Dyzet lloje të agjërimit dhe shpërblimet e tij
Jasin el-Xhiburi
11.09.2008

PËRMBAJTJA:
Rreth prejardhjes së agjerimit islam
Dyzet lloje të agjërimit
Rreth rëndësisë së agjërimit


Rreth prejardhjes së agjërimit islam


Imam el-Hasan ibn ‘Ali ibn Ebu Talibi citohet në faqen 49 të vëllimit II të veprës Men la Jahduruhu′l-Fekih të dijetarit Shejh es-Saduk, duke thënë se një grup çifutësh shkuan një herë tek i Dërguari i Allahut (s) dhe më i dituri prej tyre e pyeti për shumë çështje, ndër të cilat ishte:


"Përse e ka urdhëruar Zoti ummetin tuaj të agjërojë për tridhjetë ditë, duke u patur kërkuar ummeteve të mëparshme të agjërojnë për periudha më të gjata?"


I Dërguari i Allahut (s) u përgjigj:


"Kur Ademi hëngri frutin e ndaluar, ushqimi mbeti në barkun e tij për tridhjetë ditë, ndaj dhe Allahu e urdhëroi pasardhjen e Ademit të kalojnë tridhjetë ditë në uri dhe etje, ndërsa ajo që hanë dhe pinë [natën] është falë nderit të Tij ndaj tyre, ashtu siç ishte nder i Tij edhe ai ndaj Ademit. Ja përse e ka urdhëruar Allahu ummetin tim të agjërojë."


Pastaj, i Dërguari i Allahut (s) recitoi ajetin kur’anor:


Jeni urdhëruar me agjërim, ashtu siç u urdhëruan ata përpara jush, që t’i ruheni së keqes (2:183).


Atëherë, çifuti tha:


"Të vërtetën fole, o Muhammed; cili është, pra shpërblimi për agjëruesin?" Profeti (s.a) u përgjigj: "Nuk e agjëron besimtari muajin e Ramazanit në kërkim të afrisë së Allahut, pa i dhënë Fuqiploti shtatë merita: 1) çdo haram që ka në trup i tretet dhe i largohet; 2) i afrohet më shumë mëshirës së Allahut; 3) shlyen gabimin e të atit, Ademit (a.s); 4) vuajtja e vdekjes do t’i mpaket; 5) do të marrë garanci ndaj përjetimit të dhimbjes së urisë dhe etjes në Ditën e Ringjalljes; 6) Allahu do ta mbajë larg Xhehennemit; dhe 7) Ai do ta ushqejë me gjërat e mira të Xhennetit." Çifuti tha: "O Muhammed! S’ka dyshim, të vërtetën the."


Ky hadith është regjistruar edhe në faqe 378, Kreu 109, i librit ′Ilal-u Sherai′ të Shejh es-Sadukut. Sa u përket llojeve të agjërimit, ato ndryshojnë, duke dalluar sipas feve, bindjeve, shkollave të mendimit, kombeve e zakoneve përkatëse.


Edhe synimet e tija ndryshojnë, ndonëse më i rëndësishmi i tyre dhe më i shpeshti është pastrimi i shpirtit dhe trupit nga helmet jomateriale e materiale.


Ndër tipet e tij është ai që përmendet nga Kur’ani Fisnik si heshtje dhe abstenim nga çdo bisedë e kotë. Shembull i kësaj është fjala e Allahut të Madhërishëm drejtuar Merjemes së Dëlirë (a.s), në të cilën ai e urdhëroi që, kur të përballej me kundërshtuesit e lindjes së Isait (a.s), të thonte:


Pa dyshim, jam betuar me agjërim të Zotit Bamirës, ndaj sot nuk do t’i flas asnjeriu (19:26)


Muslimanët kanë mësuar nga Zoti i tyre, i Ladvëruari dhe i Madhëruari, se agjërimi është ndër shlyesit e:


1) rruajtjes së kokës gjatë haxhit (në ihram) për arsye të vlefshme si sëmundja ose lëndimi i kokës;
2) pamundësia e bërjes së kurbanit (hadi);
3 vrasja e një aleati gabimisht;
4) shkelja e një betimi;
5) gjahu në gjendje ihrami;
6) në rast zihari.


Dyzet lloje të agjërimit


Megjithëse më lart u përvijuan llojet e agjërimit, në vazhdim po e zgjerojmë diskutimin, duke cituar një hadith interesant nga Kreu mbi Agjërimin (Babu’s-savm), tek vëllimi II, faqet 52-54, të veprës Men la Jahduruhu’l-Fekih nga mentori i dijes Shejh Ebu Xha′fer Muhammed ibn ‘Ali ibn el-Husein ibn Babavejh el-Kummi es-Saduk, i cili transmeton se:


El-Zuhri (një nga bashkëkohësit e Imamit ‘Ali ibn el-Husein ibn ‘Ali ibn Ebu Talib Zejnul-′Abidin es-Sexhxhad) ka treguar: ‘Ali ibn el-Huseini më pyeti një herë: ′Nga po vjen, o Zuhri?′ I thashë: ′Nga Xhamia [e Profetit (s.a.v.s)].′ ′Çfarë po bisedonit?′ më pyeti ai. ′Diskutuam agjërimin,′ i thashë, ′dhe u pajtuam që agjërimi i vetëm i detyrueshëm është ai i muajit të Ramazanit.′ Ai më tha: ′O Zuhri! Nuk është si thoni ju. Agjërimi është dyzet llojesh të ndryshme: dhjetë janë të detyrueshëm si ai i muajit të Ramazanit; dhjetë janë të ndaluar; katërmbëdhjetë janë me dëshirë; shto këtu tre llojet e agjërimit të kushtëzuar; shto edhe agjërimin disiplinues, agjërimin e lejuar dhe agjërimin kompensues të atij që iu desh të nisej për rrugë ose është sëmurur.′ I thashë: ′T’u bëfsha kurban, m’i shpjego të lutem!′ Imami vazhdoi: "Agjërimi i detyrueshëm përfshin agjërimin e muajit të Ramazanit dhe atë të dy muajve resht, për çdo agjërim të humbur me dashje dhe pa arsye në muajin e Ramazanit, si dhe agjërimi i dy muajve rresht si shlyerje për ziharin. Allahu, i Lartësuari dhe i Madhëruari, thotë:


Ata prej jush që shmangën bashkëshortet duke i përngjarë shpinat e tyre me ato të nënave të tyre (ta dinë se) ato nuk janë nënat e tyre; nënat e tyre janë ato që i lindën; vërtet, ajo që shqiptuan është fjalë e urryer dhe e pavërtetë; s’ka dyshim që Allahu është Falës, i Butë. Kurse ata prej jush që shmangën bashkëshortet e tyre, duke i përngjarë me shpinat e nënave të tyre, duhet të lirojnë një rob para se të prekin bashkëshortet; kështu urdhëroheni (që të bindeni) dhe Allahu është Dëshmues i asaj që bëni. Por ai që nuk i ka mjetet (për këtë) le të agjërojë për dy muaj rresht përpara se të prekë bashkëshorten (58:2-4)


Një tjetër është agjërimi i dy muajve rresht nëse muslimani vret një musliman gabimisht dhe nuk e ka mundësinë e lirimit të një robi; ai është i detyrueshëm për arsye të ajetit:


Dhe kushdo që vret një besimtar gabimisht duhet të lirojë një rob besimtar dhe fisit të tij i duhet paguar shlyerja e gjakut, përveç nëse ata e kthejnë si lëmoshë; por nëse i përket një fisi armiqësor dhe është besimtar, lirimi i një robi besimtar (mjafton); nëse i përket një fisi me të cilin keni pakt, shlyerja e gjakut i duhet paguar fisit të tij bashkë me lirimin e një robi besimtar; por nëse (vrasësi) nuk mund të gjejë (një rob), le të agjërojë dy muaj rresht: masë nga Allahu. Dhe Allahu është Njohës, i Urtë (4:92)


Një tjetër është agjërimi i tri ditëve si veprim shlyerjeje për shkeljen e një betimi, nëse nuk ekziston mundësia e ushqimit të të varfërve; Allahu, i Lartësuari dhe i Madhëruari, thotë:


Allahu nuk ju kërkon llogari për të paqëllimtën në betimet e juaja, por ju kërkon llogari për betimet me dashje; shlyerja e kësaj është ushqyerja e dhjetë të varfërve me ushqimin mesatar që ushqeni familjet, ose të veshurit e tyre, ose lirimi i një robi; por kush nuk gjen dot (mjete) duhet të agjërojë për tri ditë; kjo është shlyerja për betimet e juaja kur zotoheni (5:89)


Të gjitha llojet e agjërimeve të tilla janë të njëpasnjëshme, jo një ditë tani e një ditë më vonë. Dhe agjërimi për shkaktimin e lëndimit në kokë gjatë rruajtjes së saj në kohë haxhi është po ashtu i detyrueshëm, sepse Allahu Fuqiplotë thotë:


Kushdo nga ju që është i sëmurë ose ka plagë në kokë, duhet ta shlyejë duke agjëruar ose dhënë sadaka apo prerë kurban (2:196)


Kështu, në këtë ajet atij i jepen tre mundësi: nëse agjëron, duhet ta bëjë për tri ditë. Edhe agjërimi i atij që nuk mund të presë kurban në haxh është po ashtu i detyrueshëm, sepse Allahu i Madhërishëm thotë:


Kushdo që përfiton duke kombinuar ‘umren me haxhin, (të therë) kurban që i vjen më lehtë; por nëse nuk mund të gjejë (ndonjë) le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit dhe për shtatë ditë kur të ktheheni; këto (bëhen) dhjetë (ditë) të plota (2:196)


Po kështu është i detyrueshëm edhe agjërimi i kujt gjuan në gjendje ihrami, pasi Allahu, i Lartësuari dhe i Madhëruari thotë:


O ju që besuat! Mos gjuani në haxh! Kush nga ju vret (një kafshë) me qëllim, duhet ta shlyejë me të ngjashmen (e saj) nga gjedhët, sipas gjykimit të dy personave të drejtë nga mesi juaj – si kurban që duhet bërë në Qa‘be, ose të ushqejë të varfërit apo barazvlerën e kësaj në agjërim, që të shijojë rrjedhojën e plotë të veprës së tij (5:95)."


Pastaj, Imami iu kthye Zuhriut dhe e pyeti:


"A e di si kryhet e barazvlefshmja e saj me agjërim, o Zuhri?" Ai u përgjigj, "Jo, nuk e di." Atëherë, Imam Zejnul-′Abidini tha: "Në fillim duhet vlerësuar gjahu, pastaj vlera duhet matur me të barazvlefshmen e saj në sadaka, e cila duhet peshuar dhe agjërimi duhet bërë një ditë për çdo gjysëm njësie. Dhe agjërimi i paktit (nadhr) është i detyrueshëm, dhe po kështu ai i i′tikafit. Sa u përket agjërimeve të ndaluara, ato janë: në Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, tri ditët e teshrikut dhe agjërimi i dyshimit: Allahu na ka lejuar të agjërojmë me muajin Sha′ban, por secili nga ne e ka të ndaluar të veçohet për agjërim kur të gjithë të tjerët nuk janë të sigurtë nëse Ramazani ka filluar." I thashë: "T’u bëfsha kurban, po sikur të mos ketë agjëruar në Sha′ban, ç’duhet të bëjë?" Imami iu përgjigj: "natën [përpara ditës për të cilën] nuk është i sigurt [nëse është 1 Ramazan] ai duhet të bëjë nijetin e muajit Sha′ban; kështu që, nëse del se ka qenë Ramazan, do të marrë shpërblimin e këtij, por nëse vërtetohet se ka qenë Sha′ban, nuk do ketë kryer faj." Atëherë, e pyeta: "Si mund ta kompensojë një agjërim vullnetar të detyrueshmin?" Ai m’u përgjigj: "Nëse dikush agjëron vullnetarisht një ditë gjatë muajit të Ramazanit, pa e ditur se është Ramazan, pastaj mëson së është vërtet Ramazan, a mos duhet të agjërojë sërish? Obligimi ka të bëjë me vetë ditën. Agjërimi i pandërprerë (visal) ndalohet dhe të agjërosh tërë jetën është po kështu e ndaluar. "Sa i përket agjërimit me dëshirë, ai është të hënave, të marteve dhe të enjteve, ditët e bardha (bid)[me 13, 14, 15 të muajve hënorë], gjashtë ditët e Shevvalit, ditën e Arafatit; të gjitha këto raste janë mustehhab, mund të agjërosh ose jo gjatë tyre.


Sa i përket agjërimit me leje, një grua nuk mund të kryejë agjërim vullnetar (mustehhab) pa lejen e të shoqit; një rob nuk mund të agjërojë mustehhab pa lejen e të zotit; dhe një mik nuk mund të agjërojë mustehhab pa lejen e pritësit, sepse i Dërguari i Allahut (s) ka thënë:


"Kush shkon vizitë ndër njerëz nuk duhet të agjërojë, veçse me lejen e tyre."


Sa i përket agjërimit disiplinues, djali urdhërohet me agjërim sapo të arrijë moshën e pjekurisë, megjithëse nuk e ka të detyrueshme.


Po kështu, nëse për arsye sëmundjeje të papritur, personi detyrohet ta ndërpresë agjërimin në fillim të ditës, por e merr veten më vonë, ai duhet të agjërojë pjesën e mbetur të ditës si masë vetëdisiplinuese, ndonëse nuk e ka për detyrë.


Po kështu, nëse udhëtari ha në fillim të ditës e pastaj mbërrin në shtëpi, ai duhet të përmbahet nga të ngrënit gjatë pjesës së mbetur, si masë vetëdisiplinuese e jo si obligim.


Sa për agjëruesin që harron dhe ha e pi, ose ndërpret agjërim nga tekija (fshehja e praktikave dhe bindjeve fetare nga frika për jetën, pronën ose nderin e tij apo të familjes së tij) e jo me dashje, Allahu, i Lartësuari e i Madhërishmi, ia ka lejuar atë dhe do ta shpërblejë për këtë.


Sa i përket agjërimit gjatë udhëtimit ose vuajtjes nga ndonjë sëmundje, ekziston dallim i madh në opinion rreth tij. Disa njerëz mendojnë se duhet agjëruar e disa thonë se jo. Ndërsa ne (Ehlu′l-Bejti), jemi të mendimit se agjërimi duhet ndërprerë në të dyja rastet; ndaj nëse agjërohet në udhëtim, ose gjatë sëmundjes, ai duhet shlyer, sepse Allahu, Më i Lartësuari e Madhështori, thotë:


E kush nga ju është i sëmurë ose udhëtar, (të agjërojë) më vonë aq ditë (2:184)


 


Rreth rëndësisë së agjërimit


Në faqe 64 të vëllimit II të veprës Safinetu′l-Bihar, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) citohet duke thënë se Allahu i Madhërishëm ka ngarkuar një grup të engjëjve të Tij me detyrën e përgjërimit për agjëruesit. Në të njëjtën faqe të kësaj reference, Imam Xha‘fer es-Sadiku citohet duke thënë që nëse një person agjëron gjatë një dite të nxehtë dhe vuan nga etja, Allahu do caktojë njëmijë engjëj që t’ia fshijnë fytyrën e t’i përcjellin sihariqe. Kur të mbarojë agjërimin, Allahu i Lartësuar dhe i Madhëruar do t’i drejtohet me fjalët:


"Sa të ëmbël janë kundërmimi dhe shpirti yt! O engjëjt e Mi! Dëshmoni se e kam falur!"


Në faqe 96 të veprës Thevab el-A′mal ve Ikab el-A′mal, dhe në faqe 48 të librit të tij el-Amali (ose ff. 29-32 të botimeve të vjetra), Shejh Ebu Xha′fer Muhammed ibn Ali ibn el-Husein ibn Babavejh el-Kummi es-Saduk (306-381) citon Muhammed Ibn Ibrahim el-Ma′athiun duke thënë se Ahmed ibn Xhejlavejh el-Xhurxhani el-Muthakkeri citon Ebu Is’hak Ibrahim ibn Bilalin nga Ebu Muhammedi, që citon Ebu Abdullah Muhammed ibn Kiramin, që tregon nga Ahmed ibn Abdullahu se Sufjan ibn ′Ajineh citon Mu′avije ibn Ebu Is’hakun se Sa′id ibn Xhubejri ka thënë: E pyeta Ibn Abbasin r.a. njëherë mbi shpërblimin e agjëruesit të muajit të Ramazanit duke ia ditur madhështinë atij. Ai më tha:


"O Ibn Xhubejr! Bëhu gati të dëgjosh atë që veshët s’ta kanë dëgjuar, zemra s’ta ka provuar e as vetja jote s’e ka përllogaritur mbi atë që pyete! Ajo për të cilën pyete është dituria e brezave të parë dhe të fundit. Kështu, unë u nisa dhe u bëra gati ta ritakoja, duke u kthyer tek ai herët në mëngjes.Pasi falëm sabahun, ia kujtova hadithin që i kisha kërkuar dhe ai m’u kthye e tha: Dëgjo me vëmendje ç’po të them. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë:


"Sikur t’i dinit shpërblimet e juaja gjatë muajit të Ramazanit, ju patjetër do ta kishit falënderuar Fuqiplotin shumë më tepër. Kur mbaron nata e parë, Allahu i Madhërshëm dhe i Lartësuar i fal mëkatet e kryera nga të gjithë pjesëtarët e ummetit tim, qofshin bërë fshehtazi a haptazi, jua ngre pozitën dymijë shkallë dhe ju ndërton pesëdhjetë qytete në Xhennet.


Ditën e dytë, Ai ju shpërblen për çdo hap që hidhni, me shpërblimet e atij që e ka adhuruar Atë për një vit të tërë dhe shpërblimet e njërit prej të dërguarve të Tij, duke ju shpërblyer sikur të kishit agjëruar një vit të plotë.


Ditën e tretë, i Larti dhe i Dashuri ju dhuron një kupolë në xhenet për çdo qime në trupin tuaj, një kupolë prej margaritari të bardhë, mbi të cilën janë dymijë fanarë dhe nën të cilën janë dymbëdhjetë mijë shtëpi, në çdonjërën nga të cilat janë njëmijë shtretër, ku në secilin ka një hyri symadhe plot hijeshi, të shërbyer nga njëmjë shërbëtorë, mbulesa e kokës së çdonjërit prej të cilëve është më e mirë se kjo dynja e çdo gjë në të.


Ditën e pestë, Ai ju ndërton në Xhennet njëmijë qytete, çdonjërin nga të cilët ka shtatëdhjetëmijë shtëpi, ku brenda secilës janë shtatëdhjetë mijë tavolina, mbi çdonjërën ka shtatëdhjetë mijë tasë, ku secili përmban gjashtëdhjetë mijë lloje ushqimesh, çdonjëri nga të cilët dallon nga tjetri.


Ditën e gjashtë, Ai do t’ju japë në Vendpaqe njëqind mijë pallate, çdonjëri nga të cilët ka njëqind mijë dhoma, ku secila përmban njëqind mijë shtretër ari me gjatësi njëmijë pash, në çdonjërin nga të cilët është një hyri symadhe, flokët e së cilës kanë tridhjetë mijë gërsheta me perla dhe xhevahirë, ku çdo gërshet mbahet nga njëqind shërbëtore.


Ditën e shtattë, Fuqiploti ju dhuron në Kopshtin e Lumturisë shpërblimet e veprave të mira të dyzet mijë shehidëve e dyzet mijë siddikëve.


Ditën e tettë, Allahu i Madhërishëm ju dhuron shpërblimet e veprave të mira të gjashtëdhjetë mijë adhuruesve të sinqertë dhe gjashëdhjetë mijë asketikëve të përkortë.


Ditën e nëntë, Allahu i Lartmadhëruar ju jep atë që është baras me ç’u jep njëmijë të devotshmëve dhe njëmijë muxhahidinëve në rrugën e Tij.


Ditën e dhjettë, Ai ju dhuron përmbushjen e shtatëdhjetë mijë prej dëshirave të juaja të dynjasë, duke e urdhëruar diellin, hënën, yjet, kafshët, zogjtë, shtazët, gurët dhe pikat e shiut, gjithçka të lagur e gjithçka të thatë, të gjithë peshqit në oqeane dhe të gjitha gjethet në pemë, që të luten për faljen e juaj.


Ditën e njëmbëdhjettë, I Lartësuari dhe i Plotfuqishmi ju jep shpërblimet me të cilat shpërblen atë që e ka kryer haxhin dhe ‘umren katër herë dhe atë që e kryen haxhin me të dërguarit e Tij dhe me çdo siddik ose shehid.


Të dymbëdhjettën ditë, Ai merr përsipër t’jua zëvendësojë mëkatet me vepra të mira, pastaj jua shumëfishon veprat e mira një milion herë.


Ditën e trembëdhjettë, Allahu Fuqiplotë ju dhuron atë që u jep të devotshmëve të Mekës e Medines, duke ju dhënë shefa’at për çdo gur dhe pikë shiu midis Mekës e Medines.


Ditën e katërmbëdhjettë, Ai ju trajton sikur të kishit takuar dhe ndjekur Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Musain, Da‘udin e Sulejmanin (paqe pastë mbi ta) dhe sikur ta kishit adhuruar Allahun e Madhëruar në shoqërinë e pejgamberëve të Tij për dyqind vjet.


Ditën e pesëmbëdhjettë, ai ju plotëson dhjetë nga dëshirat e juaja të dynjasë dhe ahiretit, dhe ju jep atë që i dha Junusit (a.s), pastaj i urdhëron melekët që mbajnë ′Arshin të luten për faljen e juaj dhe ju jep dyzet drita në Ditën e Gjykimit: dhjetë në të djathtë, dhjetë në të majtë, dhjetë përpara e dhjetë nga pas.


Ditën e gjashtëmbëdhjettë, Fuqiploti ju dhuron gjashtëdhjetë kostume sapo të keni lënë varrin dhe një deve për ta nisur, duke dërguar një re për t’ju bërë hije, që t’ju mbrojë nga të nxehtit e asaj Dite.


Ditën e shtatëmbëdhjettë, Allahu i Madhërishëm thotë:


′I kam falur ata dhe prindërit e tyre dhe i kam liruar nga të kaluarit e mundimeve të Ditës së Ringjalljes.′


Ditën e tetëmbëdhjettë, i Lëvduari dhe i Lartësuari urdhëron Xhibra’ilin, Mikailin e Israfilin, si dhe engjëjt që mbartin ′Arshin dhe të gjithë kryeengjëjt, që të kërkojnë falje për ummetin e Muhammedit (s.a.) deri vitin tjetër, duke ju dhuruar gjithashtu në Ditën e Ringjalljes ato shpërblime që u jep luftëtarëve të Bedrit.


Ditën e nëntëmbëdhjettë, të gjithë engjëjt në qiej dhe tokë do të kenë kërkuar leje nga Zoti i tyre që t’i vizitojnë varret e juaja dhe t’ju sjellin çdo ditë nga një dhuratë e një pije [gjatë kohës së barzakhut]. Ndaj, nëse e plotësoni agjërimin për njëzet ditë të plota, Allahu i Madhërishëm ju dërgon shtatëdhjetë mijë engjëj për t’ju mbrojtur nga çdo shejtan i mallkuar dhe, për çdo ditë agjërimi, Ai do t’ju dhurojë shpërblime sikur të kishit agjëruar njëqind vjet, dhe do të vendosë një hendek midis jush dhe Xhehennemit, duke ju dhënë shpërblimet e atyre që kanë recituar Teuratin, Inxhilin, Zeburin dhe Kur’anin Fisnik dhe për çdo pupël të Xhibra’ilit do t’ju shkruajë shpërblimin e një viti të plotë, duke ju dhënë shpërblimet e atyre që e madhërojnë Atë tek ′Arshi dhe Kursiu.


Ditën e njëzetenjëtë, Fuqiploti jua zgjeron varrin njëmijë parasangë dhe e ngre errësirën dhe vetminë e varreve të juaja, duke jua bërë ato si varret e shehidëve ndërsa fytyrat si ajo e Jusufit, birit të Ja‘kubit (a.s).


Ditën e njëzetedytë, I Plotfuqishmi e nis engjëllin e vdekjes ashtu siç ua nis pejgamberëve të tij, për t’jua hequr hallet e dynjasë dhe tmerrin e ahiretit.


Ditën e njëzetetretë, do të kaloni në Urën e Siratit në shoqëri të profetëve, të parëve që pasojnë profetët dhe martirëve, sikur të kishit ushqyer çdo jetim e veshur çdo të skamur.


Ditën e njëzetekatërt, nuk do mund ta lini këtë jetë pa e parë secili nga ju vendin që ju është rezervuar në Xhennet dhe pa ju dhënë shpërblimet e njëmijë të sëmurëve dhe njëmijë të kthyerve në fe, duke ju dhuruar shpërblimet e atij që ka liruar njëmijë robër nga pasardhësit e Isma‘ilit (a.s).


Ditën e njëzetepestë, Allahu do t’ju ndërtojë nën ′Arshin e Tij njëmijë kupola të gjelbra, në majën e çdonjërës prej të cilave është një çadër drite. Atëherë, i Madhërishmi dhe i Lartësuari do të thotë:


′O ndjekës të Muhammedit! Unë jam Zoti juaj e ju shërbëtorët e Mi! Gëzoni hijen e ′Arshit Tim në këto kupola dhe hani e pini me shijim, sepse për ju nuk do të ketë frikë e as pikëllim. O ummeti i Muhammedit! Pasha Dinjitetin dhe Madhështinë Time, do t’ju fus në Xhennet në një mënyrë që do t’i mahnisë brezat e parë dhe të fundit, dhe do ta stolis secilin me njëmijë kurora drite dhe do t’i siguroj çdonjërit nga ju një deve me frerë drite, me njëmijë rrathë ari, ku secili ka nga një engjëll që e ruan, në dorën e çdonjërit nga të cilët është një thupër drite, që të hyjë në Xhennet pa u pyetur.′


Ditën e njëzetegjashtë, Allahu do t’ju vështrojë me dhembshuri e do t’jua falë të gjitha mëkatet, përveç derdhjes së gjakut të pafajshëm dhe grabitjes së pasurisë së njerëzve, dhe do t’ju japë njëmijë pengesa ndaj thashethënies, gënjeshtrës dhe shpifjes.


Ditën e njëzeteshtattë, do t’ju konsiderojë sikur të kishit ndihmuar çdo besimtar e besimtare dhe të kishit veshur njëmijë të zhveshur e të kishit pajisur njëmijë ushtarë të fushonin në një tokë të huaj për të mbrojtur Islamin, dhe sikur të kishit recituar çdo libër që i ka shpallur Allahu pejgamberëve të Tij.


Ditën e njëzetettë, Allahu do ju ketë ndërtuar në Xhennet njëqind mijë qytete drite e do ju ketë dhuruar në kopshtin e lumturisë njëqind mijë qytete dhe njëqind mijë vila argjendi, në të cilat ka njëmijë dhoma, duke ju dhënë në kopshtin e madhështisë njëqind mijë minbere misku, brenda çdonjërit nga të cilët ka njëmijë shtëpi safroni, ku në secilën ka njëmijë shtretër perlash dhe margaritarësh e çdo shtrat ka një thëllëzë symadhe plot nur.


E nëse e plotësoni agjërimin deri në ditën e njëzet e nëntë, Allahu Fuqiplotë do t’ju dhurojë një milion lagje, brenda çdonjërës nga të cilat ka një kupolë të bardhë, nën të cilën ndodhet një shtrat kamfori të bardhë, mbi të cilin janë njëqindmijë çarshafë mëndafshi të gjelbër dhe një thëllëzë të dekoruar me shtatëdhjetë mijë ornamente dhe e stolisur me tetëdhjetë mijë kordele, çdonjëra nga të cilat është zbukuruar me diamantë e xhevahirë.


Nëse përfundoni tridhjetë ditë agjërim, i Madhërishmi do ju ketë dhuruar për çdo ditë shpërblimet e njëmijë shehidëve dhe njëmijë besimtarëve të parë në pejgamberët e Tij, dhe do ju ketë caktuar shpërblimet e pesëdhjetë viteve adhurim, e do ketë urdhëruar mos-hyrje në Xhehennem për ju dhe kalim mbi Sirat e siguri nga tmerri. Një nga portat e Xhennetit quhet er-Rejjan dhe ajo nuk do të hapet kurrë deri në Ditën e Gjykimit.


Ajo do t’u hapet atyre pjesëtarëve të ummetit të Muhammedit (s.a.) që kanë kryer agjërimin.


Ridvani, rojtari i Xhennetit, do të thërrasë:


′O ndjekës të Muhammedit! Ejani te porta e Rejjanit!′ Kështu, ai do ta lejojë ummetin tim në Xhennet përmes asaj porte. Ndaj, nëse dikujt nuk i falet gjatë muajit të Ramazanit, në cilin muaj do t’i falet? Nuk ka ndihmë e as fuqi përveçse me Allahun; Allahu na mjafton, sa Ndihmës i madh që është Ai!


Ky hadith i gjatë regjistrohet edhe në ff. 183-185, të vëllimit VIII të veprës Biharu′l-Envar të ‘Alame Mexhlisiut. Në faqen 92 të librit të tij Thevab el-A′mal ve ′Ikab el-A′mal, në një kapitull mbi lavdinë e muajit të Ramazanit, Shejh Ebu Xha‘fer Muhammed ibn Ali ibn el-Husein ibn Babavejh el-Kummi es-Saduk mbështetet në autoritetin e Xhabirit, që citon Imamin Ebu Xha‘fer el-Bakir, si dhe në veprën el-Misbah, ku Xhabir ibn Jezidi citon nga Imam Sadiku se i Dërguari i Allahut (s.a.) i tha Xhabir ibn ‘Abdullah Ensariut, njërit prej sahabëve më të mëdhenj:


O Xhabir! Ky është muaji i Ramazanit; kush e agjëron ditën dhe kalon një pjesë të natës duke u lutur dhe duke u përmbajtur nga ngrënia e haramit, duke ruajtur turpin ndaj gjithçkaje të paligjshme dhe duke e mbajtur gjuhën zap nga thënia e diçkaje të ndaluar, do t’i lërë mëkatet e tij mbrapa kur të ikë ky muaj. Xhabiri tha:


O i Dërguari i Allahut! Sa hadith i bukur! Pejgamberi (s.a.) u përgjigj: Dhe sa kushte të vështira për t’u mbajtur! I Dërguari i Allahut, paqe pastë mbi të, pasardhjen dhe sahabët e tij, citohet gjithashtu duke thënë: Kujt agjëron muajin e Ramazanit me besim të patundur e dëshirë të sinqertë për të kënaqur Allahun, do i falen të gjithë mëkatet e shkuara dhe të ardhme. Ai (s.a.v.s) citohet gjithashtu duke thënë:


Portat e Xhennetit hapen natën e parë të muajit të Ramazanit dhe mbeten kapak deri natën e fundit.


Një hadith tjetër tregon se Allahu i Madhërshëm ka ngarkuar shtatë engjëj për të mbajtur çdo shejtan të lidhur deri në fund të Ramazanit. Në të njëjtën faqe të po kësaj reference, Muhammed ibn el-Hasani citohet duke thënë se el-Husein ibn el-Hasan ibn Sa′idi ka cituar el-Husein ibn ′Alvanin duke përcjellë nga ′Amr ibn Shimri që citon Xhabirin se Imami Ebu Xha‘fer el-Bakir ka thënë që, saherë afrohej muaji i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) e kishte zakon të dilte në publik, me fytyrë nga Kibla, dhe të lutej:


O Allah! Të përgjëroj ta lësh këtë hënë të jetë lajmërues sigurie e bindjeje, mbrotjeje dhe paqeje, pasurie të stolisur, furnizimi të gjerë, pengimi sëmundjesh, recitimi të Kur’anit Fisnik dhe ndihme në kryerjen e namazit dhe vazhdimin e agjërimit! O Zot, ruana për muajin e Ramazanit, ruaje atë për ne, dhe ruaje atë prej nesh derisa të mbarojë e të na kesh falur!

Atëherë, ai u drejtohej njerëzve, me fjalët:


O muslimanë! Kur të shfaqet hëna e Ramazanit, djajtë nga mesi i shejtanëve lidhen dhe portat e qiejve dhe Xhennetit hapen, e po kështu edhe portat e mëshirës së Tij, ndërsa portat e Xhehennemit mbyllen. Përgjërimet gjejnë përgjigje e në kohë iftari i Madhërishmi liron disa banorë të Xhehennemit. Çdo natë, një thirrës thërret: ′A ka ndokush ndonjë lutje? A ka ndonjë që kërkon falje? O Allah i Madhërishëm! Shpërbleje atë që harxhon në rrugën Tënde dhe humbe atë që kursehet!′ Dhe, kur vjen Shevvali, besimtarët thërriten të marrin shpërblimet e tyre, sepse ajo do të jetë dita e tyre e shpërblim-marrjes.


Në faqen 94 të së njëjtës referencë, Muhammed ibn Musa ibn el-Mutevakkili citohet duke thënë se ‘Abdullah ibn Xha‘fer el-Himjari ka thënë se Ahmed ibn Muhammed ibn Isa ka thënën se el-Hasan ibn Mahbub ez-Zerradi ka thënë se Ebu Ejjubi ka cituar Ebu’l-vardin duke thënë se Imami Ebu Xha‘fer el-Bakir transmeton se i Dërguari i Allahut (s.a) mbajti një fjalim në të premten e fundit të muajit Sha′ban, në të cilën, pasi lavdëroi Allahun, tha:


O njerëz! Jeni mbuluar me hijen e një muaji, njëra natë e të cilit është më e mirë se njëmijë muaj; ai është muaji i Ramazanit, në të cilin Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni dhe i ka bërë shpërblimet e namazeve vullnetare në netët e tij sa të atij që falet shtatëdhjetë vjet muajve të tjerë.


Ai gjithashtu i ka bërë shpërblimet e punëve të mira të atyre që veprojnë mirë në të sa shpërblimet e atyre që kryejnë një obligim të urdhëruar nga Fuqiploti (në muajt e tjerë).


Dhe kushdo që kryen gjatë tij një prej obligimeve të urdhëruara do të shpërblehet sikur të kishte kryer shtatëdhjetë obligime në muajt e tjerë. Ai është muaji i durimit dhe shpërblimi i durimit është Xhenneti. Ai është muaji i ngushëllimit, në të cilin Allahu e rrit furnizimin e besimtarëve ... Zoti do t’ia zvogëlojë mundimin e llogaridhënies kujt ia zvogëlon mundimin shërbëtorit të vet gjatë tij. Ai është muaj, fillimi i të cilit përbën mëshirë, mesi falje dhe fundi pranim e mbrojtje nga zjarri.


Gjatë tij nuk bën t’i merrni lehtë katër merita, me dy nga të cilat kënaqni Allahun dhe pa dy të tjerat nuk bëni dot. Dy meritat me të cilat kënaqni Allahun janë: të dëshmoni se nuk ka zot përveç Zotit e se Muhammedi është i Dërguari i Zotit; ndërsa dy meritat pa të cilat nuk bëni dot janë: t’i luteni Allahut që t’jua plotësojë nevojat e kësaj bote e t’ju dhurojë Xhennetin, si dhe t’i luteni Allahut për shëndetin dhe mirëqenien tuaj, duke kërkuar ndërkaq mbrojtjen e Tij ndaj Zjarrit.


Në faqet 56-57 të veprës el-Amali nga Shejh es-Saduk, Sa′d ibn ‘Abdullahu citohet duke thënë se Ahmed ibn Muhammed ibn Isa ibn Sa′idi citon Fadlin nga Jusuf ibn ′Umejreh, i cili citon ′Ubejdullah ibn ‘Abdullahin se ai e kishte dëgjuar Imam Bakirin duke thënë se kur afronte muaji i Ramazanit, në ditën e njëzeteshtatë të Sha′banit, i Dërguari i Allahut (s.a.) i kërkonte Bilalit që t’i thërriste njerëzit të mblidheshin. Kur ata vinin, ai hipte në minber, lavdëronte Allahun dhe thoshte:


O njerëz! Muaji (i Ramazanit) është afruar dhe ai është i pari i të gjithë muajve e në të është një natë më e mirë se njëmijë muaj. Gjatë tij, portat e Xhehenemit mbyllen, ndërsa ato të Xhennetit rrijnë kapak.


Kushdo që e kalon atë pa iu falur (mëkatet) do të largohet nga mëshira e Allahut, dhe kushdo që nuk mer gjatë tij faljen e Allahut teksa prindërit i ka të gjallë do jetë padyshim edhe më larg nga mëshira e Allahut. Dhe kushdo që e dëgjon emrin tim dhe s’më dërgon bekime do të largohet (gjithashtu) nga mëshira e Allahut.