Teksti i mëposhtëm është një fragment nga punimi "Ungjilli sipas shiitëve të Aliut" (The Gospel of the Shi′ah of Ali) e prof. dr. Muhammed Legenhausen. Teksti i përcjellur, siç shprehet në përmbledhjen El-Kafi (v.8, fq.131-141), është një fragment nga shpallja hyjnore që i zbriti Isa Mesihut (paqja qoftë mbi të).
O Isa! Unë jam Zoti yt dhe Zoti i etërve të tu. Një është emri Im, Unë jam një dhe i vetëm e pa shok në krijim. Unë kam krijuar çdo gjë dhe të gjitha tek Unë do të kthehen.
O Isa! Ti je Mesihu me urdhrin Tim e me lejen time krijon nga balta një gjë me trajtë zogu e pastaj i jep jetë me fjalën Time. Ndaj bëhu nga ata që më përgjërohen e që më kanë drojë dhe mos kërko strehë tjetër veç Meje!
O Isa! Unë u kujdesa për ty me butësi e me mëshirë deri kur u bëre i denjë për miqësinë Time (velajetin). Kjo ngase e kërkove kënaqësinë Time dhe kështu u bekove, edhe i plakur edhe i ri, në çdo vend ku je. Dëshmoj se ti je shërbetori Im dhe i biri i shërbetores Sime. Më fut në shpirtin tënd dhe bëj të jem çështja më e rëndësishme për ty! Bëje përkujtimin (dhikrin) Tim një mjet të kthimit tënd drejt Meje dhe afrohu me Mua nëpërmjet veprave të pëlqyeshme! Mbështetu në Mua që të të mjaftoj dhe mos u mbështet në askënd tjetër, që mos të heq dorë prej teje!
O Isa! Ji durimplot karshi fatkeqësive dhe i kënaqur me caktimin tënd! Ji si një njeri, me të cilin jam i kënaqur, ndërsa e di se ajo që më kënaq është një bindje pa mëkate.
O Isa! Ngjalle përkujtimin Tim me gjuhën tënde dhe mbill dashuri në zemrën tënde ndaj Meje!
O Isa! Zgjohu në çastet e pakujdesisë dhe vendos për hir Timin me një urtësi të fshehtë!
O Isa! Ji nga ata që më përgjërohen e më kanë drojë dhe bëje zemrën të të vdesë e mrekulluar para madhështisë Sime!
O Isa! Rri zgjuar netëve duke kërkuar kënaqësinë Time dhe rri etur ditëve, për hir të asaj dite kur do të kesh nevojë për Mua!
O Isa! Garo me të tjerët në të mira, aq sa mundesh, që të njihesh për mirësi ngado që të shkosh.
O Isa! Gjyko mes robërve të Mi sipas këshillës Sime dhe vendose drejtësinë mes tyre, sepse ty të kam dhënë një ilaç që mbron gjoksin nga sëmundjet e djallit.
O Isa! Mos u shoqëro me ata që janë të dashuruar pas kësaj bote!
O Isa! Vërtet po të them se asnjë krijesë nuk më ka besuar pa u nënshtruar para Meje dhe asnjë krijesë nuk është nënshtruar pa kërkuar shpërblimin Tim. Ndaj dëshmo se një i tillë do të jetë i mbrojtur, për sa kohë që nuk e ndryshon ligjin Tim.
O Isa, ti bir i zonjës së virgjër! Vajto për veten tënde me vajtimin e atij që i ka thënë lamtumirë shtëpisë dhe që ua ka lënë këtë botë atyre që e kërkojnë, aq sa bëhet nga ata që e duan veç atë që është te Zoti i tyre.
O Isa! Veç kësaj, bëhu nga ata që flasin butë, që i përshëndesin njerëzit dhe që rrijnë zgjuar në kohët kur flenë sytë e të virtytshmive, në mënyrë që të jenë të vëmendshëm për ditën e kthimit dhe për tërmetet e tmerret e asaj dite të ringjalljes, ku as familja e as pasuria nuk kanë për t’i sjellë gjë njeriut.
O Isa! Stolise syrin tënd me pikëllim kur sheh tek qeshin mendjelehtët!
O Isa! Ji nga ata që përulen dhe durojnë, sepse po ta arrish atë që u është premtuar durimtarëve, do të jesh fatlum.
O Isa! Ditë pas dite hiq dorë nga kjo botë dhe nga shija e asaj që ka humbur tashmë shijen, sepse vërtet po të them se ke për të jetuar deri në një ditë e një orë të caktuar. Ndaj kalo nëpër këtë botë me atë që të mjafton për të mbijetuar dhe kënaqu me ushqime të thjeshta e me rroba të ashpra, pasi të kesh parë se ç’ka për të qenë fundi yt. Gjithçka që shpenzon e që shkapërderdh ka për t’u shënuar.
O Isa! Ti mban përgjegjësi, ndaj ji i mëshirshëm ndaj të dobëtive, njësoj si jam Unë i mëshirshëm ndaj Teje, dhe mos ji i ashpër me jetimët!
O Isa! Qaj për veten tënde në vetmi! Bëji këmbët të të ecin rregullisht drejt vendit ku bëhen lutjet dhe më lër ta dëgjoj tingullin e bukur të fjalëve që i shqipton në përkujtim Timin. Vërtet s’kam bërë tjetër për ty, veçse mirësi.
O Isa! Sa popuj ka, që i kam shkatërruar për shkak të mëkateve të tyre, prej të cilave ty të kam ruajtur.
O Isa! Ndihmoji të dobëtit dhe ktheje syrin tënd të vëmendshëm drejt qiejve për t’i kërkuar prej Meje nevojat e tua, sepse Unë jam pranë teje. Mos më thirr ndryshe veçse si një njeri që përgjërohet e brenga e të cilit është veç një brengë! Kur të më thërrasësh kështu, Unë do të përgjigjem.
O Isa! Unë nuk do të jem i kënaqur që kjo botë të jetë shpërblimi i atyre që qenë pranë teje dhe as dënimi i atyre që ke për t’i dënuar.
O Isa! Ti je i vdekshëm ndërsa Unë i përjetshëm, ndaj prej Meje ke begatinë. Unë e di kohën që të është caktuar dhe tek Unë do të kthehesh. Unë i di mendimet e tua. Ndaj kërko prej Meje dhe mos kërko prej kujt tjetër, që të jetë e përshtatshme lutja jote dhe Unë t’i përgjigjem.
O Isa! Sa shumë ka njerëz dhe sa pak durimtarë! Të shumta janë pemët por të pakta ato që janë të dobishme mes tyre. Mos lejo të të mashtroje bukuria e një peme, pa e shijuar frutin e saj!
O Isa! Mos u mashtro nga ai që rebelohet kundër Meje duke mëkatuar! Ai ushqehet me atë që Unë ia kam falur por pastaj shkon e i shërben një tjetri. Pastaj më thërret në fatkeqësinë e tij dhe Unë i përgjigjem. Pastaj ai kthehet prapë drejt asaj që bënte më parë. A rebelohet kundër Meje vallë ose e kërkon dënimin Tim? Betohem se kam për ta marrë me një shkëputje të cilës nuk i shpëton dot dhe nuk ka për të gjetur strehë tjetër veç Meje. Ku mund të arratiset nga qielli e nga toka ime?
O Isa! Zullumqarëve mes bijve të Israelit, thuaju: “mos më thirrni Mua ndërsa merreni me veprime të ndaluara e mbani idhuj nëpër shtëpitë tuaja, sepse Unë jam zotuar t’i përgjigjem atij që më thërret.” Por përgjigja Ime ndaj tyre do të jenë mallkime që do të zgjasin derisa të shkatërrohen.
O Isa! Edhe sa kohë duhet të pres të mirën nga njerëzit, ndërsa ata janë të pavëmendshëm lidhur me kthimin e tyre? Fjalët që u dalin nga goja nuk përshtaten me zemrat e tyre. Ata e tërheqin zemërimin Tim, ndërsa duan ta fitojnë dashurinë e besimtarëve duke u hequr si të afërt me Mua.
O Isa! Edhe hapur edhe në të fshehtë, të njejtën gjë le ta thotë gjuha jote dhe zemra jote le të jetë në përshtatshmëri me atë që thua. Largoje krejtësisht zemrën e gjuhën tënde nga e ndaluara dhe sytë nga ajo, prej të cilës nuk ka gjë të mirë. Sa vështrues ka pasur, vështrimi i të cilëve u mbolli epsh në zemër dhe i hodhi në gropën e shkatërrimit.
O Isa! Ji i mëshirshëm dhe përplot dhembshuri e sillu me njerëzit ashtu si dëshiron të sillen ata me ty! Përkujtoje vdekjen më shumë dhe largohu prej familjes sate! Mos u ço dëm kohën tënde, sepse kjo e shkatërron njeriun! Dhe mos ji i pavëmendshëm sepse kjo ka për të larguar prej Meje. Më përkujto me vepra të mira që edhe Unë të të përkujtoj.
O Isa! Kthehu drejt meje pasi të kesh mëkatuar dhe përkujtoji ata që janë penduar! Beso në Mua dhe kërko afërsi me besimtarët nëpërmjet Meje. Dhe thuaju atyre prej Meje të kërkojnë me ty! Druaju lutjes së të shtypurit, sepse kam hapur një derë në qiell për ta pranuar atë e për t’iu përgjigjur, qoftë edhe me vonesë.
O Isa! Dije se të ligët ndikojnë mbi të tjerët dhe shoqëruesit e të ligës i shkatërrojnë njerëzit e tjerë! Ndaj njihe atë që ke pranë vetes dhe zgjidh vëllezër në mesin e besimtarëve!
O Isa! Kthehu drejt Meje, sepse nuk ka mëkat që është aq i madh sa të mos mund ta fal! Unë jam më i Mëshirshmi i mëshiruesve. Vepro për vete para se të vdesësh dhe para se të vijë koha kur pasardhësit e tu të dështojnë për të vepruar në emrin tënd. Dhe më adhuro në një ditë që është sa njëmijë vite të llogaritjes sate, në të cilën Unë shpërblej shumëfish. Përgatitu për afatin që të është caktuar!
Garo me të tjerët në veprat të virtytshme, sepse ka shumë mbledhje nga të cilat janë lartësuar njerëzit dhe e kanë fituar shpëtimin nga zjarri.
O Isa! Përmbaje veten për të mos u fundosur në këtë jetë të vdekshme, që ka për të marrë fund, dhe ec hapave të paraardhësve të tu! Thirri ata dhe fol me ta në fshehtësi! A e ndien praninë e tyre? Prej tyre merr mësim dhe dije se së shpejti do t’ju bashkëngjitesh!
O Isa! Atij që kryengritet kundër Meje dhe që kështu e shkatërron (fenë e tij), thuaji ta presë dënimin Tim e shkatërrimin e vet prej Meje. Së shpejti do të pritet bashkë me të shkatërruarit.
O djali i Merjemes! Ti i bekuar je, që merr sjelljet nga Zoti yt, i cili u tregua i butë e mëshirëplotë ndaj teje dhe i cili fillimisht të dhuntisi me bujari e pastaj të ndihmoi në vështirësi. Mos fyeh,o Isa, sepse fyerjet nuk janë të lejuara për ty. Me ty kam bërë një besëlidhje, siç kam bërë me ata që erdhën para teje. Unë jam dëshmitar i kësaj.
O Isa! Asgjë që kam krijuar, nuk e kam lartësuar aq shumë sa fenë dhe asgjë nuk kam mëshiruar aq sa fenë.
O Isa! Pastroje me ujë trupin tënd, ndërsa brendinë dëlire me vepra të mira, sepse tek Unë do të kthehesh.
O Isa! Stolisu me fe e me dashuri për nevojtarët dhe ec mbi tokë i përulur! Bëji në çdo vend lutjet e tua sepse ato janë të dëlira!
O Isa! Përgatitu për çdo gjë që të afrohet dhe recito nga libri Im ndërsa je i dëlirë e më lër të ta dëgjoj zërin e pikëlluar.
O Isa! Nuk ka të mirë në një kënaqësi që s’është e pafundme dhe në një jetë që merr fund.
O djali i Merjemes! Sikur të mund ta shihje me syrin tënd atë shpërblim që është stolisur për miqtë e Mi të sinqertë, zemra do të të shkrihej dhe shpirti do ta kërkonte atë, sepse nuk ka vendqëndrim si bota tjetër, ku të mirët jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe ëngjëjt hyjnë mes tyre. Atje janë të sigurt nga frika e ditës së gjykimit. Është një vend ku bekimet nuk ndryshojnë dhe nuk humben.
O djali i Merjemes! Garo me të tjerët (për të) sepse kjo është shpresa e shpresëplotëve! I bekuar je, o djali i Merjemes, nëse punon për të e nëse do të jesh me etërit e tu, Ademin e Ibrahimin, në kopshte e lumturi. Mos kërko rrugë tjetër dhe mos kërko ndryshim në këtë gjë.
O Isa! Ik drejt Meje si ata që i ikin një zjarri me zinxhirë e pranga, në të cilin nuk hyn as edhe puhiza më e lehtë e prej të cilit nuk largohet errësira. Kushdo që shpëton prej kësaj ka arritur sukses, ndërsa ai që shkatërrohet në të kurrë nuk ka për të shpëtuar. Ky është vendi i tiranëve, i shtypësve zullumqarë dhe i të gjithë atyre që janë kokëfortë të paturpshëm e mburravecë krenarë.
O Isa! Është një vend i ligë për ata që do të qëndrojnë në të dhe një vendqëndrim i keq, i caktuar për shtypësit. Ki kujdes karshi vetes tënde dhe ji i vëmendshëm ndaj Meje!
O Isa! Kudo që të jesh, ji i vëmendshëm ndaj Meje dhe dëshmo se jam Unë që të krijova, ti je shërbetori Im dhe Unë të trajtësova e të dërgova në tokë.
O Isa! Nuk është mirë që goja të ketë dy gjuhë dhe as dy zemra të rrojnë në një gjoks. Kështu është edhe me mendjen.
O Isa! Shkëputu nga dëshirat shkatërrimtare dhe largoje çdo dëshirë që të largon prej Meje. Dije se ti je për Mua një i dërguar i besueshëm, ndaj ji i vëmendshëm ndaj Meje! Dije se bota jote ka për të të sjellë tek Unë dhe Unë kam për të të pranuar duke të ditur, ndaj ji i përulur para Meje! Ji me zemër të nënshtruar kur të më përkujtosh! Ti ji i zgjuar teksa flenë zemrat e njerëzve të pavëmendshëm!
O Isa! Kjo është këshilla Ime për ty dhe paralajmërimi Im, ndaj pranoje! Unë jam Zoti i botëve!
O Isa! Kur robi im të durojë për hir Timin, shpërblimin do ta ketë prej Meje dhe Unë do të jem pranë tij kur të më thërrasë. Dhe dije se Unë mjaftoj si hakmarrës për atë që më shfaq mosbindje. Ku mund të shkojë shtypësi për të ikur prej Meje?
O Isa! Le të jetë e mirë fjala jote dhe, kudo qofshm, ji edhe i ditur edhe nxënës.
O Isa! Dërgo vepra të mira drejt Meje, që Unë t’i përkujtoj ato për ty, dhe kuptoje këshillën Time! Vërtet në të ka një shërim për zemrat.
O Isa! Mos u ndje i sigurt kur t’i shkëputesh planet e tua prej planeve të Mia dhe, kurdo të jesh i vetmuar në botë, mos e harro dhikrin Tim!
O Isa! Me kthimin drejt Meje, ji i vëmendshëm për veten tënde, që ta meritojnë shpërblimin ata që kanë vepruar. Ata do ta marrin shpagimin e tyre dhe Unë jam më i Miri i dhuruesve.
O Isa! Ti u krijove me fjalën Time, Merjemja të lindi me urdhrin që Unë e dërgova nëpërmjet shpirtit Tim, nëpërmjet Xhibrilit të besueshëm në mesin e ëngjëjve të Mi, deri kur u rrite e u bëre i gjallë. E gjithë kjo ngjau me dijen Time.
O Isa! Zekerijai është në pozitën e babait për ty dhe një kujdestar i nënës tënde. Kur hyri pranë saj në mihrab, e gjeti atë të furnizuar me bekime. Edhe Jahjai është si ti në mesin e krijesave të Mia. Atë ia fala nënës së tij kur ishte plakur dhe kur dukej se më s’kishte fuqi për të lindur. Me këtë, desha që sundimi Im të shfaqej në të dhe fuqia Ime në ty. Në mesin tuaj, më i dashuri për Mua, është ai që është më i bindur ndaj Meje dhe që më së shumti më ka drojë.
O Isa! Zgjohu dhe mos humb shpresë nga mëshira Ime! Më madhëro me ata që më madhërojnë dhe më lartëso me fjalë të bukura!
O Isa! Si mund të jetë mohues robi im, ndërsa Unë i mbaj në dorë balluket e tija dhe ndërsa ndryshimet e tyre ngjajnë mbi tokën Time? Ata janë të paditur për bekimet e Mia dhe përkrahës të armiqve të Mi, ndaj edhe do të shkatërrohen.
O Isa! Vërtet kjo botë është një burg i ligë, ndërsa ajo që duket e bukur në të, siç sheh, është ajo për të cilën zullumqarët e vrasin njëri-tjetrin. Dije se bota, me gjithë bekimet e saja, ka për të marrë fund. Dhe vërtet të pakta i ka bekimet e mirësitë.
O Isa! Më kërko kur të shtrihesh në shtrat dhe ke për të më gjetur! Më thirr me dashuri ndaj Meje dhe Unë jam vërtet më i miri i dëgjuesve e përgjigjem kur të më thërrasin.
O Isa! Ji i druajtur para Meje dhe bëji robërit e Mi të jenë të tillë! Mbase falë kësaj, mëkatarët do të ruhen nga mëkatet e kështu do të shpëtojnë nga shkatërrimi, përveç nëse nuk e bëjnë edhe pasi ta kenë ditur këtë.
O Isa! Ma ki frikën siç i ke frikë bishat dhe vdekjen që ke për ta takuar. Unë i kam krijuar të tëra, ndaj veç prej Meje ki frikë!
O Isa! Vërtet Mua më takon mbretëria, që është në dorën Time, dhe unë jam Mbreti. Po të më bindesh, Unë do të bëj të futesh në kopshtin Tim, krahë për krahë me të virtytshmit.
O Isa! Nëse Unë jam i zemëruar me ty, kënaqësia e të tjerëve nuk të sjell kurrfarë dobie. Dhe nëse Unë jam i kënaqur me ty, zemërimi i atyre që janë zemëruar nuk të sjell asnjë dëm.
O Isa! Më përkujto vetes tënde dhe Unë kam për të të përkujtuar vetes Sime. Më përkujto mes njerëzve të tu dhe unë kam për të të përkujtuar mes njerëzve, që janë më të mirë se bijtë e Ademit.
O Isa! Më thirr me thirrjen e atij që po fundoset, me thirrjen e atij që e ka gjetur fatkeqësia dhe nuk ka askënd për t’i ndihmuar.
O Isa! Mos u beto rrejshëm në emrin Tim e mos bëj të lëkundet me mllef froni Im! Kjo botë është e shkurtër por të gjata janë shpresat e saja. Pranë Meje është një mbretëri më e mirë se ajo që mbledh sot.
O Isa! Ç’do të bësh kur të nxjerr para teje një libër që flet të vërtetën, ndërkohë që ti i sheh të fshehtat që ke fshehur dhe veprat që ke kryer?
O Isa! Thuaju zullumqarëve mes bijve të Israelit: ju i lani fytyrat por i njollosni zemrat tuaja. Mos jeni mashtruar lidhur me Mua ose mos vallë jeni tepër mendjemëdhenj karshi Meje? Për Mua përdorni parfume, por barqet tuaja janë si kufoma të kalbura të njerëzve të vdekur.
O Isa! Thuaju: hiqni duart nga përfitimet e paligjshme dhe mbyllini veshët karshi fyerjeve. Afrohuni drejt Meje me zemrat tuaja sepse pamja juaj nuk ka gjë të bukur.
O Isa! Gëzohu për veprën e mirë sepse ajo më kënaq mua, por vajto për veprën e ligë, sepse ajo është poshtërsim. Atë që nuk dëshiron të ta bëjnë, mos ua bëj edhe ti të tjerëve. Nëse dikush ta shuplak faqen e djathtë, jepja atij edhe të majtën! Përpiqu drejt Meje nëpërmjet dashurisë dhe shpërfille të paditurin!
O Isa! Ji i përulur para atyre që bëjnë mirë dhe ndihmoji në vepra të mira e bëhu dëshmitar i tyre. Dhe thuaju zullumqarve mes bijve të Israelit: o miqtë e të ligës dhe shoqëruesit e saj! Nëse nuk u bindeni ligjeve, kam për t’ju kthyer në majmunë e në derra.
O Isa! Thuaju zullumqarëve mes bijve të Israelit: urtia qan nga frika prej Meje, ndërsa ju ikni duke qeshur. Mos vallë ju është dhënë ndonjë afat ose mos vallë keni ndonjë premtim që do t’ju mbrojë nga dënimi Im e që prej tij do t’ju shpëtojë? Betohem në veten Time se kam për të hequr dorë prej juve, si një shembull për ata që mbesin pas.
Ndaj, o Isa, ty po ta jap detyrën që t’u çosh fjalë bijve të Israelit, lidhur me Zotëriun e Profetëve dhe të dashurin tim, të quajtur Ahmed, që do të ketë një deve të kuqe e një fytyrë si hëna dhe që do të jetë një dritë shkëlqimtare, një zemër e pastër, pëplot guxim dhe i përulur.
Vërtet ai është mëshirë për botët dhe është zotëriu i bijve të Ademit në ditën që ka për t’më takuar. Ai është i mbrami dhe më i nderuari i profetëve të mi. Ai është arab, është i besueshëm, i përkushtuar fesë Sime, i durueshëm për hir Timin dhe nga ata që përpiqen me dorën e tyre kundër idhujtarëve për ta mbrojtur këtë fe. Urdhëroju ta pranojnë, ta besojnë, ta ndjekin e ta ndihmojnë atë!
Ai është Muhammedi, i Dërguari i Zotit (s.a.a) për njerëzit. Në pozitë, ai është më i lartësuara se ata dhe në ndërmjetësim, më i përgatitur se ata. Bekuar qoftë ai si profet dhe bekuar qoftë ummeti i tij, për sa kohë që më takojnë Mua në rrugën e tij.
Banorët e tokës e lëvdojnë, ndërsa banorët e qiejve i kërkojnë falje. Ai është i besueshmi, i bekuari, i përsosuri, shëruesi dhe më i miri se të tjerët. Ai do të vijë në fundin e kohëve. Kur të vijë, shirat e qiejve do të lirohen dhe toka do të lulëzojë, që njerëzit ta shohin bekimin e ardhur. Unë do t’i bekoj njerëzit me gjithçka që prek ai. Ai do të ketë shumë gra dhe pak fëmijë e do të banojë në Bekka (Mekke), ku hodhi themelet Ibrahimi.
O Isa! Feja e tij është e drejtë, kibleja e tij është jemenite dhe ai është nga njerëzit e Mi dhe Unë jam me të, bekuar qoftë. Keutheri është për të dhe për të është pozita më e lartë në kopshtet e parajsës. Ai është më i nderuari mes atyre që kanë jetuar ndonjëherë e që kanë rënë dëshmor dhe për të ka një liqen (në parajsë), që është sa largësia prej Bekka-së deri në pikën e perëndimit të diellit, e mbushur me verë të paprekur, në të cilën gjenden enë shkëlqimtare si galaksitë e qiejve dhe ku gjenden yje aq sa ka grimca toka. Atje ka verë dhe shije të çdo peme të kopshtit.
Kushdo që pi atje, kurrë nuk ndien më etje. Ajo është e ndarë për të dhe atë e kam përzgjedhur me një afat kohe ndërmjet teje dhe atij. Të fshehtat e tija janë në pajtim me atë që duket, ndërsa fjalët e tija në pajtim me veprat. Ai nuk u urdhëron gjë njerëzve, para se të nisë vetë ta bëjë atë. Feja e tij është përpjekje në vështirësi e në lehtësim. Qytetet do t’i binden atij dhe sunduesi i Romës do të nënshtrohet para tij, duke e ndjekur fenë e Ibrahimit. Ai do ta përmendë emrin e Zotit gjatë ngrënies, do t’u dëshirojë paqe njerëzve dhe do të lutet ndërsa të tjerët flenë.
Për të, çdo ditë do të ketë pesë lutje njëra pas tjetrës. Thirrja e tij në lutje do të jetë si thirrje për ta mbledhur ushtrinë. Ai do ta nisë lutjen me Allahu Ekber dhe do ta mbarojë me përshëndetje paqeje. Ai do t’i vendosë këmbët në vijë të drejtë gjatë namazit, ashtu si i vendosin ëngjëjt, ndërsa koka dhe zemra e tij do të jenë të përulura para Meje. Drita është në gjoksin e tij dhe e vërteta në gjuhën e tij. Ai është me të vërtetën, kudo qoftë.
Në fillim do të jetë jetim, sytë do t’i flenë por zemra nuk do t’i flejë. Atij i takon ndërmjetësimi dhe ummeti i tij do ta arrijë fundin e kohëve. Dhe dora Ime do të jetë mbi kokët e tyre. Kushdo që e thyen besëlidhjen me të, e thyen në dëm të vetes, e kujtdo që i mbetet besnik besëlidhjes me të, Unë do t’i mbetem besnik (duke i dhënë parajsën). Urdhëroju zullumqarëve në mesin e bijve të Israelit që të mos i shkatërrojnë librat e tij, të mos e dëmtojnë traditën e tij dhe le të jenë të paqtë me të. Vërtet për të ka një pozitë fisnike.
O Isa! Të kam udhëzuar drejt gjithçkaje që të sjell më pranë Meje dhe të kam ndaluar gjithçka që të largon nga Unë. Atëherë kërkoje atë që është në të mirën tënde!
O Isa! Kjo botë është vërtet e ëmbël dhe unë të kam vendosur në të. Ndaj rri larg asaj, karshi të cilës të kam paralajmëruar dhe merre prej saj atë që ta kam lejuar.
O Isa! Shihi veprat e tua me vështrimin e një shërbetori mëkatar e plot gabime. Mos i shih vepra e të tjerëve me syrin e Zotit. Mos u lidh për këtë botë dhe mos e dëshiro, që mos të vuash pastaj.
O Isa! Mendo, përsiatu dhe shih nëpër tokë për të parë se si ishte fundi i zullumqarëve.
O Isa! Të gjitha cilësitë e Mia janë një këshillë për ty dhe e folura ime nuk është veçse e Vërteta. Unë jam e Vërteta e hapur. Dhe me të vërtetë po të them: nëse shfaq mosbindje pasi të kesh mësuar, nuk ke as mbrojtës dhe as ndihmës për veten përveç Meje.
O Isa! Përule zemrën me butësi dhe shihi ata që janë më poshtë se ti dhe jo ata që janë mbi ty. Dije se koka e çdo gabimi e mëkati është dashuria për këtë botë. Ndaj mos e duaj atë, sepse as Unë nuk e dua.
O Isa! Dëlire zemrën tënde për Mua dhe më përkujto në vetmi. E dije se Unë jam i kënaqur me ty kur më lëvdon. Më dashuro gjallshëm e jo si i vdekur.
O Isa! Mos më gjej të barabartë dhe ji i vëmendshëm ndaj Meje. Mos u mashtro nga shëndeti e të rehatohesh. Kjo botë është si një hije e kalueshme dhe ajo që vjen prej saj është si ajo që vjen në të. Ndaj garo në përpjekjen tënde për virtytshmëri dhe ji me të vërtetën kudo që të jetë, edhe sikur të pritesh e të digjesh në zjarr për të. Ndaj mos më moho pasi ta kesh fituar njohurinë. Mos ji nga të paditurit. Gjithçka është me ata të sojit të vet.
O Isa! Derdh lot nga sytë e tu për Mua dhe ji i përulur në zemër.
O Isa! Më thirr për të të ndihmuar në vështirësi. Unë jam Ai që i ndihmon të shqetësuarit dhe u përgjigjet të dëshpëruarve. Unë jam më i mëshirshmi i mëshiruesve.
FUND