Pamja dhe karakteri fisnik i të Dërguarit të Zotit (s.a.a)
dielli.net
08.01.2015

Në veprën Me’ani el-akhbar[1], Shejh Saduku e përcjell përshkrimin vijues të të Dërguarit të Zotit (s.a.a) nëpërmjet fjalëve të Imam Hasan ibn Aliut (a.s), i cili vetë përcjell nga daja i tij, Hind ibn Ebi Hale. Ai thotë: 


I Dërguari (s.a.a) respektohej nga njerëzit. Fytyra e tij shkëlqente si hëna e plotë. Ai ishte më i gjatë se një njeri (që do të konsiderohej) shtatshkurtër dhe më i shkurtër se një njeri (që do të konsiderohej) shtatlartë (pra kishte shtat të mesëm). Kishte një kokë me madhësi normale dhe flokë kaçurrele. Kur kishte mundësi t’i krihte flokët, i krihte ato, përndryshe i linte të zgjateshin, por jo më gjatë se poshtë veshëve.


Kishte lëkurë të ndritur, një ballë të gjerë dhe vetulla të gjata e të ngushta që ishin të mëdha por nuk ishin ngjitur me njëra-tjetrën. Në mesin e tyre kishte një damar, që bëhej i dukshëm kur zemërohej.


Mjekrën e kishte të shkurtër por të dendur, ndërsa faqet të buta dhe të gjera. Kishte një gojë të gjerë, me dhëmbë të ndarë qartë nga njëri-tjetri. Mbi gjoks kishte qime të holla, ndërsa qafa e tij ishte si pamja e bukur e argjendit të pastër. Trupin e kishte me proporcione të  përsosura. Barkun dhe gjoksin i kishte në madhësi të njejtë dhe kishte shpatulla të gjera. Nyjet i kishte të mbushura dhe gjoksin e kishte të gjerë. Pjesët e trupit, që i mbeteshin të pambuluar nga rrobat, i shkëlqenin. Kishte një vijë qimesh që i zgjatej nga gjoksi deri tek kërthiza dhe përveç kësaj, gjoksi dhe barku i tij nuk kishin qime të tjera. Qime kishte vetëm mbi gjoks e mbi parakrahët e tij. Kishte gishta të gjatë dhe kockat pa ndonjë të fryrë ose deformim mbi krahë e mbi këmbë. Mesi i shputave të tija ishte i ngritur nga toka dhe këmbët i kishte të gjera. Uji nuk ia lagte shputat. Kur ecte, këmbët i ngrinte nga toka dhe përkulej pak përpara, me një ecje të lehtë e hapa të butë. Ecte shpejt, sikur të ishte duke ecur poshtë një tatëpjete. Kur kthehej drejt dikujt, kthehej me tërë trupin e tij dhe jo vetëm me kokën.


Sytë i kishte të ulur, me vështrimin më shumë drejt tokës se drejt qiellit. Përherë hidhte vështrime të shkurta. Ai ishte i pari njeri që e përshëndeste gjithkënd që takonte.


 


Lidhur me të folurën e tij, Imam Hasani (a.s) përcjell:


E folura e tij kishte një pikëllim të përhershëm, ishte përherë e thellë në mendime dhe kurrë e kotë. Ai rrinte heshtur për një kohë të gjatë dhe nuk fliste pa nevojë. Fjalën e niste dhe e mbaronte me një gojëtari të mrekullueshme. Fjalimi i tij ishte i ndërlidhur me temën dhe i qartë, pa tepërime dhe pa mangësi hollësish. Ai fliste butë dhe kurrë nuk ishte i ashpër e nuk ofendonte dikënd. Edhe bekimet e pakta i konsideronte të shumta dhe kurrë nuk ankohej. Megjithatë, as nuk e lëvdonte së tepërmi dhe as nuk e kritikonte ushqimin që hante.


Kjo botë dhe dëshpërimet e saja kurrë nuk e zemëronin. Por kur dikujt i dhunohej e drejta, ai zemërohej aq shumë sa ishte vështirë ta njihje. Askush nuk arrinte ta ndalte, deri kur ta ndihmonte këtë njeri dhe t’ia kthente të drejtën. Kur bënte shenjë drejt diçkaje, bënte shenjë me gjithë dorën e tij dhe kur befasohej nga diçka, e kthente dorën përmbys. Teksa fliste, ai i bashkonte të dy duart dhe e prekte gishtin e madh të dorës së majtë me pëllëmbën e dorës së djathtë. Kur zemërohej me dikë, e largonte prej tij fytyrën ose vështronte poshtë. E qeshura e tij ishte buzëqeshje dhe kur buzëqeshte, dhëmbët i shkëlqenin si inxhi.


 


Nga Imam Husejni (a.s) përcillet si vijon: E pyeta babain tim lidhur me sjelljen e të Dërguarit të Zotit pasi hynte në shtëpinë e tij. Ai më tha:


 Ai kthehej në shtëpi kur të kishte dëshirë dhe kur vinte, e ndante kohën e tij në tri pjesë: një për Zotin, një për familjen e tij dhe një për veten. Pastaj, kohën e ndarë për veten e ndante më tej në dy, një për veten dhe një për popullin. Kohën e ndarë për vete e kalonte me shokët e tij të veçantë, ndërsa kohën tjetër e ndante për njerëzit e tjerë. Kështu, nuk i mbetej kohë për punët e veta. Në pjesën e ndarë për popullin, ishte një traditë e tija që t’u kushtonte më shumë vëmendje njerëzve të dalluar, të cilët i kategorizonte sipas besimit të tyre dhe dallueshmërisë në fe.


Në mesin e tyre kishte njerëz me një, me dy e me më tepër nevoja. Ai merrej me nevojat e tyre dhe i bënte ata të merreshin me gjëra të dobishme. Ai i pyeste për shoqërinë dhe i informonte për gjërat e nevojshme. Dhe thoshte: “Ata që janë të pranishëm le t’i informojnë ata që nuk janë. Dhe po kështu, më lajmëroni mua për nevojat e atyre, të cilët nuk kanë mundësi të më lajmërojnë. Ai që e informon një sundues për nevojat e atyre që nuk arrijnë t’i shprehin ato, do t’i ketë të vendosura e të palëkundura këmbët në Ditën e Gjykimit.” Në prani të tij, në këto raste, nuk flitej për gjëra të tjera dhe nuk pranonte prej të tjerëve gjë tjetër. Njerëzit vinin duke kërkuar (ditur e urti) dhe nuk shpërndaheshin pa e marrë atë që kërkonin e pa u bërë udhëzues për të tjerët.


 


Pastaj e pyeta babain tim lidhur me sjelljen e të Dërguarit (s.a.a) jashtë shtëpisë. Babai im më tha:


I Dërguari (s.a.a) rrinte heshtur, përveç kur ishte e nevojshme të fliste. Ai ishte i këndshëm me njerëzit dhe nuk i dëbonte prej vetes. Ai i nderonte njerëzit me dinjitet të çdo shoqërie dhe të tillët i vendoste si përgjegjës të punëve të tyre. Ai ishte i kujdesshëm me njerëzit dhe ishte i vëmendshëm për të mos qenë i pasjellshëm ose për t’u mos larguar prej tyre në një mënyrë fyese. Ai pyeste për gjendjen e shokëve të tij dhe për gjendjen e të tjerëve (familjarëve ose fqinjëve të tyre).


Ai i donte veprat e mira dhe u jepte njerëzve kurajo për të vepruar mirë, ndërsa e dënonte veprimin e ligë dhe i këshillonte njerëzit të mos e kryenin. Ai ishte mesatar dhe modest në punët e tija. Kurrë nuk ishte i pakujdesshëm ndaj njerëzve, që këta të mos bëheshin të pavëmendshëm e të devijonin nga rruga e drejtë. Ai kurrë nuk ngecte pas të vërtetës dhe nuk e tejkalonte atë. Ata që ishin pranë tij ishin më të mirët e njerëzve. Më i miri mes tyre, sipas tij, ishte ai që më së shumti i këshillonte dhe udhëzonte muslimanët dhe ai që ishte më i dhembshur dhe i gatshëm për t’u ndihmuar.


 


Më pas e pyeta se si ulej e si rrinte ulur dhe ai më tha:


Ai nuk ulej e nuk ngrihej veçse duke e përkujtuar Zotin. Kurrë nuk ndau për veten një vend të veçantë, të cilin do t’ua ndalonte të tjerëve. Kur vinte në një mbledhje, ulej aty ku gjente vend dhe i këshillonte edhe të tjerët të silleshin kështu. Të gjithëve që rrinin me të, u jepte mundësi të barabarta dhe nuk i jepte përparësi njërit para tjetrit. Kur dikush ulej pranë tij, ai rrinte ulur me durim, derisa tjetri të ngrihej e të shkonte. Kur dikush i kërkonte ndonjë gjë, ai ia jepte pikërisht atë që kishte kërkuar. Dhe nëse nuk e kishte gjëne e kërkuar, ia kthente me fjalë të buta plot mirësjellje.


Njerëzit ishin aq të kënaqur me karakterin e tij, sa ishte bërë për ta si një baba, që sillej në mënyrë të barabartë me të gjithë. Mbledhjet e tija ishin mbledhje të durimit e mirëkuptimit, të respektit, sinqeritetit e të besimit. Nuk kishte zëra të ngritur dhe as shpifje. Gabimet e ndonjërit nuk përmendeshin kurrë jashtë mbledhjes. Ata që ishin në mbledhje ishin të drejtë ndaj njëri-tjetrit e të lidhur me njërit-tjetrin nëpërmjet virtytshmërisë. Ata ishin të përulur, i respektonin më të moshuarit, ishin të mëshirshëm ndaj të rinjve, bujarë ndaj nevojtarëve dhe mikpritës ndaj të huajve.


 


Pastaj pyeta: “Si sillej me ata që e shoqëronin?”. Ai më tha:


Ai ishte gjithnjë i hareshëm, i këndshëm, i lehtë për t’u marrë vesh dhe fjalëbutë. Kurrë nuk ishte i ashpër ose i pasjellshëm. Ai kurrë nuk qeshte me zë të lartë, kurrë nuk fliste fjalë të turpshme, nuk kërkonte gabime tek njerëzit dhe askujt nuk i thoshte diçka veç për t’ia bërë qejfin. Gjërat që nuk i pëlqenin, i shpërfillte në një mënyrë që as nuk shkaktonte dëshpërim dhe as nuk e bënte njeriun të pashpresë. Nga tri gjëra qëndronte larg përherë: nga fjalosjet, nga të folurit e tepërt dhe nga të folurit për gjërat që nuk i interesonin. Lidhur me njerëzit, qëndronte larg tri gjërave: kurrë nuk i bërtiste një njeriu, kurrë nuk i qortonte njerëzit dhe kurrë nuk përpiqej të gjente gabime ose mangësi tek ata. Ai nuk fliste tjetër, veçse atë, për të cilën shpresonte të shpërblehej nga Zoti.


Kur fliste, dëgjuesit rrinin të heshtur e pa lëvizur, të magjepsur e plot respekt. Kur ai pushonte, ata flisnin por kurrë nuk fjaloseshin në prani të tij. Kur njëri fliste, të tjerët e dëgjonin dhe flisnin me rradhë në prani të tij. I Dërguari (s.a.a) qeshte kur ata qeshnin dhe shprehte befasi kur ata befasoheshin. Ai ishte i durueshëm me sjelljet e pahijshme të ndonjë të huaji, edhe kur shokët e tij e kundërshtonin.


Ai thoshte përherë: “nëse shini një njeri nevojtar, ndihmojeni atë!” Ai nuk pranonte lëvdatat përveç prej atij që ishte i sinqertë në besimin e vet. Kurrë nuk ia ndërpriste fjalën një njeriu, përveç kur fjala e tjetrit i tejkalonte kufijtë, me ç’rast ose ndërhynte për t’i kërkuar ta ndërpriste fjalën ose ngrihej në këmbë e largohej.


 


Pastaj e pyeta lidhur me heshtjen e të Dërguarit të Zotit (s.a.a) dhe ai më tha:


Heshtja e tij mbështetej në katër gjëra: durim, kujdes, konsideratë dhe përsiatje. Heshtja e tij në shenjë konsiderate ishte në mënyrë që t’i dëgjonte e t’i shihte të gjithë në mënyrë të barabartë. Gjatë përsiatjes së tij, ai mendonte për gjërat që shkatërroheshin e për gjërat që mbeteshin të përjetshme. Ai kishte një durim të përsosur dhe në katër gjëra ishte i kujdesshëm: në kryerjen e veprave të mira, që të tjerët ta merrnin shembull, në largimin nga veprat e liga, që edhe të tjerët të hiqnin dorë prej tyre; në përpjekjen për të marrë vendimet më të mira në reformimin e shoqërisë dhe në kryerjen e asaj që do të ishte e dobishme në këtë botë dhe në tjetrën.    






[1] Shejh Saduk, Me’ani el-akhbar, fq.83; Ujun akhbar er-Rida, v.1, fq.246; Ibn Kethir, Sirah el-nebevijje, v.2, fq.601; Teksti i mësipërm është shkëputur nga vepra Sunnen en-Nebi nga Allame Tabatabai.