Agjërimi sipas pesë medhhebeve
Muhammed Xhevad Mughnijjeh
05.09.2008
PËRMBAJTJA: 
Zhdukja e përligjjes:

Kushtet (shurut) e agjërimit:
Muftirat:
Llojet e ndryshme të agjërimeve:
Agjërimet e detyruara:
Kada′ja e agjërimeve të humbura në Ramazan:
Agjërimi shlyejtës (kaffarah):
Agjërimet e ndaluara:
Ditët e dyshimta:
Agjërime të pëlqyeshme:
Agjërime të papëlqyeshme (mekrah):
Dëshmia e hënës së re:
Hëna e re dhe astronomia

al-Tavhid Journal, vëll. IX, nr. 4, Shevval – Dhu’l-Hixhxheh 1412 


Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është ndër shtyllat e fesë islame. Nuk nevojitet provë për qenien e tij i detyrueshëm (vaxhib) dhe mohuesi i tij del jashtë Islamit, sepse ai është i vetëkuptueshëm sikurse namazi, ku lidhur me diçka të vërtetuar kaq qartë, si të diturit ashtu edhe analfabetët, të vjetrit e të rinjtë, janë të gjithë të një mendimi.


Ai u deklarua detyrim (farz) i obligueshëm në vitin e dytë të hixhretit, mbi çdo të rritur të shëndetshëm nga mendtë dhe trupi (mukalef), ku prishja e tij (iftar) nuk lejohet përveçse në rastet e mëposhtme:


1. Hajdhi e nifasi: Shkollat pajtohen se agjërimi nuk është i vlefshëm për gratë gjatë të përmuajshmeve dhe lehonisë.


2. Sëmundje: Lidhur me këtë, shkollat dallojnë. Imamitë vërejnë: agjërimi nuk është i vlefshëm nëse shkakton apo rëndon sëmundje, apo forcon dhimbjet ose vonon shërimin, sepse sëmundja nënkupton lëndim (darar) dhe lëndimi është i ndaluar (muharrem). Për më tepër, një ndalim i lidhur me një adhurim (‘ibadeh) e zhvleftëson atë.


Ndaj, nëse personi agjëron në kushte të tilla, agjërimi i tij nuk është i vlefshëm (sahih). Një mundësi serioze shkaktimi ose rëndimi të një sëmundjeje mjafton për t’u përmbajtur nga agjërimi. Sa i përket dobësisë së tepruar, ajo nuk përbën përligjje për iftar, për sa kohë që është e durueshme. Kësisoj, shkaku ndërprerës është sëmundja e jo dobësia, mundimi ose rëndesa, sepse çdo detyrë përfshin vështirësi dhe mosrehati.


Katër shkollat sunnite pohojnë: nëse agjëruesi (sa′im) sëmuret, ose i druhet rëndimit të sëmundjes, apo vonimit të shërimit, ai mund të zgjedhë të agjërojë ose jo. Ai s’e ka të detyrueshëm ndërprerjen (iftar); e cila në këtë rast përbën lehtësim, jo obligim. Mirëpo aty ku ekziston mundësi vdekjeje ose humbjeje të cilësdo shqise, iftari është obligim dhe agjërimi i tij nuk vlen.


3. Gruaja në etapën e fundit të shtatzanisë dhe nënat gjidhënëse. Katër medhhebet pohojnë: nëse një grua shtatzënë ose gjidhënëse frikësohet për shëndetin e saj ose të fëmijës, agjërimi i saj vlen, ndonëse i lejohet të përmbahet nga agjërimi. Nëse ajo zgjedh ta ndërpresë, shkollat pajtohen se ajo nuk e ka për detyrë të agjërojë kada′ më vonë. Ato dallojnë lidhur me zëvendësimin (fidjeh) dhe shlyerjen (kaffareh) e tij.


Rreth kësaj, hanefitë vërejnë: nuk është aspak vaxhib.


Malikitë janë të mendimit se është vaxhib për një grua gjidhënëse, por jo për shtatzënën.


Hanbelitë dhe shafi′itë pohojnë: Fidja është vaxhib për një shtatzënë e një gjidhënëse vetëm nëse ato i druhen rrezikut për fëmijën; por nëse i druhen dëmit ndaj shëndetit të tyre si dhe të fëmijës, ato e kanë për detyrë vetëm të agjërojnë kada′, pa patur nevojë të japin fidjeh.


Fidjeh e çdo dite është një mudd, pra sasia e ushqimit të një nevojtari (miskin).[1]


Imamitë pohojnë: nëse një shtatzënë pranë lindjes ose fëmija e një gjidhënëseje mund të pësojnë dëm, të dyja duhet ta ndërpresin agjërimin, i cili nëse vazhdohet nuk vlen, për shkak të palejueshmërisë së lëndimit. Ata pajtohen se të dyja duhet të agjërojnë kada′ dhe të japin fidjeh sa një mud, nëse i druhen lëndimit të fëmijës.


Por nëse dëmi nga i cili ekziston frika lidhet vetëm me personin e saj, disa imami pohojnë se ajo duhet të agjërojë kada′ por jo të japë fidjeh, ndërsa të tjerë mendojnë se ajo e ka detyrim edhe kada′në edhe fidjen.


4. Udhëtimi, me kusht që të plotësohen kushtet e nevojshme për salatu’l-kasr, sipas opinionit të çdo medhdhebi. Shkollat sunnite i shtojnë një kusht të mëtejshëm këtyre, duke thënë se udhëtimi duhet të fillojë përpara agimit dhe udhëtari duhet ta ketë arritur pikën ku namazi bëhet kasr, përpara agimit. Kështu, nëse e fillon udhëtimin pas agimit, ai e ka haram të prishë agjërimin, dhe nëse e thyen, do të obligohet me kada′në e saj, pa kaffarah.


Shafi′itë shtojnë një tjetër kusht, gjegjësisht se udhëtari nuk duhet të jetë udhëtar i vazhdueshëm, si për shembull shofer. Kësisoj, nëse e ka zakon të udhëtojë, atij nuk i lejohet të ndërpresë agjërimin.


Sipas të katër shkollave sunnite, prishja e agjërimit është me dëshirë, jo e detyrueshme. Prandaj, një udhëtar që plotëson të gjitha kushtet ka mundësinë që të agjërojë ose jo, megjithë faktin se hanefitë vërejnë se kryerja e namazit kasr gjatë udhëtimit është e detyrueshme e jo me dëshirë.


Imamitë pohojnë: nëse plotësohen kushtet për t’u falur kasr, agjërimi nuk pranohet. Prandaj, nëse agjëron, atij do t’i duhet të kryejë kada′ pa u detyruar me kaffarah. Kjo, në rastin kur udhëtimi i tij fillon para mesditës. Mirëpo, nëse niset në mesditë ose më vonë, ai do ta vazhdojë agjërimin, të cilin nëse e ndërpret do të duhet ta shlyejë me kaffaranë e atij që thyen agjërimin me dashje. Dhe, nëse udhëtari arrin në shtëpi (ose në një vend ku synon të rrijë të paktën dhjetë ditë) përpara mesditës, pa patur kryer asnjë veprim që e prish agjërimin, ai e ka vaxhib ta vazhdojë agjërimin, të cilin nëse e ndërpret, duhet ta shlyejë si personi që e ka thyer me dashje.


5. Ekziston njëzëshmëri mes të gjitha shkollave se ai që vuan nga sëmundje etjeje akute mund ta ndërpresë agjërimin dhe, nëse mund ta kryejë kada′në më vonë, ajo do t’i jetë vaxhib pa ndonjë kaffarah, sipas katër medhhebeve. Imamitë mendojnë se ai duhet të japë një mudd si kaffarah. Medhhebet dallojnë mbi atë nëse uria akute është ndër arsyet që lejojnë ndërprerjen e agjërimit, sikurse etja. Katër shkollat thonë se uria dhe etja janë të ngjashme, duke e bërë të lejueshme ndërprerjen. Imamitë pohojnë: uria nuk është shkak që lejon ndërprerjen e agjërimit, përveçse kur pritet të shkaktojë sëmundje.


6. Të moshuarit e të moshuarat në vitet e thyera, për të cilët agjërimi është i dëmshëm e i vështirë, mund ta ndërpresin agjërimin, por obligohen me fidjeh duke ushqyer një miskin për çdo ditë të humbur. Kështu duhet të veprojë edhe i sëmuri që nuk ka shpresë të përmirësohet gjatë tërë vitit. Mbi këtë rregull pajtohen të gjitha shkollat, përveç hanbelive, të cilët pohojnë: fidjeh është mustehabb e jo vaxhib.


7. Imamitë pohojnë: agjërimi nuk është vaxhib për atë që është në vilani, edhe nëse ajo ndodh vetëm në një pjesë të ditës, përveçse kur ai e ka bërë nijjetin e agjërimit përpara dhe e merr veten më pas, me ç’rast do të vazhdojë të agjërojë.


Zhdukja e përligjjes:


Nëse përligjja e ndërprerjes së agjërimit resht - si p.sh. kur i sëmuri shëndoshet, fëmija piqet, udhëtari kthehet ose të përmuajshmet sosen - është mustehabb sipas imamive dhe shafi′ive që të përmbahet (imsak) nga gjërat që e ndërpresin agjërimin (muftirat), si shenjë respekti. Hanbelitë dhe hanefitë e konsiderojnë imsakun vaxhib, ndërsa malikitë as vaxhib as mustehabb.


Kushtet (shurut) e agjërimit:


Siç u përmend më lart, agjërimi në muajin e Ramazanit është vaxhib për secilin mukalef. Çdo i rritur i shëndoshë nga mendja (el-baligh el-‘akil) konsiderohet mukalef. Prandaj agjërimi as nuk është vaxhib për një të çmendur e as nuk vlen nëse e kryen. Sa për fëmijën, ai nuk është vaxhib për të, ndonëse bëhet i vlefshëm nëse kryhet nga një mumajjiz.


Gjithashtu, për vlefshmërinë e agjërimit është thelbësor të qenit musliman dhe qëllimi (nijjeh). Kësisoj, sipas njëzëshmërisë, as agjërimi jomuslimanit e as imsaku i atij që s’ka bërë nijjeh nuk pranohet.


Kjo pavarësisht nga kushtet e lartpërmendura, si mospatja e të përmuajshmeve, lehonisë, sëmundjes dhe udhëtimit. Sa i përket personit në gjendje të dehur ose të pavetëdijshme, shafi′itë vërejnë: agjërimi i tij nuk vlen nëse ai nuk është i ndërgjegjshëm gjatë gjithë periudhës së agjërimit. Por nëse është i vetëdijshëm për një pjesë të saj, agjërimi i tij është i vlefshëm, megjithëse i pavetëdijshmi obligohet me kada′në e saj, cilatdo qofshin rrethanat, pavarësisht nëse ndërgjegjësimi i tij bëhet vetë apo imponohet.


Por kada′ ja nuk është vaxhib për një të dehur, përveç nëse ky është përgjegjësi për gjendjen e vet.


Malikitë pohojnë: agjërimi i tij nuk vlen nëse gjendja e pavetëdijes ose dehjes zgjat për krejt ditën ose pjesën më të madhe të saj. Por nëse ajo përfshin gjysmën e ditës ose më pak dhe ai ishte i vetëdishëm në çastin e nijjetit por nuk e bëri nijjetin, duke u dehur ose zhvetëdijësuar më vonë, kada′ja nuk është vaxhib për atë.


Sipas tyre, koha e bërjes së nijjetit të agjërimit zgjatet nga muzgu në agim. Sipas hanefive, një i pavetëdijshëm është tamam si i çmenduri në këtë aspekt dhe opinioni i tyre lidhur me këtë të fundit është që nëse çmenduria zgjat për tërë muajin e Ramazanit, ai nuk e ka vaxhib kada′në, e nëse ajo mbulon gjysmën e muajit, ai do të agjërojë për gjysmën tjetër dhe do të kryejë kada′në e agjërimeve të humbura për shkak të çmendurisë.


Hanbelitë vërejnë: Kada′ja është vaxhib për një person në gjendje pavetëdijeje si dhe dehjeje, pavarësisht nëse ato gjendje i janë imponuar nga jashtë apo i ka shkaktuar vetë. Sipas imamive, kada′ja është vaxhib mbi një person të dehur, pavarësisht nëse është dehur vetë apo tjetërsoj dhe s’është vaxhib për një të pavetëdijshëm edhe sikur humbja e vetëdijes së tij të jetë e shkurtër.


Muftirat:


Janë gjërat, përmbajtja nga të cilat është e detyrueshme gjatë agjërimit, nga agimi deri në muzg:


1. Të ngrënit e të pirit (shurb) me qëllim. Të dy e zhvleftësojnë agjërimin dhe obligojnë kada′ sipas të gjitha shkollave, ndonëse ato dallojnë lidhur me atë nëse edhe kaffaraja është vaxhib. Hanefitë dhe imamitë e konsiderojnë të tillë, ndërsa shafi′itë e hanbelitë jo. Një person që ha dhe pi nga pakujdesia nuk detyrohet as me kada′ as me kaffarah, përveçse te malikitë, të cilët obligojnë vetëm kada′në e saj (te pirja [shurb] përfshihet edhe marrja e tymit të duhanit).


2. Marrëdhënia seksuale e qëllimshme e zhvleftëson agjërimin dhe obligon kada′ dhe kaffarah, sipas të gjitha shkollave. Kaffarah është lirimi i një shërbëtori e nëse kjo është e pamundur, agjërimi për dy muaj rresht, e nëse as kjo nuk është e mundur, ushqyerja e gjashtëdhjetë të varfërve.


Imamitë dhe malikitë lejojnë zgjedhjen e njërës prej këtyre, pra një mukalef mund të zgjedhë midis lirimit të një shërbëtori, agjërimit ose ushqyerjes së të varfërve.


Shafi′itë, hanbelitë dhe hanefitë obligojnë kaffarah sipas renditjes së mësipërme; pra lirimi i një shërbëtori është specifikisht vaxhib, ku në rast pamundësie agjërimi bëhet vaxhib. Nëse as kjo nuk është e mundur, të ushqyerit i të varfërve bëhet vaxhib.


Imamitë pohojnë: të tre kaffaratë bëhen vaxhib së bashku nëse akti i agjërimprishjes (muftir) është vetë haram, si p.sh. ngrënia e diçkaje të uzurpuar (maghsub), të pirit e verës, ose zinaja. Sa i përket marrëdhënies seksuale nga pakujdesia, ajo s’e prish agjërimin sipas hanefive, shafi′ive dhe imamive, por e zhvleftëson sipas hanbelive dhe malikive.


3. Derdhja seminale (el-‘istimna′): Ekziston pajtim se ajo e zhvleftëson agjërimin nëse kryhet me dashje. 


Hanbelitë pohojnë: nëse del madhj nga shikime të përsëritura epshore apo të ngjashme, agjërimi zhvleftësohet. Katër shkollat pohojnë: derdhja seminale obligon kada′ pa kaffarah. Imamitë thonë se duhet edhe kada′ edhe kaffarah.


4. Vjellja: e zhvleftëson agjërimin nëse bëhet me dashje, ndërsa sipas imamive, shafi′ive dhe malikive, ajo obligon edhe kada′. Hanefitë pohojnë: të vjellurit me dashje nuk e prish agjërimin, përveçse kur të vjelltit mbush gojën. Nga Imam Ahmedi, ndërkaq janë raportuar dy opinione. Shkollat pajtohen se të vjelllurit pa dashje nuk e zhvleftëson agjërimin.


5. Hedhja e kupave (hixhameh) është muftir vetëm sipas hanbelive, të cilët vërejnë: edhe lëshuesi i kupave edhe pacienti kanë prishur agjërim. 6. Injeksioni e zhvleftëson agjërimin dhe kërkon kada′, sipas të gjitha shkollave. Disa juristë imami vërejnë se ai kërkon edhe kaffarah, nëse nuk është marrë si masë urgjente.


7. Thithja e një reje të dendur pluhuri të pezullt e zhvleftëson agjërimin sipas imamive, të cilët pohojnë: nëse një pluhur i dendur i pezullt, si p.sh. miell ose diçka e tillë, hyn në trup, agjërimi zhvleftësohet, sepse ajo është më e lëndshme sesa injeksioni ose tymi i duhanit.


8. Lyerja me kohl zhvleftëson agjërimin vetëm sipas malikive, me kusht që të jetë bërë gjatë ditës dhe që shija t’i ndjehet në fyt.


9. Nijjeti për të ndërprerë agjërimin: nëse dikush synon të ndërpresë agjërimin dhe pastaj përmbahet nga ndërprerja, agjërimi i tij konsiderohet i pavlefshëm sipas imamive dhe hanbelive; por jo sipas medhhebeve të tjera.


10. Shumica e imamive pohojnë: zhytja e plotë e kokës, veçmas ose bashkë me pjesë të tjera të trupit, në ujë, zhvleftëson agjërimin dhe kërkon edhe kada′ edhe kaffarah. Shkollat e tjera juridike e konsiderojnë atë si pa pasoja për agjërimin.


11. Imamitë pohojnë: personi që rri xhunub me dashje pas agimit në muajin e Ramazanit e zhvleftëson agjërimin e tij dhe kada′ja e kaffaraja do t’i jenë vaxhib. Shkollat e tjera pohojnë se agjërimi i tij mbetet i vlefshëm dhe ai nuk obligohet me asgjë.


12. Imamitë pohojnë: personi që i mvesh me dashje diçka të pavërtetë Zotit ose të Dërguarit (s.a.) [pra nëse thotë ose shkruan se Zoti ose Pejgamberi (s.a.v.s) kanë thënë kështu e ashtu, duke qenë i ndërgjegjshëm se kjo nuk është e vërtetë], e zhvleftëson agjërimin e tij dhe obligohet me kada′ e kaffarah. Një grup juristësh imami shkojnë më tej duke i kërkuar një shpifësi të tillë kaffaranë e të liruarit të një robi, agjërimin dy muaj rresht dhe ushqyerjen e gjashtëdhjetë të varfërve. Kjo masë tregon injorancën dhe ligësinë e atyre që thonë se imamitë e lejojnë thënien e gënjeshtrave ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij (s.a.v.s).


Llojet e ndryshme të agjërimeve:


Juristët e shkollave të ndryshme i klasifikojnë agjërimet në katër kategori: vaxhib (i detyruar) mustehabb (i pëlqyeshëm), muharrem (i ndaluar) e mekruh (i papëlqyeshëm).


Agjërimet e detyruara:


Të gjitha shkollat pajtohen se agjërimet vaxhib janë ato të muajit të Ramazanit, kada′të e tyre, agjërimet shlyese të kryera si kaffarah, dhe ato që kryhen për të mbajtur një zotim. Imamitë shtojnë edhe dy, të lidhura me Haxhin dhe i`tikafin.


Më poshtë vijon diskutimi i kada′së dhe kaffarasë që i obligohen prishësit të agjërimit. Lloje të tjera të agjërimeve të detyrueshme janë diskutuar në kapitujt përkatës.


Kada′ja e agjërimeve të humbura në Ramazan:


1. Medhhebet pajtohen se i obliguari me kada′ të agjërimeve të Ramazanit duhet t’i kryejë ato gjatë po atij viti në të cilin i ka humbur, pra para se të vijë Ramazani vijues. Ai është i lirë t’i zgjedhë ditët në të cilat synon të agjërojë, duke përjashtuar ato kur agjërimi ndalohet (të cilat do të diskutohen më poshtë). Mirëpo ai e ka vaxhib t’i fillojë menjëherë kada′të e tyre, nëse ditët e mbetura deri në fillimin e Ramazanit vijues janë të barabarta me numrin e agjërimeve të humbura në Ramazanin e shkuar.


2. Nëse personi që e ka të mundur të kryejë kada′në brenda vitit e neglizhon atë deri në Ramazanin e ardhshëm, ai duhet të agjërojë këtë të fundit dhe pastaj të kryejë kada′në e vitit të shkuar si dhe të japë kaffarah një mudd për çdo ditë të humbur - sipas të gjitha shkollave, përveç hanefive, të cilët i kërkojnë vetëm kada′në pa asnjë kaffarah. E nëse nuk është në gjendje të kryejë kada′ - si p.sh. kur sëmundja i zgjat në tërë periudhën ndërmjet Ramazanit të parë e të dytit - atij nuk i kërkohet as kada ′ e as kaffarah, sipas të katër shkollave, ndërsa imamitë pohojnë: ai nuk do të obligohet me kada′ por me dhënien e një mudd ushqim si kaffarah për çdo agjërim të humbur.


3. Nëse personi e ka të mundur kryerjen e kada′së gjatë vitit por e shtyn atë, me nijjetin e kryerjes së saj menjëherë përpara Ramazanit vijues, në mënyrë që agjërimet kada′ vijohen fill nga Ramazani i ardhshëm, por një arsye e ligjshme e pengon nga kryerja e kada′së para ardhjes së Ramazanit, ai obligohet vetëm me kada′ e jo me kaffarah.


4. Për atë që ndërpret një agjërim Ramazani me arsye dhe më vonë është në gjendje të kryejë kaza′në por nuk ia arrin gjatë jetës së tij, imamitë pohojnë: është vaxhib për fëmijën e tij më të madh ta kryejë kada′në në emër të prindit. Hanefitë, shafi′itë dhe hanbelitë pohojnë: në emër të tij duhet dhënë një mudd sadakah për çdo agjërim të humbur. Sipas malikive, kujdestari i tij ligjor (vali) do të japë sadakah në emër të tij, nëse ai ka porositur kështu në testament; por në mungesë të këtij nuk është vaxhib.


5. Sipas katër medhhebeve, një person që kryen kada′ të Ramazanit mund ta ndryshojë nijjetin e tij dhe ta ndërpresë agjërimin si para, ashtu edhe pas mesditës, pa u obliguar me ndonjë kaffarah, me kusht që të ketë kohë për ta kryer kada′në më vonë. Imamitë vërjenë: atij i lejohet të ndërpresë agjërimin vetëm paradite e jo më vonë, sepse vazhdimi i agjërimit bëhet i detyrueshëm pas kalimit të pjesës më të madhe të tij, e cila i jep fund edhe kohës së ndryshimit të nijjetit. Prandaj, nëse vepron në kundërshtim me këtë dhe e ndërpret agjërimin pas mesditës, ai obligohet me kaffarah duke ushqyer dhjetë të varfër; nëse nuk është në gjendje ta kryejë këtë, do të agjërojë për tri ditë.


Agjërimi shlyejtës (kaffarah):


Agjërimet shlyese janë disa llojesh. Mes tyre janë agjërimet e pendesës për vrasje pa dashje, agjërimet për shlyerje të betimit ose zotimit të shkelur dhe agjërime pendese për zihar. Këto agjërime kanë rregullat e tyre, të cilat diskutohen në kapitujt përkatës.


Këtu do të diskutojmë rregullat e zbatueshme mbi personin që agjëron kaffarah për të shlyer mosagjërimin e Ramazanit.


Shafi′itë, malikitë e hanefitë pohojnë se atij që i është bërë vaxhib agjërimi i dy muajve të njëpasnjëshëm për prishje të një agjërimi në Ramazan nuk i lejohet të humbasë as edhe një ditë gjatë këtyre dy muajve, pasi kjo do ua ndërpriste vazhdimësinë.


Ndaj nëse e ndërpret agjërimin, me ose pa arsye, ai duhet të agjërojë sërish për dy muaj pa ndërprerje.


Hanbelitë pohojnë: nëse humbet një agjërim me arsye, vazhdimësia nuk thyhet.


Imamitë pohojnë: për vazhdimësinë mjafton të agjërohet për një muaj të plotë dhe një ditë nga muaji tjetër. Paskëtaj, ai mund të kapërcejë ditë dhe pastaj të vazhdojë aty ku e ka lënë. Mirëpo nëse humbet një agjërim gjatë muajit të parë, pa arsye, ai duhet të fillojë sërish; por nëse kjo është bërë për ndonjë arsye të lejuar, si sëmundja ose menstruacionet, vazhdimësia nuk thyhet dhe ai/ajo do presë gjersa arsyeja largohet dhe do të rifillojë agjërimet.


Imamitë pohojnë më tej se ai që nuk mund të agjërojë për dy muaj ose të lëshojë një rob apo të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër, ka zgjedhjen: ose të agjërojë 18 ditë ose të japë sadakah sipas mundësisë. Nëse nuk mundet as kaq, ai mund të japë lëmoshë ose të agjërojë sa të mundet. Nëse këto i janë të pamundura, ai duhet të kërkojë falje nga Zoti i Madhërishëm.


Shafi′itë, malikitë dhe hanefitë pohojnë: nëse nuk mund të ofrojë asnjë formë kaffaraje, personi do të mbetet përgjegjës për atë gjersa të arrijë aftësinë për ta kryer, çka përbën rregullën e Sheri′atit për këtë rast.


Hanbelitë janë të opinionit që nëse ai nuk është në gjendje të japë kaffarah, detyrimi i tij resht, madje edhe në rast se aftësohet për këtë më vonë, atij nuk obligohet me asgjë. Shkollat pajtohen se numri i kaffarave do të jetë i barabartë me numrin e shkaqeve që i sjellin ato. Kështu, personi që ndërpret dy agjërime do të duhet të japë dy kaffara. Por nëse ha, pi ose kryen marrëdhënie seksuale disa herë në një ditë, hanefitë, malikitë dhe shafi′itë vërejnë: numri i kaffarave nuk do të rritet me rritjen e shkaqeve ndërprerëse, pavarësisht nga lloji i tyre.


Hanbelitë pohojnë: nëse në një ditë të vetme ndodhin disa shkelje që kërkojnë kaffarah dhe person jep kaffarah për shkeljen e parë të agjërimit përpara kryerjes së të dytës, ai do të japë kaffarah edhe për shkeljen e dytë, por nëse nuk ka dhënë kaffarah për shkeljen e parë përpara se të kryejë të dytën, atëherë mjafton një kaffarah e vetme.


Sipas imamive, nëse marrëdhënia seksuale përsëritet disa herë në një ditë të vetme, numri i kaffarave rritet gjithashtu përpjesëtimisht, por nëse personi ha ose pi disa herë, mjafton një kaffarah e vetme.


Agjërimet e ndaluara:


Me përjashtim të hanefive, të gjitha shkollat pajtohen se agjërimi në ditët e dy bajrameve (‘Id el-Fitr e ‘Id el-Adha) është i ndaluar (haram).


Hanefitë vërejnë: agjërimi në këto dy bajrame është mekruh shumë pranë haramit.


Imamitë vërejnë: agjërimi në ditët e Teshrikut ndalohet vetëm për ata që janë në Mina. Ditët e Teshrikut janë 11, 12 e 13 Dhu′l-Hixhxheh.


Shafi′itë janë të mendimit se agjërimi nuk vlen në ditët e Teshrikut, si për haxhinjtë, edhe për të tjerët.


Sipas hanbelive, është haram të agjërohet në këto ditë për ata që nuk kryejnë haxh, jo për haxhinjtë.


Hanefitë vërejnë: agjërimi në këto ditë është mekruh shumë pranë të qenit haram.


Malikitë pohojnë: është haram të agjërohet më 11 e 12 Dhu′l-Hixhxheh, për ata që nuk kryejnë haxhin, jo për haxhinjtë.


Të gjitha shkollat përveç hanefive pajtohen se agjërimi mustehhab i një gruaje që nuk ka marrë lejen e të shoqit është i pavlefshëm nëse interferon me plotësimin e cilësdo të drejte të tij. Hanefitë vërejnë: agjërimi i një gruaje pa lejen e të shoqit është mekruh, jo haram.


Ditët e dyshimta:


Ekziston njëzëshmëri mes shkollave se imsaku është detyrim për atë që nuk agjëron në një "ditë të dyshimtë" (jeum el-shakk), e cila më vonë del se ka qenë ditë e Ramazanit, dhe ai obligohet me kada′në e saj më vonë.


Lidhur me agjërimin në një ditë të dyshimtë, e cila më vonë merret vesh se ka qenë ditë e Ramazanit, ato dallojnë nëse kjo mjafton pa kërkuar kada′.


Shafi′itë, malikitë dhe hanbelitë vërejnë: ky agjërim nuk do të mjaftojë dhe kada′ja e tij është vaxhib.


Sipas hanefive, ai mjafton pa kërkuar kada′. Shumica e imamive pohojnë: kada′ja e tij nuk është vaxhib për atë, me përjashtim të rastit kur ai ka agjëruar me nijjetin e Ramazanit.


Agjërime të pëlqyeshme:


Agjërimi konsiderohet mustehabb në të gjitha ditët e vitit përveç atyre në të cilat është ndaluar. Por ka ditë në të cilat agjërimi është theksuar posaçërisht dhe ato përfshijnë tri ditë të çdo muaji, preferueshmërisht ditët me hënë (el-′ajjam el-bid), që janë datat 13, 14, 15 të çdo muaji hënor. Mes tyre është Dita e ‘Arafatit (9 Dhu′l-Hixhxheh).


Të theksuara janë gjithashtu ditët e muajve Rexheb dhe Sha′ban. Agjërimi të hënave dhe marteve është theksuar po ashtu. Ka edhe ditë të tjera, që janë përmendur në vepra më të hollësishme. Ekziston njëzëshmëri mes të gjitha shkollave juridike se agjërimi në këto ditë është mustehabb.


Agjërime të papëlqyeshme (mekrah):


Në veprën el-Fikh ‘ala el-medhahib el-′arba`ah shkruhet se është mekruh të ndahen të premtet dhe të shtunat për agjërim dhe po kështu Nouruzi (21 Marsi) – sipas të gjtiha shkollave, përveç shafi′ive, si dhe agjërimi në njërën ose dy ditët përpara Ramazanit.


Ndërsa në librat imami të fikhut është pohuar se përbën mekruh që miku të agjërojë pa lejen e pritësit, fëmija pa lejen e prindit, si dhe në rast dyshimi për hënën e re të Dhu′l-Hixhxhes, dhe mundësinë vijuese që dita është ajo e bajramit.


Dëshmia e hënës së re:


Ekziston njëzëshmëri e plotë mes muslimanëve se shikuesi i hënës së re është i detyruar të veprojë në përputhje me dijen e tij, qoftë ajo hëna e re e Ramazanit apo e Shevvalit. Ndaj, ai që ka shikuar të parën e ka vaxhib të agjërojë, edhe nësë të gjithë të tjerët nuk agjërojnë[2] e të përmbahet nga të agjëruarit kur e sheh të dytën, edhe nëse të gjithë mbi tokë agjërojnë, pavarësisht nëse vëzhguesi është ‘adil ose jo, burrë apo grua.


Shkollat dallojnë lidhur me pikat e mëposhtme:


1. Hanbelitë, malikitë dhe hanefitë pohojnë: nëse të shikuarit (ru′jeh) e hënës së re është konfirmuar në një rajon të caktuar, njerëzit e të gjitha rajoneve të tjera obligohen prej kësaj pavarësisht nga distanca mes tyre; dallimi në horizontin e hënës së re nuk ka ndikim.


Imamitë dhe shafi′itë pohojnë: nëse njerëzit e një vendi të caktuar e shohin hënën e re, ndërsa ata të një tjetri jo, kur këto vende janë pranë me horizont, të dytit do të ndjekin të parët, por jo nëse horizontet e tyre dallojnë.


2. Nëse hëna e re shihet gjatë ditës, qoftë para mesditës apo pas saj, më 30 Sha′ban, a do të konsiderohet ajo si dita e fundit e Sha′banit (me ç’rast, agjërimi në të nuk do të jetë vaxhib)? Po kështu, nëse hëna e re shihet gjatë ditës së 30të të Ramazanit, a do të llogaritet si ditë e Ramazanit apo e Shevvalit? Me fjalë të tjera, a do të llogaritet dita në të cilën vërehet hëna e re si: e muajit në kalim apo atij në vijim?


Imamitë, shafi′itë, malikitë dhe hanefitë vërejnë: ajo i përket muajit të kaluar e jo të ardhshmit. Për pasojë, është vaxhib të agjërohet në ditën vijuese në rastin e shikimit të saj në fund të Sha′banit dhe të ndërpritet agjërimi në rastin e shikimit të saj në fund të Ramazanit.


3. Shkollat pajtohen se hëna e re konfirmohet me shikim, sikurse tregohet në këtë hadith profetik:


“Agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndaloni kur ta rishihni!”


Ato dallojnë në lidhje me metodat e konfirmimit të saj. Imamitë vërejnë: ajo konfirmohet si për Ramazanin, ashtu edhe për Shevvalin me tevatur (pra dëshminë e një numri mjaftueshmërisht të lartë njerëzish, komploti i të cilëve për pohim të rremë është i pamundur), dhe nga dëshmia e dy burrave ‘adil, pavarësisht nëse qielli është i kthjellët ose me re dhe nëse i përkasin të njëjtit qytet apo dy qyteteve fqinje, me kusht që përshkrimet e tyre të mos jenë kundërthënëse. Dëshmia e grave, fëmijëve, burrave fasik dhe atyre me karakter të panjohur nuk pranohet.


Hanefitë bëjnë dallim ndërmjet hënave të reja të Ramazanit dhe Shevvalit, duke pohuar se: hëna e re e Ramazanit konfirmohet nga dëshmia e një burri të vetëm dhe një gruaje të vetme, me kusht që të jenë muslimanë dhe ‘adil. Hëna e re e Shevvalit konfirmohet vetëm me dëshminë e dy burrave ose të një burri dhe dy grave. Kjo në rastin kur qielli nuk është i kthjellët.


Kur është vranësirë - pavarësisht nëse bëhet fjalë për hënën e re të Ramazanit apo të Shevvalit - hëna e re konfirmohet vetëm me dëshminë e një numri të konsiderueshëm personash, raportimi i të cilëve sjell siguri.


Sipas shafi′ive, hëna e re e Ramazanit dhe Shevvalit konfirmohet nga dëshmia e një dëshmitari të vetëm, me kusht që ai/ajo të jetë musliman/e, mendëisht i/e shëndoshë dhe ‘adil/e. Gjendja e qiellit nuk ndikon.


Sipas malikive, hëna e re e Ramazanit dhe Shevvalit konfirmohet vetëm nga dëshmia e dy burrave ‘adil, pavarësisht nëse qielli është i kthjellët apo me re.


Hanbelitë pohojnë: hëna e re e Ramazanit konfirmohet nga dëshmia e një burri ose gruaje ‘adil/e, ndërsa ajo e Shevvalit vetëm me dëshminë e dy burrave ‘adil.


4. Me përjashtim të hanefive, ekziston njëzëshmëri mes shkollave që: nëse askush nuk pohon ta ketë parë hënën e re të Ramazanit, agjërimi do të jetë vaxhib pas datës 30 Sha′ban.


Sipas hanefive, agjërimi bëhet vaxhib pas ditës së njëzet e nëntë të Sha′banit. Sa i përket hënës së re të Shevvalit, hanefitë dhe malikitë vërejnë: nëse qielli është i vranët, tridhjetë ditë të Ramazanit duhen plotësuar dhe ndërprerja (iftar) do të jetë vaxhib ditën e ardhshme.


Por nëse qielli është i kthjellët, agjërimi pas datës 30 është vaxhib duke hedhur poshtë dëshminë e mëparshme të atyre që kanë konfirmuar ditën e parë të Ramazanit, pavarësisht nga numri i tyre. S


hafi′itë e konsiderojnë iftarin vaxhib pas tridhjetë ditëve, edhe sikur fillimi i Ramazanit të jetë konfirmuar nga dëshmia e një personi të vetëm, pavarësisht nëse qielli është i vranët apo i kthjellët.


Sipas hanbelive, nëse fillimi i Ramazanit është konfirmuar nga dëshmia e dy burrave ‘adil, iftari pas ditës së tridhjetë është vaxhib, dhe nëse është konfirmuar nga dëshmia e një ‘adili të vetëm, është vaxhib të agjërohet edhe në ditën e tridhjetë e njëtë.


Sipas Imamive, edhe Ramazani edhe Shevvali konfirmohen pas plotësimit të tridhjetë ditëve, pavarësisht nga të qenit e qiellit i vranët apo i kthjellët, me kusht që fillimi i tij të jetë konfirmuar në një mënyrë të miratuar nga Sheri‘ati.


Hëna e re dhe astronomia:


Këtë vit (1960), qeveritë e Pakistanit dhe Tunizisë kanë vendosur të mbështeten në opinionin e astronomëve për konfirmimin e hënës së re, për t’i dhënë fund konfuzionit [3] dhe paleverdisë së përgjithshme që sjell mosnjohja paraprake e ditës së Bajramit, e cila herë vjen befas e herë shtyhet, megjithë tërë ato përgatitje.


Ky vendim i dy qeverive është bërë çështje debati të nxehtë në qarqet fetare. Protagonistët e ndryshimit vërejnë se nuk ka asgjë në fe që të kundërshtojë mbështetjen në opinionin e astronomëve; përkundrazi, një gjë e tillë mbështetet nga ajeti 16 i Sures en-Nahl:  


...Dhe shenja të tjera (ditën); ndërsa (natën) orientohen përmes yjeve


Kundërshtuesit thonë: ky vendim i bie ndesh hadithit të lartpërmendur profetik:


“Agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndaloni kur ta rishihni!”


Kjo sepse fjala ru′jeh (shikim) nënkupton të shikuarit e hënës me sy, që ishte praktikë e zakonshme për njerëzit në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s).


Sa i përket përdorimit të teleskopit ose mbështetjes në llogaritje astronomike, ato janë të papërputhshme me kuptimin e fjalëpërfjaltë të hadithit, theksojnë ata.


Në të vërtetë, asnjëra palë nuk ka parashtruar arsye të shëndosha, sepse ‘udhëzim nga yjet’ nënkupton përcaktimin e rrugëve tokësore dhe detare me ndihmën e yjeve e jo përcaktimin e ditëve të muajit dhe hënës së re.


Sa i përket hadithit, ai nuk i bie ndesh dijes së saktë shkencore, sepse ‘të shikuarit’ është mjet i arritjes së dijes e jo qëllim më vete, siç është dhe rasti me çdo mjet që ndihmon në konfirmimin e fakteve.


Por, sipas mendimit tonë, gjykimet e astronomëve nuk shpiejnë në dituri të sigurtë e as nuk i heqin të gjitha dyshimet, siç është rasti me shikimin, sepse gjykimet e tyre mbështeten në probabilitet e jo në siguri.


Kjo është e qartë nga gjykimet e tyre divergjuese mbi netët e hënës së re, kohën e lindjes së saj dhe periudhën gjatë së cilës ajo rri (mbi horizont). Në ardhtë koha që astronomët të arrijnë dije të saktë dhe të mjaftueshme shkencore, në mënyrë që të ekzistojë njëzëshmëri mes tyre dhe ata vërtetohen se kanë të drejtë vazhdimisht, në atë shkallë sa parashikimet e tyre bëhen gjë e sigurtë sikurse ditët e javës, atëherë do të jetë e mundur të mbështetemi tek ata.


Madje, atëherë do të jetë e detyrueshme të ndiqen gjykimet e tyre dhe të refuzohet gjithçka që u bie ndesh atyre.[4]


SHËNIME:


[1] Afërsisht 800 gramë miell ose diçka e ngjashme me të. [2] Mirëpo hanefitë vërejnë: nëse ai dëshmon përpara një kadiu që ia hedh poshtë dëshminë, ai e ka vaxhib të kryejë kada′në e tij pa u ngarkuar me kaffarah (el-Fikh ‘ala el-medhahib el-′arba`ah). [3] Më 1939, Kurban Bajrami u festua të hënën në Egjipt, të Martën në Arabinë Saudite dhe të mërkurën në Bombei. [4] Drejtojuni shtjellimit të kësaj çështjeje në vëllimin e parë të librit tonë Fikh el-Imam Xha‘fer es-Sadik, seksioni i provës së hënës së re në fund të kreut të agjërimit.