Ismail ibn Xhaferi përcjell se Imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të) ua dërgoi këtë letër ndjekësve e dashamirëve të tij, duke i këshilluar që ta lexonin atë e t’ua mësonin të tjerëve përmbajtjen e tij. Ndjekësit e Imamit e mbanin këtë letër në vendet ku e falnin namazin në shtëpitë e tyre dhe e lexonin pas çdo namazi. Përmbajtja e kësaj letre është si vijon:
Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Dhe pastaj nga Zoti kërkojmë një fund të mirë. Gjithnjë ruajeni besimin tuaj në Zotin, vendosmërinë dhe qetësinë! Kurrë mos e humbni dëlirësinë tuaj dhe dëliruni nga gjërat, nga të cilat u dëlirën pararendësit tuaj të mirë. Përpiquni të silleni me mirësi edhe ndaj njerëzve të ligë. Durojeni zullumin që jua bëjnë dhe rrini larg mospajtimeve me ta. Në vendbanimet ku të takoheni me këta njerëz – sepse nuk ka si të mos takoheni me ta – qëndroni larg zënkave dhe fshiheni besimin tuaj, sepse kështu urdhëron Zoti.
Kur t’i takoni, ata do të përpiqen t’ju lëndojnë e t’ju zemërojnë. Në zemrat e tyre do ta shquani pakënaqësinë me ju. Nëse Zoti nuk i kthen nga kjo rrugë, ata do t’ju sulmojnë e do t’ju lëndojnë vazhdimisht. Ajo që fshehin në zemra është edhe më e tepërt se e liga që e shfaqin hapur.
Ju rrini në kuvende të njejta me ta, por shpirtrat tuaj janë të ndryshëm dhe mes juve nuk ka afërsi. Ju nuk mund t’i doni ata dhe as ata nuk mund t’ju duan juve, përveç sikur Zoti t’i bënte ndjekës të të Vërtetës, gjë që s’ka për t’u ndodhur kurrë. Ju duhet ta duroni barrën e takimit me ta dhe të jeni durimplotë. Veprat e tyre janë të liga por ata nuk pendohen dhe gjithnjë përpiqen t’ju dëmtojnë me kurthe djallëzore. Po të mundnin, këta armiq të Zotit do t’ju kthenin nga rruga e vërtetë, por është Zoti që ju mbron.
Kinie drojë Zotin dhe ruajeni gjuhën tuaj nga fjalët e ndyra e të ashpra, nga fyerjet e nga gënjeshtrat. Është më mirë për ju që ta ruani gjuhën nga gjërat që i ka ndaluar Zoti. Përdorimi i gjuhës për atë që ka ndaluar Zoti është shkatërrim për njeriun. Të tillët do të sillen në Ditën e Gjykimit krejt të verbër, të shurdhër e memecë. Ata janë njerëzit, për të cilët Zoti thotë:
Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër. Më nuk kthehen (në rrugën e drejtë). (Kur’an, 2:18)
Përveç që duhet t’u shmangeni gjërave që i ka ndaluar Zoti, ruajeni heshtjen, së paku aty ku do të jetë e dobishme për ju dhe frytdhënëse për jetën tuaj në amshim. Dijeni së për këtë ka një shpërblim. Lëvdojeni e madhërojeni Zotin, pendohuni para Tij dhe dëshirojeni atë që është tek Ai, sepse atje është begatia e pafundme. Në vend të të folurit të ligë, të cilin e ka ndaluar Zoti, përdoreni gjuhën tuaj për ta përmendur e për ta falënderuar Atë.
Mos e shpërfillni duanë (lutjen) sepse për muslimanin nuk ka ndonjë gjë më të mirë se duaja, se pendimi para Zotit dhe të kërkuarit prej Tij. Lidhuni me gjithë zemër për atë që ju ka urdhëruar Zoti dhe përgjigjuni Atij, në gjërat drejt të cilave ju ka thirrur. Kështu do të shpëtoni nga dënimi i Tij. Ai që e bën atë që ka ndaluar Zoti dhe u përkushtohet mëkateve në këtë botë, largohet edhe nga Zoti por edhe nga kënaqësitë, bekimet dhe bukuritë që Ai i ka caktuar për banorët e parajsës.
Në të gabuarën është ai që i thyen ligjet e Zotit, që merret me të liga dhe që e heq perden mbi gjërat që Zoti i ka bërë të ndaluara. Ky njeri është i përhumbur në kënaqësitë kalimtare të kësaj bote, në vend që t’i kërkojë bekimet e parajsës dhe pozitat e lartësuara që do t’u takojnë banorëve të saj. Mjerë ai! Sa e kotë është ajo që bën dhe ç’kthim i ligë që e pret! E liga ka për ta gjetur në Ditën e Gjykimit. Ndaj kërkoni prej Zotit t’ju ruajë nga kjo dhe të mos ju gjejë ajo që ka për t’i gjetur të tillët! Dhe as ne e as ju nuk kemi fuqi tjetër veç asaj që është prej Zotit.
Dhe o njerëz të shpëtuar, kinie drojë Zotin! Dijeni se Zoti nuk ka për ta plotësuar bekimin e Vet për ju, për sa kohë që nuk jeni sprovuar me gjërat, me të cilat u sprovuan pararendësit tuaj, për sa kohë që nuk jeni sprovuar me jetët e me pasuritë tuaja dhe nuk e keni shijuar fatkeqësinë nga armiqtë e Zotit, të cilët do t’ju shohin si armiq të vetët e do t’ju shkaktojnë vuajtje e dhimbje. Ata do t’ju bëjnë zullum. Në rrugën drejt lumturisë së përjetshme në botën tjetër, durojeni zemërimin e tyre, zullumin dhe përndjekjen! Ata do t’ju kërkojnë të largoheni nga rruga e të Vërtetës dhe do t’ju urrejnë për shkak të fesë suaj. Por durojeni gjithë këtë me vendosmëri! Dëshmia e gjithë kësaj është në Kur’anin që iu shpall atij Profeti të lartësuar, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të e mbi familjen e tij. Keni dëgjuar ç’i tha i Gjithëfuqishmi të Dërguarit të vet:
Ti duro siç kanë duruar më parë profetët e vendosur dhe mos kërko që t’u vijë dënimi sa më parë! (Kur’an, 46:35)
Edhe profetë të tjerë para teje u quajtën gënjeshtarë por e duruan këtë dhe zullumet e tyre, deri kur u erdhi ndihma Jonë. (Kur’an, 6:34)
Nëse jeni të lumtur që Zoti, duke e ditur si janë, i bëri ata jobesimtarë, dhe nëse jeni të lumtur që Kur’ani thotë për ta “Dhe i bëmë ata prijës që thërrasin drejt zjarrit.” (Kur’an, 28:41), atëherë jini të kujdesshëm dhe përpiquni të shquani se për çfarë bëhet fjalë. Përndryshe do të jeni nga të paditurit.
O njerëz që Zoti i mëshiroi e të cilëve ua plotësoi bekimin! Dijeni se Zoti nuk i ka lejuar askujt që të veprojë në fe sipas dëshirave të veta, sipas mendimit personal ose duke u mbështetur në analogji (kijas). Ai e ka shpallur Kur’anin dhe ka shpjeguar gjithçka nëpërmjet atij. Për Kur’anin e për shkoqitjen e tij Ai ka zgjedhur një grup në mesin e njerëzve, të cilëve u ka dhënë autoritet për këtë gjë dhe të cilët nuk e shkoqisin atë sipas mendimit të vet. Atyre nuk u duhet një gjë e tillë, sepse kanë një dituri të dhuruar nga Zoti. Ata janë të dhuntisur me dije dhe me këtë shquhen. Ata e përkujtojnë Zotin pa ndalur dhe njerëzve u është urdhëruar që të tillëve t’u drejtohen me pyetjet e tyre. Zoti ka për ta lartësuar gjithkënd që i pranon e i dëshmon ata dhe ka për ta udhëzuar në rrugë të drejtë kah Vetja e Tij. Prej tyre nuk largohet kush, përveç atij që edhe në botën e shpirtrave ka qenë ngatërrestar, edhe para krijimit të botës së trupave. Veç njerëzit e tillë mendojnë se nuk kanë nevojë t’u drejtohen atyre me pyetje. Kështu mendojnë veç njerëzit që u janë përkushtuar dëshirave të tyre e që gjykojnë sipas mendimit të vet. Djalli i ka nënshtruar të tillët. Ata i quajnë jobesimtarë njerëzit që e njohin Kur’anin, ndërsa besimtarë i quajnë të devijuarit. Shumë prej gjërave të ndaluara i quajnë të lejuara e shumë prej të lejuarave i konsiderojnë të ndaluara. E gjithë kjo vjen si pasojë e ndjekjes së mendimit personal. Ndonëse në prag të vdekjes, i Dërguari (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) u caktoi një detyrim (përkth. ndjekjen e Kur’anit dhe të Ehl-i Bejtit), ata thonë se pas tij mund t’i sundojnë njerëzit nëpërmjet ligjeve të Zotit, ndonëse Zoti na e ka falur neve këtë gjë. Kështu ata e kundërshtojnë Zotin dhe të Dërguarin e Tij. Nuk ka njeri më të devijuar se ai që mendon se i lejohet një gjë e tillë. Për Zotin, ju duhet t’i bindeni Atij dhe t’i ndiqni urdhrat e Tij, qoftë gjatë jetës e qoftë pas vdekjes të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).
A mund të thonë ata se njeriu që e ka pranuar Islamin mund të sillet sipas mendimeve të veta? Nëse e thonë këtë, gënjejnë lidhur me Zotin dhe kanë devijuar keq. Askujt nuk i lejohet të veprojë sipas dëshirave të veta dhe sipas analogjisë, sepse kështu veç e dëmtojnë veten e tyre. Në të vërtetë, edhe ata besojnë se duhet të ndiqen urdhrat e Zotit edhe pas vdekjes të të Dërguarit. Kur’ani thotë:
Muhammedi është veç një i dërguar. Nëse ai vdes ose vritet, a do të ktheheni prapa mbi thembrat tuaja? (Kur’an, 3:144)
Zoti e thotë këtë, që të dimë se urdhrave të Zotit duhet t’u bindemi edhe pas vdekjes së Profetit. Njësoj siç nuk ka guxuar kush të veprojë sipas mendimit personal gjatë jetës së Profetit, nuk guxon edhe pas vdekjes së tij.
Dhe lutuni shumë! Zoti i do robërit e Vet besimtarë që kërkojnë prej Tij dhe Ai është që do t’i përmbushë këto kërkesa. Lutja e njeriut ka për t’u shfaqur në Ditën e Gjykimit si një vepër që ka për ta lartësuar pozitën e besimtarit në parajsë. Përkujtojeni Zotin sa më shumë, në çdo çast, ditën a natën. Zoti ju ka urdhëruar që ta përkujtoni shumë, sepse edhe Ai e përkujton atë që e përkujton Zotin.
Dijeni se besimtar është ai që e përkujton Zotin në mirëqenie. Mos hiqni dorë nga vendosmëria në robërimin para Zotit. Me nënshtrim dhe largim nga gjërat e ndaluara keni për ta arritur çdo të mirë që gjendet tek Zoti. Ruajuni të ndaluarës edhe hapur por edhe në vetmi. Kur’ani thotë:
Rrini larg mëkatit, të hapur a të fshehur qoftë. (Kur’an, 6:120)
Dijeni se keni për ta ndjekur të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) vetëm nëse hiqni dorë nga gjithçka që ka ndaluar Zoti. Nëse i ndiqni dëshirat ose mendimet tuaja, do të devijoni nga rruga e drejtë. Më i devijuari pranë Zotit është ai që i ndjek dëshirat ose mendimet e veta, pa ia vënë veshin udhëzimit të Zotit. Bëjini mirë vetes tuaj!
Jini të butë me njerëzit dhe mos u përpiqni t’i nënshtroni sepse do të dilni nga urdhri i Zotit. Ai që i fyen miqtë e Zotit, e ka mohuar vetë Zotin. Kush është një zullumqar më i madh se ai që e fyen Zotin dhe miqtë e Tij? Jini të vetëdijshëm, jini të vetëdijshëm! Ndiqni urdhrat e Zotit, përpos të cilit s’ka fuqi tjetër.
O njerëz që e ruani urdhrin e Zotit! Mos u largoni nga veprat e të Dërguarit, mos u largoni nga Tradita e tij dhe as nga Imamët e dëlirë të sojit të tij! Kushdo që lidhet pas tyre, i udhëzuar do të jetë. Kushdo që shkëputet prej tyre do të jetë i humbur. Zoti i Madhëruar ka urdhëruar që të ndiqen ata dhe se atyre u takon prijësia. Stërgjyshi im, i Dërguari i Zotit, ka thënë: “Zoti e do një veprim të vendosur, qoftë edhe të vogël, më shumë se një veprim të madh që vjen si pasojë e ndjekjes së dëshirave.” Dijeni se ndjekja e dëshirave dhe e risive në fe (bidateve) çon drejt devijimit. Çdo devijim është një risi në fe dhe çdo njeri që bën risi në fe ka për të përfunduar në zjarr.
Nuk mund të arrihet e mira që është tek Zoti përveç me nënshtrim, me durim dhe me të qenit i kënaqur me caktimin e Tij. Në të vërtetë, të qenit i kënaqur me caktimin e Zotit dhe durimi nuk janë tjetër veçse vetë nënshtrimi. Dijeni se asnjë rob i Zotit nuk ka besim për sa kohë që nuk është i kënaqur me gjithçka që i ndodh, pavarërisht në i pëlqen ajo ose i vjen e vështirë. Atij që është i kënaqur dhe durimtar, Zoti nuk ka për t’i falur asgjë tjetër përveç të mirës, pavarërisht në i duket e mirë ajo ose jo.
Kujdesuni për namazin tuaj, veçanërisht për namazin e iqindisë. Ngrihuni për t’i shërbyer Zotit e për t’u bërë robër të Tij, sepse Zoti jua ka ngarkuar këtë përgjegjësi njësoj siç i ka ngarkuar besimtarët e kaluar. Jini të dashur me besimtarët, sepse del nga feja e Zotit gjithkush që i lëndon dhe i fyen ata. Zoti ka për ta lënduar një njeri të tillë dhe do të jetë i zemëruar me të. Stërgjyshi im, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: “Zoti ma ka urdhëruar dashurinë për muslimanët e varfër.” Ata kanë të drejta mbi ju dhe e drejta e tyre është që t’i doni. Zoti i ka urdhëruar të Dërguarit të Tij që t’i dojë të dobëtit. Ndaj ai që nuk i do, i kundërvihet Zotit dhe të Dërguarit të Tij e nëse vdes në një gjendje të tillë, vdes si i devijuar.
Ruajuni nga vetëpëlqimi dhe mendjemadhësia, sepse madhështia i takon vetëm Zotit. Kushdo që garon me Zotin për cilësitë e Tija, i humbur do të dalë dhe i dëshpëruar në Ditën e Gjykimit. Hiqni dorë nga shtypja sepse kjo nuk u shkon për shtati njerëzve besimtarë. Kushdo që e shtyp tjetrin, e shtyp veten e tij, ndërkohë që Zoti është ndihmues i të shtypurve.
Mos xhelozoni sepse xhelozia është rrënja e mosbesimit. Mos i bëni të ligë muslimanit, sepse ai ka për t’ju urryer, ndërsa Zoti ka për t’ia dhënë Atij atë që ka dëshirë. I Dërguari i Zotit ka thënë: “Zoti e pranon lutjen e besimtarit të shtypur...” Ndihmojeni njëri-tjetrin, sepse i Dërguari i Zotit thotë: “Ta ndihmosh një musliman është më mirë se të agjërosh një muaj të tërë dhe madje më mirë se të tërhiqesh në vetmi e ta kalosh natën në adhurim brenda Xhamisë së Shenjtë.” Ai thotë gjithashtu: “Muslimani nuk guxon ta detyrojë muslimanin që t’ia kthejë borxhin, nëse e di se borxhliu është varfëruar. Atë që i jep kohë borxhliut të varfër, Zoti ka për ta marrë nën hijen e Vete atë ditë kur nuk ka hije tjetër veç hijes së Tij.”
O njerëz që i ka mëshiruar Zoti e që kështu i ka bërë më të mirë se tjerët! Kini kujdes që të mos mbeteni pa e përmbushur të drejtën e Zotit! Kushdo që ngutet për ta përmbushur të drejtën e Zotit mbi të, le të dijë se Zoti është i fuqishëm për t’ia shumëfishuar disa herë shpërblimin në këtë botë dhe në tjetrën. Përmbusheni të drejtën e Zotit, që Ai t’jua rrisë edhe më shumë bekimet që jua ka falur! Ai ka për ta mbajtur premtimin e Vet për t’jua shumëfishuar shpërblimin. Ai e shumëfishon shpërblimin e njeriut aq sa nuk mund ta dijë askush veç Atij. Mos u ndani nga Imami juaj e qëndroni pranë tij, aq sa të mundeni! Dijeni se nga Imami shkëputet veç ai që e përgojon një njeri të drejtë që është i përkushtuar Imamit të vet, që është i kujdesshëm në fe dhe që e njeh pozitën e Imamit. Dijeni se kushdo që e bën këtë është shkëputur nga Imami.
O ndjekës! Dijeni atë që Zoti e ka thënë lidhur me robërit e tij të drejtë. Ai ka thënë se gjithkush që dëshiron ta takojë Zotin me një besim të plotë, duhet ta dojë Zotin, të Dërguarin dhe besimtarët, e të rrijë larg armiqve të tyre. Lartësinë e besimtarëve të tillë nuk e arrin kush tjetër përveç ëngjëjve të afruar dhe profetëve të dërguar. A nuk e keni dëgjuar si flet Kur’ani për ta, kur thotë:
Kushdo që i bindet Zotit dhe të Dërguarit, do të jetë bashkë me profetët, të drejtët, dëshmorët e të mirët, të cilët Zoti i ka bekuar me dhunti. (Kur’an, 4:69)
Ky është vetëm një përshkrim i cilësive të lartësuara të atyre që i ndjekin Imamët. Ai që dëshiron të jetë një besimtar i vërtetë, le t’i përkushtohet asaj që Zoti ka vendosur si një detyrim. Ai e ka vendosur si detyrim sundimin e Vet, sundimit e të Dërguarit dhe sundimin e Imamëve, faljen e namazit, dhënien e zeqatit dhe “dhënien borxh” Zotit duke bërë vepra të mira. Ai i ka urdhëruar besimtarët të qëndrojnë larg veprave të liga, qoftë në të hapur ose në të fshehtë. Kushdo që në marrëdhënien e tij me Zotin i përmbahet fesë, është i sinqertë dhe nuk e lë pa kryer atë që Zoti ka urdhëruar, bën pjesë në grupin e fitimtarëve dhe të besimtarëve të mirëfilltë. Qëndroni larg veprave që janë të ndaluara nga e jashtmja dhe e brendshmja e Kur’anit.
Kur besimtarët para juve harronin ndonjë urdhër të Zotit, ata e kuptonin gabimin e tyre, pendoheshin dhe nuk lejonin që kjo t’u ndodhte përsëri. Zoti jep urdhëresa dhe ndalesa që ju të kryeni veprime të caktuara e të tjerat të mos i kryeni. Gjithkush që i ndjek urdhrat e Zotit, është i bindur ndaj Tij dhe ka për ta arritur çdo të mirë që është tek Zoti. Kushdo që nuk u shmanget gjërave të ndaluara, gabon karshi Zotit dhe nëse vdes në këtë gjendje, ka për t’u hedhur në zjarr.
Dijeni se askush nuk mund të jetë ndërmjetës mes Zotit dhe njeriut, madje as ëngjëlli i afruar dhe as një profet i dërguar. Ndërmjetësi i vetëm është nënshtrimi dhe robërimi para Zotit. Ndaj përpiquni t’i ndiqni urdhrat, në doni të bëheni besimtarë të vërtetë. Dhe nuk ka forcë e fuqi tjetër veç Zotit. Mos hiqni dorë nga nënshtrimi para Zotit, aq sa të keni fuqi. Ai është Krijuesi juaj.
Dijeni se Islami do të thotë nënshtrim dhe nënshtrimi Islam. Brenda Islamit është gjithkush që nënshtrohet para Zotit, ndërsa ai që nuk nënshtrohet nuk ka Islam. Kushdo që ia do vetes të mirën, le t’i nënshtrohet Zotit. Qëndroni larg mosbindjes, sepse kushdo që e gris perden e bindjes dhe shkel mbi të, i ka bërë zullum vetes së tij. Nuk ka një shkallë të mesme ndërmjet të bërit mirë ose keq vetes. Ata që bëjnë mirë janë banorë të parajsës, ndërsa ata që veprojnë ligë do të jenë banorë të zjarrit. Përmbajuni urdhrave të Zotit dhe qëndroni larg mosbindjes! Dijeni se askush nuk mund t’ju bëjë të pavarur nga Zoti, qoftë ky edhe një ëngjëll i afruar, një profet i dërguar a dikush tjetër. Kushdo që dëshiron ta fitojë ndërmjetësimin e ndërmjetësve, le të përpiqet për ta fituar kënaqësinë e Zotit.
Dhe dijeni se askush nuk ka për ta fituar kënaqësinë e Zotit përveç duke iu bindur Atij, të Dërguarit të Tij dhe Imamëve nga soji i Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). T’u kundërvihesh Imamëve do të thotë t’i kundërvihesh Zotit. Epërsia e tyre nuk mund të përgënjeshtrohet, as në gjëra të mëdha e as në gjëra të vogla. Ata që përgënjeshtrojnë janë mohues, ndërsa mohuesit janë hipokritë. Për ta ju ka lajmëruar Zoti, fjalët e të cilit janë të vërteta:
Hipokritët janë në fund të ferrit dhe s’ke për të gjetur dot ndihmës për ta. (Kur’an, 4:145)
Ju që i bindeni Zotit e që jeni të druajtur para Tij s’keni pse të keni drojë para dikujt tjetër. Ata që janë larguar nga e vërteta s’janë tjetër veçse djaj që shëtisin mes njerëzve e xhinnëve. Ata gjithnjë përdorin kurthe dhe mashtrime, me të cilat duan t’i largojnë njerëzit e të vërtetës nga përparësia që ua ka falur Zoti, në mënyrë që t’i barazojnë me vetveten në dyshim e në mohim të Zotit. Ai thotë:
Ata mezi presin që edhe ju të bëheni jobesimtarë si ata vetë, e pastaj të jeni njësoj. (Kur’an, 4:89)
Ja përse Zoti ua ka ndaluar besimtarëve shoqërimin me armiqtë e Zotit. Po të mos ishte kështu, ata djaj në mesin e njerëzve dhe xhinnëve, nëpërmjet kurtheve e mashtrimeve, do t’ju çonin drejt shkatërrimit e do t’ju bënin të shkëputeni nga e Vërteta. Kundërshtojeni të ligën e tyre në një mënyrë që është më e mirë! Ata më mirë se ju e njohin kuptimin e robërimit para Zotit. Me ta nuk ka nevojë të flisni për rrënjët e besimit (usul ed-din), sepse kur të kuptojnë çfarë thoni do të bëhen armiqtë tuaj. Mes njerëzve ata do t’ju sulmojnë me gjuhët e tyre dhe do të thurrin dredhi për t’jua përgatitur fundin. Do të bëjnë ç’mos për t’ju poshtërsuar. Pushteti i zullumqarëve kurrë nuk do të jetë i drejtë me ju. Ndaj njiheni pozitën tuaj në mesin e jobesimtarëve, sepse njerëzit e të vërtetës nuk duhet ta shohin veten të barabartë me njerëzit e devijimit, ngase edhe vetë Zoti i Madhëruar ka vendosur një dallim mes tyre. A nuk i dini fjalët e Zotit:
A thua do t’i quajmë të barabartë ata që besojnë e bëjnë vepra të mira me ata që përhapin trazira mbi tokë? A thua njësoj do të sillemi me ata që u ruajtën nga mëkati dhe me ata që mëkatuan? (Kur’an, 38:28)
Çmojeni veten tuaj dhe mos u largoni nga Zoti i Madhëruar, nga Imami juaj e nga besimi kur të përballeni me kurthet dhe mashtrimet e ngatërrestarëve, me çfarë veç do ta tërhiqni mbi vete zemërimin e Zotit e do të shkoni drejt shkatërrimit. Jini të vëmendshëm! Dhe sërish ju them: jini të vëmendshëm! Mos i shkilni urdhrat e Zotit dhe urdhrat e atyre, bindjen ndaj të cilëve jua ka urdhëruar vetë Zoti. Po të bëni kështu, Zoti ka për t’i larguar bekimet e tija nga mesi juaj. Duajini të afërmit tuaj në rrugën e Zotit dhe mos u miqësoni me ata që ju kundërshtojnë në këtë rrugë. Jini të dashur e të dhembshur kundrejt besimtarëve dhe mos u miqësoni me ata që janë armiq tuaj e që ju përgatisin kurthe. Kjo është rruga, drejt të cilës ju udhëzon Zoti i Madhëruar, ndaj mos u largoni prej saj. Jini të vëmendshëm dhe mos e shpërfillni atë! Bëjeni atë që përshtatet me udhëzimin hyjnor dhe kundërshtojeni atë që përshtatet me dëshirat e me epshet! Mos e lartësoni vetveten mbi Zotin! Dijeni se çdo rob i Zotit që bëhet mendjemadh, e ngre veten mbi fenë e Zotit. Jini të vendosur në besimin tuaj dhe mos u ktheni prapa sepse do të jeni në shkatërrim. Na ruajtë Zoti edhe neve edhe juve në lidhjen tonë me Të! Njeriun, të cilin fillimisht e ka krijuar si besimtar, Zoti ka për ta mbrojtur nga mendjemadhësia dhe krenaria, nëse ai largohet nga veprat e liga. Një rob i tillë i Zotit është i përulur dhe ka moral e sjellje të bukur. Në fytyrën e tij shquhet sinqeriteti i Islamit, përulësia dhe prehja që jep feja. Ai ruhet nga e liga dhe nga gjithçka që e zemëron Zotin. Njerëzve të tillë Zoti u fal dashuri ndaj të tjerëve dhe sjellje të bukur me ta.
Në këtë botë, jini të durueshëm karshi fatkeqësive, sepse për amshimin tuaj, është shumë më mirë të përballeni me vështirës në rrugën e Zotit e në ndjekjen e Imamit tuaj sesa të jetoni në begati por të pabindur para Zotit e të lidhur me ata, ndjekjen e të cilëve Ai e ka ndaluar. Ngase Zoti ka urdhëruar që të ndiqen Imamët (paqja qoftë mbi ta), për të cilët thotë: “...dhe i bëmë Imamë që të udhëzonin sipas urdhrit Tonë...”, atyre duhet t’u binden njerëzit dhe atyre u takon sundimi. Ata që i mohojnë këta udhëheqës janë të devijuar e të humbur. Në këtë botë, ata përkohësisht bëhen sundues mbi besimtarët e mbi Imamët e dëlirë nga soji i Muhammedit. Kështu përhumben në mosbindje ndaj Zotit e ndaj të Dërguarit dhe në fund i pret dënimi.
Nëse dëshironi të jeni bashkë me të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) e bashkë me profetët e tjerë, kthejeni vëmendjen tuaj drejt rrëfimeve që Zoti i përcjell në Kur’an lidhur me fatkeqësitë, me të cilat u përballën profetët dhe besimtarët. Pastaj kërkojini Zotit t’ju falë durim karshi fatkeqësive, në të mirë e në të ligë, njësoj siç u ka falur atyre. Qëndroni larg urrejtjes dhe sjelljes së ligë karshi njerëzve të devijuar. Mësohuni të jeni të qetë e të virtytshëm me robërit e mirë të Zotit, mësohuni të jeni të butë e të përulur, mësohuni të rrini larg veprave të liga, të jenë të sinqertë e besimtarë dhe të përpiqeni në robërimin para Zotit. Po nuk u sollët kështu, kurrë nuk keni për ta arritur pozitën e të mirëve para jush.
Dijeni se kur Zoti i Madhëruar dëshiron t’i bëjë një të mirë një robi të vetit, Ai i fal dituri dhe njohuri të Islamit. Ai, të cilit i është falur ky bekim, e flet vetëm të vërtetën, e lidh zemrën e vete fort pas të vërtetës dhe sillet sipas saj. Kur e arrin këtë bekim, ai e ka përsosur Islamin e tij. Dhe nëse largohet nga kjo botë në atë gjendje, pranë Zotit do të rradhitet në mesin e muslimanëve të vërtetë. Dhe kur Zoti nuk ia do të mirën një robi të vetit, e lë atë krejt vetëm. Zemra e tij është e mbuluar dhe e vulosur. Edhe sikur e vërteta t’i rrjedhë nga gjuha, ai nuk e beson atë me zemër. Dhe ngase nuk ka besim, ai edhe nuk vepron sipas fesë. Ju kërkoj të qëndroni larg të tillëve dhe t’i luteni Zotit që t’ju falë njohuri për Islamin, që gjuha juaj ta flasë të vërtetën deri në vdekje. Qoftë kthimi juaj si kthimi i të drejtëve para jush! Falënderimet janë për Zotin e botëve!
Kushdo që dëshiron të dijë në është i dashur për Zotin, le t’i bindet Atij në vepra dhe le të na ndjekë neve! A nuk e keni dëgjuar fjalën e Zotit:
Thuaj: “Nëse e doni Zotin, atëherë më ndiqni, që edhe Zoti t’ju dojë e t’jua falë mëkatet.” (Kur’an 3:31)
FUND