Nga e ka burimin medhhebi i Ehlu’l-Bejtit
Sejjid Sherafudin el-Musawi
24.09.2008

PËRMBAJTJA:
Besimi shi‘i është nxjerrë mutevatir nga Imamët e Ehl ul-Bejtit

Përparësia e shi‘itëve në shkrimin e dijes në epokën e sahabeve
Autorët e kohës së tabi’inëve dhe tabi-tabi’inëve


Në një letër që daton më 23 Rebiul-Thani 1330/ , Shejhu i atëhershëm i el-Ez’herit, dijetari i njohur maliki nga Egjipti, Selim el-Bishri, iu drejtua dijetarit të shquar imami nga Amili i Libanit, Sejjid Sherafuddin el-Musavi, mbi arsyet përse disa njerëz e vënë në dyshim të buruarit e medhhebit shi‘i nga Imamët e Ehl ul-Bejtit. Në këtë letër të dinjitarit shkruhej:


“Disa fanatikë e vënë në dyshim nxjerrjen e medhhebit tuaj, në rrënjët dhe degët e besimit, nga Imamët e Ehl ul-Bejtit, dhe deshëm t’ju pyesnim mbi këtë çështje. Tani është koha për ta shtruar një pyetje të tillë; ndaj a do mund t’i përgjigjeshit në një mënyrë që do ta rrëzonte pretendimin e tyre? Ueselam. Selim el-Bishri”


Në përgjigjen e tij, që daton më 29 Rebiul-Thani 1330/, dijetari imami përgjigjet si më poshtë vijon:


1) Besimi shi‘i është nxjerrë mutevatir nga Imamët e Ehl ul-Bejtit


Të gjithë ata që janë të dhuntisur me urti dhe maturi e dinë mirë se derivimi i rrënjëve dhe degëve të besimit shi‘i imami është prej stërgjyshërve dhe të parëve të tyre, dhe përfundon tek Pasardhësit e Dëlirë.


Pikëpamjet e tyre, pra, janë pasqyrë e atyre të Imamëve të ‘Itre-s së pastruar, në rrënjët e degët e besimit, si dhe deduktimet e nxjerra nga studimi i Librit dhe Sunnetit, ose në çdo çështje të lidhur me to apo të gjitha degët e teologjisë.


Ata nuk mbështeten mbi askënd në të kuptuarit e tyre të këtyre të fundit, përveç ‘Itre-s dhe nuk i referohen askujt përveç tyre. Ata e adhurojnë Allahun e Lartësuar dhe kërkojnë afrinë e Tij, i Madhëruar qoftë, nëpërmjet besimit të Imamëve të Ehl ul-Bejtit, pa bërë ndonjë shmangie prej tyre a dëshiruar ndonjë zëvendësues për ta.


Ky ka qenë qëndrimi i të parëve të tyre të mirë që nga koha e Prijësit të Besimtarëve, Hasanit, Huseinit dhe nëntë Imamëve nga pasardhja e Huseinit deri më sot.


Ata që i kanë mësuar rrënjët dhe degët e besimit nga Imamët e Ehl ul-Bejtit janë disa shi‘itë të besuar, dhe numri i atyre që mësuan prej këtyre është shumë më i madh. Numri i atyre që njihen mirë për tekva’, verifikim e ndreqje është mëse mutevatir. Ata ia kanë përcjellë të gjitha këto atyre që i pasuan me tevatur, dhe pas tyre iu përcollën të tjerëve e kështu me rradhë.


Ky ka qenë realiteti me secilin brez, gjersa na mbërriti neve, aq i qartë sa dielli i mesditës, pa ndonjë re për ta penguar.


1 Ne tani jemi, në të kuptuarit e rrënjëve dhe degëve, pasuesit e Imamëve nga pasardhja e të Dërguarit të Allahut (s). Ne cituam paraardhësit tanë që i citojnë ata me rradhë.


Kjo ka qenë kështu në të gjithë brezat deri në kohën e Nekiut, ‘Askeriut, Xhevadit, Ridait, Kadhimit, Sadikut, Bakirit, ‘abidinit, dy nipave të Profetit a.s. e në fund Prijësit të Besimtarëve, pa përfshirë të parët shi‘itë që u shoqëruan me Imamët e Ehl ul-Bejtit, duke i mësuar dispozitat fetare prej tyre e duke i cituar ata gjatë diskutimit të diturisë islame.


Këtu nuk ka vend për t’i numëruar të gjithë dhe për të bërë apelin e tyre. Mjafton për ju ajo që kanë shkruar penat e dijetarëve të tyre të shquar nga veprat e veçanta, një listë e të cilave s’mund të përfshihet në këtë rrëfim.


Ata e nxorrën krejt atë nga drita e Imamëve të udhërrëfimit, pasardhësve të Muhammedit, paqe pastë mbi të dhe ta, duke e cituar atë nga vetë oqeanet e tyre të dijes dhe duke e dëgjuar drejtpërsëdrejti nga ata.


Ata janë shkruesit e diturisë dhe urtisë së tyre. Veprat e tyre u shkruan gjatë jetës së atyre të pastruarve, dhe u bënë referenca për të gjithë shiitët që i pasuan ata.


Përmes tyre, epërsia e shkollës së Ehl ul-Bejtit e shpalosi veten përmbi të gjitha shkollat e tjera islame. Ne nuk njohim asnjë ndjekës të katër Imamëve sunni, për shembull, që të ketë shkruar ndonjë libër gjatë jetës së Imamëve të tyre.


Përkundrazi, njerëzit shkruan libra me bollëk lidhur me besimin e tyre pasi që ata Imamë e kishin lënë këtë botë, kur u vendos që teklid-i të kufizohej vetëm në medhhebet e tyre.


Gjatë jetës së tyre, ata ishin si cilido prej fekihëve apo muhadithëve të tyre bashkëkohës, duke mos gëzuar kurrfarë dallimi mbi të tjerët në llojin e tyre; prandaj, askush prej bashkëkohësve të tyre nuk ishte i interesuar të preokupohej për ta regjistruar fjalën e tyre siç u përkujdesën shi‘itët në regjistrimin e pohimeve të Imamëve të papërlyer.


Qëkur lindi medhhebi shi‘i, askujt nuk iu lejua t’i referohej në çështjet fetare ndokujt tjetri përveç Imamëve të tyre. Për këtë arsye, një përkujdesje e tillë ishte e pashmangshme, dhe ata u bënë burimi i vetëm i diturisë fetare.


Një përpjekje e madhe e burime të shumta u harxhuan në regjistrimin e pohimeve të tyre, dhe shumë syresh i shterrën pasuritë për ta bërë këtë në një mënyrë të pashoqe, që të mund ta ruanin diturinë e cila, sipas atij medhhebi, është e vetmja që pranohet nga Allahu.


Vetëm librat e shkruar gjatë kohës së Imam Sadikut i kalojnë të katërqindët, mbi katërqind tema të ndryshme që përmbanin fetva-të e tij.


Nxënësit e Sadikut kanë shkruar shumë, shumë herë më tepër se kaq, siç do ta shikoni në hollësi së shpejti, insha-Allah. Sa i përket katër imamëve sunni, askush s’i sheh ata me sytë që i shohin shi‘itët Imamët e Ehl ul-Bejtit.


Jo madje, ata nuk kishin ndjekës as gjatë kohës së tyre! Ata nuk ia mbërritën ta shijonin statusin që iu dha atyre pas vdekjes, siç pohon Ibn Khalduni në një kaptinë që i kushtohet fikh-ut në Mukaddime-në e tij të famshme, dhe ky është një fakt i pranuar nga shumë prej dijetarëve të tyre të shquar.


Megjithkëtë, ne s’e dyshojmë që pasuesit e tyre ndoqën tjetërkënd përveç tyre, sepse pikëpamjet e tyre janë padyshim ato të atyre Imamëve, që u mbajtën të besueshme në të marrurit me çështjet e tyre në çdo brez.


Ata i regjistruan ato në librat e tyre sepse pasuesit e tyre i dinin më mirë medhhebet e tyre, pikërisht siç e dinë më mirë shi‘itët medhhebin e Imamëve të tyre, që e adhurojnë Allahun sipas mësimeve të tyre, me besimin se kjo është rruga e vetme për të kërkuar afrinë e Tij.


2) Përparësia e shi‘itëve në shkrimin e dijes në epokën e sahabeve


Studiuesit e pranojnë pa ngurrim faktin se shi‘itët ishin pionierët e regjistrimit të degëve të dijes, më shumë se kushdo tjetër. Në fakt, gjatë shekullit të parë askush përveç ‘Aliut dhe të dhuntisurve me dije mes shi‘itëve të tij s’e bënë këtë.


Arsyeja për këtë mund t’i atribuohet dallimeve të opinionit midis sahabëve për lejimin apo ndalimin e shkrimit të dijes. Sipas Hyrjes së ‘Askalaniut në veprën e tij Fet’h ul-Melik el-‘Ali Bisihhati Babil ‘Ilm ‘Ali dhe sipas të tjerëve, ‘Umer ibn el-Khattabi dhe disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë ide nga frika se hadithi mund të përzihej me Kur’anin, përkundrejt lejimit të dhënë nga ‘Aliu e pas tij Hasan el-Muxhtabai, nipi i Profetit (s) dhe një grup sahabësh të tjerë, për një shkruarje të tillë.


Asokohe, Ibn Xhurejhi shkroi në Medine librin e parë mbi trashëgimitë ku ai citoi Muxhahidin dhe ‘Ata’in. Gazaliu thotë se ai është libri i parë i shkruar në Islam. E vërteta është se ai është libri i parë i shkruar nga një jo-shii në Islam.


Pas tij, Mu’ammer ibn Rashidi nga Sana’ja në Jemen, shkroi librin e tij, e pastaj Maliku shkroi Mavata-në e tij. Hyrja e Fet’h ul-Melik ‘Ali Bisihhati Babil ‘Ilm ‘Ali pohon se el-Rebi ibn Sebihu qe i pari që përpiloi të dhëna, dhe se ai jetoi nga fundi i periudhës së tabi‘inëve.


Gjithsesi, konsensusi i opinionit është se sunnitë nuk shkruajtën asnjë libër gjatë shekullit të parë hixhri. Sa i përket ‘Aliut dhe shi‘itëve të tij, ata harxhuan kohë dhe mund të madh për t’ia arritur atij qëllimi gjatë shekullit të parë hixhri.


Shkrimi i parë i Emir ul-Mu‘mininit ishte Libri i Allahut, të Lartësuarit, të Madhëruarit. Pasi kreu ritualet e pregatitjes së nisjes së Profetit (s) nga kjo botë, ‘Aliu vendosi të mos dilte veçse për t’u falur, që të mblidhte Kur’anin.


Ndaj, ai e përpiloi atë të renditur sipas radhës së shpalljes. Ai theksoi kuptimet e tij të përgjithshme e të veçanta, absolute dhe të kufizuara, të përkryera e alegorike, shfuqizuese dhe të shfuqizuara, të theksuara e të shtendosura, urdhëruese dhe udhëzuese, duke treguar rastet që e kishin bërë të domosdoshme shpalljen e ajeteve të tij të përsosura dhe shpjeguar atë që mund të ishte e paqartë për njerëzit.


Ibn Sirini e kishte zakon të thoshte:


“Nëse je me fat ta gjesh atë libër, atëherë do të shohësh në të dije të bollshme.”


Këtë e pohon Ibn Haxheri në es-Sava‘ik ul-Muhrike, si dhe shumë dijetarë të shquar. Disa sahabë që dinin shkrim e këndim iu përveshën punës së mundimshme të mbledhjes së Kur’anit të Lartë, por ata nuk mund ta hartonin sipas radhitjes së shpalljes e as që mund ta pajisnin me shpjegimet e mësipërme, duke e bërë përpilimin e ‘Aliut më shumë se thjeshtë një përpilim - jo madje, një zbërthim.


Me të mbaruar përpilimin e Librit të Allahut të Dashur, ai shkroi një libër të cilin ia kushtoi Zonjës së Grave të Botës. Ai u bë i njohur si Mus‘hafi i Fatimes, që përmbante thënie, fjalë urtie, këshilla, moral, ngjarje historike e ndodhira unike, të shkruara si ngushëllim për të pas pikëllimit të saj nga humbja e të atit, Profetit (s).


Pas tij, ai shkroi një libër që lidhej me dëmshpërblimin e gjakut (dhe çështje të tjera) të cilin e quajti es-Sahife. Atij i referohet Ibn Sa‘di në fund të veprës së tij el-Xhami’ duke ia njohur autorësinë Prijësit të Besimtarëve.


Si Bukhariu dhe Muslimi e përmendin dhe e citojnë atë në disa vende të Sahih-ëve përkatës. Midis këtyre është ajo që ata citojnë nga el-A’meshi prej Ibrahim et-Tejmiut që citon babain e tij duke thënë: “‘Aliu (r.a.) më tha njëherë:


“Nuk kemi për ty asnjë libër për lexim, përveç Librit të Allahut dhe kësaj Sahife.”


Pastaj ai ma solli. Ajo përmbante çështje rreth plagëve e dhëmbëve të devesë. Përmbajtja e saj përfshinte edhe një pohim të tillë: ‘Medina është tokë e shenjtë nga Iri te Thevri; ai që e përdhos atë, apo strehon një përdhosës, do të mbarti mallkimin e Allahut, melekëve dhe njerëzve’.”


Ky është formulimi i Bukhariut në kreun e tij mbi mëkatet e atyre që i mohojnë mavali-të e tyre, në kreun e dispozitave, f. 111, vëll. IV i Sahih-ut, dhe përmendet në kreun e tij mbi shenjtërinë e Medines, gjatë diskutimit të haxhit, në f. 523, vëll. I i Sahih-ut të Muslimit.


Imam Ahmed ibn Hanbeli i referohet vazhdimisht hadithit mbi këtë Sahife në Musned-in e tij. Ai e citon ‘Aliun në f. 100, vëll. I i Musned-it, në një rivajet të transmetuar nga Tarik ibn Shihabi, që thotë:


“E kam parë ‘Aliun, duke thënë nga minberi: ‘Për Allah! Nuk kemi gjë për t’ju lexuar përveç Librit të Allahut Te‘ala e kësaj Sahife’, të cilën ai po e ngjeshte rrëzë shpatës, ‘E kam mësuar përmbajtjen e saj nga i Dërguari i Allahut (s)’.”


Duke cituar ‘Abdul-Melikun, el-Saffari thotë:


“Ebu Xha‘feri kërkoi t’i sillnin librin e ‘Aliut dhe djali i tij Xha‘feri solli diçka të rëndë në formën e një kofshe. Mes të tjerash, aty ndodhej një fjali që thoshte: ‘Nëse një burrë vdes, gruaja e tij nuk do të trashëgojë asnjë prej pronave të tija.’ Ebu Xha‘feri tha: ‘Për Allah, ky është shkrimi i ‘Aliut dhe diktimi i të Dërguarit të Allahut (s)!” Një grup shi‘itësh të Imamit pasuan gjurmët e Prijësit të Besimtarëve dhe shkruan disa libra. Mes tyre ishin: Selman Farsiu dhe Ebu Dher Gifariu, siç pohon Ibn Shehr ashubi: “Autori i parë në Islam është ‘Ali ibn Ebu Talibi, pastaj Selman Farsiu, pastaj Ebu Dheri.”


Ndër ta është edhe Ebu Rafi’u, robi i liruar i të Dërguarit të Allahut (s) dhe administrues i bejt ul-malit gjatë sundimit të Prijësit të Besimtarëve. Ai qe nga elita e pasuesve të tij që kërkuan udhërrëfimin e tij. Ai shkroi një libër që merret me hadithe, dispozita dhe çështje të tjera të cilat i mblodhi kryesisht nga ‘Aliu. Ai gëzoi një pozitë prestigjioze ndër të parët tanë që e përdorën si burim citimesh e hadithesh.


Midis tyre është ‘Ali ibn Ebu Rafi’u, i cili, sipas biografisë së tij në Isabe, u lind gjatë kohës së Profetit (s) që e quajti atë ‘Ali. Ai shkroi një libër mbi shkencën e fikh-ut sipas mësimeve të Ehl ul-Bejtit, që e mbanin gjallë atë libër e i drejtonin shi‘itët e tyre tek ai. Musa ibn ‘Abdullah ibn el-Hasani ka thënë:


“Një njeri e pyeti tim atë për teshehhud-in. Im atë më tha t’i sillja librin e shkruar nga Ebu Rafi’u. Ai e mori dhe na diktoi prej tij.”


Autori i Ravdet ul-Xhenat e mbyll diskutimin e tij duke pohuar se ky qe libri i parë që merrej me fikh i shkruar nga shi‘itët, por ai, Allahu e mëshiroftë, me siguri gabohej.


Mes tyre është ‘Ubejdullah ibn Ebu Rafi’u, shkrues i shpalljes dhe pasues i ‘Aliut, i cili mësoi nga Profeti (s) dhe ia përcolli Xha‘ferit thënien e tij:


“Brumi dhe edukata jote janë si të miat.”


Kjo citohet nga një grup dijetarësh që përfshijnë Imam Ahmedin në Musned. Ibn Haxheri e përmend në Pjesën I të el-Isabe me titull “‘Ubejdullah ibn Eslem”. Emri i babait të Rebiut është Eslem.


‘Ubejdullahi shkroi një libër mbi sahabët që morën pjesë në Siffin me ‘Aliun, nga i cili Ibn Haxheri citon gjerësisht në el-Isabe;2 ndaj ju mund t’i drejtoheni atij.


Gjithashtu mes tyre është Rabie ibn Semi i cili shkroi një libër për zekatin mbi tufat e gjedhëve, të nxjerrë nga hadithi i Profetit (s) i përcjellë nga ‘Aliu. Ata përfshijnë ‘Abdullah ibn Hurr el-Farsiun që transmeton një shkëndijë hadithesh të përcjella nga Profeti (s) prej ‘Aliut. Midis tyre është edhe el-Asbagh ibn Nebete, mik e nxënës i Prijësit të Besimtarëve që citon Letrën e Imamit për Malik el-Eshterin dhe testamentin e tij për të birin Muhammedin.


Të dyja regjistrohen nga dijetarët tanë në librat e tyre të saktë të hadithit, direkt prej tij. Një tjetër është Selim ibn Kejs el-Hilali, një shok i ‘Aliut, që citon hadithin e tij dhe të Selmanit. Ai shkroi një libër rreth Imametit që përmendet nga Imam Muhammed ibn Ibrahim el-Numani në librin e tij el-Gajbe, me fjalët:


“Asnjë nga dijetarët dhe transmetuesit shi‘itë të hadithit të Imamëve nuk e diskuton faktin se libri i shkruar nga Selim ibn Kejs el-Hilali është një bibliografi madhore e punimeve mbi usul-in të përcjella nga dijetarët dhe muhadithët e Ehl ul-Bejtit, dhe një nga pionierët e këtij lëmi. Ai është një nga burimet madhore të cilit i referohen dhe mbi të cilin mbështeten shi‘itët.”


Dijetarët tanë kanë regjistruar gjithashtu emrat dhe veprat e atyre të po këtij kalibri midis të parëve tanë të mirë që shkruajtën libra, krahas indekseve dhe jetëshkrimeve, autorëve të të cilave u janë referuar të gjithë.


3) Autorët e kohës së tabi’inëve dhe tabi-tabi’inëve


Sa u përket autorëve nga të parët tanë që i përkasin brezit të dytë, d.m.th atij të tabi’inëve, kjo Letër s’ia del që të shkoqisë mbi ta, dhe për t’u njohur me ta, me veprat dhe burimet e tyre në hollësi, është më mirë të konsultohen bibliografitë dhe jetëshkrimet e hartuara nga dijetarët tanë.3


Drita e Ehl ul-Bejtit shndriti fuqishëm mbi atë brez, ndërkohë që më parë ajo ishte penguar nga retë e shtypjes së tiranëve. Katastrofa e Qerbelasë i nxorri sheshit armiqtë e pasardhësve të Muhammedit (s) e ua mori fytyrën para atyre që kanë sy e mend. Ajo gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj mizorive që e kapluan Ehl ul-Bejtin pas kalimit të të Dërguarit të Allahut (s). Pasojat e tyre të tmerrshme i detyruan njerëzit t’ua kërkonin arsyet dhe i obliguan t’ua hetonin shkaqet.


Kështu e mësuan ata farën dhe rrënjët e katastrofës. Ata nga mesi i tyre të cilët ishin të bekuar me ndërgjegje u ngritën për të mbrojtur statusin e Ehlul-Bejtit (‘a) dhe mbështetur ata [dy Imamë], sepse është në natyrën njerëzore që t’i ndihmojë të shtypurit dhe ta urrejë padrejtësinë.


Pas atij incidenti katastrofik, muslimanët hynë në një erë të re në të cilën vërshuan për ta përkrahur Imam ‘Ali ibn Husein Zejnul ‘abidinin, për t’iu referuar atij në kërkesën e tyre për përgjigje ndaj pyetjeve mbi rrënjët dhe degët e besimit, dhe të gjitha shkencat islame të nxjerra nga Libri i Allahut dhe Sunneti.


Pas vdekjes së tij, ata filluan t’i referoheshin të birit të tij Imam Ebu Xha‘fer el-Bakir. Pasuesit e të dy Imamëve, d.m.th Zejnul ‘abidinit dhe el-Bakirit, nga imamitë e hershëm, shkruan libra të panumërt, por numri i atyre dijetarëve emrat dhe jetëshkrimet e të cilëve u përfshinë në librat e biografisë ishin rreth katërmijë heronj, dhe punimet e tyre numëronin mbi dhjetëmijë4 që përcillen nga tanët në çdo brez duke i cituar ato nga burime të besuara.


Një grup nga elita e atyre heronjve arriti nderin t’u shërbente atyre, ndërsa të tjerët i shërbyen Imam Sadikut, dhe fati e deshi që një numër i madh ta përmbushnin synimin e tyre përfundimtar të arritjes së dijes së vërtetësishme.


Nga mesi i këtyre është Ebu Sa‘id Aban ibn Taghlib ibn Raba el-Xheriri, recituesi i famshëm i Kur’anit, muhadithi, leksikografi e gjuhëtari i njohur që ishte njëri prej dijetarëve më të besuar. Ai qe bashkëkohës i tre Imamëve nga të cilët përcolli dije të madhe dhe një numër të lartë hadithesh.


Mjafton për ju fakti se ai transmeton tridhjetë mijë hadithe vetëm nga Imam Sadiku, siç pohon el-Mirza Muhammedi në jetëshkrimin e Abanit në veprën Minhaxh ul-Mekal ku ai citon Aban ibn ‘Uthmanin duke cituar Imam Sadikun. Ai gëzoi respektin dhe nderimin e tyre të lartë. Imam Bakiri i tha atij njëherë, kur ndodheshin në Medinen e shenjtë:


“Zër vend në xhami dhe jepjua fetvatë e tua njerëzve, sepse më pëlqen që njerëzit të vështrojnë një nga shi‘itët e mi si ti.”


Imam Sadiku i tha njëherë:


“Debato me medinasit, sepse më pëlqen të shoh njerëz si ti mes transmetuesve e miqve të mi.”


Saherë që vinte në Medine, njerëzit e vizitonin atë me turma dhe e vinin të ulej aty ku ulej Profeti (s). Imam Sadiku i tha Selim ibn Ebu Hebbes:


“Vizitoje Aban ibn Taghlibin, se ai ka mësuar një numër të madh hadithesh prej meje, dhe çdo gjë që të transmeton ai, transmetoje dhe ti.”


Ai i tha Aban ibn ‘Uthmanit:


“Aban ibn Taghlibi përcjell tridhjetë mijë hadithe prej meje; ndaj, citoji prej tij.” Sa herë që Aban ibn Taghlibi i bënte vizitë Imam Sadikut, ai e përqafonte, i shtrëngonte dorën dhe urdhëronte t’i sillnin një minder për t’u mbështetur e i kushtonte tërë vëmendjen e tij. Kur i mbërriti lajmi për vdekjen e tij, ai tha: “Për Allah! Po më dhemb zemra nga vdekja e Abanit.”


Ai vdiq më 141. Abani ka përcjellë hadith nga Enes ibn Maliku, el-A’meshi, Muhammed ibn Munkediri, Sammak ibn Harbi, Fudejl ibn ‘Umeri, Ibrahim el-Nekha‘iu dhe el-Hakami.


Tek ai mbështetet Muslimi e autorët e katër librave të hadithit, siç shpjeguam gjatë diskutimit të tij te Letra 16.


Abanit s’i bën dëm mosdashja e Bukhariut për t’u mbështetur mbi autoritetin e tij, sepse ngushëllim për të është fakti se ky nuk mbështetet as mbi autoritetin e Imamëve të Ehl ul-Bjetit si es-Sadik, el-Kazim, er-Rida, el-Xhevad, et-Teki dhe Hasan el-‘Askeri el-Zeki, paqe pastë mbi ta.


Bukhariu nuk i konsideron këta burra si të besueshëm; jo, ai madje nuk mbështetet as në autoritetein e nipit të madh të Profetit (s) dhe prijësit të të rinjve të Xhennetit! Nga ana tjetër, ai mbështetet në njerëz si Mervan ibn el-Hakami, ‘Umran ibn Hattani, Ikrime el-Berberi dhe soji i tyre; ndaj, të Allahut jemi, dhe Atij i kthehemi.


Abani ka shkruar libra shumë interesantë. Njëri prej tyre është Tefsir Gharib ul-Kur’an [zbërthimi i së pazakontës në Kur’an], që përbëhet kryesisht nga vargje poezie në arabisht të cituara për të dëshmuar të vërtetën e përmbajtur në Shpalljen e Përsosur.


Më vonë, ‘Abdur-Rahman ibn Muhammed el-Esdi el-Kufi i kombinoi përmbajtjet e librit të Abanit me ato të Muhammed ibn el-Sa‘ib el-Kalbiut dhe Ibn Ravak ‘Atijje ibn el-Harithit dhe i botoi ato në një vëllim, duke treguar pikëpamjet në të cilat dallonin si dhe ato mbi të cilat pajtoheshin.


Ai e citon njëherë Abanin në mënyrë të pavarur e një tjetër ai citon atë që puqet me pikëpamjet e ‘Abdur-Rahmanit. Njerëzit tanë i kanë cituar të dy librat përmes burimesh tepër të besueshme. Abani ka shkruar një libër mbi virtytet morale, e një tjetër mbi Luftën e Siffinit dhe ka shkruar një nga referencat madhore mbi të cilat mbështeten imamitë në nxjerrjen e rregullave juridike.


Tërë librat e tij janë raportuar duke përmendur autorësinë e tij. Hollësitë e tyre ndodhen në librat e bibliografisë. Një ndër ta është Ebu Hamza el-Themali ibn Dinari, një autoritet i besuar dhe fisnik ndër të parët tanë.


Ai e mori dijen nga tre Imamë: Sadiku, Bakiri dhe Zejnul ‘abidini, paqe pastë mbi ta. Ai mbajti lidhje të ngushta me ta dhe fitoi respektin e tyre. Imam Sadiku e lavdëroi atë me fjalët:


“Në atë moshë që ka, Ebu Hamzai është si Lukmani në kohën e vet.”


Ai ka shkruar një libër mbi zbërthimin e Kur’anit dhe vura re imam Tabarsiun ta citojë atë në Muxhma’ul-Bejan fi Tefsiri’l-Kur’an.5


Ai gjithashtu ka shkruar një libër mbi hadithet e rralla, një tjetër mbi zuhdin dhe një traktat mbi të drejtat6 nga Imam Zejnul ‘abidini prej të cilit ai përcjell du‘anë e tij të sabahut që ndriçon më shumë se dielli dhe hëna. Ai po ashtu transmeton nga Enesi dhe el-Sha‘biu. Atë e citojnë vakiu, Ebu Na‘imi dhe një grup i kalibrit të tyre që janë miqtë tanë e të tjerë, siç pohuam në biografinë e tij në Letrën 16.


Ka burra të tjerë për t’u lavdëruar, që nuk ia mbërritën Imam Zejnul ‘abidinit, por patën nderin t’i shërbenin Imam Bakirit dhe Imam Sadikut, paqe pastë mbi ta.


Mes tyre janë: Ebu’l-Kasim Bard ibn Mu‘avije el-‘Axhli, Ebu Basir el-Asger Lejth ibn Murad el-Bakhtari el-Muradi, Ebu’l-Hasan Zurare ibn ‘Ajani, Ebu Xha’fer Muhammed ibn Muslim ibn Raba el-Kufi et-Ta’ifi el-Thekefi e shumë flamuj të tjerë të udhërrëfimit dhe fanarë ndriçues në errësirë. Shkoqitja e tyre këtu është e pamundur.


Sa u përket këtyre katër burrave, ata me të vërtetë kanë arritur një status të veçantë dhe kanë fituar çmimin e lakmuar e një pozitë të lartë. Kur Imam Sadiku i përmendi njëherë, ai tha:


“Nuk shoh kënd që ta ketë mbajtur gjallë emrin tonë si Zarare, Ebu Basir Lejthi, Muhammed ibn Muslimi dhe Burejde; pa ta, askush nuk do të kishte mësuar gjë.” Pastaj ai shtoi: “Këta janë rojtarët e dinit të cilëve babai im ua besoi mbrojtjen e asaj që Allahu ka urdhëruar dhe ndaluar. Ata janë të parët në kërkimin e shoqërisë sonë në këtë jetë, dhe ata do të jenë të parët të na bashkohen në Ahiret.”


Njëherë ai recitoi:


Përgëzoji me sihariqe ata që luten për të arritur Xhennetin Tonë (22:34)


Dhe menjëherë i përmendi këta katër persona, duke shtuar në një pohim të gjatë lavdërues për ta:


‘Thuhet se im atë u ka besuar atyre ruajtjen e çështjeve të lejuara dhe atyre të ndaluara nga Allahu, dhe ata ishin mbrojtësit e dijes së tij; sot, ata janë të besuarit e mi besnikë dhe miqtë e sinqertë të tim eti; ata janë yjet e shi‘itëve të mi gjallë a vdekur; përmes tyre Allahu largon çdo bidat.


Ata e mbrojnë këtë fe nga gënjështrat e bidatçinjve dhe interpretimet e ekstremistëve,’ krahas pohimeve të tjera të larta, me të cilat ai i lavdëroi ata për ndihmesën, nderin, dinjitetin dhe shërbimin e tyre të vërtetë, në një mënyrë që s’mund ta përshkruajmë dot.


Megjithatë, ata u akuzuan nga armiqtë e Ehl ul-Bejtit me çdo akuzë të rreme që ekziston, siç e kemi shpjeguar në punimin tonë Mukhteser ul-Kelam fi Mu’alifi el-Shia min Sadr ul-Islam.


Kjo nuk ua zbeh aspak statusin e të lartë dhe rëndësinë e madhe në sytë e Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve. Ata që i kishin smirë profetët vetëm sa ua rritën lartësinë e statusit atyre, pa i ndikuar ligjet që ata sollën veçse duke i promovuar ato edhe më tepër mes atyre që e njohin dhe e pasojnë të vërtetën, çka i bëri ata të pranueshëm për të dhuntisurit me intelekt.


Gjatë jetës së Imam Sadikut (paqe pastë mbi të) dija u përhap si kurrë më parë dhe shi‘itët e stërgjyshërve të vet vërshuan drejt tij nga anekënd. Ai iu qas atyre me pamje të këndshme, duke i bërë të ndjehen si në shtëpi, pa kursyer asnjë përpjekje për t’i mësuar dhe njohur me sekretet e diturisë, finesat e urtisë dhe thelbin e çështjeve, siç e pranon edhe Ebu Fet’h el-Shehristani në el-Milel ve’n-Nihel. Kur përmend Imam Sadikun, ai komenton:


“Ai ishte tejet i informuar mbi fenë, i dhuntisur me edukatë të përkryer, plot urti, heqje dorë nga dunjaja dhe plotpërmbajtje nga joshjet.”7


Ai gjithashtu thotë:


“Ai qëndroi në Medine për ca kohë duke mësuar shi‘itët që i përkitnin besimit të tij dhe derdhur sekretet e diturisë mbi besnikët e tij. Pastaj ai shkoi në Irak, ku qëndroi për ca kohë, gjatë së cilës nuk e kritikoi në publik qeverisjen e as nuk e lakmoi atë... Kushdo që kridhet në oqeanin e dijes nuk dëshiron ta shohë më bregun dhe ai që arrin kulmin e realitetit s’frikësohet kurrë se do zbresë” gjer në fund të pohimit të tij: “Dhe e vërteta i shpaloset qartë si të paanshmit, ashtu edhe kokëfortit.”


Një numër i madh nxënësish të Imam Sadikut arritën urtinë e lartë, e u bënë prijësa të ndershmërisë, pishtarë në errësirë, oqeane të dijes, yje të udhërrëfimit. Mes atyre emrat dhe jetëshkrimet e të cilëve ndodhen në librat përkatës janë katër mijë burra nga Iraku, Hixhazi, Irani e Siria.


Ata janë autorë veprash të mirënjohura nga dijetarët imami. Mes tyre janë katër qind librat mbi bazat e fikh-ut që u përmendën më lart, të cilat merren me katërqind tema, të shkruara gjatë kohës së Imam Sadikut dhe të nxjerra nga fetvatë e tija.


Ato u bënë të domosdoshme si për dijen teorike, ashtu edhe praktiken, aq sa një grup dijetarësh të ummetit e mëkëmbësish të Imamëve i përmblodhën përmbajtjet e tyre në libra të veçantë për t’ua lehtësuar kuptimin studentëve dhe për t’i bërë më të kapshme.


Më të mirat e këtyre përpilimeve janë katër librat, që përbëjnë burimet kryesore të imamive në të referuarit çështjeve të rrënjëve dhe degëve të besimit. Ata u janë referuar atyre që nga shekulli i parë i Hixhretit, dhe ata janë: el-Kafi, Men la Jahderuhu’l-Fekih, el-Tehdhib ul-Ahkam dhe el-Istibsar. Të gjithë janë mutevatir, dhe saktësia e asaj që përmbajnë s’dyshohet kurrë. El-Kafi është më i vjetri ndër ta, më i madhi, më i miri e më i sakti.


Ai përmban gjashtëmbëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë hadithe që përfshijnë gjithçka që ndodhet tani në es-Sihah us-Sitte të sunnive, siç e pranon edhe el-Shehidi në veprën e tij el-Thikre, si dhe shumë dijetarë të tjerë të shquar [sunni].


Hisham ibn el-Hakami, një nga shokët e Imam Sadikut dhe Imam Kazimit, shkroi shumë libra nga të cilët nëntëdhjetë e nëntë u bënë mjaft të famshëm. Ato transmetohen nga miqtë tanë që e citojnë atë, dhe hollësirat e tyre ndodhen në librin tonë Mukhteser ul-Kelam fi Mu’alifi el-Shi‘a min Sadr ul-Islam.


Ata janë të gjithë libra shumë intersantë, verbues në qartësinë e përmbajtjes e vezullimin e argumenteve të tyre. Ato merren me rrënjët dhe degët e besimit, si dhe tevhid e kelam; hedhin poshtë ateistët, heretikët, panteistët, fatalistët, deterministët dhe ekstremistët në pikëpamjet rreth ‘Aliut e Ehl ul-Bejtit.


Ata gjithashtu hedhin poshtë harixhitë dhe nasibitë, ata që mohuan se Profeti (s) i kishte lënë testament ‘Aliut, ata që e penguan të merrte khilafetin dhe ata që predikuan se para ‘Aliut duhej të zgjidhej tjetërkush khalif, krahas temave të tjera.


Në shekullin e dytë, Hishami ishte personi më i ditur në shkencën e retorikës, teosofi dhe shkencat racionale e deduktive. Ai shquhej në fikh dhe hadith, duke ia kaluar të gjithëve në tefsir dhe në disiplinat e mjeshtëritë e tjera.


Ai është personi që e shtjelloi konceptin e imametit dhe e çoi përpara medhhebin me përkujdesje. Ai citoi Imamët Sadik e Kadhim dhe gëzoi në sytë e tyre një status të veçantë që s’mund të përshkruhet.


Ai mori një lavdërim të tillë nga ata, që e ngriti në qiell. Në fillim ai ishte xhehmi, por pastaj u takua me Imam Sadikun dhe e pa dritën e udhërrëfimit përmes tij; ndaj, iu bashkangjit palës së tij e më pas ndoqi Imam Kadhimin dhe ua kaloi tërë nxënësve të Imamëve.


Ata që dëshiruan ta shuanin dritën e Allahut, nga zilia për Ehl ul-Bejtin (‘a) dhe ligësia, e akuzuan se ai pohonte që Allahu ka formë fizike, si dhe akuza të tjera të rënda. Ne jemi më se të njohur me bindjet e tij. Ne kemi në dorë raportime për mënyrën e tij të jetesës dhe metodën e të folurit.


Ai ka shkruar vepra të tëra në mbrojtje të medhhebit tonë siç përmendëm më lart; prandaj, asnjë fjalë nga pohimet e tija s’mund të njihet prej të tjerëve e të mos njihet prej nesh, ngase ai është prej të parëve tanë, ndërkohë që kritikët e tij janë larg bindjeve dhe shijeve të tija.


Ajo që ka cituar Shehristaniu në el-Milel ve’n-Nihel nga pohimet e Hishamit nuk nënkupton se ai beson në një formë fizike të Allahut. Më lejoni t’jua citoj atë që ai ka shkruar:


“Hisham ibn el-Hakami e ka studiuar usul-in në thellësi. Nuk duhet të harrojmë debatet e tij me mu’tezilitë, sepse ai burrë qëndron përmbi atë që e akuzojnë kundërshtarët, dhe nën atë që të sjell ndërmend, sepse ai debatoi me el-‘Alafin duke thënë: ‘Ti pohon se Krijuesi është Ai që di, dhe se dija e Tij është vetë thelbi i tij; kështu, Ai bëhet një qenie e dijshme që është e ndryshme nga bota [krijimi i Tij]; përse nuk thua atëherë që Ai ka një formë ndryshe nga të gjitha format’?”


Nuk përbën sekret që ky pohim, nëse është i vërtetë, vërteton vetëm se ai e kundërshton pikëpamjen e el-‘Alafit. Jo gjithkush që debaton rreth diçkaje beson në të, ngase është e mundur që ai të ketë si qëllim të testojë bindjet e el-‘Alafit dhe ta shoshisë dijen e tij, siç sugjeron Shehristaniu, kur thotë:


“Ai burrë qëndron përmbi atë që e akuzon kundërshtari dhe nën atë që të sjell ndërmend.”


Nëse supozojmë se vërtetohet që Hishami e beson një gjë të tillë, kjo mund të ketë qenë para se ai t’i kthehej udhërrëfimit të vërtetë. Ju e patë se ai kishte bindje xhehmite, dhe më pas e pa dritën e udhërrëfimit përmes pasardhësve të Muhammedit (s), e u bë imam i atyre që ndoqën Imamët e tyre.


Askush nga të parët tanë nuk ka gjetur as edhe një provë të asaj që i mvesh atij kundërshtari, e megjithatë ne gjejmë gjurmë të asaj që i kanë atribuar Zerare ibn ‘Ajanit, Muhammed ibn Muslimit, Mu’min et-Takut, dhe shokëve të tyre.


Kjo megjithë faktin se ne nuk kursyem asnjë përpjekje për ta hetuar akuzën dhe pamë se bazat e saja s’ishin asgjë më tepër se padrejtësi e mëri, intrigë dhe shpifje;


Mos mendoni se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që veprojnë zullumqarët (14:42) (27:93)


Sa i përket pretendimit të Shehristaniut që Hishami beson se ‘Aliu është Allah, kjo është një shaka’ që e bën edhe një grua të pikëlluar, të cilës sapo i ka vdekur foshnja, të shpërthejë në gaz.


Pohimet e Hishamit lidhur me tevhid-in ftojnë për lartësimin e Allahut përmbi çdo reduktim në formë fizike të çfarëdo lloji dhe madhërimin e Tij përmbi atë që pandehin injorantët.


Pohimet e tij lidhur me imametin dhe visajet-in pasqyrojnë preferimin e tij të të Dërguarit të Allahut, bekime pastë mbi të e pasardhësit e tij, mbi ‘Aliun. Ai deklaron se ‘Aliu është si çdo pjesëtar tjetër i ummetit të Pejgamberit (s) dhe vartësi, mëkëmbësi e zëvendësi i tij; dhe se ai është rob i Allahut të cilit i është bërë padrejtësi dhe shtypje e i cili nuk e siguroi dot atë që i takonte, duke u detyruar t’i nënshtrohej pushtetit të kundërshtarëve, në frikë të vazhdueshme për sigurinë e tij, pa mbështetës apo ndihmës. Si mundet, pra, Shehristaniu të thotë:


“Hisham ibn el-Hakami ka studiuar usul në thellësi. Nuk duhet t’i harrojmë debatet e tija me mu‘tezilitë, sepse ai burrë është mbi atë që e akuzon kundërshtari dhe nën atë që të kujton, ngase ai debatoi me el-‘Alafin me fjalët: ‘Ti pohon se Krijuesi është Ai që di dhe se dija e Tij është vetë thelbi i Tij; atëherë, Ai bëhet një qenie e dijshme që është e ndryshme nga bota [krijimi i Tij]; përse s’thua atëherë se Ai ka një formë ndryshe nga të gjitha format’?


Ai pastaj i mvesh ‘Aliut pretendimin se ai është Allahu! A s’është kjo një vetëkundërshti e dukshme? A është me vend t’i mvishet Hishamit, megjithë tërë dijen e tij të bollshme dhe ndihmesat e tij të shumta, një gjepur e tillë? Pa dyshim që jo.


Por këta njerëz ngulmuan të stivojnë akuza nga smira dhe keqdashja ndaj Ehl ul-Bejtit dhe atyre që ndjekin pikëpamjet e tyre; ndaj, të Allahut jemi dhe Atij i kthehemi.


Autorësia lulëzoi gjatë jetës së Imamëve el-Kadhim, er-Rida, el-Xhevad, el-Hadi, el-Hasan el-Zeki el-‘Askeri, paqe pastë mbi ta, në një mënyrë që s’ish parë gjer atëherë dhe muhadithët që i citonin ata dhe Imamët e tjerë u përhapën anembanë, duke bërë çmosin për të arritur dituri, në kërkim të saj dhe sekreteve të saja, duke ia sistematizuar çështjet, verifikuar faktet, pa kursyer asnjë përpjekje për të regjistruar mjeshtëritë dhe mbledhur thërrimet e urtisë. El-Muhakkik el-Hili thotë në el-Mu‘teber:


“Mes nxënësve të Xhevadit, paqe pastë mbi të, kishte burra të virtytshëm si Husein ibn Sa‘idi dhe vëllai i tij Hasani, Ahmed ibn Muhammed ibn Ebu Nasr el-Bezanti, Ahmed ibn Muhammed ibn Khalid el-Barki, el-Shathani, Ebu’l-Fadl el-‘Emi, Ahmed ibn Muhammed ibn ‘isai, Ejjub ibn Nuhi dhe të tjerë, lista e të cilëve është mjaft e gjatë... Librat e tyre janë në qarkullim edhe sot e kësaj dite ndër tanët, duke pasqyruar diturinë e tyre të bollshme.”


Mjafton për ju fakti se librat e el-Barkiut i kalojnë të njëqindët, dhe el-Bezantiu ka shkruar veprën e tij të shquar Xhami’ ul-Bezanti, ndërsa el-Husein ibn Sa‘idi ka shkruar tridhjetë libra.


Nuk është e mundur që në një Letër si kjo të numërojmë atë që është shkruar nga studentët e gjashtë Imamëve që vijuan nga Imam Sadiku, paqe pastë mbi ta, por po ju drejtoj tek jetëshkrimet dhe bibliografitë e disponueshme; prandaj, lexoni për jetën e Muhammed ibn Sinanit, ‘Ali ibn Mahziarit, Hasan ibn Mahbubit, Hasan ibn Muhammed ibn Sam’ait, Safvan ibn Jahjait, ‘Ali ibn Jektinit, ‘Ali ibn Fadalit, ‘Abdur-Rahman ibn Nexhranit, el-Fadl ibn Shathanit (që shkroi dyqind libra), Muhammed ibn ‘Umejrit, Ahmed ibn Muhammed ibn ‘isait (që citoi 100 shokë të Imam Sadikut), Talha ibn Talha ibn Zejdit, Muhammed ibn ‘Ali ibn Mahbubit, ‘Ammar ibn Musa el-Sabatit, ‘Ali ibn el-Nu’manit, el-Husein ibn ‘Abdullahit, Ahmed ibn ‘Abdullah ibn Mahranit që njihet më mirë si Ibn Khanibe, Sadfa ibn el-Munthir el-Kummiut, ‘Ubejdullah ibn ‘Ali el-Halebiut që ia solli librin e tij Imam Sadikut për ta redaktuar e verifikuar, që ia çmoi e i tha:


“A të duket se këta njerëz kanë një libër si ky?!”


Shtojini atyre mjekun Ebu ‘Amr, ‘Abdullah ibn Sa’idin që ia solli librin e tij Ebu’l-Hasan er-Ridait, paqe pastë mbi të, për të njëjtin qëllim dhe unus ibn ‘Abdur-Rahmanin që ia solli librin e tij Imam Ebu Muhammed el-Hasan el-Zeki el-‘Askeriut, paqe pastë mbi të.


Kushdo që i hulumton jetëshkrimet e pasuesve të pasardhësve të Muhammedit, paqe pastë mbi të dhe ta, e i studion ata që u shoqëruan me nëntë Imamët nga pasardhësit e Imam Huseinit, duke i numëruar veprat e tyre në kohën e Imamëve përkatës të rishqyrtuara prej atyre që ata cituan, në përhapje të hadithit nga pasardhësit e Muhammedit (s) në çdo rrënjë dhe degë të fesë..., do të ndeshet me mijëra burra të tillë.


Pastaj, nëse njihet me ato shkenca në çdo klasë siç janë përcjellë brez pas brezi që nga koha e nëntë Imamëve të Papërlyer (‘a) e deri më sot, atëherë ai do të bindet patjetër se medhhebi i atyre Imamëve është mutevatir, duke larguar çdo dyshim që mund të ketë mbi faktin se adhurimi ynë i Allahut Fuqiplotë në rrënjët dhe degët e besimit është nxjerrë nga Ehl ul-Bejti i të Dërguarit të Allahut.


Askush nuk e vë në dyshim këtë fakt përveç arrogantit dhe të paragjykuarit, ose injorantit shurdhmemec; ndaj, falënderimi i takon Allahut që na udhëzoi në këtë, se pa udhërrëfimin e Tij, nuk do të ishim udhëzuar; vesselam. Sejjid Sherafudin el-Musavi


Shënime:


1 Revista el-Hude e Irakut e citoi këtë Letër dhe e botoi atë në pjesë në vëllimin e parë dhe të dytë në një kolonë të nënshkruar nga autori i përulur. 2 Drejtojuni jetëshkrimit të Xhubejr ibn el-Habab ibn ul-Mundhirit, në Pjesën I të el-Isabeh. 3 Si indeksi i el-Nexhashit, Muntehel Mekal fi Ehvalir Rixhal i Shejh Ebu ‘Aliut, e shumë libra të tjerë që merren me këtë degë të dijes, që janë goxha. 4 E theksuar nga shumë mjeshtër të kësaj disipline si Shejh el-Baha’iu në veprën e tij el-vaxhize, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara. 5 Drejtojuni Muxhma’ul-Bejan fi Tefsiril-Kur’an në zbërthimin e ajetit: {Thuaj: ‘Nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim përveç dashurisë ndaj të afërmve (të mi)’}(42:23) dhe do ta shihni atë të citojë tefsir-in e Ebu Hamzait. 6 Dijetarët tanë i kanë treguar të gjithë librat e Ebu Hamzait, duke ia kredituar atij hadithin, dhe hollësirat ndodhen në librat e tyre. Autoriteti ynë i lartë Sejjid Sadr ud-Din el-Musavi e ka përmbledhur Risalet ul-Hukuk-un dhe e ka botuar, që të mësohet përmendësh nga të rinjtë muslimanë dhe ka bërë një punë shumë të mirë; Allahu ua mundësoftë muslimanëve të shijojnë frytet e interesimit të tij dhe madhështisë së përpjekjes së tij. 7 Ai e bën këtë kur i përmend bakiritë dhe xha‘feritë mes medhhebeve shi‘ite në librin e tij el-Milel ve’n-Nihel.