Lindja dhe fshehja e Imamit të Dymbëdhjetë: një hulumtim historik
Xhasim M. Hussain
03.06.2015

Teksti i mëposhtëm është fragment nga vepra "Fshehja e Imamit të Dymbëdhjetë (prapavija historike)"/ The Occultation of the Twelfth Imam (A Historical Background) e autorit Xhasim M. Hussain, e botuar në anglisht në vitin 1982, me parathënie të Dr. I. K. A. Howard nga Universiteti i Edinburgut.


PËRMBAJTJA
Çështja e lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë
Origjina e nënës së Imamit të Dymbëdhjetë
Lindja e Imamit të Dymbëdhjetë
Shkaqet e fshehjes së parë të Imamit të Dymbëdhjetë
Plani i El-Askeriut (a.s) për ta fshehur pasardhësin e tij
Përpjekjet abbaside për ta arrestuar djalin e Hasan el-Askeriut (a.s)
 


 


Çështja e lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë (a.f)


Mundësia që Imami i Dymbëdhjetë të ketë lindur dhe lindja e tij të jetë mbajtur e fshehur përkrahet nga një numër transmetimesh. Fakti se tashmë kishte hadithe lidhur me Imamin e Dymbëdhjetë, që do të ishte “El-Ka’im el-Mehdi” solli deri tek shfaqja e disa haditheve të tjera, të cilat janë të natyrës hagjiografike. Por që nga koha e Shejh Saduk-ut e këtej, edhe këto thënie janë konsideruar nga shi’itët imamitë si fakte historike.


Megjithatë, ekzistojnë hadithe të tjera edhe më të hershme, të cilat e prezantojnë lindjen e tij si një fakt krejtësisht historik, i cili nuk ka nevojë të stoliset me elementet e mrekullisë. 


 


Origjina e nënës së Imamit të Dymbëdhjetë


Dijetari më i hershëm imamit që ka dhënë një përshkrim lidhur me nënën e Imamit të Dymbëdhjetë është Mes’udiu. Ai përcjell se ajo ishte një robëreshë e quajtur Nergis.[53] Shahidi (v.786/1384) thotë se emri i saj ishte Merjem bint Zejd el-Alevijja[54], ndërsa burime të tjera e përcjellin emrin e saj si Rejhane, Sekil ose Savsan. Ka shumë gjasa që emri i saj i vërtetë të ketë qenë Nergis, ndërsa emërtimet e tjera të kenë qenë emra të dhënë nga zonja e saj Hakime bint Muhammed el-Xhevad. Ishte një traditë e asaj kohe që njerëzit t’u jepnin robëreshave të tyre emra të ndryshëm përkëdhelës. Siç mund të shihet, emrat Nergis, Rejhane dhe Savsan janë të gjithë emra lulesh.


Hadithet më të hershme lidhur me kombësinë e nënës së Imamit të Dymbëdhjetë datojnë nga viti 286/899. Kjo u shënua fillimisht nga Shejh Saduku, duke u mbështetur në fjalët e Muhammed bin Bahr el-Shejbaniut, i cili këtë gjë e përcillte nga Bishr bin Sulejman el-Nakhkhasi. Sipas këtij transmetimi, ajo ishte një e krishterë bizantine, e zënë rob nga trupat muslimane.[55]


Ajo u shit si robëreshë dhe u ble nga El-Nakhkhasi në tregun e robëreshave në Bagdad. Ai më pas e dërgoi atë pranë Imamit të dhjetë, Ali el-Hadiut (a.s), në Samarra. Pas kësaj, megjithatë, transmetimi fillon ta humbasë besushmërinë e tij dhe merr një natyrë hagjiografike. Përcillet se ajo ishte Melike bint Jahshu, mbesa e perandorit bizantin, nëna e të cilit ishte një pasardhëse e Simonit, njërit nga dishepujt e Isës (a.s)


Sipas këtij rrëfimi, kur Melikeja ishte në pallatin e gjyshit të saj, pa në ëndërr Merjemen, nënën e Profetit Isa, dhe Fatimenë (s.a), të bijën e Profetit Muhammed (s.a.a). Në këtë ëndërr, ajo e pranoi Islamin nëpërmjet Fatimesë (s.a), e cila e bindi që të lejonte të binte rob në duart e ushtarëve muslimanë.[56]


Shumë pjesë të këtij transmetimi janë të dyshimta në shumë aspekte, por veçanërisht pjesa e fundit, e cila ka shumë pika të tilla.


Si e para, ndërmjet abbasidëve dhe bizantinëve nuk pati ndonjë betejë të madhe pas vitit 242/856-57[57] dhe nuk ka kurrfarë gjurme nëpër burime se perandori bizantin mund t’u ketë kërkuar abbasidëve  ta çlirojnë mbesën e tij.


Si e dyta, autorët e hershëm imamitë, si: Kummiu, Navbakhtiu, Kulejniu dhe Mesudiu, të cilët janë bashkëkohës të Shejbaniut, përcjellësit të këtij rrëfimi, nuk e përmendin këtë gjë në veprat e tyre. Krahas kësaj, el-Keshshiu, i cili ishte poashtu një bashkëkohës i tij, si dhe Nexhashiu dhe Ibn Davudi, kanë thënë se ky person (pra Shejbaniu) ishte nga tepëruesit (arab. ghulat). [58]


 Si e treta, Kulejniu përmend se nëna e Ka’imit ishte një robëreshë nga rajoni el-Nauba, një provincë në veri të Sudanit.[59] Për më tepër, Nomaniu dhe Shejh Saduku përcjellin edhe rrëfime të tjera, të cilat lënë të kuptohet se nëna e Ka’imit do të ishte një robëreshë e zezë.[60] Mund të ketë ngjarë që imamitët e mëvonshëm t’i kenë shpërfillur këta transmetime dhe ta kenë pranuar si autentik transmetimin e Shejbaniut, për shkak të origjinës fisnike dhe statusit të lartë social që ky i fundit i njeh nënës së Imamit të Dymbëdhjetë.


Ata me siguri do të jenë ndjerë veçanërisht të tërhequr nga lidhja e mundshme që nënkupton ky rrëfim, ndërmjet Imamit dhe Jezusit, sepse hadithet profetike thonë se këto dy figura do të kryengriten së bashku për ta shpëtuar botën nga tirania.[61] 


Duke u mbështetur në këto tre pika, transmetimi i Muhammed bin Bahr el-Shejbaniut mund të përgënjeshtrohet, edhe përkundër faktit se Tusiu dhe Ibn Rustem el-Taberiu e kanë cilësuar si të besueshëm.[62] Me shumë gjasa, rrëfimi më i saktë lidhur me origjinën e nënës së Imamit të Dymbëdhjetë është ai që përcillet nga Shejh Mufidi, i cili thotë se ajo ishte një robëreshë që u rrit në shtëpinë e Hakimes, motrës së Imamit të dhjetë. Sipas asaj që përcillet prej tij, Imami e pa atë dhe tha se ajo një ditë do të lindte një fëmijë me bekime të veçanta hyjnore.[63]


Sipas Shejh Sadukut, ajo vdiq para vdekjes së të shoqit, Imam Hasan Askeriut (a.s), në vitin 260/874.[64] Por transmetimi i Nexhashiut lë të kuptohet se ajo ishte gjallë edhe pas këtij viti dhe fshihej në shtëpinë e Muhammed bin Ali bin Hamza-së, njërit prej ndjekësve më të afërt të të shoqit.[65] 


 


Lindja e Imamit të Dymbëdhjetë (a.f)


Ngase Imami i njëmbëdhjetë vdiq pa shpallur një pasardhës të qartë, shumica e ndjekësve të tij, të cilët ishin të bindur se ai kishte lënë pasardhës, e mbështetën pretendimin e tyre në hadithet që vinin nga imamët e kaluar lidhur me Mehdiun dhe fshehjen e tij.[66] Thëniet vijuese, disa prej të cilave i kemi përmendur më parë në këtë vepër, janë shembuj të haditheve të tilla:


- Bota nuk mund të mbetet pa një njeri që është Dëshmi hyjnore (arab. huxh’xhe), qoftë ai i qartë dhe i njohur ose i fshehur për shkak të frikës.[67]


- Pas Hasanit dhe Husejnit (a.s), Imamati nuk do t’u jepet kurrë dy vëllezërve.[68]


- Sipas Imam Xhaferit (a.s), “i Zoti i Urdhrit” (Sahib el-Emr; nënkuptohet Imami i Fundit) do të ketë dy periudha të fshehjes. Njëra prej tyre do të jetë aq e gjatë sa një pjesë e njerëzve do të thonë se ai ka vdekur, një pjesë se është vrarë, ndërsa një pjesë do t’i mbeten besnikë Imamatit të tij. Askush nuk do të dijë gjë për vendndodhjen e tij dhe për punët e tija, përveç ndjekësve të tij të afërt, të cilët do të kujdesen për punët e Imamit.[69] Vlen të përmendet se ky hadith u shënua edhe para vdekjes së Imam Hasan Askeriut (a.s) në vitin 260/874, nga një grup që besonte në shtatë imamë dhe që këtë hadith e shihte të manifestuar në rastin e Imamit të shtatë, Musa el-Kadhimit (a.s).[70]


- Ebu Sehl el-Navbakhtiu përcjell se Imam Askeriu (a.s) kishte ndjekës të afërt, të cilët i përcillnin, me lejen e tij, thëniet e tija lidhur me ligjin islam dhe funksiononin si mëkëmbës të Imamit. Kur Imam Hasan Askeriu (a.s) vdiq në vitin 260/874, të gjithë këta persona ishin në pajtim mes veti se ai la një djalë, i cili ishte Imami i radhës. Navbakhtiu shton se ata ua ndaluan ndjekësve të Imamit të pyeturit e emrit të tij ose të zbuluarit e ekzistencës së tij armiqve, të cilët asokohe e kërkonin për ta burgosur.[71]


Shtypja politike abbaside, e cila e detyroi Imam Askeriun (a.s) ta fshihte lindjen e të birit edhe nga shi’itët e rëndomtë, mund të ketë bërë që shi’itët dymbëdhjetëimamitë të përcillnin transmetime të ndryshme lidhur me datën e lindjes së tij, rrëfimet përkatëse për të cilën, morën një trajtë hagjiografike.


Shumica e burimeve imamite pajtohen se djali i Hasan Askeriut (a.s) u lind të premten, më 15 Sha’ban[72], ndonëse kanë mendime të ndryshme lidhur me vitin e lindjes së tij. Kummiu e përcjell mendimin e disa imamitëve, sipas të cilit, Hasan Askeriu (a.s) vdiq duke lënë pas një djalë të quajtur Muhammed, i cili ishte rritur kur vdiq i ati.[73]


Megjithatë, këta burime nuk e caktojnë vitin e lindjes. Ka gjasa që ky grup ta ketë mbështetur besimin në ekzistencën e një djali të Imam Askeriut (a.s) kryesisht duke u mbështetur në hadithet e mëhershme, të cilat qartësojnë se bota nuk mund të jetë pa një Dëshmi hyjnore (arab. huxh’xhe, nënkuptohet Imami). Fatkeqësisht, Kummiu nuk përmend asnjë emër nga ky grup, i cili do të mund të dëshmonte për vërtetësinë e mendimit të tyre.


Kulejniu, Shejh Mufidi dhe Tusiu përmendin katër këndvështrime të ndryshme lidhur me datën e lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë. E para përmendet nga Allan el-Raziu dhe Kulejniu, duke u mbështetur në rrëfimin e Ali ibn Muhammedit, i cili përcjell se Imami i Dymbëdhjetë u lind në vitin 255/868.[74] Tusiu përcjell dy rrëfime që burojnë nga Hakime bint El-Xhevadi, të cilat e përkrahin këtë datë.[75]


Transmetimi i dytë thotë se ai u lind në vitin 258/871. Ky rrëfim përcillet nga Da’v bin Ali el-Ixhliu, i cili e përcjell nga një pers anonim, që kishte thënë se në vitin 260/873 kishte ardhur në Samarra nga Persia, për të shërbyer në shtëpinë e Hasan Askeriut (a.s). Sipas këtij njeriu, njëra nga robëreshat e Askeriut kishte lindur dhe ai e kishte parë foshnjën në duart e një robëreshe tjetër. Ai thotë se mosha e fëmijës asokohe ishte rreth dy vjeç.[76]


Një rrëfim tjetër, i përcjellur nga Muhammed ibn Ali ibn Bilali, thotë se Hasan Askeriu (a.s) e informoi atë dy herë në lidhje me pasardhësin e vet: njëherë në vitin 258/871 dhe pastaj tri ditë para vdekjes së tij, në vitin 260/874.[77]


Rrëfimi që i njihet Da’v bin Ali el-Ixhliut nuk e përmend qartazi datën e lindjes së Imamit dhe as kohën kur përcjellësi pers e bëri vlerësimin e tij për moshën e fëmijës: para ose pas vdekjes së Imam Hasan Askeriut (a.s). Në rastin e rrëfimit të Ibn Bilalit, ndonëse El-Askeriu (a.s) e informoi atë lidhur me lindjen e pasardhësit të vet në vitin 258/871, kjo nuk do të thotë vetvetiu se lindja e djalit të tij ndodhi po atë vit. Në të vërtetë, kjo gjë na çon të mendojmë se lindja duhet të ketë ngjarë diku para vitit 258/871.


Pikëpamja e tretë është ajo e një grupi shi’itësh imamitë, të cilët kanë thënë se djali i El-Askeriut (a.s) lindi pas vdekjes së babait të tij, pra në vitin 261/874. Ata thonë se një robëreshë e tija kishte mbetur shtatzënë nga El-Askeriu dhe se për këtë shtatzëni ishin të informuar madje edhe vetë Kalifi dhe njerëzit e tjerë.


Sipas këtij rrëfimi, autoritetet e kohës e vonuan shpërndarjen e trashëgimisë së El-Askeriut (a.s) deri kur Kalifi u bind se nuk kishte kurrfarë shtatzënie. Sipas këtij grupi, Imami i Dymbëdhjetë u lind tetë muaj pas vdekjes së babait të tij dhe pastaj u fsheh. Sipas urdhrit të të atit, ai u quajt Muhammed.[78]


Nga pikëpamja historike, rrëfimi i përcjellur nga ky grup nuk është aspakt i bindshëm dhe madje nuk do të mjaftonte as për ta bindur një njeri se Imam Hasan Askeriu (a.s) vërtet la pasardhës. Si e para, robëresha e Hasan Askeriut (a.s), Sakil, e cila pretendonte se ishte shtatzënë nga i zoti, u arrestua nga autoritetet abbaside dhe u mbajt e burgosur për dy vite me radhë, deri kur u dëshmua se nuk kishte qenë shtatzënë fare.[79] Së dyti, Kulejniu përcjell se Ebu Hashim el-Xhaferi[80] njëherë e pyeti Imamin e njëmbëdhjetë: “Imzot, a keni një djalë?” Imami u përgjij: “Po, kam.” Ebu Hashimi pastaj pyeti: “Nëse ju ngjan juve ndonjë gjë, ku ta kërkoj atë?” Imami tha: “Në Medine.”[81]


Dihet mirë se El-Askeriu (a.s) vdiq në vitin 260/874 dhe se Ebu Hashimi vdiq një vit më pas. Ndaj edhe ky rrëfim lë të kuptohet se lindja kishte ngjarë diku para vitit 260/874. Përveç kësaj, Mesudiu përcjell se Imami i Dymbëdhjetë u lind dy vite pas vdekjes së gjyshit të tij, Imam el-Hadiut (a.s).[82] Ngase ky i fundit vdiq në vitin 254/869[83], lindja duhet të ketë ngjarë diku në vitin 256/870.


Rrëfimi i Mesudiut i shton peshë pikëpamjes së katërt, e cila e vendos lindjen e Imamit të Dymbëdhjetë në vitin 256/870. Burimet imamite përcjellin shumë transmetime që e përkrahin këtë datë.[84] Më i rëndësishmi në mesin e këtyre transmetimeve është përmendur nga Mu’al’la ibn Muhammedi dhe Ahmed ibn Muhammed ibn Abdullahu, i cili përcjell se Hasan Askeriu (a.s), pas vrasjes së kalifit abbasid El-Muhtadit, u dërgoi një letër ndjekësve të tij më të besueshëm, të cilëve u shkroi: Ky është dënimi i atij që mëkaton karshi Zotit të Madhëruar, lidhur me mëkëmbësit e tij. Ai mendonte se do të më vriste pa pasur unë një pasardhës. Por tani e dëshmoi Gjithëfuqishmërinë e Zotit të Madhëruar.


Ky transmetim vazhdon më tej, duke thënë se Imami kishte një djalë të quajtur Muhammed, i cili kishte lindur në vitin 256/870.[85]


El-Muhtadi u zbrit nga froni dhe u vra në muajin Rexheb të vitit 256/870.[86]


Për më tepër, të gjithë rrëfyesit imamitë të haditheve pajtohen se lindja e Imamit të Dymbëdhjetë ishte më 15 Sha’ban. Ndaj nëse e ndërlidhim vdekjen e El-Muhtadit në muajin Rexheb me letrën e Imam Askeriut (a.s), e cila u dërgua në muajin vijues Sha’ban, duket gjithë më e besueshme se lindja e Imamit të Dymbëdhjetë mund të ketë qenë më 15 Sha’ban të vitit 256/870.


Për më tepër, Mesudiu përcjell një rrëfim të Khadixha bint Muhammed el-Xhevadit, i cili e përkrah këtë ide. Në vitin 262/875, një njeri i quajtur Ahmed bin Ibrahim e pyeti atë lidhur me pasardhësin e Hasan Askeriut (a.s) dhe ajo e konfirmoi ekzistencën e tij, duke shtuar se ai e mori përsipër Imamatin më 11 Rebi el-Evvel të vitit 260/874, kur ishte katër vjeç e shtatë muajsh[87], që do të thotë se ai u lind më 15 Sha’ban 256/18 korrik 870.


Këtu vlen të përmendim edhe një transmetim lidhur me datën e lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë, i cili konsiderohet i besueshëm nga Mesudiu, që vdiq në vitin 345/956. Shejh Saduku e ka përcjellur si vijon nga Hakima bint el-Xhevadit, e cila thotë:


(Imami i njëmbëdhjetë) Ebu Muhammed Hasani, djali i Aliut (paqja qoftë mbi të dy), më çoi fjalë e më tha: “Hallë, përfundoje sonte agjërimin në shtëpinë tonë, sepse është pesëmbëdhjetë Sha’ban. Sonte Zoti i Madhëruar ka për ta shpërfaqur Dëshminë e tij për botët”. (Kur shkova në shtëpinë e tij) pyeta se kush ishte e ëma. Ai tha: “Është Nergis-i”.
Unë i thashë: “T’u bëfsha kurban, tek ajo nuk pashë kurrfarë shenje shtatzënie!” Ai u përgjigj: “Është ashtu si të them unë.” Pastaj unë hyra brenda dhe i përshëndeta. Kur u ula, Nergisja erdhi për të m’i nxjerrë këpucët dhe më tha: “O zonja ime  dhe zonjë e familjes sime, si jeni sonte?”
Unë i thashë: “Jo, ti je zonja ime dhe e familjes sime.” Por ajo nuk e pranoi fjalën time dhe më pyeti: “Përse thua kështu, hallë?” Unë ia ktheva: “Bija ime, sonte Zoti ka për të të dhënë një djalë, që do të jetë Zotëri në këtë botë e në tjetrën.” Ajo u turpërua dhe u skuq.
Pasi e përfundova namazin e akshamit, hëngra iftar dhe fjeta. Në mesnatë, u zgjova për të falur namaz. Namazin e fala, ndërsa Nergisja flinte, pa kurrfarë shenje lindjeje. Pastaj u ula dhe fala namaz nafile. Më pas, unë fjeta dhe u zgjova sërish, ndërsa ajo ishte ende në gjumë. Më pas ajo u ngrit, fali namaz nafile dhe u shtri sërish.
Pastaj u zgjova për të parë në kishte ardhur agimi dhe pashë se kishte nisur të lindte. Ndërkohë, Nergisja flinte ende. Atë çast nisa të dyshoja për atë që më kish’ thënë El-Askeriu. Por atë çast, ai foli nga vendi i tij: “Mos u ngut, moj hallë, sepse çasti po afron.” Unë u ula dhe i recitova kapitujt Ha Mim Sexhde (nr.40) dhe Jasin (nr.36) të Kur’anit. Atë çast, Nergisja u zgjua e shqetësuar. Unë shkova drejt saj dhe i thashë: “Emri i Zotit qoftë mbi ty, a ndien ndonjë gjë?”
Ajo u përgjigj: “Po, ndiej.” Unë pastaj i thashë: “Mblidhe veten dhe qetësoje zemrën!” Megjithatë, atë çast na zuri gjumi të dyjave. Pas kësaj, unë u zgjova me zërin e Zotëriut tim (Mehdiut) dhe kur e ngrita mbulojën, e pashë atë tek bënte sexhde mbi tokë.[88]E mora mbi gjoks dhe vërejta se ishte i pastër dhe i dëlirë.
Ebu Muhammedi (Hasan el-Askeriu) thirri nga jashtë e më tha: “Hallë, sillma tim bir!”. Unë e solla, ndërsa El-Askeriu e vendosi gjuhën e tij në gojën e foshnjës dhe pastaj butësisht ia ledhatoi sytë, veshët dhe nyjet. Pastaj tha: “Fol biri im!” Fëmija u përgjigj: “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, që është një e pa të ngjashëm, dhe dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Tij.” Pastaj i dërgoi selame Prijësit të Besimtarëve Aliut dhe të gjithë Imamëve deri tek babai i vet. Pastaj pushoi.
Ebu Muhammedi tha: “Hallë, çoje te nëna e tij, që të mund ta përshëndesë, dhe pastaj sille prapë tek unë!” Unë e bëra atë që ma kërkoi, ia solla prapë atij dhe aty e lashë. El-Askeriu (a.s) më tha: “Hallë, na vizito prapë ditën e shtatë!” Ditën tjetër, erdha sërish tek Ebu Muhammedi, e ngrita perden për ta parë Zotëriun tim por nuk e pashë. Ndaj e pyeta Imamin: “T’u bëfsha kurban! Ç’ngjau me Zotëriun tim?” Ai u përgjigj: “Hallë, atë ia kemi besuar Atij, të cilit nëna e Musës (a.s) ia besoi të birin.”[89]
Në ditën e shtatë erdha sërish, e përshëndeta dhe u ula. Ebu Muhammedi më tha: “Ma sill tim bir!” Unë e solla të mbështjellur me një copë pëlhure, ndërsa Imami e përsëriti atë që e kishte bërë në ditën e parë dhe fëmija e tha sërish të njejtën gjë. Pastaj Imami e recitoi varguan vijues të Kur’anit: “Dhe ne deshëm t’ua tregojmë bekimin tonë atyre që ishin të shtypur në tokë e t’i bënim ata Imamë dhe trashëgimtarë, e t’i bënim sundues në tokë, për t’u treguar Faraonit, Hamanit e ndjekësve të tyre, atë prej të cilës kishin drojë.[90]


Natyra hagjiografike e këtij rrëfimi është e dukshme. Megjithatë, disa elemente të tij lënë të kuptohen disa gjëra lidhur me natyrën e lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë. Duket se shtatzënia e Nergises ishte fshehur qëllimisht dhe një familjare e afërt ishte sjellë qëllimisht si mamicë, pak kohë para se të lindte fëmija. Nëse kjo pranohet si e vërtetë, duke pranuar se data më e mundshme është viti 256/870, atëherë shkaqet e fshehjes së lindjes së fëmijës janë të njejtat me shkaqet përse Imami duhej të fshihej. 


 


Shkaqet e fshehjes së parë të Imamit të Dymbëdhjetë


Veprat  e hershme imamite përmendin tre shkaqe për fshehjen e Imamit të Dymbëdhjetë, të cilat njëherit i pasqyrojnë edhe strategjitë e reja të Imamëve në aktivitetet e tyre fetare dhe politike.


Shejh Saduku përcjell se Ka’imi do të fshihej para se të rishfaqej, për shkak të frikës për t’u mos vrarë.[91] Një shkak i dytë përmendet nga vetë Imami i Dymbëdhjetë, i cili përcillet se një ndjekësi të tij besnik, Is’hak bin Ja’kubit, i tha se të gjithë pararendësit e tij u detyruan ta pranonin sundimin e një sunduesi tiran, dhe se ai do të fshihej për t’u kryengritur një ditë, pa i shprehur bindje asnjë tirani.[92]


Ky shkak është përmendur edhe nga Imam Hasani (a.s) dhe nga Imam Ridai (a.s), të cilët kanë përmendur se vetëm Ka’imi nuk do t’i shprehë besnikëri asnjë sunduesi shtypës.[93] Shkaku i tretë përmendet nga Kulejniu, i cili thotë se fshehja e Imamit (arab. ghajba) është një sprovë e Zotit për krijesat, për të parë se kush do të mbetej i palëkundur në besimin e vet në imamatin e Imamit të Dymbëdhjetë.[94]


Këta tre shkaqe pasqyrojnë një fazë të re në qëndrimin e imamitëve dhe në përpjekjen e tyre politike. Me sa duket, politika e heshtur e Imamëve karshi regjimit abbasid, bashkë me aktivitetin e vazhdueshëm intelektual, e ngriti organizimin imamit në një gjendje më të zhvilluar politikisht.


Kjo gjë i dha mundësi Imamit të Dymbëdhjetë të niste me lëvizje politike të “nëntokës” kundër abbasidëve. Në të njejtën kohë, ai e dinte se disa ndjekës të paraardhësve të tij, dy herë (njëherë në vitin 70/689 dhe pastaj në vitin 140/757) e kishin shkatërruar përpjekjen politike të Imamëve duke ua zbuluar armiqve aktivitetin e tyre, gjë që solli në arrestimin e tyre dhe në dështimin e kësaj sipërmarrjeje.[95]


Mbase ishin pikërisht këta incidente që e detyruan Imamin e Dymbëdhjetë të jetonte në gjendje fshehjeje madje edhe nga vetë ndjekësit e tij, në mënyrë që të kishte liri për t’i kryer aktivitetet e tija të fshehta nëpërmjet organizimit imamit dhe t’i shpëtonte kështu çdo përpjekjeje abbaside për ta arrestuar atë. Kjo dëshmohet qartë nga shumë transmetime, ku shi’itëve u urdhërohet që ta mbajnë fshehur emrin e Ka’imit.[96]


Kulejniu përcjell se fill pas vdekjes së El-Askeriut (a.s) në vitin 260/874, disa njerëz në mesin e ndjekësve të tij, i kërkuan Ebu Abdullah el-Salihiut, një njeri i besueshëm i Imamit, që të pyeste për emrin dhe vendin e Imamit të Dymbëdhjetë. Kur pyeti, përgjigja ishte: “Nëse ua zbulon atyre emrin, ata do ta shpallin hapur, dhe nëse ua zbulon vendndodhjen e tij, ata do t’i sjellin armiqtë atje.[97]


 


Kulejni përcjell edhe një transmetim tjetër, sipas të cilit, fshehja e Imamit të Dymbëdhjetë ishte një hap përgatitor për shkatërrimin e sistemit të padrejtësisë.[98]


Është me rëndësi, në këtë kontekst, që të studiohet plani i Askeriut për ta fshehur të birin dhe qëndrimi abbasid ndaj shi’itëve të kohës, në mënyrë që të kuptohet përse Imami e ndjeu nevojën për ta bërë këtë gjë.


 


Plani i El-Askeriut (a.s) për ta fshehur pasardhësin e tij


Rrethanat që mbizotëronin gjatë lindjes së djalit të El-Askeriut (a.s) tregojnë se El-Askeriu dëshironte ta mbronte pasardhësin e tij nga politikat shtypëse të abbasidëve, të cilat kishin nisur që në kohën e Me’munit. Kështu, ai nuk lejoi që të përhapej në publik lajmi lidhur me lindjen e të birit, duke ua zbuluar këtë informatë vetëm ndjekësve të tij më besnikë, si Ebu Hashim el-Xha’feri, Ahmed bin Is’haku, si dhe Hakimes dhe Khadixhes, hallave të Hasan el-Askeriut.[99]


Për më tepër, ai vendosi ta dërgonte të birin në një vend më të sigurit se Samarra, në mënyrë që ai të mund t’i zhvillonte aktivitetet e tija nëpërmjet mëkëmbësve të vet, pa qenë i penguar nga abbasidët.


Studimi i rrëfimeve hagjiografike dhe historike lidhur me fshehjen e parë të Imamit dhe rishfaqjen e tij shpalosin se Askeriu fillimisht e fshehu të birin në Samarra dhe më pas në Medine, ku jetoi nën përkujdesjen e nënës së Hasan Askeriut (a.s). Sipas Shejh Sadukut, El-Askeriu (a.s) e dërgoi të birin në një vend të panjohur për dyzet ditë pas lindjes, dhe më pas e solli prapë tek e ëma.[100]


Sipas Mes’udiut, tre vite më vonë, në vitin 259/873, El-Askeriu i kërkoi nënës së tij, Hadithes, të shkonte në haxh’xh. Ai ia shpjegoi gjendjen kritike, ia dha udhëzimet e nevojshme dhe e dërgoi të birin bashkë me të. Djali tashmë i kishte marrë prej të atit shenjat e Imamatit, Emrin më të Madh të Zotit, trashëgiminë dhe armët.


Pas kësaj, Haditheja dhe i nipi shkuan në Mekke nën mbrojtjen e një miku të afërt, të quajtur Ahmed bin Muhammed el-Mutahhir.[101] Duke se, pasi i kryen ritualet e haxh’xhit, ata shkuan drejt Medines, e cila do të ishte vendstrehimi i Imamit të Dymbëdhjetë.


Shumë transmetime na bëjnë ta pranojmë përshkrimin e mësipërm lidhur me vitet e hershme të jetës së Imamit. Siç kemi parë, Ebu Hashim el-Xha’feriu njëherë e kishte pyetur Imam Hasan Askeriun (a.s) se ku duhej ta kërkonte pasardhësin e tij, sikur El-Askeriu të vdiste. Përgjigja ishte “Në Medine.” Një tjetër transmetim thotë se vendi i fshehjes së Imamit të Dymbëdhjetë ishte Medineja, ku ai jetonte i rrethuar nga tridhjetë ndjekës besnikë.[102]


Të gjithë hadithet lidhur me rishfaqjen e Kaimit (a.f) thonë se ai ka për t’u rishfaqur në Mekke.[103] Po kështu, burimet imamite përcjellin se Imami i Dymbëdhjetë është i pranishëm në haxh’xh çdo vit.[104] Këto gjëra mund të nënkuptojnë se Imami i Dymbëdhjetë ishte në një vend jo shumë larg Mekkes, mbase në Medine.


Si një masë kujdesi, El-Askeriu ia shpalli testamentin e vet vetëm të ëmës, Hadithes, dhe askujt tjetër nuk ia përmendi hapur pasardhësin e tij.[105] Nga e gjithë kjo, duket shumë e mundshme që Imami i Dymbëdhjetë ta ketë kaluar pjesën më të madhe të jetës së hershme të tij në Medine, sepse Hasan Askeriu (a.s) e kishte paraparë tashmë rrezikun me të cilin do të përballej i biri, sikur të qëndronte në Irak.


 


Përpjekjet abbaside për ta arrestuar djalin e Hasan el-Askeriut (a.s)


Kalifi El-Mu’tamid e vazhdoi politikën abbaside të ndjekjes nga afër të Imamëve dhe madje e përforcoi atë edhe më tepër, me të dëgjuar rrëfimet lidhur me rolin e Imamit të Dymbëdhjetë.


Kur mori vesh se gjendja shëndetësore e Imam Hasan Askeriut (a.s) po përkeqësohej, El-Mu’tamidi dërgoi pesë oficerë të besueshëm, në mesin e të cilëve edhe shërbetori i tij personal Nahriri, për ta mbikqyrur shtëpinë e tij. Përveç tyre, ai i kërkoi edhe kryegjykatësit, Hasan bin Ebi’l-Shavarib[106], të dërgonte edhe dhjetë persona të besueshëm për këtë detyrë.


Kur Imam Hasan Askeriu (a.s) vdiq më 8 Rabi eth-Thani 260/1 janar 874, Kalifi dërgoi një grup ushtarësh për ta bastisur shtëpinë e tij. Ata e konfiskuan gjithë pasurinë e tij dhe pastaj nisën ta kërkonin djalin me aq kujdes, sa sollën edhe mamica për t’i kontrolluar robëreshat një nga një e për të qenë të sigurt se ndonjëra prej tyre nuk ishte shtatzënë nga Imam Hasan Askeriu (a.s).[107]


Ndonëse hulumtimi i solli në përfundimin se El-Askeriu (a.s) kishte vdekur pa lënë pasardhës, shumica e shi’itëve imamitë ishin të mendimit se ishte e kundërta.[108]


Sipas veprave imamite, Xhaferi, vëllai i Hasan el-Askeriut (a.s), i cili edhe më herët e kishte hedhur pretendimin se ishte imam dhe ishte përpjekur ta trashëgonte të vëllain, ua zbuloi autoriteteve besimin e shi’itëve në ekzistencën e pasardhësit të El-Askeriut (a.s). Shejh Saduku përcjell se një grup njerëzish nga Kumi, mes të cilëve edhe Muhammed bin Xha’fer el-Himjari, arritën në Samarra me letra përplot pyetje për Imamin dhe me tatimet e mbledhura nga provinca e tyre, pa ditur gjë për vdekjen e tij.


Me të arritur, ata kuptuan se El-Askeriu kishte vdekur dhe u dërguan tek Xhaferi. Kur u takuan me të, ata i kërkuan që edhe ai ta përsëriste ceremoninë e njejtë, të cilën e kishin kryer me Hasan el-Askeriun (a.s) sa herë që kishin ardhur për t’ia sjellë tatimet. Ata i kërkuan Xhaferit që t’u tregonte se sa ishte sasia që kishin sjellur dhe kush i kishte paguar këto të holla. Xhaferi u përgjigj se nuk ishte magjistar dhe se gjërat e tilla, të cilat shi’itët ia veshnin Hasan el-Askeriut (a.s), nuk ishin tjetër veçse gënjeshtër, sepse vetëm Zoti mund t’i dinte gjërat e tilla. Më pas, ai u kërkoi t’ia jepnin atij paratë, por ata nuk pranuan. Kështu, zënka e tyre u rrit edhe në publik.


Ndërsa ishin duke diskutuar me njëri-tjetrin, erdhi një njeri, i thirri me emër të ardhurit dhe i çoi drejt një shtëpie. Atje ua tregoi një njeri, që besohej se ishte një mëkëmbës i Imamit të Dymbëdhjetë, i cili u zbuloi se sa para kishin sjellë me vete. Kështu, ata e pranuan Imamatin e Imamit të Dymbëdhjetë dhe më pas u urdhëruan që paskëtaj, paratë t’ia dorëzonin një njeriu të caktuar në Bagdad.[109]


Sipas Shejh Sadukut, Xhaferi menjëherë shkoi tek kalifi el-Mu’tamid dhe e informoi se shi’itët ende besonin në ekzistencën e një djali të El-Askeriut (a.s). Kalifi menjëherë kërkoi që të hulumtohej kjo gjë dhe dërgoi disa ushtarë bashkë me Xhaferin, për ta bastisur sërish shtëpinë e El-Askeriut dhe shtëpitë e fqinjëve të tij.[110]


Ata e arrestuan një robëreshë të tij, të quajtur Sakil, dhe i kërkuan asaj që t’ua tregonte djalin, por ajo mohoi të kishte lindur fëmijë. Sipas Shejh Sadukut, në mënyrë që t’ia shpëtonte jetën Imamit të Dymbëdhjetë, ajo tha se ishte shtatzënë.[111] Pas kësaj, Mu’tamidi e burgosi atë në haremin e tij, për ta mbajtur nën mbikqyrje.


Nahriri, gratë dhe robëreshat e Kalifit, si dhe të gratë e kryegjykatësit, Ibn Ebi’l-Shevarib, e mbikqyrën robëreshën e Hasan Askeriut (a.s) për dy vite me radhë, me çfarë kuptuan se nuk kishte më nevojë të vazhdohej me këtë gjë. Me fillimin e trazirave në pjesë të ndryshme të perandorisë abbaside dhe me vdekjen e papritur të vezirit Ubejdullah ibn Hakan, ata krejtësisht harruan për vajzën.[112]


Shumë transmetime tregojnë se në kohën kur robëresha ishte e burgosur, abbasidët nisën një fushatë persekutimi kundër shi’itëve, pas të cilës qëndronte Xhaferi, vetë vëllai i Imam Hasan Askeriut (a.s). Edhe përkundër faktit se vdiqën shumë shi’itë, të gjitha përpjekjet e autoriteteve për ta arrestuar Imamin e Dymbëdhjetë dolën të kota.


Sipas Shejh Mufidit, Hasan el-Askeriu (a.s) nuk deshi t’ua jepte abbasidëve mundësinë për të gjetur as edhe një gjurmë të vetme që do të mund ta rrezikonte jetën e pasardhësit të tij. Kështu, ai bëri një plan, sipas të cilit, e gjithë pasuria e tij do të trashëgohej nga e ëma, Haditheja.[113]  


Kjo e fundit, pasi dëgjoi për vdekjen e të birit, erdhi nga Medineja në Samarra për ta marrë përsipër pasurinë, por shumë shpejt pa se e gjitha ishte konfiskuar nga regjimi abbasid. Për më tepër, Xhaferi nisi të diskutonte me të lidhur me trashëgiminë e të vëllait, duke insistuar se ai ishte trashëgimtari legjitim. Ai hapi një proces gjyqësor pranë autoriteteve shtetërore, të cilët, duke ndërhyrë në këtë punë, donin të vërtetonin se Hasan Askeriu (a.s) nuk kishte pasardhës.


Haditheja tha se Hasan el-Askeriu (a.s) e kishte bërë atë trashëgimtare të vetën dhe se, sipas ligjit imamit, Xhaferi nuk kishte të drejtë ta trashëgonte pasurinë e të vëllait.[114]


Ky diskutim zgjati dy vite me radhë, deri kur u zbulua se shtatzënia e robëreshës së quajtur Sakil kishte qenë gënjeshtër. Ndonëse gjykatësi vendosi në favor të Hadithes, pretendimi i Xha’ferit nuk u mohua, për hir të lidhjeve të fuqishme që i kishte krijuar pranë abbasidëve. Më në fund, pasuria e Imam Hasan Askeriut (a.s) u ndan në dy pjesë, edhe përkundër ligjit të qartë imamit.[115]


 






[53] Ithbat, fq.248; Lidhur me autorët e tjerë që e kanë përcjellur emrin Nergis, shih El-Irshad, fq.390; El-Ghajbe, fq.153, 158; Ujun el-Akhbar, v.32, fq.3




[54] Bihar el-Envar, v.51, fq.28, përcjellur nga El-Dirusi




[55] Kama’l, fq. 431-432




[56] Kama’l, fq. 317-323




[57] Taberi, v.3, fq.1434




[58] Ikhtijar, fq.147-148; El-Nexhashi, fq.298; Ibn Davud, El-Rixhal, fq.541




[59] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.323




[60] El-Nomani, Ghajbat, fq. 84, 85, 120; Kama’l, fq.239




[61] Kama’l, fq.280, 345; El-Mervazi, Kitab el-Fitan, fq.150-163




[62] Tusi, El-Ghajba, fq. 134-139, Dela’il, fq.262-264




[63] Shejh Mufid, El-.Irshad, 390-391




[64] Kama’l, fq.431




[65] El-Nexhashi, fq.268




[66] Ibn Kubba, Nakd Kitab el-Ashhad, përcjellur tek Kama’l, fq.113




[67] Kulejni, El-Kafi, fq.178




[68] Kulejni,  El-Kafi, v.1, fq.285-286; Në veprën e tij El-Tenbih, Ebu Sehl el-Navbakhtiu përcjell se argumenti kryesor i imamitëve për ekzistencën e Imamit të Dymbëdhjetë ishin hadithet e imamëve paraprakë, të cilat ishin përcjellur para vdekjes së Imamit të Njëmbëdhjetë në vitin 260/874; siç përcillet në Kama’l, fq.92-93




[69] Nomani, El-Ghajba, fq.90




[70] Tusi, El-Ghajba, fq.90




[71] Ebu Sehl el-Navbakhti, El-Tenbih, siç përcillet tek Kama’l, fq.92-93




[72] Për shembull, shih El-Kafi, v.1, fq.514; Kama’l, fq.424; El-Irshad, fq.390; Megjithatë, Ibn Rustam el-Taberiu përmend se djali i El-Askeriut  u lind më 8 Sha’ban 257/870; Delail, fq.272




[73] Makalat, fq.114; Shejh Saduku përcjell nga Jakub bin Manfushi, i cili thotë se El-Askeriu ia kishte treguar të birin, i cili asokohe ishte ndërmjet tetë dhe dhjetë vjeç; Kama’l, fq.407




[74] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.329; El-Irshad, 390-391




[75] Tusi, El-Ghajba, fq.150-151, 153




[76] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.514-515




[77] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.328; El-Irshad, fq.394




[78] Makalat, fq.114; Firak, fq.85




[79] Kama’l, fq.33




[80] Sipas Taberiut, Ebu Hashim el-Xha’feri vdiq në vitin 261/875; Taberi, v.3, fq.1887




[81] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.328




[82] Ithbat, fq.251




[83] Sipas Kulejniut, Imami i Dhjetë, El-Hadiu (a.s) vdiq më 26 Xhumada et-Thani 254/2 qershor 869; El-Kafi, v.1, fq.497




[84] Kama’l, fq.432




[85] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.329, 514; Kama’l, fq.430; Tusi, El-Ghajba, fq.144




[86] Taberi, v.3, fq.1813; Kema’l, fq.157




[87] Ithbat, fq.261-262




[88] Sipas Kulejniut, secili Imami, fill pas daljes nga barku i nënës, i vendos duart në tokë, e ngrit kokën drejt qiejve dhe pastaj reciton disa vargje nga Kur’ani; El-Kafi, v.1, fq.386




[89] Kama’l, fq.426-426; përshkrimi i lindjes së Imamit të Dymbëdhjetë është përcjellur nëpër veprat imamite me dallime në hollësi. Shih Ithbat, fq.248-250; Tusi, El-Ghajba, fq.150-154; Delail, fq.269-270. Të gjithë burimet imamite pajtohen se Hasan Askeriu (a.s) la pas vetëm një djalë. Megjithatë, Shejh Saduku përcjell nga Ibrahim el-Mazjari një transmetim, i cili lë të kuptohet se Imami kishte dy djem, Muhammedin dhe Musën, të cilët jetonin në Hixhaz. Një studium kritik i këtyre thënieve dhe i zinxhirit të tyre të transmetimit na lë të kuptojmë se këto hadithe janë të shpikura, kryesisht duke u mbështetur në faktin se përcjellësi Ibrahim bin Mazjari vdiq para vitit 260/874, ndërsa sipas vetë transmetimit, djali i Askeriut ishte i rritur tashmë, gjë që është e pamundur nëse Imami i Dymbëdhjet u lind në vitin 256/874; Kama’l, fq.445-453




[90] Kur’an, 28:5-6




[91] Ilal, fq.243-244; Kema’l, fq.24; Nomani, El-Ghajba, fq.86-87; El-Kafi, v.1, fq.340; El-Murtada, Mes’ele vaxhiza fi el-Ghajba, v.1, fq.1; Fusul el-Eshara, fq.16




[92] Nomani, El-Ghajba, fq.101; Kema’l, fq.303,485




[93] Ilal, fq.245, Kema’l, fq.316




[94] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.336




[95] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.369




[96] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.328, 330




[97] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.333




[98] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.247




[99] Veprat imamite i shënojnë emrat e individëve që e kanë parë djalin e El-Askeriut (a.s). Një transmetim nga Muhammed bin Uthmani, mëkëmbësi i dytë i Imamit të Dymbëdhjetë, thotë se El-Askeriu (a.s) mblodhi dyzet nga ndjekësit e tij të besueshëm dhe ua tregoi djalin e tij; Kema’l, fq.435; El-Kafi, v.1, fq.330-331; Tusi, El-Ghajba, fq.148, 152




[100] Kema’l, fq.429




[101] Ithbat, fq.247-248, 253




[102] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.328, 240; Nomani, El-Ghajba, fq.99-100; Tusi, El-Ghajba, fq.98-9




[103] Abd el-Rezzak el-San’ani, El-Musennef (Beirut, 1972), v.11, fq.371; Nomani, Ghajba, fq.98-99




[104] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.339




[105] El-Fusul el-Ashere, fq.13




[106] Hasan bin Muhammedi ishte i lidhur me një degë të familjes umajjade, të njohur si Al Ebi’l-Shevarib. Gjatë periudhës abbaside, shumica e të afërmve të tij punonin në zyrën e gjykatësit (kadiut). Si pjesë e politikave të tija anti-shiite, Mutevekkili e përfshiu Hasan bin Ebi el-Shevaribin në mesin e zyrtarëve të oborrit mbretëror (Taberi, v.3, fq.1428). Më pas, El-Mutazzi e emëroi atë kryegjykatës në vitin 252/866 (Taberi, v.3, fq.1684). Pas tre vjetësh, ai u lirua nga detyra, por u rikthye në detyrë sërish gjatë sundimit të El-Mu’tadidit. Në këtë detyrë mbeti deri në vdekjen e tij në Mekke, në vitin 261/875; Taberi, v.3, fq.1787, 1790-1791, 1891, 1907.




[107] Kulejni, El-Kafi, v.1, fq.500; Kema’l, fq.43




[108] Kema’l, fq.43




[109] Kema’l, fq.476-478




[110] Kema’l, fq.473




[111] Kema’l, fq.476




[112] Kema’l, fq.474




[113] El-Fusul el-Ashere, fq.13




[114] Sipas ligjit imamit, nëse një njeri vdes dhe lë pas nënën, një djalë dhe vëllain, vëllai nuk ka të drejtë të marrë ndonjë gjë nga prona e tij; Shejh Saduk, El-Muknia (Tehran, 1377), fq.171; Kema’l, fq.47, 58




[115] Muhammed el-Sadr, v.1, fq.314