PËRMBAJTJA
Preludi i luftës
Beteja e Basrës (Beteja e Devesë)
Transferimi i kryeqytetit nga Medineja në Kufe
59. Preludi luftës
Siç u tha edhe më sipër, guvernatorët e Aliut nuk arritën të hynin në Siri dhe në Kufe për shkak të kundërshtimeve të guvernatorëve të Osmanit që gjendeshin atje. Por Siria dhe Kufeja nuk ishin qendrat e vetme të trazirave. Edhe në vetë Medinen ishin shfaqur probleme, të cilat mund ta rrezikonin sigurinë e Shtetit. Andaj, Aliu u detyrua që ta shtynte për një kohë zgjidhjen e problemeve nëpër provinca.
Siç thamë, kur Aliu e mori postin e Kalifit të myslimanëve, dy nga njerëzit më me ndikim në Medine, Talha ibn Ubejdullahu dhe Zubejr bin Avvami, ishin të parët që ia shprehën besnikërinë. Që të dy, si shumë të tjerë, ishin pasuruar mjaft gjatë sundimit të tre Kalifëve para Aliut. Ata u bënë gjithë më të pasur dhe tani, me ardhjen e Aliut në fron, dëshironin të bëheshin guvernatorë të Kufes dhe të Basrës. Kur ia shprehnin besnikërinë Aliut, ata shpresonin fshehurazi se Aliu, si një falënderim për besnikërinë e tyre, do t’i emëronte në këto poste. Por Aliu zgjodhi njerëz të tjerë dhe nuk u dha atyre asgjë. Kjo i dëshpëroi mjaft që të dy. Ndonëse mbetën të pezmatuar, ata nuk e shprehën hapur zemërimin e tyre dhe si njerëz pragmatikë që ishin, vendosën të vepronin.
Talhaja dhe Zubejri bënë një plan për t’iu shmangur Aliut. Ata shkuan tek Aliu dhe i thanë se do të shkonin në Mekke për të bërë Umre. Por sapo arritën në Mekke, këta dy veteranë të Islamit e thyen betimin e tyre për besnikëri ndaj Aliut dhe thanë se ishin betuar për besnikëri me shumë pikëpyetje në kokë. Në këtë kohë, Aisheja, e bija e Ebu Bekrit dhe njëra nga të vejat e Profetit, ishte gjithashtu në Mekke. Ajo e kishte kryer haxhin por nuk ishte kthyer në Medine me të dëgjuar se Aliu ishte bërë Kalif. Ajo shpalli se do të kërkonte hakmarrje për vrasjen e Osmanit. Tek Talhaja dhe Zubejri, ajo gjeti përkrahës për këtë “sipërmarrje” të saj. Kështu u krijua treshja e përbërë nga Aisheja, Talhaja dhe Zubejri, e cila do të përballej me Aliun, pasardhësin e Muhammedit dhe sovranin legjitim të myslimanëve. Boshti i kësaj tresheje s’ishte tjetër veçse antipatia ndaj Aliut.
Një përshkrim i shkurtër i secilit pjesëtar të “treshes” do të ishte i dobishëm për t’i kuptuar ndodhitë që sollën deri në këtë luftë civile.
Talha bin Ubejdullah
Ubejdullahu (babai i Talhasë) dhe Ebu Kuhafeja, babai i Ebu Bekrit, ishin vëllezër. Nëna e Talhasë ishte e bija e Hadhramit dhe babai i tij Ubejdullahu, ishte burri i saj i dytë. Për një kohë të shkurtër, ajo kishte qenë edhe e shoqja e Ebu Sufjanit, i cili ishte divorcuar prej saj më pas.
Talhaja u martua me Umm Kulthumin, të bijën e Ebu Bekrit dhe kjo e bënte atë një kunat të Aishes. Kur Ebu Bekri e emëroi Umarin si pasardhës, Talhaja kundërshtoi ashpër dhe ia tërhoqi vëmendjen drejt ashpërsisë së Umarit. Më pas, kur vetë Umari ishte duke vdekur, ai e bëri Talhanë pjesëtar të këshillit zgjedhës.
Talhaja e theu premtimin që ia kishte dhënë Aliut sepse ky i fundit nuk e bëri guvernator të Basrës. Me shumë gjasa, edhe kundërshtimet e tija ndaj Osmanit ishin të motivuara nga e njëjta gjë. Historiani arab Balad’huriu, në veprën e tij “Enseb’ul-Eshref”, në faqen 113 të vëllimit të parë, shkruan:
“Në mesin e shokëve të Profetit kishte pak njerëz që i nxisnin njerëzit kundër Osmanit aq sa Talhaja..”.
Kur pallati i Osmanit u rrethua nga rebelët, ishte Talhaja që nuk u lejoi skllevërve të Osmanit t’i sillnin ujë. Natën, ai hidhte shigjeta drejt pallatit të tij dhe Osmani e dinte këtë gjë. Taberiu thotë:
Osmani shpesh lutej: “O Zot! Më mbro nga e liga që Talhaja mund të ma bëjë. Ai është personi që i nxit njerëzit kundër meje dhe ai bëri që të më rrethohej shtëpia. (“Historia”, vëll. 3, fq. 411).
Urrejtja e Talhasë për Osmanin duhet të ketë qenë shumë e madhe. Reagimet e tija ndaj Osmanit nuk morën fund as me vdekjen e këtij të fundit. Ai urdhëroi që të goditej me gurë arkivoli i Osmanit dhe personat që e mbanin atë. Osmanit nuk iu lejua që të varrosej në varrezën myslimane. Si pasojë, ai u varros në varrezën e hebrenjve.
Zubejr bin Avvami
Nëna e Zubejrit ishte Safijeja, e bija e Abd’ul-Muttalib bin Hashimit. Ajo, pra, ishte halla e Muhammedit dhe e Aliut.
Edhe Zubejri u martua me njërën nga vajzat e Ebu Bekrit dhe kjo e bënte edhe atë një kunat të Aishes. Njësoj si Talhaja, edhe ai e kundërshtoi vjehrrin e tij kur ky i fundit e emëroi Umarin si pasardhës të vetin. Dhe kur Umari po vdiste, ai e emëroi edhe Zubejrin si pjesëtar të këshillit zgjedhës. Në veprën “Tabakaat”, Ibn Saadi thotë se edhe Zubejri ishte shumë i pasur, njësoj si Talhaja.
Zubejri e ndante me Talhanë dëshirën për pasuri dhe ambicien për pushtet politik. Ai shpresonte se Aliu do ta trajtonte njësoj siç i kishte trajtuar Osmani kushërinjtë e tij dhe se do ta bënte guvernator të ndonjë province. Në fund të fundit, ai ishte kushëriri i Aliut.
Por Aliu nuk kishte ndërmend të sillej me Zubejrin si ishte sjellë Osmani me kushërinjtë e tij. Kur Zubejrit s’i mbeti kurrfarë dyshimi se Aliu nuk do ta emëronte si guvernator, ai e theu premtimin për besnikëri dhe u rebelua kundër tij.
Njësoj si Talhaja, edhe Zubejri e urrente Osmanin dhe i nxiste njerëzit kundër tij. Ibn Kutejbeja, një historian arab, thotë se disa ditë pas ardhjes në pushtet të Aliut, Talhaja dhe Zubejri erdhën për ta parë dhe mes tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Talhaja dhe Zubejri: A e di përse t’u betuam për besnikëri?
Aliu: Për arsyen e njëjtë, për të cilën myslimanët e tjerë m’u bindën.
Talhaja dhe Zubejri: Jo! Ne ta shprehëm besnikërinë me shpresën se ti do ta shpërbleje këtë gjest tonin, duke nga dhënë një hise në qeverisjen tënde. Në fund të fundit, me përkrahjen tonë ti u bëre Kalif.
Aliu: E shumta, unë mund të konsultohem me ju në çështjet e qeverisjes por nuk ekziston një “hise” për ju në qeverisje.
Talhaja dhe Zubejri u dëshpëruan thellë nga refuzimi i Aliut për ta ndarë fuqinë me ta dhe komenti i tyre pas këtij takimi ishte:
Talhaja: Në Medine janë tre pjesëtarë të këshillit zgjedhës. Njëri prej tyre (Saadi) nuk ia shprehu besnikërinë Aliut. Por unë dhe Zubejri e bëmë këtë gjë. Ne dy i mundësuam të bëhej Kalif dhe ai tani ka harruar se ç’kemi bërë për të.
Zubejri: Ne i mblodhëm rrethuesit e Osmanit dhe ne e dënuam atë, të gjitha për hir të Aliut. Në këtë kohë, Aliu qëndroi në shtëpi. Pastaj, me ndihmën tonë u bë Kalif. Por menjëherë pasi e mori Kalifatin, ai i harroi shërbimet tona dhe të gjitha postet ua dha njerëzve të tjerë.
Fjalët e tyre arritën deri tek Aliu. Ai e thirri Abdullah ibn Abbasin dhe i kërkoi një këshillë për këtë rast. Në veprën “Kitab’ul-Imama ve’s-sijasa”, përcillet se Abdullah ibn Abbasi tha:
“Për mendimin tim, ti duhet ta emërosh Talhanë si guvernator të Basrës dhe Zubejrin si guvernator të Kufes. Kjo do t’i kënaqë dhe do t’i heshtë që të dy”.
Aliu heshti për një çast për të menduar në lidhje me këshillën e kushëririt të tij dhe më pas tha: “Nuk pajtohem me ty në lidhje me këtë. Unë i njoh mirë që të dy. Po t’i bëj guvernatorë, tirania, shtypja dhe shfrytëzimi do të përhapen në Basra e në Kufe dhe sërish do të lartësohen klithmat e të shtypurve. Po t’i bëj guvernatorë njerëzit si Talhaja dhe Zubejri, atëherë do të duhet të lejoj që edhe Muavije të mbetet guvernator i Sirisë”.
Më tej, Ibn Kutejbe shkruan:
“Amr bin As, Talha dhe Zubejri ishin të parët që e kritikuan hapur Osmanin. Ata ishin të parët që u kërkuan njerëzve ta vrisnin atë. Talhaja dhe Zubejri ishin të parët që ia shprehën besnikërinë Aliut dhe të parët që e thyen premtimin e tyre”.
Qëkur Umari i kishte caktuar për këshillin zgjedhës, Talhaja dhe Zubejri kishin ushqyer ambicie për t’u bërë Kalif. Në vend të tyre, Abdurrahmani e kishte bërë Osmanin Kalif.
Një mundësi e dytë erdhi menjëherë pas vdekjes së Osmanit. Por kësaj radhe ata e ndjenin se myslimanët nuk i donin. Ata kuptuan se pavarësisht se ç’do të bënin, myslimanët nuk do ta pranonin ndonjërin prej tyre si Kalif. Gjithkush në Medine e kishte parë sjelljen e tyre ndaj Osmanit gjatë rrethimit të pallatit të këtij të fundit.
Talhaja dhe Zubejri gjithashtu panë se nuk ishte Aliu që përpiqej të ngjitej në pushtet por ishin vetë myslimanët që përpiqeshin ta vendosnin atë në postin e Kalifit. Zgjedhja e Aliut si Kalif ishte një proces spontan dhe rezistenca e vetme kundër këtij procesi ishte nga vetë Aliu. Talhaja dhe Zubejri e dinin gjithashtu se sikur të mos ia shprehnin besnikërinë Aliut, do të dukeshin tepër të dyshimtë. Duke mos dashur një gjë të tillë, ata ia shprehën Aliut besnikërinë.
Duke parë se Kalifati u kishte rrëshqitur nga duart, Talhaja dhe Zubejri vendosën se të qenit guvernatorë të Basrës e të Kufes respektivisht, do të ishte një dhuratë e mjaftueshme ngushëlluese për ta. Ata shpresonin se Aliu nuk do ta shpërfillte statusin e tyre të lartë në shoqëri, si pjesëtarë të këshillit zgjedhës që kishin qenë. Ata gjithashtu mendonin se Aliu nuk do të mundej ta shpërfillte prestigjin dhe ndikimin që kishin në Basra dhe në Kufe. Por Aliu nuk ndikohej fare nga statusi e nga prestigji i tyre dhe nuk ua dha postet e kërkuara në Basra dhe në Kufe. Talhaja dhe Zubejri kuptuan se Medineja ishte një tokë shterrpë për ambiciet e tyre. Andaj vendosën që të shkonin në Mekke dhe të provonin atje. Aliu nuk bëri asgjë për t’i ndalur. Të dy u nisën nga Medineja me tradhti në zemrat e tyre. Sikur Aliu t’i kishte emëruar për guvernatorë të Basrës dhe të Kufes, ata do t’i përforconin pozitat e tyre në këto vende dhe do ta tërhiqnin premtimin për besnikëri ndaj pushtetit qendror. Në këto rrethana, shoqëria do të ishte e sunduar nga katër sundues të ndryshëm dhe armiqësorë me njëri-tjetrin. Talhaja në Basra, Zubejri në Kufe, Muavije në Siri dhe Aliu në Hixhaz. Në një luftë potenciale civile të këtyre katër sunduesve, Shteti Islam do të ishte mbytur në anarki dhe sërish do të ishte kthyer në “qeverisjen” e fiseve arabe si në kohën e Injorancës. Ishte pikërisht vizioni dhe gjenialiteti i Aliut që e shpëtoi Islamin nga një katastrofë e tillë.
Është shumë e qartë se vendimet qeveritare zakonisht përpilohen në bazë të shtypjeve të grupeve të ndryshme të interesit. Talhaja, Zubejri dhe përkrahësit e tyre formonin pikërisht një grup të tillë. Ata krijuan shtypje por kur kjo shtypje e tyre u përball me rezistencë, ata iu drejtuan luftës.
Aisheja, e bija e Ebu Bekrit
Aisheja ishte e bija e Ebu Bekrit, Kalifit të parë të myslimanëve. Ajo u lind katër vite pasi Profeti i Islamit e kishte shpallur misionin e tij dhe ishte 9 vjeçe kur u kurorëzua me të. Ajo ishte gruaja e tij e tretë. Ngase nuk lindi një fëmijë, ajo e adoptoi Abdullah ibn Zubejrin, djalin e motrës së saj. Pikërisht për këtë arsye, ajo u njoh edhe si “nëna e Abdullahut” (Ummu Abdullah).
Aisheja ishte e pranishme në betejën e Uhudit. Buhariu përcjell nga Enesi se ai e kishte parë Aishen dhe Umm Selemen duke sjellë ujë për ushtarët e plagosur.
Aisheja e urrente Aliun. Madje e urrente aq shumë sa nuk kishte dëshirë as t’ia përmendte emrin. Buhariu e përcjell ndodhinë në vijim:
Aisheja thotë: kur të Dërguarit të Zotit iu përkeqësua gjendja, ai kërkoi leje nga gratë e tjera që të sillej në dhomën time dhe unë të kujdesesha unë për të. Atë ditë ishte në dhomën e Mejmunes. Ngase nuk kishte fuqi për të ecur, ai u soll nga dy burra, të cilët i ndihmuan deri në dhomë. Njëri prej tyre ishte Abdullah ibn Abbasi.
Ky rrëfim i Aishes iu përcoll Abdullah ibn Abbasit dhe ai tha se njeriu tjetër që e kishte ndihmuar të Dërguarin deri tek dhoma e Aishes kishte qenë Aliu.
Historianët janë përpjekur ta zbulojnë arsyen e urrejtjes së Aishes ndaj Aliut. Një arsye e mundshme supozohet se ishte rasti i “shpifjes” që ndodhi në vitin e gjashtë pas Hixhrit. Kur ushtria medinase po kthehej nga ekspedita e Beni Mustalikut, Aisheja, e cila e kishte shoqëruar të Dërguarin, aksidentalisht mbeti prapa karvanit. Më vonë, ajo u shfaq sërish mbi devenë e një njeriu tjetër. Ky rast bëri që njerëzit të fillonin të flisnin fjalë të ndryshme, gjë që i shkaktoi shumë vuajtje të Dërguarit. Thuhet se në lidhje me këtë, i Dërguari u konsultua me Usame bin Zejdin dhe me Ali ibn Ebu Talibin. Usameja i tha se Aisheja ishte krejtësisht e pafajshme por Aliu i tha se nuk ishte fare e nevojshme të duronte probleme të tilla sepse mundej fare lehtë të ndahej prej saj dhe të martohej me gra të tjera.
Aisheja gjithashtu pretendonte se Aliu e kishte rrahur një robëreshë të sajën për ta kuptuar të vërtetën. Profeti ishte akoma duke u lodhur me këtë punë, kur erdhi një shpallje e re nga Zoti, e cila vërtetonte se Aisheja ishte e pafajshme. Pafajësia e saj u pranua dhe ky incident u mbyll.
Ndonëse ky rast u përmbyll në mënyrë të lumtur për Aishen, ajo kurrë nuk e fali Aliun për këtë këshillë, të cilën thuhej se ai ia dha Muhammedit. Nëse vërtet Aliu i dha një këshillë të tillë Muhammedit, ai s’bëri tjetër veçse e parafrazoi vargun e pestë të kapitullit 66 të Kur’anit, ku thuhet:
Dhe nëse ai ndahet prej juve, Zoti do t’i japë gra më të mira...
Sipas këtij vargu të Kur’anit, kishte gra që ishin më të mira se gratë e Profetit dhe Zoti mund t’ia jepte ato të Dërguarit të Tij.
Rrëfimi se Aliu e kishte rrahur robëreshën e Aishes nuk përshtatet me karakterin e tij. Ai ishte i njohur si një njeri guximtar dhe as në betejë kurrë s’e kishte goditur i pari armikun. Gjithnjë e ftonte armikun që të sulmonte i pari. Vetëm kur armiku të kishte sulmuar, Aliu ndjehej i lirë për ta mbrojtur veten. Është e pamendueshme që një njeri i tillë të rrahë një vajzë të dobët. Kur ushtria ishte nisur dhe Aisheja kishte mbetur prapa ushtrisë, robëresha e saj nuk ishte me të. Si mund ta dinte ajo se ç’kishte ngjarë me të zonjën? Edhe sikur dikush ta kërcënonte me vdekje, ajo sërish s’do të kishte ndonjë gjë për të thënë.
Historiani britanik Sir William Muir ka shkruar se rrëfyesja e rastit të “rrahjes” së robëreshës ishte vetë Aisheja dhe se kjo gjë, sipas tij, e bën të dyshimtë këtë tregim.
Por Aishes nuk i duhej incidenti i shpifjes për ta urryer Aliun. Urrejtja e saj për të kthehej shumë më prapa në kohë, shumë para këtij rasti. Ajo gjithnjë e xhelozonte Hatixhen, e xhelozonte vajzën e Hatixhes dhe fëmijët e saj. Muhammedi kalonte shumë kohë me fëmijët e Fatimesë dhe Aisheja mund të ketë menduar se sikur ajo të kishte pasur fëmijë, Muhammedi do t’u kishte kushtuar vëmendje edhe atyre, njësoj siç u kushtonte nipërve të Hatixhes. Për fat të keq, Aisheja nuk i lindi fëmijë të Dërguarit.
Ta xhelozonte të bijën dhe nipërit e Hatixhes mund të ishte diçka tejet normale për Aishen. Por gjithsesi, ajo që nuk ishte aspak normale për bashkëshorten e një të Dërguari të Zotit, ishte një xhelozi që shkonte përtej vetëkontrollit dhe kthehej në një obsesion. Aisheja thoshte shpesh se ndonëse kurrë s’e kishte parë Hatixhen, atë e xhelozonte më shumë se gratë e tjera të të Dërguarit. Një arsye e xhelozisë së saj ishte fakti se i shoqi gjithnjë e kujtonte Hatixhen me shumë dashuri dhe mirënjohje. Në një rast, ai po e lëvdonte Hatixhen kur Aisheja e humbi durimin dhe i tha: “Përse flet për atë grua plakë gjithë kohës? A s’të ka dhënë Zoti gra më të mira se ajo?” .
“Kurrë!”, ia ktheu i Dërguari. “Zoti kurrë s’më ka dhënë një grua më të mirë se Hatixheja. Ajo më besoi kur gjithkush më kundërshtonte. Ajo më përkrahu kur nuk kisha askënd të më përkrahte. Ajo ishte e para që e pranoi Islamin kur të gjithë të tjerët ishin idhujtarë. Dhe Zoti më bekoi me fëmijë vetëm nëpërmjet saj”(përcjellë nga Buhariu).
Sido që të ishte, Aisheja nuk arrinte ta shtypte ose ta fshihte urrjetjen që kishte ndaj Hatixhes, vajzë së saj dhe nipërve. As vdekja e Hatixhes dhe e Fatimesë nuk ia ndryshoi qëndrimin. Ajo i urrente Aliun dhe nipërit e Hatixhes.
Kishte qenë e pashmangshme që Aisheja ta kundërshtonte Osmanin. Një ditë teksa ishte në foltore, Osmani po përdorte fjalë të pahijshme për Abdullah ibn Mesudin, një shok të të Dërguarit të Zotit. Në këtë rast, Aisheja ishte ngritur në mbrojtje të këtij të fundit. Kishte pasur edhe raste të tjera kur ajo e kishte kundërshtuar Osmanin. Një derë e dhomës së saj hapej drejt xhamisë dhe kohë pas kohe, ajo vendoste para derës një palë këpucë dhe një këmishë që i kishte veshur i Dërguari, duke thënë: “Para se të mund të mblidhej pluhuri mbi këto gjëra të të Dërguarit, ti i ke ndryshuar urdhrat e tij dhe traditën, duke e prishur fenë”.
Aisheja kishte dyshime se Osmani po e “shpërfillte” statusin e saj. Më pas, Osmani do t’ia ndërpriste edhe pagesën e saj të zakonshme nga thesari. Kjo e zemëroi Aishen jashtë mase dhe bashkë me shumë gjëra të tjera, ishte arsyeja që e bëri atë një armike të Osmanit.
Abbas Mahmud el-Akkad nga Egjipti, në veprën “Ekberijet el-Imam Ali” (botuar 1970 në Kairo), thotë se Aisheja ia kishte ngjitur Osmanit emrin “Na’thal”. Na’thali ishte një çifut plak nga Medineja. Thuhet se mjekra e Osmanit i ngjante mjekrës së tij. Në çaste zemërimi, Aisheja i nxiste hapur njerëzit kundër Osmanit duke thënë: “Vriteni këtë Nathal! Ai është bërë mohues!” Umar Faruku, në faqen 190 të veprës “Historia e mendimtarisë arabe deri në ditët e Ibn Khaldunit” të botuar në vitin 1983 në Beirut, shkruan:
“Përcillet se Aisheja thoshte: “Vriteni këtë Na’thal! Ai është bërë mohues”.
Rrethimi i pallatit të Osmanit kishte filluar tashmë kur Aisheja u nis nga Medineja për në Mekke për ta kryer haxhin. Mervani iu lut që të qëndronte në Medine por ajo nuk ia vari veshin dhe u largua. Gjatë mungesës së saj, Osmani u vra.
Në Mekke, Aisheja ishte e interesuar të dëgjonte se ç’po ndodhte në Medine. Pas haxhit, ajo i mblodhi rrobat e saja për t’u kthyer. Por para se të nisej nga Mekkeja, dëgjoi se një njeri i quajtur Akdhar sapo kishte ardhur nga Medineja në Mekke. Ajo e thirri dhe e pyeti ç’po ndodhte në Medine. Ai i tha: “Osmani i vrau rebelët në qytet dhe e mori situatën nën kontroll”.
Aisheja u tmerrua nga ky lajm dhe tha: “A i vrau Osmani ata njerëz që kishin ardhur të protestonin kundër tiranisë dhe të kërkonin drejtësi? Për Zotin, ne s’jemi të kënaqur me këtë gjë”. (“Historia” e Taberiut, vëll.3, fq. 468) .
Por ditën tjetër, një tjetër udhëtar erdhi nga Medineja dhe i tha Aishes se rebelët e kishin vrarë Osmanin dhe se njeriu i djeshëm e kishte lajmëruar gabim. Kësaj radhe, ajo tha: “Zoti e largoftë Osmanin nga mëshira e Tij! Gjithë ç’të ketë ndodhur, Osmani ia bëri vetë vetes së tij. Zoti nuk e shtyp askënd”.
Kur u konfirmua lajmi i vrasjes së Osmanit, Aisheja vendosi të largohej menjëherë nga Mekkeja. Ajo ishte e bindur se prania e saj në Medine ishte jetike para zgjedhjes së një Kalifi të ri. Ajo u nis nga Mekkeja por pa u larguar shumë, u takua me një udhëtar që vinte nga Medineja dhe që quhej Ubejd ibn Ebi Selma. Ajo e pyeti për të rejat më të fundit në Medine dhe ai i tha: “Osmani u vra dhe njerëzit e Medines iu bindën Ali ibn Ebu Talibit si Kalif”.
Ardhja e Aliut në pushtet nuk ishte një lajm që Aisheja ishte e gatshme ta dëgjonte. Por duke shpresuar se kishte kuptuar gabim, pyeti sërish: “A the se njerëzit e Medines iu betuan Aliut për besnikëri?” Ubejdi u përgjigj: “Po, Aliut iu betuan. Dhe kujt tjetër mund t’i bindeshin përveç tij?”.
Aisheja klithi:
“Oh më mirë të çahej toka ose qielli të binte mbi ne, sesa Aliu të bëhej Kalif. Tani s’mund të kthehem në Medine. Në Mekke do të shkoj sërish”. (Tarih el-Kamil” nga Ibn Ethiri, vëll.3, fq.105).
Aisheja u urdhëroi njerëzve të saj që të ktheheshin drejt Mekkes dhe tha:
“Osmani u vra pa ndonjë faj. Për Zotin kam për të kërkuar hakmarrje për gjakun e tij”.
Këto fjalë të Aishes e befasuan Ubejdin, i cili pyeti: “O nënë e besimtarëve! A do të kërkoni hakmarrje për Osmanin, ndonëse ju ishit ajo që e quajtët Na’thal dhe që i nxitët myslimanët për ta vrarë, duke thënë se ishte bërë mohues?”.
Aisheja u përgjigj: “Është e vërtetë se e quajta Osmanin me atë emër por edhe të tjerë e thirrnin ashtu. Është gjithashtu e saktë se unë thashë që ka devijuar dhe se duhet të sillet në rrugë të drejtë. Por ajo që them tani është më e saktë se ajo që thashë atëherë dhe po të them se Osmani u pendua para se të vdiste. Andaj kur u vra, ai ishte i pafajshëm dhe unë kam për të kërkuar hakmarrje për gjakun e tij”.
Nga e dinte Aisheja se Osmani ishte penduar? Derisa Aisheja ishte akoma në Medine, Osmani s’ishte penduar akoma. Edhe pasi ajo e kishte kryer haxhin dhe po bëhej gati për t’u kthyer në Medine, ai nuk ishte penduar. Përndryshe, Aisheja nuk do të shprehte kënaqësi me të dëgjuar se ai ishte vrarë. Por kur e dëgjoi lajmin se Aliu ishte bërë Kalif, ajo përnjëherë zbuloi se Osmani qenka penduar dhe se ai ishte i pafajshëm. Ajo shpalli se do të ishte një mbrojtëse e Osmanit dhe se do të shpallte një kampanjë për të kërkuar hakmarrje për gjakun e tij.
Gjatë kësaj kohe, edhe Mervani, i cili ishte larguar nga Medineja me ardhjen në pushtet të Aliut, erdhi në Mekke. Ai shkoi tek Aisheja dhe i bëri një përshkrim aq prekës të vrasjes së Osmanit, sa thuhet se Aisheja mezi i mbajti lotët.
Më pas, ajo filloi një kampanjë dydimensionale. Nga njëra anë, ajo duhej të vërtetonte se Osmani ishte “i pafajshëm” dhe në anën tjetër, të vërtetonte se Aliu ishte “fajtor”.
Udhëtarët po i bartnin fjalët e Aishes drejt Medines. Talhaja dhe Zubejri u mrekulluan kur i dëgjuan këto gjëra. Në këtë kampanjë të Aishes, ata panë një shpresë për veten e tyre dhe i shkruan asaj një letër, duke e miratuar veprimtarinë e saj dhe duke ia shprehur përkrahjen. Kështu, ata e motivuan Aishen që ta rriste akoma më shumë propagandën e saj kundër Aliut. Shumë shpejt, edhe ata të dy do të niseshin drejt Mekkes “për të bërë Umre”. Me ndihmën e Mervanit, Aisheja kishte filluar ndërkohë të mblidhte përkrahës. I pari që iu përgjigj thirrjes së saj ishte Abdullah bin Amir el-Hadhremiu, guvernatori i Osmanit në Mekke. Bashkë me të, ai e solli edhe Said bin Asin, Velid bin Akaben dhe Umajjadët e tjerë që ndodheshin në Mekke. Në ndërkohë, edhe Talhaja dhe Zubejri arritën nga Medineja dhe bënë një aleancë me Aishen dhe me Mervanin kundër Ali ibn Ebu Talibit. Dalëngadalë, të gjithë dirigjuesit në prapaskenën e vrasjes së Osmanit ishin mbledhur në Mekke. Ngase në mes tyre kishte një unitet në metoda dhe në qëllim, formimi i një aleance të tillë nuk ishte shumë i vështirë.
Qëllimi “zyrtar” i kësaj aleance ishte kërkimi i hakmarrjes për gjakun e Osmanit. Aleatët vendosën se kjo gjë nuk mund të bëhej ndryshe, veçse duke e marrë në dorë vetë Kalifatin. Por prapaskena e kësaj ekspedite hakmarrjeje ishte e mbushur me lakminë për fuqi, me frikën e ca burrave dhe me xhelozinë dhe dinakërinë e një gruaje.
60. Beteja e Basrës (Beteja e Devesë)
Lufta e dytë civile në Islam
Myslimanët tashmë kishin bërë një luftë civile gjatë Kalifatit të Ebu Bekrit. Brenda gjeneratës së njëjtë, tani sërish po shfaqej problemi i luftës së brendshme. Lufta e parë civile ishte bërë nga ana e qeverisë kundër disa njerëzve disidentë, kurse e dyta u bë nga disa njerëz disidentë kundër qeverisë së tyre.
Prof. Sejjid Abdul Kadir dhe Prof. Muhammed Shuxha’ud Din, në veprën e tyre “Historia e Islamit”, në pjesën e parë shkruajnë:
Kur dëgjoi se Osmani ishte vrarë dhe se Aliu ishte zgjedhur Kalif, Aisheja ishte duke u kthyer nga Mekkeja në Medine pas kryerjes së ritualeve të haxhit. Me ta marrë këtë lajm, ajo vendosi të mos shkonte në Medine dhe u kthye sërish në Mekke. Talhaja dhe Zubejri arritën gjithashtu në Mekke. Guvernatori i Osmanit në Mekke ishte Abdullah bin Amir Hadhremiu. Mervani dhe pjesëtarët e tjerë të fisit Umejje po qëndronin në qytet si mysafirë të tij. Që të gjithë u mblodhën dhe vendosën të kërkonin hakmarrje për gjakun e Osmanit. Në Mekke, ata mblodhën një ushtri prej 3000 vetash dhe pas shumë diskutimesh, vendosën të marshonin drejt Basrës. Ata e okupuan Basrën, e konfiskuan thesarin shtetëror dhe duke përhapur tmerr nëpër qytet, vranë 600 myslimanë, për të cilët dyshonin se ishin kundër tyre.
Përpjekja për të kërkuar hakmarrje për vrasjen e Osmanit ishte vetëm një pretekst për të luftuar. Kjo gjë s’ishte tjetër veçse një maskë për ambiciet e prijësve të kësaj lëvizjeje dhe për krimet e tyre. S’kishte mënyrë tjetër për t’i fshehur qëllimet e tyre të vërteta, ambiciet dhe përfshirjen në vrasjen e Osmanit, veçse nëpërmjet pretendimit se ishin mbrojtës të gjakut të tij. Një gjë që e dinin të gjithë ishte se sikur Aliu ta konsolidonte pushtetin e tij, gjëja e parë që do të bënte ishte një hetim i hollësishëm i vrasjes së Osmanit. Një hetim i tillë domosdo do t’i çonte hetuesit tek gjurmët e vetë prijësve rebelë. Roli që kishin luajtur gjatë rrethimit të pallatit të Osmanit nuk ishte i fshehur nga njerëzit. Të gjithë dëshmitarët okularë gjendeshin në Medine dhe që të gjithë do të dëshmonin duke u betuar për atë që kishin parë. Për prijësit rebelë, kishte vetëm një rrugë për ta penguar drejtësinë e Aliut dhe kjo ishte ngritja e një “britme” për hakmarrje para se Aliu të mund ta vinte në funksion aparatin e drejtësisë. Dhe pikërisht këtë e bënë. Disa prej tyre pranonin se ajo që ishin duke bërë ishte një pendim për mëkatet e tyre dhe s’kishte pendim më të mirë sesa “të lahej gjaku me gjak”. Ata e kishin vrarë një Kalif tashmë dhe do ta vrisnin edhe një tjetër. Kjo ishte mbase mënyra e vetme që ata ta arrinin “shpëtimin”.
Askush nuk e di se me çfarë të drejte Aisheja, Talhaja dhe Zubejri po kërkonin hakmarrje për gjakun e Osmanit. Asnjëri prej tyre s’kishte lidhje familjare me të dhe secili i takonte një fisi të ndryshëm. Më të afërmit e Osmanit ishin e veja e tij Naileja dhe djemtë dhe vajzat e tija. Si për ironi, asnjëri prej tyre nuk po kërkonte hakmarrje. Vetëm pas vrasjes së tij, Osmani gjeti “trima” të të dyja gjinive që ishin të gatshëm për të qenë “mbrojtës” të tij.
Aisheja nuk e shihte dot Aliun në fronin e Kalifatit. Urrejtja e saj për Aliun ishte e jashtëzakonshme. Nëse dikush tjetër do të bëhej Kalif, ajo mbase kurrë nuk do ta niste këtë aventurë të kotë që përfundoi me vdekjen e dhjetëra mijëra myslimanëve. Ndonëse arsyeja e vërtetë në rastin e saj ishte urrejtja ndaj Aliut, ajo gjeti edhe një arsye tjetër për të luftuar më me vullnet. Në rast të largimit të Aliut nga posti i tij, ajo do ta bënte Kalif nipin dhe djalin e saj të adoptuar Abdullah ibn Zubejrin.
Tre guvernatorët e Osmanit, të cilët Aliu i largoi nga detyra, ishin Amir Hadhremiu në Mekke, Ja’la bin Umejje në Jemen dhe Abdullah bin Amir bin Kurejz në Basra. Pas lirimit nga detyra, guvernatori i Mekkes qëndroi në Mekke dhe dy të tjerët iu bashkëngjitën, duke i sjellë me vetë edhe thesaret e provincave përkatëse. Edhe disa qytetarë të Mekkes dhanë një kontribut të majmë në xhepin e rebelëve. Në këtë mënyrë, rebelët i gjetën të ardhurat e nevojshme për ta filluar luftën e tyre.
Prijësit e rebelëve u mblodhën në shtëpinë e Abdullah bin Amir Hadhremiut, ish-guvernatorit të Mekkes, për të diskutuar si do të vepronin. Një sulm i drejtpërdrejtë kundër Medines dhe një marshim drejt Sirisë ishin në mesin e opcioneve. Por më në fund, Abdullah bin Amir bin Kurejzi, ish-guvernatori i Basrës, sugjeroi që të marshonin drejt Basrës. Kjo ide u pëlqeu të tjerëve dhe u pranua. Talhaja e pranoi menjëherë këtë sugjerim, duke thënë se kishte shumë pjesëtarë të fisit të tij në atë qytet dhe se të gjithë do ta përkrahnin me siguri.
Më pas, rebelët krijuan një strategji të tyren. Fillimisht do ta merrnin Basrën dhe më pas, duke e përdorur atë si bazë, do ta sulmonin Kufen, ku Zubejri kishte shumë përkrahës. Me Basrën dhe Kufen në duart e tyre, ata do të mund ta izolonin Aliun në Hixhaz, t’i pushtonin territoret e tija, ta mundnin dhe më në fund, t’ia merrnin Kalifatin.
Qëllimi që rebelët e shpallën në fillim të aventurës së tyre ishte vrasja e njerëzve që e kishin vrarë Osmanin. Njerëzit që e vranë Osmanin ishin të gjithë në Medine. Por këta mbrojtës të vetëshpallur të gjakut të Osmanit po marshonin drej Basrës, 800 milja (rreth 1300 km) në lindje të Medines.
Talhaja dhe Zubejri i kërkuan Abdullah ibn Umar ibn el-Khattabit që t’u bashkëngjitej por ai nuk pranoi. Aisheja u bëri shtypje të gjitha vejushave të Profetit që të shkonin bashkë me të por asnjëra prej tyre nuk pranoi, përveç Hafsës. Por edhe ajo nuk u nis dot, pasi i vëllai Abdullah ibn Umari i ndaloi një gjë të tillë.
Umm Selemeja ishte njëra nga të vejat e Profetit. Aisheja i dërgoi asaj një letër në Medine dhe e ftoi që t’i bashkëngjitej. Umm Selemeja iu përgjigj:
“Aishe, a ke harruar se i Dërguari të ka urdhëruar të qëndrosh në shtëpi dhe të mos i kalosh kufijtë e caktuar nga feja? Lufta është e ndaluar për gratë. Sytë dhe zëri i tyre nuk duhet të ngrihen lartë. Mos mendon vallë se nëse i Dërguari i Zotit të shihte duke u endur me deve nëpër shkretëtirë, do të ishte i kënaqur me ty? Po të mos i bindem tim shoqi, me çfarë fytyre do të dal para tij? Andaj kije droje Zotin gjithmonë! Do të ishte më mirë për ty që të qëndroje në shtëpi”.
Aisheja pretendonte se misioni i saj ishte një mision paqeje. Nëse vërtet ishte kështu, atëherë s’mund të kalojmë pa thënë se ky ishte mbase misioni më i çuditshëm i paqes që është bërë ndonjëherë. Ajo shoqërohej në Basra nga 3000 ushtarë të armatosur deri në dhëmbë dhe të etur për ta derdhur gjakun e myslimanëve të tjerë.
Të gjitha përgatitjet morën fund the ushtria e Aishes, Talhasë dhe Zubejrit u nis me shumë entuziazëm nga Mekkeja drejt destinacionit të saj Basrës.
Teksa ushtria mekkase po marshonte drejt lindjes, dikush e parashtroi pyetjen se kush do të bëhej Kalif, nëse Aliu humbiste. Djali i Talhasë tha se babai i tij do të ishte Kalifi i ardhshëm. Të njëjtën e bëri edhe djali i Zubejrit.
Një diskutim i zjarrtë u zhvillua mes tyre, derisa Aisheja hyri në skenë. Ajo ndërmjetësoi mes tyre dhe përkrahësve të tyre dhe tha se ishte shumë herët që të bisedohej për këtë gjë.
Ndonëse ajo e shtyu këtë pyetje për më vonë, prapëseprapë shpalli se nipi i saj Abdullah ibn Zubejri do të ishte imam në namaz. Në kontekstin e atëhershëm, një emërim i tillë kishte shumë rëndësi simbolike. Në një rast gjatë sëmundjes së Profetit, babai i Aishes Ebu Bekri i kishte udhëhequr myslimanët në namaz. Fakti se ai i udhëhoqi në namaz u përdor menjëherë pas vdekjes së Profetit si argument për Kalifatin e Ebu Bekrit por edhe si një “kualifikim” i tij për këtë post.
Aisheja e donte të nipin më tepër nga ç’e donte vetë e ëma. Ajo ishte e vendosur për ta bërë Abdullahun Kalif. Me insistimin e saj, edhe Zubejri u detyrua të qëndronte në namaz pas të birit. Në sytë e Aishes, asnjëri në ushtrinë rebele nuk mund të pretendonte të bëhej Kalif pas rastit kur Abdullahu i udhëhoqi njerëzit në namaz.
Pyetja e udhëheqësisë e brente edhe Said bin Asin. Ai e hapi këtë çështje me Talhanë dhe Zubejrin dhe ndërmjet tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Saidi: Po ta fitojmë luftën kundër Aliut, kush do të bëhet Kalifi i ardhshëm?
Talhaja: Kushdo që të zgjidhet nga myslimanët, ai do të bëhet Kalif.
Saidi: Kur u nisët nga Mekkeja, ju thatë se po luftonit me Aliun për t’u hakmarrë për gjakun e Osmanit. Nëse ende nuk e keni ndryshuar qëllimin, do të duhej që njërin nga bijtë e Osmanit ta bëni Kalif, sepse dy prej tyre janë me ne në ushtri.
Talha: A mendon se do t’i lëmë anash muhaxhirët më të vjetër për t’ia lëshuar këtë pozitë një të riu? Kurrën e kurrës!
Atë çast, Saidi e kuptoi se çështja e hakmarrjes për gjakun e Osmanit ishte vetëm një lojë, qëllimi i vërtetë i të cilës ishte që “treshja” ta merrte në duar pushtetin.
Një vizitor i dalluar në kampin rebel ishte Mughire ibn Shaaba. Ai bisedoi me Aishen dhe me Mervanin dhe i këshilloi që të hiqnin dorë nga plani i tyre për ta sulmuar Basrën. Ai i tha Mervanit: “Nëse vërtet jeni nisur për t’i gjetur vrasësit e Osmanit, atëherë dijeni se ata janë pikërisht këtu në kampin tuaj dhe jo në Basra. Ata s’janë tjetër veçse gjeneralët e kësaj ushtrie. Ata e vranë Osmanin sepse secili prej tyre dëshironte të ishte Kalif. Por dështuan në këtë gjë dhe pas këtij dështimi, e nxorën këtë tregim të hakmarrjes”.
Por Aisheja dhe Mervani nuk kishin ndërmend të hiqnin dorë nga plani i tyre i pushtimit të Basrës. Ata nuk i pranuan këshillat e Mughires, me çfarë ky i fundit, bashkë me Said bin Asin, Abdullah bin Halidin dhe disa të tjerë, u nda nga ushtria rebele dhe shkoi në Taif.
Ushtria rebele vazhdoi me marshimini e saj drejt Basrës por një ndodhi e çuditshme e bëri të ndalojë. Teksa Aisheja po kalonte pranë pusit të një katundi ndanë rrugës, disa nga qentë rrugaçë të fshatit u mblodhën rreth devesë së saj dhe filluan të lehnin ashpër. Aisheja e zgjati kokën për të parë dhe e pyeti djalin e Talhasë në e dinte si quhej katundi ku po kalonin. Ai iu përgjigj se ishte një vendbanim i vogël që quhej Havab.
Kur Aisheja e dëgjoi këtë emër, përnjëherë u kaplua nga një shqetësim i thellë. Ajo urdhëroi që deveja e saj të ulej dhe më pas tha se do të nisej drejt Medines, në vend që të shkonte në Basra.
Ky ndryshim i menjëhershëm drejtimi i Aishes e befasoi djalin e Talhasë dhe ai e pyeti përse nuk duhej të shkonin në Basra. Ajo i tha se i ishte kujtuar një parashikim i të Dërguarit të Zotit dhe i rrëfeu atij:
Një ditë i Dërguari ishte me gratë e tija dhe u tha: “Do të vijë një ditë, kur qentë e Havabit do t’i lehin njërës prej juve, derisa ajo të jetë në një gabim të qartë”. Pastaj u kthye drejt meje dhe më tha: “Ki kujdes Humejra (nofkë e Aishes), të mos jesh ti ajo!” Dhe ja ku jam tani duke i dëgjuar të lehurat e qenve të Havabit. Kjo do të thotë se unë jam në një gabim të qartë”.
Por djali i Talhasë nuk ishte i bindur për këtë dhe tha:
“Oj nënë e besimtarëve! Mos ua var veshin këtyre qenve që lehin! Kemi gjëra më të rëndësishme për të bërë. Andaj ejani të vazhdojmë në drejtimin tonë të caktuar!”
Por Aisheja ishte e vendosur për t’u kthyer në Medine. I alarmuar nga këmbëngulja e saj, djali i Talhasë e thirri Abdullah ibn Zubejrin, me shpresë se ai do të mund ta bindte.
Abdullahu erdhi dhe e dëgjoi tregimin e Aishes. Çfarëdo që të ishte e vërteta, ai duhej ta ndalte atë me çdo kusht. Po të ndahej ajo nga ushtria rebele, e gjithë përpjekja e tyre për ta marrë pushtetin do ta humbte ndikimin e saj. Për më tepër, nuk do të kishin vend ku të shkonin. Andaj, ai i tha tezes së tij se vendi ku qentë i kishin lehur dhe e kishin shqetësuar aq shumë, nuk ishte Havabi por një katund tjetër. Megjithatë, Aisheja nuk u bind nga përgjigja e tij dhe shpalli se nuk do të shkonte në Basra.
Abdullah ibn Zubejri bëri çmos për ta bindur tezen e tij se duhej të shkonte në Basra, se nuk duhej të devijonte nga kjo rrugë dhe se nuk duhej që qentë t’ia lëkundnin vendosmërinë. Më pas, ai u betua se ushtria ishte larguar prej kohësh nga Havabi. Përveç kësaj, ai mblodhi nja pesëdhjetë arabë të shkretëtirës, i solli para Aishes dhe i bëri të gjithë t’i betoheshin asaj se Havabi ishte shumë larg vendit ku ndodheshin ata. Historianët arabë thonë se “dëshmia” e Abdullah bin Zubejrit para Aishes ishte dëshmia e parë e gënjeshtërt në Islam.
Edhe Taberiu, mbase më i dalluari i historianëve arabë, e ka përcjellë këtë incident. Ai shton se me përpjekjet e djalit të saj të adoptuar Abdullah ibn Zubejrit dhe të pesëdhjetë “dëshmitarëve” që ai solli, Aisheja më në fund u bind se qentë që i lehën nuk ishin qentë e Havabit por të një katundi tjetër. Më pas, ajo e harroi këtë ndodhi dhe e quajti një gabim të pafat. Ndërgjegjja e saj “u çlirua” sërish dhe ajo ishte e gatshme për të vazhduar drejt Basrës.
Në ndërkohë, Aliu po e analizonte situatën. Nga të gjithë armiqtë e tij, ai e dinte se Muavije, guvernatori i Sirisë, ishte më i rrezikshmi dhe se me të duhej të merrej së pari. Por pikërisht atëherë dëgjoi se Talhaja dhe Zubejri, që ishin larguar nga Medineja “për të bërë Umre në Mekke”, e kishin thyer premtimin e tyre për besnikëri dhe se Aisheja e kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër Aliut. Përveç kësaj, atij iu përcoll se tre udhëheqësit po përparonin në krye të një ushtrie të armatosur mirë, për ta pushtuar qytetin e Basrës në Irak.
Aisheja kurrë s’e kishte fshehur antipatinë që ndjente ndaj Aliut. Por ky i fundit nuk kishte menduar kurrë se ajo do të shkonte deri në ekstrem dhe t’i shpallte luftë atij. Për të, aleanca e Talhasë, Zubejrit dhe Muavijes ishte dukur tejet e mundshme por kurrë s’kishte menduar se Talhaja dhe Zubejri do të bënin një aleancë me Aishen. Por ja ku ishin Aisheja dhe aleatët e saj, të cilët ishin bërë një rrezik më i madh për Shtetin Islam se vetë Muavijeja. Aliu u detyrua të anulonte çdo gjë tjetër dhe të merrej me sfidën e Aishes, Talhasë dhe Zubejrit. Atë e pikëlloi shumë ky veprim krejtësisht i pakohë dhe i paarsyeshëm i këtyre personave dhe bëri çmos për t’i bindur që të mos derdhnin gjak të myslimanëve, gjë që do të ishte domosdo një revoltë kundër pushtetit legjitim. Ai i dërgoi Aishes një letër, në të cilën thoshte:
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!
Ti ke dalë nga shtëpia jote dhe me këtë u je kundërvënë urdhrave të Zotit dhe të të Dërguarit të Tij. Tani po përpiqesh ta hedhësh farën e luftës vëllavrasëse në mesin e myslimanëve. Vetëm ndalu për një çast dhe mendo për këtë gjë: ç’punë ke ti me ushtritë dhe me luftën? A është detyra jote të luftosh?Dhe kundër kujt vallë? Kundër myslimanëve? Vendi yt është në shtëpi. Zoti të ka urdhëruar të qëndrosh në shtëpinë tënde. Andaj kije droje Atë dhe mos trego mosbindje! Kthehu menjëherë në Medine!
Aisheja e mori letrën e Aliut por fjalët e tija nuk patën ndikim tek ajo. Aliu u dërgoi letra të ngjashme edhe Zubejrit dhe Talhasë por asnjëri nuk iu përgjigj.
Aliu kuptoi se rebelët ishin të vendosur për të derdhur gjak myslimanësh. Për të parandaluar një gjë të tillë, Aliu vendosi të përballej me ta. Por për t’u përballur me rebelët, atij i duhej një ushtri dhe pikërisht kjo i mungonte.
Kalifi i ri do të duhej të mblidhte një ushtri për ta penguar pushtimin e Basrës nga ushtria rebele. Ai shkoi në xhami, i informoi myslimanët për planin e rebelëve, u shpjegoi se duhej një ushtri për t’u përballur me sfidën e tyre dhe i ftoi të gjithë që t’i bashkëngjiteshin ushtrisë si vullnetarë.
Aliu mbeti i shtangur nga reagimi i njerëzve. Askush nuk po bëhej vullnetar për të luftuar kundër rebelëve. Ai e përsëriti disa herë thirrjen e tij dhe përgjigja ishte e njëjta.
Megjithatë, pas disa ditësh, një njeri u ngrit në xhami dhe tha se do t’u bindej urdhrave të Aliut. Edhe disa të tjerë, të guximshëm si ky i pari, e ndoqën shembullin e tij. Shumë shpejt, Aliu arriti të mblidhte një forcë të vogël ushtarake, të përbërë nga 700 burra.
Sir John Glubb
Sapo dëgjoi se Zubejri, Talhaja dhe Aisheja ishin nisur nga Mekkeja, Aliu vendosi t’i ndiqte por pati vështirësi të mblidhte forca të mjaftueshme ushtarake për një gjë të tillë. Vetëm disa muaj më parë, shokët e Profetit dhe banorët e Medines e kishin lutur që të bëhej Kalif. Kurse tani, kishte shumë pak njerëz që po e përkrahnin, ndonëse Zubejri dhe Talhaja kishin mbledhur një ushtri prej 3000 burrash nga Mekkeja dhe nga fiset përreth.
Në tetor të vitit 656, katër muaj pas vrasjes së Osmanit, Aliu u nis për t’u përballur me Talhanë dhe Zubejrin. Me vete kishte vetëm 700 vetë. Duke qenë tepër i dobët numerikisht, ai e ndali ushtrinë rreth një pusi në Nexhd. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq.318).
Para se të nisej nga Medineja, Aliu shkoi për t’i thënë lamtumirë Umm Selemes, njërës nga të vejat e Profetit. Umm Selemeja i tha:
“Me emrin e Zotit po të lë nën mbrojtjen e Tij. Betohem në fuqinë dhe në madhështinë e Tij, se vetëm ti je me të vërtetën dhe të gjithë armiqtë e tu janë duke gabuar. Po të mos ishte urdhri i Zotit që gratë e të Dërguarit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, unë vetë do të vija bashkë me ty në këtë rrugë”. (“Historia” nga Ebu’l-Fida).
Umm Selemeja kishte një djalë nga martesa e saj e parë. Atë ia ofroi Aliut dhe i tha: “Ky është fëmija im i vetëm dhe është gjithë ç’më ka mbetur në këtë botë. Këtë po ta jap ty dhe po të duhet, për ty do ta japë edhe jetën”.
Aliu u prek mjaft nga ky gjest i Umm Selemes. E falënderoi atë dhe u nda prej saj, pa e ditur në do të kthehej sërish në Medine. Djali i saj e shoqëroi Aliun për në Irak. Aliu e emëroi Sehl bin Hunejf Ensariun si guvernator të Medines në mungesë të tij dhe e dërgoi Kathm ibn Abbasin në Mekke që ta merrte nën kontroll qytetin, si guvernator i ri i tij.
Gjëje e fundit që Aliu bëri në Medine ishte vizita e varrit të Muhammedit dhe të Fatimesë. Muhammedi ishte udhëzuesi, bamirësi dhe miku i tij kurse Fatimeja shoqja e tij. Ai u tha lamtumirë që të dyve, me një zemër të pikëlluar dhe me sy të mbushur lot. Pas arritjes në Irak, Aliu dhe forcat e tija të pakta u ndalën në vendin e quajtur Dhikar. Abdullah ibn Abbasi, kushëriri i Aliut, kështu e përcjell arritjen në kamp të një njeriu të ri:
Ishim në Dhikar një pasdite dhe pamë një njeri që vinte drejt kampit tonë. Ishte shumë i plakur dhe shëndetlig. Gjëja e vetme që kishte ishte një copë buke dhe një trastë lëkure e mbushur me ujë. Ai hyri në kamp dhe kërkoi të shihej me Aliun. Kur e çuam tek Aliu, njeriu tha se ishte Uvejsi Karaniu nga Jemeni. Me ta dëgjuar emrin e tij, të gjithë e kuptuam se ai ishte miku i largët i mësuesit tonë Muhammedit. Ai i kërkoi Aliut që t’ia zgjaste dorën dhe ky i fundit pranoi. Pastaj ai e vendosi dorën e tij mbi atë të Aliut dhe iu bind atij për besnikëri.
Aliu e përshëndeti mikun e dashur të mësuesit të tij, njësoj siç do të bënte vetë Muhammedi po të ishte gjallë. Uvejsi i famshëm u përfshi në ushtrinë e Medines. Për Aliun, arritja e Uvejsit ishte një rast i rrallë lumturie në mes të gjithë atij skenari të mbushur me ndarje, tradhti, intriga dhe rebelime që po mbisundonte në tokat e Islamit. Për disa çaste, ai e harroi të tanishmen dhe u kthye plot nostalgji në të kaluarën, në kohën e mësuesit të tij Muhammedit. Kishin qenë vërtet ditë të bukura. Me siguri do të ketë dashur të kthehej në ato kohë, kur si krahu i djathtë i Muhammedit ai e kishte mbrojtur Islamin dhe shoqërinë myslimane nga idhujtarët. Tani, në një kontrast të jashtëzakonshëm, pikërisht ajo shoqëri po e sfidonte autoritetin e tij dhe dukej e etur për gjak. Nga këto kujtime të bukura dhe të lavdishme të të kaluarës, Aliu u zgjua në një të sotme të shëmtuar sa më s’ka.
Përpjekjet e Aliut për ta parandaluar luftën që në Medine kishin dështuar. Por ai akoma përpiqej për të mos lejuar një luftë civile mes myslimanëve. Andaj, kur ushtarët e tij u vendosën në kamp, ai e nisi ofensivën e tij paqësore dhe bëri një sërë përpjekjesh diplomatike kundrejt udhëheqësve rebelë, për t’i bindur që të bisedonin dhe të vendosnin një paqe, në vend që t’i drejtoheshin gjykimit të armëve. Ai i dërgoi disa nga shokët më të famshëm të Profetit tek Aisheja, Talhaja dhe Zubejri por pa ndonjë rezultat konkret.
Edward Gibbon
Një jetë përplot përsiatje dhe lutje nuk i kishte dobësuar aftësitë luftarake të Aliut. Por në moshë të pjekur, ndonëse pas një përvoje të gjatë me njerëzit, në sjelljen e tij ishin të dukshme pakujdesia dhe veprimi në mënyrë të hapur. Në ditët e para të sundimit të tij, ai dështoi që nëpërmjet dhuratave ose dhunës, ta siguronte besnikërinë e dyshimtë të Talhasë dhe të Zubejrit, dy nga prijësit më të fuqishëm arabë të kohës. Ata ikën nga Medineja në Mekke dhe më pas shkuan në Basra, ku e ngritën flamurin e revoltës dhe e uzurpuan qeverisjen e Irakut, të cilën dëshpërimthi e kishin kërkuar si një shpërblim për shërbimet e tyre. Maska e patriotizmit arrin t’i mbulojë edhe kundërthëniet më të mëdha. Kështu, armiqtë dhe mbase vrasësit e Osmanit tani po kërkonin hakmarrje për gjakun e tij. Në këtë ekspeditë të tyre, ata shoqëroheshin edhe nga Aisheja, e veja e Profetit, e cila deri në çastet e fundit të jetës së saj, ruajti një urrejtje ndaj të shoqit dhe pasardhësve të Fatimesë. (“Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake”).
Duke mos e siguruar nëpërmjet dhuratave besnikërinë e dyshimtë të Talhasë dhe të Zubejrit, Aliu nuk shfaqte pakujdesi siç pretendon Gibboni. Aliu e dinte mirë se Talhaja dhe Zubejri kishin intriga në zemër. T’u jepeshin dhurata atyre të dyve s’do të ishte veçse një ryshfet, gjë që Aliu kurrë nuk do ta bënte.
Në Medine, Abdullah ibn Abbasi e kishte këshilluar Aliun që Talhanë dhe Zubejrin t’i bënte guvernatorë të Basrës e të Kufes respektivisht. Po të gjykohet sipas karakterit të tyre, një emërim i tillë do të ishte një goditje vdekjeprurëse për Aliun. Po ta bënte këtë, në vend të një Muavijeje në Damask, do të kishte përballë tre “Muavije” përnjëherë.
Sa për dhunën, Aliu kurrë nuk do ta arrestonte një njeri për ndonjë krim që e kishte menduar por që s’e kishte realizuar kurrë. Kur Talhaja dhe Zubejri erdhën për t’i kërkuar leje që të niseshin drejt Mekkes, ai u lejoi të shkonin por u tha se qëllimi i tyre në këtë udhëtim nuk ishte pelegrinazhi.
Siç u tha edhe më sipër, Aliu arriti të mblidhte vetëm 700 vetë në Medine. Me një forcë kaq të vogël ushtarake, ai nuk mund të përballej me sfidën e rebelëve. Andaj, ai e dërgoi Muhammed ibn Xhaferin dhe Muhammed ibn Ebu Bekrin në Kufe, për të siguruar përforcime nga ky qytet. Guvernatori i Kufes ishte Ebu Musa el-Eshariu, i cili e kundërshtoi këtë kërkesë të Aliut. Kur pa se përforcimet nuk po vinin, Aliu e dërgoi fillimisht Abdullah ibn Abbasin dhe Malik el-Eshter kurse më pas, djalin e vet Hasanin dhe Ammar bin Jasirin.
Hasani i shpërfilli kundërshtimet e Ebu Musës, hyri në xhaminë e madhe të qytetit dhe u mbajti njerëzve të Kufes një fjalim, në të cilin ua përkujtoi detyrimet që i kishin ndaj Zotit dhe ndaj të Dërguarit të Tij.
Arritja në Kufe e Hasanit, nipit të dashur të Muhammedit, krijoi shumë entuziazëm. Fjalimi i tij s’kishte mbaruar akoma kur njerëzit filluan të bërtisnin: “ty të bindemi”.
Në ndërkohë, Malik el-Eshteri hyri në pallatin e guvernatorit. I përzuri që atje skllevërit e Ebu Musa el-Eshariut dhe e mori ndërtesën nën kontroll. Ebu Musa u arratis gjatë natës dhe u strehua tek Muavijeja në Damask.
Hasani, Ammar bin Jasiri, Abdullah ibn Abbasi dhe Malik el-Eshteri u kthyen në kampin e Dhikarit bashkë me 12 mijë ushtarë nga Kufeja.
Guvernatori i Aliut në Basra ishte Osman bin Hunejf Ensariu, i njejti sahabe i të Dërguarit të Zotit, të cilin Umari e kishte emëruar si përgjegjës financiar për Irakun. Kur kuptoi se ushtria e Aishes, Talhasë dhe Zubejrit ishte në rrethinat e Basrës, ai e dërgoi Ebu Esved el-Duelin, njërin nga miqtë e Aliut, për t’i kuptuar arsyet e ardhjes së tyre. Ebu’l Esvedi u takua me Aishen dhe ndërmjet tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Ebu’l Esvedi: “O nënë e besimtarëve! Ç’është arsyeja e ardhjes suaj në Basra me një ushtri?”.
Aisheja: “Kam ardhur për të kërkuar hakmarrje për vrasjen e Osmanit, i cili u vra në shtëpinë e tij ndonëse s’kishte kryer ndonjë krim”.
Ebu’l Esvedi: “Kushdo që e vrau Osmanin nuk është në Basra”.
Aisheja: “E di atë. Por që të mund të hakmerremi, neve na duhet përkrahja dhe bashkëpunimi i popullit të Basrës”.
Ebu’l Esvedi: “Shpresoj se nuk keni harruar që i Dërguari i Zotit ju urdhëroi të qëndroni në shtëpi. Sido që të jetë situata, nuk ju takon juve të përziheni në politikë e në luftë. Është e padenjë për të venë e të Dërguarit që të dalë prej shtëpie dhe të luftojë kundër myslimanëve”.
Aisheja: “A ka mysliman që do të guxojë të luftojë kundër meje?”.
Aisheja besonte se kur të shfaqej në krye të ushtrisë në fushëbetejë, ushtarët armiq, me ta parë atë, ose do të vinin në anën e saj, ose do ta tradhtonin udhëheqësin e tyre.
Pas bisedës me Aishen, Ebu’l Esvedi shkoi tek Talhaja dhe Zubejri për ta kuptuar qëllimin e ardhjes së tyre.
Talhaja dhe Zubejri: “Prej Aliut, ne kërkojmë hakmarrje për vrasjen e Osmanit”.
Ebu’l Esvedi: “Aliu nuk e vrau Osmanin dhe nuk pati ndonjë rol në vrasjen e tij. Ju e dini mirë këtë.
Talhaja dhe Zubejri: “Në është ashtu, atëherë përse i mbron vrasësit e tij?”
Ebu’l Esvedi: “A do të thotë kjo se ju e keni thyer premtimin që ia dhatë Aliut?”
Talhaja dhe Zubejri: “Premtimi ynë u mor nëpërmjet shpatës. Andaj nuk është i vlefshëm.
Ebu’l Esvedi shihte se prijësit rebelë ishin të obsesionuar me luftën dhe se bisedat e mëtejme me ta ishin të padobishme. Andaj, ai u kthye në Basra dhe raportoi tek Osman bin Hunejfi në lidhje me fjalët e Aishes, Talhasë dhe Zubejrit.
Prijësit rebelë nuk i kishin mbajtur fshehur qëllimet që kishin por Osman bin Hunejfi nuk kishte ndonjë ushtri të fuqishme për ta mbrojtur qytetin kundër tyre. Andaj, kur ata u shfaqën tek portat e qytetit, ai filloi bisedime me ta. Të dyja palët u pajtuan se derisa të arrinte Aliu, rebelët nuk do ta prishnin rendin në Basra dhe Osman bin Hunejfi do të mbetej guvernator i qytetit.
Por vetëm dy ditë kishin kaluar kur prijësit rebelë e prishën marrëveshjen. Ushtria e tyre e sulmoi natën qytetin dhe e mori në dorë. Me të hyrë brenda mureve të qytetit, gjendja doli jashtë kontrollit. Ushtarët rebelë e pushtuan gjithë qytetin dhe vranë rreth 600 myslimanë, prej të cilëve 40 në vetë Xhaminë Qendrore të qytetit. Talhaja dhe Zubejri hynë me forcë në pallatin e guvernatorit dhe e robëruan Osman bin Hunejfin, duke i vrarë ata që deshën ta mbronin. Ata deshën ta vrisnin edhe Osmanin por ai u tha se po ta bënin këtë, vëllai i tij Sehl bin Hunejfi, që atëherë ishte mëkëmbës i Aliut në Medine, mund t’i vriste si hakmarrje të gjithë të afërmit e tyre që jetonin në atë qytet. Pas këtyre fjalëve, ata vendosën të mos e vrisnin këtë shok të famshëm të Muhammedit. Prapëseprapë e rrahën ashpër, ia rruan flokët, mjekrrën dhe qepallat dhe e dëbuan nga Basra. Osmani disi arriti t’i bashkëngjitej Aliut në kampin e tij dhe të dilte në prani të Kalifit, më shumë i vdekur sesa i gjallë.
Aliu u tmerrua nga gjendja e Osman bin Hunejfit, i cili vështirë njihej. Ai u përpoq ta ngushëllonte këtë mik të Muhammedit. Ushtria rebele tashmë e kishte në dorë Basrën, me çfarë e kishte përmbushur qëllimin e saj të parë. Prijësit e ushtrisë i dëbuan ose i vranë të gjithë përkrahësit e Osman bin Hunejfit në Basra.
Aliu nuk pati zgjidhje tjetër veçse t’i urdhëronte ushtrisë që të nisej drejt Basrës. Duke u ndalur në Zavije, në veri të Basrës, ai u dërgoi letra prijësve të rebelëve, duke u kërkuar që të dyja palët t’i tejkalonin me bisedime mosmarrëveshjet e tyre, në vend që të luftonin me njëra-tjetrën. Por prijësit rebelë nuk kishin dëshirë t’u përgjigjeshin letrave të Aliut. Për të mos i lënë dyshim Aliut në lidhje me faktin se prej kohësh e kishin përjashtuar paqen si një mundësi, ata e ftuan për t’u takuar në rrethinat e qytetit.
Sir John Glubb
Teksa Kalifi i afrohej Basrës, rebelët dolën për ta takuar atë, të prirë nga Zubejri dhe Talhaja. Por e tërë Basra nuk ishte me ta. Fisi Bekr, që dikur ishte udhëhequr nga trimi i famshëm Muthana, iu bashkëngjit ushtrisë së Aliut. Fisi Tamim vendosi të mbetej i paanshëm. Ushtria e Aliut ishte pak më e fuqishme se ajo e rebelëve. Në ditët e Injorancës, gratë e hipura mbi deve shumë shpesh i shoqëronin fiset e tyre në beteja për t’u dhënë përkrahje luftëtarëve. Kësaj radhe, “nëna e besimtarëve” Aisheja po e shoqëronte ushtrinë rebele, e hipur mbi devenë e saj. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq.320, botim i vitit 1967) .
Kur dy ushtritë erdhën ballë për ballë, Aliu doli nga radhët e tija dhe e thirri Talhanë dhe Zubejrin për t’u takuar me të. Dr. Taha Husejn nga Egjipit shkruan se të dy gjeneralët dolën nga radhët e tyre të përgatitur dhe të armatosur deri në dhëmbë, aq sa pjesa e vetme që shihej nga trupi i tyre ishin sytë. Kur Aisheja i pa se shkonin, filloi të merakosej për pasojat e mundshme nëse ata dy përballeshin drejpërdrejt me Aliun. Por më pas e qetësuan duke i thënë se Aliu nuk ishte i armatosur dhe madje nuk e kishte veshur as parzmoren e tij. Aliu i pyeti përse e kishin thyer premtimin që ia kishin dhënë vullnetarisht dhe përse dëshironin të luftonin kundër tij.
Si përgjigje, Talhaja dhe Zubejri e filluan këngën e vjetër se Aliu po i mbronte vrasësit e Osmanit dhe se ata vetë po kërkonin hakmarrje për vrasjen e këtij të fundit. Aliu ua ktheu se ata e dinin shumë mirë se ai s’kishte të bënte fare me vrasjen e Osmanit ose me vrasësit e tij. Më pas, ai shtoi: “Ngase nuk dëshironi ta dëgjoni zërin e arsyes, unë sugjeroj që të provojmë një gjë tjetër për ta zgjidhur këtë problem. Ju kujtohet se Muhammedi, i Dërguari i bekuar i Zotit njëherë mbajti një “mubahala” (mallkim) me të krishterët e Nexhranit. Ejani edhe ne ta ndjekim shembullin e tij, të bëjmë “mubahala” dhe t’i lutemi Zotit si vijon:
“O Zot i të gjitha krijesave! E kërkoj mëshirën Tënde. Ti je i vetëdijshëm për gjithë ç’them dhe ç’mendoj. Prej Teje asgjë nuk rri fshehur. Nëse drejtpërdrejt ose tërthorazi kam marrë pjesë në vrasjen e Osmanit ose nëse i kam fshehur e mbrojtur vrasësit e tij dhe jam gëzuar së brendshmi që ai u vra, atëherë shfaqe pakënaqësinë Tënde ndaj meje! Por nëse jam i pastër nga faji në vrasjen e Osmanit, atëherë shfaqe pakënaqësinë Tënde ndaj njerëzve që më akuzojnë me këto gjëra”.
Talhaja dhe Zubejri nuk e pranuan ofertën e Aliut për “mubahala” dhe i thanë hapur: “Ne nuk mendojmë se ti je i denjë për të qenë Kalif. Ne nuk jemi më pak të denjë se ti për ta mbajtur këtë post”. (“Historia” nga Taberiu, vëll.3, fq.519).
Ajo që bënë Talhaja dhe Zubejri ishte heqja dorë nga pretendimi se po luftonin për hakmarrje për Osmanin. Ata luftonin kundër Aliut që të mund të bëheshin Kalifë.
Edhe një përpjekje tjetër për ta ruajtur paqen kishte dështuar por Aliu akoma nuk dëshironte t’i shihte myslimanët të vriteshin ndërmjet veti. Andaj, ai e thirri sërish Zubejrin, i cili ishte kushëriri i tij dhe në një takim privat me të, ia përkujtoi ditët e kaluara kur të dy kishin qenë shokë armësh dhe kishin luftuar kundër armiqve të besimit nën flamurin e të Dërguarit të Zotit. Duke ia përkujtuar bukurinë e atyre ditëve, Aliu e pyeti sërish Zubejrin se si mund të luftonte kundër tij, se si ishte e mundur që Zubejri të luftonte kundër kushëririt të vet?
Përveç kësaj, Aliu ia përkujtoi Zubejrit një parashikim të të Dërguarit të Zotit. “A të kujtohet”, tha Aliu, “dita kur i Dërguari i Zotit, në praninë time, të tha se një ditë do të luftoje kundër meje dhe do të gaboje duke e bërë këtë?” “Po” , tha Zubejri. “Vetëm tani mu kujtua kjo fjalë e të Dërguarit. Por e kisha harruar atë krejtësisht. Pas kësaj, s’kam për të luftuar më kundër teje”.
Zubejrit iu kujtua edhe një thënie tjetër e të Dërguarit të Zotit në lidhje me mikun e tij Ammar bin Jasirin, në të cilën ai e paralajmëronte Ammarin se ai do të vritej nga një grup njerëzish të devijuar. Zubejri tani po shihte se Ammari ishte në anën e Aliut.
Zubejri i ktheu frerët e kalit të tij dhe u kthye në kampin e vet, me shenja të dallueshme të një konflikti të brendshëm dhe shqetësimi. Pas pyetjeve të merakosura të Aishes, ai i tregoi se Aliu ia kishte përkujtuar një thënie të të Dërguarit të Zotit, pas të cilës ai kishte kuptuar se është duke bërë gabim dhe ishte betuar se nuk do të luftonte kundër tij. Por djali i tij dhe njëherit djali i adoptuar i Aishes, Abdullah ibn Zubejri, filloi ta akuzonte se shkaku i tërheqjes së tij ishte frika prej Aliut.
Zubejri u zemërua me këto fjalë të tija. I tha të birit se ishte betuar për të mos luftuar kundër Aliut dhe shtoi se zgjedhja para tij ishte shumë e thjeshtë: ose do ta humbte nderin para arabëve ngase tërhiqej nga lufta si frikacak ose do ta hidhte veten në dënimin e përjetshëm të Zotit. Ai e preferonte të parën.
Zubejri u largua nga fushëbeteja, mbase për t’u kthyer në Medine. Ai kishte udhëtuar disa kilometra kur ndjeu se po ndiqej nga një i huaj. Ky i huaj ishte një njeri nga Basra, i quajtur Amr bin Xhermuz. Ndonëse Zubejri dyshoi, ai vazhdoi të udhëtonte derisa arriti në një katund. Atje zbriti nga kali i tij për t’u pastruar dhe për ta falur namazin. Por ky do të ishte fundi i rrugës për të. Teksa po e falte namazin, Amr bin Xhemruzi e sulmoi dhe e vrau.
Zubejri ishte hequr nga llogaritë por Talhaja dhe Aisheja ishin të vendosur për të luftuar edhe pa të. Por Aliu ende nuk dëshironte të bënte luftë dhe vendosi të bënte një përpjekje të fundit për ta ruajtur paqen. Ai dërgoi një të ri të quajtur Muslim ibn Abdullah, i cili ishte i njohur për virtytet e tij të larta, bashkë me një kopje të Kur’anit, që t’u kërkonte armiqve t’i bindeshin gjykimit të Zotit dhe ta ruanin paqen për hir të shenjtërisë së gjakut të myslimanëve.
Duke qëndruar afër radhëve të armikut, Muslimi e hapi Kur’anin dhe tha: “Do të recitoj një pjesë nga Kur’ani, që ju ta dini se ç’janë urdhrat e Zotit dhe ndalesat e Tija”. Por fjala e tij u ndërpre nga një shigjetar i armikut, i cili filloi të hidhte shigjeta drejt Kur’anit që mbante në dorë Muslimi. Teksa Muslimi përpiqej ta mbronte Kur’anin, njëri nga skllevërit e Aishes erdhi drejt tij dhe e vrau me shpatë.
Trupi i Muslim ibn Abdullahut u soll para Aliut dhe u vendos në tokë. Aliu ishte akoma duke u pikëlluar për vdekjen e tij, kur e sollën edhe një tjetër të vrarë nga shigjetat e ushtrisë së Basrës. Ai u përpoq t’i hiqte me duart e veta shigjetat e ngulura mbi trupat e tyre por pa i hequr ato, trupa të tjerë vinin. Rebelët kishin filluar ta godisnin me shigjeta ushtrinë e Aliut.
Në “Historinë” e tij (vëll.2, fq. 522), Taberiu thotë se Aliu i pa këta trupa para vetes dhe tha: “Tani është e lejuar të luftojmë kundër tyre”. Më pas i ngriti duart drejt qiejve dhe u lut: “O Zot! Ti bëhu Dëshmitar se nuk lamë gjë pa bërë për ta ruajtur paqen mes myslimanëve. Tani nuk ka zgjidhje tjetër për mua veçse t’i lejoj ushtrisë sime që të mbrohet nga sulmet e tyre. Ne jemi robërit e tu të përulur. Na fal mirësinë Tënde dhe na mëshiro! Na fal fitore kundër armikut dhe nëse kënaqësia jote është që ata të fitojnë, atëherë na beko me kurorën e dëshmorëve!”.
Më pas, pak para se ta jepte urdhrin që të luftonin, ai u foli ushtarëve të tij:
O myslimanë! Mos jini të parët për të goditur dhe lëreni armikun t’ju sulmojë i pari. Kur ta bëjë këtë, ju mbrojeni veten tuaj! Nëse Zoti ju fal fitore kundër armiqve, mos harroni se edhe ata janë myslimanë! Andaj mos i vrisni të plagosurit mes tyre! Nëse ikin nga fushëbeteja, mos i ndiqni dhe lërini t’i shpëtojnë jetët! Nëse zini robër, mos i vrisni! Mos i masakroni të vrarit dhe mos i plaçkisni për gjërat e vlefshme, armët ose parzmoret e tyre! Mos e sulmoni kampin e tyre dhe mos ua prekni gratë, edhe sikur ato të flasin keq për ju ose për udhëheqësin tuaj! Para se të gjithash, mos jini të pakujdesshëm ndaj pranisë së Krijuesit në jetën tuaj! Ai ju sheh çdo çast...
Më pas, të dyja ushtritë e sulmuan njëra-tjetrën. Rebelët tashmë e kishin humbur Zubejrin, njërin nga gjeneralët e tyre. Edhe gjenerali tjetër Talhaja, do të përballej me një fund të ngjashëm. Sipas Ebu’l-Fidasë, Mervani i urdhëroi skllavit të tij që ta mbulonte për të mos u dukur. Pasi u kamuflazhua si duhet, ai vendosi një shigjetë në hark dhe i tha skllavit: “Këtë njeri e kam parë gjatë ditëve kur shtëpia e Osmanit ishte e rrethuar. Ai i nxiste njerëzit për të hyrë në shtëpinë e tij dhe për ta vrarë. Shih sot si kërkon hakmarrje për gjakun e tij! Shih sa prekëse! Shumë e ka dashur Osmanin dhe unë tani kam për ta shpërblyer për këtë “dashuri”.
Me ta thënë këtë, Mervani e lëshoi shigjetën. Ishte një goditje vdekjeprurëse që Talhanë e kapi në kofshë. Talhaja u zvarrit në krye të ushtrisë derisa vdiq.
Ibn Saad
Në betejën e devesë, Talhaja ishte mbi një kalë pranë Aishes, kur Mervani hodhi një shigjetë drejt tij, e cila ia sakatoi këmbën. Mervani tha: “Për Zotin, tani s’kam më pse ta kërkoj vrasësin e Osmanit”. (“Tabakaat”, vëll.3, fq. 223).
Hakim el-Nishapuri
Ibrahim ibn Muhammed ibn Talhaja ka thënë se Mervan bin Hakemi ishte ai që ia vrau gjyshin (Talhanë) me një shigjetë në betejën e Devesë (përcjellë në veprën “Mustadrak”).
Sir John Glubb
Zubejri ishte kushëri i parë i Profetit. Nëna e tij ishte motra e babait të Muhammedit. Zubejri dhe Aliu njiheshin prej kohësh dhe kishin bashkëpunuar gjatë gjithë jetës së tyre. Kur u takuan mes dy ushtrive, Aliu e pyeti Zubejrin në i kujtohej koha e rinisë së tyre, kur të dy kishin luftuar përplot devotshmëri fetare dhe besnikëri ndaj Muhammedit. Aliu ia përkujtoi fjalët e Muhammedit dhe fjalët e tyre në ato kohë të bukura. Zubejrit iu mbushën sytë nga këto fjalë të Aliut dhe u betua se kurrë nuk do të luftonte kundër tij. Aliu ishte i famshëm si një orator bindës.
Kur filloi beteja, Zubejri, siç kishte premtuar, u tërhoq nga fushëbeteja. Duke udhëtuar në shkretëtirë, në pak largësi nga Basra, ai u sulmua dhe u vra nga një kalimtar. Kështu, në një dështim të plotë dhe në gjendje të turpshme, vdiq njëri nga heronjtë e hershëm të Islamit. Në ndërkohë, Talhaja ishte lënduar nga një shigjetë dhe ishte dërguar në Basra, ku vdiq më pas. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq.320, botim i vitit 1967)
Zubejri dhe Talhaja vdiqën për një kauzë krejtësisht të dyshimtë. Me sa duket, ata ishin të vetëdijshëm se kauza për të cilën luftonin nuk u takonte atyre dhe se nuk ishte e drejtë. Që të dy kishin qenë nga heronjtë kryesorë të ditëve të hershme të Islamit. Por në betejën e Basrës, heroizmi u largua prej tyre. Ata nuk shfaqën kurrfarë heroizmi dhe vdiqën si dele. Shpjegimi i vetëm për këtë dështim të tyre mund të jetë degradimi moral, për shkak të të cilit ata e kishin humbur luftën edhe pa filluar ajo. Disfata e tyre, pra, ishte një disfatë morale.
Në të vërtetë, Talhaja dhe Zubejri kishin hyrë në një qorrsokak. Në fillim, ata ishin të zellshëm për ta eliminuar Osmanin. E luajtën këtë gur dhe humbën. Pas vdekjes së Osmanit, qëndrimi i tyre në Medine do të ishte i rrezikshëm. Për këtë gjendje të tyre, ata nuk gjetën një rrugëdalje tjetër veçse të fillonin të bërtisnin se kërkonin hakmarrje për gjakun e tij. Arrestimi i vrasësve të Osmanit ishte detyra e pushtetit legjitim që ekzistonte dhe i cili kishte shpallur se do ta hetonte këtë rast. Por pikërisht ky hetim ishte gjëja që i trembte më shumë Talhanë dhe Zubejrin. Ata nuk donin një hetim. Mënyra e vetme që ta shpëtonin kokën ishte që ta shtynin vendin drejt një kaosi dhe ta mbanin në një gjendje të tillë. Kësaj ia dolën mbanë me shumë sukses. Ata kishin “sukses” në kuptimin që nuk i lejuan Aliut ta hetonte vrasjen e Osmanit dhe në vend të kësaj, e detyruan të merrej me rebelimin e tyre.
Është vërtet e pabesueshme se si Talhaja dhe Zubejri, dy shokë të famshëm të Profetit dhe dy nga myslimanët më të hershëm, mundën aq lehtë ta thyenin premtimin e tyre për besnikëri ndaj Aliut. Nëse vërtet besonin se Aliu kishte rol në vrasjen e Osmanit, ata do të duhej ta thoshin këtë që në Xhaminë e Profetit, në mbledhjen e muhaxhirëve dhe të ensarëve e jo t’ia shprehnin Aliut besnikërinë. Por ata nuk thanë gjë dhe iu betuan Aliut për besnikëri. Derisa kishin shpresë se Aliu mund t’i emëronte si guvernatorë, ata heshtën. Por në çastin që e humbën këtë shpresë, ata e thyen premtimin e dhënë dhe filluan të rebeloheshin. Rebelimi ishte mënyra e vetme për të penguar një hetim të vrasjes së Osmanit. Sikur Talhaja dhe Zubejri të kishin qenë të sinqertë kur kërkonin hakmarrje për vrasjen e Osmanit, do të duhej të bënin vetëm një gjë: t’i thoshin Aliut se do të vendosnin një afat të caktuar, brenda të cilit ai do të duhej ta hetonte vrasjen e Osmanit dhe t’i gjente vrasësit. Por ata nuk vendosën një afat të tillë dhe në vend të kësaj, filluan një rebelim, duke u fshehur pas pretekstit se po luftonin për hakmarrje të vrasjes së Osmanit.
Disa historianë kanë thënë se Aliu vajtoi për vdekjen e Talhasë dhe të Zubejrit. Nëse vërtet ndodhi një gjë e tillë, ai duhet ta ketë menduar fillimin e lavdishëm dhe fundin e mjerë të këtyre dy heronjve të hershëm të Islamit. Talhaja dhe Zubejri e paguan shtrenjtë ambicien e tyre pa principe dhe siç thotë një shprehje moderne arabe, “u mbytën në mllefin e tyre”.
Me eliminimin e Talhasë dhe të Zubejrit, deveja mbi të cilën gjendej Aisheja u bë pika ku do të mblidheshin ushtarët e Basrës. Ushtarët e saj luftuan ashpër dhe me vendosmëri, duke krijuar një mur prej mishi përreth devesë. Njëri nga ushtarët ia mbante frerët. Gjenerali i famshëm i Aliut, Malik el-Eshteri, ia preu krahun. Sakaq një tjetër e zëvendësoi të parin por edhe ai e humbi krahun nga goditja e Malikut. E njëjta ngjau edhe me një të tretë. Kjo vazhdoi kështu derisa para devesë u mblodh një grumbull krahësh të prerë. Gjithkund rreth devesë së Aishes, njerëzit po luftonin dhe po vdisnin. Aisheja që rrinte ulur në shpinë të devesë, po u jepte kurajo ushtarëve që ta mbronin nga armiku, i cili sipas saj, e kishte vrarë Osmanin e pafajshëm. Secilën herë që dëgjohej zëri i saj, ushtarët frymëzoheshin për të luftuar më shumë. Ata e godisnin armikun jo vetëm për ta mbrojtur “nënën e besimtarëve” por edhe për t’u hakmarrë për Kalifin e vrarë.
Maliku ishte akoma i zënë me “lojën” e tij të prerjes së krahëve, kur e pa Abdullah ibn Zubejrin, nxitësin e ushtrisë mekkase dhe nipin e dashur të Aishes. Ai kishte qenë “lokomotiva” kryesore e betejës së Basrës, në të cilën mijëra myslimanë ishin vrarë. Po të mos ishin nxitjet e tija, mbase beteja e Basrës nuk do të kishte ngjarë kurrë.
Maliku u largua nga deveja e Aishes dhe e sulmoi ashpër Abdullahun, duke e rrëzuar përtokë. Kur ia afroi shpatën në fyt për ta vrarë, një klithmë u dëgjua nga Aisheja, e cila ishte e sigurt se Maliku do ta vriste Abdullahun. E zënë nga paniku, ajo klithi: “Shpëtojeni Abdullahun ose Maliku ka për ta vrarë.”.
Por kush mund ta shpëtonte nipin e Aishes nga duart e Malikut? Kushdo që i afrohej Malikut, vdiste. I vetmi njeri që mund ta shpëtonte Abdullahun, ishte vetë Maliku. Kur e dëgjoi klithmën e Aishes, ai i tha Abdullahut: “Tani dua shumë të të copëtoj me shpatën time por ta fal jetën për shkak të afërsisë që ke me të Dërguarin e Zotit”.
Më shumë sesa nga mëshira, Maliku ia fali jetën Abdullahut për shkakun se ai nuk kishte kurrfarë vlere në sytë e tij. Ky i fundit u ngrit nga toka dhe i shqetësuar nga ky takim me vdekjen, menjëherë iku larg Malikut, i vendosur për të mos dalë më kurrë para tij.
Maliku u kthye në luftimet rreth devesë së Aishes, ku ushtarët nuk e humbnin guximin nga rreziku i humbjes së krahëve të tyre. Aisheja u jepte kurajo duke bërtitur: “Të bekuar qofshi bijtë e mi, që me kaq guxim e mbroni nënën tuaj!”
Maliku, i lodhur së preri krahë të ushtarëve armiq, vendosi t’i jepte një fund kësaj loje që kishte zgjatur pak tepër. Ai shkeli mbi trupat e të vrarëve dhe me shpatën e tij, e goditi dhe e vrau devenë e Aishes.
Deveja ra në tokë, me gjakun e saj që derdhej përreth. Bashkë me të, edhe ulësja ku rrinte Aisheja ra në tokë. Por vetë Aisheja shpëtoi pa ndonjë lëndim. Aliu e dërgoi Ammar bin Jasirin dhe vëllain e Aishes Muhammed ibn Ebu Bekrin që ta shoqëronin atë deri tek shtëpia e një vejushe fisnike nga Basra.
Deveja e Aishes kishte qenë një emblemë për të cilën luftonte ushtria e Basrës. Kur ajo u vra, “emblema” e tyre u zhduk. Përnjëherë, ushtrisë së Basrës nuk i mbeti asgjë për të luftuar dhe ajo filloi të shpërndahej. Të gjithë filluan të arratiseshin në ndonjë anë. Gjatë arratisjes së tyre, ushtarët e harruan edhe Aishen, për të cilën kishin luftuar me aq heroizëm deri atëherë. Shumë shpejt, në fushëbetejë nuk mbetën tjetër përveç të vrarëve dhe të plagosurve. Ngase Aliu e kishte ndaluar ndjekjen e ikanakëve, shumica e rebelëve arritën të largoheshin, me çfarë edhe beteja mori fund.
Aliu i përsëriti edhe njëherë urdhrat se të vdekurit nuk do të masakroheshin, se kampi armik nuk do të plaçkitej dhe se të dorëzuarit nuk do të vriteshin. Ai insistonte që ushtria e tij të tregonte një shembull butësie, vetëkontrolli dhe drejtësie, si vlerat më themelore të një organizimi ushtarak që ishte pastër islamik.
Sir John Glubb
Beteja e Devesë u bë në dhjetor të vitit 656. Menjëherë pas tërheqjes së armikut, Aliu dha urdhër që askush të mos ndiqej dhe që vrasjet të pushonin sakaq. Kur Aliu hyri në Basra, ai u përpoq të arrinte pajtim mes palëve. Ushtria armike u trajtua me bujari. Aliu insistoi që të kaluarat të mbeteshin të kaluara, sepse ishte një njeri i butë dhe bujar, i cili dëshironte ta bashkonte Shtetin dhe jo të hakmerrej kundër armiqve. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq. 322; botim i vitit 1963).
Aliu ishte bujar dhe dëshironta ta ribashkonte shoqërinë myslimane të mësuesit të tij Muhammedit. Arsyeja përse Aliu nuk i dënoi rebelët ishte se ai kishte një urrejtje ndaj gjakderdhjes në përgjithësi dhe në veçanti ndaj gjakderdhjes mes myslimanëve.
Ai gjithashtu ndaloi që të sulmohej qyteti rebel i Basrës për shkaqet e njëjta, gjegjësisht ngase e konsideronte të shenjtë gjakun e myslimanëve. Ironikisht, asnjëri nga bashkëkohësit e tij nuk e ndante këtë besim. Ata nuk hezitonin fare kur bëhej fjalë për të derdhur gjak myslimani dhe këtë e bënë me të madhe.
Aisheja ndërmjetësoi pranë Aliut dhe i kërkoi që nipi dhe djali i saj i adoptuar Abdullah bin Zubejri të falej. Aliu iu përgjigj: “Falje vetëm për Abdullah bin Zubejrin? Jo! Do të ketë falje për të gjithë”.
Aliu jo vetëm që e fali Abdullah bin Zubejrin por i fali edhe shumë armiq të pandreqshëm si Mervan bin Hakemi, Velid bin Akabeja, Abdullah ibn Amiri dhe të gjithë Umajjadët e tjerë.
Asnjëherë në historinë e njerëzimit, një fitimar nuk i ka trajtuar me aq bujari armiqtë e tij, siç i trajtonte Aliu. Duke i falur të gjithë rebelët, Aliu sërish vetëm sa e imitonte shembullin e mikut dhe mësuesit të tij Muhammedit, të Dërguarit të Zotit, i cili i kishte falur politeistët e Mekkes menjëherë pas çlirimit të qytet, ndonëse mes tyre ndodheshin disa nga armiqtë e tij më të përbetuar. Aliu hapëronte mbi gjurmët e Muhammedit dhe jetonte në një imitim të plotë të jetës së shenjtë të tij.
Pas disa ditësh, Aisheja ishte gati për të udhëtuar. Në përshtatshmëri me kërkesën e saj, Aliu e dërgoi atë në Mekke, në shoqëri të vëllait të saj Muhammed ibn Ebu Bekrit. Në Mekke, ajo bëri Umre dhe më pas u nis drejt Medines. Aisheja njihet si një person shumë i ditur në çështjet e fesë dhe konsiderohet si një përcjellëse e haditheve të Profetit. Duke qenë kaq e ditur, si është e mundur që ajo të mos e dinte se s’kishte të drejtë të kërkonte hakmarrje për vrasjen e Osmanit? Kërkimi për hakmarrje është një e drejtë që i takon palës së dëmtuar dhe ushtrimi i dënimit është një detyrë e qeverisë së myslimanëve. Por edhe përkundër kësaj, ajo e sfidoi një qeverisje legjitime për hir të hakmarrjes dhe çoi shumë myslimanë drejt luftës. Obsesioni i saj me luftën i la jetimë mijëra fëmijë dhe mijëra gra i bëri vejusha.
Një grua e quajtur Umm Aufa el-Abdija një ditë e pyeti Aishen: “O nënë e besimtarëve! Ç’është mendimi juaj për një grua që e vret fëmijën e saj?” Aisheja iu përgjigj se një grua e tillë do të hidhej në zjarr. Umm Aufa pyeti prapë: “Dhe ç’do t’i ndodhë atëherë një gruaje që vret 20 mijë fëmijë të saj përnjëherë?” Aisheja u mllefos nga këto fjalë të gruas dhe i bërtiti asaj (marrë nga vepra “Ikd’ul-Farid”,vëll.3, fq.108).
Edhe disa pjesëtarë të familjes së Aishes dëshironin që ajo kurrë të mos kishte marrë pjesë në luftëra. Në një rast, ajo dërgoi lajmëtar tek një nip i saj i quajtur Ibn Ebi’l Atik dhe i kërkoi që t’i dërgonte një mushkë. Kur nipi i saj e mori porosinë, ai iu përgjigj lajmëtarit: “Thuaji nënës së besimtarëve se për Zotin, ende nuk i kemi larë duart nga gjaku i derdhur në betejën e Devesë. A dëshiron tani të fillojë një betejë të mushkave?”. (nga vepra “Ensab’ul Eshref”, vëll.1, fq. 431).
Fjalët e Ibn Ebi’l Atikut ishin thjesht ironike. Por në vitin 669, do të vinte dita kur Aisheja, e hipur mbi një mushkë do të nisej në një “ekspeditë” tjetër. Kur arkivoli i Imam Hasan ibn Aliut u soll për t’u varrosur në tyrben e gjyshit të tij Muhammedit, Mervan bin Hakemi dhe pjesëtarët e tjerë të fisit Umejje dolën para tyre të armatosur. Qëllimi ishte që Imam Hasanit të mos i lejohej një varrim pranë të gjyshit. Dhe Umajjadët nuk ishin vetëm. Edhe Aisheja ishte pranë tyre, e hipur mbi një mushkë.
Ajo mbase e humbi betejën në Basra por ngadhnjeu në “betejën e Medines”. Për shkak të Aishes dhe të Umajjadëve, Hasanit nuk iu lejua të varrosej pranë gjyshit të tij. Si pasojë, ai u varros në varrezat “Xhennet’ul-Baki”.
Nuk ka mundësi për t’i racionalizuar rolet e Aishes, Talhasë dhe Zubejrit pas vdekjes së Osmanit. Fakti se ata ishin personalitete të famshme të historisë së myslimanëve nuk e ndryshon rolin e tyre në gjithë këto ndodhi. Një gabim nuk bëhet më pak i papranueshëm vetëm nëse një njeri i rëndësishëm e kryen atë. Gabimi mbetet një gabim, pavarësisht se prej kujt kryhet.
Veçanërisht nga bashkëshortet e Profetit pritej që të ishin të kujdesshme në gjërat që bënin dhe që thoshin. Në fund të fundit, ato duhet të ishin modele të sjelljes shembullore për shoqërinë myslimane. Një gabim mund t’i falej bashkëshortes së një njeriu të rëndomtë por jo edhe atyre. Duke u folur atyre, Kur’ani thotë:
O ju gra të Profetit! Nëse ndonjëra nga ju bënë ndonjë të ligë, dënimi i saj do të dyfishohet. Kjo është e lehtë për Zotin...(Kur’an 33:30)
Disa historianë kanë bërë përpjekje për ta zbutur goditjen e këtyre ndodhive tek gjeneratat e ardhshme, duke thënë se veprat e “shokëve të Profetit” (sahabeve) ishin vetëm gabime të vogla gjykimi. Dhjetëra mijëra myslimanë u vranë në betejën e Basrës pa ndonjë arsye tjetër përveç këtij “gabimi të vogël në gjykim”.
Më herët e kemi përmendur edhe karakterin misterioz dhe mitik, të quajtur Abdullah ibn Sebe, i cili sipas historianëve sunnitë, ishte “katalizatori” i vërtetë i vrasjes së Osmanit. Të njëjtët historianë e kanë parë të nevojshme që edhe disa ndodhi të tjera të komplikuara dhe të pashpjegueshme, t’i shpjegojnë nëpërmjet tij.
Sipas këtyre historianëve, Abdullah ibn Sebe dhe ndjekësit e tij e shihnin paqen si një dënim të tyre. Ata ishin të bindur se nëse përpjekjet e Aliut për paqe do të ishin të suksesshme, ata vetë do të ishin viktimat e para. Andaj, garancia e vetme që mund ta gjenin për sigurinë e tyre, ishte pikërisht në një luftë civile në mesin e myslimanëve.
Me këto mendime, sipas historianëve sunnitë, Abdullah ibn Sebe dhe grupi i tij i sulmuan natën të dy kampet njëkohësisht. Në errësirë, asnjëra anë nuk mund t’i shihte provokatorët dhe sulmuesit e vërtetë dhe secila anë do të ishte e bindur se pala tjetër e kishte filluar luftën.
Shpikja e Abdullah ibn Sebes është pasojë e nevojës pragmatike për t’i maskuar disa pjesë të turpshme të historisë. Ndonëse një shpikje tejet gjeniale, Abdullah ibn Sebe, për fatin e keq të shpikësve të tij, nuk është një përgjigje për të gjitha pyetjet. Për shembull, a ishte Abdullah ibn Sebe ai që e dhunoi marrëveshjen me Osman bin Hunejfin dhe që e sulmoi natën Basrën, e plaçkiti thesarin e qytetit dhe vrau 600 myslimanë? Dhe a ishte sërish Abdullah ibn Sebe që e kërcënoi me vdekje Osman bin Hunejfin, e torturoi atë, e dëboi nga shtëpia e tij dhe përfundimisht edhe nga Basra?
Dhe si ndodhi që Aliu e dërgoi Abdullah ibn Muslimin me një kopje të Kur’anit dhe rebelët filluan të hidhinin shigjet derisa e vranë Abdullahun? A ishte sërish Abdullah ibn Sebe që e vrau?
Aisheja jetoi edhe shumë vite pas betejës së Basrës por ajo kurrë nuk e përmendi ndonjë njeri të quajtur Abdullah ibn Sebe dhe rolin e tij në gjithë këtë luftë. Ajo shpesh thoshte se do të kishte dashur të vdiste shumë kohë para asaj beteje, në të cilën u vranë mijëra myslimanë. Po të kishte qenë Abdullah ibn Sebe një figurë kaq historike, Aisheja do ta akuzonte atë domosdo për gjërat që ndodhën në Basra. Por e vërteta është se Abdullah ibn Sebe u shpik shumë kohë pas betejës së Basrës dhe shumë vite pas vdekjes së Aishes.
Nëse vërtet Abdullah ibn Sebe ishte një karakter i tillë historik, kjo do të thoshte se ai gjendej në qendër të ngjarjeve të kësaj epoke, veçanërisht pas gjithë atij roli të jashtëzakonshëm në historinë e hershme të Islamit. A nuk ishte i pranishëm në betejën e Siffinit ose të Nehrevanit? A nuk i shkaktoi vallë edhe këto dy beteja, pasi kishte qenë kaq i suksesshëm në Basra? Dhe a nuk u bënë edhe Muavijeje dhe arixhinjtë viktima të intrigave të tija? Ç’ngjau vërtet me një karakter kaq të rëndësishëm të historisë së myslimanëve?
Abdullah ibn Sebe ishte një karakter krejtësisht artificial, i krijuar për nevojat e çastit. Ai u shpik qëllimisht nga adhuruesit e disa prej personazheve më të rëndësishëm historikë të Islamit të hershëm. Qëllimi i tyre ishte që të mbrohej reputacioni dhe po të jetë e mundur, të maskohej identiteti i këtyre personave, të cilët ishin përgjegjës fillimisht për vrasjen e Osmanit dhe më pas edhe për fillimin e luftës së dytë civile në Islam, gjegjësisht të betejës së Basrës. Shpikësit e Ibn Sebes mendonin se këto personazhe të historisë së Islamit do të ishin të mbrojtur nga gjykimi i historisë, nëse shpikej një Abdullah ibn Sebe që do të mund të fajësohej për gjithçka.
Abdullah ibn Sebe, me sa duket, ishte një njeri i jashtëzakonshëm në historinë e myslimanëve. Ai arriti që fillimisht ta sillte në Basra një person aq “të pavullnetshëm” si Aisheja dhe gjeneralë aq “paqedashës” si Talhaja, Zubejri, Abdullah ibn Zubejri dhe Mervani. Ai arriti që të sillte një ushtri të tërë nëpër shkretëtirën arabe dhe më pas, i detyroi që ta sulmonin ushtrinë e Aliut. Dhe myslimanët, jo vetëm që i bindeshin me zell por edhe ishin të gatshëm për të vdekur për të, siç vdiqën shumë prej tyre në betejën e Basrës. Ai duhet të ketë qenë një njeri shumë karizmatik. S’ka si të mos i admirojë njeriu aftësitë e tija!!!
Por edhe përkundër gjithë “karizmës” dhe aftësive të tija, Abdullah ibn Sebe duket se ishte një njeri shumë i turpshëm. Kjo vërtetohet nga fakti se ai ishte “alergjik” ndaj të qenit publik. Menjëherë pas betejës së Basrës, ai u zhyt në fshehtësi dhe kurrë nuk u shfaq më. Mbase vdiq diku i pavajtuar. Është e mundur madje që “mamicat” e pranishme në lindjen e tij, të kenë qenë edhe në “varrim” dhe të kenë qenë të bindura se detyra e tij kishte përfunduar dhe se mund të varrosej për t’u mos e nxjerrë kurrë më.
Beteja e Basrës ose Beteja e Devesë, siç njihet ndryshe, është njëra nga tragjeditë më të mëdha të Islamit. Ajo ia dha goditjen e parë unitetit të myslimanëve, prej të cilës Islami kurrë nuk do të shërohej më pas. Shumë historianë myslimanë e kanë përcjellë historinë e kësaj beteje por gjithnjë duke u përpjekur t’i zbusin disa çështje jetike, sa për ta turbulluar lexuesin. Arsyeja e kësaj është fakti se prijësit rebelë në betejën e Basrës ishin “shokë” (sahabe) të Profetit dhe si të tillë, duhet të ishin të pastër nga çdo krim ose faj. Në fund të fundit, “statusi” i tyre special kërkonte një gjë të tillë.
Por një historian duhet t’i jetë besnik të vërtetës dhe jo personave, qofshin ata edhe “shokë” të Profetit. Detyra e historianit është t’i shprehë faktet. Ai mund t’i analizojë ato, t’i interpretojë ose të përgjithësojë duke u mbështetur në to, por kurrë nuk guxon t’i ndryshojë. Një historian duhet t’i mundësojë lexuesit që t’i gjykojë vetë meritat e shokëve të Profetit, duke u mbështetur në bëmat e tyre dhe jo të krijojë një mjegullnajë për t’i maskuar “shenjat” në fytyrat e tyre. Dështimi i një historiani në këtë drejtim është shtypj e të vërtetës, gjë që s’është gjë tjetër veçse përhapja e gënjeshtrave.
Po të mos zhvillohej beteja e Basrës, as beteja e Siffinit dhe ajo e Nehrevanit nuk do të zhvilloheshin. Fara e ndarjes në Islam u mboll në betejën e Basrës. Sikur Aisheja, Talhaja dhe Zubejri të mos e kishin sfiduar sovranin legjitim të myslimanëve, dyert e përçarjes në mes tyre nuk do të hapeshin kurrë.
Prijësit rebelë ishin njerëz të lirë. Zgjedhja e tyre ndryshonte në varësi prej kombinimit të tyre personal të ambicies, urrejtjes, fajit dhe xhelozisë. Nuk ishin principet që e trajtësonin veprimtarinë e tyre por thjesht interesi, altruizmi dhe dëshira për fuqi. Dëshira e tyre për të luftuar nuk pati pasoja të dëmshme vetëm për myslimanët por edhe për veten e tyre.
A janë ndalur ndonjëherë historianët myslimanë të mendojnë se ç’do të kishte ngjarë sikur “treshja” e Basrës të triumfonte kundër Aliut? Në një rast të tillë, do të kishin ngjarë dy gjëra:
1. Të mbushur me urrejtje siç ishin, ata në vitin 656 do ta bënin në Basra atë që do ta bënte Jezidi më pas në vitin 680 në Qerbela: do ta masakronin gjithë familjen e Muhammedit, të Dërguarit të Zotit.
2. Pas fitores kundër Aliut, ata do të përballeshin me Muavije ibn Ebu Sufjanin, guvernatorin e Sirisë.
Në këtë organizim të ri të forcave, Aisheja, Talhaja dhe Zubejri do të ishin në njërën anë, kurse Muavije ibn Ebu Sufjani dhe Amr bin Asi në anën tjetër. Bota myslimane do të ishte e ndarë ndërmjet këtyre dy kampeve armike dhe në luftën e tyre për hegjemoni, të dyja anët do ta masakronin njëra-tjetrën. Lexuesi duhet ta ketë parasysh se në këtë përballje të re, asnjëra nga palët nuk do të ishte “e hendikepuar” nga humaniteti, vetëkontrolli dhe urrejtja ndaj gjakderdhjes siç ishte Aliu. Si pasojë, lufta ndërmjet tyre do të ishte e egër dhe e pamëshirshme, pa ndonjë kufizim për hir të shenjtërisë së gjakut të myslimanëve. Bota myslimane do të fundosej në gjak dhe do të krijohej një vakum i madh pushteti. Dhe brenda këtij vakumi të pushtetit do të marshonte perandori bizantin me ushtrinë e tij, për ta shuar njëherë e përgjithmonë dritën e Islamit.
Qëllimisht dhe në mënyrë të paskrupullt, “treshja” e Basrës kishte shkaktuar një luftë që mund të kthehej në një katastrofë të përgjithshme për shoqërinë myslimane. Ishte pikërisht shkathtësia, vizioni, humaniteti dhe udhëheqësia e Aliut që e shpëtoi shoqërinë myslimane nga një katastrofë e tillë.
Disa historianë kanë thënë se shokët e Profetit që luftuan në ushtrinë e Basrës ndjenë keqardhje për atë që bënë dhe ngase ishin “penduar” sinqerisht, ata duhet të konsideroheshin të pafajshëm. Ndoshta atyre u duhej një “katarsis”, një ritual i pendimit, për t’i pastruar nga ndjenja e fajit. Por nuk kemi asnjë dëshmi historike se ata u penduan vërtet për atë që bënë. Aliu u dha atyre shumë mundësi për t’u penduar dhe për të hequr dorë por ata vazhdimisht i refuzuan këto oferta të tijat.
Nëse ata vërtet u penduan, atëherë i mbetet Zotit t’i pranojë pendimet e tyre, nëse ishin vërtet të sinqertë. Por pranimin e pendimit të tyre nga Zoti nuk mund ta dimë deri në Ditën e Gjykimit. Detyra e historianit, siç thamë edhe më sipër, është ndarja e të vërtetës nga gënjeshtrat, në të cilat është fshehur dhe më pas, shprehja e saj me qartësi. Historiani duhet t’i interpretojë faktet por kurrë nuk guxon t’i ndryshojë, t’i fshehë ose t’i shpikë nga mendja, me frikën se e vërteta mund ta dëmtojë imazhin e ndonjë personazhi të tij të dashur në historinë e Islamit.
Pas betejës, Aliu u lut për të vdekurit e të dyja ushtrive dhe urdhëroi që të varroseshin të gjithë trupat në fushëbetejë. Urdhrat e tij ishin që secili trup të trajtohej me respekt, qoftë ushtar i tij ose i armikut. Vetëm pas varrimit të të gjithë myslimanëve të vrarë në këtë betejë, Aliu mundi të përqendrohej në gjëra të tjera.
Hyrja e Aliut në Basra
Mesudiu, historiani që konsiderohet “Herodoti i arabëve”, në veprën e tij “Livadhet prej ari” (Muruxh’udh-dheheb), e jep përshkrimin vijues në lidhje me hyrjen e ushtrisë së Aliut në Basra. Ky është njëherit edhe një përshkrim i mirë i organizimit të tij ushtarak dhe tregues i pozitës së rëndësishme të ensarëve në këtë ushtri. Ai shkruan:
Një banor i dalluar i Basrës më rrëfeu se kur dëgjoi se ushtria fitimtare po afrohej drejt portës kryesore të qytetit, ai u ngjit mbi muret rrethuese për ta parë atë. Ai tha:
Kishte shumë njësi kalorësiake dhe këmbësore në ushtrinë e Medines, ndonëse vetë ushtria ishte relativisht e vogël. Në krye të një kontingjenti kalorësish, që ishin të parët që hynë në Basra, ishte një kalorës më në moshë. Anash i luhatej shpata dhe ai e mbante flamurin e njësisë që udhëhiqte. I pyeta njerëzit se kush ishte ky njeri dhe ata më thanë se ishte Ebu Ejjub Ensariu, miku dhe nikoqiri i dikurshëm medinas i Muhammedit, të Dërguarit të Zotit. Kontingjenti i tij prej 1000 burrash përbëhej nga ushtarët e ensarëve.
Pas tyre ishte një kalorës tjetër. Ai mbante një turban të verdhë dhe rroba të bardha. Kishte një hark në krahun e djathtë dhe në dorën e majtë e mbante flamurin e njësisë së tij. Edhe ai ecte në krye të një njësie prej 1000 kalorësish që ishin të gjithë ensarë. Më pas kuptova se ai ishte Khuzajma ibn Thabit Ensariu.
Komandanti i tretë kalëronte mbi një kalë të fuqishëm bojë kafeje. Ai kishte një turban të bardhë, mbante një shpatë e një hark dhe udhëhiqte një kontingjent prej 1000 kalorësish. Kuptova se ishte Ebu Katade ibn Rabii Ensariu.
Komandanti i katërt ngiste një kalë të bardhë. Të bardha i kishte rrobat dhe turbanin të zi. Dukej se ishte një njeri i dalluar dhe me emër, i cili krijonte respekt tek çdo vëzhgues. Ishte shumë i plakur por kishte një qëndrim ushtarak. Teksa lëvizte drejt qytetit, recitonte vargje të Kur’anit. Anash vetes kishte të varur një shpatë dhe në shpatullën e djathtë kishte një hark. Pas tij ishin 1000 kalorës, kryesisht burra më të moshuar që mbanin nga një shtizë të gjatë secili. Kur pyeta, më thanë se ishte Ammar bin Jasiri, miku i dashur i Muhammedit dhe i Ali ibn Ebu Talibit. Kalorësit që vinin pas tij ishin edhe muhaxhirë edhe ensarë dhe shumë prej tyre ishin veteranë të Bedrit.
Pastaj vërejta një burrë shumë të pashëm. I hipur mbi një kalë me ngjyrë të errët, ai kishte mbathur rroba të bardha dhe një turban të zi. Ky ishte Abdullah ibn Abbasi, kushëriri i Muhammedit dhe i Ali ibn Ebu Talibit. Bashkë me të ishin edhe vëllezërit dhe nipërit e tij.
Në ndërkohë, pjesa më e madhe e kalorësve kishte hyrë në Basra dhe vërejta se dy njësitë e fundit të ushtrisë po afroheshin drejt dyerve të qytetit. Pas disa çastesh, u duk njësia e parë. Në krye të saj ishte një kalorës me trup të zhvilluar mirë. Ai ishte i mbathur me rroba të luftës dhe mbillte tmerr në zemrat e atyre që e shihnin. Në dorën e djathtë kishte një flamur të zi dhe në të majtën një shtizë. Me sa dukej, ai ishte flamurtari i ushtrisë ose njëri nga komandantët e saj. Parashikimi im ishte i saktë. Njeriu ishte Malik el-Eshteri, njeriu kryesor i ushtrisë së Medines dhe luftëtari më i madh që arabët e kanë pasur ndonjëherë. S’kishte armik që u përball me të dhe që shpëtoi gjallë. Ai udhëhiqte 4000 ushtarë, kalorës dhe këmbësorë.
Njeriu i fundit që vërejta ishte një burrë me fytyrë të ndritur si dielli. Në të djathtë dhe në të majtë të tij ishin dy të rinj, secili me fytyrë shkëlqimtare si hëna. Që të tre ishin veshur me të zeza. Të zi ishin edhe kuajt e fuqishëm dhe krenarë mbi të cilët po kalëronin. Një burrë i ri ecte para tyre dhe mbante në dorë një shtizë të gjatë. Kuptova se njeriu që qëndronte në mes ishte gjenerali i kësaj ushtrie, Ali ibn Ebu Talibi. Dy të rinjtë që i kishte në të djathtë dhe në të majtë ishin bijtë e tij Hasani dhe Husejni, dritat e syve të Muhammedit. Edhe ushtari i tretë që ecte para tyre ishte njëri nga djemtë e tij, Muhammed ibn Hanefijje.
Pas tyre kishte shumë njësi të tjera me ushtarë. Ata e përbënin njësinë e pasme të ushtrisë. Në mesin e tyre ishin bijtë e Xhafer Tajjarit, bijtë e Akil ibn Ebu Talibit dhe të rinjtë e tjerë të fisit Hashim. Ata ishin kalorësit e fundit që hynë në Basra.
Para derës së Xhamisë së Basrës, Aliu zbriti nga kali i tij. Më pas hyri në xhami, fali namaz dhe e falënderoi Zotin për bekimet e Tija dhe për fitoren.
Banorët e Basrës ishin mbledhur në oborrin e xhamisë për ta pritur Aliun. Atë çast, ai doli nga xhamia dhe u foli atyre. Ai i qortoi për sjelljen e tyre të pamenduar gjatë gjithë kësaj beteje dhe u tha: “Ju ishin ndjekës të një bishe. Kur ajo klithte, ju e ndiqnit. Kur u vra, ju të gjithë ikët dhe u shpërndatë”.
Më pas Aliu mori betim për besnikëri nga banorët e Basrës. Ai i këshilloi t’i bindeshin Zotit dhe të Dërguarit të Tij dhe kurrë më të mos silleshin si dele të humbura.
Nga xhamia e qytetit, Aliu shkoi drejt e tek thesari, i cili ishte plaçkitur. Më pas urdhëroi që të gjitha gjërat e vjedhura të ktheheshin sakaq në thesar. Kur shkoi së dyti, thesari ishte i mbushur plot me copëza floriri dhe argjendi. Ai e vështroi pasurinë e madhe që fshihej aty dhe tha: “Përpiqu ta mashtrosh dikë tjetër!” Më pas, urdhëroi që e gjithë pasuria t’u shpërndahej trupave. Përgjegjësi i thesarit i shpërndau të gjitha dhe më në fund thesari u zbraz i tëri.
Për disa arsye misterioze, Aliu dhe ensarët ishin gjithnjë në një anë. Dhe për arsye po kaq misterioze, ensarët kurrë nuk e deshën Kurejshin. Ndërmjet Kurejshit dhe ensarëve kishte vetëm një mirësjellje formale. Me ardhjen e Aliut në pushtet, ishte hera e parë që nga koha e Muhammedit që ensarët kishin pasur mundësi të luanin një rol të rëndësishëm në qeverisjen e myslimanëve. Aliu i emëroi ata në pozitat më të larta në perandori, qoftë në detyra ushtarake dhe qoftë si guvernatorë të provincave. Në të dyja sferat, ensarët u dalluan me aftësitë dhe me vendosmërinë e tyre.
Aliu e shkatërroi karakterin “provincial” të Kalifatit, duke e “dekurejshizuar” administratën shtetërore dhe duke ua dhënë ensarëve të drejtën e tyre. Në qeverinë e tij, një njeri s’duhej të ishte domosdo nga Kurejshi që të mund të arrinte në poste të larta. Çdo njeri, qoftë nga Kurejshi ose jo, mund të ngrihej në pozita të larta gjatë Kalifatit të Aliut, përderisa kishte dy cilësi: karakter dhe aftësi.
61. Transferimi i kryeqytetit nga Medineja në Kufe
Në muajin Rexheb të vitit 36 pas Hixhrit (Janar 657), Aliu vendosi ta transferonte kryeqendrën e tij nga Medineja drejt Kufes në Irak. Kur u vendos rendi në Basra, ai e emëroi Abdullah ibn Abbasin si guvernator të ri dhe më pas u largua drejt Kufes që do të ishte kryeqytetit i ri i Islamit.
Në ditën e dymbëdhjetë të muajit Rexheb, Aliu arriti para portave të Kufes. Fisnikët e qytetit dolën për ta përshëndetur dhe për ta përgëzuar për fitoren. Pas hyrjes në qytet, Aliu fillimisht shkoi në Xhaminë e Madhe, e fali namazin aty duke iu falënderuar Zotit për fitoren dhe më pas, mbajti një fjalim, në të cilin i falënderoi banorët e Kufes për përkrahjen e tyre, duke i përgëzuar për suksesin e treguar në betejën e Basrës.
Fisnikët e Kufes i kërkuan Aliut që të vendosej në pallatin e guvernatorit por ai nuk pranoi. Në vend të kësaj, ai zgjodhi një shtëpi modeste për të banuar.
Historianët janë përpjekur ta shpjegojnë arsyen përse Aliu e barti kryeqytetin nga Medineja në Kufe. Në veprën “Historia e Islamit” (botuar në Lahore të Pakistanit), Prof. Sejjid Abd’ul-Kadir dhe Prof. Muhammed Shuxha’ud-Din, shkruajnë:
Shtatë muaj pasi e mori përsipër qeverisjen, Aliu e bëri Kufen kryeqytet. Në vijim po i japim disa nga arsyet e këtij vendimi:
1. Beteja e Basrës u zhvillua dhe u fitua me ndihmën e popullit të Kufes. Aliu e bëri Kufen kryeqytet, pjesërisht në shenjë falënderimi për këtë shërbim të tyre.
2. Aliu dëshironte ta shpëtojë Medinen nga kaosi i luftës civile që kishte përfunduar me vrasjen e Osmant. Ai nuk dëshironte që Medineja të bëhej vatër e trazirave politike. Me këtë, Qyteti i Profetit do të mbrohej nga shkatërrimi i mundshëm i luftërave që mund të ngjanin në të ardhmen.
3. Kufeja kishte një pozitë më qendrore në perandori. Kushtet administrative të një territori shumë të madh e impononin një lëvizje të tillë.
4. Nga Kufeja, Aliu e kishte më lehtë t’i vëzhgonte lëvizjet e Muavijes.
(“Historia e Islamit”).
Muhammed Latif Ensari, një historian bashkëkohor nga Pakistani, në veprën e tij të titulluar gjithashtu “Historia e Islamit”, thotë se njësoj siç ishte Ebu Sufjani (bashkë me Ebu Xhehlin) përgjegjës për shpërnguljen e Muhammedit nga Mekkeja në Medine, edhe djali i Ebu Sufjanit ishte përgjegjës për shpërnguljen e Aliut nga Medineja drejt Kufes. Ai thotë se luftërat civile kishin filluar tashmë dhe Medineja mbetej larg skenave të luftës. Aliu, pra, e ndërroi kryeqytetin për arsye strategjike. Kjo e përkrah pretendimin e historianit në fjalë se ishte pikërisht rebelimi i Muavijes që e detyroi Aliun të bënte një gjë të tillë.
Në të vërtetë, kishte edhe arsye idealiste edhe pragmatike për ta transferuar kryeqytetin nga Medineja në Kufe. Këto arsye mund të radhiten si vijon:
1. Kur Aliu erdhi në pushtet, qendrat më të rëndësishme urbane të perandorisë ishin Damasku në Siri, Mekkeja dhe Medineja në Hixhaz dhe Basra e Kufeja në Irak. Damasku ishte në duart e Muavijes dhe rrjedhimisht, ishte qendra e opozitës kundër Aliut. Nga katër qytetet e tjera, Mekkeja kishte qenë fillimisht në duart e treshes rebele të përbërë nga Talhaja, Zubejri dhe Aisheja. Në Mekke ata kishin formuar një ushtri prej 3000 vetësh, me të cilën u nisën për në Basra dhe e pushtuan qytetin. Shumë nga ata mekkas që nuk dëshironin të shkonin në Basra me ushtrinë rebele, i dhanë asaj vetëm përkrahje materiale. Si pasojë e gjithë kësaj, Aliu nuk mund të mbështetej tek Mekkeja.
Edhe Medineja nuk ishte shumë më mirë se Mekkeja. Siç u tha edhe më parë, kur Osmani u vra, Medineja mbeti në mëshirë të protestuesve. Muhaxhirët dhe ensarët e kuptuan se në gjithë tokën e Islamit nuk kishte njeri tjetër përveç Aliut që mund ta shpëtonte Medinen nga plaçkitja, masakra dhe shkatërrimi. Andaj pikërisht Aliut iu kërkua që ta merrte në duar pushtetin. Ai u tha muhaxhirëve dhe ensarëve se do ta pranonte ofertën e tyre vetëm nëse i premtonin se do t’i bindeshin në luftë e në paqe. Ata iu zotuan dhe ai e pranoi detyrën e Kalifit.
Vetëm pak ditë kishin kaluar prej këtij rasti, kur në Mekke filloi rebelimi kundër Kalifit. Aliu shkoi në xhami dhe i ftoi muhaxhirët dhe ensarët që të dilnin në mbrojtje të qeverisë. Përgjigja e vetme që mori Aliu ishte heshtja. Ai sërish ua përkujtoi premtimin për t’iu bindur por të gjithë vazhdonin të heshtnin. Thirrjet e Aliut u përballën me veshë të shurdhër.
Pas shumë javësh dhe pas një përpjekjeje të jashtëzakonshme, më në fund u paraqitën shtatëqind vullnetarë nga Medineja. Kjo ishte e tëra që Medineja arriti të bënte për të. Më pas, Aliu u nis nga ky qytet për të mos u kthyer kurrë më.
Qyteti i katërt, Basra, e kishte njohur autoritetin e Aliut dhe ai e kishte emëruar Osman bin Hunejf Ensariun si guvernator të qytetit. Por kur Aliu arriti në Irak, “treshja” e përbërë nga Aisheja, Talhaja dhe Zubejri e kishte pushtuar tashmë Basrën. Osman bin Hunejfi mezi arriti ta shpëtonte kokën.
Tani mundësia për të zgjedhur ishte kufizuar tek një qytet i vetëm dhe ky qytet ishte Kufeja. Aliu e kishte dërguar të birin Hasanin dhe Ammar bin Jasirin që të sillnin përforcime nga ky qytet. Si përgjigje, Kufeja i dërgoi 12 mijë ushtarë dhe ishin pikërisht këta burra që luftuan në betejën e Basrës dhe që e mundën “treshen” rebele.
Mekkeja, Medineja dhe Basra i kishin treguar qartë Aliut se ç’do të bënin në raste trazirash. Por qytetarët e Kufes i kishin dërguar përforcime në një çast shumë kritik në karrierën e tij si Kalif. Aliu tani e shihte se sikur të duhej të luftonte me Muavijen, ai mund të mbështetej vetëm tek ushtria e Kufes. Ishte, pra, rrjedha e ngjarjeve që e detyroi Aliut ta bënte Kufen kryeqytet të tij.
Me aq sa dukej, populli i Medines nuk ishte shumë i interesuar për ngjarjet që ndodhnin rreth tyre. Kur Aliu shpalli se do ta lëvizte selinë e shtetit drejt Kufes, askush nuk kundërshtoi. Medinasit nuk shfaqën kurrfarë reagimi, sikur të mos kishte kurrfarë dallimi për ta në do të ishte qyteti i tyre kryeqytet i Islamit ose jo.
2. Medineja ishte djepi i kulturës islame dhe i civilizimit islamik. Në Medine mund të shihej mënyra më origjinale e jetesës islame. Luftërat dhe pushtimet kishin sjellë njerëz të kulturave të ndryshme në Islam. Sikur Medineja të mbetej qendra politike dhe administrative e shtetit, siç ishte qendra shpirtërore e saj, atëherë shumë të huaj, me kulturat e tyre dhe me prapavijën joislame, do të ishin vendosur në Medine. Ata do ta sillnin moralin e tyre, traditat, mënyrën e jetesës dhe praktikat fetare. Kështu, ata ose do ta nënshtronin kulturën e pastër islame ose në rastin më optimist, do ta dëmtonin atë. Sido që të ishte, Islami burimor do të bëhej viktimë e shumë ndikimeve të huaja.
Joel Carmichael
Islami u përball me trashëgiminë e madhe intelektuale të Krishterimit, të ngarkuar me idetë e Greqisë dhe të Romës së lashtë. Trashëgimia intelektuale e Krishterimit jo vetëm që i përfshinte idetë heleniste por edhe idetë aktuale të Persisë e të vendeve të tjera të Lindjes. Kështu, një llojllojshmëri e jashtëzakonshme idesh dhe traditash, të gjitha pak shumë të përfshira brenda Krishterimit, iu transferuan masivisht universit të ri të Islamit. (“Trajtësimi i arabëve”, fq. 194, botim i vitit 1967).
Por Aliu e lëvizi kryeqytetin larg Medines, duke e shpëtuar kështu mënyrën islame të jetesës në djepin e Islamit. Ai e shpëtoi Mekken dhe Medinen nga hegjemonia e të krishterëve, hebrenjve, romakëve dhe zoroastrianëve. Ai e ruajti karakterin e këtyre dy qyteteve të tillë siç ishte në kohën e Muhammedit, të Dërguarit të Zotit.
3. Në të shumtën e rasteve, kryeqyteti i një shteti është edhe kryeqendra e të ligave, e krimeve dhe e intrigave. Kryqyetetet e perandorive të mëdha si Babiloni, Roma dhe Bizantiumi (më pas i emëruar Konstantinopolis nga Konstantini dhe Istanbul nga Osmanët), ishin gjithnjë epiqendra të ngarjeve më të mëdha të kohës. Shumë njerëz i vizitojnë kryeqytetet perandorake dhe sjellin shumë probleme me vete. Rritja e pakontrollouar dhe mbipopullimi i qyteteve të mëdha krijon potenciale të shumta për çdo lloj krimi. Edhe shumë kryeqytete të periudhës sonë nuk dallojnë shumë në këtë drejtim nga Babiloni ose nga Roma.
Medineja ishte qendra e mësimeve të Kur’anit dhe në të ndodhej tyrbeja e Muhammedit, të Dërguarit të Zotit dhe Shpjeguesit të Porosisë së fundit hyjnore për njerëzimin, qëllimi i të cilës ishte që njeriu të jetonte një jetë të pastër, fisnike dhe të ndershme. Islami ishte një ndërtues i përsosur i karakterit dhe për këtë nuk kishte një shembull më të mirë se vetë jeta e shenjtë e Profetit të tij. Sikur Medineja të bëhej si kryeqytetet e të kaluarës, ftesa e Islamit për njerëzimin do ta kishte humbur peshën. Aliu e shpëtoi shenjtërinë e Medines dhe etosin e programit misionar të Islamit, duke e ndarë kryeqendrën shpirtërore (ose fetare) të perandorisë nga kryeqendra politike e saj.
Aliu ishte vërtet profetik në vizionin e tij. Ai e shpëtoi Medinen nga degradimi që do ta gjente më pas Damaskun, Bagdadin ose Kordobën. Civilizimi u zhvillua shumë shpejt në Siri, i ushqyer nga dinamizmi i një perandorie në rritje. E gjithë pasuria e popujve të pushtuar u derdh drejt Damaskut (dhe më pas Bagdadit dhe kryeqendrave të tjera të botës islame). Por me pasurinë, erdhi edhe jeta luksoze dhe ambicia e klasave sunduese për t’u bërë mbrojtësë të “arteve të bukura”. Muzika greke ose perse dhe valltaret e ndryshme erdhën me shpejtësi drejt qendrave të perandorisë arabe. Lexuesit që duan t’i hedhin një vështrim periudhës kulmore të sundimit umajjad dhe abbasid, kanë në dispozicion libra të shumtë, ndër të cilët “Kitab el-aghani” (Libri i këngëve) nga Ebu’l-Ferexh Isfahaniu ose “Unaza e pëllumbit” nga Ibn Hazmi janë nga një pasqyrë tejet besnike e epokave të tyre.
A.J. Arberry
Pasuria e perandorisë rritej, teksa tregtia shkonte gjithë më larg e më larg. Pasuria e mbledhur ishte e përqëndruar në duart e disa personve, të cilët arritën një fuqi që paraardhësit e tyre beduinë as që mund ta paramendonin. Pallate të bukura dhe shtëpi luksoze e zbukuronin Bagdadin si kryeqytet por edhe qendrat e tjera si Buhara, Semerkandi, Balkhu, Shirazi, Damasku, Aleppoja, Jerusalemi, Kairoja, Tripoli, Tunisi, Fezi, Palermoja dhe Kordoba. “Dolce vita” e aristokracisë në kohën që përkonte me pushtimin norman të Anglisë, përshkruhet në mënyrë të mrekullueshme tek “Unaza e pëllumbit”, e shkruar nga teologu Ibn Hazm. Robër e robëresha dhe lukse të panjohura për arabët e lashtë tani i kënaqnin zotërinjtë myslimanë dhe krijonin një thesar të ri fjalësh për poetët. Vera ishte e ndaluar për besimtarët me një ndalesë të qartë në Shkrimin të Shenjtë. Por sunduesit e Islamit, bashkë me qeveritarët e tyre, garonin me njëri-tjetrin për t’i thurrur lavde “bijës së rrushit”. (“Disa aspekte të civilizimit islamik”, fq.15, botim i vitit 1967).
Megjithatë, nuk duhet të mendohet se vetëm qytetet e largëta si Kordoba ose Bagdadi ishin të infektuara nga veset e luksit dhe të ekstravagancës. Edhe vetë Mekkeja dhe Medineja nuk ishin plotësisht të mbrojtura prej këtyre gjërave.
Ella Mamura
Poezia erotike gjeti shprehje në dy zhanre të ndryshme. Njëri përbëhej nga poezi të hareshme dhe u zhvillua në qytetet si Mekkeja dhe Medineja. Që të dy qytetet kishin një ndikim të madh por pak rëndësi politike. Shumë aristokratë myslimanë që nuk ishin aktivizuar në ndonjë post qeveritar, e harxhonin pasurinë e tyre në kërkim të kënaqësisë. Shkolla të muzikës ishin hapur dhe disa poezi ishin kthyer në këngë. Prijësi i kësaj shkolle të poezisë ishte Umar ibn Ebi Rabiah (vdiq në vitin 720), një aristokrat mekkas. Zhanri i dytë i poezive u zhvillua kryesisht në mesin e beduinëve dhe zakonisht i kishte tiparet e një poezie ku shpreheshin ndjenja të forta dhe ku përshkruhej i gjithë dëshpërimi i një dashurie tragjike. (“Letërsia arabe: një trashëgimi e gjallë”, botuar në veprën “Hyrje në civilizimin islam” nga R.M. Savory, New York, 1976).
Philip K. Hitti
Dorëzimi i Mekkes do të thoshte pranim i Islamit. Njëri pas tjetrit, pjesëtarët e Kurejshit u shpërngulën në Medine, për të marrë pjesë në përhapjen e fesë së re dhe për të krijuar karriera të reja për veten. Pozitat më të larta të qeverisjes ishin të hapura për ta. Shumë kurejshitë morën pjesë në ekspeditat, të cilat në periudhën e Kalifëve Besimdrejtë, veçanërisht nën udhëheqësinë Umar ibn el-Khattabit, rezultuan me pushtimin e Irakut, Persisë dhe Egjiptit. Pas kësaj, disa prej tyre shërbyen si guvernatorë të provincave të sapopushtuara. Me këtë, jeta në Mekke u zhvillua në dy vija të kundërta: në atë të modestisë dhe në atë të luksit.
Pas pushtimeve të mëdha, preja e luftës dhe tatimet filluan të vinin drejt qytetit, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave. Ky ishte një kompensim më se i mjaftueshëm për humbjen e karvanëve tregtarë. Pelegrinazhi vazhdonte gjithsesi dhe madje u rrit edhe më. Dhe kur u bë një qendër e tregtisë, Mekkeja filloi të ishte edhe qendra e kënaqësisë. Pasanikët e rinj vinin bashkë me haremin, me valltaret dhe me këngëtaret e tyre, duke sjellë një koncept të ri të asaj që e quanin “një jetë e mirë”. Ata jetonin si aristokratë në pallate dhe oborre, të cilat Mekkeja s’i kishte dëshmuar më parë. (fq.21-22)
Njëkohësisht, edhe jeta në Medine po lëvizte në një vijë të ndryshme: në atë të përbotshmërisë. Në fund të fundit, rrjedha e arit nga provincat, e përbërë nga tatimet e tokës dhe tatimet për kokë, fillimisht vinin në Medine. Sasia e pasurisë në thesarin shtetëror ishte e jashtëzakonshme. Në “betejën” për ta fituar elitën e re të kërkuesve të kënaqësisë, Medineja, krahasuar me konkurrenten e saj në jug (Mekken), e kishte përparësinë e një lartësie më të madhe mbidetare, e burimeve më të bollshme të ujit dhe të kopshteve më të gjera. Zyrtarët e pensionuar qeveritarë, qofshin ushtarakë ose civilë, vinin në Medine bashkë me skllevërit dhe konkubinat e tyre, me këngëtarët, me valltaret dhe me muzikantët, për të krijuar një atmosferë të paparë në Qytetin e Shenjtë. (“Kryeqytetet e Islamit arab”, 1973).
E tillë ishte Medineja pasi u “zvogëlua” dhe u bë një qytet provincial. Por sikur të mbetej qendra politike dhe tregtare e shtetit mysliman, s’ka dyshim se ajo do të bëhej edhe kryeqendra e “argëtimeve” të tyre, duke i tërhequr të gjithë personat bohemianë të kohës, kërkues të kënaqësisë dhe ndjekës të epsheve.
4. Kur’ani që ishte Libri i Zotit, ishte shpallur në një arabishte të pastër. Mekkeja dhe Medineja ishin djepi i arabishtes kuranore. Të huajt që jetojnë në kryeqytetin e një shteti dhe që flasin gjuhë të huaja, pak nga pak e prishin edhe gjuhën e vendit. Sikur Medineja të mbetej kryeqytet, arabishtja e Kur’anit pa dyshim do të ndikohej nga gjuhët e huaja. Shkencat kuranore dhe leksikoni kuranor nuk ekzistonin në një formë të organizuar asokohe. Që të mund të kuptohej Kur’ani nga gjeneratat e reja, ishte jetike që arabishtja e Mekkes dhe e Medines të ruhej e tillë siç kishte qenë në kohë të Profetit, në mënyrë që fjalët të mos fitonin kuptime që ndryshonin nga kuptimet e tyre në këtë periudhë.
Të gjitha gjuhët e gjalla ndryshojnë dhe fjalëve u ndryshon kuptimi. Si çdo organizëm tjetër i gjallë, edhe fjalët lindin dhe vdesin. Dhe njësoj si organizmat, edhe ato ndikohen nga faktorë të jashtëm. Shembulli më i mirë është “deformimi” i anglishtes moderne. Edhe arabishtja mund të përjetonte një deformim të tillë por u shpëtua nga një fat i tillë nëpërmjet Aliut, i cili e ndryshoi drejtimin e lëvizjes së të huajve dhe e barti atë larg Medines. Aliu, pra, është bamirësi i parë dhe më i madh i gjuhës arabe dhe i shkencave të Kur’anit.
5. Sunduesit umajjadë të Damaskut i imitonin perandorët bizantinë dhe persë në mënyrën e tyre të jetesës. Ata ishin të rrethuar nga një luks i pafund, të cilin ua siguronte pushteti që kishin. Thjeshtësia zanafillore dhe barazia e Islamit ishte zhdukur në Siri, nëse vërtet kishte ekzistuar ndonjëherë. Aliu, në anën tjetër, dëshironte t’ia shfaqte botës imazhin e vërtetë të Islamit. Ky imazh do të ishte imazhi i njëjtë që Muhammedi ua kishte shfaqur arabëve në Mekke dhe në Medine. Për fat të keq, ishte një imazh që fqinjtë e sirianëve dhe pjesa më e madhe e vetë sirianëve kurrë s’e kishin parë. Në të vërtetë, ajo që sunduesit e tyre e kishin prezantuar si një imazh të Islamit, s’ishte tjetër veçse anti-Islami.
John Alden Williams
Të gjithë mbretërit persë që nga Ardashiri, djali i Papakut dhe deri tek Jazdegerdi, e ndanin veten nga shërbetorët e tyre me një perde.
Një ditë e pyetën (muzikantin oborrtar) Is’hak ibn Ibrahim el-Mevsiliun në shfaqeshin Kalifët umajjadë para këngëtarëve dhe shërbetorëve të tyre. Ai më tha: “Muavije I dhe Mervani I, Abdul Maliku, Velidi I, Sulejmani, Hishami dhe Velidi II qëndronin pas një perdeje, në mënyrë që asnjë shërbetor të mos shihte se ç’bënte Kalifi nëse humbej në tingujt e muzikës, i luante shpatullat, vallëzonte ose zhvishej. Askush nuk e shihte Kalifin përveç shërbëtorëve të tij të veçantë. Kurse pjesa tjetër e Kalifëve umajjadë nuk turpëroheshin të vallëzonin dhe të zhvisheshin në prani të shërbëtorëve ose muzikantëve të tyre. Por në këtë drejtim, asnjëri prej tyre nuk ishte më ekstrem se Jezid ibn Abdul Meliku dhe Velid bin Jezidi, të cilët nuk mërziteshin fare për atë që bënin në prani të shërbëtorëve”. (“Jeta në pallatin e Kalifit”, në veprën “Libri i kurorës” (Kitab el-taxh), botuar në Kairo në vitin 1914; përcjellë nga librin “Motive të civilizimit islamik” nga Berkeley, botuar në vitin 1971).
Kur Aliu e bëri Kufen kryeqytet, miqtë dhe armiqtë e dëshmuan me sytë e tyre Islamin e Muhammedit, të Dërguarit të Zotit. Ata panë se si sovrani i myslimanëve punonte me duart e tija në fusha e në kopshte dhe e ushqente familjen e tij me paratë që i fitonte nga kjo punë. Ata panë se si ai jetonte vetëm me pak ushqim, ndonëse gjithkush në tokën e tij ishte i ushqyer mirë. Ata shihnin se këmisha e tij ishte e arnuar gjithandej, ndonëse populli që sundonte ishte i veshur bukur. Ata gjithashtu panë se ai nuk kishte një pallat prej mermeri por jetonte në një kasolle prej balte, pa ushtarë me shtiza në dyert e saja që ishin gjithnjë të hapura për njerëzit.
6. Për hir të sigurisë së Mekkes dhe Medines, Aliu dëshironte t’i bënte këto qytete politiksht të parëndësishme, që ato të mos tërhiqnin vëmendje të panevojshme (dhe të rrezikshme). Mbretëria e Qiejve mbi tokë, të cilën Muhammedi e themeloi, kishte pushuar së qeni “qiellore” pas vdekjes së tij dhe ishte bërë një imitim i qeverisjeve greke dhe persiane. Në këto rrethana, dinjiteti dhe karakteri i shenjtë i Mekkes dhe i Medines ishte në rrezik të vazhdueshëm. Duke i parashikuar kohët që do të vinin, Aliu i nxori këta dy qytete jashtë orbitës së ngjarjeve politike. Edhe djali i tij i vogël Husejni do ta kishte kujdesin e njëjtë për ta mbrojtur shenjtërinë e qytetit të gjyshit të tij. Edhe ai vërejti stuhi që afroheshin në horizont dhe u largua në kohë edhe nga Medineja edhe nga Mekkeja, që ta tërhiqte vëmendjen e qeverisë larg tyre.
Pas masakrës së Qerbelasë në vitin 680, qytetet e shenjta të Islamit, Mekkeja dhe Medineja, do ta tërhiqnin vëmendjen e Jezidit, djalit të Muavijes. Ai e dërgoi gjeneralin e tij Muslim bin Akabe në Medine, me një ushtri siriane, e cila masakroi rreth 10 mijë banorë. Në mesin e të vrarëve kishte edhe shumë shokë të Profetit (sahabe). Medineja u la në mëshirë të ushtrisë okupuese, e cila do ta përdorte qytetin për kënaqësite e tyre të shfrenuara. Xhamia e Profetit do të përdorej si një stallë për kuajt e kalorësisë siriane. Ata të paktë që shpëtuan gjallë u detyruan t’i betoheshin Jezidit për besnikëri. Muslim bin Akabeja u tha atyre se Jezidi ishte i zoti i jetës së tyre dhe mund t’i shiste si skllevër po të dëshironte.
Alfred Guillaume
Ndërmjet periudhës së përshkruar në veprën “Sira” (të Ibn Is’hakut) dhe kohës kur vepra u përpilua, ndodhën dy tragjedi. E para ishte tragjedia e Qerbelasë në vitin 61, në të cilën Husejni dhe ndjekësit e tij u masakruan dhe e dyta, plaçkitja e Medines në vitin 63 pas Hixhrit, kur dhjetëra mijëra ensarë u vranë, duke përfshirë jo më pak se 80 shokë të Profetit. (“Jeta e Muhammedit”, fq.28, botim i vitit 1967)
Muslim bin Akabeja u largua nga Medineja e mbetur në gërmadha dhe u nis drejt Mekkes. Por ai vdiq gjatë rrugës dhe komanda kaloi në duart e një oficeri tjetër të ushtrisë së Jezidit, të quajtur Ibn Namir.
Në Mekke, Abdullah ibn Zubejri ishte vetëshpallur Kalif. Ibn Namiri e bombardoi qytetin nga kodrat përreth dhe e dogji Qaben. Por akoma nuk e kishte marrë nën kontroll qytetin kur Jezidi vdiq në Damask. Pas kësaj, Ibn Namiri e ndaloi rrethimin dhe u tërhoq në Siri. Por gjithë ç’fitoi Abdullah ibn Zubejri ishte një shtyrje e shkurtër e afatit. Kur Abd’ul Melik ibn Mervani u bë Kalif, Mekkeja sërish u bë skenë lufte. Gjenerali i tij Haxhaxh ibn Jusufi e rrethoi Mekken dhe e bombardoi, duke e dëmtuar edhe vetë Qaben. Abdullah ibn Zubejri duroi shtatë muaj. Më pas u vra në rrethinat e Qabes dhe qyteti iu dorëzua pushtuesit.
Philip K. Hitti
Në vitin 683, një ushtri u dërgua nga Jezidi kundër pretendentit për Kalif Abdullah ibn Zubejrit. Rebelët u strehuan në tokën e shenjtë por pavarësisht kësaj, u sulmuan dhe madje edhe Qabeja u dogj. Guri i Zi u thye në tri pjesë. Shtëpia e Zotit, siç thotë historiani i madh Taberiu, “dukej si gjoksi i grisur i një gruaje që vajton”. (“Kryeqytetet e Islamit”, botuar në vitin 1973)
Duke e lëvizur kryeqytetin nga Medineja në Kufe, Aliu dëshiroi t’i shpëtonte Mekken dhe Medinen nga ky fat, i cili fatkeqësisht do t’i gjente në vitet në vijim. Por në fund të fundit, kush tjetër përveç Aliut dhe djemve të tij mërzitej për dinjitetin dhe për sigurinë e këtyre dy qyteteve? Kur Husejn ibn Aliu ndjeu se rreziku po i afrohej, ai menjëherë u largua drejt Irakut, bashkë me miqtë dhe me familjen, ndonëse e dinte se atje e priste vdekja. Por Abdullah ibn Zubejri nuk hezitoi fare “ta ftonte” shkatërrimin dhe masakrën drejt qyteteve të shenjta.
Bota myslimane i ka borxh një falënderim Aliut për vizionin dhe për humanitetin e tij. Ai e mbrojti djepin e Islamit në të gjallë të tij dhe mori masa për ta mbrojtur edhe pasi të vdiste. Nuk kishte ndonjë mënyrë tjetër për ta mbrojtur Hixhazin nga përvojat e trazirave të shkaktuara nga politika dhe nga lufta, veçse duke e lëvizur kryeqytetin nga Medineja në Kufe.
Kur Aliu e lëvizi kryeqytetin drejt Kufes, Muavije mendoi se më në fund e kishte zënë Aliun duke bërë diçka “të dyshimtë” dhe menjëherë i shkroi, duke i thënë se ai e kishte “lënë” qytetin e Profetit. Një lëvizje kjo që, sipas tij, “nuk mund të falej”.
Vetëm katër vite më vonë, vetë Muavije ibn Ebu Sufjani u bë sunduesi absolut i perandorisë myslimane dhe askush nuk guxonte t’i kërkonte llogari për ndonjë veprim që bënte. Sikur vërtet ta kishte dashur qytetin e Profetit aq sa përpiqej të tregonte në letrën e dërguar Aliut, ai mund ta bënte atë kryeqytet. Por as ai dhe as ndonjëri nga pasardhësit e tij nuk bëri një gjë të tillë, njësoj siç nuk do të bënin edhe Kalifët abbasidë.