Tre rrëfime të ndryshme mbi ndodhinë e Ashures dhe deformimet e bëra nga Ibn Tejmijjeja
Muhammed Sihhati Serdurudi
19.11.2015

PËRMBAJTJA
Vrasësit e Imam Husejnit (a.s) dhe përgjigje pretendimit të Ibn Tejmijjes
Lëvizja e Imam Husejnit (a.s) dhe tre rrëfime të ndryshme mbi ndodhinë e Ashures
 Rrëfimi umajjad
 Rrëfimi abbasid
 Rrëfimi shi′it
Dallimi ndërmjet tre rrëfimeve mbi ndodhinë e Ashures
Përfundimi 


Ibn Tejmijje ishte një dijetar që jetoi në shekullin e shtatë dhe të tetë hixhri në Shamat. Lindur në Harran dhe vdekur në Damask, ai bëri nam si një mufti dhe mutekel’lim anti-shi’it. Ai i shihte me dyshim madje edhe ata transmetime mbi virtytet e Imam Aliut (a.s), të cilët i pranonin të dy grupet muslimane (sunnitët dhe shi’itët) dhe madje shpeshherë i mohonte hapur. Lidhur me rrëfimin mbi ndodhinë e Ashures, janë të njohur së paku tre deformime (arab. tahrif) të bëra prej tij. Fillimisht, ai e ka cilësuar lëvizjen e Imam Husejnit (a.s) si një rebelim dhe ka pretenduar se kjo lëvizje nuk ka pasur kurrfarë dobie. Bindja e Ibn Tejmijjes është se kryengritja kundër një sunduesi tiran në tokën islame nuk është e lejuar dhe shkakton dobësim dhe përçarje të muslimanëve. Duke e kritikuar me shumë zell lëvizjen e Imam Husejnit (a.s), Ibn Tejmijje shkon edhe një hap më tej dhe përpiqet t’i shfaqë si të pafajshëm vrasësit e tij, gjegjësisht Jezidin dhe umajjadët. Këtë mendim, ai e ka shprehur tejet hapur në shumë libra të tij, si për shembull tek vepra Minxhaxhu’s-sunne[1]. Deformimi i dytë që i ka bërë rrëfimit mbi ndodhinë e Ashures është pretendimi se, në të vërtetë, umajjadët, dhe në veçanti Jezidi, nuk kanë pasur kurrfarë faji në këtë tragjedi. Duke e fajësuar vetëm Ubejdullah ibn Zijadin (guvernatorin umajjad të Kufes dhe të Basrës), ai, duke e mbyllur njërin sy karshi një fakti për të cilin pajtohen të gjithë burimet, e ka mohuar edhe rrëfimin mbi dërgimin e kokës së bekuar të Imam Husejnit (a.s) nga Kufeja në Damask dhe ka thënë se kjo gjë nuk ka ngjarë vërtet.[2] Ngase, siç përcillet në rrëfimet lidhur me këtë ngjarje, Jezidi u soll në mënyrë shumë të pahijshme me kokën e prerë të Imam Husejnit (a.s), Ibn Tejmijje (për ta mbrojtur dinjitetin e Jezidit) ka preferuar ta mohojë tërësisht ngarjen. Këtë mendim e ka shprehur posaçërisht në veprën Rasu’l-Husejn.[3] Motivi i këtij veprimi të Ibn Tejmijjes duhet të jetë besimi i tij themelor se të gjithë sahabet dhe “të parët e mirë” (arab. selefu’s-salih) kanë qenë njerëz të drejtë.[4]


Sikur Ibn Tejmijje ta dënonte veprimin e Jezidit, do të duhej t’i dënonte të gjithë ata që e emëruan Jezidin si kalif, duke nisur nga babai i tij Muavijeja. Kështu, ai do ta kishte kritikuar gjithkënd që e kishte përkrahur Muavijen në këtë drejtim. Kjo është arsyeja përse ai nuk e konsideronte  të lejuar leximin e rrëfimeve mbi vrasjen e Imam Husejnit (maktel el-husejn) dhe kishte shpallur se të lexuarit e maktel-ëve është një veprim i ndaluar (haram).[5] Megjithatë, të dy këto përpjekje të Ibn Tejmijjes për ta dëmtuar rrëfimin mbi ndodhinë e Ashures nuk patën sukses dhe nuk u pranuan në mesin e dijetarëve muslimanë.


Dëmtimi i tretë që i ka bërë ndodhisë së Ashures është pretendimi se umajjadët, Jezidi, sirianët dhe përkrahësit e tyre nuk kishin kurrfarë faji në këtë ngjarje. Sipas tij, përgjegjësit kryesorë të kësaj masakre janë banorët e Kufes, bij të shi’itëve të Aliut (a.s), të cilët e ftuan Imam Husejnin (a.s) në Kufe dhe pastaj, duke ndërruar mendim, luftuan kundër tij. Pas ndodhisë së Ashures, ishte pikërisht një grup nga mesi i këtyre kufasve që u kryengritë, i dënoi vrasësit e tij dhe u hakmor për të. Ndërsa më vonë, sërish një grup nga shi’itët u kryengrit kundër këtij grupi të parë dhe i vrau ata. Sipas kësaj logjike, çfarë kuptimi ka që shi’itët të mblidhen çdo vit e t’i dënojnë të tjerët për tragjedinë e Qerbelasë?


Në këtë pretendim të tij, Ibn Tejmijje i mban përgjegjës vetëm banorët e Kufes, duke nënkuptuar kështu vetë shi’itët.[6] Megjithatë, gjendja nuk është aspak ashtu siç pretendon Ibn Tejmijje. Ndonëse është e vërtetë se janë fajtorë kufasit, që e ftuan nipin e të Dërguarit të Zotit (s.a.a) dhe pastaj nuk e mbrojtën, u trembën nga sunduesit e u dënuan përjetësisht për këtë veprim të tyre, kryepërgjegjësi i këtij krimi është vetë Jezid bin Muavijeja. Në këtë pjesë të shkrimit tonë do të merremi më hollësisht me këtë pikë. 


 


Vrasësit e Imam Husejnit (a.s) dhe përgjigje pretendimit të Ibn Tejmijjes 


Vrasësit e Imam Husejnit (a.s) mund të ndahen në tre grupe: 


1. Kharixhinjtë


Në mesin e tre grupeve, grupi më i dukshëm dhe i qartë ishin kharixhinjtë. Kur thuhet kharixhi, zakonisht nënkuptohet grupi i përbërë nga personat që fillimisht ishin përkrahës të Imam Aliut (a.s), ndërsa pastaj, duke u revoltuar kundër ndodhisë së arbitrazhit pas betejës së Siffinit, u shkëputën prej tij. Megjithatë, ky definicion nuk është plotësisht i saktë. Shfaqja e mendësisë kharixhite përkon me epokën e kalifit të parë. Shumica e atyre që dolën nga Islami dhe që e mohuan fenë në këtë periudhë ishin kharixhinj. Ky grup shquhej si një grup që zemërohej e reagonte shpejt, që menjëherë e nxirrte shpatën nga milli dhe që lehtësisht e ndryshonte bindjen politike dhe fetare. Veprimtaria e tyre shoqërore e arriti kulmin në epokën e kalifit të tretë, Osman bin Affanit, kur ata e rrethuan shtëpinë e kalifit dhe e vranë.  Shumica e vrasësve të tij përbëheshin nga kharixhinjtë. I njejti grup do të luante një rol të rëndësishëm edhe në tragjedinë e Qerbelasë. Përveç kësaj, ekzistojnë transmetime të mjaftueshme në burimet historike, të cilat tregojnë se umajjadët, që në ditët e para pas ndodhisë së Qerbelasë, u përpoqën gjithnjë t’i tregonin banorët e Kufes si fajtorë të kësaj ndodhie. Emrat më të rëndësishëm që u ndërlidhën me masakrën e Qerbelasë, si: Sinan bin Enesi, Shabas ibn Rabiu, Shimr bin Dhulxhehsheni dhe Umar bin Sa’di ishin të gjithë kufas. Megjithatë, rolin kryesor në prapavijë e luanin sirianët. Pra, mund të thuhet se njëri nga grupet aktive në vrasjen e Imam Husejnit (a.s) ishin kharixhinjtë, gjë që mund të shihet qartë në karakterin e Shimr bin Dhulxhehshenit dhe të Shabas ibn Rabiut.


 


2. Hakmarrësit për vrasjen e kalifit të tretë


Grupi i dytë, i cili me një mendësi shumë sektariane mori pjesë në masakrën e Qerbelasë, përbëhej nga personat që kërkonin hakmarrje për vrasjen e kalifit të tretë, Osman bin Affanit. Ata besonin se Imam Aliu (a.s) i kishte dhënë dritë jeshile vrasjes së Osmanit dhe se shi’itët kishin një hise në këtë veprim. Me këtë mendësi sektariane dhe plot urrejtje, ky grup pati një ndikim të madh edhe në vrasjen e Muslim ibn Akilit në Kufe edhe në vetë ndodhinë e Qerbelasë. Madje në letrën që Ubejdullah ibn Zijadi ia dërgoi Umar bin Sa’dit nëpërmjet Shimrit, shkruhej: Mos lejoni që Husejn ibn Aliu dhe bijtë e tij të kenë qasje tek uji, që të vdesin të etur si kalifi i shtypur (nënkuptohet Osmani).[7] Propaganda se vrasësit e Osmanit fshiheshin pranë Imam Aliut (a.s) kishte kohë që përhapej dhe ekzistonte një grup që vërtet e besonte këtë gjë. Kjo kishte arritur në një pikë të tillë, sa ushtarët e Sa’d bin Ebi Vakkasit në fushëbetejën e Qerbelasë, teksa recitonin poezi luftarake për t’i ftuar ushtarët e Imam Husejnit (a.s) në dyluftim, secilën herë e prezantonin veten me emrin Osman.[8] Çdo lexues i kujdesshëm i rrëfimeve mbi martirizimin e Imam Husejnit (a.s) ka për ta parë këtë të vërtetë.


Është një e vërtetë e pamohueshme se osmanitët (el-uthmanijje) luajtën një rol në tragjedinë e Qerbelasë. Të tillët, përveç që nuk ishin shi’itë, nuk ishin as banorë të Kufes. Muavije ibn Sufjani, në njëzet vitet ndërmjet rënies dëshmor të Imam Aliut (a.s) dhe të vdekjes së vete, kishte bërë çmos për ta dëmtuar demografinë e shoqërisë shi’ite të Kufes. Fiset, që ishin të mirënjohura si fise shi’ite, u shpërndanë, pronat e tyre u konfiskuan dhe madje, siç ishte në rastin e Huxhr bin Adiut e të përkrahësve të tij, u ekzekutuan kolektivisht. Përveç kësaj, ai kishte plane të përpikta për të sjellë në Kufe ndjekës të shkollave të ndryshme islame, dhe veçanërisht të tillë me prirje osmanite, nga qytetet e rrethinës dhe veçanërisht nga Basra. Asokohe, arabët çonin një jetë nomade në formë fisesh, të përqëndruar përreth kullotave të tyre. Ata merreshin kryesisht me blegtori. Muavije ibn Ebu Sufjani i detyroi këta fise të shpërnguleshin dhe i vendosi në Kufe.[9] Politikat e tija ndaj shi’itëve të Kufes ishin aq të ashpra, sa shumica e shi’itëve u detyruan të largoheshin nga qyteti dhe të shpërnguleshin në Iran. Një nga shokët e Imam Aliut, që ishte shpërngulur në Iran, me të dëgjuar për vrasjen e Huxhr bin Adiut, tha: Ah sikur edhe ai të largohej nga Kufeja si bëmë ne dhe të mos vritej në mënyrë mizore. Si përfundim, mund të thuhet se osmanitët nuk ishin as shi’itë dhe as banorë të Kufes.


 


3. Sirianët


Një rol shumë të dukshëm në tragjedinë e Qerbelasë dhe në vrasjen e Imam Husejnit (a.s) ka ushtria siriane e dërguar nga Damasku në Kufe. Në vijim të këtij teksti do të rikthehemi sërish tek përshkrimi i rolit të tyre.


 


 


Lëvizja e Imam Husejnit (a.s) dhe tre rrëfimet e ndryshme lidhur me ndodhinë e Ashures 


Para disa vitesh e botuam veprën Maktel el-Husejn të Shejh Sadukut, në formë të redaktuar dhe me komentim. Duke punuar mbi këtë libër, na erdhi ideja e të përmbledhurit të transmetimeve lidhur me gjashtë muajt e fundit të jetës së Imam Husejnit (a.s), duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet shi’ite. Gjatë këtyre pesë viteve, në të cilat i kemi shënuar transmetimet e tilla, jemi përballur me një fenomen shumë habitës. Kemi vërejtur se ekzistojnë tre rrëfime të ndryshme lidhur me rënien dëshmor të Imam Husejnit (a.s) dhe të ndjekësve të tij.


 


Rrëfimi umajjad


Një pjesë e këtyre rrëfimeve e ka qartësisht zanafillën tek umajjadët, të cilët i krijuan, i zyrtarizuan dhe u dhanë vend në historinë e shkruar. Siç pranohet përgjithësisht, shteti umajjad u shkatërrua pas kryengritjes së abbasidëve. Paskëtaj, umajjadët u larguan nga Siria dhe u shpërngulën në Andaluzi të Spanjës, ku, për katër shekuj me radhë, do të krijonin një civilizim, për të cilin janë shkruar me qindra libra. Në këtë periudhë më se katërqindvjeçare kanë vepruar edhe shumë historianë që vepronin me përkrahjen e qeverisë dhe që i përmblidhnin dhe shkruanin rrëfimet lidhur me historinë e Islamit. Në këtë grup mund të përfshihet edhe Ibn Khalduni, autori i Mukaddime-së së famshme. Në këtë vepër të tijën, Ibn Khalduni përcjell rrëfime krejt të ndryshme nga ato që janë pranuar përgjithësisht nga muslimanët. Kjo gjendje, aq sa e pikëllueshme, është edhe e çuditshme për një historian që shkroi për historinë islame në mënyrë kronologjike, nga viti në vit. Çuditërisht, kur arrin tek viti 60-61 pas Hixhrit, autori e përmend vetëm dërgimin në Kufe të Muslim ibn Akilit dhe nuk thotë as edhe një fjalë të vetme lidhur me gjërat që ndodhën pas kësaj. Në dorëshkrimin origjinal të Tarih-ut të tij, faqet pas ardhjes së Muslimit në Kufe janë lënë bosh. Me sa duket, Ibn Khalduni i la të zbrazura këto faqe, në mënyrë që të vendoste më pas se ç’do të shkruante lidhur me këtë ngjarje, duke vendosur më në fund që të mos shkruante asgjë. Ai më pas do ta rrëfente historinë e viteve dhe madje shekujve të tërë që shtriheshin pas ndodhisë së Qerbelasë dhe vitit 61 pas Hixhrit. Megjithatë, ai nuk shkroi asgjë për lëvizjen e Imam Husejnit (a.s) dhe nuk përcolli as edhe një transmetim të vetëm lidhur me këtë ndodhi. Sikur t’u qasej këtyre temave dhe të shkruante për to, ai do të merrej në pyetje nga pushteti i kohës. Por sikur të shkruante gjëra të gabuara, do të gjykohej ashpër nga historia. Për këtë arsye, Ibn Khalduni zgjodhi të mbetej i heshtur. Por krahas kësaj heshtjeje në veprën e historisë, në Mukaddime-n e tij, Ibn Khalduni nuk nguron të bëjë deformime të rrëfimit mbi ndodhinë e Ashures, të cilat do t’u pëlqenin umajjadëve të kohës.


Një tjetër person që e mori përsipër detyrën e prodhimit të rrëfimit umajjad mbi ndodhinë e Ashures, është edhe autori i veprës El-avasim mine’l-kavasim, Ebu Bekr Ibn el-Arabiu, që ishte i njohur si një armik dhe urryes i Ehl-i Bejtit. Në veprën e sipërpërmendur, ai preferon ta kritikojë viktimën më ashpër se vrasësin. Qëndrimi i tij ishte aq i ashpër sa edhe vetë Ibn Khalduni, i cili ishte pak më i aftë si historian, e ka kritikuar atë.


Mukaddime-n e tij, Ibn Khalduni thotë: Shprehja “Husejni u vra me shpatën e gjyshit të tij” e Ibn Arabiut nuk është një shprehje e saktë. Kuptohet se Ibn Arabiu nuk e ka përdorur këtë shprehje fjalë për fjalë, por Ibn Khalduni vetëm sa e ka përmbledhur idenë e përgjithshme që fshihej pas qëndrimit të Ibn Arabiut. Ky komentim është leximi umajjad i historisë së Ashures. Është i madh numri i autorëve të edukuar në Andaluzi dhe në Sevilla, të cilët e kanë komentuar kështu ndodhinë e Ashures.[10] 


 


Rrëfimi abbasid


Rrëfimi i dytë lidhur me ndodhinë e Ashures, të cilin do ta shpjegojmë këtu shkurtimisht për shkak të pamundësisë për t’i përmendur të gjithë burimet, është rrëfimi abbasid. Pasi e morën në duar pushtetin, sunduesit abbasidë nisën të mblidhnin rreth vetes historianë që do ta shkruanin historinë ashtu si u përshtatej atyre. Në të kaluarën, publiku kryesor i veprave të historisë nuk ishin banorët e rëndomtë, por sunduesit. Këta historianë, siç mund të duket edhe nëpërmjet një hulumtimi shumë sipërfaqësor, e kanë ngjyrosur rrëfimin e Ashures me ngjyra abbaside. Një rrëfim të tillë të ndodhisë së Ashures mund ta gjejmë tek Tarih-u i Taberiut.


Në këtë vepër të tij, ai ka cituar nga Maktel el-Husejn-i i Ebu Mikhnafit vetëm aq sa i është nevojitur për t’i përfituar legjitimitet kalifatit abbasid. Po të lexohen me kujdes, transmetimet e përcjellura nga Taberiu dallohen me një ngjyrim të dukshëm abbasid. Në këta rrëfime, paraardhësi i sunduesve abbasidë, Abdullah ibn Abbasi, na shfaqet si një njeri vizionar, i cili arriti të parashihte se ç’kishte për të ngjarë. Përkundër atij, Husejn ibn Aliu (a.s) na shfaqet si një njeri i pastër, naiv dhe zemërdëlirë, i cili të gjithë të tjerët i sheh si vetja e tij dhe nuk dëshiron të pranojë se njerëzit mund edhe të gënjejnë. Sipas këtij rrëfimi, ky naivitet i tij ishte arsyeja përse ai u mashtrua nga banorët e Kufes, shkoi në Qerbela dhe atje u vra. Në leximin abbasid të historisë së Ashures, roli i Abdullah ibn Abbasit është tejet i rëndësishëm.


Në historinë e Taberiut, fjalët e Ibn Abbasit, i cili gjithë kohës e këshillon Imam Husejnin të mos shkojë drejt Irakut sepse mund të vritej, përsëriten shumë shpesh. Në këtë rrëfim, Imam Husejni (a.s) nuk e dëgjon këshillën e Ibn Abbasit dhe vazhdon me të vetën deri në ditën e Ashures, kur nga çadrat i dëgjon klithmet e grave dhe të fëmijëve. Me t’i dëgjuar këto klithma, ai thotë: Zoti e ruajtë Ibn Abbasin! E paska thënë të vërtetën. Ai më pati thënë që, edhe sikur të nisesha, duhej të nisesha vetëm e ta lija pas familjen. Por unë nuk e dëgjova. Në veprën e Taberiut, me gjuhën e Imam Husejnit vërtetohen parashikimet e Ibn Abbasit, ndërsa vetë Imam Husejni pranon se nuk e kishte dëgjuar këshillën e tij.[11]


Por në një shembull tjetër që do ta përcjellim prej tij, karakteri abbasid i Taberiut mund të shihet edhe më qartë. Ai, duke shkruar për historinë e vitit 203 pas Hixhrit, i qaset çështjes së rënies dëshmor të Imam Rizait (a.s). Sipas tij, shkaku i vdekjes së Imamit ishte si vijon: Ali ibn Musa er-Rizai hëngri aq shumë rrush bashkë me kalifin abbasid, sa u sëmur dhe vdiq.[12] Siç shihet, pa përcjellur asnjë informatë tjetër, autori e ndërlidh vdekjen e Imam Rizait me ngrënien e tepëruar të rrushit!!!


 


Rrëfimi shi’it


Përveç dy leximeve të mësipërme të historisë së Ashures, ekziston edhe rrëfimi ynë shi’it (alevit), që njihet edhe si rrëfimi i familjes së Aliut (Al-i Ali). Për fat të keq, shumica e dorëshkrimeve, nëpërmjet të cilave do të mund të rindërtohej ky rrëfim, janë humbur ose janë shkatërruar pas rënies dëshmor të Imam Husejnit (a.s) dhe të ndjekësve të tij. Para veprës El-Luhuf të Ibn Tavusit, në duart e shi’itëve të shekullit të parë kanë qarkulluar më se njëzet Maktel el-Husejn, të cilët nuk kanë mbijetuar deri në ditët tona.


Maktel-i i parë u shkrua nga Asbagh ibn Nubate, ndërsa pas tij, radhiteshin maktel-ët e tjerë, të shkruar nga nxënësit e Imam Muhammed Bakirit (a.s) dhe të Imam Xhaferit (a.s).


Edhe Shejh Saduku, Shejh Tusiu, Jakubiu dhe Shejh Mufidi kanë shkruar maktel-ët e tyre, prej të cilëve asnjëri nuk ka mbijetuar deri në ditët tona. Siç shihet, maktel-ët e shkruar nga shekulli i parë deri në shekullin e gjashtë pas Hixhrit u shkatërruan dhe nuk u lejua të arrinin në duart tona. Pas shumë përpjekjeve, kemi arritur të bëjmë vetëm një rikonstruktim të maktel-it të Shejh Sadukut. Në punimin e titulluar Maktel el-Husejni sipas rrëfimit të Shejh Sadukut kemi përmbledhur mbi dyqind transmetime nga Imam Zejnu’l-Abidini dhe nga Imamët e tjerë të dëlirë lidhur me rënien dëshmor të Imam Husejnit (a.s) dhe ndodhinë e Qerbelasë.


Rrëfimi alevit shfaq dallime në së paku pesëmbëdhjetë pika me dy rrëfimet e mësipërme. Në këtë rast dua të shpreh me shumë keqardhje, se në ceremonitë përkujtimore që mbahen në ditët tona në muajt Muharrem e Sefer, qoftë në xhami, në teqe a në husejnije, qoftë në programet mediatike, ndikimi i rrëfimit abbasid dhe umajjad është tejet i dukshëm. Shohim se rrëfimi shi’it, si pasojë e humbjes dhe shkatërrimit të dorëshkrimeve të vjetra, është lënë pas dore. Si pasojë, sot shi’itët u janë drejtuar dy rrëfimeve të mësipërme dhe veçanërisht rrëfimit abbasid. Sot, kur t’u drejtoheni qarqeve akademike, fjalën e fundit e thotë Tarih-u i Taberiut. Fatkeqësisht na mungojnë dorëshkrime të mirëfillta shi’ite, të shkruara nga autorët shi’itë dhe të përcjellur nga burimet shi’ite. Ndonëse Muruxhu’dh-Dheheb-i i Mesudiut dhe Tarih-u i Jakubiut e përmbushin pjesërisht këtë nevojë, këto vepra janë tejet të shkurta (ose merren vetëm kalimthi me ndodhinë e Qerbelasë). Krahas tyre, ekziston edhe vepra El-Irshad e Shejh Mufidit, e cila për shkaqe të caktuara socio-politike, mbështetet kryesisht në rrëfimet e Taberiut.


 


 


Dallimi ndërmjet tre rrëfimeve mbi ndodhinë e Ashures 


Dallimi kryesor i rrëfimit alevit, kur të krahasohet me dy rrëfimet e tjera, është mendimi unanim se vrasësit e Imam Husejnit (a.s) ishin sirianët. Sipas këtij rrëfimi, ishin ushtarët e ardhur nga Siria që e vranë Imam Husejnin (a.s). Si shembull për këtë, mund t’i japim transmetimet në vijim:


a. Kulejniu, në përmbledhjen El-Kafi, përcjell si vijon nga Imam Xhaferi (a.s): Dita e nëntë (arab. tasua) është dita kur Imam Husejni dhe ndjekësit e tij u rrethuan në Qerbela. Atë diç, ushtria siriane ishte mbledhur dhe Umar bin Sa’di mburrej me numrin e madh të tyre.[13] Në këtë rrëfim, Imam Xhaferi (a.s) shpreh hapur se kalorësit e ushtrisë siriane e kishin rrethuar Imam Husejnin (a.s) bashkë me ndjekësit e tij. 


b. Shembullin e dytë mund ta marrim nga Maktel el-Husejn-i i Shejh Sadukut, të cilin e kemi rikonstruktuar duke u mbështetur në veprën El-Emali të po të njejtit autor. Aty thuhet: Armiqtë e Zotit, Sinan bin Enes el-Ijadiu dhe Shimr bin Dhulxhehshen el-Amiriu, dolën nga mesi i burrave sirianë.[14] Ky transmetim e përshkruan çastin kur këta dy persona dolën përpara për ta vrarë Imam Husejnin (a.s). 


c. Imam Xhaferi (a.s) thotë: Vërtet, umajjadët dhe përkrahësit e tyre sirianë në vrasjen e Husejnit, ditën e vrasjes së tij e shpallën ditë feste dhe mbajtën agjërim falënderimi e prenë kurbanë.[15] 


d. Një shembull tjetër mund ta përcjellim nga Ibn Sa’di, autori i veprës Tabakat, ku shkruhet: Një njeri nga sirianët shkoi tek Ali Ekberi, djali i Husejnit, dhe i tha: “Ti ke farefisni me Jezidin, nëna jote është nga soji i tij dhe rrënjën e ka prej tyre. Ndaj të japim garanci që të ndahesh nga babai yt e të shkosh nga të duash.”[16]


Siç shihet, në këtë rrëfim përdoret shprehja “një njeri nga sirianët”, ndërsa nuk ka kurrfarë dyshimi se oferta në fjalë u bë në Qerbela. I ndjeri Fethali Kazvini, lidhur me shembullin më të qartë, atë që ne e kemi përmendur si transmetimi i parë, ka shënuar: Ky transmetim tregon qartë se sirianët ishin mbledhur në Qerbela. Teksa folëm për gjendjen e Muslim ibn Akilit, përcollëm se në ditën pas vrasjes së tij, dhjetëra mijëra ushtarë sirianë kishin hyrë në Kufe. Kjo çështje është përmendur edhe tek Taberiu dhe tek burimet e tjera.


Kazviniu arrin në përfundimin në vijim: Ai që e mohon praninë e ushtrisë siriane në Qerbela nuk ka kurrfarë njohurie mbi historinë. Për shembull, në veprën Menakib[17] të Ibn Shehrashubit shkruhet se Shimr bin Dhulxhehsheni ishte emëruar komandant i një ushtrie prej katër mijë ushtarësh, të përbërë tërësisht nga sirianët.[18]Edhe në maktel-et mbi ndodhinë e Qerbelasë përcillet se Kasim bin Hasani pati një dyluftim me një sirian me emrin Erzak.


Menakib-in e tij, Ibn Shehrashubi thotë: Personi që luftoi kundër Kasim ibn Hasanit ishte një sirian. Kur, pasi e dëgjoi thirrjen e të nipit, Husejn ibn Aliu doli me mllef nga çadra e tij, siriani u kërkoi ndihmë ushtarëve, duke thënë: “Më ndihmoni! Husejn ibn Aliu po vjen.” Me ta parë këtë, Umar bin Sa’di dërgoi një njësi nga ushtria e tij, që ta shpëtonte nga duart e Husejnit këtë sirian që ishte përballur me Kasim ibn Hasanin.[19] Edhe në këtë rrëfim përmenden qartësisht sirianët.


Kur të hulumtojmë në aspektin politik dhe shoqëror, do të shohim se umajjadët dhe abbasidët kishin arsye të shumta për të shpifur kundër banorëve të Kufes. Irakianët në përgjithësi, por posaçërisht kufasit, i kishin përherë të gatshme shpatat e tyre kundër kalifit. Ata nuk ndenjën urtë as në kohën e umajjadëve dhe as në kohën e abbasidëve. Kryengritja e Kufes nisi me lëvizjen e “të penduarve” (tevvabin) dhe vazhdoi deri në rebelimin e pasardhësve të Imam Hasanit (a.s) kundër abbasidëve. Mund të arrihet në përfundimin se prodhimi i transmetimit në disfavor të kufasve nisën në pallatin e Muavijes, për t’u përhapur më pas edhe drejt pallateve abbaside. Kjo sepse kufasit kishin qenë gjithmonë grupi i padëshiruar për pushtetin e kohës. Edhe rebelët zejditë dhe ata që u vranë në tragjedinë e Feh-ut ishin me origjinë nga Kufeja.


Në anën tjetër, duhet theksuar se ekzistojnë thënie të përcjellura nga Imam Aliu (a.s), në të cilat ai i kritikon ashpër banorët e Kufes. Në një prej tyre, ai u drejtohet me fjalët “O burracakë që s’bëhen burra!” Megjithatë, duhet të kihet parasysh se këto fjalë u drejtohen osmanidëve dhe kharixhinjve. Kur t’i përmbledhim thëniet e tija, në të cilat lëvdohen banorët e Kufes, do të shohim se të tilla janë shumë më tepër në numër. Transmetime si fjalimi i famshëm i Zejnebes, nuk mund të kenë shumë peshë karshi thënieve të tilla, që flasin me shumë lëvdatat për kufasit. Për shembull, në një hadith përcillet se, njësoj siç është Mekkeja haremi i Zotit, Medineja haremi i të Dërguarit të Zotit (s.a.a), edhe Kufeja është cilësuar si harem i Imam Aliut (a.s). Transmetimet e tilla janë aq të shumta, sa nuk mbetet kurrfarë dyshimi për vërtetësinë e tyre.[20] Karshi këtyre gjërave, transmetimet që flasim keq për Kufen dalngadalë humbin peshë. Sipas kësaj, është gabim që i gjithë faji t’u ngarkohet banorëve të Kufes. Shi’itët e Kufes e përbënin vetëm një pjesë të popullatës së qytetit. Ata vërtet nuk iu bashkëngjitën xhihadit dhe kështu i dhanë guxim armikut karshi Imam Husejnit (a.s). Por kur e kuptuan gabimin e tyre, ata u kryengritën njëri pas tjetrit dhe ranë dëshmorë. 


 


Përfundim


Ibn Tejmijje përpiqet t’ua shlyejë umajjadëve çdo faj të mundshëm, aq sa në veprën Rasu’l-Husejn shkon aq larg sa të pretendojë se asnjë umajjad nuk e ka vrarë ndonjëherë një hashimit. Me këtë qëndrim shumë të bindur, ai përpiqet ta mbrojë edhe Haxh’xhaxh ibn Jusuf Thakafiun. Ai flet pak më ashpër vetëm kur bën fjalë për kryengritjen e Zejd bin Aliut.[21] Ibn Tejmijje nuk mjaftohet duke e mohuar rolin e sirianëve në tragjedinë e Ashures, por pretendon se umajjadët nuk kishin kurrfarë roli në gjithë këtë ndodhi. E gjithë kjo sepse një mendim i tillë bie ndesh me besimin mbi drejtësinë e sahabeve. Ta dënosh Jezidin do të thotë ta dënosh edhe atë që e emëroi për kalif, si dhe ata që ia dhanë mundësinë babait të tij ta merrte kalifatin. Pikërisht për të penguar arritjen në një përfundim të tillë logjik, Ibn Tejmijje bën çmos për t’i shfajësuar umajjadët. Ai shkon madje aq larg sa, duke i përmendur me emër Jezidin dhe bijtë e Mervanit, i shpall ata krejt të pafajshëm dhe vazhdon duke i akuzuar vetëm shi’itët.


Ky është një qëndrim i padrejtë, i cili bie ndesh me realitetet historike. Kur të hulumtohen transmetimet shi’ite (alevite) lidhur me ndodhinë e Qerbelasë, do ta shfaqet qartësisht roli qendror i sirianëve dhe i umajjadëve në këtë ndodhi. Ndonëse janë krijuar me qëllimin specifik të poshtërsimit të banorëve të Kufes, edhe rrëfimet umajjade dhe abbaside, kur të hulumtohen me kujdes, mund të na sjellin në përfundimin e njejtë. 






[1] Ibn Tejmijje, Minhaxhhu’s-Sunne, v.2, fq.241-242; Ibn Tejmijje, El-Vasijetu’l-Kubra, fq.54




[2] Shih Tarih-i Imam Husejn, v.6, fq.183-902; Në këtë vepër janë cituar transmetime nga dhjetëra burime, mes të cilave mund të radhiten: Tarih el-Taberi, El-Futuh nga Ibn Asemi, Es-Sikat nga Ibn Habbani, Maktel el-Husejni nga Kharezmiu, El-Kamil fi’t-tarih nga Ibn Esiri, Asaru’l-Bakijje nga Biruniu, Kurbu’l-Esnad nga Himjariu, Ikdu’l-Ferid nga Ibn Abdurrabihu, El-Emali nga Shejh Saduku, Xhamiu’l-Bejan fi tefsiri’l-Kuran nga Taberiu, El-Umde nga Ibn Batriku, Ensabu’l-Eshraf nga Baladhuriu, Tabakat el-Kubra nga Ibn Sa’di, Akhbaru’t-tival nga Dinavariu, Tarih el-Jakubi, Makatilu’t-Talibijjin nga Ebu’l-Ferexh Isfahaniu, Neseb el-Kurejsh nga Zubejriu dhe Er-red ala mutaasibi’l-anid nga Ibn Xhevziu.




[3] Ibn Tejmijje, Rasu’l-Husejn, fq.199




[4] Ibn Tejmijje, Rasu’l-Husejn, fq.205-207




[5] Ibn Tejmijje, Xhamiu’l-Mesail, botimi i tretë, fq.93




[6] Ibn Tejmijje, Rasu’l-Husejn, fq.207; Dairetu’l-Maarif-i Buzurg-i Islami, v.3, fq.173




[7] Taberi, Tarih, v.8, fq.412; Kharezmi, Maktel el-Husejn, fq.240, 244




[8] Taberi, Tarihi, v.5, fq.435; Shejh Mufid, El-Irshad, v.2, fq.103




[9] Muhammed Riza Hidajetpenah, Baztab-i Tefekkur-i Osmani der Vakia-i Kerbela, fq.65




[10] Për informata më të hollësishme lidhur me deformimet e shkaktuara nga Ibn Arabiu dhe Ibn Khalduni, shih Muhammed Sihhati Serdurudi, Ashura-pezhuhi, fq.170-176, 200-220




[11] Taberi, Tarih, v.5, fq.424; Shih edhe Ebu’l-Ferexh Isfahani, Makatu’t-Talibijjin, fq.110; përcjellur me shumë gjasa nga Taberiu




[12] Taberi, po atyi, v.9, fq.92




[13] Kulejni, El-Kafi, v.4, fq.1247, hadithi nr. 7




[14] Shih Muhammed Sihhati Serdurudi, Maktelu’l-Husejin be Rivajet-i Shejh Saduk, fq.168




[15] Shejh Saduk, El-Emali, fq.667, hadithi nr.1397




[16] Ibn Sad, Tabakat, v.6, fq.439




[17] Ibn Shehrashub, Menakibu Al-i Ebu Talib, v.4, fq.98




[18] Fethali Kazvini, El-Imam el-Husejn ve ashabuhu, v.1, fq.253-254




[19] Ibn Shehrashub, Menakibu Al Ebi Talib, v.4, fq.109




[20] Ibn Kulavejh, Kamilu’z-zijarat, fq.30; Shejh Tusi, Tehzibu’l-ahkam, v.6, fq.31-39; Shejh Hurr Amili, Vesailu’sh-shia, v.10, fq.282; Muhaddis Nuri, Mustedreku’l-Vesail, v.10, fq.202-208; Sejjid Husejn Beraki Nexhefi, Tarihu Kufe, fq.80-90; Eshari Kummi, Tarihu Kum, fq.266-267




[21] Ibn Tejmijje, Rasu’l-Husejn, fq.208