Epopeja e Qerbelasë (pjesa III)
Dr. Ibrahim Ajati
22.04.2015


PËRMBAJTJA


Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit në Kufe
Imam Ali ibn Husejni në pallatin e Ibn Zijadit
Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit në xhaminë e Damaskut
Udhëtimet e Ehl-i Bejtit për në Kufe dhe Damask
Fjalimi i Zejnebes në pallatin e Jezidit
Ndjekësit besnikë të Imam Husejnit
Dëshmorët e Ali ibn Ebu Talibit në Qerbela
Kthimi i familjes së Imam Husejnit në Medine
Nuaman ibn Bashiri
Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit në Medine




20. Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit (a.s) në Kufe 


Përcillet se Imami i katërt mbajti një fjalim edhe në Kufe. Pasi u bëri shenjë njerëzve që ta dëgjonin, ai tha:


O njerëz! Kushdo që më njeh, më njeh dhe ai që nuk më njeh le ta dijë se unë jam djali i atij njeriu që u çnderua, i atij njeriu pronat e të cilit u plaçkitën dhe gratë e fëmijët e të cilit u zunë rob... 


Sikur Imami i katërt të mos e fillonte fjalimin e tij duke i përmendur plaçkitjet dhe keqtrajtimet e bëra nga armiku dhe sikur vetëm dy ditë pas Qerbelasë, në një kohë kur pushteti i Jezidit gëzohej me “suksesin” e tyre, të mos i kishte shpallur hapur gjërat që kishin ndodhur vërtet, mbase kjo ngjarje nuk do të kishte një ngjyrim shumë të ndryshëm në historinë e Islamit. Mund të thuhej për shembull se familja e Husejnit u soll në Kufe dhe më pas në Siri duke u respektuar dhe pa përdorur kurrfarë force.


Megjithatë, Imami i katërt që në fjalinë e parë të fjalimit të tij e përshkroi skenën e vërtetë të tragjedisë së Qerbelasë dhe me këtë la gjurmë në zemrën e njerëzve. Pikërisht këto fjalime dhe shkrime u shënuan më pas në librat e historisë, të përpiluar në shekullin e tretë. Me këtë, umajjadët nuk arritën të ndryshonin asnjë varg të vetëm edhe përkundër fuqisë që kishin. Ata nuk arritën që këto fjalime t’i fshinin nga faqet e historisë dhe të bënin të harrohej plaçkitja e çadrave të familjes së Husejnit dhe masakrimi i trupit të tij. Pavarësisht sa u munduan, ata kurrë nuk arritën ta shlyenin këtë ndodhi nga zemra e muslimanëve.


Familja e burgosur e Imam Husejnit, me një veprimtari shumë të ngjeshur dhe të vendosur, do të ishte ajo që do ta parandalonte një harresë të tillë dhe nuk do t’u lejonte umajjadëve të manipulonin jo vetëm me faktet por as edhe me hollësitë e kësaj ndodhie. Si pasojë, veprimet e vrasësve të Imam Husejnit janë të shënuara shumë qartë në histori. 


A s’kanë shkruar Shejh Mufidi dhe Taberiu se Imam Husejnit iu zhveshën dhe iu plaçkitën të gjitha rrobat pas vdekjes? Këmisha e tij u mor nga Is’hak bin Haiva. Turbanin e tij e mori Akhnas bin Marthadi dhe shpatën e mori një njeri nga fisi Beni Darm. Kajs bin Eshath bin Kajsi ia morri pelerinën. Këpucët e Imamit u nxorrën nga një njeri i quajtur Esved, i cili i takonte fisit Aud. Më pas, ushtria e Jezidit shkoi drejt çadrave dhe plaçkiti gjithë ç’gjeti, që nga veshmbathjet dhe deri tek devetë. Ata e shfaqën pangopësinë e tyre të pacipë kur ua hoqën grave edhe mbulesat e kokës. Dhe kush i shkroi vallë këto fakte historike? Ishin pikërisht fjalimet dhe thëniet e familjes së Imam Husejnit, të cilat i përcollën në mënyrë të qartë faktet e vërteta në lidhje me rastin e Qerbelasë dhe u dhanë atyre një vend në faqet e historisë. Historia islame jo vetëm që ka shënuar se Ibn Zijadi i urdhëroi Ibn Sadit që trupi i Imam Husejnit të shkelet nga kuajt, por edhe e ka përshkruar në hollësi këtë ndodhi.


Shejh Mufidi, Taberiu dhe historianët e tjerë kanë shkruar se Ibn Sadi arriti tek çadrat në çastin kur dikush dëshironte ta vriste Imam Ali ibn Husejnin. Me të ardhur, ai tha se nuk guxohej të vritej një njeri i sëmurë dhe as t’i trazoheshin gratë në çadrat e tyre. Dhe kur iu tregua Ibn Sadit se çadrat ishin plaçkitur tashmë, ai urdhëroi që gjërat e plaçkitura t’u riktheheshin pronarëve të tyre. Megjithatë, asnjeri nuk erdhi për t’i kthyer gjërat që i kishte marrë.


Më pas, për t’iu bindur  urdhrit të Ibn Zijadit, Umar ibn Sadi kërkoi vullnetarë që do të ecnin me kuajt e tyre mbi trupin e Imam Husejnit. Ai ishte një njeri i kujdesshëm dhe nuk i urdhëroi askujt që ta bënte këtë detyrë, mbase me shpresën se askush nuk do të pranonte të bënte diçka të tillë. Por ky kujdes ishte i panevojshëm dhe mundësia që shpresa e tij të realizohej ishte tejet e largët. Siç përcillet nga historianët më të mëdhenj të Islamit, dhjetë vetë dolën vullnetarë për ta bërë këtë detyrë. Ata hipën me shumë entuziazëm mbi kuajt e tyre dhe e kryen detyrën ashtu siç ishte urdhëruar. Edhe emrat e bishave të tilla të pandjenja janë shënuar në histori dhe të gjithë janë përmendur nga historianët muslimanë. Taberiu dhe Shejh Mufidi i kanë përmendur këta njerëz dhe kanë shkruar se njëri prej tyre ishte Is’hak bin Haiva Hazremiu, i cili e kishte vjedhur këmishën e Imam Husejnit dhe tjetri Akhnas bin Murthadi, i cili ia kishte vjedhur turbanin.


Sikur Imam Sexhxhadi të kishte heshtur për shkak të sëmundjes së tij, për shkak të lodhjes ose për shkak të burgimit të mundimshëm dhe sikur Ummu Kulthumi dhe Zejnebja të mos kishin mbajtur fjalime në Kufe, kush tjetër do të mund ta parandalonte manipulimin që umajjadët do t’ia bënin historisë së Islamit, duke e rrëfyer si lavdi këtë turp të madh të tyre?


Këta fjalime u mbajtën nga persona që e dinin mirë se ç’ishin duke thënë dhe që i peshonin shumë mirë fjalët e tyre. Megjithatë, të tjerët nuk ishin të aftë për të kuptuar se ishin pikërisht këto fjalime të Ehl-i Bejtit, të mbajtura atëherë nëpër pazare, në xhami dhe në mbledhje të ndryshme, që do t’i jepnin fuqi tragjedisë së Qerbelasë dhe që do të kishin një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin islam. Pjesa më e madhe e njerëzve të asaj kohe nuk shihnin tjetër tek këta fjalime përveç vajtimit të të afërmve të një të vrari. Ata nuk ishin të vetëdijshëm për faktin se familja e Imam Husejnit ishte duke e luajtur rolin e saj hyjnor në këtë kryengritje.


Detyra e nisur nga Imam Husejni nuk mund të përfundohej pa shpjegimin dhe pa interpretimin e bërë nga familja e tij. Ekzistonte gjithnjë rreziku që kjo ekspeditë hyjnore, e cila ishte udhëhequr nga disa prej njerëzve më të shenjtë të Islamit, me kalimin e kohës të kuptohej si një lëvizje materiale, e prirë nga interesat. Në rrethana të tilla, gjendja e vërtetë do të ishte fshehur nga muslimanët dhe nga gjeneratat e tyre vijuese, duke lënë pas vetëm tregime të trilluara. Pikërisht për këtë arsye, Ali ibn Husejni e shpërfilli pikëllimin dhe sëmundjen e tij, njësoj siç do të bënte edhe Zejnebja, motra e Husejnit. Në vend që të shfaqeshin si njerëz të dëshpëruar e të pashpresë, ata u përqëndruan në misionin e tyre për t’i informuar njerëzit në lidhje me të vërtetat e Qerbelasë, duke e shfrytëzuar çdo mundësi për këtë qëllim. Ata ishin aq të përqëndruar në këtë qëllim, sa edhe kur dikush i ofendonte në mënyra të ndryshme, ata e shfrytëzonin rastin dhe e përdornin atë si një arsyetim për të biseduar me njerëzit e tillë dhe për t’ua treguar të vërtetën. Në këtë mënyrë, ata shumë shpesh e ndryshuan aq shumë zemrën e ofenduesve të tillë, sa shumica prej tyre u penduan menjëherë, duke u bërë ndjekës të kauzës së tyre. 


Pasi e shprehu trajtimin e ashpër të armikut me disa fjalë që janë shënuar qartë në histori, Imam Ali ibn Husejni vijoi:


Unë jam djali i atij njeriu që iu pre kokë ndanë Eufratit, ndonse s’ia kishte derdhur gjakun askujt dhe as që ia kishte marrë dikujt të drejtën. Unë jam djali i njeriut që u sulmua nga shumë njerëz dhe që u vra atëherë kur ra në tokë i sfilitur dhe i pafuqishëm për të luftuar. Kjo na mjafton neve si nder.


Me këto fjalë, Imami i katërt i nxiti njerëzit që të hulumtonin më shumë në lidhje me vrasjen tragjike të Imam Husejnit sepse të gjithë e dinin se thjesht të vriteje nuk ishte ndonjë nder i madh, i cili do t’i mjaftonte njeriut gjithë jetën e tij. Imam Zejn’ul Abidini (nofkë e Imamit të katërt) tha më tej:


Është një nder i mjaftueshëm për ne që gjaku ynë u derdh, prona jonë u plaçkit dhe gratë e fëmijët na u zunë robër. 


Qëllimi i Imamit ishte që njerëzit të përsiateshin në lidhje me qëllimin e kësaj kryengritjeje, në lidhje me ambicjet e prijësit të saj dhe në lidhje me veprimet që ky i fundit kreu. Po të kishte qenë dëshira e tij që të bëhej sundues dhe në buronte kjo lëvizje thjesht nga fakti se dikush tjetër ia kishte marrë postin e sunduesit, atëherë nuk mund të thuhej se një vrasje e tillë do të sillte nder. Përkundrazi, ajo do të ishte një vdekje e turpshme. Atëherë përse thoshte Ali ibn Husejni se ky ishte një nder dhe se ky nder u mjaftonte atyre?


Me t’i dëgjuar këto fjalë, njerëzit duhet të kenë menduar se si mund të thuhej që një rast i tillë të ishte burim krenarie. Ç’krenari mund të jetë kur një njeriu i plaçkitet prona, i digjen çadrat dhe i robërohen të afërmit? Këto mund të ishin vuajtje por kurrë një burim krenarie. Fjalët e Imam Ali ibn Husejnit duhet t’i kenë detyruar njerëzit të mendojnë me thellë dhe ta kërkojnë vlerën dhe rëndësinë e kësaj kryengritjeje në historinë e Islamit, për të kuptuar se ç’thonin këta njerëz dhe ç’peshë kishin fjalët e tyre. Njerëzit donin të dinin se përse këta njerëz nuk heshtnin si të tjerët dhe nuk e pranonin ofertën që u bëhej nga pala sunduese.


Dhe fundja ç’do të humbte Imam Husejni po t’i shprehte besnikëri Jezidit dhe të jetonte i qetë dhe i nderuar në mesin e muslimanëve, pa i humbur miqtë e tij dhe pa e humbur jetën? Këto fjalë të Imam Ali ibn Husejnit i përgatitën njerëzit për të dëgjuar, e stimuluan mendimin e tyre dhe i zgjuan ata nga gjumi në të cilin ndodheshin. Kishte mbase edhe shumë njerëz të cilët iu gëzuan vrasjes së Imam Husejnit. Në fund të fundit, me vrasjen e tyre gjendja ishte kthyer në normale dhe ishte normalizuar edhe tregtia dhe udhëtimet. Gjithçka ishte kthyer në gjendjen e mëparshme.


Dhe teksa këta njerëz mendonin kështu, përnjëherë vinte djali i Husejnit dhe thoshte: “Ata na vranë dhe plaçkitën gjithçka që kishim por kjo na mjafton neve si një nder.” Këto fjalë të tijat e ndezën brenda njerëzve shkëndijën për të bërë hulumtime të mëtejme në lidhje me rastin e Qerbelasë. 


Më pas, Imam Ali ibn Husejni vazhdoi me fjalën e tij:


O njerëz! Për Zotin më thoni a nuk i shkruat ju letra babait tim dhe më pas e tradhëtuat atë? Ju i bëtë atij premtime dhe më pas luftuat kundër tij. Zoti ju shkatërroftë! I korrshi të ligat e veprimeve tuaja në këtë botë e në tjetrën e u çnderofshi për këtë veprim tuajin! Si do të dilni para Profetit në Ditën e Gjykimit e me ç’sy do ta vështroni kur t’ju thotë: “Ju i vratë fëmijët e mi dhe më çnderuat mua. Ju s’jeni ndjekësit e mi”? 


Këto fjali të Imamit e ndryshuan mendimin e popullit të Kufes, bashkë me shprehjen e qeshur të njerëzve që ishin mbledhur për të parë disa të burgosur të turpëruar. Ata u përpoqën ta përmbanin veten por nuk ia dolën. Më në fund, vajtime filluan të dëgjoheshin nga çdo anë. Njëri tha: “Ç’të ligë që bëtë! E shkatërruat veten tuaj.” Një tjetër iu përgjigj: “E ç’mund të bëjmë tani?”


Teksa njerëzit po qanin dhe dënesnin, Imami foli sërish:


Zoti i bekoftë ata që e pranojnë këshillën time, veprojnë sipas saj në detyrimet e tyre ndaj Zotit, ndaj të Dërguarit të Tij dhe ndaj familjes së të Dërguarit. Është një detyrim mbi ne që ta ndjekim rrugën e tij. 


Këto fjalë të shkurtra krijuan një kthim të tillë në mendimin e njerëzve sa shumë prej tyre thirrën se ishin të gatshëm t’i dëgjonin fjalët e tija dhe t’i bindeshin. Shumë prej tyre thanë se do ta përkrahnin atë dhe se do të luftonin me gjithkë që do të luftonte kundër tij.


Nga këto fjalë të tyre të përcjellura nga Ibn Tavusi, kuptohet se ata akoma s’e kishin kuptuar qëllimin e Imamit. Ata mbase mendonin se ai kishte ndërmend të luftonte dhe se po përpiqej të mobilizonte një ushtri të re. Ata nuk e kishin të qartë akoma se pjesa ushtarake e kësaj lëvizjeje kishte përfunduar dhe se tashmë s’kishte nevojë për një gjë të tillë. Pjesa e mbetur ishin këto fjalime që do ta pasqyronin ngjarjen e Qerbelasë në historinë e Islamit dhe në mendjen e muslimanëve. Për më tepër, premtimet që tani po ia jepnin Imam Ali ibn Husejnit nuk dallonin aspak nga premtimet që ia kishin dhënë më parë Imam Husejnit. Si të tilla, ato nuk kishin kurrfarë vlere dhe Imami e dinte se s’mund të mbështetej në to. Ato ishin të ngjashme me premtimet për besnikëri që Muslim ibn Akili i kishte marrë në Kufe dhe me letrat që i ishin dërguar Imam Husejnit para kësaj. 


Më pas, Imam Ali ibn Husejni tha:


O njerëz tradhëtarë e të pabesë! Ju kurrë s’do të dilni faqebardhë. A doni të silleni me mua njësoj siç u sollët me paraardhësit e mi? Kurrë! Betohem në Zotin se plagët e zemrës sime s’janë shëruar akoma. Dje u vra babai im bashkë me ndjekësit e tij. Ajo që kërkoj nga ju është që të mos na përkrahni dhe as të mos na kundërshtoni. S’është për t’u habitur që u vra Husejn ibn Aliu. A nuk ishte babai i tij Aliu edhe më i mirë se Husejni por u vra megjithatë? O njerëz të Kufes! Ju e vratë Alun. Iu bëfsha kurban tim eti që ra dëshmor në breg të Eufratit. Ferri është dënimi i vrasësve të tij.


Në doni të jemi të kënaqur me ju, mjafton që të hiqni dorë nga të qenit përkrahësit tanë një ditë dhe armiqtë tanë ditën tjetër. 


Imami i katërt nuk mundi të fliste më shumë dhe nuk pati ndonjë mundësi tjetër për të folur deri kur e gjithë familja e Husejnit u mblodh para Ibn Zijadit. Edhe atje ai e shfrytëzoi mundësinë. Me disa fjali të shkurtra ai arriti të krijonte përshtypje tek njerëzit. 


 


21. Imam Ali ibn Husejni (a.s) në pallatin e Ibn Zijadit 


Ali ibn Husejni u soll në pallatin e Ibn Zijadit dhe u detyrua të qëndronte në këmbë para tij. “Kush je ti?”, e pyeti Ibn Zijadi. Ai u përgjigj: “Jam Ali ibn Husejni.” Ibn Zijadi pyeti: “A s’e vrau Zoti Ali ibn Husejnin?” Imami ia ktheu: “Kisha një vëlla tjetër që quhej Ali dhe njerëzit e vranë atë.” Ibn Zijad tha sërish: “Jo jo! Zoti e vrau atë.” Imami u përgjigj me një varg kuranor: “Zoti i merr shpirtrat kur t’ju vijë koha (Kur’an 39:42) por Ai nuk është vrasësi i tyre.”


Kur Ibn Zijadi pa se ky i burgosur i ri dhe i sëmurë do t’i përgjigjej çdo fjale të tij, u zemërua dhe i tha: “Akoma ke guxim ta kundërshtosh atë që them unë?” Më pas u urdhëroi njerëzve të tij që t’ia prisnin kokën.


Me ta dëgjuar këtë, Zejnebja u shqetësua jashtë mase. Por përgjigja e vetme e vetë Ali ibn Husejnit ishte: “Po të më vrasësh mua, me kë ke për t’i dërguar këto gra? Pasi të më vrasësh, duhet t’i dërgosh në shoqëri të ndonjë muslimani të virtytshëm, i cili do të sillet me ta sipas urdhrave të Islamit.” Imami nuk i kërkon Ibn Zijadit që ta falër por vetëm i thotë që gratë e familjes së Profetit t’i dërgojë në shoqëri të ndonjë njeriu që do të jetë musliman dhe i virtytshëm.


Edhe pasi u dërgua në Siri, Imam Ali ibn Husejni pati mundësi, të cilat do t’i shfrytëzonte deri në maksimum. Kur ishte i burgosur në Damask, një njeri i quajtur Ibrahim ibn Talha ibn Ubejdullah Tejmi erdhi pranë tij dhe i tha: “O Ali ibn Husejn! Kush e fitoi këtë luftë?” Qëllimi i tij ishte të thoshte se familja e Husejnit kishte pësuar një disfatë të tmerrshme dhe se armiqtë e tyre kishin dalë fitimarë.


Përgjigja e Imamit ishte: “Erdhi koha e namazit. Recitoje ezanin dhe ikametin që ta dish qartë se kush ka fituar.” Ajo që deshi të thoshte Imami ishte se ky njeri, si pjesëtar i fisit Tejm të Kurejshit, mund të ishte i lumtur për disfatën e fisit Hashim. Por për sa kohë që ishte musliman, ai do të duhej ta recitonte ezanin dhe në të dëshmonte se Muhammedi është i Dërguari i Zotit. Me këtë, Ali ibn Husejni ia bënte të qartë se ngase ata ishin pasardhësit dhe trashëgimtarët e Profetit, pa emrin e të cilit s’do të pranohej asnjë namaz i muslimanëve, lavdia do t’u takonte pikërisht atyre, pra pasardhësve të Muhammedit.


Imami ia tha këto fjalë vetëm një njeriu dhe me një ton të ulët. Por janë pikërisht këto fjalë që jehojnë në histori. Ndodh ndonjëherë që një fjali e vetme të jetë shkaku i shkrimit të shumë librave. Në atë kohë, as Ibrahimi, as Talhaja dhe as të tjerët nuk mund ta kuptonin rëndësinë e këtyre fjalëve dhe t’i kushtonin vëmendje esencës së tyre duke e tejkaluar trajtën. Por Imami e dinte mirë se edhe sikur ta thoshte vetëm këtë fjali dhe të mos fliste asgjë tjetër gjatë kohës së tij në Siri, do të ishte e mjaftueshme që t’ia arrinte qëllimit. Ata që asokohe nuk dinin ta vlerësonin si duhet këtë ndodhi, shumë shpejt do të fillonin t’i thurrnin lavde Imam Husejnit dhe ndjekësve të tij.


Imam Ali ibn Husejni pati një mundësi tjetër në hyrje të xhamisë së Damaskut, aty ku zakonisht mbaheshin të burgosurit. Një plak sirian erdhi pranë tij dhe i tha: “I falënderohem Zotit që vrau dhe shkatërroi njerëz përçarës si ju.” Më pas, ai filloi ta ofendonte familjen e Husejnit. Imam Ali ibn Husejni qëndroi i heshtur dhe më pas në përgjigjen e tij, nuk tha asgjë që do të ishte e pahijshme dhe madje as nuk u ankua për fjalët ofenduese që kishte përdorur plaku. Lexuesit duhet ta ketë parasysh faktin se Ali ibn Husejni ishte i sëmurë dhe se kishte udhëtuar nga Kufeja në Damask. Ai akoma e kishte të freskët dhimbjen e vdekjes së të atit dhe për më tepër, kishte arritur në një qytet që kishte qenë kryeqendra e armiqve të Ehl-i Bejtit. Siriani ofendonte, shprehte kënaqësi për dhimbjen e tij dhe e falënderonte Zotin për gjëmat që i kishin gjetur. Kush mund të qëndrojë i qetë në rrethana të tilla dhe të mos i përgjigjet një njeriu të tillë ashtu siç e meriton?


Megjithatë, Imami vazhdoi të sillej si një mësues i butë dhe i dhembshur, thuase plaku i kishte thënë vetëm fjalë të mira dhe të buta. Ai e pyeti: “A e ke lexuar Kur’anin?”  “Po”, i tha plaku. Më pas Imami tha: “A s’e ke lexuar vargun:


Thuaj: s’dua prej juve ndonjë shpërblim përveç dashurisë për të afërmit e mi... (Kur’a 42:23)


Plaku u përgjigj se e kishte lexuar këtë varg. Imami i tha: “Betohem në Zotin se ne jemi të afërmit e Profetit.”


S’ka dyshim se kjo pyetje shkaktoi një stuhi në kokën e njeriut. Imami vazhdoi: “A s’e ke lexuar vargun:


O Ehl-i Bejt! Zoti dëshiron ta largojë nga ju çdo njollë dhe t’ju pastrojë...(Kur’an 33:33)


Plaku i tha se e kishte lexuar edhe atë. Imami vazhdoi: “Ne jemi Ehl-i Bejti, pastërtia e të cilit është dëshmuar nga Zoti.”


Pas kësaj, siriani i habitur i ngriti duart drejt qiellit dhe tha tri herë: “O Zot! Pendohem për atë që kam bërë. O Zot! Unë jam larg armiqve të familjes së Profetit dhe larg atyre që i vranë. Nuk di si ka ngjarë që e kam lexuar Kur’anin dhe s’u kam dhënë rëndësi këtyre vargjeve.”


Një rast të ngjashëm Imam Ali ibn Husejni pati në pallatin e Jezidit, ku familja e Profetit u soll për herë të parë. Gjatë rrugëtimit nga Kufeja për në Damask, Ali ibn Husejni kishte qenë i prangosur. Me të arritur para Jezidit, i tha: “Për hir të Zotit o Jezid! Pa mendo njëherë ç’do të thoshte Profeti po të na shihte në këtë gjendje!”


Këto fjalë patën shumë ndikim dhe shumë nga njerëzit e pranishëm qanë. Si pasojë, Jezidi urdhëroi që të hiqeshin prangat. Një pikë që vlen të theksohet është fakti se Imam Ali ibn Husejni i drejtohej Jezidit me emrin e tij dhe nuk e quante “Prijësi i besimtarëve”, siç i drejtoheshin rëndom njerëzit. Me këtë, historia shënon qartë se familja e Profetit (Ehl-i Bejti) kurrë nuk e pranoi Jezidin si “prijës të besimtarëve” dhe si pasardhës të Profetit, madje as në kushtet kur ishin të prangosur në prani të tij. Historia dëshmon qartë se asnjëri nga pjesëtarët e familjes së Husejnit nuk iu drejtua Jezidit ndryshe veçse me emrin e tij.


 


22. Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit (a.s) në xhaminë e Damaskut 


Mundësia më e mirë për Imam Ali ibn Husejnin erdhi në ditën kur kleriku zyrtar i Jezidit u ngjit në foltore dhe filloi ta mallkonte Aliun dhe pasardhësit e tij, duke i lëvduar njëkohësisht Muavijen dhe pasardhësit e Muavijes. Atëherë Imami i tha Jezidit: “A më lejon edhe mua të ngjitem mbi këtë copë druri dhe të them disa fjalë që do ta kënaqin Zotin dhe nëpërmjet të cilave njerëzit do të fitojnë shpërblim prej Tij?” Kjo fjali e Imamit është shumë kuptimplote. Ai nuk e quajti foltoren “foltore” por thjesht “një copë druri”. Ajo që nënkuptonte Imami ishte se jo gjithçka që kishte formën e një foltoreje dhe ku njeriu ngjitej për të mbajtur fjalim, meritonte të quhej foltore. Këto copa druri ishin mjete për t’i shkatërruar foltoret e vërteta. Folësi pararendës ishte për të vetëm një njeri që e kishte shitur besimin e tij për përfitime materiale, sepse pajtohej t’i kënaqte njerëzit duke e kundërshtuar Zotin. Me fjalë të tjera, Ali ibn Husejni theksonte se kleriku e meritonte zemërimin hyjnor sepse Zoti kurrë s’do të ishte i kënaqur me ofendimin e një njeriu si Ali ibn Ebu Talibi.


Me fjalët “të them disa fjalë që do ta kënaqin Zotin dhe nëpërmjet të cilave njerëzit do të fitojnë shpërblim prej Tij?” Imam Ali ibn Husejni linte të kuptohetj se gjërat që i thoshte kleriku zyrtar i Jezidit mundnin vetëm t’i fundosnin njerëzit në mëkat dhe në armiqësi, pa sjellë ndonjë rezultat tjetër përveç devijimit të njerëzve. Njerëzit insistuan që Jezidi t’i lejonte Imam Ali ibn Husejnit të fliste por Jezidi nuk pranonte. Më në fund, ai tha: “Këta janë njerëz që ushqeheshin me dituri ndërsa të tjerët ishin akoma foshnja e fëmijë. Po t’i lejoj të flasë, ai ka për të më turpëruar para njerëzve.” Megjithatë, pas shumë insistimeve nga njerëzit e pranishëm, Imam Ali ibn Husejni u ngjit në foltore dhe mbajti një fjalim, i cili pati ndikim të madh tek dëgjuesit.


Gjatë këtij fjalimi, Imami e shpjegoi pozitën e Ehl-i Bejtit në traditën islame dhe tha:


O njerëz! Zoti na ka falur gjashtë gjëra dhe superioriteti ynë mbështetet në shtatë shtylla. Gjashtë gjërat që na ka falur janë: dituria, durimi e bujaria, mëshira, gojëtaria, guximi dhe dashuria e besimtarëve. Zoti ka dëshiruar që besimtarët të na duan dhe këtë s’e pengon kush. Askush s’mund t’i bëjë besimtarët të na urrejnë. Kurse sa për superioritetin tonë mbi të tjerët, mjafton që Muhammedi, i Dërguari i Zotit, pasardhësi i tij Ali ibn Ebu Talibi, Prijësi i Martirëve Hamza, Xhafer Tajjari, Hasani dhe Husejni dhe Mehdiu i kësaj shoqërie dhe i kohëve të mbrame janë nga ne. 


Ajo që nënkuptonte Imami ishte se Jezidi duhej fillimisht t’ia merrte Ehl-i Bejtit të gjithë këto tipare dhe t’ia mveshte vetes. Vetëm pas kësaj mbase do të mund të matej me ta. Përndryshe, derisa këto ndere të Islamit t’u takonin atyre, Ehl-i Bejti kurrë s’mund të çnderohej dhe të shpërfillej.


Imami vetëm e kishte prezantuar veten e tij dhe gjendja kishte ndryshuar aq shumë sa Jezidi dhe përkrahësit e tij u detyruan t’ia ndërprisnin fjalën. Ata i thanë muezzinit që ta recitonte ezanin. Siç mund të pritej, Imam Ali ibn Husejni heshti në shenjë respekti por pak më pas, e shfrytëzoi edhe një mundësi tjetër. Kur muezzini e recitonte vargun “...dëshmoj se Muhammedi është i Dërguari i Zotit”, Imami e hoqi turbanin e tij dhe tha: “O muezzin! Për hir të këtij Muhammedi të lutem të heshtësh!” Më pas u kthye drejt Jezidit dhe i tha: “A ëshë gjyshi yt ky profet i madh ose i yni? Po të thuash se është gjyshi yt, të gjithë njerëzit do ta dijnë se gënjen. E nëse thua se ai është gjyshi im, atëherë përse e vrave tim at, përse ia plaçkite pronat dhe përse ia robërove gratë?” Më pas e lëvizi dorën, e hapi këmishën e tij dhe vazhdoi të fliste derisa njerëzit u prekën shumë dhe u shqetësuan. 


 


23. Udhëtimet e Ehl-i Bejtit për në Kufe dhe Damask 


Historia e lëvizjes së shenjtë të Imam Husejnit është njëri nga kapitujt më të lavdishëm të historisë së Islamit. Ndonse kjo periudhë është tejet e shkurtër dhe e kufizuar në aspektin kohor, ajo ishte shumë e fuqishme në aspektin e pasojave që solli. Kjo periudhë mund të thuhet se filloi në muajin Rexheb të viti 60 pas Hixhrit, me nisjen e Imam Husejnit nga Medineja dhe përfundoi me kthimin e familjes së tij në Medine, ndonse data e saktë e këtij kthimi nuk dihet, njësoj siç nuk dihet edhe kohëzgjatja e qëndrimit në Damask, data e nisjes për në Medine dhe kohëzgjatja e rrugëtimit. Për të përmbledhur, mund të themi se kur familja e Imam Husejnit u kthye në Medine, s’kishte kaluar akoma një vit nga largimi i tyre. Ata erdhën në Medine ose duke kaluar nëpër Qerbela ose drejtpërdrejt.


Rrëfimi se Ehl-i Bejti erdhi nga Siria në Irak dhe arriti në Qerbela më 20 Safar është shumë pak i besueshëm dhe për të nuk ekziston ndonjë dëshmi e fortë në librat e historisë. Ehl-i Bejti shkoi nga Medineja në Mekke në muajin Rexheb të vitit 60 pas Hixhrit dhe u nis nga Mekkeja drejt Irakut në muajin Dhulhixhxhe të po këtij viti. Në muajin Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit, familjarët e Imam Husejnit u dërguan në Kufe si të burgosur, pas rënies dëshmor të Imam Husejnit dhe të ndjekësve të tij.  Pas një qëndrimi jo shumë të shkurtër në Kufe, ata u dërguan drejt Sirisë, pas urdhrave të marrë nga Jezidi. Ata qëndruan në Siri për një kohë që nuk dihet saktë dhe më pas u kthyen në Medine.


Data e nisjes së Ehl-i Bejtit nga Kufeja për në Siri, arritja e tyre në Damask, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre në kryeqytetin e Jezidit dhe data e nisjes nga Damasku për në Medine nuk dihen saktë. Por me një llogaritje të mbështetur në probabilitet dhe jo në informata të sigurta, mund të themi se familja e Imam Husejnit arriti në Kufe rreth datës 12 Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit. Ata qëndruan të burgosur në Kufe rreth një muaj, gjegjësisht deri në mes të muajit Safar. Më pas u dërguan drejt Sirisë dy ose tri ditë para se të mbusheshin dyzet ditë nga vdekja e Imam Husejnit. Siç përcillet nga disa historianë, ata arritën në Damask në mesin e muajit Rebiul Evvel. Nuk ka informata të sigurta sa gjatë qëndruan në Damask, kur u nisën që aty dhe në ç’datë arritën në Medine.


Po të ekzistonte vërtet ndonjë dëshmi në lidhje me pretendimin se familja e Husejnit arriti në Qerbela në ditën e dyzetë pas vdekjes së tij, sërish do të duhej të pranonim se kjo ishte gjatë rrugëtimit të tyre për në Siri dhe jo gjatë kthimit në Medine. Kjo është kështu ngase, siç kanë shkruar disa historianë, Ehl-i Bejti dërgua për në Siri kur kishin kaluar vetëm 2-3 ditë nga gjysma e parë e muajit Safar. Sipas kësaj, versioni më i mundshëm është që ata të kenë kaluar nëpër Qerbela dhe t’u kenë bërë homazh dëshmorëve të tyre më 20 Safar dhe më pas të kenë shkuar drejt Damaskut. Por edhe për këtë pretendim nuk ka dëshmi të besueshme dhe vetëm informata të përafërta mund të gjenden në librat e historisë.


Nuk është shumë e mundshme që Ehl-i Bejti të ketë arritur në Siri, të jetë nisur nga Damasku ose të ketë arritur në Medine në ditën e dyzetë pas vdekjes së Imam Husejnit. Andaj është e këshillueshme që gjëra të tilla të pabaza të mos rrëfehen kur bëhet fjalë për rastin e Qerbelasë dhe të përdoren vetëm informatat e dhëna në burimet e besueshme. As Imami i katërt dhe as familja e Imam Husejnit nuk erdhën në Qerbela në ditën e dyzetë të vdekjes së Imam Husejnit (e cila njihet me emrin “Erbain”). Në rrëfimet e përcjellura në lidhje me homazhet që Xhabiri dhe Atijje ia bënë varrit të Imam Husejnit në këtë ditë, nuk është përmendur kurrë se ata janë takuar me Imamin e katërt ose me familjen e tij. Ky tregim është shpikur me kalimin e kohës.


Vetëm Sejjid ibn Tavusi, në kundërshtim me dëshmitë e tjera historike dhe gjeografike, ka shkruar se në kthimin nga Damasku për në Medine, Ehl-i Bejti kaloi nëpër Irak, në vendin ku ndaheshin rrugët e Hixhazit dhe Irakut (një vend i paidentifikuar akoma) dhe se dyzet ditë pas vrasjes së Imam Husejnit, arritën në Qerbela. S’ka dyshim se Sejjid ibn Tavusi ishte një njeri i madh. Allame Hilli ka dëshmuar për veprat e tija të mëdha dhe për faktin se kishte një status të lartë mes dijetarëve. Megjithatë, parë nga këndvështrimi historik, është e pamundur të pranohet ky pretendim i tij i pavërtetuar, të cilin mbase nuk e besonte edhe ai vetë. Sido që të jetë, kjo çështje kërkon hulumtim të mëtejmë.


Është krejt në kundërshtim me arsyen e shëndoshë që të pranohet ndonjë gjë pa u hulumtuar, pa u studiuar mirë dhe pa u komentuar. Edhe sikur Sejjid ibn Tavusi të kishte qenë bashkëkohësi ynë, s’do të kishim patur arsye për t’u pajtuar me të në këtë çështje, të cilën sipas hulumtimeve, ai e ka punuar në periudhat e hershme të veprimtarisë së tij. Është një metodë mendjelehtë dhe e dëmshme që të pranohen pa u hulumtuar të gjitha fjalët e një dijetari ose të pranohet se ndonjë libër i caktuar është i përsosur. Rruga e hulumtimit dhe e kritikës duhet të jetë gjithnjë e hapur për njerëzit e arsyeshëm dhe për dijetarët hulumtues të historisë. Sipas muslimanëve të të gjithë botës, ekziston vetëm një njeri, fjalët e të cilit janë të pagabueshme dhe ky është i Dërguari i Zotit. Gjithsesi, këtu duhet shtuar edhe besimin shiit mbi pagabueshmërinë e Fatimesë dhe të dymbëdhjetë Imamëve, ky tipar i të cilëve dëshmohet si nga arsyeja ashtu edhe nga burimet islame. 


 


24. Fjalimi i Zejnebes në pallatin e Jezidit 


Tani sugjeroj që ta studiojmë fjalimin të cilin Zejnebja e mbajti në pallatin e Jezidit dhe i cili është shënuar në librat e historisë, të shkruar në shekullin e tretë (p.sh. vepra “Belagat-un Nisa” nga Ebu Fazl Ahmed ibn Ebi Tahiri):


Në pallatin e tij, Jezidi recitoi disa vargje heretike të Abdullah ibn Zabari Sehmiut, të shkruara në kohën kur ky i fundit nuk ishte akoma musliman dhe më pas, duke shtuar edhe disa vargje të veta, tha se donte t’u hakmerrej pasardhësve të Muhammedit ngase ata i kishin vrarë paraardhësit e tij umajjadë. Zejnebja, e bija e Imam Aliut, u ngrit dhe foli. Me fjalët e saja, ajo i shtoi një kapitull të ri Kalifatit të Jezidit, i cili zgjati tre vite dhe disa muaj. Ajo tha:


O Jezid! Zoti dhe i Dërguari i Tij kanë thënë se të mëkatuarit dhe të thënit se shenjat e Zotit janë të pavërteta, do të thotë të tallesh me ta.


O Jezid! Mos mendon vallë se ne jemi turpëruar e çnderuar për shkak të vrasjes të njerëzve tanë dhe për shkak të këtij robërimi? Dhe teksa na ke mbyllur çdo rrugë, na ke burgosur e je duke na çuar nga vendi në vend si robër, mos mendon vallë se Zoti e ka larguar nga ne bekimin e Tij? Mos mendon vallë se duke i vrarë njerëzit e Zotit do të bëhesh i madh e i nderuar dhe se i Gjithëfuqishmi ka për të të parë me mëshirë dhe me butësi? Shi për këtë arsye je bërë kaq mendjemadh dhe i lumtur tani. Sot po mburresh duke parë se gjërat janë në të mirën tënde. Por ke harruar ç’thotë Zoti:


Le të mos mendojnë mohuesit se lehtësimi që u jepet është në të mirë të tyre. Ne vetëm u japim kohë t’i rrisin mëkatet. Për ta do të jetë dënimi poshtërues.. (Kur’an 3:178) 


Më pas, Zejnebja ia përkujtoi Jezidit çlirimin e Mekkes në vitin 8 pas Hixhrit, në të cilin Profeti u soll me butësi ndaj mekkasve dhe i fali të gjithë. Jezidi ishte pasardhës pikërisht i këtyre njerëzve të çliruar e të falur. Babai i tij Muavije, gjyshi i tij Ebu Sufjani dhe nëna e Muavijes, që të gjithë u falën pas çlirimit të Mekkes. Atë ditë, i Dërguari, me një madhështi të pashembullt, i la të lirë të gjithë ata, pavarësisht gjërave që kishin bërë më parë. 


Në pjesën e dytë të fjalimit të saj, e bija e Imam Aliut sërish e bëri një temë qendrore çlirimin e Mekkes dhe tha:


O bij të të çliruarve! A është e drejtë që t’i mbani në mbrojtje gratë dhe robëreshat tuaja, ndërkohë që vajzat e Profetit i lini të dëshpëruara, i hipni në deve të shpejta, i dorëzoni në duart e armiqve dhe i bëni të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin?


Përse të mos zemërohet Jezidi me ne? Është ai që na sheh neve me armiqësi. Ti thua pa menduar dhe pa u ndrojtur se je duke bërë mëkat kur thua se dëshiron që paraardhësit e tu të vrarë në Bedër të ishin këtu sot. Pastaj e godet kokën e Husejnit tek dhëmbët me shkopin që ke në dorë. S’ka përse të mos jesh i tillë tashmë, kur e ke bërë atë që ke dashur ta bësh dhe e ke larguar prej kohësh këmishën e virtytit. Ti e ke derdhur gjakun e bijve të Profetit dhe yjtë shkëlqimtarë të kësaj toke nga mesi i pasardhësve të Abdul Muttalibit, i ke fshehur nën retë e shtypjes dhe padrejtësisë. Por së shpejti do të shkosh tek Zoti, do t’i takosh paraardhësit e tu dhe do të hysh në vendin ku janë ata.Por atëherë do të dëshirosh që të ishte i verbër e memec dhe të mos thoje se kjo është një ditë lumturie për paraardhësit e tu. 


Pas këtyre fjalëve, Zejnebja iu lut Zotit dhe tha:


O Zot! Ruaje të drejtën tonë dhe hakmerru kundër atyre që na kanë shtypur!


Më pas u kthye sërish drejt Jezidit dhe i tha:


Për Zotin ti e çjerr lëkurën tënde dhe e ke prerë mishin tënd. Shumë shpejt do të dalësh para të Dërguarit të Zotit dhe do të shohësh me sytë e tu se fëmijët e tij janë në parajsë. Ajo do të jetë dita kur Zoti do t’i mbledhë pasardhësit e Profetit në një vend dhe do t’i japë fund shpërndarjes së tyre. Ky është premtimi që ka bërë vetë Zoti në Kur’an.


Mos mendo se kanë vdekur ata që u vranë në rrugë të Zotit! Ata janë gjallë dhe tek Zoti i tyre po bekohen! (Kur’an 3:169) 


O Jezid! Në ditën kur Zoti të jetë Gjykues dhe Muhammedi ndërmjetësues e kur duart e tua të dëshmojnë kundër teje, babai yt që të bëri sundues ka për t’u dënuar. Atë ditë do të kuptohet se ç’dënim do të ketë shtypësi, pozita e të cilit është më e keqja dhe më e poshtëruara. O armik i Zotit dhe djalë i armikut të Zotit! Betohem në Zotin se ti s’meriton as të qortohesh. Por ç’të bëj? Sytë tanë qajnë, zemrat tona po digjen dhe dëshmorët tanë s’kanë për t’u kthyer në jetë me të të qortuar ty. Husejni im u vra dhe ndjekësit e djallit po na çojnë tek mendjelehtët që ta marrin shpërblimin për ofendimin që ia bënë Zotit. Gjaku ynë pikon nga duart e tyre dhe nga goja u bie mishi ynë. Trupat e shenjtë të dëshmorëve ua lanë ujqërve e bishave të tjera. Nëse sot ke fituar diçka duke derdhur gjak, dije se do të jesh humbës në Ditën e Gjykimit. Atë ditë s’do të njihet tjetër përveç veprave tua. Atë ditë ke për ta mallkuar djalin e Merxhanes (Ibn Zijadin) dhe ai ka për të të mallkuar ty. Atë ditë, ti dhe ndjekësit e tu do të ziheni pranë Peshores së Drejtësisë me njëri-tjetrin. Ti atë ditë ke për të parë se trashëgimia më e madhe që ta la pas babai yt ishte mundësia për t’i vrarë fëmijët e të Dërguarit të Zotit. Betohem në Zotin se s’i druhem askujt veç Tij dhe askujt tjetër s’i ankohem. Ti mund të bësh dinakëri e mashtrime por betohem në Zotin se turpi dhe çnderimi që ke fituar me sjelljen ndaj neve, s’ka për t’u shlyer kurrë.


I falënderohem Zotit, i cili e përfundoi me sukses detyrën e prijësve të të rinjve të parajsës (Hasanit dhe Husejnit) dhe i vendosi ata në parajsën e Tij. I lutem Zotit që t’i lartësojë akoma më shumë me butësinë e Tij sepse Zoti është i Githëfuqishëm.”  


 


25. Ndjekësit besnikë të Imam Husejnit (a.s)  


Taberiu shkruan se pasi Imami e fali namazin e drekës, Zuhajr bin Kajni filloi të luftonte me armikun. Duke luftuar, thoshte: “Unë jam Zuhajr bin Kajni. Unë i dëboj me shpatën time armiqtë e Imamit tim.”


Më pas, ai e vendosi dorën mbi shpatullën e Imam Husejnit dhe i tha: “Hapëro para dhe mos ki droje! Ti je udhëzuesi ynë hyjnor. Përse të mërzitemi për këto ndodhi? A është kjo ditë gjë tjetër veçse çasti i takimit me gjyshin tënd të Dërguarin e Zotit, me babain tënd Aliun, me tët vëlla Hasanin dhe me xhaxhain tënd Hamzën?


Ç’lartësi shpirtërore kishte arritur Zuhajri! Ai e ngushëllonte Imamin duke i thënë se s’kishte asgjë për t’u mërzitur dhe për t’u merakosur. Në raste të tilla, nuk na duket aspak befasuese dhe e çuditshme fjala që përcillet në disa burime nga Imam Aliu: “Edhe sikur të ngrihej perdeja nga sytë e mi dhe të vërtetat e fshehura të më shfaqeshin para syve, asgjë s’do t’i shtohej besimit tim.” Pavarësisht në e tha vërtet këtë gjë, është e sigurt se Aliu kishte arritur atë pozitë të lartë. Kjo s’është aspak befasuese sepse nga një njeri si Aliu edhe nuk mund të pritej diç tjetër. Ajo që është habitëse është fakti se edhe Zuhajr bin Kajniu e shijoi paksa një pozitë të tillë. Ishte pikërisht ky besim dhe kjo bindje e qartë e shokëve të Imamit që i mbajti ata në rrugën e drejtë dhe nuk lejoi të devijonin prej saj. 


Nafe bin Hilal Xhemali ishte njëri nga përkrahësit e Imam Husejnit dhe po e godiste armikun me shigjeta duke e recituar vargun: “Unë jam Hilal Xhemaliu dhe ndjek rrugën e Aliut.” Edhe në çastet më të ashpra të betejës, ai fliste për kauzën e Aliut dhe e lëvdonte atë. Ai vrau dymbëdhjetë ushtarë të Umar bin Sadit dhe plagosi shumë të tjerë. Më në fund, krahët iu thyen dhe u zu rob. Kur u soll para Ibn Sadit, ky i fundit e pyeti: “O Nafe! Përse e hodhe veten në këtë fatkeqësi?” Umari mbase priste se si shumë të tjerë, Nafe do të pendohej për atë që kishte kryer dhe do të kërkonte falje. Por ai ia ktheu: “Zoti e di qëllimin tim në atë që kam bërë.” Më pas, ndërkohë që gjaku i rridhte poshtë mjekrrës, ai shtoi: “Betohem në Zotin se kam vrarë dymbëdhjetë nga ushtarët e tu dhe shumë të tjerë kam plagosur. Nuk ndjej keqardhje për atë që kam bërë dhe po të mos më thyheshin krahët, kurrë s’kishit për të më kapur.” Nafe bin Hilal Xhemali ishte i pari ndjekës i Imam Husejnit që u zu rob dhe u ekzekutua më pas.


Edhe në çastin e vdekjes së tij, ai sërish e dëshmoi besimin dhe bindjen e palëkundur, të cilën historia do ta shënonte me besnikëri. Kur shpata u ngrit për t’ia prerë kokën, ai tha: “I falënderohem Zotit që kam për t’u vrarë në duart e njerëzve më të ligë.”


Kjo ishte gjendja shpirtërore e atyre njerëzve të cilët i kujtojmë përherë dhe me shumë guxim themi: “Sa do të kishim dashur që edhe ne të nderoheshim ashtu si ju.” Përse vallë nuk themi kurrë: “Falënderuar qoftë Zoti që nuk ishim atje atë ditë, që nuk përjetuam një sprovë të tillë dhe që nuk morrëm pjesë në derdhjen e gjakut tuaj të pastër e të pafajshëm!” Cila do të ishte më e realtë vallë? 


 


26. Dëshmorët e Ali ibn Ebu Talibit në Qerbela 


Në vitin 61 pas Hixhrit, Imam Husejni shkoi nga Medineja në Mekke dhe më pas erdhi në afërsi të Kufes. Në gjithë këto vende, ai i ftoi njerëzit ta ndihmonin dhe ta mbronin të vërtetën. Kjo kampanjë e tija zgjati më shumë se gjashtë muaj por siç dihet mirë tashmë, ai nuk gjeti më shumë se shtatëdhjetë e dy përkrahës të sinqertë. Prej tyre, shtatëmbëdhjetë ishin nga familja e tij. Dy ishin djemtë e tij, Ali Ekberi dhe Ali Asghari (akoma foshnje). Përveç tyre ishin edhe djemtë e vëllait të tij Hasanit: Kasimi, Abdullahu dhe Ebu Bekri. Edhe pesë vëllezër të Imam Husejnit ishin të pranishëm në Qerbela: Abbasi, Abdullahu, Xhaferi, Osmani, të cilët ishin fëmijë të Aliut nga Ummul Benini dhe Muhammed ibn Aliu. Krahas tyre, kishte edhe dy djem të Abdullah ibn Xhaferit, të quajtur Aun dhe Muhammed. Në këtë listë hyjnë edhe pesë pasardhësit e Akilit: Xhafer ibn Akili, Abdurrahman ibn Akili dhe Abdullahu e Muhammedi, që të dy djem të Muslim ibn Akilit dhe së fundmi edhe Muhammed ibn Ebi Said ibn Akili. Emrat e këtyre shtatëmbëdhjetë personave janë përmendur në zijaratin (homazhin) e njohur si “Zijarat-i Nahija”.


Përveç këtyre shtatëmbëdhjetë vetëve, edhe pesëdhjetë e pesë persona të tjerë e shoqëruan Imam Husejnin. Ndonse kishte edhe njerëz të tjerë që iu bashkangjitën gjatë rrugës, të gjithë e braktisën me të kuptuar për gjendjen e punëve në Irak. Po të numërojmë në ditët tona, do të shohim se numri i përkrahësve të Imam Husejnit është i pakufishëm. Pyetja që parashtrohet në këtë rast është si vijon: a ishin vallë shumë të ligë njerëzit e asaj kohe e njerëzit e sotëm janë më të përparuar në njohjen e Imamit dhe në ndjenjën e vetësakrificës?


Jo! Edhe asokohe, derisa njerëzit nuk ishin sprovuar me vështirësi dhe derisa Muslimi dhe Haniu nuk ishin vrarë akoma, Imam Husejni kishte shumë përkrahës në secilën anë. Në të vërtetë, mund të thuhet se ishte një kohë shumë ideale. Nëpërmjet gojëtarisë, personalitetit dhe tipareve të tija unike, Imam Husejni kishte arritur që në këtë udhëtim gjashtëmujor nga Medineja në Mekke dhe më pas në Irak, të gjente shtatëdhjetë e dy përkrahës të sinqertë. Më tepër edhe nuk i duheshin. Ai nuk ishte nisur për të pushtuar ndonjë vend, që t’i nevojitej ndonjë ushtri më e madhe. Për arritjen e qëllimit që kishte Imam Husejni, këta shtatëdhjetë e dy vetë lavdiplotë ishin të mjaftueshëm. Krahas tyre ishin edhe zonjat e guximshme, të cilat në çdo kusht do ta thonin atë që kishin për ta thënë. Pikërisht ato do t’i informonin njerëzit në lidhje me të vërtetat e Qerbelasë dhe në lidhje me vetësakrificën e burrave të tyre. Ato i përcollën ngjarjet në çdo qytet ku u dërguan dhe u treguan njerëzve se si ishin lënë pa ujë, si ishte shkelur nga kuajt trupi i pajetë i Husejnit dhe si ishte vrarë foshnja e tij. Ato kryen një detyrë të jashtëzakonshme në Siri, ku i ndryshuan krejtësisht mendimet e njerëzve të Damaskut, të cilët deri atëherë, përgjatë një periudhe prej dyzet e dy vjetësh, ishin ushqyer me propagandë kundër Ehl-i Bejtit. Në tregjet e Damaskut, këto zonja ua përkujtuan njerëzve faktin se “vargu i dëlirësisë” (Kur’an 33:33) ishte shpallur për ta. Ndonse ishin të pikëlluara dhe në zi, këto zonja u kthyen në Medine me një mendje të lehtësuar.


Mbase disa ndjekës të Ehl-i Bejtit nuk kanë për t’u pajtuar me pretendimin tonë se ato u kthyen të lehtësuara në Medine. Megjithatë, nëse përsiatemi më hollësisht në lidhje me këtë çështje dhe nëse e konsiderojmë suksesin e jashtëzakonshëm të Ehl-i Bejtit gjatë rrugëtimit të tyre, do të duhet të pranojmë se gjendja e tyre nuk mund të përshkruhet ndryshe. Të njejtën gjë mund ta shohim edhe në fjalët e vajzës së Imam Aliut. Ajo që themi ne s’është tjetër veçse përsëritja e mendimit të kësaj zonje, për guximin dhe për madhështinë e të cilës kemi dëshmi të padiskutueshme.


Siç përcjell Ibn Tavusi, kur Ubejdullah Ibn Zijadi i tha Zejnebes: “A sheh ç’i bëri Zoti familjes tënde?”, ajo iu përgjigj: “Unë s’shoh asgjë të keqe. Ishte caktuar që ata të binin dëshmor dhe me këtë, ata vetëm sa shkuan në Parajsë. Shumë shpejt Zoti do t’ju sjellë sërish ballë për ballë dhe kjo çështje do të vendoset. Atëherë do të shohim se në të mirë të kujt do të jetë vendimi. O djali i Merxhanes! Të vajtoftë nëna!”


 


Paqja qoftë mbi këtë zonjë të madhe, e cila u burgos nga një njeri që e kishte trashëguar nga i ati urrejtjen për Ehl-i Bejtin dhe megjithatë, foli aq hapur dhe pa frikë. Për mendimin tim, ky shembull guximi i vajzës së Imam Aliut është shumë më i qartë dhe më i vlefshëm se fjalimet që i mbajti në Kufe dhe në Siri.


A mund të gjendet ndonjë grua tjetër në histori, e cila do ta mbronte kështu veten e saj dhe dëshmorët e rënë, ndonse i kishin vrarë gjashtë ose shtatë vëllezër, të birin, dhjetë nipër e kushërinj dhe e kishin burgosur në qytetin, në të cilin i ati kishte sunduar si Kalif një kohë? Ku mund të gjendet një grua tjetër, e cila edhe pas vuajtjeve të tilla, në vend të që ankohej për to, do të fliste me qetësinë më të madhe dhe do të thoshte se s’kishin përjetuar diçka të padëshiruar. Ajo thoshte se burrat e tyre kishin ardhur për të rënë dëshmor dhe se do të ishte për t’u merakosur sikur të mos vdisnin si të tillë. Tani që e kishin kryer me sukses këtë detyrë hyjnore, s’ka ç’të bëhet tjetër veçse të falënderohet Zoti. 


 


27. Kthimi i familjes së Imam Husejnit (a.s) në Medine 


Lajmi i vrasjes së Imam Husejnit arriti në Medine nëpërmjet Abdul Melik Selamiut, të cilin Ibn Zijadi e dërgoi si lajmëtar tek guvernatori i Medines. Pas këtij lajmi tronditës, i cili shkaktoi zi në mesin e hashimitëve në Medine, medinasit u vunë në pritje të familjes së Imam Husejnit. Më në fund, Imam Ali ibn Husejni dhe ndjekësit e tij erdhën në Medine. Pa hyrë në qytet, ai zbriti nga kafsha e tij dhe të njejtën ua kërkoi edhe grave. Më pas, dërgoi në Medine një njeri që do ta informonte popullin për arritjen e tij. Lajmëtari thotë se kur arriti në Medine, shkoi drejt në Xhaminë e Profetit dhe tha duke qarë: “O njerëz të Jethribit! Me ç’shpresë mund të jetojë më njeriu në këtë qytet? Husejn ibn Aliu u vra dhe sytë e njerëzve qajnë për të.”


Lajmëtari i Imamit mund të mjaftohej vetëm më këto fjalë. Megjithatë, ai mendonte se nuk ishte e mjaftueshme që të shpjegohej qëllimi i tij dhe ai i Imamit. Ai nuk donte që njerëzit thjesht të qanin. Qëllimi i tij ishte që t’i shtonte një “dokument” historisë së Qerbelasë, i cili do të ishte i arritshëm për gjeneratat në vijim. Qëllimi i kryengritjes së Imam Husejnit nuk ishte që njerëzit të fitonin shpërblim nga Zoti për shkak të lotëve të tyre dhe që gojëtarët t’i preknin zemrat e njerëzve me fjalime emocionuese. Kryengritja e Imam Husejnit është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e Islamit, e cila duhet të studiohet duke e patur parasysh vlerën e saj. Kjo nuk është një temë që mund të përmendet kalimthi teksa flitet për ndonjë gjë tjetër.


 


Në fjalinë tjetër të tij, lajmëtari i Imamit të katërt e çnderoi përgjithmonë dinastinë umajjade. Duke qëndruar pranë varrit të Profetit, ai tha: “Këta njerëz të pabesë e vranë djalin e Profetit, e mbuluan atë me pluhur e gjak dhe ia ngulën kokën e prerë mbi një shtizë.”


Më pas, ai i lajmëroi njerëzit për arritjen e familjes së Profetit dhe shtoi se ata kishin zbritur nga kafshët e tyre në rrethinat e Medines.


Njerëzit filluan të dilnin nga qyteti dhe rrugët e mbushën. Medineja kishte fituar një pamje të pazakontë. Kur Imami i katërt erdhi ballë për ballë me njerëzit e Medines, ai u bëri shenjë që të heshtnin. Atë çast, ai e pa të nevojshme që t’i informonte muslimanët e Medines në lidhje me ngjarjet që kishin ndodhur gjatë këtij rrugëtimi disamujor. Hollësitë e fjalimit të tij do t’i japim në vijim të veprës. 


Kur familja e Husejnit u nis nga Damasku drejt Medines, edhe përkundër zisë dhe pikëllimit, pjesëtarët e saj ishin të vendosur për fitoren e tyre dhe për dëshpërimin e armikut. Duke qenë akoma në Siri, shenjat e gjendjes së pashpresë të Jezidit kishin filluar të shfaqeshin. Siç kemi përmendur edhe më sipër, familja e Imamit u lirua nga burgimi në Kufe dhe pas urdhrave të Kalifit, u dërgua në Damask. Atje ata u pritën nga populli me respekt. Siç shkruan Taberiu, të gjitha gratë e familjes së Muavijes shkuan për ngushëllime tek familja e Imam Husejnit. Ata vajtuan për vdekjen e Imamit dhe një mbledhje përkujtimore u mbajt për tri ditë me rradhë në pallatin e Kalifit. Jezidi i kalonte ditët e netët e tija në shoqëri të Imam Ali ibn Husejnit. Në një ditë të tillë, pranë Imamit ishte edhe njëri nga fëmijët e Imam Hasanit ose të Imam Husejnit. Jezidi e pyeti: “A je gati të zihesh me djalin tim Khalidin?” Djali ia ktheu: “Jo, përveç nëse i jep atij një thikë dhe mua një thikë, që të luftojmë kundër njeri-tjetrit.” Jezidi u ndikua nga ky guxim dhe sinqeritet i një fëmije që kishte pësuar aq shumë vuajtje. Ai e përqafoi dhe tha: “Edhe këlyshi i një luani është poashtu luan.” 


 


28. Nuaman ibn Bashiri 


Nuaman ibn Bashiri ishte urdhëruar që t’i fillonte përgatitjet për kthimin e Ehl-i Bejtit nga Damasku në Medine. Sipas Shejh Mufidit, edhe vetë ai do të nisej bashkë me ta. Në veprën “Akhbirud-Duval” është përcjellur se Nuaman ibn Bashiri e shoqëroi familjen e Husejnit nga Damasku në Medine bashkë me tridhjetë burra të tjerë, të cilët i shërbyen familjes. Nuamani u soll me aq nder dhe respekt ndaj tyre, sa Fatimeja, njëra nga vajzat e Imam Aliut, i tha të motrës Zejnebes: “Ky njeri u soll me shumë butësi ndaj neve. Mbase do të ishte me vend që t’i jepnin ndonjë shpërblim.” Megjithatë, Nuamani nuk pranoi shpërblim dhe tha: “Nëse ju kam shërbyer, kjo ka qenë për hir të Zotit dhe për hir të afërsisë suaj me të Dërguarin e Tij.”


 


Edhe Nuaman ibn Bashiri edhe babai i tij kishin qenë sahabe të Profetit. Babai i tij Bashir bin Sad Khazraxhiu kishte qenë personi i parë që ia kishte shprehur besnikërinë Ebu Bekrit në Sakife. Është shkruar se qëllimi i tij në këtë veprim nuk ishte që ta kënaqte Zotin por të parandalonte që Sad bin Ubadeja të bëhej Kalif. Ngase e xhelozonte Sadin dhe s’kishte dëshirë që dikush tjetër veç vetes së tij të bëhej Kalif nga fisi Khazraxh, Bashir bin Sadi me të shpejtë ia shprehu Ebu Bekrit besnikërinë, para se ta bënte këtë ndonjëri nga muhaxhirët (mekkasit) ose nga ensarët (medinasit).


Vetë Nuamani kishte qenë ndër njerëzit që nuk ia kishin shprehur besnikërinë Aliut si Kalif. Ai ishte një përkrahës i Muavijes dhe kishte antipati ndaj njerëzve të Kufes për shkak të përkrahjes që ia kishin dhënë Aliut. Pas vrasjes së Osmanit dhe pas ardhjes së Aliut në pushtet, ai shkoi në Siri dhe në betejën e Siffinit, asnjë ensar tjetër nuk ishte në anën e Muavijes përveç Nuaman bin Bashirit dhe Selma bin Mukhladit. Nuamani jetoi deri në vitin 65 pas Hixhrit. Atë vit ai vendosi që të bëhej vetë Kalif dhe mblodhi disa njerëz rreth vetes. Por shumë shpejt u mund nga Mervan bin Hakemi dhe u vra. Sido që të ishte, gjatë rrugëtimit nga Damasku në Medine, ai u soll me shumë butësi dhe respekt ndaj familjes së Imam Husejnit.


 


Ehl-i Bejti më në fund arriti në Medine. Ishte i njejti qytet, në të cilin kishte jetuar i Dërguari i Zotit dhe me të cilin kishin qenë gjithnjë të lidhur pasardhësit e tij. Që nga viti i parë pas Hixhrit, medinasit kishin bërë sakrifica të mëdha për Profetin. Ky ishte qyteti që e kishte mirëpritur me shumë devotshmëri Profetin dhe që ia kishte hapur atij portat e tija, në një çast kur të gjitha portat e tjera ishin mbyllur. Ky qytet ishte bërë strehë për muhaxhirët dhe për të gjithë muslimanët e mjeruar që ishin shpërngulur në të. Edhe Profeti, i cili ishte shpërngulur në këtë qytet vetëm për t’iu bindur urdhrit të Zotit, me kalimin e kohës e kishte dashur aq shumë atë, sa pas çlirimit të Mekkes në vitin 8 pas Hixhrit, nuk qëndroi në të dhe u kthye sërish në Medine, ku do ta kalonte pjesën e mbetur të jetës së tij. Në Mekke shkoi vetëm në vitin 10 pas Hixhrit për ta kryer haxhin e tij dhe për t’i mësuar muslimanët se si duhet të kryheshin ritualet e tij.


Medineja ishte vendlindja e Imam Husejnit dhe e pjesës më të madhe të vëllezërve dhe motrave të tija. Pesëdhjetë e shtatë vite të jetës së tij, duke përjashtuar katër vitet e kaluara në Irak gjatë Kalifatit të të atit dhe të vëllait, kishin kaluar në Medine. Medineja kishte qenë lugina pjellore për porosinë e Profetit, në një kohë kur Mekkeja ishte kthyer në një burg të vërtetë. Pikërisht Medineja do të mundësonte që porosia e tij të arrinte në të gjithë botën. 


 


29. Fjalimi i Imam Ali ibn Husejnit në Medine 


Studimi ynë në lidhje me ngjarjen e Qerbelasë po i afrohet fundit dhe fundi i pazëvendësueshëm i këtij punimi është fjalimi që Imam Ali ibn Husejni e mbajti në rrethinat e Medines dhe me të cilin i informoi medinasit në lidhje me gjërat që i kishte dëshmuar gjatë kësaj kryengritjeje.


Imam Ali ibn Husejni e lëvdoi Zotin dhe e falënderoi atë për vuajtjet e mëdha që i kishte përjetuar. Më pas, i përshkroi ngjarjet e Qerbelasë me disa fjali. Në këtë fjalim të tij të shkurtër dhe të përpiktë, ai tha: 


Lëvdatat i takojnë Zotit! Ai na bëri të durojmë vështirësi të mëdha. Islami ka pësuar një plagë të madhe. Babai im Ebu Abdullahu (Imam Husejni), të afërmit dhe përkrahësit e tij u vranë. Gratë dhe fëmijët e tij u zunë robër. Koka e prerë e tim eti u ngul në krye të një shtize dhe u shëtit nëpër qytetet muslimane. 


Nga ky fjalim mund të kuptohet lehtësisht se Imami nuk fliste vetëm për ta shprehur pikëllimin e tij dhe vetëm për të krijuar një atmosferë prekëse. Ai dëshironte t’i çnderonte armiqtë e Ehl-i Bejtit dhe ta zbulonte shtypjen e tyre me disa fjali të shkurta. Në vijim të fjalimit të tij, ai tha: 


O njerëz! Ne u trajtuam si të ishim mohues të besimit, ndonse s’kishim kryer ndonjë mëkat dhe s’e kishim dëmtuar Islamin. Për Zotin, sikur i Dërguari i Zotit t’u kishte urdhëruar të luftonin kundër neve, ata s’do të bënin më pak nga ç’kanë bërë. 


Fjalim i Imami mori fund me këto fjalë. Pjesëtarët e familjes së tij u kthyen në shtëpitë e tyre. Ata e gdhendën mbi emrin e fisit Hashim lavdinë dhe nderin e vetësakrificës për hir të të vërtetës, ndërkohë që emrat e armiqve të tyre i vendosën përjetësisht në kategorinë e tiranëve dhe shtypësve. Me dëshmitë historike që ua lanë trashëgim brezave të ardhshëm, ata e ruajtën përjetësisht lavdinë e tyre, duke e bërë të paharrueshëm edhe çnderimin e armiqve që i vranë. Tani jo gjithkush mund të manipulojë me historinë, t’ia heqë fisit Hashim këtë lavdi ose ta largojë çnderimin e disave. Fjalimet që familja e Profetit i mbajti në rrugëtimin ndërmjet Medines, Mekkes, Irakut dhe Sirisë, janë shënuar qartë në faqet e historisë. Andaj, tashmë s’ka mbetur hapësirë për t’i ndryshuar faktet historike dhe për ta ndërruar pozitën e martirëve që vdiqën në rrugë të Zotit. Këta njerëz të sinqertë dhe sakrifikues nuk mund të largohen nga lavdia e tyre dhe tashmë njerëzit gënjeshtarë dhe shtypës nuk mund të prezantohen si njerëzorë dhe të virtytshëm.


Për sa kohë që dëshmitë historike për të kaluarën të ekzistojnë, ato do të flasin për pastërtinë, besimin, virtytin dhe devotshmërinë e Imam Husejnit e të ndjekësve të tij, duke e mbajtur gjithnjë gjallë kujtimin e shtypjes dhe egoizmit të armiqve të tyre. 


FUND