njëzet e një e jo më shumë se njëzet e katër muaj dhe që prindërit të pajtohen t`ia ndërpresin atë më parë."(1)


 457. Bashkëshortes i këshillohet të kryejë punët e shtëpisë dhe t`i gjindet të shoqit për nevojat që nuk lidhen me çështje martesore, si: gatimi, qepja, pastrimi, larja etj, të cilat, megjithatë, nuk i ka për detyrë.


 458. "Lejohet dëgjimi i zërit të një gruaje jo-mahram pa tone seksuale. Po kështu, asaj i lejohet ta bëjë veten të dëgjohet nga burra jo-mahram, përveçse kur ekziston frika se do të shkaktohet një veprim haram. Megjithatë, asaj nuk i lejohet të hollojë zërin ose ta bëjë të këndshëm aq sa të eksitonte normalisht dëgjuesin, edhe ai t`i jetë mahram."(2)


 459. "Nëse një grua ka nevojë për ekzaminim mjekësor për të trajtuar sëmundjen e saj dhe doktori jomahram është më i zoti që ta trajtojë, atij i lejohet t`ia shikojë trupin dhe ta prekë, nëse nevojitet. Nëse trajtimi është i mundur nëpërmjet njërës nga të dyja metodat (shikimit ose prekjes), ai [duhet të kufizohet vetëm tek njëra] dhe nuk lejohet të përdorë tjetrën."(3)


 460. Disa dijetarë thonë: "Për t`i kufizuar të gjitha llojet e veprimtarisë seksuale në martesë dhe për të mirën e bashkëshortit, bashkëshortes dhe të krejt familjes, Islami u ka urdhëruar vendosjen e hixhabit grave kur të takojnë burra që nuk u janë mahram."(4)


 461. Regjisori i njohur i filmave, Alfred Hitchcock ka thënë: "Gruaja lindore ishte shumë tërheqëse në vetvete dhe kjo tërheqje i jepte pushtet të jashtëzakonshëm. Por duke ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt vënies së vetes në nivel me motrën e saj perëndimore, gruaja lindore e ka braktisur dalëngadalë hixhabin, gjë që ia ka zvogëluar tërheqshmërinë [pra dhe pushtetin]."(5)


 462. Duke diskutuar sjelljen seksuale të grave, Will Durant shkruan: "Gruaja e di se pahijshmëria shpie në vetrespekt të ulët dhe degradim, prandaj ajo ia ka mësuar këtë [fakt] të bijës."(6) Me fjalë të tjera, ajo priret për nga natyra drejt hijshmërisë dhe ndershmërisë; dhe mbulimi i trupit të saj ia rrit nderimin dhe pozitën në sytë e burrave.


 1. es-Sistani, Minhaxhu`s-salihin, vëll. III, f. 120.
2. po aty, f. 15.
3. po aty, f. 13.
4. Të shihet Shejh Murteza Mutahhari, Meseletu`l-hixhab, cituar në numrin e parë të revistës el-Keuther, f. 92.
5. Të shihet el-Keuther; [citimi është marrë nga arabishtja, burimi origjinal nuk gjendet dot.]
6. [Përkthyer nga arabishtja, burimi origjinal nuk gjendet dot.]


 Pyetje dhe Përgjigje


 463. Pyetje: Cili është gjykimi në çështjen e një gruaje që përqafon një grua tjetër në mënyrë pasionante, duke u puthur e flirtuar me të me dëshirë seksuale? Po sikur të vazhdojnë më tej në sferën e sjelljes së devijuar seksuale?


Përgjigje: Të gjitha këto janë haram, me shkallë të ndryshme ndalueshmërie.


 464. Pyetje: Mjaft shpesh, gratë shtrojnë pyetje specifike [lidhur me çështjet e grave] nga sfera e mbjelljeve. A u lejohet atyre të pyesin haptazi, ndonëse disa pyetje mund të jenë të natyrës private? A u lejohet studentëve t`u përgjigjen atyre në të njëjtën mënyrë eksplicite?


 Përgjigje: U lejohet të dyja palëve për hir të të nxënit dhe mësuarit të ligjeve fetare, por duhet të kenë sinqeritet në nijet, të respektojnë hijshmërinë dhe etiketën [në bisedë] dhe të përmbahen nga të shprehurit eksplicit në çështje që nuk janë të përshtatshme të shprehen haptazi.


 465. Pyetje: Gjatë pjesës përpara marrëdhënies intime, një lëng ngjitës derdhet në vaginën e gruas; dhe në vazhdim gruaja mund të ketë orgazëm. A e ka për detyrë ajo të bëjë banjë (ghusl) kur arrin fazën e parë apo vetëm kur arrin orgazmën? Dhe a e zëvendëson ky ghusl abdesin?


 Përgjigje: Ghusli nuk bëhet waxhib për gruan gjersa ajo të ketë arritur nivelin e eksitimit seksual. Me të arritur atë nivel dhe me t`u derdhur lëngu, ajo e ka të detyrueshme të marrë ghuslin e xhunubllëkut, i cili ia kompenson abdesin.


 466. Pyetje: Gjatë sezonit të haxhit, gratë përdorin hapa për të shtyrë menstruacionet dhe kur këto vijnë, zakonisht janë me intervale të shpeshta. A do të vlejnë ligjet e menstruacioneve për këto derdhje?


 Përgjigje: Nëse vijnë me ndërprerje dhe nuk vazhdojnë - qoftë edhe brenda pjesës intime pas derdhjes së parë - për tri ditë, ligjet e menstruacioneve nuk zbatohen.


 467. Pyetje: Shumica e grave muslimane që mbajnë hixhab e kanë zakon t`i mbajnë jashtë mjekrat dhe një pjesë të vogël nën to, por mbulojnë qafat. A lejohet kjo? Cilën pjesë të fytyrës mund të shfaqin gratë? A përfshihen veshët në të?


 Përgjigje: Veshët nuk janë pjesë e fytyrës, prandaj duhen mbuluar patjetër. Sa për pjesën e mjekrës dhe atë që ndodhet nën të, të cilat shihen kur vihet hixhabi i zakonshëm, ato konsiderohen si pjesë e fytyrës.


 468. Pyetje: A lejohet shtrëngimi i duarve me një grua jo-mahram në moshë të shtyrë (kawa`id)) që nuk ka shpresa të konsiderueshme për martesë? Cila është mosha e përafërt për t`u konsideruar kawa`id?

Përgjigje: Prekja e trupit të një gruaje jo-mahram nuk lejohet aspak, përveçse në rast nevoje. Nuk ekziston moshë specifike për kawa`id sepse ajo ndryshon nga njëra grua në tjetrën; kriteri është ajo që përmendet në ajetin 24:60 - ajo duhet të jetë e shtyrë në moshë dhe të mos aspirojë për martesë.


 469. Pyetje: Nëse vendosja e mbulesës së fytyrës (en-nikab) në një vend [si Anglia ose Amerika] nganjëherë shkakton tronditje e habi, a është e detyrueshme që ajo të hiqet, pasi do të bëhej pjesë e libasu`sh-shuhra?

Përgjigje: Nuk është e detyrueshme. Megjithatë, nëse mbajtja e saj shkakton mosaprovim dhe mospëlqim nga publiku i një vendi në përgjithësi, ajo do të klasifikohej si libasu`sh-shuhra në atë vend dhe nuk do të lejohej të vishej aty.


 470. Pyetje: A i lejohet një gruaje me hixhab të mësojë makinën, nëse instruktori i saj është një jo-mahram dhe ndodhet i vetëm me të gjatë mësimit, me kusht që gjatë proçesit të mos ndodhë asgjë haram?


 Përgjigje: Lejohet, me kusht që të jetë e sigurt nga rënia pre në imoralitet.


 471. Pyetje: Disa parukeri punësojnë gra. A i lejohet një muslimaneje të përfshihet në vënien e makiazhit grave të tjera - muslimane ose jo - që nuk mbajnë hixhab dhe vënë makiazh në prani të burrave jo-mahram?


 Përgjigje: Nëse ajo punë mbahet si faktor ndihmues për veprimin haram dhe promovimin e tij, nuk i lejohet; megjithatë një konsiderim i tillë është vërtet i panatyrshëm.


 472. Pyetje: A i lejohet një gruaje pa hixhab të heqë qimet e fytyrës, të drejtojë vetullat dhe të vendosë makiazh të lehtë natyror?


 Përgjigje: Heqja e qimeve në fytyrë dhe drejtimi i vetullave nuk e pengojnë atë nga mbajtja e fytyrës zbuluar [kur vendos hixhabin], me kusht që të jetë e sigurt se nuk do të tërhiqet në ndonjë vepër haram dhe që shfaqja e fytyrës të mos bëhet me qëllim ftimin e shikimeve haram.


 473. Pyetje: A i lejohet [gruas] të lyejë flokët, plotësisht ose pjesërisht, në tubime vetëm për gra, me synim tërheqjen e vëmendjes për t`u martuar?

Përgjigje: Nëse ngjyerja bëhet për arsye kozmetike e jo për të mashtruar (duke fshehur një defekt ose moshën, për shembull), nuk ka problem.


 474. Pyetje: Nëse një grua vë paruke që mbulon flokët e saj të vërtetë me qëllim zbukurimin si dhe hixhabin, a i lejohet asaj ta shfaqë fytyrën tani që duket ndryshe?


 Përgjigje: Asaj i lejohet të përdorë paruke, por kjo përbën artikull bukurie që u duhet fshehur prapseprap burrave jo-mahram.


 475. Pyetje: Ka lloje çorapesh, ngjyra e të cilave përkon me atë që përdoret për të zbukuruar këmbët. A i lejohet veshja e tyre një gruaje të re?


 Përgjigje: I lejohet, por nëse konsiderohen artikuj zbukurimi, është e domosdoshme që ajo t`i fshehë nga burrat jo-mahram.


 476. Pyetje: A lejohet veshja e çorapeve që fshehin çfarë ndodhet nën to?

Përgjigje: Në parim, nuk ka problem.


 477. Pyetje: Një infermiere muslimane viziton pacientë; një pjesë e punës së saj është edhe prekja e trupit të burrave, muslimanë dhe jomuslimanë. A i lejohet kjo, kur dihet se lënia e punës do t`ia vështirësojë shumë punësimin gjetiu? Dhe a ka dallim ndërmjet prekjes së trupit të një muslimani nga prekja e trupit të një jomuslimani?


 Përgjigje: Një gruaje nuk i lejohet prekja e burrave jomahram, qofshin muslimanë apo jo, përveçse kur kjo është e domosdoshme, me ç`rast ndalimi kapërcehet.


 478. Pyetje: Një muslimane blen këpucë me taka të larta që tërheqin vëmendjen kur godasin në tokë. A i lejohet asaj t`i veshë ato?


Përgjigje: Nuk lejohet nëse ka për synim tërheqjen e vëmendjes së burrave jomahram, ose nëse shkakton tundim në përgjithësi [për të kryer mëkat].


 479. Pyetje: A i lejohet gruas të veshë unaza, bylyzykë ose varëse qafe për zbukurim?

Përgjigje: I lejohet por duhet fshehur nga burrat jomahram, përveç unazave dhe bylyzykëve, me kusht që të mos ketë rrezik për kryerje të asaj që është haram, ose që shfaqja e tyre të mos synojë tërheqjen e vëmendjes së ndaluar.


 480. Pyetje: Në Perëndim mund të vihen lente me ngjyra për sytë. A i lejohet muslimanes t`i vërë ato për zbukurim dhe të dalë pastaj para burrave jomahram në to?

Përgjigje: Nëse konsiderohen si artikuj kozmetikë, nuk lejohet.


 481. Pyetje: A lejohet shitja e vezëve të një gruaje? A lejohet blerja e tyre?

Përgjigje: Lejohet.


 482. Pyetje: Në disa raste, grave fillojnë t`u bien flokët. A u lejohet atyre t`ia shfaqin flokët mjekut për hir të trajtimit, pavarësisht nëse humbja e flokëve shkakton vështirësi për to apo jo, në kuptimin që ato e bëjnë thjesht për zbukurim?


Përgjigje: Lejohet në rast vështirësie që është normalisht e padurueshme, por jo pa të.


 483. Pyetje: A i lejohet muslimanes të regjistrohet në një kolegj të përzier në Perëndim, megjithë rënien morale dhe qëndrimin liberal të disa studentëve dhe studenteve?


 Përgjigje: Nëse është e bindur se mund ta ruajë besimin, të përmbushë detyrat fetare, përfshirë hixhabin, të përmbahet nga shikimi e prekja haram dhe të mbrohet nga mjedisi imoral dhe i vështirë, nuk ka problem; përndryshe, nuk lejohet.


 484. Pyetje: Në disa vende perëndimore, piktorët ulen nëpër trotuare dhe bëjnë piktura të atyre që kanë dëshirë të kenë një portret prej tyre, kundrejt një pagese. Ata u kërkojnë myshterinjve të pozojnë dhe pastaj ua vëzhgojnë me vëmendje fytyrat për t`ua pikturuar portretet. A i lejohet një gruaje me hixhab t`i kërkojë piktorit që t`i bëjë një portret?


Përgjigje: Ajo nuk duhet të bëjë këtë.


 485. Pyetje: A u lejohet mundja, në format e saja të ndryshme, grave? A u lejohet grave të shohin trupa gjysëmlakuriq mundësash në televizion, pa mendime epshore?

Përgjigje: Mundja nuk lejohet, nëse përfshin lëndimin e vetes ose të kundërshtarit, përtej kufijve të haramit. Është e detyrueshme për një grua që të mos shikojë trupin e një burri, në mënyrë të pafajshme, qoftë edhe në televizion, me përjashtim të kokës, duarve e këmbëve, dhe pjesëve të tjera që normalisht nuk janë të mbuluara.


 486. Pyetje: A u lejohet grave të vështrojnë trupat e burrave që heqin rrobat [pra këmishat] gjatë ceremonive vajtuese [të matemit]?


 Përgjigje: Mbështetur në masën e kujdesit të detyrueshëm, duhet të përmbahen nga kjo.


 487. Pyetje: Një burrë merr përsipër vullnetarisht rritjen e një vajze, pastaj ajo bëhet grua. A e ka për detyrë ajo të vendosë hixhabin në prani të tij? A e ka ai të detyrueshme që të mos i shikojë flokët e saj dhe të mos e prekë aspak?


 Përgjigje: Po, të gjitha këto janë të detyrueshme, dhe raporti i saj me të duhet të jetë si i jomahramëve.


 488. Pyetje: Nëse shtatzania shkakton vështirësi të mëdha për bijën dhe turp të madh për familjen, a i lejohet asaj ta abortojë fetusin?


 Përgjigje: Lejohet përpara hyrjes së shpirtit në fetus, nëse vështirësia arrin një nivel që është zakonisht i padurueshëm dhe kur nuk ka asnjë rrugëzgjidhje përveç abortit.


 489. Pyetje: A i lejohet një gruaje të veshë pantallona dhe të dalë në rrugë e në pazar?

Përgjigje: Nuk lejohet, nëse shfaq konturet e trupit të saj ose shkakton tundim.


 490. Pyetje: A lejohet veshja e një parukeje me qëllim tërheqjen e vëmendjes dhe zbukurimin e vetes në tubime grashë? A llogaritet kjo si "fshehje të metash"?


 Përgjigje: Nuk ka problem, nëse bëhet vetëm për zbukurim e jo për të mashtruar dhe fshehur cene fizike, në rastin e mundësisë për martesë.


 491. Pyetje: A i lejohet gruas me menstruacione të recitojë më shumë se shtatë ajete (përveç atyre që kërkojnë sexhde të detyrueshme)? Nëse po, a është e papëlqyeshme (mekruh)? A nënkupton kjo se ajo do të shpërblehet, paçka se më pak?

Përgjigje: Asaj i lejohet të recitojë vargje të tjera nga ato që kërkojnë sexhde të detyrueshme; dhe kur thuhet se "është e papëlqyeshme që ajo të recitojë më shumë se shtatë ajete" nënkuptohet se shpërblimi i një recitimi të tillë do të jetë më i vogël.


XVI. Çështje të Rinisë


 Hyrje


 Fluksi i të rinjve muslimanë në vendet jomuslimane është rritur, veçanërisht në vendet evropiane dhe amerikane, ku ata vijnë për arsimim, vizita të përkohshme ose qëndrim të përhershëm.


Përkushtimi i të rinjve muslimanë ndaj Islamit shkakton shqetësim, probleme dhe pyetje të shumta rreth çështjeve që kanë rëndësi për ta. Prandaj, është me vend të paraqesim rregullat e mëposhtme fetare që shtjellojnë disa nga këto shqetësime. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


Rregulla të Përgjithshme


492. Muxhtehidët flasin për ndalueshmërinë e shikimit në mënyrë të pahijshme dhe me epsh. Me shprehjen "ndalueshmëri e shikimit me epsh" ata nënkuptojnë se ndalohet shikimi me dëshirë seksuale. Me shprehjen "shikim në mënyrë të pahijshme" nënkuptojnë atë që mund të shpiej në një situatë kur mund të tundohen të kryejnë një vepër haram.


 


493. Lejohet shikimi pa epsh i grave që nuk do të dëgjonin, po t`u ndalohej shfaqja e trupit [duke mos vënë hixhab]. Prandaj, lejohet shikimi i fytyrës, duarve dhe këmbëve të grave si dhe atyre pjesëve të trupit që ato mund të nxjerrin normalisht në publik, por jo të atyre pjesëve që disa prej tyre i shfaqin publikisht, në kundërshtim me zakonin e vendit. Kjo, me kusht që shikimi të mos kombinohet me epsh dhe që shikuesi të mos i druhet tundimit se mund të bjerë në situatë, në të cilën mund të kryejnë haramin. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë dhe artikulli Nr. 500).


 494. Një burri nuk i lejohet shikimi me epsh i një burri tjetër; po kështu, as një gruaje nuk i lejohet shikimi me epsh i një gruaje tjetër.


 495. Homoseksualiteti (esh-shudhudh el-xhinsi) është haram. Po kështu, femrës i ndalohet të përfshihet në akte seksuale me një femër tjetër, pra edhe lezbianizmi edhe pederastia ndalohen. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 496. Ndalohet masturbimi [i vetes], me çfarëdolloj mënyre.


 497. Mbështetur në masën e kujdesit të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga shikimi i filmave pornografikë, edhe nëse shihen pa qëllime të pahijshme apo epsh. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 498. Institucionet imorale kanë prodhuar një artikull që ka tiparet e pjesëve intime të gruas, ku është e mundur për një burrë që të hyjë në intimitet me këtë objekt, duke e vendosur mbi organin e tij. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga përdorimi i tij, edhe nëse personi nuk synon të ejakulojë. Ky ligj vlen pa dallim për burrat, qofshin të martuar apo beqarë. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 499. Burrit i lejohet të përdorë kondom që të parandalojë shtatzaninë; megjithatë, është e detyrueshme për nga masa kujdesore që ai të kërkojë lejen e bashkëshortes për përdorimin e tij.


 500. Muslimanit/es nuk i lejohet të shkojë në pishina të përziera dhe në vende të tjera ku njerëzit dalin gjysëmlakuriq. Kjo, në rast se shpie në veprim haram. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga shkuarja në vende të tilla, edhe nëse nuk shkaktojnë veprim haram.


 501. Muslimanit nuk i lejohet të shtrëngojë duart me një grua, pa pengesë - sikurse dorcat, përveç nëse mosdhënia e dorës do t`i shkaktojë dëm ose vështirësi të padurueshme. Në këtë rast, atij i lejohet të shtrëngojë duart vetëm aq sa nevojitet. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 502. Një të riu i lejohet të puthë motrën e tij ose tezen, hallën apo vajzat e tyre të vogla nga dashmairësia e dashuria. Mirëpo, kjo nuk lejohet nëse sjell eksitim seksual.


 503. Loja e shahut është haram, pavarësisht nëse është me bast ose jo. Është po ashtu haram të luhet shah me një instrument të kompjuterizuar, nëse në të janë të përfshirë dy lojtarë. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur prej tij, edhe sikur lojtari tjetër të jetë kompjuteri. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 504. Është gjithashtu haram të luhet me instrumente kumari në të cilin përfshihet basti. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, duhet përmbajtur prej saj edhe kur nuk është vënë bast.


 505. Lejohet përfshirja në lojëra sportive me top, si futbolli, basketbolli, volejbolli, ping-pongu, hendbolli etj. Lejohet edhe shikimi i këtyre lojërave në stadiume sportive ose përmes monitorëve apo ekraneve, me ose pa pagesë, përderisa të mos shkaktojnë veprim haram, si shikimi me epsh, ose neglizhimi i një obligimi si namazi.


 506. Lejohet përfshirja në mundje dhe boks pa bast, përderisa të mos shpiej në lëndim serioz trupor.


 507. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, muslimanit nuk i lejohet rruajtja e mjekrës. Po kështu, atij nuk i lejohet të lërë mjekrën vetëm në pjesën e përparme e të rruajë anat. Edhe kjo mbështetet në kujdes të detyrueshëm juridik. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 508. Muslimanit i lejohet të rruajë mjekrën, nëse detyrohet ose shtyhet të veprojë kështu për arsye mjekësore etj. Lejohet edhe nëse druhet për jetën e tij ose kur rritja e mjekrës e vendos në vështirësi (për shembull, duke u bërë shkak përqeshjeje dhe poshtërimi që nuk është i durueshëm normalisht për një musliman).


Pyetje dhe Përgjigje


509. Pyetje: Një baba i kërkon shokut të të birit që të monitorojë sjelljen e tij për të njohur karakterin e të birit. A i lejohet shokut t`i japë informacion atij rreth karakterit të të birit, i cili mund të përfshijë gjëra që djali nuk dëshiron t`ia dijë askush?


Përgjigje: Nuk lejohet, me përjashtim të rastit kur djali është i përfshirë në një vepër të ligë dhe ndalimi i tij nuk është i mundur përmes asgjëje veç rrëfimit të sjelljes së tij (që do ta turpërojë dhe lëndojë).


 510. Pyetje: Cili është kuptimi i fjalëve të hadithit që "shikimi parë është [i lejuar] për ty, por i dyti është kundër teje"? A lejohet zgjatja e shikimit të parë gjatë shikimit të një gruaje, bazuar mbi atë që thotë dikush, se ky mbetet akoma "shikimi i parë i lejuar"?

Përgjigje: Mesa duket, kuptimi i pohimit të lartpërmendur është dallimi midis dy shikimeve në kuptimin që i pari është i rastit ose në kalim, kështu që konsiderohet i pafajshëm sepse nuk përfshin dëshira epshore, përkundrejt të dytit, që natyrisht është me dashje dhe i shoqëruar me një element dëshire, që e bën të qortueshëm. Pikërisht për këtë arsye, Imam Sadiku citohet të ketë thënë se: "Shikimi i dytë krijon në zemër një dëshirë që i mjafton personit si tundim."


 Megjithatë, është e qartë se pohim i cituar tek pyetja nuk ka për qëllim të përkufizojë shikimin e lejueshëm mbi bazën e numrave, në kuptimin që shikimi i parë është i lejueshëm, edhe në qoftë me dashje dhe qëllim që në fillim. Ose që bëhet i tillë, nëse zgjatet dhe bëhet më ngulmues ngaqë shikuesi nuk mund ta kontrollojë, duke e larguar vështrimin nga gruaja të cilën po e shikon. E as nuk nënkupton se shikimi i dytë është i ndluar, qoftë edhe për një çast të vetëm pa kurrfarë epshi.


511. Pyetje: Gjatë diskutimit të çështjes së shikimit të një gruaje, përdoren shumë shprehje që nuk janë të përkufizuara qartë për shumicën e njerëzve. Cili është kuptimi i er-rejba, et-taladh-dhudh dhe esh-shahwa?

Përgjigje: Et-taladh-dhudh dhe esh-shahwa do të thotë dëshirë epshore dhe seksuale, jo thjesht dëshirë çfarëdo, që është pjesë e instiktit njerëzor dhe shfaqet kur shohim skena të bukura. Er-rejba nënkupton frikën e tundimit ose rënies në haram.


 512. Pyetje: Cili është kufiri i epshit të ndaluar?

Përgjigje: Kufiri minimal - nëse pyetja nënkupton renditjen - është stadi i parë i eksitimit seksual.


 513. Pyetje: Në shkollat publike britanike si dhe në vende të tjera perëndimore, nxënësve dhe nxënëseve u mësohet edukata seksuale, e cila përfshin përshkrimin e hollësishëm të organeve seksuale me ose pa model. A i lejohet një nxënësi/eje të ndjekë mësime të tilla? A është e domosdoshme për prindërit që ta pengojnë fëmijën nga ndjekja e orëve të tilla të mësimit, kur fëmija tregon interes, duke pohuar se do të jetë e dobishme për të në të ardhmen?


Përgjigje: Nëse orë të tilla mësimi nuk sjellin veprime haram sikurse shikimi epshor dhe nëse si rrjedhojë e studimit të këtyre mësimeve fëmija parandalohet nga sjellja devijuese, nuk ka asnjë problem.


 514. Pyetje: A lejohet recitimi i poemave erotike në prani të grave, pa patur synim të ardhurit rrotull ose edhe me një qëllim të tillë, nëse ato janë beqare dhe mund të ndikohen nga një recitim i tillë?


 Përgjigje: Nuk lejohet.


 515. Pyetje: A lejohet biseda me gra, rreth dashurisë, pa qëllime epshore ose frikë nga tundimi ose nxitja e një veprimi haram?


 Përgjigje: Mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, nuk lejohet.


 516. Pyetje: A lejohet lavdërimi i një gruaje të paspecifiuar ose i grave në përgjithësi, në poezi erotike?

Përgjigje: Nëse nuk përmban qëllimin e kryerjes së haramit ose veprimeve të ngjashme dhe nuk sjell dëm tjetër [në kuptimin moral dhe etik], nuk ka asnjë problem.


 517. Pyetje: A lejohet biseda me gra, pa qëllime epshore, me synim arritjen e një opinioni të kënaqshëm me njërën prej tyre dhe pastaj propozimin asaj për martesë?

Përgjigje: Nëse biseda nuk përmban atë që nuk i duhet thënë një gruaje jo-mahram, nuk ka asnjë problem.


 518. Pyetje: Një modë e re është përhapur në Evropë, në të cilën burrat vënë vathë grashë në njërin ose të dy veshët. A u lejohet kjo atyre?

Përgjigje: Nuk lejohet nëse janë prej ari, madje nuk lejohet aspak, mbështetur në kujdes juridik.


 519. Pyetje: Nëse një person kryen haram duke e rruajtur mjekrën që i është rritur ditën e parë, a i lejohet të bëjë të njëjtën gjë ditën e dytë, të tretë, të katërt e kështu me radhë?


 Përgjigje: Si masë kujdesi, është e detyrueshme që ai të përmbahet nga ky veprim.


 520. Pyetje: Ndodh që kompanitë e mëdha evropiane diskriminojnë - mes atyre që kërkojnë punë - ndërmjet atyre që i rruajnë mjekrat dhe atyre që nuk i rruajnë. Nëse kjo është e vërtetë, a lejohet rruajtja e plotë e fytyrës për t`u punësuar?


 Përgjigje: Rruajtja e mjekrës - ndalimi i së cilës mbështetet në kujdes të detyrueshëm - nuk bëhet e lejuar thjesht nga dëshira për t`u punësuar me këto kompani.


 521. Pyetje: A lejohet rruajtja e anave të fytyrës dhe lënia e mjekrës përpara?


Përgjigje: Rruajtja e fytyrës është haram mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, dhe kjo përfshin qimet që rriten në anat e fytyrës. Megjithatë, nuk ka problem në rruajtjen e qimeve në faqe.


 522. Pyetje: A lejohet të luhen lojërat e kumarit në pajisje elektronike të të gjitha llojeve (kompjuterë) me ose pa bast?

Përgjigje: Nuk lejohet dhe trajtohet si instrumentet e tjera [joelektronike] të kumarit.


 523. Pyetje: Disa lojëra të lejuara përdorin zarin në to. A lejohet të luhet me të?


 Përgjigje: Nëse zari nuk është prej veglave që janë ekskluzivisht për kumar, nuk ka problem që ai të përdoret në lojëra jo-kumari.


 524. Pyetje: A lejohet shikimi i asaj që jomuslimanet shfaqin nga trupi i tyre në verë?

Përgjigje: Nëse shikimi nuk sjell dëshirë epshore ose tundim [për kryerje mëkati], atëherë nuk ka problem.


 525. Pyetje: A lejohet shikimi i fotografisë së një gruaje të njohur si mbajtëse hixhabi, e cila ka dalë pa hixhab në atë foto?


 Përgjigje: Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga shikimi i tjetërgjëje përveç fytyrës dhe duarve të saj; edhe në rastin e këtyre dyjave, lejohet vetëm pa synim epshor e tundim [për rënie në mëkat].


 526. Pyetje:


a. A lejohet shikimi i jomuslimaneve të zhveshura ose gjysmë të zhveshura në ekran televiziv ose të ngjashëm, me synim plotësimin e natyrës kureshtare, pa patur garanci nëse do të nxitet dëshira seksuale ose jo?


b. A lejohet shikimi i tyre në rrugë jo për qëllimet e mësipërme por për [të nxitur] eksitimin e burrit ndaj të shoqes?


Përgjigje: Nuk lejohet shikimi me epsh i skenave që përmbajnë lakuriqësi në ekran etj. Madje, mbështetur në kujdes të detyrueshëm juridik, duhet përmbajtur prej tyre kurdo.


527. Pyetje: A lejohet shikimi i skenave eksituese nëse jemi të sigurt se nuk nxitemi seksualisht?

Përgjigje: Nëse është skenë me lakuriqësi, atëherë mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur prej shikimit të saj.


 528. Pyetje: A lejohet shikimi i filmave me skena seksi, pa epsh?


 Përgjigje: Nuk lejohet aspak, mbi bazën e kujdesit të detyrueshëm.


 529. Pyetje: Disa stacione televizive ofrojnë abonime mujore për programet e tyre, të cilat nuk janë me natyrë imorale; mirëpo, pas mesnatës, ato transmetojnë filma seksualë. A lejohet abonimi në kanale të tilla?


 Përgjigje: Nuk lejohet, me kusht që të jeni të sigurt për veten dhe të tjerët [në shtëpi] se nuk do të shikoni material seksual eksplicit në ekran.


 530. Pyetje: Në disa vende është zakon që personi që arrin [në takim ose në zyrë] shtrëngon duart me të gjithë të pranishmit, përfshirë gratë, sigurisht, pa qëllim epshor. Nëse refuzon t`u shtrëngojë duart grave, do të konsiderohet jonormale, dhe shumicën e rasteve do të shihet si veprim mërie dhe fyerje ndaj gruas. Kjo do ta ndikonte negativisht mendimin e tyre rreth tij. A lejohet, kësisoj, shtrëngimi i duarve me gratë?


 Përgjigje: Nuk lejohet. Problemit i duhet qasur duke mos i dhënë dorën askujt, ose duke vënë doreza, për shembull. Nëse kjo është e pamundur për personin dhe ai mendon se refuzimi i dhënies së dorës do t`i shkaktojë vështirësi të madhe e të padurueshme, atëherë lejohet atë radhë. Kjo mbështetet në supozimin se ai e ka të domosdoshme pjesëmarrjen në një tubim të tillë; përndryshe, nëse nuk mund të përmbahet nga harami, atij nuk i lejohet të marrë pjesë në të.


 531. Pyetje: Në vendet perëndimore, shtrëngimi i duarve konsiderohet mjet përshëndetjeje. Përmbajtja prej tij nganjëherë shkakton humbjen e mundësive të punës dhe arsimimit. A i lejohet muslimanit të shtrëngojë duart me një grua ose muslimanes me një burrë, në rrethana domosdoshmërie?


 Përgjigje: Kur përmbajtja nga të prekurit nuk është e mundur përmes dorezave ose një zgjidhjeje të ngjashme, atëherë lejohet, sidomos kur mosshtrëngimi i dorës do të shpiej në lëndim ose vështirësi të konsiderueshme, e cila është normalisht e padurueshme.


 532. Pyetje: A i lejohet muslimanit që banon në Perëndim të martohet me një jomuslimane, meqenësë muslimanet janë të rralla? Pra, megjithë rreziqet ekzistuese në lidhje me fëmijët për shkak të ndryshimit në gjuhë, fe, mënyrë edukimi të fëmijëve, vlera dhe zakone shoqërore - që do të sillnin probleme psikologjike për fëmijët?


 Përgjigje: Nuk i lejohet të martohet me një Ehlu`l-kitabe në martesë të përhershme.

Ndonëse martesa e përkohshme lejohet, këshillojmë të mos linden fëmijë me të. Kjo vlen nëse personi nuk ka një grua muslimane, e cila ndodhet larg. Po të kishte, martesa e dytë nuk do të lejohej pa miratimin e saj, madje as me miratimin e saj, mbështetur kjo në kujdes juridik të detyrueshëm.


 533. Pyetje: Disa kompani kanë prodhuar një artikull të ngjashëm me organin intim të gruas, në mënyrë që të përdoret nga burra duke vënë organin e tyre intim në të për kënaqësi seksuale. A klasifikohet kjo si masturbim, që është i ndaluar?

Përgjigje: Është haram nëse burri synon të ejakulojë me dashje ose kur ejakulimi është normal për të [në një rrethanë të tillë]. Madje, mbështetur në kujdes të detyrueshëm, ai duhet të përmbahet prej kësaj, edhe nëse është i bindur se nuk do të ejakulojë.


 534. Pyetje: Cili është gjykimi për një burrë që përqafon një burrë tjetër, me epsh dhe vazhdojnë të puthen me dëshirë seksuale? Po sikur të vazhdojnë më tej dhe të futen në sferën e sjelljes së devijuar seksuale?

Përgjigje: Të gjitha janë haram, ndonëse shkalla e ndalueshmërisë mund të ndryshojë.


 XVII. Muzika, këndimi & kërcimi


 Hyrje


 Banuesit e vendeve jomuslimane, si dhe të disa vendeve muslimane, janë mësuar të bombardohen me muzikë, këngë dhe ritme kërcyesish, qoftë brenda ndërtesave apo jashtë. Atyre u lind një pyetje: a lejohet dëgjimi i kësaj melodie ose i asaj kënge? A lejohet të kërcejmë? Do t`i përgjigjem këtyre dy pyetjeve dhe të tjerave si ato në rregullat e mëposhtme.


 Rregulla të Përgjithshme


 535. Muzika është një art, që sot është përhapur anekënd globit. Disa lloje të këtij arti lejohen, ndërsa të tjerat ndalohen; prandaj lejohet dëgjimi i të parave dhe ndalohet dëgjimi i të dytave.


 536. Muzika e lejuar është ajo që nuk sjell dëfrim në tubime që mbahen për atë qëllim. Muzika e ndaluar është melodia ose kënga që është e përshtatshme për tubime dëfrimi e qefi.


 537. Shprehja "melodia ose kënga që është e përshtatshme për tubime dëfrimi dhe qefi" nuk nënkupton se melodia e muzikës ose këngës e dëfren zemrën dhe e ndryshon gjendjen mendore, sepse nuk ka asgjë të keqe me këtë. Shprehja në të vërtetë nënkupton që personi i cili dëgjon muzikën ose melodinë e këngës - sidomos nëse është ekspert në këto çështje - mund ta dallojë nëse ajo përdoret në tubime qefi dhe dëfrimi ose është e ngjashme me to. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 538. Lejohet vizitimi i vendeve ku luhet muzikë hallall, dhe lejohet dëgjimi i saj për sa kohë të jetë hallall.


 539. Lejohet vizitimi i vendeve publike ku luhet muzikë, edhe nëse është e përshtatshme për tubime dëfrimi e zbavitjeje, me kusht që personi të mos e dëgjojë me dashje: për shembull, pasagjerët në udhëtim, zonat e pritjes në aeroporte, parqet publike, restorantet dhe kafenetë, etj - edhe në rast se muzika e luajtur aty është e përshtatshme për tubime dëfrimi e zbavitjeje - sepse nuk ka problem të dëgjohen melodi të ndaluara nëse nuk kemi për qëllim dëgjimin.


 540. Të rriturve dhe fëmijëve u lejohet të mësojnë artin e muzikës hallall në shkolla muzike ose vende të tjera, për sa kohë që vizita në vende të tilla të mos ketë efekt negativ mbi rritjen e tyre.


 541. Të kënduarit (el-ghina`) është haram: kryerja, dëgjimi ose të jetuarit me anë të saj. Me këndim (el-ghina`) nënkuptoj një pohim zbavitës të shprehur në melodi që janë të përshtatshme për ata që ofrojnë dëfrim e zbavitje.


 542. Nuk lejohet recitimi i Kur`anit Famëlartë, du`ave dhe fjalëve lavdëruese në melodi, që janë të krahasueshme me ato të tubimeve dëfryese dhe zbavitëse. Mbështetur në kujdes, duhet përmbajtur nga recitimi i pohimeve të tjera jozbavitëse, në poezi a prozë, me këtë melodi. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 543. Ndalimi i dëgjimit të muzikës me dashje dhe vënia vesh këngëve haram është përmendur në hadithin e ndershëm. I Dërguari i Zotit (s.a.w) ka thënë: "Personi me [mëkatin e] të kënduarit (el-ghina`) do të ringjallet i verbër, i shurdhër e memec. Personi me [mëkatin] e zinasë, rënies së fyellit dhe daulles do të ringjallet njëlloj."(1)



Ai gjithashtu ka thënë: "Kujtdo që dëgjon (këngë dhe muzikë) dëfryese do t`i shkrihet plumb në vesh, ditën e gjykimit."(2) Ai ka thënë gjithashtu: "Këndimi dhe muzika janë magjepsje për imoralitet."(3) Pra, gur shkalle ose shteg që shpie në imoralitet.


 544. Një gruaje i lejohet të kërcejë para të shoqit për ta kënaqur ose nxitur. Por nuk i lejohet të kërcejë para burrave të tjerë; mbështetur në kujdes të detyrueshëm, ajo nuk duhet të kërcejë as përpara grave. (Të shihet seksioni Pyetje-Përgjigje më poshtë.)


 545. Lejohet duartrokitja në një ceremoni martese, tubime fetare, seminare dhe grumbullime të tjera, si për gratë ashtu edhe për burrat.


 1. es-Sejjid al-Khu`i, el-Mesa`ilu`sh-Shar`ijje, vëll. II, f. 22.
2. po aty.
3. po aty, f. 23.


Pyetje dhe Përgjigje


546. Pyetje: Pyetet shpesh për muzikën e lejuar dhe të ndaluarën.


 A është e saktë të thuhet se muzika që nxit pasione seksuale, epshore dhe promovon sjellje të paqëndrueshme dhe degraduese është ajo që ndalohet?


Dhe a është e saktë të thuhet se muzika që çlodh nervat ose sjell relaksim, muzika që përbën sfondin e një skene në film për të rritur efektin tek shikuesit, muzika që përdoret për ushtrime fizike gjatë stërvitjes, muzika që dramatizon një skenë të caktuar me anë të melodisë, ose ajo që shkakton zell luftarak është e lejuara?


Përgjigje: Muzika e ndaluar është ajo që i shkon për shtat grumbullimeve për dëfrim dhe zbavitje, qoftë edhe nëse nuk nxit tundime epshore.


 Muzika e lejuar është ajo që nuk është e përshtatshme për grumbullime të tilla, edhe nëse nuk çlodh nervat, psh muzika marciale dhe ajo e varrimeve.


 547. Pyetje: Ashtu siç bëhen shumë pyetje rreth muzikës hallall dhe haram, po ashtu pyetet shumë rreth këngëve hallall dhe haram.


 A është e saktë të thuhet se këngët haram janë ato që nxisin dëshira seksuale, epshore dhe përhapin sjellje të paqëndrueshme e degraduese?


 A është e saktë të thuhet se këngët e lejuara janë ato që nuk nxisin dëshira epshore, por e ngrejnë shpirtin dhe mendimet në nivele të lartësuara, sikurse këngët lavdëruese kushtuar Pejgamberit Muhammed (s.a.w) dhe Imamëve [apo Hazrete Fatimes], ose këngë që ngrejnë moralin dhe shpirtin luftarak?


 Përgjigje: Të gjitha këngët (el-ghina`) janë haram. Sipas përkufizimit që pranojmë ne, el-ghina` është shprehja dëfryese nëpërmjet melodive që janë të zakonshme për ata që ofrojnë dëfrim dhe zbavitje.


 Në këtë ndalim, duhe të përfshijmë recitimin e Kur`anit Famëlartë, du`ave dhe lavdërimeve të Ehlu`l-Bejtit të shoqëruara me ato melodi [që përdoren nga dëfryesit]. Ndalimi i recitimit të shprehjeve të tjera jodëfryese - sikurse këngët që synojnë ngritjen e moralit [luftarak] - mbështetet në kujdes të detyrueshëm.


 Mirëpo, melodia që nuk mund të përshkruhet si e tillë, nuk është haram në vetvete.


 548. Pyetje: A lejohet dëgjimi i këngëve në lavdërim të Ehlu`l-Bejtit, të shoqëruara me muzikë?

Përgjigje: Këngët (el-ghina`) janë haram, absolutisht. Megjithatë, lavdërimi këndues [i Pejgamberit ose Ehlu`l-Bejtit etj] me një melodi të mirë që nuk është në formë ghina`-je nuk ka problem.


Sa i përket muzikës, ajo do të lejohej po të ishte e papërshtashme për grumbullime dëfrimi e zbavitjeje.


 549. Pyetje: A lejohet çlodhja e shqisave duke dëgjuar recituesin e Kur`anit që reciton në ton ritmik, dridhës?

Përgjigje: Nëse ritmi i përdorur në recitim nuk është ghina`, nuk ka problem.


 550. Pyetje: Disa nga recituesit, këngëtarët dhe kënduesit përshtasin melodi të mëkatarëve [pra dëfryesve haram] dhe me melodinë e tyre këndojnë poema në lavdërim të Pejgamberit (s.a.w) dhe Familjes së tij, çka rezulton në një kontekst të ndryshëm nga ai i mëkatarëve, porse melodi të përshtatshme me të tyren. A ndalohet të kënduarit e tillë? A ndalohet të dëgjuarit e saj?


 Përgjigje: Po, mbështetur në kujdes të detyrueshëm, ndalohet.


 551. Pyetje: A u lejohet grave të këndojnë në martesa një melodi çfarëdo, qoftë edhe e përshtatshme për grumbullimet e mëkatarëve? A u lejohet përdorimi i mjeteve muzikore gjatë të kënduarit asaj mbrëmjeje? A u lejohet të këndojnë duke veshur henna, ose në mbrëmjen e natës së shtattë [pas martesës]? [Nëse po,] a kufizohet lejimi te mbrëmja e martesës?


Përgjigje: Mbështetur në kujdes juridik, ata duhet të përmbahen nga kjo, qoftë edhe në mbrëmjen e martesës, e jo më në raste të tjera. Sa për çështjen e muzikës, rregullat e saj janë përmendur më lart.


 552. Pyetje: A lejohet dëgjimi i këngëve revolucionare të shoqëruara me piano, lahutë, daulle, fyell dhe piano elektronike?

Përgjigje: Nëse muzika shoqëruese është e llojit që u përshtatet grumbullimeve të dëfrimit dhe zbavitjes, nuk lejohet.


 553. Pyetje: Cili është kuptimi i frazës "i zakonshëm mes mëkatarëve"?

Përgjigje: Kjo shprehje nuk përmendet në fetvatë tona. Ajo që kemi përmendur ne në përkufizimin e termit el-ghina` janë "melodi të zakonshme për ata që ofrojnë dëfrim e zbavitje;" ky kuptim është i qartë.


 554. Pyetje: Një musliman jopraktikues është bërë më i përkushtuar [ndaj fesë] kohëve të fundit. A i lejohet atij të mërmërisë lehtë ato këngë që i kujtohen nga e kaluara me vete ose para miqve?

Përgjigje: Nëse ato hyjnë në kategorinë e el-ghina`, nuk lejohet.


 555. Pyetje: Janë disa këngë në gjuhë të huaja, që mësuesit e gjuhësisë i rekomandojnë për ta lehtësuar proçesin mësimor të gjuhëve përkatëse. A lejohet dëgjimi i këngëve të tilla për këtë arsye?


 Përgjigje: Nëse hyjnë në kategorinë e el-ghina` siç u tha më lart, nuk lejohet.


 556. Pyetje: Instrumentet muzikore janë të llojeve të ndryshme. Nganjëherë përdoren në grumbullime muzikore e nganjëherë për të çlodhur shpirtin. A lejohet, atëherë, blerja, prodhimi, shitja ose luajtja e këtyre instrumenteve për të çlodhur shpirtin ose dëgjimi i tingujve të tyre kur dikush tjetër luan në to?


 Përgjigje: Nuk lejohet tregtimi me instrumente të dëfrimit haram: as shitja as blerja, ashtu sikurse nuk lejohet prodhimi i tyre dhe marrja e shpërblimit për këtë.


 "Instrument dëfrimi haram" nënkupton që forma fizike e tij - që i jep vlerën dhe përfundimisht qëllimin e blerjes - nuk është e përshtatshme veçse në dëfrim haram.


 557. Pyetje: A lejohet prodhimi, shitja ose blerja e instrumenteve për lodrat e fëmijëve? A u lejohet përdorimi i tyre të rriturve?


 Përgjigje: Nëse prej tyre del muzikë e përshtashme për dëfrim e grumbullime qejfi, atëherë nuk lejohet as shtiblerja e as përdorimi i tyre nga të rriturit.


 558. Pyetje: Në shkollat publike të Britanisë dhe ndoshta edhe në vende të tjera, studentëve u duhet të marrin pjesë në orë/kurse kërcimi sipas tingullit të melodive të posaçme muzikore që sinkronizojë lëvizjet e studentëve gjatë kërcimit.


a. A lejohet ndjekja e orëve/kurseve të tilla?


b. A e kanë për detyrë prindërit që t`i ndalojnë fëmijët nga ndjekja e tyre nëse fëmija priret drejt tyre?


Përgjigje:


a. Nuk lejohet, nëse ka efekte negative - gjë që ndodh mjaft shpesh - në edukimin e tyre fetar. Madje, nuk lejohet fare, si masë kujdesi të detyrueshëm juridik.


b. Po, e kanë për detyrë. Të shihet edhe përgjigja e pyetjes 563 më poshtë.


 559. Pyetje: A lejohet mësimi i kërcimit?

Përgjigje: Nuk lejohet aspak, si masë kujdesi i detyrueshëm.


560. Pyetje: A lejohet organizimi i mbrëmjeve të vallëzimit, ku çdo bashkëshort kërcen vetëm me bashkëshorten e vet, kur luhet muzikë çlodhëse, me veshje që nuk janë të pahijshme?

Përgjigje: Nuk lejohet.


 561. Pyetje: A u lejohet grave të vallëzojnë para grave të tjera ose burrave para burrave të tjerë, në mjedise të papërziera mes dy gjinive, me ose pa muzikë?

Përgjigje: Vallëzimi i grave përpara grave dhe i burrave përpara burrave është problematik; si masë e kujdesit të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga ai. Rregullat e muzikës janë cekur më herët.


562. Pyetje: A i lejohet gruas të vallëzojë për të shoqin me ose pa muzikë?

Përgjigje: Lejohet, për sa kohë që nuk shoqërohet me muzikë haram.


 563. Pyetje: Disa shkolla në Perëndim ua bëjnë të detyrueshëm studentëve mësimin e vallëzimit, i cili nuk shoqërohet as me këngë të zakonshme e as nuk është për dëfrim. A e kanë haram prindërit t`i lejojnë bijtë/bijat e tyre të ndjekin mësime/kurse të tilla?


 Përgjigje: Po, nëse i bie ndesh edukimit fetar. Madje, bazuar në kujdes të detyrueshëm, ai ndalohet absolutisht, nëse studenti ka arritur moshën e maturisë - veç në pastë arsye të vlefshme për miratimin e tij; për shembull nëse ndjek një muxhtehid që e lejon këtë. Në këtë rast, atë nuk e pengon asgjë nga lejimi i fëmijës [për ta ndjekur kursin]. 


XVIII. Të Ndryshme


 Hyrje


 Në këtë kre, lexuesi i çmuar do të gjejë disa ligje, pyetje dhe përgjigje të lidhura me çështje të rëndësishme që nuk mund të klasifikohen lehtësisht nën asnjërin prej krerëve të mësipërm, nga ku edhe e merr titullin "të përziera".


 Rregulla të Përgjithshme


 564. Është e këshillueshme që fëmijëve t`u jepen emra që pasqyrojnë të qenurit shërbëtorë të Zotit Fuqiplotë [si `Abdullah, `Abdur-Rahman, `Abdur-Rahim] ashtu siç këshillohet që t`i emërojmë me emrin e Pejgamberit Muhammed (s.a.w) dhe të profetëve dhe të dërguarve të tjerë. Këshillohet që ata të emërohen [edhe] `Ali, Hasan, Husein, Xha`fer, Talib, Hamza e Fatime.


Është e papëlqyeshme që atyre t`u jepen emrat e armiqvetë Ehlu`l-Bejtit.


565. Kujdestaria, rritja dhe mbajtja e fëmijës qoftë mashkull a femër është e drejtë e të dy prindërve njëlloj gjatë dy viteve të para të jetës sipas kalendarit hënor. Prandaj, babait nuk i lejohet ta ndajë fëmijë nga nëna gjatë këtyre dy vjetëve.


 Kur këto dy vite mbarojnë, e drejta e kujdestarisë është vetëm e babait. Megjithatë, mbështetur në kujdes të detyrueshëm, këshillohet që babai të mos e ndajë fëmijën nga nëna gjersa ai/ajo të arrijë moshën shtatë vjeç/e.


 566. Nëse prindërit ndahen për shkak të divorcit përpara se fëmija të arrijë moshën dy vjeç (sipas hixhrit hënor), nëna nuk e humbet të drejtën e kujdestarisë, përderisa të mos martohet me një burrë tjetër. Prandaj, është e domosdoshme që të dy prindërit të pajtohen për ushtrimin e të drejtës së tyre të përbashkët duke e alternuar [të drejtën], ose me çfarëdolloj metode tjetër mbi të cilën bien dakort.


 567. Nëse nëna martohet pas ndarjes me babain, ajo e humbet të drejtën e kujdestarisë, e cila do të bëhet e drejtë ekskluzive e babait.


 568. Afati i kujdestarisë përfundon kur fëmija arrin moshën e pjekurisë mendore. Pas kësaj moshe, askush nuk ka të drejtë kujdestarie mbi të, as prindërit e jo më të tjerët. Fëmija bëhet i pavarur në çështjet e tij dhe mund të zgjedhë të rrijë me cilindo prej prindërve ose dikë tjetër veç tyre. Megjithatë, nëse ndarja e tij prej tyre i mërzit ata për shkak të shqetësimit të tyre për të, fëmijës nuk i lejohet t`u mosbindet atyre në atë çështje. Nëse babai dhe nëna dallojnë [në rastin e mërzisë], përparësia i jepet nënës.


 569. Kur vdes babai, nëna ka të drejtë më të madhe kujdestarie se kushdo tjetër, gjersa fëmija të mbushë moshën e pjekurisë.


 570. Kur nëna vdes gjatë kohës së kujdestarisë së saj, babai merr kujdestarinë ekskluzive.


 571. Ashtu siç është kujdestaria e drejtë e nënës dhe e babait, ashtu është edhe e fëmijës, në kuptimin që nëse ata refuzojnë ta marrin përsipër kujdestarinë [dhe të përmbushin detyrimet e tyre ndaj tij], ata mund të detyrohen që të binden.


 572. Nëse të dy prindërit zhduken, e drejta e kujdestarisë i kalon gjyshit nga babai.


 573. Cilitdo nga të dy prindërit ose të tjerët e ka të drejtën e kujdestarisë, i lejohet t`ia kalojë atë një pale të tretë, duke u siguruar më parë se ata do ta përmbushin përgjegjësinë e tyre siç e kërkon Ligji Islam.


 574. Personi - prind ose tjetër - që do të ketë kujdestarinë e fëmijës duhet të jetë musliman, i shëndoshë nga mendtë dhe i besueshëm, për t`iu besuar siguria e fëmijës. Kështu, nëse babai është jomusliman dhe nëna muslimane, fëmija konsiderohet musliman dhe nëna do të ketë kujdestarinë e vetme mbi fëmijën. Po kështu, nëse babai është musliman, ndërsa nëna jomuslimane, babai do të ketë të drejtën e kujdestarisë.


 575. Djali e ka për detyrë t`i mbajë prindërit.


 576. Babai e ka për detyrë ta mbajë fëmijën, mashkull ose femër qoftë.


 577. Detyra e mbajtjes së një personi të afërt për ju kushtëzohet nga të qenurit e tij i varfër, në kuptimin që nuk siguron nevojat bazë të jetës si ushqimi, veshja, fjetja, strehimi etj.


 578. Në ligjin islam, nuk ekziston sasi e fiksuar për mbajtjen e atyre që janë të afërmit e tu. Ajo që është e detyrueshme është sigurimi i gjithçkaje të nevojshme për t`i mbajtur ata, pra: ushqimi, veshja, strehimi dhe gjëra të tjera, në përputhje me pozitën e tij si dhe standartin e jetesës për atë vend dhe kohë.


 579. Nëse dikush që e ka për detyrë të sigurojë për nevojat e të afërmit refuzon që ta mbajë atë [psh bashkëshorti refuzon që ta mbajë bashkëshorten], i lejohet atij që ka të drejtën për këtë që ta detyrojë personin, biles duke iu drejtuar edhe gjyqeve.

Nëse nuk është e mundur që të sigurohet mbajtja dhe ai ka njëfarë pasurie [lehtësisht të qasshme], personi që ka të drejtë mund të marrë pjesën që ka hak prej kësaj pasurie, pasi t`i ketë kërkuar leje muxhtehidit.


 [Nëse pasuria e atij personi që duhet të sigurojë mbajtjen nuk është lehtësisht e qasshme], personi që ka të drejtë mund të marrë borxh në emër të personit të parë, me lejen e muxhtehidit. Në këtë rast, personi i parë do ta ketë për detyrë të shlyejë huanë. Nëse nuk është i mundur kontakti me muxhtehidin, ai duhet t`i drejtohet disa besimtarëve të drejtë e të marrë në hua në emër të personit të parë, i cili do ta ketë për detyrë që ta shlyejë.


 580. Nëse mbrojtja e besimit dhe e ligjeve të tija të shenjta si dhe i nderit të muslimanëve e i trevave të tyre varet nga mbajtja e një ose disa personave nga pasuria e muslimanëve, është e detyrueshme që ta bëjnë këtë. Në këtë rast, muslimani që furnizon nuk do të ketë të drejtë t`i kërkojë askuj kompensim të asaj që ka shpenzuar në këtë kauzë.


Pyetje dhe Përgjigje


 581. Pyetje: A lejohet vizatimi ose gjirimi i një skene që tregon Pejgamberin Muhammed (s.a.w) ose ndonjë prej të dërguarve të mëparshëm apo Imamëve të pamëkatë, ose luminarë të tjerë dhe të tregohet në kinema, televizion ose teatër?


 Përgjigje: Nëse tregohet respekti dhe nderimi i duhur dhe skena nuk përmban asgjë që do të largonte nga pamjet e tyre të shenjta në mendjet [e shikuesve], nuk ka problem.


 582. Pyetje: A lejohet durimi i kopjeve të Kur`anit Famëlartë, librave me du`a dhe shkrimeve të ajeteve mbrojtëse jomuslimanëve?

Përgjigje: Nuk ka problem, nëse ato nuk i ekspozohen çshenjtërimit ose fyerjes dhe trajtohen me respektin e duhur.


 583. Pyetje: Si mund të zhduken letra që kanë të shkruar emra të Allahut ose të Imamëve, si dhe faqe të shkëputura të Kur`anit, kur nuk është e mundur për ne që t`i hedhim në det ose lumë? Kjo, sepse nuk e dimë ku mund të përfundojnë plehrat dhe çfarë mund të bëhet me to.


 Përgjigje: Nuk lejohet vendosja e tyre në koshin e plehrave, sepse përbën çshenjtërim e mosrespektim. Megjithatë nuk ka problem nëse shkrimet fshihen nga letrat edhe duke përdorur ndonjë kimikat, duke i groposur në një vend të pastër ose duke i grimcuar që të bëhen pluhur.


 584. Pyetje: A ka baza në Sheri`at istikharja? A ka problem nëse përsëritet istikharja [për të njëjtën pyetje] duke dhënë sadaka [përpara saj] që të merret udhëzim për atë që është më e mira?


 Përgjigje: Istikhares mund t`i drejtohet (paçka se me nijetin e bërjes raxha`an) në situata kur njeriu është i paqartë për të pëlqyer njërën anë [të çështjes] ndaj tejtrës, pasi që është menduar dhe këshilluar [me ata që dinë rreth saj]. Përsëritja e isikhares nuk është e drejtë, përveçse për një çështje të re.


 585. Pyetje: Cili është kufiri që ju i keni lejuar përfaqësuesve (wukala`) të juaj që të përdorin nga të ardhurat fetare që mbledhin [nga njerëzit]?


 Përgjigje: Në autorizimet tona (ixhaze) për ndarjen e të ardhurave fetare, kemi përmendur se të autorizuarit i lejohet të përdorë, për shembull, një të tretën ose gjysmën e asaj që mbledh nga të ardhurat fetare, për qëllimet që janë përkufizuar nga Sheri`ati. Kjo nuk do të thotë se përqindja e përmendur [në ixhaze] është posaçërisht për përdorim nga vetë personi, sepse mund të ndodhë që përdorimi i saj nuk vlen aspak për atë - për shembull, ai ësht sejjid (pasardhës i Pejgamberit), ndërsa të ardhurat fetare që ai ka mbledhur janë nga sadakaja e një jo-sejjidi ose të ngjashme.


 Në dritën e kësaj, nëse personi i autorizuar e konsideron veten - duke marrë Zotin për dëshmitar në këtë çështje - të meritueshëm për të ardhurat fetare në përputhje me kushtet e përmendura në doracakët e ligjeve islame - për shembull, nëse është nevojtar në përkufizimin fetar dhe hyn tek personat që e meritojnë zekatin ose sihm-i sadat apo radd medhalim etj - atij i lejohet të marrë prej tyre aq sa i nevojitet dhe sa i shkon për shtat pozitës së tij e jo më tepër.

Po kështu, nëse ai ofron shërbime të përgjithshme fetare dhe përpiqet shumë të përhapë fjalën e Islamit, ai meriton sihm-i Imam, sipas nivelit të punës dhe shërbimit të tij ndaj Islamit.


 Por, nëse nuk e shpenzon sasinë e grumbulluar, ai duhet të përdorë përqindjen e përmendur [në ixhaze] për kauzat e saja të duhura, që përmenden në Sheri`at.


586. Pyetje: Nëse dikush ka dyshime rreth integritetit të një përfaqësuesi (wakil) të merxha`it, si rezultat i shpërdorimit të fondeve fetare;


a. A i lejohet atij t`u flasë njerëzve rreth kësaj, edhe nëse nuk është i sigurt për vërtetësinë e akuzave të ngritura ndaj wakilit? Po sikur të jetë i sigurt rreth tyre?


b. A i lejohet atij të vazhdojë të paguajë taksat fetare tek ai përfaqësues, përderisa të jetë i pasigurtë rreth besueshmërisë së tij?


 Përgjigje:


 a. Nuk i lejohet, në asnjërin prej rasteve. Në rastin e dytë [kur është i sigurtë], ai mund ta njoftojë merxha`in drejtpërsëdrejti në konfidencë të plotë për situatën e vërtetë, në mënyrë që merxha`i të ndërmarrë veprimet që i duken me vend.


b. Ai duhet t`ia paguajë taksat fetare një përfaqësuesi që njihet për integritetin dhe ndershmërinë e tij në të vepruarit sipas ixhazes së tij, pra përdorimin e një pjese të asaj që ka mbledhur për kauzat e duhura, siç u përmend më lart, dhe dërgimin e pjesës tjetër tek merxha`i.


 587. Pyetje: A lejohet përdorimi i sihm-i Imam pa i patur marrë leje merxha`it, nëse personi mund të dallojë qartë nevojën e dikujt për përdorimin e saj në mënyrë që Imami [Mehdi] do ta miratonte?


 Përgjigje: Nuk lejohet dhe nuk mund të arrihet miratimi i Imamit duke përdorur pjesën e tij të khumsit, pa kërkuar lejen e merxha`it më të ditur - me arsyetimin se është e mundur që leja e merxha`it është pjesë e miratimit të Imamit.


 588. Pyetje: A lejohet përdorimi i sihm-i Imam në projekte bamirëse, ndërkohë që ka dhjetëra mijëra beimtarë që kanë nevojë për bukë, rroba etj?

Përgjigje: Në përdorimin e sihm-i Imamit, është e rëndësishme të merret parasysh parimi i përparësive. Kjo është çështje kujdesi të detyrueshëm, dhe përcaktimi i "më të rëndësishmes karshi të rëndësishmes" i duhet lënë juristit më të ditur, i cili është i njohur mirë me situatën e përgjithshme.


 589. Pyetje: Ndodh që, duke larë enët, kokrrat e orizit bien në sqoll. A lejohet kjo? A është e domosdoshme të pengohet orizi nga rënia në sqoll, pavarësisht nga sasia, duke ditur se kjo është e vështirë të pengohet?


 Përgjigje: Nuk lejohet të lejohet të bjerë jë sasi që mjafton për t`u përdorur në të ushqyerit e kafshëve. Por nëse është e vogël ose e papastër, mund të vendoset në koshin e plehrave në një mënyrë që nuk konsiderohet mosrespektuese ndaj bereqetit të Zotit.


 590. Pyetje: A i lejohet një poeti që të organizojë një tubim ku recitohen poezi dhe ku ai e di se gra pa hixhab që veshin rroba të pahijshme do të marrin pjesë?


 Përgjigje: Në vetvete, nuk ka problem; por ai duhet të përmbushë detyrën e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja, nëse ekzistojnë kushtet.


 591. Pyetje: Studentëve u kërkohet të vizatojnë një qenie njerëzore ose një kafshë e kërkesa është e tillë që studenti e ka të rëndë ta refuzojë detyrën. A u lejohet atyre ta kryejnë vizatimin? Cili është gjykimi nëse u kërkohet të bëjnë një skulpturë në vend të vizatimit?


 Përgjigje: Vizatimi i një figure jo skultpurë lejohet. Mbështetur në kujdes të detyrueshëm, duhet përmbajtur nga bërja e një skulpture të një qenieje të gjallë. Fakti se është pjesë e detyrueshme e programit mësimor nuk e përligj shkeljen e kujdesit të detyrueshëm [që e ndalon atë]. Kjo ndalesë zbutet vetëm në rrethana domosdoshmërie; për shembull, nëse moskryerja e një detyre të tillë do të çonte studentin në përjashtim nga shkolla dhe kjo do ta vendoste në vështirësi që normalisht janë të padurueshme.


 592. Pyetje: A lejohet blerja e një gdhendjeje ose statuje të një qenieje njerëzore krejtësisht të zhveshur, mashkull ose femër? A lejohet blerja e një gdhendjeje ose statuje të një kafshe dhe varja e saj për dekorim? 


 Përgjigje: Në rastin e dytë nuk ka problem; sa për të parin, nuk lejohet nëse konsiderohet si mënyrë e promovimit të pahijshmërisë.


 593. Pyetje: Fallxhorët dhe lexuesit e shuplakës pretendojnë se mund ta parashikojnë të ardhmen e dikujt. A u lejohet kjo, nëse myshteriu do ta planifikojë jetën sipas parashikimeve të tyre?

Përgjigje: Duke qenë se informacioni i dhënë nga shikuesi i dorës nuk vlen, atij nuk i lejohet të japë informacion me siguri, ashtu siç nuk i lejohet myshteriut të planifikojë sipas atij parashikimi, përveçse mbështetur në arsye ligjore ose të shëndosha.


594. Pyetje: A lejohet hipnotizmi? A lejohet thirrja e shpirtrave?


Përgjigje: Nëse e fut personin në rrugë të dëmshme, është haram.


595. Pyetje: A lejohet thirrja e xhinëve me qëllim zgjidhjen e problemeve të besimtarëve?

Përgjigje: Edhë këtu vlen përgjigjja e mësipërme.


596. Pyetje: A lejohet dueli i gjelave dhe demave, me miratimin e pronarëve?

Përgjigje: Lejohet por mospëlqehet, përderisa të mos shkaktojë humbje pasurie.


 597. Pyetje: Cili është kufiri [minimal] i vështirësisë (el-haraxh) që e anullon ndalesën? A është çmimi tepër i shtrenjtë [i një artikulli hallall] që mund të blihet, por me sforcim financiar ose me borxh, një rast i vlefshëm për ta bërë blerjen e një artikulli haram në vend të tij [por më lirë] të lejuar fetarisht?

Përgjigje: Rrethanat janë të ndryshme në këtë rast, dhe kriteri është vështirësia e skajshme që nuk durohet normalisht.


 598. Pyetje: Sa është masa e arit të njohur si al-himsa në mithkalë ose gramë?

Përgjigje: El-himsa është 1/24 e mithkal es-sejrafi; dhe ky i fundit është 4.64 gramë; pra, masa e el-himsa do të jetë 0.193 gramë.


Epilog


 Është me rëndësi të theksoj, në fund të këtij libri, se përpjekja ime e parë në shkruajtjen e Udhëzuesit Praktik për Muslimanët në Vende Jomuslimane ka nevojë për peshim. Kjo, me qëllim ngritjen e një trupi ligjesh për muslimanët në ato vende, që merret me aspekte të ndryshme të jetës së tyre në mënyrë që atyre çështjeve t`u qasemi nga parimet fisnike të Sheri`atit islam. 


 Numri i muslimanëve në vende jomuslimane, qofshin qytetarë apo banues në to, është në rritje. Përqindja e imigrantëve që vijnë në këtë pjesë të botës nga viset islame është rritur po ashtu. Nga ana tjetër, hapi i ndryshimit dhe shndërrimit në këto shoqëri është tejet i shpejtë. Kjo nga ana e vet shtron edhe më tepër pyetje, duke krijuar situata të reja që duhen studiuar me kujdes, në mënyrë që të mund të ofrohen zgjidhjet e duhura. Kjo nevojitet për të ruajtur zbatueshmërinë e Sheri`atit në rrethanat e reja dhe për të qenë proaktivë në vend që të jemi reaktivë.


 Më duhet gjithashtu të theksoj rëndësinë e shkrimit në këtë lëndë, pa humbur nga sytë përshpirtshmërinë nga këndvështrimi i etikës dhe moralit islam, veçanërisht në një mjedis që i është përngjitur thuajse tërësisht materializmit dhe të gjitha gjërave që ai nënkupton.


Jam përpjekur që aty këtu të theksoj disa nga vlerat e Islamit, mbështetur në ajete kur`anore e hadithe të ndershme: kjo, për të ngërthyer deridiku kodet e etikës me jurisprudencën, siç kam vepruar në veprën time të mëparshme, el-Fetawa`l-Mujassere, ngase kam pikasur lidhjen aktive ndërmjet rrafsheve teorike dhe praktike të jetës. Gjithashtu sepse mund ta dalloj lehtë nevojën që këto mësime të gjejnë zbatim në sjelljen e përditshme të muslimanëve, veçanërisht të atyre që banojnë në shoqëri jomuslimane. 


Më mjafton që jam përpjekur.

Kërkoj ndihmën e Zotit, shpresoj asistimin e Tij dhe lutem për pranim të veprës sime prej Tij, sepse Ai është Më i Mëshirshmi i Mëshiruesve. Lavdërimi i përket Allahut, Zotit të Gjithësisë. Allahu qoftë ikënaqur me zotëriun tonë, Muhammedin dhe pasardhjen e tij të dëlirë e të pamëkatë.


Shtojca


I. Përbërësit haram në prodhimin e ushqimit


Listë e Përbërësve Kryesorë Haram të Përdorura në Prodhimin e Ushqimit(1)


Ligji Islam ua ka ndaluar muslimanëve konsumin e një numri artikujsh. Duke qenë se prodhuesve jomuslimanë të ushqimit normalisht nuk u kërkohet të përmbahen nga përdorimi i këtyre përbërësve në produktet e tyre, muslimanët e kanë për detyrë të tregohen të kujdesshëm - brenda kufijve të përvijuar nga Sheri`ati - me këto produkte.


 Më poshtë vijon informacion që ishte i disponueshëm për ne, rreth përbërësve haram në produktet ushqimore. Kemi vendosur të mos hyjmë në hollësi për të shmangur - brenda kufijve të Sheri`atit - ndërlikimin e jetës së muslimanit, i cili sprovohet duke jetuar në vende jomuslimane. Megjithë natyrën e hollësishme dhe rigoroze të tij, Sheri`ati Islam është një kod i thjeshtë e i butë praktike. Prandaj, është me vlerë t`i vëmë në pah këto dy gjëra që në fillim. 


Pikësëpari, disa përbërës të pa-rafinuar që përdoren në prodhimin e ushqimit dhe pijeve pësojnë shndërrime kimike që ua ndryshojnë rrënjësisht vetitë fillestare, në kuptimin që ato kthehen në lëndë tjetër, sipas gjykimit të njeriut të zakonshëm. Një shndërrim i tillë do t`i hiqte ato nga lista e përbërësve të ndaluar, gjë që njihet si el-istihaleh në doracakët e ligjeve islem, duke qenë veprues me efekt pastrues sipas Sheri`atit.

Për shembull, kur një artikull nga një burim haram shtazor shndërrohet [kimikisht] në një artikull tjetër, atëherë ky i fundit bëhet i lejueshëm.


 Së dyti, ekzistojnë përbërës që përdoren në fabrikimin e produkteve ushqimore që mund të kenë ardhur nga një sërë burimesh të ndryshme, disa prej të cilëve janë hallall e disa haram. Në raste të tilla, pa patur dije të sigurtë rreth prejardhjes së atij artikulli, nuk është e domosdoshme që ai të hetohet, dhe ngrënia e artikullit të dyshimtë lejohet. (Sigurisht, ky parim nuk vlen për mishin, kur ekziston dyshim mbi prejardhjen e tij nga një kafshë e therur sipas ligjeve islame). Kësisoj, nëse në listën e përbërësve shihni "mono dhe digliceride" që mund të vijë nga dhjami shtazor ose vaji bimor, dhe etiketa nuk e specifikon që ajo vjen nga një burim shtazor, muslimani nuk e ka për detyrë të hetojë rreth kësaj e ajo duhet konsideruar hallall.


 Tani po ofrojmë informacion rreth përbërësve haram, që jepen në anglisht e frëngjisht.


 1. Vaji & dhjami: "Dhjami" ("shortening" ose "fat" në anglisht, "matieres grasses" në frëngjisht) zakonisht nxirret nga dhjami shtazor. Nganjëherë atij i shtohet vaj bimor. Ndërsa fjala "lard" (ang) ose "saindoux" (frën.) përdoret për dhjamin e thiut.


Në produktet ushqimore amerikane, përdoret shprehja "vegetable shortening", që nuk është krejtësisht faktuale, sepse ligji amerikan u lejon prodhuesve t`i përshkruajnë produktet e tyre sikur kanë "vegetable shortening" përderisa 80% - 90% e atij shortening është me bazë bimore.


Frazat që na kënaqin me lejueshmërinë e ushqimit janë "pure vegetable ghee" ose "pure vegetable shortening" ose "pure vegetable oil".


 2. Gjalpi ("butter në ang., "beurre" në frën.) bëhet nga qumështi dhe kësisoj nuk ka problem të përdoret.


 3. Djathi: Ndryshe nga ç`besojnë disa njerëz, dhjami i derrit nuk përdoret në djath. Megjithatë, në proçesin e prodhimit të djathit, një enzimë e përdorur nxirret nga stomaku i kafshëve (lopës, viçit ose derrit). Enzima quhet "rennet," "renin," e "pepsin" ("presure" në frën.) përkatësisht.


Meqë "pepsin" është enzima e nxjerrë nga derrat, ajo është haram. Mirëpo, enzima e nxjerrë nga lopa ose viçi [pra rennet, renin] që nuk janë therur sipas ligjeve islame është ritualisht e pastër (tahir) dhe lejohet të hahet. Mirëpo stomaku bëhet i papastër duke rënë në kontakt të lagësht me pjesë të tjera të kafshës. Ndaj, nëse nuk jeni të sigurt se a është pëdorur enë e papastër (nexhis) apo jo në proçesin e bërjes së djathit, ai lejohet të hahet.


Duhet patur kujdes edhe ndaj përbërësve të tjerë që përdoren në prodhimin e djathit, disa nga të cilët kanë bazë bimore, ndërsa të tjerët prodhohen kimikisht si enzima mikrobike. Nuk ka dyshim për pastërtinë si dhe lejueshmërinë e përdorimit të këtyre.


Nëse ekziston dyshim në enzimat e përdorura në bërjen e djathit se a vijnë nga burime natyrore apo janë prodhuar kimikisht, atëherë mund t`i konsideroni hallall.


 4. Sa për xhelin ("gello"), ai përdoret në prodhimin e xhelatinës dhe është kryesisht një lëndë si pelte, që nxiret nga burime shtazore. Megjithatë, mund të gjehet xhelo i bërë nga burime bimore dhe alga deti.


 5. Sa u përket pijeve joalkolike me karbohidrate si Coke, Pepsi, Seven Up dhe Canada Dry, ato nuk përmbajnë asgjë nga burime shtazore apo alkoolike.


Shënim: Në përgatiejen e informacionit në këtë shtojcë, jemi mbështetur kryesisht në shkrimin nga Dr. Ahmad Hasan Sakr (Chicago, USA), që u bazua në burimet e mëposhtme:


1. Al-Mawsou`s fi Uloom al-Tabi`a, Edward Chalib, Beirut 1965-66


2. Le Guide marabout de la peche en mer Michel van Haver - 1982, FRANCE.


3. Les Poissons D`eau Douce Jiri Cihar 1976, FRANCE.


3. Guide des Poissons D`eau Douce et Peche Bent J. Muvs et Preben Dahistrom 1981, SUISSE.


4. Encyclopedie Illustree des Poissons Stanislav Frank, PARIS.


5. Encyclopedie du Monde Animal Tome 4 (Les Poissons et Les reptiles) Maurice Burton. Bibliotheque Marabout - PARIS.


1. Cituar nga Delilu `l-Muslim fi Biladi `l-Ghurba, ff. 111-, me modifikime.


II. Përbërës dhe prezervues në produkte ushqimore


Në këtë shtojcë, po rendisim disa përbërës që u shtohen zakonisht ushqimeve. Ata vijnë nga burime bimore ose shtazore, ose prodhohen kimikisht. Duke qenë se etiketat në produktet ushqimore nuk e japin prejardhjen e përbërësve, ata nuk klasifikohen dot as si hallall e as si haram, përveçse duke iu drejtuar prodhuesve.


Jam përpjekur të sigurohem mbi përshtatshmërinë e përdorimit hallall të përbërësve të renditur, duke u mbështetur në informacionin që kam mundur të mbledh. Megjithatë, duhet ditur se kur një përbërës përthithet krejtësisht në një produkt ushqimor [dhe nuk mund të detektohet, pa na treguar vetë prodhuesi për praninë e tij], sipas Sheri`atit nuk është e detyrueshme që ta hetojmë atë përbërës, për t`u siguruar nëse është i lirë nga lëndë haram. (Të shihet kreu "Ushqimi & Pijet".)


1. Acid Acetik: Gjendet zakonisht në lëngjet bimore; mund të prodhohet edhe kimikisht [nga vaj petroli], si dhe nga indet shtazore. Nëse nxirret nga lëngjet bimore ose kimikatet, nuk ka problem të përdoret në produkte ushqimore. Por nëse nxirret nga inde shtazore, lejueshmëria e përdorimit të tij varet nga fakti nëse kafsha është therur sipas ligjeve islame. [Nëse prejardhja është e panjohur, mund të përdoret.]


2. Acid Adipik: Me prejardhje bimore, por mund të prodhohet edhe kimikisht. Prandaj nuk ka problem që të përdoret në produkte ushqimore.


3. Agar Agar: Vjen nga algat e detit dhe përdoret si zëvendësues për xhelatinën. Meqë ka prejardhje vegjetale, është hallall.


4. Apokarotenal (C30) (E160e): Vjen nga portokalli. Nganjëherë përdoret për të shkrirë xhelatinën ose dhjamin e thiut në ujë. Nëse xhelatina vjen nga një burim shtazor (vaçmas peshkut), nuk mund të përdoret në produkte bimore.


5. Karminë / Cochineal (E120): Vjen nga insektet dhe përdoret në ngjyrosjen e artikujve ushqimorë. Është hallall.


6. Kaseinë: vjen nga qumështi dhe përdoret në prodhimin e djathit. Ai precipitohet nga acidi ose enzima me prejardhje bimore apo shtazore. Nëse në precipitim janë përdorur enzima vegjetale, është hallall; por nëse enzimat e përdorura janë shtazore, nuk mund të konsiderohet hallall, përderisa kafsha të mos jetë therur islamikisht ose kur proçesi ka shkaktuar shndërrim kimik në kaseinë.


7. Liker çokollate: Lëng i ëmbël i bërë nga çokollata e i përdorur për aromë. Nuk është njësoj si pija dehëse "liker;" dhe kësisoj nuk ka prolem në përdorimin e tij.


8. Bekstrozë (Shurup Misri): Burimi i tij është niseshtja dhe përdoret si ëmbëlsues dhe ngjyrosës në produkte ushqimore. Meqë vjen nga një burim bimor, nuk ka problem në përdorimin e tij.


9. E zezë karboni (E153): [Përdoret për nxirje në konfeksione] dhe nxirret nga kockat, mishi, druri dhe bimët. Duke qenë se mund të nxirret nga burime bimore, në shumicën e rasteve është hallall. Nëse nxirret nga një burim shtazor, nuk mund të konsiderohet hallall, pa u siguruar që kafsha është therur sipas ligjeve islame ose që ka kaluar proçesin e shndërrimit kimik.


10. Lecitinë (E322): Bëhet nga e verdha e vezës, por versioni komercial bëhet nga soja, duke qenë kësisoj hallall.


11. Glicerinë (E422) / Glyverol: Përdoret si tretës ose njomëzues. Vjen nga dhjami i viçit ose petroli ose bimët. Nëse vjen nga një burim kimik ose bimor, është hallall; por nëse vjen nga një burim shtazor, nuk mund të jetë hallall, përveç nëse kafsha është therur sipas rregullave islame ose artikulli ka kaluar shndërrim kimik (istihaleh).


12. Mono dhe Diglicerid: Vjen nga burime bimore ose shtazore. Në rastin e parë është hallall; në rastin e dytë nuk mund të jetë hallall, përpos kur kafsha është therur islamikisht ose ai ka kaluar proçesin e shndërrimit kimik.


13. Ekstrakt Poligliceroli Acidesh Dhjamore (E476): Burimi: Dhjamërat dhe vajrat, prejardhje shtazore ose bimore. Nëse vijnë nga burime bimore, janë hallall; nëse vijnë nga burime shtazore, nuk mund të jenë hallall përveçse kur kafsha është therur sipas rregullave islame ose acidet kanë kaluar proçesin e shndërrimit kimik.


14. Glutamat mononatriumi (E621): Burimi: alga japoneze, sheqer [bimësh, panxhari dhe misri]. Përdoret për shtim shijeje. Është hallall.


15. Xhelatinë: Nxirret nga burime bimore ose shtazore. Nëse ka burim vegjetal, është hallall. Nëse vjen nga një kafshë e therur joislamikisht, është hallall sipas Ajetullah el-Udhma es-Sejjid el-Khu`i, mbështetur në ndryshimin kimik (istihaleh) të pësuar. Sa i përket mendimit të Ajetullah el-Udhma es-Sejjid es-Sistani, nuk është hallall sepse ai beson që gjatë ndryshimit kimik, përbërësit fillestarë duhen eliminuar krejtësisht.


16. Gomë Guari: përdoret si stabilizes dhe trashës për margarina, shurupë etj dhe nxirret nga bimët, prandaj është hallall.


17. Acid Laktik: Nxirret nga misri, soja ose kallamsheqeri; mund të nxirret gjithashtu edhe kimikisht. Është hallall.


18. Pektinë: Nxirret nga frutat dhe kërcyejt e bimëve. Në versionin komercial, nxirret nga mollat dhe përdoret për të trashur peltet. Është hallall.


19. Pepsinë: Vjen nga enzimat që nxirren zakonisht nga stomaku i thiut dhe është haram, përveç nëse është shndërruar kimikisht në një substancë tjetër.


20. Reninë/Rennet: Vjen nga enzima shtazore, që zakonisht nxirren nga membrana e stomakut të viçave që janë akoma në gji. Mund të bëhet edhe me enzima bimore, nga një burim kimik. Është hallall.


21. Hirrë (në të gjitha format): vjen nga qumështi dhe përdoret si lidhës e aromatizues. Është hallall.


- FUND -