Qerbelaja: një mësim i ringjalljes (pjesa I)
Ajetollah Xhevadi Amuli
21.10.2015

1. Ringjallja e dashurisë 


I Dërguari i Zotit (s.a.a) ka thënë: Dituria ndahet në dy pjesë: dituria mbi fenë dhe dituria mbi trupin.[1]


Shumica e njerëzve, shprehjen “dituria mbi trupin” e kanë pranuar në kontekstin e shkencave si mjekësia ose farmacia, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me trupin e njeriut ose, në interpretimin pak më të gjerë të këtij nocioni, e kanë ndërlidhur me veprimet si bujqësia, pemëtaria, blegtoria etj., të cilat e sigurojnë nevojat trupore të njeriut. Në anën tjetër, shprehjen “dituria mbi fenë” e kanë interpretuar si ligji fetar, filozofia, kelami dhe tefsiri.


Por gnostikët (urafa), të cilët çdo hadithi e çdo thënieje i japin një ngjyrim e një aromë të re, edhe këtë hadith e kanë interpretuar shumë ndryshe. Sipas tyre, ajo që nënkuptohet me fjalën “trup” janë gjërat e krijuara më pas dhe dituritë e mësuara, ndërsa ajo që simbolizohet nëpërmjet fjalës “fe” janë zbulesat shpirtërore dhe përjetimet ndijësore. Sipas kësaj pikëpamjeje, filozofi, shkoqitësi i Kur’anit (mufessir), mjeshtri i kelam-it (mutekellim) dhe juristi islam (fakih) janë njerëz që merren me “trupin”. Gnostiku (arif), ndërkaq, është ai që merret me shpirtin dhe me zemrën. Njohuria e vërtetë fetare përbëhet nga zbulesat (shpirtërore), sepse feja nuk është një nocion abstrakt por vetë esenca e realitetit. Sipas kësaj, pra, filozofi është në shkallën e “diturisë mbi trupin”, ndërsa gnostiku në shkallën e “diturisë mbi fenë”.


Shlyeji fletët, në mëson të njejtën ‘dhe ti
nuk gjendet në defterë mësimi i dashurisë.
(Hafiz Shirazi) 


Pra kur njeriu të kuptojë dhe të bëhet i njohur me diturinë, subjekti i tij është trupi. Por kur ta gjejë të vërtetën dhe të krijojë një lidhje me subjektin e njohjes, atëherë ka të bëjë me fenë. Njeriu ka për ta arritur realitetin e fesë vetëm kur ta gjejë atë (dhe jo kur thjesht ta dijë). Prijësi i Dëshmorëve Imam Husejni (paqja qoftë mbi të), pasi e shqyrtoi situatën e asaj epoke, erdhi në përfundimin se nuk kishte asnjë të interesuar për diturinë e mësuar ose për rrugën e arsyes. Ai pa se “pazari” i ligjit fetar, i kelamit e i tefsirit ishte një “pazar” i vdekur tashmë. Imamët pararendës kishin hapëruar në këtë rrugë dhe madje edhe vetë ai, për njëzet vite me radhë, e kishte provuar të njejtën.


Imam Husejni  (a.s), nëpërmjet veprave të tija, e jep porosinë në vijim: “Sot nuk ka më kërkues të diturisë së mësuar dhe njerëzit janë lodhur nga të dëgjuarit e fjalimeve diturore. Por prapëseprapë, ka një zë brenda njeriut që e fton atë drejt amshimit. Veshi i brendshëm i njeriut është në pritje të një thirrësi të brendshëm shpirtëror. Ajo që pret bota jonë dhe vendi i të cilës është lënë bosh, është qëllimi, por jo thjesht një qëllim që buron nga mendja ose nga logjika. Bota ka nevojë për një qëllim që buron e rritet nga ndjenja dhe nga dashuria. Vetëm me këtë pishtar mund të përndritet bota dhe të zgjohen të fjeturit.”


Prijësi i Dëshmorëve (a.s) i bashkoi mendjet e njerëzve me qëllimet e dashurisë, ndërsa mendjen që e shihte veç këtë botë, e ringjalli në pasqyrimin e dritës së kësaj dashurie. Njeriu që u dorëzohet duarve të fuqishme të dashurisë, s’ka dyshim se do të dehet me verën e saj dhe ka për t’i pranuar të gjitha vështirësitë e rreziqet në rrugën drejt realizimit të urdhrave hyjnorë.


Mendja është si hëna, e cila mbetet e pandriçuar vetëm në dy raste. Ka net, në të cilat hija e tokës bie mbi hënën dhe e pengon arritjen e dritës së diellit tek ajo. Si pasojë, hëna errësohet dhe bëhet skëterrë. Kjo është ajo që quajmë “errësim i hënës”. Por ekziston edhe mundësia e dytë, gjatë ditës, ku hëna humbet nën reflektimin e dendur të dritës së diellit dhe bëhet e padukshme.


Ai që është dehur me këtë botë dhe që frerët e punëve të tija i ka lidhur me dyshimin e me epshet, mendjen e ka në gjendje të errësuar. Kjo mendje është errësuar si hëna, dhe për të thuhet se “i është zënë drita duke iu bindur urdhrit të dëshirave”. Kur mendja të mbetet nën hijen e dëshirave ose të mllefit, njeriu nuk ka për ta kuptuar të vërtetën dhe do të jetë një i dehur i ligë. Por mendja e atij që është i dashuruar në Zotin është si hëna që përhumbet nën rrezet e diellit. Drita e fuqishme e diellit të dashurisë kurrë nuk e shkatërron mendjen që është nën “hijen” e saj, por përkundrazi, e lartëson atë edhe më shumë nën hijen e vete.


Lartë, tej mendjes është tempull i dashurisë
Veç ai i puth pragun, që shpirtin gjetur ka.
(Hafiz Shirazi) 


Askush nuk mund ta puthë pragun e tempullit të dashurisë, përveç atij që ka marrë shpirtin e jetën në duar. Të denjë për këtë cilësim janë dëshmorët që dhanë jetën në luftën që iu imponua vendit tonë dhe veçanërisht njerëzit si Husejn Fehmide[2], që me dashuri e hodhi veten nën tankun e armikut dhe as edhe një çast të vetëm nuk i dëgjoi cytjet e mendjes. Siç thotë Hafizi:


Mendja përshpërit, aman mos i var vesh!
Bëhesh Adem pastaj, e prej kopshtesh të flakin tej. 


Husejn Fehmide, me ndikimin e eleksirit të dashurisë, bëri një veprim aq madhështor, sa u bë i denjë për të qenë prijës i të gjithëve, siç do të thoshte më pas edhe Imam Khomeini (k.s) i ndjerë ("Prijësi ynë është ai fëmijë dymbëdhjetëvjeçar, që e hodhi veten karshi armikut me atë zemër të vogël të tij. Ai vlen më shumë se njëqind penda e njëqind gjuhë")Mendja e shoqëron njeriun deri në pikën ku sheh dobi për veten. Por kur bëhet fjalë për Islamin, për Kur’anin, për mbrojtjen e tokës islame, për përkrahjen e velajet-i fakih-ut dhe për sakrifikimin e jetës e të pronës për këtë qëllim, mendja pushon së qeni një shoqëruese e denjë. Dashuria është e vetmja fuqi, e cila në fushë të betejës mund ta zbusë dhimbjen e sakrificës dhe rrezikun e vdekjes me një shpresë për t’u dhuntisur me praninë hyjnore.


Nuk ka dyshim se dituria e mësuar do ta krahasojë jetën shpirtërore me atë materialen dhe nuk do të ketë fuqi për t’i dhënë vlerë shpirtërores. Është vetëm njohuria e fituar nëpërmjet dëshmimit shpirtëror, që mund të kuptojë se sa pak vlen jeta e kësaj bote dhe sa i çmueshëm është amshimi. Është kjo njohuri që i hap udhë vendimit për ta shkëmbyer të pavlefshmen me të çmueshmen, për t’ia dhuruar të vdekshmen të Përjetshmit e për ta bërë kurban të ultën pranë më të Lartit. Është kjo njohuri që e parapëlqen rënien dëshmor në rrugën e të Dashurit më shumë se jetën e kufizuar bashkë me armikun dhe është kjo që e qëndis Qerbelanë thellë në gjirin e Islamit.   


 


VAZHDON






1Bihar el-Envar, v.1, fq.220
2: Muhammed Husejn Fehmide është hero kombëtar i Iranit, i cili në moshën trembëdhjetvjeçare ra dëshmor në luftën kundër trupave irakiane. Në një pikë strategjike të betejës për mbrojtjen e Khorremshehr-it, Fehmide lidhi një rryp me eksplozivë përreth mjedisit të tij dhe u hodh në erë, duke e shkatërruar tankun prijës të një kolone tankesh që kalonte nga një kalim i ngushtë. Me këtë, e gjithë kolona irakiane u ndal dhe, më pas, ushtria iraniane arriti ta dëbonte sulmin. (shën. përkth.)