Mëshira e Zotit nëpërmjet agjërimit
Husejn Ensarijan
28.05.2017

 


PËRMBAJTJA:
Tiparet e veçanta të agjërimit
Urtësia që fshihet pas agjërimit
Dobitë e agjërimit
Pozita e lartë e atyre që agjërojnë                


 


Hyrje


Ndonëse të gjithë aktet e adhurimit (ar. ibadat)  që bëhen me sinqeritet e fitojnë mëshirën e Zotit, agjërimi ka një vend të veçantë në arritjen e mëshirës. Agjërimi nuk është praktikuar vetëm nga muslimanët, por edhe nga ndjekësit e feve të mëparshme. Dyert e mëshirës janë të hapura përgjatë muajit të agjërimit.


Përgjatë këtij muaji, muslimanët rreth e përqark botës abstenojnë nga ushqimi, pija, dhe nga nevojat e tjera fizike gjatë ditës. Përtej kësaj, kjo periudhë është edhe një kohë për të arritur afërsi me Zotin, duke e dëlirur shpirtin dhe duke përfituar nga mëshira e Tij nëpërmjet adhurimit dhe veprave të mira. Ky artikull e shpjegon mëshirën e Zotit gjatë këtij muaji të bekuar, duke e përshkruar urtësinë dhe dobinë e agjërimit, si dhe pozitën që e arrijnë ata që agjërojnë.


 


Tiparet e veçanta të agjërimit


Ekzistojnë dy elemente që e dallojnë agjërimin nga aktet e tjera të adhurimit:



  1. Agjërimi nuk është i veçantë për Islamin: edhe fetë e mëparshme e kanë paraparë agjërimin si një akt adhurimi. Mes tjerash, Teurati përcjell se Musa (a.s.) ka agjëruar për dyzet ditë.

  2. Ramazani, si muaj i agjërimit, është përshkruar nga imamët tanë si një muaj, në të cilin dyert e mëshirës janë të hapura.


Çdo vit, kur afrohej muaji i Ramazanit, i Dërguari (s.a.a.) thoshte: “O muslimanë, me lindjen e hënës së re të muajit të Ramazanit, ushtarët e djallit do të lidhen dhe dyert e qiejve e të mëshirës do të hapen.” Përgjatë ditëve të fundit të muajit Sha’ban, ai thoshte: “O njerëz, muaji i Zotit erdhi tek ju me bekime, mëshirë dhe falje.”


Bekimet e Zotit janë dy llojesh:


a)             Bekimi që krijon tek ne aftësinë për t’u rritur dhe për ta përsosur vetveten, duke e mbjellë brenda nesh prirjen për dëlirësi dhe për sjellje në përshtatshmëri me normat hyjnore:


Po të mos ishte bekimi dhe mëshira e Zotit, askush nuk do të dëlirej prej jush, por Zoti e dëlir atë që do. (Kur’an, 24:21)


b)            Mëshira që u jepet njerëzve në këmbim të veprave të tyre të mira dhe adhurimit. Bashkë me ndihmën për të varfrit, agjërimi është një nga veprat më të mira për ta fituar këtë lloj bekimi.


Një nga përparësitë më të vogla të agjërimit është ndikimi i tij në shëndetin tonë fizik. Ai i jep trupit tonë një pushim për ta rimarrë veten dhe e rivendos baraspeshën e tij kimike. Shumë sëmundje mund të shërohen nëpërmjet agjërimit, ndaj i Dërguari i Zotit (s.a.a.) ka thënë: “Agjëroni dhe shërohuni”.


Për më tepër, nëpërmjet agjërimit, një person i përgjigjet thirrjes së Zotit. Zoti na do dhe për hir të dashurisë e të mëshirës së Tij, dëshiron të na ndihmojë në sfidat tona shpirtërore dhe emocionale, duke na bërë thirrje në forma të ndryshme, siç tregon edhe Kur’ani. Mes këtyre thirrjeve është edhe thirrja për falje. Në vargun e dhjetë të kapitullit Ibrahim, thuhet:


Ai (Zoti) ju thërret për t’jua falur mëkatet dhe ju jep kohë... (Kur’an, 14:10)


 


Kjo nënkupton se njeriu duhet të bëjë diçka për ta merituar këtë falje.


Por si mund t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje? Një nga mënyrat është që të merremi me adhurime (ibadet). Gjatë natës së miraxhit, Profeti (s.a.a.) e pyeti Zotin se cila ishte vepra e parë e adhurimit, me çfarë Zoti u përgjigj: “Është heshtja dhe agjërimi.


Pastaj Profeti (s.a.a.) pyeti rreth rezultateve të agjërimit dhe Zoti u përgjigj: “Agjërimi sjell urtësi, urtësia sjell vetëdijesim, dhe vetëdijesimi bindje. Kur një njeri e arrin bindjen, më nuk ka rëndësi se si kalojnë netët dhe ditët, me vështirësi a me lehtësi”.


Ndoshta kjo është arsyeja pse Zoti e veçon agjërimin, duke thënë se i takon Atij dhe se Ai vetë do të jetë shpërblimi i agjërimit. Njësoj siç i takon Zotit çdo cep i tokës, por Qabeja ka epërsi, po kështu, ndonëse të gjithë muajt janë të veçantë, Ramazani konsiderohet muaji i Zotit.


Ka dy arsye përse agjërimi ka përparësi karshi akteve të tjera të adhurimit:


1)            Për shkak të natyrës së tij, agjërimi mund të bëhet vetëm me sinqeritet. Ndryshe nga aktet e tjera të adhurimit që mund të bëhen para njerëzve, cikli i agjërimit është aq i gjatë sa, të paktën në një pjesë të tij, njeriu domosdo do të jetë vetëm. 


Nëse një person ka për qëllim të duket si agjërues para të tjerëve, ai mund të mos hajë para njerëzve dhe të hajë pastaj në fshehtësi, me çfarë nuk ka vlerë agjërimi i tij. Prandaj, një person që e çon deri në fund agjërimin e tij, për vetë faktin se e bënë këtë edhe në vetmi ku nuk ka vëzhgues tjetër veç Zotit, dëshmon se e ka bërë për hir të Zotit. Imam Aliu (s.a.a.) thotë: “Zoti e bëri agjërimin të detyrueshëm, që ta vlerësonte pastërtinë e qëllimit (ar. ikhlas) të njerëzve.”


2)            Agjërimi e çarmatos edhe djallin, armikun tonë më të ligë, dhe e bën më të lehtë afrimin me Zotin. Djalli zakonisht gjen rrugë për te njeriu nëpërmjet epshit tonë që fuqizohet nga ushqimi dhe të bredhurit pas dëshirave të tjera të kësaj bote. Djalli i përdor ato për të na shpërqendruar nga qëllimet tona më të larta, me çfarë zemrat e tona gradualisht bëhen foleja e tij. Megjithatë, agjërimi na jep një shkëputje nga dëshirat tona, një mundësi për ta përforcuar vullnetin tonë, dhe na ndihmon të përqendrohemi në aspektet më të rëndësishme të jetës. Një njeri që agjëron është në gjendje aq të mirë, saqë mund lehtësisht t’i braktisë tundimet dhe ta shijojë përkujtimin (dhikrin) e Zotit.


 


Urtësia që fshihet pas agjërimit


Kur Imam Sadiku (a.s.) u pyet rreth urtësisë që fshihet pas agjërimit, ai u përgjigj: “Zoti e bëri agjërimin të detyrueshëm, që të varfrit dhe të pasurit të ishin të njëjtë. Kjo është kështu, sepse i pasuri nuk e ndien dhimbjen e urisë që të mund ta kuptojë dhe të tregojë mëshirë ndaj të varfrit. Kurdo që dëshiron një gjë, ajo është e qasshme për të. Zoti deshi që të gjitha krijesat e Tija të ishin të barabarta, pra i pasuri ta ndijonte dhimbjen e urisë, që të ishte i butë me të dobëtin dhe të kishte mëshirë për të varfrit.”


Ekziston një dallim thelbësor ndërmjet njohjes dhe përjetimit të një gjëje. Të pasurit e dinë se ka njerëz të uritur, por duhet të agjërojnë që ta përjetojnë urinë e vërtetë. Për më tepër, kjo uri ua përkujton, edhe të pasurve edhe të varfërve, urinë dhe etjen në Ditën e Ringjalljes, një përkujtues që mund të ketë një ndikim të fuqishëm mbi shpirtin e një personi. Për më tepër, njeriu e ndien dobësinë e vete karshi Zotit dhe, me këtë, bëhet më i përulur para Tij.


Dobitë e agjërimit



  1. Qasje tek të fshehtat


Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Zoti i ka vendosur pesë pasoja tek pesë shkaqe: respektin tek bindja, poshtërimin tek mosbindja, urtësinë dhe diturinë tek uria, madhështinë tek namazi i natës, dhe pasurinë tek të qenit i kënaqur me atë që ke.”


Uria (ose agjërimi) thuhet se është vendi ku fshihet urtësia, nëpërmjet të cilës një njeri mund ta arrijë diturinë. Në një hadith tjetër, Imam Aliu (a.s.) thotë se habitet me një njeri që mundohet të kërkojë dituri, teksa barkun e ka plot.



  1. Largimi i djallit


Njëherë Profeti (s.a.a.) i pyeti shokët e tij: “A dëshironi t’jua tregoj një vepër, të cilën nëse e kryeni, do ta largoni djallin prej vetes sa është larg lindja nga perëndimi?” Kur të gjithë shfaqën interes, ai përmendi tre vepra: të duash për hir të Zotit, të japësh lëmoshë dhe të agjërosh. Siç ka thënë Profeti (s.a.a.): “Agjërimi është një mburojë kundër zjarrit të ferrit.”



  1. Ta fituarit e mëshirës dhe dashurisë së Zotit


Sipas Profetit (s.a.a.), Zotit i pëlqen kur njerëzit e pakësojnë të folurën, ngrënien e gjumin, dhe nuk i pëlqen kur hanë, flasin e flenë tepër. I Dërguari (s.a.a.) gjithashtu ka thënë se Zoti nuk urren asgjë më shumë se një bark të mbushur plot.


Normalisht, gjatë muajit të Ramazanit e kemi më të mundur që të arrijmë të pendohemi, ta dëlirim vetveten, t’i ndihmojmë të tjerët dhe të jemi të durueshëm, sepse këto janë veprat me të cilat e fitojmë dashurinë e Zotit. Atëherë, nuk duhet të na befasojë nëse Zoti cakton një grup engjëjsh që të kujdesen për ata që agjërojnë.


Imam Sadiku (a.s.) ka thënë:


Atij që agjëron në vapën e ditës për hir të Zotit dhe e duron etjen dhe urinë, Zoti i cakton njëmijë engjëj që ta përkëdhelin me dashuri e t’i japin myzhde se kur ta përfundojë agjërimin, Zoti do të thotë: “O engjëjt e Mi! Bëhuni dëshmitarë se Unë e kam falur!”


Në një rast tjetër, prej Imam Sadikut (a.s.) përcillet thënia në vijim: “Ekzistojnë dy çaste kënaqësie për një agjërues: një është kur mbaron dita dhe ai e përfundon agjërimin, dhe tjetri kur ta takojë Zotin e tij.”



  1. Shpërblim i bollshëm


Shpërblimi që e arrijmë nëpërmjet agjërimit është aq i madh sa, nuk mund të krahasohet me vështirësitë që përjeton njeriu teksa u shmanget dëshirave të veta për disa çaste. Shpërblimi që jepet për agjërimin është më shumë se ai i veprave të tjera të adhurimit. Sipas një hadithi kudsijj, Zoti thotë:


Çdo vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish ose qindfish më shumë, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë jam shpërblimi i tij.


Agjërimi është edhe shembulli më i mirë i durimit. Imam Sadiku (a.s.) e ka interpretuar si agjërim shprehjen durim që përmendet në vargun “dhe kërkoni ndihmë me durim e me namaz” (Kur’an, 2:45). Kur durimi interpretohet si agjërim, shpërblimi i caktuar për durimtarët jepet edhe për agjërimin:


Durimtarët do të shpërblehen pa kufi. (Kur’an, 39:10)


Ndonëse e tërë qenia jonë është nga Zoti dhe ne arrijmë të agjërojmë vetëm falë ndihmës së Tij, Zoti është prapë i dashur deri në skajshmëri dhe e çmon aq shumë agjërimin tonë, sa agjëruesi shpërblehet për secilën frymë që merr dhe, madje, edhe për çdo çast që kalon në gjumë. Profeti (s.a.a.) ka thënë:


Atij që vullnetarisht e agjëron një ditë, edhe sikur t’i jepet ar sa e gjithë bota, nuk do ta ketë marrë shpërblimin e plotë, i cili do t’i plotësohet vetëm në ditën e gjykimit.


 


Pozita e lartë e atyre që agjërojnë


Burimi më i madh i lumturisë për besimtarët është kur Zoti i pranon dhe i do ata. Agjërimi e hap një derë drejt dashurisë së Zotit dhe i bekon njerëzit me vëmendjen e Tij. Profeti (s.a.a.) ka thënë: “Vërtet Zoti ka caktuar engjëj që të luten për ata që agjërojnë.”


Në një transmetim tjetër, përcillet se Profeti (s.a.a.) ka thënë se kur engjëj caktohen për t’u lutur për një njeri, lutjet e tyre do të pranohen pa dyshim. I Dërguari (s.a.a.) ka thënë gjithashtu: “Betohem në Atë që ka në dorë jetën time, se ndryshimi në erën e gojës së një personi që agjëron është më i pëlqyeshëm për Zotin se era e parfumit.”


Pa dyshim, Zoti do të tregojë më tepër mëshirë për një person që, për një kohë të caktuar, heq dorë nga dëshirat e veta për hir të Zotit dhe e nënshtron vullnetin e tij karshi vullnetit të Zotit. Imam Aliu (a.s.) thotë: “Kur një njeri agjëron, edhe gjumi i tij është adhurim, heshtja e tij është madhërim i Zotit (ar. tesbih), lutjet e tija plotësohen dhe veprat e tija shpërblehen dyfish. Dhe nuk ka dyshim se lutjet e tija kur ta përfundojë agjërimin do të plotësohen.”


I Dërguari (s.a.a.) ka thënë: “Vërtet, ka një derë të veçantë në parajsë, që quhet Rejjan. Nëpër të do të hyjnë vetëm ata që agjërojnë”


Agjërimi, pra, ka shumë përfitime. Ai na bën të përballemi më fuqishëm me vështirësitë dhe na bën njerëz më të mirë, që e meritojnë dashurinë dhe mëshirën e Zotit. Kjo është arsyeja përse agjërimi është konsideruar si një nga veprat më të mira në të gjitha fetë.