Përmbajtja:
Universiteti i Torontos Revista al- Serat, vëll. XII (1986)
Virtytet e Ehl- i Bejtit
Hasani dhe Huseini
Përfundim
Universititeti i Torontos Revista al-Serat, vëll. XII (1986)
Historia njerëzore mund të shihet si regjistrim i ndeshjes së përjetshme midis të drejtës dhe të shtrembrës, virtytit dhe vesit, të mirës e të keqes, drejtshmërisë dhe ligësisë.
Kjo ndeshje është caktuar nga Allahu qëkur Ademi, si krijesë tokësore, u dërgua në tokë për t’u përfshirë në këtë luftë të përhershme.
Pikërisht përmes kësaj ndeshjeje mund ta fitojnë qeniet njerëzore lumturinë e përjetshme në Kopshtet e Parajsës, ose dënimin e pafund në Skëterrë.
Në historinë e kombeve, kjo ndeshje arrin shpesh domethënie universale, sepse ai çast i luftës mund t’u flasë të gjitha kohërave e situatave vijuese. Kështu, Kur’ani na nxit pareshtur të thellohemi mbi përfundimin e atyre që ishin para nesh, dhe mënyrës se si veproi Zoti me ta.
Për më tepër, në çdo rast, një pejgamber ose i dërguar u mohua nga populli i vet dhe u vra ose u dëbua. Në këtë kuptim, pra, ndeshja është përfundimisht midis Zotit dhe njerëzimit, midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, udhëzimit të drejtë e gabimit të haptë.
Askund nuk pasqyrohet më qartë kjo luftë sesa në jetën e Profetit Muhammed dhe jetëve të Ehl-i Bejtit të tij.
Jeta dhe dëshmimi (shehade) i Imam Huseinit në veçanti ka marrë një domethënie të posaçme në devotshmërinë muslimane. Kjo sepse ai ka ofruar modelin për të gjithë dëshmorët (shuhada’) në rrugën e Zotit, përgjithmonë.
Synimi i këtij studimi është të theksojë domethënien universale të Imamit në traditën muslimane.
Është e rëndësishme të vërehet se të gjitha transmetimet e cituara në këtë trajtesë gjenden edhe në litëraturën shi‘ite të hadithit edhe në atë sunnite.
Por ndërkohë që në bashkësinë sunnite hadithe të tilla mbeten thjesht në sferën e devotshmërisë, tradita shi‘ite i ka bërë ato themelin e një sistemi teologjik kompleks. Megjithatë, për ta çmuar vendin e Huseinit, ′princit të shehidëve′, në historinë islame, duhet thënë diçka mbi vendin e Familjes së Profetit (Ehl ul-Bejtit), në devotshmërinë muslimane.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e Ehl ul-Bejtit nuk janë unikë në historinë e shoqërive njerëzore. Ndaj, nevojiten dy fjalë lidhur me familjet e profetëve të tjerë, nëse duam ta vlerësojmë plotësisht përkushtimin që u kanë rezervuar muslimanët përgjatë historisë së tyre shumëshekullore anëtarëve të Familjes së Muhammedit, vulës së Profetëve.
Sipas Kur’anit, historia profetike fillon me Ademin, të ‘zgjedhurin e Zotit’ (safvat Allah).
Ai u pasua nga Nuhu, i pari i pejgamberëve me fuqinë vendosëse (ulu al-′azm).
Nuhu iu nis si i dërguar nga Zoti popullit të vet, që rebeloi ndaj mesazhit Hyjnor dhe kështu u dërrmua nga përmbytjet.
Pastaj erdhi Ibrahimi, babai i pejgamberëve.
Së bashku me të birin, Isma’ilin, ai ndërtoi Qa’ben, shtëpinë e parë për adhurimin e Zotit.[1]
Isma’ili ishte gjithashtu profet, dhe paraardhës i Shu′ajbit, Salihut, Hudit dhe më në fund Muhammedit, të dërguarit të fundit të Zotit për njerëzimin.
Is’haku, djali i dytë i Ibrahimit, ishte gjithashtu pejgamber dhe baba pejgamberësh. Mes pasardhësve të tij ishin familja e ′Imranit, babait të Musait, dhe Isai, si dhe profetë të tjerë që iu dërguan Bijve të Izraelit nga Zoti.
Kur’ani deklaron se:
Allahu i ka zgjedhur Ademin, Nuhin, familjen e Ibrahimit dhe familjen e ′Imranit
Ai pohon më tej se:
ata ishin një pasardhje e vetme, njëra prej tjetrës[2]
Të gjithë profetët dhe familjet e tyre janë, pra, të një linje fizike e shpirtërore.
Ata dhe familjet e tyre janë të zgjedhurit e Zotit, të pastruar e të nderuar mbi pjesën tjetër të njerëzimit.
Anëtarët e Ehl-i Bejtit të Profetit Muhammed (s) po kështu janë zgjedhur nga Allahu dhe janë pastruar nga çdo ligësi e mëkat.
Megjithatë, bashkësia islame nuk e ka nxjerrë statusin e familjes së Muhammedit nga ai i profetëve të mëparshëm dhe i familjeve të tyre.
Mirëpo edhe ata janë zgjedhur nga Zoti dhe janë pastruar nga çdo e ligë dhe mëkat.
Por, meqë Muhammedi është profeti i fundit i dërguar për ta udhëzuar njerëzimin drejt Zotit dhe mirësisë, pasardhësit e tij nuk mund të merrnin rolin e tij profetik.
Misioni i tyre është që të ishin Imamë, ose udhëheqës, të bashkësisë islame.
Detyra e tyre ishte ruajtja e mesazhit që i ishte besuar Muhammedit nga Zoti për njerëzimin.
Ashtu si shumë profetë, Imamëve iu desh të duronin kundërshtim nga populli i tyre dhe të pësonin shumë vuajtje prej tyre; shehadeti në kauzën e Zotit ishte më së shpeshti fati i tyre.
E prapëseprapë, sa më e madhe vuajtja, aq më i madh shpërblimi dhe nderimi i premtuar nga Zoti për të dërguarit, të dashurit (eulija’) dhe shërbëtorët e Tij të devotshëm.
Kështu, Pejgamberin e pyetën:
′Cilët njerëz janë kapluar nga fatkeqësitë më të mëdha?′ Ai u përgjigj: Pejgamberët dhe pastaj të devotshmit, çdonjëri sipas shkallës së devotshmërisë. Njeriu kaplohet sipas besimit të tij (din); nëse e ka besimin të qëndrueshëm, fatkeqësia i rritet përputhshmërisht, e nëse besimi i tij është i dobët, fatkeqësia i lehtësohet. Fatkeqësitë vazhdojnë ta mundojnë shërbëtorin adhurues gjersa e lënë të ecë mbi dhé pa mëkat mbi shpinë.[3]
VIRTYTET E EHL-I BEJTIT
Si në traditën sunnite, ashtu edhe në atë shi’ite, një ngjarje e rëndësishme simbolizon statusin Ehl-i Bejtit dhe përmasën shpirtërore e humane të marrëdhënies së tyre me Profetin.
Kjo është ngjarja e kisa’-së (mantelit, pelerinës) që Pejgamberi hodhi mbi veten, të bijën Fatime, ′Aliun dhe bijtë e tyre Hasanin e Huseinin.
Ky hadith na ka mbërritur në shumë versione, ku secili thekson një aspekt të caktuar të familjes së Profetit dhe dashurisë së tij për ta.
Ahmed ibn Hanbeli përcjell me autorietin e Umm Selemes, nënës së besimtarëve, se një ditë Pejgamberi i tha Fatimes: ′Sillmi bijtë dhe burrin tënd!′ Kur ata u mblodhën të gjithë, ai ua hodhi mantelin përsipër dhe, duke shtrirë dorën mbi ta, tha:
′O Zot, këta janë Ehl ul-Bejti i Muhammedit! Ndaj dërgoja bekimet e Tuaja Muhammedit dhe familjes së Muhammedit; vërtet, Ti je i Denjë për çdo lavdërim e madhërim!′ Umm Seleme vazhdon: ′Atëherë unë ngrita mantelin për t’iu bashkuar atyre, por ai ma tërhoqi prej dore, duke thënë "Edhe ti do kesh përfundim të mirë".[4]
Pika që ky version i hadithit të kisa’së kërkon të vërë në pah është se Ehl-i Bejti përbëhet vetëm nga pesë persona:
Muhammedi, ′Aliu, Fatimja dhe bijtë e tyre Hasani e Huseini.
Ummi Selemes, njërës prej më të nderuarave gra të Profetit iu mohua kjo pozitë e veçantë.
Do të flasim edhe më tej për këtë çështje, sepse ajo theksohet në thuajse çdo version të këtij hadithi.
Në një tjetër version tepër interesant të hadithit të kisa’së, të transmetuar me autoritetin e ′Abdullah ibn Xha’fer ibn Ebi Talibit, lexojmë:
Teksa pa mëshirën e Allahut të zbriste, i Dërguari i Zotit urdhëroi: ′Thirrmini, thirrmini!′ Safijja pyeti: ′Kë duhet të thërrasim, o i Dërguari i Allahut?′ Ai u përgjigj: ′Thirrni anëtarët e Ehl-i Bejtit tim: ′Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Huseinin.′ Kur erdhën, ai u hodhi një mantel përsipër, dhe duke ngritur duart nga qielli tha: ′O Zot, këta janë Ehl-i Bejti im; bekoje, o Zot, Muhammedin dhe njerëzit e Shtëpisë së Muhammedit!′
Atëherë, Allahu zbriti ajetin:
Vërtet, Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm [5]
Ky version i hadithit ofron kuptimin e kisa′së dhe themelin e rëndësisë së saj.
Manteli është simbol i mëshirës dhe bekimit hyjnor që mbulon Profetin dhe familjen e tij të shenjtë.
Për më tepër, ai përbën burim ose strehë të ngushëllimit qetësues dhe kthjelltësisë paqëtuese karshi vuajtjeve të mëdha dhe shehadetit që duhej të kalonte familja e Profetit pas tij.
Në këtë burim të pafund të mëshirës hyjnore, edhe të devotshmit kanë pjesën e tyre në kohë vuajtjesh dhe fatkeqësish.
Së fundi, kisa′ja i veçon ′të pestit e shenjtë′ nga besimtarët e tjerë, duke i dalluar nga pjesa tjetër e familjes së Profetit.
Ngjarja e kisa′së jep rastin e shpalljes së vargut të sapocituar të pastrimit (33:33). Përpara shfaqjes së konfliteve sektare që ndanë bashkësinë islame, tradita klasike ishte thuajse e njëzëshme në interpretimin e këtij ajeti si referim ndaj Profetit, të bijës Fatime Zahra (‘vezulluese’), të shoqit dhe kushëririt të saj ′ Ali, dhe bijve të tyre Hasan e Husein.[6]
Në nje version tjetër të hadithit të kisa′së, vijimësia e familjes së Pejgamberit ndaj atyre të profetëve të mëparshëm tregohet qartë.
Wathile ibn el-Aska′i, me autoritetin e të cilit ky hadith përcillet në shumicën e varianteve të tija, tregon se Profeti u lut:
O Allah, ashtu siç i ke dhuruar bekimet, mëshirën dhe faljen Tënde familjes së Ibrahimit, ashtu dhe ata [′Aliu, Fatimja, Hasani e Huseini] janë prej meje e unë jam prej tyre! Derdhi pra, bekimet, mëshirën, faljen dhe kënaqësinë Tënde mbi mua dhe ata.′ [7]
Kjo du’a i bën jehonë një lutjeje që muslimanët e përsërisin disa herë në ditë në namazet e tyre: O Allah, bekoje Muhammedin dhe Familjen e Muhammedit, ashtu siç e ke bekuar Ibrahimin dhe Familjen e Ibrahimit (Allahumme sal-i ‘ala Muhammedin ue ‘ala al-i Muhammed kemma salejte Ibrahim ue ‘ala al-i Ibrahim).
Familja e Muhammedit, pra është për të gjithë muslimanët ′familja e profetësisë dhe e vendvizitës së melekëve′. Komentuesi i famshëm i Kur’anit es-Sujuti citon një hadith që i njihet Umm-i Selemes në interpretim të ajetit të pastrimit:
Ky ajet u zbrit në shtëpinë time ... Në shtëpi atëherë ishin shtatë: Pejgamberi, Xhibra’ili dhe Mikaili, ′Aliu, Fatimja, Hasani e Huseini, dhe unë qëndrova tek dera e shtëpisë. Pyeta: ′O i Dërguar i Allahut, a s’jam edhe unë nga Ehl-i Bejti?′ Ai u përgjigj: ′Vërtet, ti do arrish përfundim të mirë! Mirëpo, ti je nga gratë e Pejgamberit.′[8]
Afria e ngushtë midis Pejgamberit dhe familjes së shenjtë, një marrëdhënie që e tejkalonte së tepërmi lidhjen e gjakut, mund të shihet në incidentin e mubahiles, ose sfidës për mallkim, me të cilën Pejgamberi iu drejtua kristianëve të Nexhranit.[9]
Në ajetin e mubahiles, Allahu i urdhëron Profetit dhe kundërshtarëve të tij të ′Thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, dhe vete tona e vetet tuaja.′ Sipas shumicës dërrmuese të mufesirëve dhe muhadithëve, bijtë e Pejgamberit janë Hasani dhe Huseini, ′gratë′ e tija i referohet Fatimes, kurse ′vetja′ e tij i referohet, përveç tij, edhe ′Aliut.
Kur njerëzit e Nehravanit i panë ata, e kuptuan menjëherë pozitën e tyre tek Zoti dhe me ankth të madh iu shmangën mubahiles, duke zgjedhur në vend të saj paqen.
Tradita pohon se Profeti e parandjeu armiqësinë që bashkësia e tij do të tregonte ndaj Ehl-i Bejtit të vet pas tij. Tregohet se ai thoshte shpesh:
Jam në luftë me ata që ju luftojnë dhe në paqe me ata që tregojnë paqe ndaj jush.
Ky kërcënim pohohet fuqishëm në një hadith të përcjellë me autoritetin e Ebu Bekrit, shokët të famshëm të Pejgamberit dhe kalifit të parë. Ai tha:
E pashë të Dërguarin e Allahut të ngrintë një tendë ku vendosi ′Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Huseinin. Pastaj, ai deklaroi: ′O muslimanë, unë jam në luftë me këdo që është në luftë me njerëzit e kësaj tende, dhe jam në paqë me ata që tregojnë paqe ndaj tyre. Jam miku i atij që i miqëson ata. Ai që tregon dashuri ndaj tyre do të jetë njeri i prejardhjeje të mirë dhe lindjeje fisnike e nuk i urren ata veçse një njeri me paraardhës mjeranë dhe lindje të keqe.[10]
Dashuria për familjen e Profetit urdhërohet nga Zoti në Kur’an, ku Ai pohon: Thuaj:
Nuk kërkoj shpërblim tjetër prej jush veç dashurisë për të afërmit e mi (42:23).
Komentuesit e Kur’anit janë pajtuar se ′të afërmit′ këtu nënkupton Ehl-i Bejtin.[11] Anëtarët e Ehl-i Bejtit të Pejgamberit Muhammed kanë qenë shembull bujarie, durimi karshi fatkeqësive dhe burim ngushëllimi në kohë sprovash dhe pikëllimi për të devotshmit.
Pas ditësh agjërimi dhe lutjesh për shëndetin e dy fëmijve të sëmurë Hasan dhe Husein, familja ua dha ato pak kafshata bukë dhe hurma, për të cilat ′Aliu ishte munduar aq shumë në punë, nevojtarëve.
Mbrëmjen e parë, siç tregohet, erdhi një lypës. Të dytën, ishte një jetim dhe të tretën një rob. Ata i dhanë secilit një copë bukë elbi dhe disa hurma që Fatimja kishte përgatitur si iftar për familjen. Kështu Allahu zbriti ajetin:
Ata janë që për hir të Zotit ua japin të varvfërit, jetimit dhe të zënit rob [12].
Mirëpo, në fund, Allahu zbriti një sofër qiellore për t’i ushqyer të dashurit e Tij.
Tradita e hershme dëshmon tension në marrëdhënien e Pejgamberin me bashkësinë dhe në marrëdhënien ndërmjet kësaj të fundit dhe familjes së shenjtë. Shumë nga literatura që e pasqyron këtë tension është me mjaft gjasa prodhim i një kohe më të vonë, por e projektuar së prapthi në kohën e Profetit dhe sahabëve të tij.
Këtu, dashuria për familjen e Profetit nuk është thjesht e këshillueshme si akt devotshmërie, por pasqyrohet si sfidë, dhe me ton të ashpër qortues. Për më tepër, pikërisht në bazë të kësaj dashurie ndaj Ehl-i Bejtit parathuhen edhe shpërblimet e ndëshkimet në Ditën e Gjykimit.[13]
Kështu, tregohet se Pejgmaberi ka thënë:
Kush dëshiron të jetojë jetën time, të vdesë vdekjen time dhe të banojë në Kopshtin e Parajsës që Zoti im ka mbjellë, le të marrë për wali ′Aliun pas meje e të jetë mik me miqtë e tij. Le të udhëzohet pastaj prej Imamëve pas meje, sepse ata janë pasardhja e ime (itre); ata janë krijuar nga balta ime dhe janë dhuntisur me dituri dhe të kuptuar. Mjerë ata nga bashkësia ime që ua mohojnë epërsinë dhe që shkelin kërkesat e mirësisë ndaj pasardhësve të mi. Allahu mos ua dhëntë ndërmjetësimin tim.[14]
Në një hadith tjetër, Pejgamberi ua premton ndërmjetësimin e vet atyre që i nderojnë pasardhësit e tij, ua plotësojnë nevojat dhe i duan me tërë zemrën duke e treguar edhe me gojë dashurinë e tyre për ta.[15]
Më lart u theksua se Ehl-i Bejti ndan me profetët e mëparshëm dhe pasardhësit e tyre një pozitë të lartë dhe favor hyjnor, por jo profetësinë.
Për më tepër, ata ndajnë me Pejgamberin Muhammed prerogativin e ndërmjetësimit.
Kjo shprehet në gjuhë hagiografike, e zakontë edhe për traditën sunnite edhe për atë shi′ite.
Një shembull i tillë i thjeshtë mund të mjaftojë për të treguar përkushtimin në devotshmërinë e të dyja traditave ndaj Profetit dhe anëtarëve të Ehl-i Bejtit të tij.
Kur’ani na tregon se Ademi mori ca fjalë nga Allahu, që i mundësuan faljen dhe mëshirën e Zotit:
Ademi mori ca fjalë nga Zoti i tij dhe Ai iu kthye atij [me falje]; sepse Ai është falës, mëshirues (2:37).
Sujutiu transmeton se Ibn ′Abbasi, tradicionalisti dhe autoriteti i famshëm i Kur’anit, e pyeti Pejgamberin për fjalët që mori Ademi. Profeti iu përgjigj:
′Ai u lut me fjalët: "O Zot, për hir të Muhammedit, ′Aliut, Fatimes, Hasanit dhe Huseinit, kthehmu [me mëshirë]", dhe Ai u kthye nga ai.′[16]
Në një version tjetër mjaft dramatik të këtij hadithi, Ademit i mësohen ato fjalë si mjeti i vetëm me anë të të cilit Zoti mund t’ia pranojë pendesën dhe ta falë.
′Aliu, siç tregohet, e pyeti Profetin lidhur me këtë ajet dhe ai i tha se kur Ademi dhe e shoqja u nxorën nga Xhenneti, Ademi qau i hidhëruar për mëkatin e tij për njëqind vjet. Më në fund, Xhibra’ili i erdhi e i foli në emër të Zotit:
O Adem, a nuk të krijova me dorën Time? A nuk fryva në ty nga Shpirti Im? A nuk i urdhërova engjëjt të të përuleshin? A nuk të ofrova Havanë, shërbëtoren Time?′ ′Po′, u përgjigj Ademi. Xhibra’ili vazhdoi: ′Cili është shkaku atëherë i vajtimit tënd?′ Ademi u përgjigj, ′Si të mos vajtoj kur jam dëbuar nga afria e Gjithmëshiruesit?′ Engjëlli atëherë i tha: ′Duhet të lutesh me ëndje me këto fjalë, dhe Allahu do të ta pranojë pendimin dhe ta falë mëkatin. Thuaj: "O Allah, Të përgjërohem për hir të Muhammedit dhe familjes së Muhammedit, nuk ka zot veç Teje. Kam bërë keq dhe e kam ndarkuar shpirtin tim. Kthemu (me mëshirë), se Ti je Falës, Plotmëshirues."[17]
HASANI DHE HUSEINI
Tradita islame ka ruajtur tregime të shumta që pasqyrojnë kujdesin delikat dhe dashurinë e madhe që tregonte Profeti ndaj Hasanit dhe Huseinit.
Ata u lindën në Mekë të dy, dhe kësisoj e njohën Profetin vetëm në fëmijëri. Ndaj, jeta e hershme e dy Imamëve ngjyroset me intimitetin dhe dashurinë e një gjyshi.
Këto tregime mbi familjen pasqyrojnë sërish tensionin teologjik dhe politik brenda bashkësisë islame, një tension që e kishte epiqendrën më së shumti tek Hasani dhe Huseini. Ja çfarë përcjell njëri nga këto tregime:
Një ditë, Hasani dhe Huseini kishin humbur dhe nëna e tyre, Fatimja, erdhi tek Profeti shumë e alarmuar. Mirëpo engjëlli Xhibra’il i zbriti Profetit, duke i treguar se dy fëmijët po flinin në një vathë diku më larg. Meleku e siguroi familjen e shqetësuar se Allahu kishte ngarkuar një melek që t’i mbikqyrte fëmijët. Pejgamberi shkoi tek vendi dhe pa se meleku kishte hapur të dy krahët: njërin nën ta dhe tjetrin mbi ta si mbulesë. Profeti u përthye mbi ta dhe filloi t’i puthte gjersa u zgjuan. Pastaj ai i mbajti fëmijët mbi shpatulla deri në qytet. Një turmë e madhe e muslimanëve e ndoqën Profetin dhe dy nipat e tij për në xhami. Atëherë, Profeti iu drejtua të grumbulluarve me fjalët: ′O muslimanë, a t’ju njoftoj për ata që kanë gjyshin dhe gjyshen më të mirë të njerëzimit?′ ′Po, o i Dërguari i Allahut′, u përgjigjën ata të gjithë. ′Janë Hasani dhe Huseini′, u tha ai. ′Gjyshi i tyre është i Dërguari i Allahut, kurse gjyshja e tyre Hatixhja, e bija e Khuwejlidit, zonja e grave të Xhennetit.′ Pejgamberi pastaj deklaroi se Hasani dhe Huseini kishin xhaxhain dhe hallën më të mirë: Xha’ferin dhe Umm Hani′në, birin dhe bijën e Ebu Talibit. Edhe daja e tezja e tyre ishin më të mirët po ashtu: el-Kasimi dhe Zejnebja. Profeti përfundoi me fjalët: ′O Zot, Ti e di se Hasani dhe Huseini do të jenë në Xhennet, xhaxhallarët dhe tetot e tyre do të jetë në Xhennet dhe ata që i duan do të jenë në Xhennet, ndërsa ata që i urrejnë do të jenë në Xhehennem."[18]
Ebu Hureira, transmetuesi i famshëm i hadithit, tregon se:
Shpesh gjatë namazeve të tyre pas të Dërguarit të Allahut, Hasani dhe Huseini i hipnin atij mbi shpinë ndërkohë që ai ishte në sexhde. Kur e ngrinte kokën, ai i lëvizte ata me butësi dhe i ulte pranë vetes. Një mbrëmje, pas namazit, Ebu Hureira u ofrua t’i çonte të dy fëmijët në shtëpinë e tyre, por Pejgamberi dëshiroi që ata të qëndronin. Mirëpo, pas pak, një vezullimë drite ndriçoi qiellin dhe ata ecën kështu në dritën e saj gjersa mbërritën në shtëpi.[19]
Ashtu sikurse profetët, eulijatë janë favorizuar me mrekulli. Ato nuk janë tamam mrekulli (mu′xhize), por favore hyjnore (keramete).
Ngjarja e vetëtimës është një favor i tillë hyjnor, nëpërmjet të cilit Profeti dëshiroi ta njoftonte bashkësinë e tij për pozitën e veçantë me të cilën i kishte favorizuar Allahu dy Imamët.
Ka një unitet mes Profetit dhe Ehl-i Bejtit, jo thjesht unitet gjaku, por edhe shpirti. Ai është një unitet që simbolizohet nga ngjarja e kisa′së.
Prandaj, ai përbën unitet të dashurisë, siç tregon qartë pohimi i mëposhtëm i Pejgamberit, që përcillet me autoritetin e Selman Farsiut:
Unë e dua atë që e do Hasanin dhe Huseinin dhe këdo që dua unë e do edhe Allahu dhe atë që do Allahu, Ai do të fusë në kopshtet e lumturisë.′ Po kështu, ai që urren Hasanin dhe Huseinin do t’i dorëzohet Zjarrit, sepse edhe Allahu edhe i Dërguari i Tij do ta urrejnë atë, dhe ′atë e pret një dënim i tmerrshëm .[20]
Devotshmëria hagiografike muslimane e ka tejzgjatur këtë unitet dhe intimitet mes Pejgamberit dhe nipave të tij që të përfshijë engjëjt qiellorë.
Kështu, Hudhejfe, një sahab dhe tradicionalist i mirënjohur, ka treguar se Profeti tha:
′Një melek ndodhet këtu që nuk ka zbritur kurrë më parë në tokë. Ai kërkoi leje nga Zoti për të zbritur dhe për të më përshëndetur, që të më sjellë sihariqin se Fatimja është kryezonja e grave të Xhennetit, dhe se Hasani e Huseini janë prijësat e rinisë së Xhennetit.′[21]
Nuk ka asnjë dyshim se pozita e veçantë e Imam Huseinit në devotshmërinë dhe përkushtimin musliman ka qenë në masë të madhe për shkak të flijimit të lartë nga ana e tij, të familjes, pasurisë dhe jetës në rrugën e Zotit.
Shehadeti i Huseinit – trimëria, durimi, dinjiteti dhe përkushtimi i tij vërtetësor në atë kohë të një krize madhore – i kanë frymëzuar muslimanët e të gjitha shtresave.
Huseini ka frymëzuar poezinë më të mirë në të gjitha gjuhët islame; madje edhe poetë jomuslimanë i kanë kënduar virtytit dhe trimërisë së tij.
Megjithatë, përmbi të gjitha, shehadeti i Imam Huseinit u bë burim fuqie e durimi për muslimanët në kohë vuajtjeje, persekutimi dhe shtypjeje.
Ai ka qenë përkrah çdo të nëpërkëmburi para sundimtarëve tiranë, duke i qortuar shkelësit dhe inkurajuar të shtypurit që ta vazhdojnë luftën e tyre për liri dhe dinjitet njerëzor.
Përballja e mëposhtme mes Zejd ibn Arkamit, një sahabiu të nderuar të Profetit, dhe ′Ubejdullah ibn Zijadit përbën dëshmi të gjallë të luftës ndërmjet autoritetit të paligjshëm dhe fuqisë së të drejtës.
Kur koka e Imam Huseinit u soll para tij, Ibn Zijadi filloi t’ia godiste dhëmbët e buzët me shkop. Zejdi protestoi:
′Hiqe ate shkop! Se, për Allah, e kam parë të Dërguarin e Allahut t’i puthte shpesh ato buzë.′ Dhe filloi të qante. Ibn Zijadi e sulmoi duke i thënë: ′Allahu ta shtoftë vajin! Të mos ishe plak dhe matuf, do të ta hiqja kokën.′ Zejdi pastaj u largua, duke thirrur: ′O njerëz, që sot e tutje jeni skllevër. Sepse keni vrarë djalin e Fatimes dhe keni vënë për emir mbi ju djalin e Merxhanës [Ibn Zijadin]. Për Allah, ai do të vrasë më të mirët nga ju dhe afrojë më të ligët nga mesi juaj. U shofshin ata që pranojnë poshtërimin dhe turpin.′ Zejdi pastaj vazhdoi, ′O Ibn Zijad, do të të them diçka që do të të tërbojë edhe më tepër. E kam parë të Dërguarin e Allahut (s) duke e vënë Hasanin mbi kofshën e majtë dhe Huseinin mbi të djathtën, tek thoshte: "O Allah, ia lë në amanet ata dhe më të drejtit nga njerëzit me iman, kujdesit Tënd." Si ke vepruar me amanetin e Pejgamberit, o Ibn Zijad?′[22]
Urtia hyjnore në krijim mund të shquhet më së miri, sipas Kur’anit, në rendin natyror, si dhe në individin njerëzor dhe shoqërinë e tij.
Hagiografia muslimane e ka regjistruar ndikimin dramatik të vdekjes së Huseinit mbi natyrën. Kështu, muhadithi i famshëm el-Bejhaki ka transmetuar se kur el-Husein ibn ′Ali u vra, dielli u eklipsua aq fort saqë yjet u panë në mesditë. Njerëzit u frikësuan se mos ishte Dita e Kijametit.[23]
Nadra el-Azdija, një bashkëkohëse e Imam Huseinit, ka treguar se:
Kur u vra el-Hasan ibn ′Aliu, qielli kulloi shi gjaku, aq sa mëngjesin e nesërm i pamë puset dhe qypat të mbushur me të.′[24]
Kujtimi i Imamit të martirizuar është mbajtur gjallë dhe ushqyer nga lotët e besimtarëve që marrin pjesë aktivisht në tragjedinë e Imam Huseinit dhe të dashurve e shokëve të tij.
Edhe këtu, tradita e ka tejzgjatur pikëllimin e shpalosur nga të devotshmit për tragjedinë e Qerbela′së deri te rendi kozmik. Kështu, Sujutiu transmeton në komentin e tij të ajetit që përshkruan mëshirën e Allahut ndaj martirit të lashtë Jahja, birit të Zekerijasë, se ′Qiejt nuk kanë vajtuar për vdekjen e askujt përveç Jahjait, birit të Zekerijasë dhe Husein ibn ′Aliut. E kuqja e tij [muzgore] është shenjë e vajtimit të tyre.′[25]
PËRFUNDIM
Është debatuar se ka një unitet ekzistencial dhe gjithpërfshirës ndërmjet Profetit dhe bijës së tij Fatime, të shoqit të saj ′Ali dhe dy bijve të tyre.
Ky unitet e bën të pamundur diskutimin e njërit pa diskutuar tërë të tjerët. Ndaj dhe ne jemi marrë me Imam Huseinin në kontekstin e këtij uniteti thelbësor.
Megjithatë, duhet shtuar se Imam Huseini ishte veçanërisht i afërt për zemrën e gjyshit të tij, Profetit Muhammed.
Vetëm për Huseinin ka thënë ai:
′Huseini është nga unë dhe unë jam nga Huseini. Allahu i dashtë ata që e duan Huseinin.′[26]
Kur zbriti Sureja el-Keuther, Pejgamberi ia shpalli këtë favor të madh shokut të tij të afërt, Enes ibn Malikut, me autoritetin e të cilit përcillet ky hadith.
Enesi pyeti: ′Çfarë është el-Keutheri?′ Pejgamberi u përgjigj: ′Është një lum në Xhennet, por as ata që shkelin betimin (dhimma) tim e as ata që vrasin anëtarët e Ehl-i Bejtit tim s’do lejohen të pijnë prej tij.′ [27]
Në fund, tradita shi′ite ka ngulmuar gjithmonë në meritën shpërblyese që fitojnë mesimtarët me kryerjen e vizitës (zijare) tek varri i Imam Huseinit dhe varret e burrave që u martirizuan me të.
Mirëpo edhe tradita sunnite e ka shikuar këtë veprim si shumë të devotshëm e të pëlqyeshëm.[28]
Zijareti tek varri i Imamit të martirizuar e ka arritur këtë domethënie të madhe në mbarë traditën muslimane sepse Imami dhe shehidët që janë bashkë me të shihen si simbole të xhihadit në rrugën e Zotit.
Tregohet se babai i Imamëve, ′Ali ibn Ebi Talibi kaloi nga Qerbela′ja pas Betejës së Siffinit. Ai mori një grusht dhé prej saj e thirri:
′Ah, medet, në këtë pikë do të vriten disa burra dhe do të hyjnë në Xhennet pa u pyetur!′ [29]
Uniteti shpirtëror i Ehl-i Bejtit, i simbolizuar nga manteli (kisa′) është nga ana e vet simbol i unitetit të të gjithë muslimanëve.
Pikërisht për hir të këtij uniteti në besim dhe nënshtrim (islam) ndaj Zotit dhe së Vërtetës e dha jetën Imam Huseini.
Ai refuzoi një Islam partiak kur refuzoi të përligjte sundimin umejjad.
Për shkak se refuzoi poshtërimin, zullumin dhe devijimin nga idealet e udhëheqjes islame të personifikuar nga Pejgamberi dhe babai i tij ′Ali, Prijësi i Besimtarëve, Imam Huseini tregoi një herë e përgjithmonë dallimin midis një khalifi (mëkëmbësi) të të Dërguarit të Allahut dhe mbretërve të kësaj bote.
Por mbi të gjitha, Imam Huseini dhe shehidët që ranë me të pranuan ujdinë e Allahut me besimtarët për t’i shkëmbyer jetët dhe pasuritë e tyre për lumturinë e përjetshme të Xhennetit.[30]
Kjo sfidë hyjnore nuk është më pak e rëndësishme për bashkësinë muslimane sot se ç’ishte katërmbëdhjetë shekuj më parë.
Ajo na fton akoma drejt ′një kopshti gjerësia e të cilit është më e madhe se qiejt dhe toka, pregatitur për ata që i druhen Allahut′.